VOAL

VOAL

Pleh nga Rudolf Marku – Nga EDISON YPI

December 3, 2015

Komentet

LAMTUMIRË KOLEG I DASHUR — SHKRIMTARI DHE GAZETARI I ZËRIT TË AMERIKËS ASTRIT LULUSHI NDËRROI JETË Nga Frank Shkreli

Astrit Lulushi

4 Shtatori më solli një lajm të rëndë për mua dhe për të gjithë ata që e kanë njohur dhe kanë pasur privilegjin të punonin me Astrit Lulushin. Lajmin e zi ma përcolli i vëllai i Astritit, Albert Lulushi, gjithashtu një koleg imi i familjes së nderuar Lulushi: “Wanted to send a brief message about Astrit. He passed away this morning. Thank you for being an important part of his life.” Astrit Lulushi e humbi betejën e fundit nga një sëmundje e rëndë në veshke që e kishte ndjekur me kohë.

Është një fjalë e vjetër ndër ne shqiptarët kudo që jemi, me shprehjen se “Të gjithë jemi bijat dhe të bijt e vdekjes.” E verteta e idhtë është se kjo thënje është tepër e ftohtë në çdo rast vdekjeje, por në këtë rast, të kësaj humbjeje të rëndë — siç është kalimi në amshim, mengjesin e 4 Shtatorit, 2024, të kolegut tonë Astrit Lulushi. Kjo shprehje nuk i teri as lotët e derdhura nga familjarët dhe të dashurit e tij, miq e kolegë. As nuk zvogëlojnë aspak dhimbjet për humbjen e një kolegu të dashur për të gjithë ata që e kanë njohur si tepër të dobishëm për familjen e tij, për Zërin e Amerikës në gjuhën shqip, ku ka punuar për 30-vite dhe për të gjithë ata me të cilët ishte në kontakt sa ishte gjallë. Astrit Lulushi ka lindur në vitin 1953 në Tiranë. Ai u arratis nga regjimi komunist Bolshevik sllavo-komunist në vitin 1985 dhe një vit më vonë filloi punë tek “Zëri i Amerikës”, ku e ndjente veten shumë të privilegjuar, ndërsa familja e tij iu bashkua disa vite më vonë, pas shembjes së Murit të Berlinit.

Vdekja është gjithmonë një ngjarje e kobshme dhe në rastin e Astritit, disi e parakohëshme, pasi e mori në moshën 71-vjeçare. Por, pasi ky, përfundimisht, është fati i të gjithë ne – s’i ikim dot, por me lutje e pranojmë si diçka që i dorëzohemi, duam, s’duam.  Ndërkaq, në raste të tilla, ato që na mbeten, janë kujtimet dhe trashëgimia lenë pas — janë ato kujtime nga e kaluara që e bëjnë shkuarjen në amshim, ndoshta pak më të lehtë.

Prandaj, sot e kujtoj Astrit Lulushin si koleg të nderuar dhe të respektuar nga të gjithë bashkpuntorët e tij, gjatë periudhës që kemi punuar bashk në Zërin e Amerikës – megjithse nuk ishim në marrëdhënie të përditshme pune. Astriti ka filluar punën në shërbimin shqip të Zërit të Amerikës, në vitin 1985, pothuaj menjiherë pasi ishte arratisur nga Shqipëria komuniste. E kujtoj si një gazetar me përvojë, si producent i përpikët i Shërbimit shqip për programet e radios dhe më vonë të televizionit. Por edhe si folës, përkthyes, gazetar e shkrimtar. Ishte shumë i dashur për të gjithë.

Gjatë punësimit, tek VOA-shqip, Astrit Lulushi trajtonte lloj-lloj temash e subjektesh për transmetim, përfshir shkencë dhe mjekësi. Ishte i njohur dhe shumë i respektuar edhe në komunitetin shqiptaro-amerikan, pasi ka shërbyer shpesh si korrespondent i Zërit të Amerikës, duke mbuluar zhvillimet e komunitetit dhe duke intervistuar personalitetet e dalluara shqiptaro-amerikane.

Pas 30-viteve punë, Astriti kishte vendosur të dilte në pension nga Zëri i Amerikës 5-vjet më parë, në korrik të vitit 2019. Me atë rast, Drejtoresha e atëhershme e Zërit të Amerikës, Amanda Bennet i dorëzoi Astrit Lulushit dekoratën, “Çmimi i Karrierës”, për arritjet e tija profesionale. Me atë rast Astriti u drejtoi, nga një studio e Zërit të Amerikës, fjalët e fundit si gazetar i këtij enti të madh amerikan lajmesh, dëgjuesve dhe shikuesve të VOA-s shqip:

“Sot është dita ime e fundit si punonjës i Zërit të Amerikës. Pas 30-vjet punë tani erdhi koha për të dalë në pension. Njeriu ikë nga vendlindja dhe vjen në Amerikë për të kërkuar liri dhe mirëqenje. Këtu, unë i gjeta të dyja. Gjithashtu ndjehem i privilegjuar që m’u dha mundësia për të shërbyer në një agjenci si Zëri i Amerikës, që zë vendin e nderit mes vendeve të lira. Largohem i përmbushur dhe i nderuar që kam qenë në shërbimin tuaj – ju dëgjues dhe shikues të mrekullueshëm të programeve të Zërit të Amerikës. Ju falemnderit!”

Ishin këto fjalët e Astritit në ditën e pensionimit drejtuar dëgjuesve dhe shikuesve të Zërit të Amerikës. Por duken mjaft të përshtatshme këto fjalë edhe sot që kolegu ynë i dashur, është ndarë përgjithmonë prej kësaj bote: “Në Amerikë gjeta lirinë dhe mirëqenjen” — “Largohem i përmbushur dhe i nderuar”, është shprehur ai, si një falënderim ndaj Amerikës që e ka strehuar, ashtu si edhe shumë prej nesh që kemi gjetur strehim dhe liri në këtë vend të bekuar –të arratisur nga anë e mbanë trojet shqiptare.

Edhe ne që e kemi njohur e punuar me Astritin gjatë dekadave – ndonëse të pikëlluar për humbjen e tij — ndihemi të pëmbushur dhe të nderuar që e kemi njohur. Ai do vazhdojë të jetë me ne – nepërmjet trashëgimisë kulturore dhe një publicistike me gjallëri mahnitëse që ka lenë pas: të pakën mbi një dyzinë librash të botuar dhe qindra e qindra artikuj. Por, shkuarja në amshim e Astritit gjithsesi do të varfërojë gazetarinë dhe letërsinë shqipe jo vetëm në diasporë por edhe anë e mban trojeve shqiptare ku ai ishte pothuaj i pranishëm, vazhdimisht.

Por megjithkëtë, zbrastia e tij do të ndjehet shumë, sidomos në rrethin e tij familjar, në radhët e kolegëve të tij gazetarë dhe në komunitetin shqiptaro-amerikan, pjesë e të cilit ishte për pothuaj 50-vjet, si gazetar i Zërit të Amerikës dhe si publicist pas daljes në pension. Familjes së ngusht, pikëspari bashkshortes Lilianës, familjarëve të tij në Amerikë dhe në Atdhe – u shprehi ngushëllimet më të sinqerta dhe përdhimtimet e mia më të thella – me nderim e respekt – duke u përkulur para kujtimit të paharrueshëm të Astritit.

Frank Shkreli

Me rastin e daljes në pension, Drejtoresha e atëhershme e Zërit të Amerikës, Amanda Bennet i dorëzoi Astrit Lulushit dekoratën,
“Çmimi i Karrierës”.

 

Astrit Lulushi në sallën e konferencave të entit Euro-Aziatik të Zërit të Amerikës

MUZEU HISTORIK KOMBËTAR, VINÇENC PRENUSHI, BENJAMIN FRANKLINI DHE GJYSËM TË VËRTETAT Nga Frank Shkreli

Nga hera në herë lexoj portale të ndryshme në internet që merren me historinë, siç ndodhë edhe me portalin e Muzeut Historik Kombëtar, nga i cili mësoj të dhëna që nuk i dijë nga historia kombëtare e shqiptarëve. Kësaj radhe ndodhi që lexova një shënim të Muzeut Historik Kombëtar me rastin e ditëlindjes së Vinçenc Prenushit (4 Shtator, 1885) Ipeshkvit martir shqiptar, të Lum, Imzot Vinçenc Prenushit — martir i Kishës Katolike dhe i Kombit Shqiptar, në kohën e regjimit komunist, i cili ka ndërruar jetë, më 19 mars 1949, nën tortura të regjimit diktatorial bolshevik komunist të Enver Hoxhës. Në njoftimin e Muzeut Historik me rastin e lindjes së tij, jepen informacione dhe të dhëna se kur dhe ku lindi, përfshir, shkurtimisht, shkollimin, karrierën klerikale dhe kontributet e tija në fushën e publicistikës, poezisë dhe mbledhjes së folklorit. Dhe në fund të njoftimit shkruhet se, “Në vitin 1947 u arrestua dhe u dënua me 20-vjet punë të detyrueshme. Vdiq në burgun e Durrësit”, thuhet në njoftimin e Muzeut Historik Kombëtar, duke mbyllur postimin në kujtim të Vinçenc Prenushit.

