Mëngjesin e 17 shkurtit, një pjesë e segmentit të rrugës Korçë-Ersekë, që është ende në ndërtim, ishte shembur. Shembja ndodhi në Lotin II të rrugës, pikërisht në vendin e quajtur ‘Qafa e Qarrit’, në aksin qëështë ngritur në nivel me mur te rramesh i mbushur me inerte për të krijuar trupin e rrugës. Ky lajm ishte krye temë e ditës, rruga që ka kushtuar rreth 70 milionë euro deri më tani, dhe ende nuk është përfunduar dhe dorëzuar te autoriteti kontraktor, në këtë rast Autoriteti Rrugor Shqiptar, është kthyer tashmë në një skenë krimi…
Një ditë përpara se rruga të shembej, SYRI TV nëpërmjet korrespodentëve në qarkun e Korçës paralajmëroi rrezikun. Gazetarja Sidorela Xhomaqi solli pamje, vetëm 24 orë para, ku dukej se trupi i rrugës kishte pësuar ulje, duke u shkëputur në një pjesë të konsiderueshme të tij.
Një ditë më pas, rruga përfundoi në rrënojë. Reagimet për këtë ngjarje ishin të shumta nga politika dhe ekspertët, por të vetmit që nuk folën, ishin zyrtarët e qeverisë të përfshirë.
Heshtja e qeverisë për këtë skandal, duket se ishte një konfirmim i pranimit të fajit për cilësinë skandaloze të punimeve në këtë rrugë, e cila nëse do të kishte qenë e hapur për mjetet ne momentin e shembjes, mund të kishte shkaktuar një tragjedi.
Kjo rrugë është projektuar në vitin 2010, punimet e saj nisën në vitin 2013 ndërsa vijojnë prej më shumë se një dekade
Rruga ka gjatësi rreth 35 km
Rruga është tenderuar në tre lote:
Loti I-tenderuar në vitin 2013, gjatësia e rrugës 17.5 km, kostoja e punimeve 20 milionë euro me TVSH
Loti II (pjesa I) – tenderuar në vitin 2020, gjatësia e rrugës 4.15 km, kostoja e punimeve 28 milionë euro me TVSH
Loti II (Pjesa II) – tenderuar në vitin 2022, gjatësia e rrugës 12.8 km, kostoja e punimeve rreth 25 milionë euro.
Firma kontraktore për ndërtimin e rrugës shoqëria ANK shpk, fituese e tenderave në të tre lotet.
Kjo vepër inxhinierike, ashtu si shumë rrugë të tjera në vend të ndërtuara pas vitit 2013, përtej kostove të larta financiare, kanë vënë në pikëpyetje sigurinë e tyre inxhinierike. Shembja e rrugës në 17 shkurt, ka qenë e paralajmëruar.
E vërteta është se për rastësi apo saktësi profesionale, një ngjarje e tillë kishte qenë e parashikuar që në krye të herës, kur nisi të ndërtohej loti i dytë i rrugës, Qafa e Qarrit-Ersekë. Në atë kohë, inxhinieri Gjeodet, Romeo Nazarko kishte paralajmëruar që në hapjen e garës për tenderin e lotit të dytë të kësaj rruge, se projekti, sipas tij ishte i gabuar.
Kjo ishte arsyeja që në 30 tetor 2020, inxhinieri Romeo Nazarko, dorëzoi në SPAK një kallëzim Penal, ku padiste Drejtorin e Kohës të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ergys Verdho, Ministren e Infrastrukturës Belinda Balluku dhe kompaninë ANK me pronar Agim Kolën, vëllain e ish-deputetit socialist, Ndue Kola, i cili në fakt është shfaqur më vonë si inxhinier i rrugës.
Në kallëzimin penal, të inxhinierit Romeo Nazarko shkruhej që në fillim që projekti paraqiste problem teknike me pasoja të rënda në të ardhmen. Midis problemeve të shumta që konstatohen në kallëzimin penal, dy prej tyre tërheqin vëmendjen. Së pari, projekti inxhinierik, sipas Romeo Nazarko, është hartuar nga inxhinierët e firmës ndërtuesetë rrugës, ndonëse kjo gjëështë e ndaluar me ligj.
