Tregimi i njeriut që gjeti plumbin e fshehur në kolltukun e zyrës, 29 vjet pas vetëvrasjes. Dy dëshmi nga Ish-kreu i Komisionit të Planit të Shtetit Harilla Papajorgji dhe ish-zyrtari Vath Jeshili
Në kujtimet e dy përkthyesve të Enver Hoxhës në mbledhjen e 81 partive komuniste e punëtore në Moskë, Frederik Gjerasit dhe Myfit Mushit, të cilat u botuan gjatë ditëve të fundite kskluzivisht në ‘DITA’, gjatë replikave mes Enverit dhe Hrushovit përmendej edhe emri i Liri Belishovës. Kjo përmendje nuk ishte e rastësishme. Në divergjencat e mëdha midis dy partive komuniste (pra, të PPSH dhe PK të BS) Liri Belishova ishte viktima e parë e madhe. E pëlqyer nga Hrushovi, pas një vizite në Kinë, Liria do të përjashtohej nga Byroja Politike në shtator 1960, dy muaj para mbledhjes së madhe. Që nga ajo kohë ajo vuajti 30 vjet në internim. Është një nga historitë tragjike të asaj periudhe.
Mirëpo fati i Liri Belishovës është i lidhur pazgjidhshmërisht me atë të Nako Spirut, ish-bashkëshortit të saj të shquar që, sipas versionit zyrtar, vrau veten në nëntor 1947. Të paktën Liri Belishova nuk i është ndarë asnjëherë dhimbjes për Nakon për shtatë dekada me radhë. Për këtë do të flitet në këtë material që ka për protagonist Harilla Papajorgjin, ish-kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit në vitet e fundit të diktaturës, si dhe Vath Jeshilin, specialist në Drejtorinë e Planifikimit të Përgjithshëm në Komisionin e Planit të Shtetit. Ndërsa në pjesën e dytë do të jetë përjetimi i Liri Belishovës.
Rrëfimi i Harilla Papajorgjit : “Bini moj daulle, bini,/Rroftë Duçe Musolini”
(Tregim i vitit 2000)
Harilla është një njeri tejet komunikues, i zgjuar dhe më një humor të hollë. Hokatar i pashoq. I zgjuar dhe cinik si ai. Më është kripur gjithnjë muhabeti me të. Vlonjat tipik dhe kushëri i parë me poetin e shquar Fatos Arapi. Natyrisht dhe me vëllanë e Fatosit, Vllasin, të cilin e pushkatuan komunistët që erdhën në pushtet në vitet e para të çlirimit.
E njoh prej shumë vitesh dhe ruaj shumë kujtime nga bisedat e tij të këndshme…
Një ditë vjeshte të vitit 2000, duke pirë kafe diku pranë Pallatit të Kulturës, i them të tregojë se si arriti të ngjitej deri te posti i lartë i Kryetarit të Komisionit të Planit të Shtetit.
Harilla Papajorgji në këtë rast bëhet tejet serioz dhe më tregon, gjë që për herë të parë po e shkruaj dhe botoj në gazetë. Biseda u bë në një kafene pranë Bibliotekës Kombëtare. Po riprodhoj në vijim rrëfimin e tij që lidhet me Nako Spirun.
“Ishte dënuar grupi i Ekonomisë. Kishin ikur koka. Iku Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi… Eh, ata ishin kush ishin. Grupi i Ekonomisë ishte pas atyre të Kulturës dhe Ushtrisë. Asnjëherë nuk i konsiderova armiq. Por nuk fola. Kështu ishin punët në atë kohë. Po të flisje e haje. Unë shikoja punën, sepse e kisha mizën nën kësulë. Ti e di që Fatos Arapin unë e kam kushëri. E Fatosi ishte dhe është vëllai i Vllasit. E shpallën armik dhe e vranë. Unë rrija kokulur…
Ekonomia kishte marrë tatëpjetën pas prishjes së miqësisë me Kinën. Situatë më të rëndë nuk kishte. Më thërresin një ditë Komitetin Qendror me urgjencë e më thonë: “Urgjent. Të kërkon shoku Enver!”. Ngriva. Nuk isha unë nga ata që të radhitesha me Enverin. Ç’punë kishte ai me mua? Vajta. Si tek ai. Nuk kisha goje fare. Më priti mirë, me shumë përzemërsi. Partia, më tha ka menduar të bëhesh kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit. Mua djersët në fund të këmbëve. Ika, thashë me vete. Pas Abdylit dhe të tjerëve para meje. Me gjysmë zëri thashë: “Po sikur të caktonit ndonjë shokë tjetër në këtë detyrë shumë të madhe? Unë…”. “Jo, tha Enveri, ti do ta bëç. Ke Partinë me vete!”.