Duke lexuar këtë njoftim të Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, m’u kujtua një thënje e famshme e njërit prej baballarëve themelues të Shteteve të Bashkuara, Benjamin Franklinit se: “Gjysëm e vërteta është shpesh herë një gënjeshterë e madhe”– (“Half a truth is often a great lie.’ – Benjamin Franklin”). Ose thënë shqiptarçe, një “rrenë me bisht”, ose “rrenë ditën për diell”.
E quaj këtë njoftim si një përpjekje për të mbuluar të vërtetën e krimeve të komunizmit, si një përpjekjet për të riabilituar historinë kriminale prej gjysëm shekulli të komunizmit. Duke ushqyer kështu brezin e ri me kësisoj gjysëm të vërtetash historike nga ente zyrtare, si Muzeu Historik dhe Akademia e Shkencave, duke injoruar ose anashkaluar të vërtetat historike – me postime “gjysëm të vërteta”. Në këtë rast, thuhet një gjysëm e vërtetë se Ipeshkvi Vinçenc Prenushi, u arrestua dhe u dënua me 20-vjet punë të detyrueshme dhe se vdiq në burgun e Durrësit. Por nuk thuhet asgjë se pse u dënua, “Ëngjëlli i myslimanëve dhe i të krishterve”. Nga kush u dënua, se si dhe nën çfarë rrethanash vdiq në burgun e Durrësit Vinçenc Prenushi — “I burgosur, i rrahur e i torturuar”. I “Lidhur kambësh e duarsh”, i “varun e i munduem”, në burgun e Durrësit,- ka shkruar Profesor Arshi Pipa për mikun dhe bashkvuajtësin e tij Ipeshkvin Vinçenc Prenushin, duke iu drejtuar lexuesve sot nëse mund të: “Përfytyroni tash këtë njeri, nji burr gjashtdhetë e pesëvjeçar, nji prelat të naltë të Kishës, nji nga fort të rrallët shkrimtarë të Rilindjes ende të mbetun gjallë, përfytyronje të varun asisoj në nji nevojtore të Degës së Sigurimit”, në burgun e Durrësit.

Përfshirja e këtyre të dhënave, dëshmi e Profesorit Arshi Pipa, por dhe të tjera si këto — të nderuar historianë të Muzeut Historik Kombëtar — do ia paraqisnin lexuesit dhe brezit të ri, të vërtetën e plotë mbi komunizmi – të pakën në rastin Imzot Vinçenc Prenushit

Për ata që dëshirojnë të mësojnë diçka më tepër për burgosjen dhe torurat e mundimet e Sigurimit të Shtetit komunist shqiptar – ndaj burrave të Kombit siç ishte Vinçenc Prenushi – mund të lexoni disa të dhëna nga Profesor Arshi Pipa, bashkvuajtës dhe dëshmitar i kalimit në amshim, në duar të të cilit, ndërroi jetë Vinçenc Prenushi në burgun e Durrësit në vitin 1949, një pasqyrim i shkurtër vijon si më poshtë, botuar marsin e kaluar – si një informacion shtesë ndaj njoftimit të Muzeut Historik Kombëtar!

————————————————————–

Nga Frank Shkreli – Imzot Vinçens Prenushi: Dëshmi drite në errësirën e dhunës komunisto-bolshevike shqiptare
Gazeta Telegraf –19 Mars, 2024

19 marsi shënon ditën që Kisha Katolike universale pёrkujton festёn liturgjike kishtare tё Ipeshkvit martir shqiptar të Lum, Imzot Vinçenc Prenushit, në përvjetorin e vdekjes së tij në burg si martir i Kishës Katolike dhe i Kombit Shqiptar, në kohën e regjimit komunist, më 19 mars 1949, nën tortura të regjimit diktatorial bolshevik komunist të Enver Hoxhës. Për lexuesit që mund të jenë të interesuar në anën shpirtërore të rëndësisë së kësaj dite, mund të lexojnë shkrimin,  me këtë rast, në portalin e Radio Vatikanit në gjuhën shqipe Festa e tё Lumit Imzot Vinçenc Prenushi, martir – Vatican News.
Por në këtë ditë të vdekjes unë dëshiroj që, shkurtimisht, të ndaj me lexuesit e sotëm disa kujtime të shkrimtarit dhe poetit, të ndjerit Profesor Arshi Pipa, i cili e ka cilësuar Imzot Vinçenc Prenushin si “Simboli i të së kaluemes së Shqipënisë me të cilin ne mburremi”! Kujtimet e tija për Prenushin janë të periudhës kur ai vet ishte i burgosur me Ipeshkvin martir të Kishës Katolike Shqiptare në mars të vitit 1949, kur prelati i lartë i Kishës Shqiptare vdiq në burgun e Durrësit, nën torturat më çnjerëzore, që mund të imagjinoheshin, atëherë dhe sot, i akuzuar si “armik i popullit.” Profesor Pipa rrëfen një bisedë që ka pasur me Prenushin gjatë, të cilës prelati i lartë kishtar i kishte folur për një takim të tij me Enver Hoxhën, i ftuar, qëllimisht, nga diktatori për t’i imponuar Imzot Prenushit pikëpamjet komuniste të tija ndaj fesë. Ndonëse Enveri nuk kishte mundur ta bindte, ka kujtuar në esenë e tij Prof Arshi Pipa, Vinçenc Prenushi, përfunduar në burg, ndërkohë që Enver Hoxha kishte mbajtur një fjalim të ashpër kundër ipeshkvit katolik.

Në esenë, “Kujtime mbi Vinçenc Prenushin”, botuar në “Flije Atdheut”, Profesori Arshi Pipa ka kujtuar ditët në burgun e regjimit komunist në Durrës me mikun dhe bashkëvuajtësin e tij, me atdhetarin dhe njeriun e kulturës shqiptare dhe me martirin e Kishës Katolike, ndërsa ka rrëfyer se si me duart e tija ia kishte “mbyllur sytë, sytë e lodhur e të shterur”, kur dha shpirt nga torturat çnjerëzore, Imzot  Prenushi – klerikut të lartë katolik shqiptar, por njëkohësisht edhe të shkrimtarit, poetit, përkthyesit, publicistit dhe një studiuesi të rëndësishëm.

Gjatë viteve në burg pas ardhjes së komunizmit në pushtet, si kundërshtar i regjimit komunist të Enver Hoxhës, Prof. Arshi Pipa kujtonte se ishte njoftuar dhe kishte lidhje dhe miqësi të ngushta me përfaqësues të lartë të klerit katolik shqiptar, bashkëvuajtës me ‘ta, në birucat e tmerrshme të burgjeve të Enver Hoxhës, aty ku të gjithë ata që kundërshtonin regjimin komunist vuajtën “mundimet e territ”, shkruante ai duke përfshirë ndër ta edhe Ipeshkvin Vinçenc Prenushin. Për Prenushin, Profesor Arshi Pipa shprehte admirimin e tij duke shkruar se, përveç se ai pasqyronte shumë vlera dhe virtyte, “Ishte i butë në shpirt, e i paqtë, thellë i devotçëm, i kushtuem kryekëput misionit të vet kishtar, në kuadrin e të cilit dinte me pajtue me një urtësi të bindshme dashuninë e vet për Atdheun dhe shijen e tij për letërsinë.” Profesori i nderuar, Arshi Pipa e ka cilësuar Vinçenc Prenushin si një njeri, të cilin nuk e interesonte aspak politika, ndërsa ishte gjithmonë i buzëqeshur në të folur, zemërgjerë në gjykime, i qetë e i sigurt në qëndrimet e tija të patundura.
Albanologu Robert Elsie e rendit Vinçenc Prenushin, pas At Gjergj Fishtës dhe Dom Ndre Mjedës, si njërin prej shkrimtarëve më të vjetër dhe më të respektuar të Shkodrës dhe të letërsisë shqiptare. I njohur dhe shumë i respektuar në kohën e tij, si nga të krishterët ashtu edhe nga myslimanët, të cilët e quanin Imzot Prenushin “melek” që do të thotë “engjëll”, për respektin që ai gëzonte në mbarë shoqërinë shqiptare në kohën kur jetoi, ka kujtuar Imzot Prenushin, albanologu gjerman Robert Elsie.

Në esenë klasike, “Kujtime mbi Vinçenc Prenushin”, Arshi Pipa vë në dukje jo vetëm vuajtjet dhe mundimet në duart e regjimit komunist, por ka vënë në dukje edhe vlerat kombëtare, njerëzore, kishtare dhe letrare të Vinçenc Prenushit, duke theksuar se, “Dinjiteti kishtar i Vinçenc Prenushit, i kombinuem me vlerën e tij letrare dhe i kqyrun nën prizmën e patriotizmës shqiptare, i jep fëtyrës së tij nji randësi madhore në radhët e përfaqësuesve të Kombit.” Pipa ka shkruar se si udhëheqës i lartë i Kishës Katolike dhe si njëri prej përfaqësuesve të dalluar të letërsisë kombëtare, “Imzot Prenushi nuk do ta kishte të gjatë me komunizmin, i cili ashtë, në të njajtën kohë, jo vetëm kundër fesë, por edhe kombësisë.”

I burgosur, i rrahur e i torturuar, “Lidhur kambësh e duarsh”, i “varun e i munduem” në burgun e Durrësit, shkruan Profesor Arshi Pipa për mikun dhe bashkvuajtësin e tij Ipeshkvin Vinçenc Prenushin, duke iu drejtuar lexuesve sot nëse mund të: “Përfytyroni tash këtë njeri, nji burr gjashtdhetë e pesëvjeçar, nji prelat të naltë të Kishës, nji nga fort të rrallët shkrimtarë të Rilindjes ende të mbetun gjallë, përfytyronje të varun asisoj në nji nevojtore të Degës së Sigurimit”. Është ky përfytyrim, të cilin Profesor Arshi Pipa kishte gjithë jetën e tij para vetes së tij. Ishte ky përfytyrim e të tjerë si ky, që e bënte atë të papajtueshëm me komunizmin, të cilin e luftoi me të gjitha energjitë e tija. Ai përfytyronte mikun e tij të rrahur e të munduar, të varur në një nevojtore të Degës së Sigurimit, Ipeshkvin Vinçenc Prenushin, të cilit i referohet: “Këtij simboli të së kaluemes së Shqipnisë me të cilën na mburremi, këtij njeriu, i cili rrëmbehet me dhunë nga shtëpia e përvunjtë e nji katundi, ku kalonte ditët e mbrame të jetës së vet, bashkë me Zotin dhe me librat, dhe ndryhet në burgje dhe torturohet”, megjithëse Imzot Prenushi vuante nga zemra dhe astma.