Romeo Nazarko, Inxhinier
Paqartësi midis asaj që shpreh projektuesi te paragrafi ‘Planimetria ‘ se ‘Aksi i rrugës orientohet nga perëndimi duke qenë nën ndriçimin diellor, gjë që do ndikojë pozitivisht në shkrirjen e dëborës dhe largimit të ujërave nga trupi i rrugës’ kurse te paragrafi ‘Vendndodhja e objektit’ shprehet se ’kjo pjesë e rrugës kalon në një terren me pjerrësi të madhe, ku përshkon vargun kodrinor-malor në anën veriore të Pllajës së Kolonjës. Projektuesi për këtë element shumë të rëndësishëm për zonën, ku reshjet e borës janë të larta dhe sjellin vështirësi në lëvizje të mjeteve është e paqartë se në cilën anë ndodhet. Kjo për faktin se projektuesi ka firmosur me symbyllur projektin dhe këtë e vërteton se rilevimin në terren nuk e ka bërë inxhinieri gjeodet i studios së projektimit por e kanë bërë inxhinierët e kompanisë që do merrte zbatimin e punimeve.
Ky element, në projektimin e rrugës, ngre dyshimin se një veprim i tillë është kryer me qëllim që kompania që do të fitonte tenderin për këtë projekt, të frynte sa më shumë kostot. Ky shpjegim jepet pasi sipas inxhinierit Romeo Nazarko, për këtë rrugë është hartuar një projekt në vitin 2010.
Sipas projektit të vitit 2010, jo vetëm që rruga nuk largohej nga zonat e banuara, por kostot e saj nuk fryheshin si në rastin e projektit të vitit 2020. Autoritetit Rrugor Shqiptar, për lotin e 2-të me gjatësi totale në rreth 17 km. Loti i dytë, është ndarë në dy faza ndërtimi, gjithashtu i tenderuar dy herë. Pjesa e parë e lotit të dytë është një segment me gjatësi rreth 4.15 km, që sot përkon pikërisht me trasenë e re të rrugës e mbushur me inerte me mur Terramesh. Për këtë lot, tenderi u zhvillua në vitin 2020.
Tenderi për pjesën e parë të lotit të dytë u zhvillua në datën 24 shtator 2020. Fondi limit i shpallur nga ARRSH për 4 km rrugë ishte rreth 2.4 miliardë lekë të reja, apo rreth 22 milionë euro me kursin e këmbimit të kohës. Në garë morën pjesë pesë kompani, por ashtu si në rastin e lotit të parë, të ndërtuar disa vite më herët, edhe këtë herë fituese u shpall shoqëria A N K. kjo shoqëri ofroi ofertën e 2 miliardë e 353 milionë e 12 mijë e 509 lekë pa TVSH. Me TVSH, vetëm ky segment ka kushtuar rreth 28 milionë euro.
Kontrata mes ARRSH, që në atë kohë drejtohej nga Ergys Verdho dhe shoqërisë A N K, u lidh në 8 tetor 2020, ndërsa afati i përfundimit të punimeve për 4 km rrugë të pjesë së parë të lotit të dytë, ishte 24 muaj. Projekti për këtë segment, parashikonte ndërtimin e një ure të gjatë duke përdorur teknikën e ndërtimit me Terramesh. Kjo teknikë, parashikon mbushjen e trupit të rrugës me inerte, ndërsa anët e saj ndërtohen mure me grabion, të përbëra nga rrjeta çeliku që brenda tyre vendosen gurë të mëdhenj. Këtë teknikë, inxhinieri Romeo Nazarko e ka denoncuar që në vitin 2020, duke u shprehur se arsyeja e vetme pse ajo bëhet, është për të justifikuar kostot e larta.
