Maj, 2023
1. Mesazh kujtimesh
Kohë të përflakura ishin vitet e 80-të. Pranvera e madhe kryengritëse, të rënët, represaljet mbi intelektualë, izolimet, rezistenca shpirtërore, më pas suspenzioni i autonomisë e, sërish, kryengritje, arrestime dhe të vrarë.
Kurrë më parë, aq më pak atëherë, s’kisha patur një mik serb. Nuk e them me mburrje a krenari provinciale. Aq më pak si një distancë nacionalisti shpirtvogël.
Por, sidoqoftë, kjo është e vërteta.
Isha rritur në familjen që vuante kujtimin e pushkatimit të pesë anëtarëve të saj mes dy luftërash botërore.
Dhe faji i vetëm ishte jeta, ekzistenca e tyre mbi këtë truall.
Pikërisht aty, në sytë dhe ndjesitë fëminore, shfaqej indi i pamjes imagjinare. E, vetishëm, do niste droja që, krejt pritshëm, të shndërrohej më vonë në armiqësi gjaku.
Në afërsi diku, ishte një mulli, mulliri i shkjaut i thoshin, ku babai, tek vente për blojë, më merrte ndonjëherë. Qysh i vogël e kisha frikë dhe përbuzja mullisin Avram…Në fantazinë time ai personifikonte dhunëtarët ose, më tepër, lubitë e egër. Ndaj dhe i pikturoja në përftyrimin tim si ca ardhës të largët, të huaj e barbarë.
Ndër vite pastaj, kur do filloja punë në Televizionin e Prishtinës, kishte një organizator serb (s’e di më si quhej), ndryshe nivel i ulët pune, që këmbente përshëndetje. Dukej dertar e i pandikuar shumë nga politika agresive e Serbisë.
Por mjesin e një nate, kur dola në punë, krejt papritur, kaloi përbri dhe ktheu kokën mënjanë.
Në fakt, mbrëmja e ikur ishte e veçantë. Dhe ai e kishte pikasur këtë. Ndaj pati një hije hidhërimi në fytyrën e tij.
Kisha shkruar një koment dramatik që prente kohën më dysh: Kosova ndante udhët e ardhmërisë me Serbinë!
Pa modesti false evokoj tani se ishte shkrimi i parë (shkurt, 1989) në publicistikën e Kosovës që pozicionohej ballas kundër regjimit dhe shtetit serb të Sllobodanit.
Madje dhe vetë Ldk-ja e asokohshme e Ibrahimit, ende kërkonte përlutshëm kthimin e statusit të rrëzuar autonom të Kosovës.
“Për atë Zot, për kë punon ti” më pyeste atë natë një ndihmëskryeredaktor i urrejtshëm serb me emrin Drobnjak. Për këtë popull këtu, i thashë, pa ngurrim fare.
Aq më bënte, por kjo ishte arsyeja që të nesërmen e asaj nate, kuriri serb nuk do t’më përshëndeste më kurrë.
Nuk vonoi shumë dhe u bë pjesë e “jogurt-revolucionit” që Sllobodani i tyre bënte gjithandej: kudo që kishte një prani serbe në hapësirat e Jugosllavisë!
Thoshin dikur se shkjau s’ka besë. Një kohë më ngjante pak folklorike. Një shprehje që, disi, përskajonte pezhorativisht, një komb të tërë.
Veçse, kuriri dhe jogurt-revolucioni i tij dhe lufta dhe masakrat serbiane mbi popullin shqiptar që shënuan mbylljen e shekullit, ndryshe nga dëshira ime për të besuar të kundërtën, do merrte provën tragjike.
Tek Hess lexoja se janë të nevojshme të gjitha ndjenjat njerëzore! Të gjitha? Për një çast do mbetesha i habitur? E thashë: edhe urrejtja?
Por shpejt më pas do reflektoja: e natyrshme, sepse ç’ndjesi tjetër duhej të kisha për gjaksin e popullit tim?!
Faljes i pararend gjithmonë pendesa, porse as njëra, e as tjetra nuk shihen askund!
Ndaj dhe, çfarëdo bashkëjetese politike me serbë nuk është veçse një aventurë me kulme mashtrimi e krimesh të pafund!
Por një pusi mnerore ruan gjithnjë shenjat në horizontin e mugët…
2. Një aleat rezervë që s’është…
Që nga shpallja e pavarësisë, e më herët vazhdimisht, Amerika, e dukshmja dhe e thella, pohonte prerë: dialogu, e pra normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, duhet përfundojë me njohje të ndërsjellë.
Kështu ishte, por a është akoma kështu?