Profesor Arshi Pipa përfundon rrëfimin e tij prej poeti, për vuajtjet dhe mundimet dhe për kohën e kaluar me Imzot Vinçenc Prenushin në burgun e Enver Hoxhës në Durrës, duke përshkruar ditët e fundit me të, ndarjen nga kjo jetë të prelatit katolik shqiptar, 70-vjetë më parë: “Atë natë kishte zjarr në vatër. Kur ia mbylla sytë, sytë e lodhur e të shterur, që aq shumë kishin vuajtur për dritë, m’u duk se pashë në fytyrën e tij të hajthët, të shkrirë, të paqtë, mbas aq shumë mundimesh, nji ndriçim jo të zakonshëm. Ndofta mua më bajshin sytë e përlotur, ndofta nuk ishte veçse një reflex i flakërimeve të kuqrremta të zjarmit të votrës, ngujue ndër rrudhat e thella të ballit të gjanë, ndër zgavrat e faqeve dhe ndër gropzat e syve. Por, ndofta ishte diçka tjetër. Shpirti që në grahmat e dhimbjes fizike topitet, tkurret, terratiset, ai kullohet prej saj kur dhimbja të prajë, të pushojë si ujt prej lymit që e pat trazuar. Njeriu mund të mos besojë në pavdeksinë e shpirtit. Por ashtë vështirë me pranue se gjithçka mbaron me trupin, kur vërejmë se si njerzit vdesin për ideale”, -ka shkruar Profesor Arshi Pipa në dëshminë e tij për natën kur është ndarë nga kjo jetë Imzot Vinçenc Prenushi, atë natë të zezë të 19 marsit, 1949 – 75-vjetë më parë!

“Gjysëm e vërteta është shpesh herë një gënjeshterë e madhe –(“Half a truth is often a great lie.’ – Benjamin Franklin”).

MBRETËRIA SHQIPTARE LINDI  SI DOMOSDOSHMËRI EUROPIANE, DHE SI SIMBOLI I UNITETIT SHQIPTAR NË BALLKAN!- Nga BESIM NDREGJONI

96 vjetori i Mbretërisë Shqiptare!

Sot mbushen 96 vite që Shqipëria ju bashkua kontitnentit europian, dhe faktorit ballkanik në një moment historik për kombin shqiptar,  konsakrimi juridik e kushtetues, vendosja e sistemit në qeverisjen e vendit,  sistemi monarkist me 2 shtator 1928 për ndërtimin e shtetit modern shqiptar.

Mbretëria shqiptare do të kishte një rol të jashtzakonshëm në ndërtimin e shtetit modern shqiptar , progresiv, ekonomik e kulturor. Mbi të gjitha mbrotja konsuguente e lirisë dhe të drejtave të shqiptarve  në trojet e tyre etnike në Ballkan , mbas padrejtësisë europiane që i bëri kombit tonë, coptimi i trojeve në  konferencën  e Londrës në vitin 1913.

Okupimi i Vlorës nga italianët, dhe viset e veriut nga sebo-malazezët, e vunë në pikpytje pamvarsinë e shtetit shqiptar të 1912. Dhe ishte domosdoshmëri kombëtare mbatja e  Kongresit të Lushnjes, por dhe vetë ekzistencën e kufive të vitit 1913, si dhe lirinë e kombit.

Mbretëria Shqiptare e themeluar 96 vite ma parë ishte shprehej e vullnetit të popullit shqiptar për liri , bashkim të trojeve etnike,  në një shtet në rrugën e civilizimit e presporitetit.

Mbretëria Shqiptare lindi si domosdoshmëri europiane e kohës, dhe si simbol i unitetit të Shqiptarve që ishin copëtuar në disa shtetet ballkanike, duke u shkëputur nga toka mëmë.

Në atë  Europë, të trazuar dhe aspak dashamirse ndaj shqiptarve,  Shqipëria nxori një  personalitet të  shquar politik, e historik, të shekullit njëzet shtetformuesin e madh Ahmet Zogun që u konfirmua në fron nga Asambleja Kushtetuese si pasardhës i Gjergj Kastriotit me emrin mbretëror Zogu i Parë. Ai vinte nga një familje fisnike  nga më të vjetrat e kombit dhe me kontribute ndaj vendit të tije për më shumë se pesë shekuj. Gjyshi i tije Xhemal Pashë Mati ishte një ndër protogonistët e drejtimit të Lidhjes së Prizerenit, dhe një atdhetar e patriot që rreshtohej me Abdyl Frashërin, Imer Prizerenin, Sulejman Vokshi, e Iljaz Pashë Dibra.

17 vjeç në emër të krahinës së Matit Ahmet Zogu do të firmoste në Vlorë, aktin e pamvarsisë së Shqipërisë dhe garantoi Ismail Bej Vlorën babain e pamvarsisë se do të bëjë beteja, pa kompromis në mbrotje të sajë .Ky atdhetar i shquar  do të organizonte Kongresin e Lushnjes, do ta mbronte atë kongres nga sulmet e pushtuesve që kishin ndarë Shqipërinë në copa.

Mbas marrjes së detyrave nga ai kongres ky shqiptar i madh, me guxim e trimëri të pashoq do të nisej drejt Tiranës  duke e bërë Kryeqytet të  Shqipërisë, dhe duke i siguruar Qeverisë së Sulejman Delvinës që të zbatonte programin e Kongresit të Lushnjes.

Karriera politike e Ahmet Zogut është brilante , betejat e tija shtetformuese me aksionet politike, ushtarake, ai arriti që autoriteti i qeverisë të shtrihej në të gjithë territorin e vendit , duke shtypur  lëvizjet seperatiste, të organizuar e paguar nga shtetet fqinje që nuk ja donin të mirën Shqipnisë, dhe garantoi kufijtë shtetrorë, duke e detyruar Lidhjen e Kombeve të njihte shtetin shqiptar

Ministër i Mbrendshëm, 1920, Kryeministër, në vitet 1922-1924, President i Republikës 1925-1928 dhe  Mbret i Shqiptarve 1928-1939 ka gjurmë të ndritura e të pashlyeshme në historinë moderne shqiptare.

Është anti historike që përdorin bolshevikët e Enver Hoxhës, se Ahmet Zogu kishte ambicje të shfrenuara karrieriste dhe donte të bëhej Mbret me çdo çmim.

Mbreti Zogu i Parë e përdori sistemin monarkist me orientimin e Shqipërisë drejt modelit  qeverisës e mënyrës së jetesës me vendet e civilizuara të Europës perendimore.

Fatkeqësisht diktatura, dhe ideologët bolshevik shqiptarë, kan anatemuar  dhe shtrembëruar  për gati 80 vite me propogandë antishqiptare, duke ngritur si heroizëm rebelimin antikombëtar të Haxhi Qamilit,  një mbeturinë e falangave filoturke, dhe duke i shërbyer tradhëtisë së qeverisë së Durrsit që kishte qëllim anti shqiptar të krijonte një shtet vetëm si Shqipëri e mesme.

                               

     Lartmadhëria e tije Zogu i Parë Mbreti i Shqiptareve!
                      Parimi:  Atdheu mbi të Gjitha!

 

Historia e tij politike na rrëfen krejt të kundërtën e asaj që trumbetojnë falangat e diktaturës Komuniste . Qëndrimi i tije në përkrahje të Princ Vidit, dorëheqja e tij si Kryeministër në vitin 1924 me grushtin e shtetit të bërë nga admiruesit e bolshevizmit të atyre viteve të ashtuquajtur revolucjon demokratik, me pikpamje ideologjike që dëmtonin shtetin e sapoformuar shqiptar.

Sjellja e tij prej politikani , patrioti e burrështetasi të madh u tregua kur ju ba atentat  në paralament kur me qetsinë dhe largpamësinë e tije  tregoj qartë , se ai mbi çdo gjë tjetër vinte interesat kombëtare dhe ishte dishembull i shtetit komb.

Ai gjatë gjithë karrierës politike nuk ka marrë pushtete me dhunë dhe armë siç banin kundërshtarët e tije, por vetëm me votë dhe me ligje demokratike perendimore.

Me 24 dhjetor 1924 ai diti ti jap fund rebelimit majtist dhe më të drejtë fitoi epitetin shpëtimtar i kombit.

Stabiliteti i plotë politikë , progresi i shpejtë ekonomik e kulturor  që pati gjatë periudhës presidencjale, koha e thirri atë si personalitetin më të shquar  të ulej në fronin mbretëror.

Me të drejtë kundërshtarët e tij politikë, si Fan Noli, Faik Konica, e mbi të gjitha Sejfi Vllamasi, do ta çmonin kontributin e tij, dhe do të deklaronin se po mos të ishte Ahmet Zogu ekzistenca e shtetit shqiptar do të ishte në pikpytje! Prandaj ai rreshtohet me figurat e ndritura të kombit, si Skënderbeu që na dha emrin dhe dinjitetin si Shqiptar. Drejtuesit e lidhjes së Prizerenit që mbrojtën dhe ndërkombëtarizuan çështjen shqiptare në Ballakan,

Pamvarsinë e Shqipërisë që e udhëhoqi plaku i Vlorës Ismail  bej Vlora, dhe ndërtimin e shtetit shqiptar nga i madhi dhe i pavdekshmi Ahmet Zogu.

Mbretëria shqiptare,  jetoi vetëm një dekadë, e la vulën e vetë të pashlyeshme historike.

Mbretëria moderne paralmentare e konfirmuar jo vetëm nga vullneti i popullit por dhe e mbështetur  në statusin juridik. Ajo nuk lindi si një kurorë tiranike , por si një mbretëri moderne dhe i detyruan fuqitë e mëdha ta njihni si një pricipatë e pavarun neutrale dhe nga aktetet e Kongresit të Lushnjes,  të cilat krijuan Regjencën apo Këshillin e Shtetit me atribute e një Regjence mbretërore që fuqitë e mëdha i njohën që  vitin 1913.

Mbretëria shqiptare i tregoi botës  se çfar është në gjendje  të bëjë një kombe i lirë  kur thyen prangat e robërisë, ndërtoi shtetin e së drejtës sipas modelit më të përparuar europian:

Arsim Kombëtar mbi baza laike.