Dakord, thashë. Dhe ika, po unë e di si ika…
Harilla Papajorgji
Te nesërmen mora detyrën. Vajta në zyrë. Te gjithë më shfaqnin një respekt të madh, sikur isha unë ai magjistari që do u zgjidhja problemet.
Zyra nuk më pëlqeu hiç. Një model tejet i vjetruar, me ca tavolina e karrige të kohës së Baba Qemos. Ca kolltukë të vjetër e ca perde në dritare të dala boje. Të gjitha këto më krijuan një gjendje shpirtërore tejet dëshpëruese. Si mund të punoja këtu në këto kushte. Thirra shefin e administratës dhe i thashë të mbante shënim: Do ndryshoj pamjen e zyrës. Më gjeni ca perde të çelura, ca karrige të reja të modës, po edhe kolltuqet merrini të rinj. Shefi i administratës mbante shënime. Në fund tha “Si urdhëron, do përpiqem t’i rregulloj sa më shpejt këto porosira…”
Të nesërmen troket zyra lehtë, shumë lehtë. Ishte shefi i administratës. Hyrë, i thashë, çfarë kishe? Po ja, me tha, për ato që më porositët dje. Të gjitha do të bëhen. Por…
Çfarë, por…
“Po ja, më tha, të gjitha do të bëhen, me përjashtim të atij kolltukut. Ai nuk do të lëvizë. Porosi e Komandantit… E shokut Enver, domethënë. Aty është vrarë Nako Spirua… Dhe… E kupton, domethënë…”
O zot, thashë me vete. Erdhi radha ime…!
I thashë “ik!”. Nuk isha në gjendje të punoja më tej. I mblodha ca shkresa, i futa në çantë dhe dola. Shoferi dhe rojet më prisnin te hyrja. Ikni, u thashë. Do iki në këmbë. Shyqyr që nuk kishte shumë njerëz në rrugë, ndërsa unë qaja. Aty para hotel Dajtit tek ura e Lanës takova mikun tim të vjetër, Dyrr Këlliçin, korrektorin legjendar të “Zërit të Rinisë” prej rreth 40 vjetësh, kishim punuar bashkë në vitet e para pas çlirimit. Dyrr Këlliçi dhe vlonjati “borgjez” Timo Bezhani që punonte si përkthyes në sektorin e jashtëm të KQ të Rinisë, kanë qenë miqtë e mi më të mirë në ato vite e deri në fund të jetës . Aty kemi njohur dhe kemi vlerësuar shumë Nako Spiron dhe Ramiz Alinë. Ata merreshin me rininë në atë kohë.
|hardcopy|2007/09/23 00:32:54
Shefqet cakiqi
Console / ACER-59DE6FF88D
U përqafova me Dyrrin sikur të kishim një jetë pa u parë. Po ai me ata sytë finokë prej “tironsi” të mençur e pikasi që kisha një hall.
“Çfarë ke, Harilla?”, më pyeti. “Sot është dhe kohë e mirë e me diell, pse ti je kaq i vranët?”
“Po ja” i thashë, “më kanë bërë Kryetar të Komisionit të Planit të Shtetit. Jam në hall…”
Dyrri, që nuk i kanë bërë asnjëherë përshtypje gradat dhe ofiqet, pasi gjithnjë ka vlerësuar intelektin te njerëzit me të cilët punonte si dhe te miqtë e shokët, si një njeri tepër i zgjuar e kapi hallin tim. Alegorik si ai. Dhe filloi të më tregojë një histori. Në fakt një fabul.