Në prag të takimit të Brukselit mbi planin franko-gjerman, një trysni e paparë ushtrohej mbi Kosovën. Aq sa vetë Sekretari Blinken do kërcënohej e shantazhonte: s’ka miqësi të përjetshme!
Afrimi me Serbinë dëshmon këtë përvojë historie: e pra, se s’ka as armiqësi të përjetshme!
Ndërkaq tani, pak para një seance informative mbi Ballkanin në Senat, Dirk Chollet bëri një telefonatë me Kurtin dhe, më pas, dha bisedën publikisht.
Dhe cicëroi: marrëveshja mbi normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë mund të sjellë dhe “njohjen eventuale”.
Eventuale? Është ky ndryshim strategjie apo një truk taktik për të mos thartuar hovin e miqësisë së sythuar me Serbinë?
Po të jetë një lëvizje reale, “eventualiteti” do i bënte gropën Kosovës. Dhe ose gjendja e ngrirë do shdërrohej në përmanencë, ose shtetësia e Kosovës do ndryshkej e shkërmoqej pa kurorë mbijetese. Europa, e bashkuar në syprinë dhe ndarë nënujshëm e ndarë, është po ajo e moçmja, e revoltës fishtjane.
Sa keq e sa zor për një popull të vogël të ketë vetëm një mik, një aleat. Mirë: çlirimtar, i madh, i fortë a pronar i filozofisë libertare. Por, sërish: një dalëzotës!
Dhe s’ke asnjë hapsirë loje e manovrimi në udhëkryqe mjegullore kur një i vetmi mik mban në dorë fatin e jetëvdekjes sate.
Sa mirë do ishte që dhe shqiptarët të kishin një Rusi të tyre, një mik rezervë me të cilin do të grisnin flamurin e vetmisë. Dhe poashtu të merrnin shtruar fjalën therëse të Sekretarit se miqësia e përhershme nuk ekziston…
I druaj, ndaj, një shpërpjestimi gjeopolitik: sa më i thellë afrimiteti amerikan me Serbinë, për aq venitet a balansohet aleanca me shqiptarët!
Por analisti i largdëgjuar D. Serwer thotë se meraku është i pagjasë: sepse Serbia ka bërë qyshkur zgjedhjen e vet. Animi i saj definitiv vete drejt Lindjes, në parzmin e Rusisë dhe Kinës komuniste.
Përse aherë kjo kotnajë së cilës i prin me pasion të çuditshëm ambasadori Hill?
Përse Serbisë i jepen çelësat e lojës së shumëfishtë? Një komoditet me të cilin mban peng paqen rretherrotull saj!
Mirëpo faji qarkullon e kthehet sërish në votër: aty ku mbruhet e ndihet i parlindur. Në shtëpinë e Arbërit…
3. Dorëfshehta e vjetër…
Ditë prilli në Tiranë. Por sado e dielltë, bukuri e saj sikur mbetej pak larg nga jeta e zallahishme shqiptare.
Zjarrishtë elektorale tejendanë: kampe tek xyfen, transfertë titullarësh që ligështon opozitarët,
thashethemnajë e
korrierë mashtrues me valixhe rrugëtare…
Por, megjithë vëmendjen e shpërqendruar nga pikantëri të tilla, një pyetje ngulmonte në peshën e vet.
A do fitojë Rama në Shkodër?
Nuk ishte temë lokale që rrëmbente interesin e mediave, rretheve akademikë a kafeneve në Tiranë e Prishtinë. Së paku, të mos binte dhe fortesa e fundme e demokracisë. Madje më shumë se kaq: pika e mbramë e qëndresës përballë një fronti rrethimtar.
Ishte kjo pyetja e gazetares anonime serbe, drejtuar (datë 23 prill 2023) Blerim Xh., një ekspert marketingu nga Tirana dhe, pra, Belgradi paskësh hedhur zarin që Rama të marrë Shkodrën!
Psherëtima që pasonte pyetjen e saj, “ah ç’mrekulli do ishte”, rikthente strategjinë prapavajtëse në qindvjetin e shkuar kur Shkodra ishte metafora e krijimit të shtetit shqiptar.
Përse tani sërish?
Doktrinat serbe që rinohen pakëputur e nuk myken ndonjëherë nga stuhitë e kohëve, parathonë fuqizimin e elementit sllav dhe, pa kurrizin e lakuar të renegatëve, asnjë betejë e tillë nuk fitohet dot.
Rrjedhimisht, triumfi i Edvinit në Shkodër nuk rezulton të jetë vetëm i tij. As, thjeshtë, një bashki më tepër në vargun e pushtimit të paparë të atllasit politik shqiptar. Është, me gjasë, një projekt i përbashkët vëllamëror me serbin Aleksandër për një pikëmbështetje, një dhuratë zemre në kullën e ëndrrës së truar të botës serbe.