Kodi Penal dhe Civil që garantonte barazinë e shtetsave para ligjit.

 Legjislacion model për komunitetet fetare .

 U garantua me ligj të drejtat e gruas. Një administratë shtetrore model.

U krijua  Banka Kombëtare dhe garantimi i monedhës kombëtare me lingota ari.

Të gjitha këto arritje  historike u ndërtuan për një dekadë 10 vjeçare. Sot klasa politike që e përbuz mbretërinë,  pasardhse e barbarëve komunistë, ka mbi tre dekada që nuk ndërton shtet të së drejtës dhe nuk ka një kushtetutë të qëndrueshme.

Prandaj shqiptarët janë krenare për mbretërinë e tyre dhe për Mbretin Ahmet Zogu.  Me të drejtë shkrimtari i madh Ismail Kadareja do të deklaronte për mbretërinë shqiptare se po mos ta pushtonte fashizmi Shqipërinë, Ahmet Zogu do ta bënte Shqipërinë  një Zvicërr të dytë të Europës.

Qëndrimi ndaj Mbretërisë është një vijë demarkacioni mes patrioteve dhe atyre që e duan atdheun, dhe sunduesve  që e duan Shqipërinë për ta zhvatur.

Besim NDREGJONI

Intervista e Elmi Berishës tek Zëri i Amerikës pas pritjes nga z.Alexander Kasanof Zv.Ndihmës Sekretari në DASH Nga Elida Buçpapaj

Pritjet që u bëhen shqiptarëve në Departamentin e Shtetit shoqërohen zakonisht edhe me intervista tek Zëri i Amerikës, të cilat ndiqen me shumë vemendje nga opinioni publik. Ka prej atyre që pritjen apo intervistën ta keqshfrytëzojnë për të legjitimuar shkeljet dhe abuzimet e tyre personale.

I intervistuar tek Zëri të Amerikës ishte edhe z.Elmi Berisha, i cili, me grupin e tij të besnikëve, u prit nga Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit dhe i dërguari për Ballkanin Perëndimor z.Alexander Kasanof, që ka zëvendësuar z. Gabriel Escobar.

Në lidhje me zyrtarin e lartë të Departamentit të Shtetit unë do të sjell këtu një koment të ekspertes së shkëlqyer Amerikane të rajonit të Ballkanit Ivana Stradner, e cila, sapo u mor vesh lajmi i emërimit, në rrjetin X do të shkruante ekzaktësisht: “Unë besoj vërtetë se ai do ta rikthejë demokracinë në rajon dhe nuk do të ndjekë gjurmët e paraardhësave. Best wishis, Mr.Kasanof!”

Kur e lexova këtë koment të Ivana Stradner m’u ngroh zemra, sepse Ballkanit i duhet pikërisht demokracia. Që vendet përkatëse të drejtohen nga liderë me integritet të pastër e të pashtantazhueshëm si Vjosa Osmani dhe Albin Kurti, të cilët duke mos patur skeletë nëpër dollapë e sirtarë, nuk shesin për interesin vetjak interesin e vendit të tyre që përkon me interesat Euro-Atlantike, dmth edhe me interesat e SHBA. Vjosa dhe Albini me insistimin e tyre mbrojnë kësisoj interesat e vetë Amerikës.

Tani do të kthehem tek intervista e z.Elmi Berisha i cili sipas vlerësimit të shumë Vatranëve si Lek Mirakaj, Valentin Lumaj, Nazo Veliu, Ervin Dine, Idriz Lamaj, Mark Mernaçaj, Agustin M. MIrakaj, Viktor Vorfi, Ramiz Mujaj, Marjana Bulku etj. nuk ka legjitimitet dhe përfaqëson standardin e shkelësit të rregullave të demokracisë, që përdor drynat për t’ua mbyllur dyert e Vatrës aktivistëve të saj.

Një pyetje rreth ngërçit në Vatër prita që t’i drejtohej z.Elmi Berisha. Sepse gjithë bota mbarë e di se Vatra është e përfshirë nga një krizë e madhe.

Veprimtarët e lartpërmendur kanë shprehur shqetësimin se lidërshipi aktual ka vendosur censurën ndaj Vatranëve, të cilëve u është mohuar e drejta e fjalës. Amendamentin e parë të Kushtetutës së SHBA e ka shkelur po ashtu edhe ndaj bashkëpunëtorëve të vjetër të Vatrës dhe Diellit (sikur është autorja e këtyre rradhëve).

Vatranët kanë shprehur shqetësimin se z.Elmi Berisha ka krijuar një klimë armiqësore, pasi përdor fshesën e hekur të përjashtimit të Vatranëve, të cilët pastaj i çon nëpër gjykata. Sikur ishte rasti i Dr.Gjon Buçaj, një veterani me mbi gjysmë shekulli kontribut në Vatër, ish kryetar i Vatrës, arratisur nga regjimi komunist dhe i përjashtuar nga Elmi Berisha.

Pas gjyqit kundër Dr.Buçajt Elmi Berisha me celulë ka paditur në gjyq në grup tjetër të Vatranëve, të cilët në mënyrë publike dhe demokratike kanë kërkuar kthimin e legjitimitetit në Vatër, zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe votim transparent, pasi Kuvendi i shkurtit mbajtur në vitin 2021 nuk i ka mbyllur procedurat, ndërsa Elmi Berisha në vend të respektimit të demokracisë, ka përdorur fshesën e hekurt ndaj atyre Vatranëve, shumica e të cilëve kanë ardhur në Amerikë direkt nga internimet e diktaturës.

Po përmend këtu Agustin M.Mirakaj, i biri i Moisi Mirakaj, i burgosur politik si armik i regjimit komunist, ndërsa Agustini vetë i lindur dhe rritur në internim duke iu mohuar të gjitha të drejtat njerëzore, sot shtetas Amerikan i cili thotë se “Udhëheqja e vetëshpallur e Vatrës trillon e ngre akuza ndaj meje si të ishte një trup gjyqësor i kohës së regjimit komunist të 1945.”

“Kemi krijuar marrëdhënie të shkëlqyera institucionale që nuk kanë ekzistuar më herët mes Vatrës dhe Prishtinës zyrtare, parlamentit të Kosovës, njëkohësisht edhe Tiranës zyrtare, Shkupit zyrtar dhe gjithandej.” Nuk është e vërtetë, Vatra ka patur gjithmonë marrëdhënie me institucionet në respekt të Kanunores krijuar prej 1926, por jo me PS. Ndërsa, është i vërtetë pohimi i z.Elmi Berisha tek ZiA se ai dora vetë ka krijuar lidhje të shkëlqyeshme institucionale me qeverinë e Tiranës, qeveri që akuzohet për afera korruptive eklatante dhe që shpesh nga shtypi botëror identifikohet me një narkoshtet. Edvin Rama njihet për korruptimin deri edhe të ish shefit të FBI-së McGonigall.

Unë mendoj se, prej kohës që z.Elmi Berisha ka krijuar lidhje të shkëlqyeshme me qeverinë e Edvin Ramës, ka shkatërruar çdo lidhje dhe rrugë bashkëpunimi e transparence me grupimin e madh e të spikatur të Vatranëve, të cilët i ka përjashtuar dhe çuar nëpër gjykata.

 

Shtypi i lirë në rrezik jete

Këtu më duhet të bëj një parantezë dhe të nënvizoj rrezikun ku ndodhet sot shtypi i lirë i cili përndiqet deri në Perëndim nga tentakulat e zeza të Edvin Rames.

Shtypi i lirë shqiptar në Perëndim nuk ka fatin që të ketë zyra avokatie sikur ka Zëri i Amerikës, kështu që lufton me mish e me shpirt për të ekzistuar, sepse Edvin Rama i përndjek me gjyqe, me gjoba me sulme kibernetike si një armik i përbetuar që është i shtypit të lirë.

 

Ku janë “sukseset” e Vatrës së Elmi Berishës?

“Këto vitet e fundit Vatra ka bërë një punë të madhe, të shkëlqyeshme bashkëpunimi mes Departamentit amerikan të Shtetit, Shtëpisë së Bardhë, Kongresit, Senatit”, i tha z.Elmi Berisha gazetares së ZiA. Habi e madhe! Dua të di se cilat janë konkretisht “bashkëpunimet e shkëlqyera” të Vatrës së Elmi Berishës me institucionet e përmendura më sipër?! Ku janë emrat ?

Unë mendoj se “sukseset” e përmendura prej tij janë vetëm hiperbola që nuk reflektojnë realitetin. Nuk di që Elmi Berisha me celulë të ketë bërë takime në Shtëpinë e Bardhë, në Senat, Kongres, në Departamentin e Shtetit. Në pesë vjet sa herë është pritur nga DASH ? Një apo dy herë? Nuk ka si z.Elmi Berisha të ketë autoritet dhe ndikim për t’u pritur e përcjellë, kur, prej pesë vitesh, Vatra paraqitet në krizën e saj më të thellë prej krijimit të saj 113 vite më parë.

Autoriteti fitohet duke repektuar sistemin e vlerave në një sistem pluralist demokratik dhe jo me përjashtime, gjyqe e censurë. Këtë konstatim e bëj si një gazetare me mbi tridhjetë vjet eksperiencë, që kam ndjekur çdo ditë ngjarjet në botën shqiptare dhe në diasporë dhe që, me lobin më të fuqishëm në SHBA atë të kongresmenit JoeDioguardi, Shirley Cloyes DioGuardi dhe AACL-LQSHA, kemi një bashkëpunim të ngushtë prej tre dekadash.