Romeo Nazarko
Autoriteti Kontraktor nuk sqaron se me çfarë vendim u hodh poshtë projekti i vitit 2010, ku duke u mbështetur te ky projekt banorët e zonës kanë bërë dhe po zbatojnë projekte, që më gjurmën e re i shkaktohet një dëm i konsiderueshëm. Në figurën 1 me ngjyrë të kuqe është gjurma e tenderuar, e cila sipas projektit nuk është bashkuar as me rrugën sekondare duke e lënë për një kohë të gjatë si rrugë padalje e cila do amortizohet pa u vënë në punë. Në figurën 1 duket qartë projekti i ri i cili pasqyrohet me ngjyrë të kuqe dhe të verdhë, si dhe gjurmën ekzistuese e cila do përmirësohej dhe zgjerohej sipas projektit të miratuar në vitin 2010. Ndërtimi i një gjurme tërësisht të re dhe të panevojshme që dhe me sy të lirë duket që është një paralele e gjurmës së vjetër është bërë me paramendim dhe me qëllim që të justifikojnë vlerën e lartë që do faturonin më vonë që shkon 4.5 milion euro për kilometër. Vlerë kjo që nuk justifikon as një gjurmë me 4 korsi dhe jo me dy siç është parashikuar kjo gjurmë.
Këtë fakt, e ka pranuar edhe vetë Ndue Kola, i cili disa vite më parë, tre vjet më parë, kur nisën punimet për ndërtimin e pjesës së parë të lotit të dytë, me gjatësi 4 km, në RTSH Korça, shprehej se mbushja me terramesh do të ketë volum të madh pune dhe për rrjedhojë kosto të larta.
Shihet qartë, që projekti për këtë rrugë kishte probleme të theksuara. Dhe bëhet fjalë veçanërisht për pjesën e aksit që u shemb, ku 4 km të të cilit,u kanë kushtuar taksapaguesve shqiptarë plotë 28 milionë euro. Sipas inxhinierit Nazarko, i gjithë loti i dytë i rrugës me gjatësi totale rreth 17 km, ishte parashikuar të kushtonte rreth 24 milionë euro pa TVSH, pra aq para sa kushtuan vetëm 4 km të këtij loti, i cili në total, ka kaluar shumën e 60 milionë eurove.
Një tjetër pikë, problematike e këtij segmenti, sipas inxhinierit, ishte dhe pjerrësia gjatësore e rrugës. Në speficikimet teknike të projektit, hartuar nga shoqëria mbikëqyrëse e punimeve, A& E Enginiering, varianti i ri i rrugës do të ishte 10%. Por, teksa pjerrësia ishte një nga arsyet e devijimit të projektit,në fakt edhe në projektin e vitit 2010, pjerrësia parashikohej të ishte po 10%.
Romeo Nazarko, Inxhinier
Projektuesi ka thënë se rruga do lidhej në afërsi të majës së Qarrit dhe në këtë zonë rruga kalon në një zonë tepër malore me pjerrësi deri 10%. Për arsyet e sipër shënuara u zgjodh një variant i ri dhe i përshtatshëm teknikisht që i jep zgjidhje përfundimtare problematikës në fjalë. Por në specifikimet e rrugës së re është shprehur se pjerrësia maksimale gjatësore do jetë 10%. Arsyeja e kushtit se projekti i parë kishte përqindje pjerrësie deri në 10% bie poshtë, se e njëjta pjerrësi maksimale 10% është parashikuar dhe në projektin e ri.
Tenderi i dytë për ndërtimin e pjesës së dytë të lotit të dytë të kësaj rruge, u zhvillua në 15 prill të vitit 2022. Edhe në këtë rast, në garë morën pjesë katër kompani, por çuditërisht garën e fitoi përsëri shoqëria A N K, e vëllait të ish deputetit socialist, Ndue Kola. Vlera e tenderit për pjesën e dytë të lotit të dytë, me gjatës 12.8 km, ishte me fond limit 21 milionë euro dhe për habi, Autoriteti Rrugor Shqiptar i drejtuar nga Evis Berberi nw kohwn e tenderit, e ka dhënë me pothuajse 100% të fondit limit edhe këtë tender. Në total, pjesa e dytë e lotit të dytë, ka kushtuar 25 milionë euro me TVSH. Ky tender u sinajlizua me flamur të kuq nga Open Data, për shkak se nga gara u skualifikuan të gjithë pjesëmarrësit e tjerë.