Humbja, që këtej, është më shumë se disfatë zgjedhore. Prek vetë themelet e shtetit që s’po arrin e s’po arrin të bëhet njëherë.
Dhe i tillë, me ç’duket i ngre një pusi Kosovës. Një pusi të ligë e të dyfishtë: kompromiton aftësinë e racës për shtet e liri e, njëkohësisht, një thikë Bruti, si përherë në Orë vendimtare, vezullon e mprehtë pas krahësh të saj…
Memorja e shkruar, thotë diku Markez, është e rrezikshme!
4. Një fatkeqësi biblike
Ndërsa kthehej në shtëpi, tashmë i liruar nga burgjet ku ishte kalbur një jetë, At Zef Pllumi do të ndalonte një çast mbi një urëz, poshtë së cilës rridhte rrëke uji, e prajshme dhe e vjetër.
Dhe i menduar, ofshânte me deshpërim: asgjë e re, po ai uji, po ajo botë…O Zot, si ishte e mundur që njeriu të kishte mbetur poaq i egër si tash e 4000 vjet më parë!..
Njëmend, si kje e mundur? Përse, veçanërisht, një e tillë egërsi e njeriut shqiptar!
Tiranitë, ndërkaq, kanë tipologjinë e vet.
Në Antikë fjala tiran nuk pati përherë një kuptim të keq. Por, merita e një klase legjitimiteti vinte kur një shtet a popull mbytej thellë në anarki, rrëmujë a demoralizim shkallmues. Dhe kur, poashtu, nga thyerja e përgjithshme, një tirani kalimtare do t’i hapte udhë ringjallëse frymës jetike të së drejtës dhe demokracisë.
Mirëpo, qysh në kohët romake, filozofët pledonin përmbysjen e tiranisë, nëse prishte drejtpeshimin harmonik të fuqisë mes saj dhe popullit të sunduar.
Ndërsa shfletoja teori e shkolla mendimi nga kjo fushëdije, do gjeja dhe definimin interesant “tirani zgjedhore ose e zgjedhur”.
E këtij lloji ishte, fjala vjen, sundimi i Dyonisit, tiran i Syrakuzës që fronsoi nga viti 430 para Zotërisë deri në vdekje.
Pastaj, ndër vite sundimi, ai do të degjeneronte ngadalë në tiran mizor e të pandreqshëm. Pas zgjedhjes nga kolegji i komandantëve, diskreditoi zyrtarët, mori nga kuvendi popullor kompetenca të posaçme, krijoi milicinë private dhe kapi kupolën e fuqisë me një grusht shteti të pashpallur.
Demokracia mbetej një formë e deklaruar shteti, por sundimi i tij do shndërrohej realisht në monarki absolute.
Platoni entuziazmohej dhe nuk kursente fjalë miradije për fillimet të tij. Veçse, një zhgënjim i thellë, e priste në shtegun e parë. Pas një takimi që kishte me të, thoshte: “ky është njeriu më i mjerë që qeveris shtetin më të trishtë”!
S’e di, por sesi më ngjan e afërt një paralele e sundit të Dyonisit antik me regjimin e Ramës në kohën dhe tokën e sotme shqiptare.
Tirani e zgjedhur, domethënë i fronësuar me votë, por mote më pas, i deformuar në tirani reale që ushtron pushtetin absolut mbi gjithçka popullore. Dhe ajri që njerëzia frymon mban vulën e vullnetit të tij.
Në fakt, ishte menduar se viti 2013 do të prente kohën: para e pas tranzicionit mundimtar. Rama, simbol i një brezi tjetër, do të linte pas, tashmë përtej të djathtës e të majtës, atë zgjatim latent të diktaturës.
Dhe një notë ngazëllimi platonjan kapullonte qetësisht.
Por ai dogji papritur shpresën në hirin e përmallimit autokratik. E tani, nën një qiell të përmortshëm, i ka dhuruar një plojë biblike popullit të vet.
E, ashtu, njëj kalërimi dhunëtar mbi supet e lodhura kombëtare, sikur të vinte nga një shekull e kohë tjetër, s’është i aftë për një lavdi të re: të mposhtë vetëveten!
Kronikat e ftohta thonë se diktatorët bien aherë kur prekin kulmin e fuqisë dhe, ashtu, konsumojnë kohën e tyre.
Ngadhënjimi përrallor, kaq i huaj për demokracinë, është shenjë e sigurtë e kësaj lektyre: filli i rrokullimës së tij!
Krejt ç’mbetet është forma e lamtumirës…
R.