“E di historinë e majmunit, o Harilla?”, më pyeti. Dhe pasi unë ngrita supet, ai vazhdoi. “Në kopshtin zoologjik një majmun vepronte ndryshe nga kafshët e tjera. Kur njerëzit u hidhnin. Majmuni i hante arrat shumë. Mirëpo, ha e ha arra u zu kaps. Vuajti shumë. Me shumë mundim shpëtoi. Por arrat i pëlqenin. Dhe, ngaqë i pëlqenin arrat, i punoi mendja. Kur i jepnin arra vizitorët, pasi t’i fuste në gojë i fuste arrat në prapanicë. Ato që nuk ia nxinte prapanica i flakte… Ja kështu dhe puna jote, o Harilla, po ta mbajti bytha, bëje… As kaq nuk di të bësh ti, o Harilla?”
Ja këtë më tregoi Dyrri atë ditë.
Mesazhi fabulës është i qartë dhe unë e kujtoj me respekt edhe sot e kësaj dite mikun tim Dyrr Këlliçi. Majmuni, kuptohet, isha unë. Problemi është se kujt ia mbante bytha në atë kohë? Mor po të ikte koka si kokërr qepe.
Nejse, fillova nga puna. Pas nja ca muajsh do vija të raportoja në Byronë politike, para Enverit. Treguesit të gjithë blozë. Tatëpjetë e më tatëpjetë ne pas prishjes me Kinën. Mirëpo unë isha ekonomist dhe nuk mund të mashtroja më shifrat.
Para se të vija në mbledhjen e Byrosë. Më dridheshin gjunjët dhe djersët vuuu. Më kishin thënë që shokut Enver duhej t’i raportonim vetëm suksese. Po ku t’i gjeja sukseset unë? Kur vjen një shef i rëndësishëm në Komitetin Qendror dhe me një dashamirësi të madhe më pyet: Pse të shoh të merakosur, o Harilla? Ia thashë me dy llafe hallin që kisha. Ai qeshi dhe ma ktheu: E di historinë e Daut Hoxhës, të atij që u bë sebep për luftën italo-greke? Di aq sa dinë të gjithë për atë histori, i thashë. Po të tregoj unë thelbin, ma ktheu shefi i rëndësishëm në KQ.
U vra Daut Hoxha. Shërbeu si pretekst që Italia Fashiste të sulmonte Greqinë. Dhe Italia po përparonte . erdhi dita e festës në Romë. E marrin gruan e Daut Hoxhës dhe e nxjerrin në tribunë në paradën e madhe në Romë, në krah të Duçes. Fjalimet vuuu. Foli edhe Duçja që i mallëngjeu të gjithë me historinë e Daut Hoxhës.
Pastaj ia dhanë fjalën gruas së Dautit. Ajo nuk dinte asnjë llaf italisht dhe nuk e kuptonte gjithën atë gurgule në mes të Romës. Çfarë të thoshte, e shkreta? Pa andej këndej, dhe fap nxori atë shaminë që mbajnë gratë çame në brez. Banda vazhdonte himnet njëri pas tjetrit. Daullet bam-bum. E ajo pa e zgjatur nxjerr shaminë nga brezi e fillon të këndojë:
Enver Hoxha dhe Nako Spiru
“Bini moj daulle bini,/ Rroftë Duçe Musolini…”
Çfarë po thotë, pyeti Duçja përkthyesit. Po të lëvdon ty, ti je shpëtimtari i Shqipërisë dhe botës… Dhe vetë Duçja u mallëngjye nga këto fjalë të përkthyesve dhe filloi të duartrokiste.
Ja kështu, thotë Harilla Papajorgji.
“Me ndjesinë dhe nëntekstin e këtij tregimi për Daut Hoxhën hyra në atë mbledhje të Byrosë Politike dhe dola i lehtësuar. Nuk qenka dhe aq e vështirë, thashë me vete…”, e mbyll ai tregimin e tij për këtë ngjarje.