Një tjetër element që ngre dyshime jo vetëm për cilësinë e punimeve, devijimin e projektit me qëllim fryrjen e kostove për këtë rrugë, është edhe fakti se në të dyja lotët e punimeve, firma mbikëqyrëse është shoqëria A & E Enginiering me aksionere të vetme shtetasen Entela Çano. Kjo shoqëri, ka për detyrë të mbikëqyrë punimet e ndërtimit të rrugës Korçë-Ersekë, duke bërë kolaudimin e tyre. Dhe në rast të konstatimit të problemeve, shoqëria mbikëqyrëse duhet të raportojë te autoriteti Kontraktor, në këtë rast tek ARRSH.
Mirëpo në rastin e ndërtimit të rrugës Korçë-Ersekë, ku për të dy lotet A&E Engeeniering, ka përfituar dy tendera me vlerë totale rreth 400 mijë euro, ngrihet dyshimi se kjo kompani nuk ka kryer si duhet detyrën. Madje, kriteret teknike të rrugës janë hartuar dhe mbajnë firmën e kësaj shoqërie, çka tregon se në rastin e aksit Korçë-Ersekë ato nuk janë zbatuar. Dyshimi se A & E Engeeniering është në bashkëpunim dhe bashkëpërgjegjësi me shoqërinë ndërtuese të rrugës, ANK Shpk, përforcohet nga fakti se kompania e Entela Çanos gjatë viteve të fundit mbikëqyr zakonisht kontratat publike që ka fituar pikërisht kompania e vëllait të ish-deputetit socialist. Madje, shoqëria A&E Engeeniering, që ka fituar mbi 100 tendera publikë me vlerë mbi 6 milionë euro për mbikëqyrje punimesh, ka fituar edhe tenderin e supervizimit të lotit të katër të rrugës Elbasan-Qafë Thanë. Bëhet fjalë pikërisht për lotin me gjatësi 1.9 km, që do të ndërtohet pikërisht nga shoqëria ANK shpk e Agim Kolës.
Pagesa nga thesari për A & E Engeeniering
Viti SHUMA
2012-2013 21,641,931
2014 28,046,695
2015-2018 161,885,550
2019-2024 426,323,839
Totali 637,898,015
Ky fakt ngre dyshimin se zbatuesi i projektit dhe mbikëqyrësi i tij, fshehin problemet që shfaqen gjatë kontratës. Entela Çano, në të shkuarën e saj, ka qenë punonjëse e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, ku shfaqej në media si promotore e turizmit në kuadër të programit të shumëdiskutuar të qeverisë Rama, 100 fshatrat. Madje, gjatë vitit 2018, kur ajo ishte njëkohësisht pronare e shoqërisë A& E Engeeniering, shfaqej edhe si përfaqësuese e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, institucion nga i cili kompania e saj ka përfituar gjithashtu të paktën 16 tendera nga ky fond.
Kontrata për ndërtimin e aksit Korçë-Ersekë. Për pjesën e dytë të lotit të dytë, afati i punimeve ishte 24 muaj. Kontrata mes shoqërisë ANK dhe ARRSH-s u lidh në datën 10 qershor 2022, dhe sipas këtyre afateve, dorëzimi i rrugës duhet të bëhet brenda datës 6 qershor 2022. Këto afate i ka përmendur edhe ministrja Belinda Balluku gjatë insepktimeve të kryera me Evis Berberin në këtë aks.
Mirëpo teksa skandali ka ndodhur, qeveria po tenton të hesht në lidhje me shembjen e rrugës. Gjatë një vizite në Shkodër, kryeministri Edi Rama u shpreh se punimet do të kryhen nga kompania që po ndërton rrugën edhe për pjesën e dëmtuar. Sipas kreut të qeverisë, të gjitha problemet do të adresohen nga kompania sipas kontratës.