Në këtë pozitë ku ndodhet sot Vatra duke bashkëpunuar ngushtë me qeverinë e Tiranës, jo vetëm që ka dalë nga shinat e Etërve krijues të saj, por si një copy paste e Tiranës zyrtare ka mbjellë një klimë antidemokratike e antivëllazërore m’u në zemër të New Yorkut ndaj shumë Vatranëve, që përfaqësojnë Shqiptaro-Amerikanë të nderuar, shumica prej të cilëve janë ish të burgosur politikë apo bij e nipër të armiqve të Enver Hoxhës, që tani Elmi Berisha pa patur legjitimitet po ua mohon të drejtën e fjalës, po i dënon me përjashtime nga Vatra dhe me gjyqe që kanë kosto me dhjetra mijë $.

Shpallja e Mbretërisë Shqiptare, duhet të jetë ditë e shënuar Shtetërore- Nga Ekrem Spahiu, Bashkëkryetar i LZHK

 

(1 shtator 1928 – 2024, 96 vjetori shpalljes së Mbretërisë)

Shteti shqiptar, në kuadrin e rishikimit të historisë, duhet ta shpallë dhe ta kremtojë 1 Shtatorin si një nga ditët e shënuara shtetërore. Një Shtatori nuk është dita e një individi, familje apo një grupimi të caktuar, por një nga ditët e pakta jashtëzakonisht domethënëse për shtetin shqiptar, që nga themelimi i tij.

Mbretëria nuk është thjesht një regjim politik, por një etapë që homogjenizon shoqërinë, një mburojë e përbashkët kombëtare, të cilën e kanë kaluar pothuajse të gjitha shtetet moderne. Rreth dy dhjetëvjeçarë pas themelimit të shtetit shqiptar, Shqipëria ishte i vetmi vend i Ballkanit dhe shqiptarët ishin i vetmi komb që nuk e kishin këtë mburojë, ndërkohë që të gjitha shtetet dhe kombet e tjerë në këtë rajon, e kishin formësuar njësinë politike përkatëse pikërisht nga mbretëritë e tyre.

Për herë të parë në historinë shtetndërtuese të saj, me Mbretërinë Shqipëria u konsolidua si shtet i qëndrueshëm dhe funksionoi si i tillë për 11 vjet, në dallim nga 16 vjetët e mëparshëm gjatë të cilave ajo ose përjetoi vakum pushteti, ose qeveri të dobëta, të cilat nuk mbushnin as motin.

Institucioni i Monarkisë Shqiptare, sanksionoi me ligj plotshmërinë dhe përkatësinë e përbashkët të kombit shqiptar. Monarkia Shqiptare e qeverisi vendin përmes një parlamenti të zgjedhur në mënyrë demokratike, duke iu dhënë fund politikave fragmentariste nga të cilat ishte kërcënuar jo pak përgjatë kohës pas themelimit të shtetit shqiptar.

Për herë të parë nën Monarkinë, shteti shqiptar u njoh nga të gjitha shtetet perëndimore, më së pari nga SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar. Qeveritë e mëparshme, përgjithësisht nuk ishin njohur, sepse as nuk arrinin të institucionalizoheshin në nivel të mjaftueshëm për ta përfituar njohjen ndërkombëtare. Një vend që nuk i njihet ndërkombëtarisht qeverisja për 16 vjet, është absolutisht vend i rrezikuar. Nëse Shqipëria do të kishte vazhduar të mbetej në këtë gjëndje, pothuajse vakumi institucional, do kishte tërhequr mbi vete jo vetëm lakmitë e mbretërive përreth, por edhe indiferentizmin, shpërfilljen dhe deri edhe pikëpyetësimin nga fuqitë e mëdha. Nuk mund të mos vihet në dukje se, në jo pak raste të mëparshme, ishte rrezikuar edhe vetë Shqipëria shtetërore të diskutohej si entitet shtetëror.

Me shpalljen e Mbretërisë, Mbreti Zog e orientoi të gjithë strukturën dhe institucionet e qeverisjes për nga modelet më të mira perëndimore. Si rrallë herë në historinë e Shqipërisë, u thirr ekspertiza më e mirë juridike, ekonomike, ushtarake dhe diplomatike e shteteve perëndimore.

Statuti Themeltar, kodi civil, kodi tregtar, kodi penal, kodi i procedurës civile, etj, të hartuara nën këtë ekspertizë, shënuan shkëputjen e plotë nga legjislacioni i periudhës osmane dhe e orientuan Shqipërinë drejt ndërtimit dhe funksionimit të një shteti modern, me orientim të qartë perëndimor europian.

Ai shtet zgjati vetëm 11 vjet, por i la Shqipërisë një pasuri konceptesh, praktikash dhe institucionesh, standardi i të cilave, në shumë plane, zor se është arritur nga qeverisjet e mëpasme.

Prandaj shteti shqiptar, në kuadrin e rishikimit të historisë, duhet ta shpallë dhe ta kremtojë 1 Shtatorin si një nga ditët e shënuara shtetërore. Një Shtatori nuk është dita e një individi, familje apo një grupimi të caktuar, por një nga ditët e pakta jashtëzakonisht domethënëse për shtetin shqiptar, që nga themelimi i tij.

 

Vëzhgim diplomatik: Gardhi i ndaluar i Ambasadës Shqiptare- Nga SHABAN MURATI

Botuar në DITA

Në kuadrin e një udhëtimi pune në Stokholm bashkë me një regjisor të shquar të filmit, i drejtova Ambasadës së Shqipërisë në Suedi një kërkesë që bashkë me regjisorin të bënim një vizite në ambasadë. Regjisori donte që të bënte një intervistë me mua në mjediset e ambasadës, ku unë kam qenë 5 vjet Ambasador i Shqipërisë në Suedi, si dhe të filmonte disa pamje të ambasadës.

Përgjigja zyrtare, që më erdhi nga ambasada, më la pa mend: “Per xhirimet duhet të pyes në Tiranë. Patjetër që duhet pyetur, sepse ato janë ambjente që vetëm persona të autorizuar mund të hyjnë. Do të ishte më praktike t’i shkruani ministrisë për të kërkuar leje për të përdorur ambjentet e tjera të ambasadës, duke qenë se nuk ka shumë kohë”.

Me një nivel kooperativisto-komunist ambasada më tregonte se gardhi i ambasadës shqiptare ishte i ndaluar për ish-ambasadorin. Unë, që kisha shërbyer në atë ambasadë dhe në ato zyra 5 vjet Ambasador i Shqipërisë në Suedi, ndalohesha të kapërxeja gardhin e ambasadës pa autorizimin e Ministrisë së Jashtëme në Tiranë.

Unë, që kam qindra fotografi dhe video të të gjitha mjediseve të asaj ambasade, ndalohesha të filmoja veten në ato mjedise dhe duhet të kërkoja leje me shkrim nga Ministria e Jashtëme e Shqipërisë për kërkesën time. Iu përgjigja, jo pa ironi, se unë shërbej aktualisht si këshilltar diplomatik i një zyrtari të lartë të shtetit, për t’ithënë që unë e kam edhe sot çertifikatën e sigurisë, që të hyj në zyrat e ambasadës shqiptare, ku u dashkan të hyjnë vetëm persona të autorizuar nga ministria e jashtëme.

Natyrisht asnjë përgjigje nuk pata më.

Nuk më erdhi keq për trajtimin policor, që po më bëhej mua si ish-ambasador i Shqipërisë në Suedi dhe si diplomat karriere, që ka shërbyer çerek shekulli në Ministrinë e Jashtëme, dhe befas më vihej përpara gardhi i ndaluar i ambasadës sime.

As për nivelin mjeran dhe ligësinë rurale të përfaqësuesve të ambasadës shqiptare në Suedi. Më erdhi keq për ministrinë e jashtëme, për diplomacinë dhe për shtetin tonë, se ku janë katandisur me këtë nivel prapambetje profesionale dhe intelektuale.

Imagjinoja ata mijra shqiptarë të diasporës, që jetojnë në Suedi, dhe të cilët për të vizituar ambasadën e shtetit të tyre duhet të kërkojnë leje me shkrim nga ministria e jashtëme në Tiranë.

Kujt i duhet kjo lloj diplomacie e drujtë dhe pa tru?

POROSIA E AT ZEF PLLUMIT NË 100-VJETORIN E LINDJES DREJTUAR INTELEKTUALËVE DHE KLASËS POLITIKE SHQIPTARE: DASHURIA PËR NJËRI TJETRIN DHE PROGRESI I KOMBIT Nga Frank Shkreli

 

At Zef Pllumi – si edhe shumë bashkvëllezer të tij françeskanë, ndër më të mirët e klerit katolik shqiptar – ka kaluar një jetë shumë të dhimbshme, plot vuajtje dhe sakrifica. Prandaj, është shumë me vend që At Zef Pllumi kujtohet në këso rastesh e përvjetorësh, siç është 100-vjetori i lindjes: 28 Gusht, 1924. Ai ishte dhe mbetet ndërgjegja e Kombit që edhe sot nepërmjet veprave, shkrimeve dhe intervistave të tija, lënë pas flet dhe dëshmon gjithnjë për krimet e diktaturës sllavo-komuniste të regjimit të Enver Hoxhës në Shqipëri kundër popullit të vet, për pothuaj gjysëm shekulli. At Zef Pllumi, në përjetësi, flet me bindje e fakte të përjetuara, në kujtesë, me largpamësi dhe porosit me këshilla për të tashmen dhe për të ardhmen e Shqipërisë dhe të shqiptarëve.

I pyetur me një rast se çfarë porosishë ka për Kombin shqiptar, At Zef Pllumi është përgjigjur, e porosis për tri gjëra: “Të kenë fé, kurr të mos e braktisin fenë; të kenë shpresë; e mbi të gjitha, të kenë dashuni…Kjo ashtë porosia e kjo ashtë përshndetja për të gjithë popullin shqiptar”, ka thenë ai para se të ndërronte jetë.