Ajo që nuk e thotë Harrilla
Ajo që nuk e thotë Harilla Papajorgji, plotësohet nga rrëfimi i Vath Jeshilit. Duke mos qenë i zoti të hiqte kolltukun ku u vra Nako Spiro, ndërsa shëndeti i Enverit rëndohej dhe problemet shtoheshin, ndërron zyrën me zëvendësin e tij Bujar Kolaneci, po pa i thënë arsyen. Edhe Bujari kishte ndjerë të njëjtin siklet si Harilla në zyrën e re dhe pa pyetur njeri, i heq kolltukët e i çon në një zyrë tjetër, në atë të Vath Jeshilit…
Vath Jeshili: Si e gjeta plumbin që vrau Nakon
Vath Jeshili, me origjinë nga Krutja e Lushnjës ka qenë një nga specialistët më të zotë në Komisionin e Planit të Shtetit. Është pikërisht Vathi që ka gjetur plumbin që i mori jetën Nako Spirut. Lidhur me ngjarjen në fjalë, ai tregon:
“Unë shkova si specialist në Drejtorinë e Planifikimit të Përgjithshëm në Komisionin e Planit të Shtetit në nëntor të vitit 1976. Ishte pa asnjë dyshim një nga periudhat më të vështira për të punuar në atë dikaster. Iknin koka në atë kohë… Nënkryetar kishim Bujar Kolanecin. Ai kishte marrë zyrën që kishte pasur dikur Nako Spiru. Kryetar ishte Harilla Papajorgji.
Vath Jeshili
Një ditë Bujari bëri rimobilimin e zyrës dhe atë kolltukun (që, siç e mora vesh më vonë, kishte vrarë veten Nakoja) e kaloi në zyrën time. Ai kolltuk prej meshini thuajse të zi, përveç asaj gjurmës së shëmtuar të plumbit që kishte marrë jetën e Nakos, më dukej edhe i shëmtuar, tejet demode. Ishte me susta dhe aspak i rehatshëm, ishte e pamundur të qetësoheshe në të në orët e pushimit. Të vriteshin brinjët po të mbështeteshe dhe kërciste. Kishte rreth 40 vjet që përdorej dhe nuk i ishte bërë asnjë riparim. Prandaj unë ia kalova Ahmet Trenit, kryetar i zyrës së bujqësisë në Komisionin e Planit të Shtetit. Edhe ai filloi të ankohej se pse ia çova atë kolltuk.
E ja kështu, Ahmeti thërret një ditë marangozin Spiro që ta modifikonte kolltukun. Duke punuar, Spiroja gjen plubin në dërrasën e kolltukut. Ahmeti më thërret menjëherë: “Hajde se ç’kemi gjetur!”. Po, ai ishte plumbi që kishte vrarë Nakon. Unë nuk jam specialist kriminalistike, por ajo që më bëri përshtypje ishte pozicioni i plumbit. Nakoja ka qenë ulur në kolltuk kur ka vrarë veten. Në atë pozicion plumbi duhej të ishte horizontal. Jo ai ishte në pozicion të pjerrët, rreth 45 gradë në një dërrasë në shpinë të kolltukut. Më shkoi mendja se mund të kishim të bënim me një vrasje. Por këtë nuk ia thashë njeriut. Mora plumbin dhe e futa në një qese plastmasi që e mbaja në tavolinë për aq kohë sa punova në Komisionin e Planit të Shtetit. Pastaj kalova specialist i ekonomisë për plan-bilancin në Ministrinë e Shëndetësisë në vitet 1989-91. Atyre që më vinin në zyrë shpesh u thoja se ja “ky është plumbi që i mori jetën Nako Spirut”.
Pastaj unë u transferova me punë në Sanatorium, prapë si ekonomist. Edhe aty plumbin e Nakos me vete. Më 2003 dola në pension. Thashë, pse të mos e dorëzoj këtë plumb që të ruhet diku. Më thanë ta dorëzoja në Muzeun Historik Kombëtar. Në atë kohë drejtor i Muzeut ishte Moikom Zeqo. Ai ngarkoi një punonjës i cili më mori në telefon dhe filloi të më bënte pazare parash… Nuk e dorëzova. Në 2004 vajta dhe ia dorëzova Liri Belishovës, ish-gruas së Nakos. Ja kjo është e gjithë historia e plumbit që vrau Nako Spirun”, e mbyll rrëfimin e tij Vath Jeshili.
Komentet