Edi Rama
Pjesa e shembur do të rindërtohet nga kompania pasi rruga nuk është dorëzuar, kërkojnë të mbulojnë me tym të vërtetën. Segmenti i shembur në aksin Korçë-Ersekë, do të duhet të ishte marrë në dorëzim nga qeveria sipas kontratës. Siç theksuam më sipër, pjesa e shembur e rrugës i përket pjesës së parë të lotit të dytë, e cila kushtoi rreth 28 milionë euro dhe u tenderua në vitin 2020. Për këtë pjesë, me gjatësi 4 km, afati i përfundimit të punimeve ishte viti 2022.
Ky fakt vërtetohet jo vetëm nga fati zyrtar i përcaktuar në kontratë, por edhe për faktin se në vitin 2022, u tenderua pjesa e dytë e lotit të dytë me gjatësi 12 km. Pra, qeveria dhe ARRSH, po tentojnë të mbulojnë një skandal, kur shprehen se rruga ende nuk është marrë në dorëzim dhe se punimet për riparimin e shembjes do të kryhen nga kompania sipas kontratës. Në fakt kontrata ka përfunduar për pjesën ku është shembur, dhe vetë qeveria e kishte inauguruar në prag të zgjedhjeve lokale të vitit 2023, duke e hapur për lëvizjen e automjeteve. Inaugurimi i segmentit të përfunduar, u bë në një takim elektoral të vetë kryeministrit Edi Rama, pikërisht, në vendin ku sot rruga është shembur.
Teksa Emisioni Plug ka kërkuar nga ARRSH pikërisht kontratën e plotë për këtë pjesë të lotit të dytë, ende nga ky institucion nuk është kthyer një përgjigje. Me anë të një përgjigje me shkrim, kthyer emisionit ‘Plug’, Autoriteti Rrugor Shqiptar shprehet se ka kryer inspektim te aksi i shembur, ndërsa nuk sqaron ende se cilat janë shkaqet që çuan në shembjen e rrugës. ARRSH gjithashtu thotë se nuk do të anulojë kontratën me kompaninë ndërtuese të rrugës.
ARRSH
ARRSH ka bere inspektim ne terren pas shembjes se një pjese te rrugës Korçe-Erseke. Janë duke u bere studimet e nevojshme për te përcaktuar shkakun dhe masat qe do te merren per riparimin e rrëshqitjes. Kontrata është ne periudhe garancie dhe kompania e ka nen përgjegjësinë e saj deri ne dorëzimin përfundimtar. Janë duke u bere studimet e nevojshme për te përcaktuar shkakun dhe masat qe do te merren për riparimin e rrëshqitjes. Kontrata është ne periudhe garancie dhe kompania e ka nen përgjegjësinë e saj deri ne dorëzimin përfundimtar. Ajo ka detyrim kontraktor marrjen e masave për riparimin e rrëshqitjes, pa kosto financiare shtese. Kontrata rishikohet vetëm nëse nuk janë përmbushur detyrimet e parashikuara ne nenet e saj. Referuar kontratës është detyrim kontraktor marrja e masave për riparimin e rrëshqitjes, pa kosto financiare shtese.
Por teksa ARRSH dhe qeveria mundohen të fshehin një skandal të madh, në krahun tjetër SPAK ka nisur hetimet. Për emisionin ‘Plug’, SPAK konfirmoi se po heton në bazë të kallëzimit të bërë nga inxhinieri Romeo Nazarko, por për hapi, ndonëse nga ky kallëzim kanë kaluar katër vjet, Prokuroria thotë se është në hetime paraprake.
Përgjigja e SPAK për Plug:
Në lidhje me informacionin e kërkuar, pas verifikimeve të kryera në regjistrin e njoftimit të veprave penale rezulton se, mbi bazën e kallëzimit të shtetasit Romeo Nazarko, është regjistruar procedim penal Nr.280, viti 2020, për veprat penale të ‘Shpërdorimit të detyrës’ dhe ‘Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike’, parashikuara nga nenet 248 dhe 258 të K.Penal. Ky procedim është në fazën e hetimit paraprak.