Është kjo një thirrje e At Zef Pllumit për të gjitha kohërat dhe për të gjithë brezat e shqiptarëve – dashuria për njëri tjetrin!  Është kjo një thirrje që At Zef Pllumi e bënte, vazhdimisht, sa ishte gjallë dhe një porosi drejtuar bashk-kombasve të vet,që ai e ka theksuar, pothuaj në të gjitha veprat, shkrimet, deklaratat dhe intervistat, ç’prej prej lirimit të tij nga burgjet dhe kampet e regjimit diktatorial komunist të Enver Hoxhës, me 4 Nëntor, 1989.  Është ky një mesazh që ai e ka theksuar shpesh edhe duke dëshmuar të kaluarën e hidhët, por gjithmonë duke shikuar nga e ardhmja e Kombit shqiptar – mesazhe e thirrje që ai u ka bërë shpesh, sidomos, intelektualëve shqiptarë — që pas periudhës së gjatë e të errët të komunizmit — të bashkojnë, më në fund, “Jo vetëm fuqitë e veta mendore, por edhe zemrat për atë idealin e përbashkët që, sot për sot, ashtë vetëm Progresi i Kombit”, është shprehur ai.

Pas shembjes së Murit të Berlinit, është promovuar ribotimi i numrit të parë i revistës së famshme të françeskanëve shqiptarë, të para luftës, “Hylli i Dritës” Maj të vitit 1993.   Në një ceremoni të rastit në Kuvendin Françeskan në Shkodër ku merrnin pjesë një numër i madh bashkëpunëtorësh, të rinj e të vjetër, të kësaj reviste të famshme, përshfirë studiues të kulturës, artistë, gazetarë, intelektualë të fushave të ndryshme, botues e të tjerë, At Zef Pllumi, përshëndeti ribotimin e revistës së famshme shqiptare, Hylli i Dritës duke iu drejtuar intelektualëve shqiptarë kudo, me këtë porosi për klasën intelektuale shqiptare:

“Miq të nderuem, falë mëshirës së Zotit ia mbërritem kësaj dite. Nata që kaluem qe e gjatë dhe e vështirë. Liria që u fitue duhet të bie edhe dritën. Sot po jepet rasti, përsëri, mbas sa vitesh që bashkëpuntorët e “Hyllit të Dritës” të japin kontributin e vet në kulturën shqiptare me aq dritë sa mund të lëshojë nji yllë. Por, ndërkaq urojmë që kultura shqiptare nesër të ndrisë si diell”, ka shtuar ai, duke nënvizuar optimizmin e tij për të ardhmen, që “ky diell, jo vetëm, do të ndrisë, por edhe do të ngrohë të gjithë popullin, në qoftë se intelektualët shqiptarë kanë me i bashkue, jo vetëm fuqitë e veta mendore, por edhe zemrat për atë idealin e përbashkët, që sot për sot ashtë vetëm, Përparimi i Kombit, është shprehur frati i Malësisë së Madhe.

“Ky progres duhet të jetë i gjithanshëm, jo vetëm ekonomik – po ma tepër mendor, shoqënor dhe kulturor. Mendoj se duhet t’u kujtoj intelektualëve shqiptarë se sado shkencë që të kenë, sado dije dhe erudicion që të përhapin, kurrë nuk do të mbërijmë në atë nivel kulturor që na duhej të jemi – po nuk patëm dashuninë për njani tjetrin. Në rast se mungon dashunia”, ka theksuar At Zefi, atëherë, “Në atë rast, duhet të kemi mirëkuptim. Dhe në qoftë se edhe ky do të mungojë, atëherë do t’i referohemi virtytit të tolerancës.  Po mungoi edhe ky virtyt, atëherë jemi xhahilë.  Xhahil-llëku ashtë shkatërrimi i Kombit. Në qoftë se nuk respektohen mendimet e njani tjetrit, don me thanë se nuk respektohet njeriu. Po nuk u respektua njeriu, e drejta dhe liria e mendimit, praktikisht, ne mbërrijmë në përfundimin se nuk duam as Kombin, as Atdheun”, është shprehur At Zef Pllumi. Ai ka përfunduar fjalën e tij të shkurtër me atë rast duke u bërë thirrje intelektualëve shqiptarë që në bashkpunim me njëri tjetrin, pjesëtarët e inteligjencës shqiptare, “duhet t’i prijnë këtij populli fatkeq, për me ecë përpara me ngulm në rrugën e vërtetë të Progresit Kombëtar.” (At Zef Pllumi, Hylli i Dritës 2-3, Tiranë, 1993).

Ndërkaq, pyetjes gjatë një interviste, vite më parë, me Radion e Vatikanit shqip, se ç’mendonte ai për politikën shqiptare e për politikanët, Zef Pllumi iu përgjegj kështu: “Kjo âshtë e meta mâ e madhe e historisë së këtij populli. Na jemi shpall shtet në vedi, pa i pasë njerëzit që ta drejtojnë, se zakonisht shtetet i drejton politika, popujt i drejtojnë njerëzit e politikës; janë ata që e japin drejtimin, porse njerëzit e politkës janë pak a shumë të përgatitun, ose duhet të jenë kështu. Ndërsa në Shqipni ashtë krijue mendimi feudal se ai që ka politikën, ka gjithçkafen në dorë, se politika asht burim fitimi. Shqiptari endè s’e ka kuptue se politika asht shërbim, e jo fitim. Vetëm kur të vijnë ata njerëz që kanë me e kuptue se politika asht shërbim, atëherë, po, mund të shpresojmë…”, ka thenë për Radio Vatikanin, At Zef Pllumi — ky dëshmitar i paepur i Zotit dhe i Kombit, i cili ka lenë faqe të bardhë e të mrekullueshme të historisë së fesë, Kombit, të shpresës e të qëndresës së vërtetë shqiptare, përballë të së keqës komuniste.

Thirrjet dhe porositë e At Zef Pllumit, ndonëse janë shqiptuar vite e dekada më parë, janë tepër aktuale edhe sot në 100-vjetorin e lindjes së tij, kur të merret parsysh se 35 vjetë pas shembjes së Murit të Berlinit, jo vetëm klasa politike shqiptare vazhdon të jetë e ndarë dhe e përçarë, por fatkeqësisht, as klasa intelektuale shqiptare sot nuk është e bashkuar me mendje e zemër rreth idealit të përbashkët të “Progresit të Kombit”, një ide për të cilin ka bërë thirrje At Zef Pllumi – Krenaria e Shkrelit të Malësisë së Madhe. Në këtë përvjetor, së paku, le të kujtojmë porosinë e Zef Pllumit, për të punuar drejt Progresit të Kombit — ashtuqë intelektualët shqiptarë dhe klasa politike shqiptare, sipas mundësisë, si individë dhe si grup, të përhapin aq dritë sa mund të lëshojë edhe një yll, në rrugën e vështirë e të gjatë të progresit kombëtar dhe të dashurisë ndaj njëri tjetrit. Kjo është porosia e tij edhe për mbarë Kombin shqiptar në 100-vjetorin e lindjes së tij!

Frank Shkreli

Pllumi

At Zef Pllumi me Nenë Terezen në lutje

Autori në qelinë e vuajtjeve e të tortutave, ose në “birucën” e At Zef Pllumit, siç e quanin vet të burgosurit anti-komunistë – sot muzeu “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës”, në Shkodër. I quanin “biruca” për shkak

BAJRAKTARI I HOTIT, KRENARIA E SHQIPNISË QË PËRBALLOI TRI DIKTATURA!- Nga BESIM NDREGJONI

Bajraktari i Hotit Mul Deli Bajraktari i përket brezit të shqiptarve të shquar të shekullit njëzet, që dha një kontribut kombëtar jo vetëm në drejtimin e kullës së Cun Mulajt,e bajrakun e Hotit por në ndërtimin e shtetit të parë shqiptar në fushën ushtarake, duke u shquar si një shtetar i palodhur dhe atdhetar!

Hoti ka qënë bajrak i parë në Malsi të Madhe, ku ka nxjerrë burra të shquar dhe mbrojtës të Shqipnisë. Përmasat e kësaj kulle kan qënë të njohura që nga pushtimi osman e deri në ditët kur Shqipninë e pushtoi barbaria komuniste nën udhëheqjen e diktatorit kriminel Enver Hoxha.

Këto ditë Unioni Mbarkombëtar Integrimit të Burgosurve e të Përndjekurve Politikë organizoi dhe kremtoi në Koplik ditën e 23 gushtit dita zyrtare europiane e viktimave të regjimeve totalitare si dhe përkujtoi Masakrën e Koplikut, ku u masakruan 56 burra dhe gra Malsore, si dhe pushkatimin barbar të figurave kombëtare të fesë dhe lirisë Dom Lek Sirdani, Dom Pjetër Cuni, si dhe luftëtarit antifashist Taro Keqi, dhe Malsorin Nik Mark Rexha. Unioni kërkoi nga kjo cermoni, të dënoheshin krimet e komunizmit, të bëheshin publike emrat e xhelatëve që e ban këtë masakër antinjerzoredhe shteti Shqiptar të kërkonte falje publike për krimet e komunizmit, dhe ne si gjithë europa të kishim një ditë kujtese në nderim të shqiptarve antikomunistë. Dhe në emër të Unionit i kërkova Bashkisë së Malsisë Madhe Koplikut të ngrihet një obeliskë për Luftëtarin antifashist, internuemi nga nazizimi, dhe antikomunistin bajraktarin e Hotit Muli Deli Bajraktari, për udhëheqësin e kryengritjes së Malsisë Madhe Llesh Marashin e Shkrelit, si dhe për udhëheqësin e Këlmendit Preng Calin! Kryetari i Unionit të Malsisë Madhe më njofton se në rrjetet sociale ka pasur reagime se pse të nderohet Bajraktari i Hotit, se nuk ka qënë në kryengritjen e parë antikomuniste. Nuk u shqetësova nga këta pseudhistorianë fecbukash, por më tronditi, urretja ndaj figurës së ndritur të Bajraktarit të Hotit, Mule Deli Bajraktarit, dhe mesazhi përçues i fecbuksve të ndarjes katolike muslimanmeqenëse bajraktari është musliman.