SPAK nuk iu përgjigj të gjitha pyetjeve të emisionit ‘Plug’, përfshirë dhe ato elementare se cili prokuror po heton dosjen. Megjithatë, emisioni mësoi se dosja po hetohet nga prokuroria Enkeleda Millonai, ndërsa më herët dosja ka qenë në dorën e prokurorit Arben Kraja. Mbetet mister arsyet pse prokurori Kraja ka hequr dorë nga hetimet e kësaj dosje, ndërsa, gjatë ditëve të fundit, në zyrat e ARRSH janë raportuar se janë sekuestruar dokumente që hedhin dritë mbi aferën e kësaj rruge.
Kush është kompania ANK dhe shoqëruesja e saj në mbikëqyrjen e punimeve A & E Enginiering?
Shoqëria ANK, është në pronësi të sipërmarrësit Agim Kola. Ky i fundit, është vëllai i ish-deputeti Socialist, Ndue Kola. Në fakt, Ndue Kola, është ish-themeluesi i shoqërisë që prej datës 5 qershor të vitit 1998. Por, në vitin 2009, kur Ndue Kola kandidoi në zgjedhjet parlamentare nën siglën e Partisë Socialiste, ai ja shiti kompaninë vëllait të tij Agim Kola. Ndue Kola qëndroi si deputet për vetëm një mandat, ndërsa pas vitit 2013, ai është shfaqur shpesh herë si inxhinier i shoqërisë ANK.
Në disa raste, Ndue Kola ka shoqëruar edhe kryeministrin Edi Rama, në inspektimin e rrugës Korçë-Ersekë. Në kronika të mediave lokale në Korçë, Ndue Kola ka dhënë dhe intervista, ndërsa ka shoqëruar edhe ish-ministrin e infrastrukturës, Damian Gjiknuri gjatë inaugurimit të punimeve të lotit të parë të aksit Korçë Ersekë në vitin 2017. Të gjitha këto të dhëna, ngrenë dyshimin se Ndue Kola, vijon të jetë pronari fakti i shoqërisë ANK, ndonëse shfaqet si inxhinier i saj.
Pas vitit 2013, kur socialistët erdhën në pushtet, shoqëria ANK shpk, u bë një ndër të preferuarat e qeverisë për punë publike. Kjo kompani, nga viti 2012 e deri më sot, ka marrë rreth 16 miliardë lekë të reja pagesa apo rreth 150 milionë euro për punë publike nga buxheti i shtetit. Nga një vëzhgim i kryer në faqen e Open Data Albania, shoqëria ANK, ka përfituar dhjetëra tendera publikë, vlera e të cilëve kalon në qindra milionë euro. Le ti marrim me radhë.
Transferta thesari nga buxheti për ANK Shpk
Viti SHUMA
2012-2013 1,316,617,313
2014 1,505,457,646
2015-2018 5,748,476,212
2019-2024 7,580,886,644
Total 150 mln euro
Vetëm për rrugën Korçë-Ersekë, nga viti 2013 e deri në vitin 2022, kjo shoqëri ka përfituar tre tendera publikë. Vlera e tyre kap shifrën e rreth 70 milionë euro në total, për të ndërtuar një rrugë me gjatësi rreth 35 km.
Në 19 dhjetor 2023, pra vetëm tre muaj më parë, Autoriteti Rrugor Shqiptar i drejtuar nga Evis Berberi, e ka shpallur shoqërinë ‘ANK SHPK’, fituese të tenderit për ndërtimin e Lotit IV të rrugës Elbasan-Qafë Thanë. Ky tender kap vlerën e 2.5 miliardë lekëve me tvsh, apo rreth 24.5 milionë euro në total. Ajo që bie në sy edhe në këtë tender, është fakti, se shoqëria ANK e ish-deputetit socialist Ndue Kola, duket se do të ndërtojë një segment të autostradës Elbasan-Qafë Thanë me kostot të fryra. Sipas projektit, rruga që do të ndërtojë kjo shoqëri është vetëm 1.9 km. pra, Autoriteti Rrugor Shqiptar i ka dhënë shoqërisë ANK SHPK rreth 25 milionë euro, për të ndërtuar një segment rrugor që është më pak se 2 km.