Nuk do të kisha marre kohën time të angazhimeve në mbrotjetë kujtesës kombëtare dhe denimit të krimeve të komunizmit për të ju përgjigjur fecbuksave. Detyrimi për të mbajtur gjallë  kujtesën përball heshtjes vrastare të  poltikës shqiptare që  ka një  synim:  Të zhdukinga kujtesa qëndresën antikomuniste në Shqipëri që  brezat e rinj mos të njihen me krimet e komunizmit dhe luftën vëllavrasëse në Shqipëri nga diktatori Enver Hoxha!” Ishte e detyrueshme përgjigja ime ndaj korit të  kukuvajkave të  politikës komuniste 34 vjecare kur i bashkohen ca individë në  Fb që  skan as një kontribut në mbrotjen dhe veprimtarinë kundra diktaturës , jo ma në fushën studimore, por as ligjore, që nga përformancat e tyre individuale  nuk i njohin dhe familjarët e tyre, këta individë sa të përkujtohet një ngjarje antikomuniste me njëherë do të shkruajnë  kundra vlerave dhe kontributeve njerzore të antikomunistave shqiptarë, vetëm të helmojnë brezin e ri duke i shërbyer politikës antikombëtare që ndjekin politikanet dhe partitë politike në Shqipëri siç banë këto ditë kundra  Bajraktarit të Hoti, kësaj familje kombëtare me kontribute atdhedashëse dhe prijsit të  Malsisë  në  mbrotje të kombit. Turpi i këtyre fesbukasve që skan asnjë motiv të vërtetë ndaj vlerave antikomuniste,  por u mungon dhe ndërgjegjësimi dhe formimi i tyre për të përçmuar kullën e bajraktarit të Hotit, me deklaratat e tyre në rrjetet sociale. Ju kukuvajka të  fb MulDelia ka qëne Ushtarak i lartë i shtetit shqiptar që  në  vitin 1920 duke dhënë një kontribut të madh për ndërtimin e shtetit shqiptar, ku u shqua në disa krahina të Shqipërise për cilësi të  larta shtetrore, dhe ku është  nderuar me urdhëra të larta nga shteti i parë shqiptar i udhëhequr nga Mbreti Zogu i Parë! Në  vitin 1939 ai ishte udhëheqësi ushtarak në Vlorë dhe e priti fashizmin italian me armë, duke luftuar kundra pushtuesit të Shqipërisë! Ai gjatë periudhës 40- 44 luftoi dhe mbrojti Malsinë e Madhe nga lufta vëllavrase që organizonin komunistat në Malsi, dëshmi e ish pjestarit të  rinisë komuniste Caf Jonuzit, i denuar nga partia komuniste me 20 vite burg politike. Me ardhjen e gjermaneve ai u bë  kundërshtar i fuqishëm kundra nazizmit, dhe për këtë arsye u internua nga nazizimi, deri kur mbaroi lufta e dytë botërore, i cili ishte i denuar nga diktatura komuniste si ushtarak dhe Bajraktar dhe perfundoi në Siri ku dhe ndrroi jetë. Familja e tijë, djali Kastriot Bajraktari me ardhjen në pushtet të komunistave  u internua që nga viti 1945 e deri në vitin 1990.E kulla e tije shekullore ku baheshin kuvende në mbrotje të Shqipnisë, komunizmi e bani haur bagtish për 45 vite diktaturë. Për dijeninë tuaj Bajraktari Mule Delia është nderi i Malsisë Madhe jo vetëm si drejtues i Hotit, por dhe si luftëtar antifashistë, antinazistë, dhe antikomunistë dhe e ka nderua Malsinë me kontributet e tija atdhetare dhe meriton nderim e venerim si një Shqiptar i madh patriot me përmasa kombëtare. Pra ju shpifsa të paskrupullt, kush në Malsi të Madhe ishte kundershtar i fashizmit, nazizmit, dhe komunizmit si bajraktari i Hotit Mul Deli Bajraktari! Nipi i te madhit CunMula! Ju shpifsa jeni aq të  lig, sa doni të ndani katolik e musliman të malsisë, por gaboni, se i ligu gjithmone gabon, Llesh Marashi ushtaraku antifashist dhe udhëheqësi i kryengritjes së Malsisë Madhe, ka qënë bashkëpuntori ma i madh i bajraktarit të Hotit, Preng Cali udhëheqësi i Këlmenditka qënë  bashkëpuntori ma i madh i Bajraktarit! Ju mëakuzoni mua Besim Ndregjonin se desha me i ngrit një  përmendore Bajraktarit të Hotit si udhëheqës i kryengritjes së Malsisë , dhe këtu gaboheni unë  obeliskun e kam kërkuar për kryengritjen antikomunste të malsorve, dhe drejtuesve të Malsisë për kontributet që  kan dhanë kundra komunizmit, fashizmit, dhe nazizmit! Dhe drejtues kundra fashizmit nazizmit dhe komunizmit është Bajraktari i Hotit Mul Deli Bajraktari, Llesh Marash Vata i Shkrelit, dhe legjenda PrengCali i Kelmendit! Nuk ka dallim Malsia i krishtere apo musliman

Ky është turpi i juaj Fb. Tani unë Besim Ndregjoni i drejtohem Vasel Ginës, cfar kontributi ke dhënë ti për Malsinë e Madhe, që më urren mua me fjalorin e Edi Ramësrrumpallë

Për dijeni tënden dhe të shpifsa  ordinere,  jam unë  ai që e nderova duke lobuar pranë  Presidentit të  Republikes që  kryengritja e Maksisë Madhe të dekorohet me titullin e lartë Nderi i Kombit,” ku ishe ti? Unë e nderova Llesh Marashin me” Urdhërin e Shqiponjës”, dhe tani po luftoi që  në  Malsitë  Madhe të ngrihet obelisku kushtuar kryengritjes dhe kontributeve të Bajraktarit të Hotit si Antifashist, antinaziste, dhe antikomuniste, gjthashtu dhe për Llesh Marashin. dhe Preng Calin. Për dijeni tënden unë kam dekoruar dhe Gjelosh Lulin. Dhe këto veprimtari i kam ba pa ndihmën e shtetit, as të Bashkise së Malsisë  Madhe,dhe të asnjë partie politike. Të vejë  në dijeni dhe me 25 tetor 2023 i kam raportuar  në Vatikan Shenjtërisë së  tij Papa Franceskut luftën antikomuniste të  Malsisë ku isha i ftuar nga shenjtëria e Tij Çdo datë 24 janar, dhe 15 shkurt i nderoi këto përvjetor duke mbajtur gjallë në vëmendje të brezave luftën antikomuniste të Malsisë dhe të krahinave të tjera shqiptare që kan luftuar kundra komunizmit. Gjatë tre dekadave nuk ju kam parë të paktën në një përvjetor juve si malsor. Kam nderuar dhjetrafamilje antikomuniste të Malsise me tituj nderi për kontributet që kan dhëne këto familje. Bahu kontributor në ruatjen e vlerave dhe vuatjeve të malsorve që ishin antikomunista, që nderonin dhe nderojnë burrat dhe gratë sakrifikuese të kombit, kundër diktaturave. Faliminderit malsorve emigrantëve që riparuan dhe e shpallën Muze kullën e bajraktarit të Hotit. Mirnjohje e nderim , lavdi Mul Deli Bajraktarit krenaria e Shqipnisë!

Besim NDREGJONI

Mbetjet toksike në Shqipëri nuk janë rast, por sistem- Nga Ekrem Spahiu

Prej disa ditësh, mediat ndërkombëtare dhe ato të vendit ziejnë se janë bllokuar nga Tajlanda dhe Kina 816 ton me mbetje toksike të eksportuara nga Shqipëria.

Ministritë përgjegjëse, Ministria Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, u menduan ca ditë për të dalë me një deklaratë të përbashkët për mediat për ta hipnotizuar opinionin publik se në të dyja rastet e përfolura të transportit, mallrat e deklaruara si okside/hidrokside hekuri apo koncentrat zinku, janë transportuar nga Porti i Durrësit drejt porteve evropiane përmes linjave kontejnerike ndërkombëtare me reputacion të padyshimtë dhe nuk janë bërë objekte kontrollesh në vendet e BE-së dhe se mallra me klasifikim të tillë nuk janë konsideruar asnjëherë si mbetje të rrezikshme.

Nga ana e saj, kompania “Kurum” e përgënjeshtroi deklaratën e institucioneve përgjegjëse shtetërore se ngarkesa ishte e saj, duke theksuar se i respekton të gjitha rregullat për trajtimin e mbetjeve, toksike apo jo. Në fakt, problemi është se ato nuk janë deklaruar lëndë toksike, por lëndë të parrezikshme, duke bërë kështu një mashtrim të madh nën hundën e shtetit.

Ky marifet “hidh e prit” thjesht mbulon faktin se tregëtia e mbetjeve toksike të paligjshme, veçanërisht në këto përmasa, është e pamundur të realizohet pa dijeninë apo korruptimin e institucioneve shtetërore përgjegjëse.

Ndërkohë, referohet se kompania turke “Kurum” ka mbyllur dyert duke ndaluar punën dhe 500 punonjësit e Uzinës së Çelikut e Petëzimit janë njoftuar për ndërprerjen e njëanshme të kontratës duke e mbuluar hedhjen në rrugë të njerëzve “për shkak të remontit”.

Normalisht ka plot vend për betejë politike, edhe pse autor është një firmë private. Duke marrë parasysh se ky nuk është një akt klandestinësh pa emër, por një vijimësi klandestine zyrtare e Shqipërisë, e kanë ekspozuar Shqipërinë si vendin ku mbetjet e rrezikshme industriale ngarkohen e shkarkohen në porte e aeroporte si të ishte tokë pa zot.

Opozita, media dhe publiku mund të kërkojë plot gjëra në këtë drejtim, si ka qenë kjo praktikë më parë, si janë ekspertuar dherat, çpo bëhet me hetimin, cila është përgjegjësia e agjencive ligj zbatuese etj.