Bashkia e Lezhës, Tiranës dhe ajo e Kolonjës, i kanë dhënë gjithashtu shoqërisë ANK SHPK të paktën 8 tendera publikë, vlera e të cilëve, në total kap shumën e rreth 1.2 miliardë lekëve, apo rreth 10 milionë euro. Këto tendera, janë dhënë kryesisht për të kryer punë të tilla si: Ndërtim ujësjellësish, ndërtim shkollash, rikualifikim urban rrugësh etj.
Dy tendera me vlera të larta monetare, shoqëria ANK shpk, i ka marrë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Një tender është ai për ndërtimin e rrugës Dhimitër Konomi në Vlorë, me vlerë rreth 3.5 milionë euro dhe një tjetër tender është ai për ndërtimin e unazës së Pogradecit deri në Qafë Pllocë. Ky tender ka pasur vlerën e rreth 8.7 milionë eurove. Këto janë vetëm disa nga tenderat publikë që ka fituar kjo shoqëri, prej vitit 2013 e deri në dhjetor të vitit 2023. Shuma totale kalon mbi 170 milionë euro para nga buxheti i shtetit, ku deri më tani, janë disbursuar për këtë kompani, rreth 150 milionë euro.
Shoqëria ANK shpk, u bë e famshme për publikun për koncesionin e kontestuar të rrugës Milot-Balldre. Në vitin 2018, kjo shoqëri i paraqiti qeverisë një propozim të pa kërkuar për ndërtimin e autostradës Milot-Balldre. Në qershor të po atij viti, qeveria i dha kësaj shoqërie një një bonus prej 8.5 pikësh në procedurën e tenderimit. Në tetor të po këtij viti, Ministria e Infrastrukturës njoftoi se A.N.K SHPK-së i ishte dhënë një koncesion 13-vjeçar për ndërtimin e autostradës Milot-Balldre 17.2 km. Ligji nr. 52 u miratua në korrik 2019 posaçërisht për këtë qëllim.
Sipas kontratës së miratuar në vitin 2019, kompania do të ndërtonte rrugën për një vlerë prej 256 milione euro, apo rreth 15 milionë euro për km. kjo shumë ishte disa herë më e lartë se sa kishte parashikuar qeveria për ndërtimin e rrugës në strategjinë sektoriale të transportit të vitit 2016-2020. Megjithatë kostot u çuan në 300 milionë euro. Kontrolli i Lartë i Shtetit Shqiptar (KLSH) zbuloi një rritje artificiale të kostove të projektit të krijuar duke e cilësuar projektin si ‘autostradë’ në vend të ‘rrugës ndërurbane’ me pasojë një rritje të çmimit nga 61.5 milionë euro në euro. 140 milionë në studimin e fizibilitetit.
Presioni publik bëri që qeveria të tërhiqej nga ky koncesion, ndërsa në atë kohë, Transparency International, në një raport për këtë rrugë, shprehej se kompania ANK Shpk ishte e lidhur ngushtë me Partinë Socialiste në pushtet për shkak të Ndue dhe Agim Kolës. Sipas raportit të Transparency International, këto lidhje të ngushta të kompanisë me partinë në pushtet, e bënin marrëveshjen të dukej problematike.
Me gjithë këto, kjo kompani duket se ka vijuar të jetë një nga të preferuarat e qeverisë Rama për ndërtimin e veprave publike, të cilat siç rezultojnë tashmë, po shemben ende na pa u hapur. Rasti i rrugës Korçë-Ersekë është një prej tyre, ku jo vetëm ndërtimi i lotit të dytë, por edhe bankinat mbrojtëse të lotit të parë, i ka marrë dheu para, duke e bërë këtë aks të rrezikshëm për lëvizjen e mjeteve.
Për të gjitha këto, SPAK ka në dorë një dosje të plotë hetimore, por siç konfirmon vetë organi i akuzës, prej katër vjetësh, hetimet janë në fazë paraprake. Por teksa hetimet ecin me ritme të ngadalta, paratë publike në llogaritë e kësaj kompanie kanë ritme dhe më të shpejta, ndërsa veprat inxhinierike të ndërtuara nga ANK Shpk dhe mbikëqyrura nga A&E Engeeniering, sot vënë në rrezik jetën e qytetarëve shqiptarë…