Kështu, kemi një efekt “domino”: shteti nuk garanton siguri që në këtë rast është drejtpërdrejt siguri kombëtare. I mbush faqet zyrtare me ligje, projektligje, me plane e strategji me emërtime pompoze, madje përcakton edhe gjobitje të pafund, e megjithatë në Shqipëri hyn e del si pa gjë të keq 800 ton lëndë toksike dhe nuk u dinë, sikur të ishte një lakuriq nate.

Por le ta zemë se shteti nuk kishte dijeni. Atëherë përse ekziston? Nga ana tjetër, nëse shteti është i përfshirë në këtë krim të organizuar – kjo është alarmante.

Ajo që do të mbetet nga ky debat publik pozitë- opozitë, është se efekti domino zbret te qytetari. Sikurse theksohet edhe nga vlerësimet e Bankës Botërore të dy viteve më parë, “Shqipëria gjendet mes vendeve me përqindjen më të lartë të të keqmenaxhimit të rrjedhës së mbetjeve në Mesdhe me (73 për qind), pas Malit të Zi (95 për qind) dhe Egjiptit (93 për qind), e ndjekur nga Libia (64 për qind). Rreth 30 për qind e popullsisë nuk shërbehet nga infrastruktura e menaxhimit të mbetjeve, duke inkurajuar depozitimin e mbetjeve në vendgrumbullime apo vend depozitime të vjetra.

Mbetjet shpesh hidhen ilegalisht në lumenj apo liqene – duke ndotur përfundimisht degët ujore dhe bregdetin e Shqipërisë”.

Ndërkohë, Agjencia Evropiane e Mjedisit, para 4 viteve, konstatonte se “23% e vdekjeve në Shqipëri kanë si arsye faktorët mjedisorë që lidhen me ndotjen e ajrit, zhurmën, kimikatet dhe mungesën e hapësirave të gjelbra. Shqipëria renditet në vendin e dytë sa i përket vdekjeve të shkaktuara nga ndotja e mjedisit, ndërsa vendin e parë e mban Bosnje Hercegovina, me 27% të vdekjeve”.

Duhet të kujtojmë se gjatë njëzet viteve të fundit, tre nisma të qeverive të ndryshme, që synonin të lejonin importin e mbetjeve, kanë dështuar për shkak të reagimit dhe protestave qytetare.

Lëvizja për Zhvillim Kombëtar iu bën thirrje organeve të drejtësisë, që menjëherë të fillojnë hetimet, për të vërtetuar se çfarë mbetjesh toksike kanë qarkulluar në Shqipëri, kush e organizon këtë tregëti të paligjshme dhe deri në ç’masë është i zhytur shteti në këtë aktivitet kriminal.

Arkiv 2011 – IKJET E ISH DIKTATORËVE NUK SHKAKTOJNË BOSHLLËK NGA ELIDA BUÇPAPAJ

(Ky shkrim është botuar më 8 Tetor 2011, me rastin e ndarjes nga jeta të diktatorit të fundit Ramiz Alia. Në Shqipëria u tha se u rrëzua diktatura por jo nomenklatura e kuqe dhe trashëgimtarët e saj vazhdojnë të qeverisin si etërit e tyre, ndërsa sistemi ka degjeneruar plotësisht. Kjo ndodhi sepse demokracia në Shqipëri u rrek të ndërtohej duke anashkaluar dekomunistizimin dhe marrjen e përgjegjësive ndaj krimeve të diktaturës. Nomenklatura e diktaturës u dënua për kafe dhe ata që u burgosën, Partia Socialiste posa erdhi në pushtet në 1997 i nxori nga burgjet si heronj, i rehabilitoi dhe  i dëmshpërbleu me miliona lekë krejt ndryshe nga si veproi me viktimat e diktaturës shtresën e të përndjekurve)

——

Të nderuar miq. Dje u shua në moshën 86 vjeçare pasuesi i vetëm dhe i fundit i diktatorit Enver Hoxha, njeriu më i besuar i Hoxhës. E vendosa lajmin në Facebook pa bërë asnjë koment veç duke përshkruar faktin ashtu si është. Pasuesin e Enver Hoxhës nuk mund ta quajmë demokrat. Mjafton fakti tragjik se në prag të rrëzimit të diktaturës në Shqipëri, kur Ramiz Alia ishte në krye të shtetit komunist, në kufi u vranë qindra të rinj shqiptarë. Nuk u gëzova assesi për faktin se iku nga kjo botë, sepse besoj në Zot, por reagova në mënyrë të përgjegjëshme si gazetare.

 

Nëse në vitin 1991-1992 populli shqiptar u ngrit në këmbë për të përmbysur diktaturën më mizore të Europës Lindore, kjo diktaturë identifikohej me emrat që kishin në dorë shtetin, shtet që pushkatoi, vari, burgosi, internoi, nuk lejoi lirinë e fjalës, nuk lejoi lirinë e besimit dhe ushtroi terror e frikë tek populli i tij, pra u ngrit për të rrëzuar Ramiz Alinë dhe nomenklaturën e kuqe, pra ky është realiteti dhe është i pandryshueshëm.

 

Dhe në çdo vend të Europës Lindore ku u përmbysën sistemet totalitariste, nomenklatura e kuqe u gjykua për krimet e kyrera, përfitoi pensionet minimale dhe iu hoq e drejta e ripërfshirjes në politikë. Kështu u veprua edhe në Gjermani kur u rrëzua Hitleri, kështu edhe në Gjermaninë e post rrëzimit të Murit të Berlinit, Poloni, Hungari, Çeki e me rradhë.

 

Kështu do të duhej dhe kështu duhet të veprohet edhe në Shqipëri. Nëse për 20 vjet nuk u veprua kështu, kjo nuk e përjashton Shqipërinë nga përmbushja e detyrimeve si shtet anëtar i NATO-s apo nesër shtet anëtar i BE-së.

 

Ndërsa çdo shqiptar i ndershëm, që ka punuar 40 vjet, merr një pension minimal prej 130 $ dhe kjo shihet si diçka normale, e përse një grusht njerëzish që duan ta mbajnë peng të së djeshmes Shqipërinë, vazhdojnë t’i thurrin ditirambe Ramiz Alisë, i cili i ngrysi ditën me një pension të privilegjuar, duke u privilegjuar edhe nga mass-mediat, të cilat e trajtuan diktatorin e fundit të shqiptarëve si hero të demokracisë. Kjo nuk shkon. E kë përmbysën shqiptarët më 22 marsin e vitit 1992? Përmbysën pikërisht Ramiz Alinë dhe shtetin e tij totalitarist.

 

Ramiz Alia është i parehabilitueshëm nga një shtet ligjor demokratik i tipit Perëndimor. Ramiz Alia mund të rehabilitohet nga një shtet diktatorial. Por ky qëndrim kontravers i mediave shqiptare si shprehje e skutave më të errëta të politikës vjen sepse edhe sot – edhe 20 vjet pas rrëzimit të diktaturës – nuk ekziston asnjë ligj në Kushtetutën e Shqipërisë që të dënojë sistemin komunist. Në Kuvendin e Shqipërisë ka 20 vjet që bjerret koha e shqiptarëve me qëllimin që t‘i bëjë shqiptarët t’i harrojnë krimet e kryera nga diktatura. Edhe sot e kësaj dite në Tiranë nuk kemi asnjë Muzeum të krimeve të diktaturës, ndërsa kemi qindra mijë viktima të saj. Quo vadis kështu Shqipëria? Të vazhdojë e të konfondojë krimin me viktimën. Jo nuk shkon më.

 

Shqiptarët më 22 marsin e vitit 1992 e përmbysën diktaturën e Ramiz Alisë dhe ky fakt është i pakthyeshëm, i patjetërsueshëm, edhe sot pas ikjes të tij nga kjo botë. Nuk i gëzohem vdekjes së askujt, përfshi edhe atë të diktatorëve, sepse i besoj Zotit, por më pikëllon fakti i viktimave të diktaturës komuniste ndaj të cilave shteti komunist i Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë ushtroi terror, të cilat janë rivrarë edhe një herë nga indiferenca dhe heshtja e këtyre 20 viteve tranzicion, viktima që u varën, u pushkatuan dhe i çuan në litar në moshë të re, familjet dhe fëmijët e tyre që i persekutuan dhe i dërguan nëpër Gulagë të anatemuar si armiq të popullit dhe bijtë e armiqve të popullit. Për këta më vjen keq. Dhe sot më tepër se kurrë.

 

Fakti që Ramiz Alia iku nga kjo botë 86 vjeç dhe Nexhmije Hoxha 90 vjeçare ngrys ditët e pleqërisë me peshën e krimeve të sistemit komunist tregon se shqiptarët janë komb i qytetëruar që nuk kanë operuar me mjetet e diktaturës, siç ishte hakmarrja ndaj kundërshtarit politik dhe armikut të klasës, ashtu si veproi diktatura shqiptare e cila u largua nga pushteti jo me dashjen e saj, jo sepse u bë demokrate, por sepse u frikësua nga fati i diktatorëve të Europës Lindore. Iku nga kjo botë Ramiz Alia pa kërkuar asnjëherë ndjesë, pa pranuar asnjëherë për krimet e kryera, por kjo nuk ia ndryshon dot vendin që i takonte në gjallje dhe tani në shuarje. Jo për fajin e shqiptarëve as për fajin e viktimave, të cilat edhe sot e kësaj dite kërkojnë drejtësi përmes shtetit ligjor dhe Kushtetutës së Shqipërisë.

 

Nga kjo botë ikin për çdo ditë shqiptarë të ndershëm, ikin pa bujë, duke shkaktuar pikëllim e pengje tek të dashurit e tyre. Vdekjet e tyre nuk shpallen në gazeta, paçka se jeta e tyre e ndershme dhe plot sakrifica meriton të shpallet në gazetat e Shqipërisë, sepse ikin të vuajtur e të zhgënjyer. Sikur të mos u mjaftonin vuajtjet e diktaturës, u ishte dashur edhe ky konfuzion i shkaktuar në mënyrë të qëllimshme nga provokatorë të pashpirt, që e quajnë veten gazetarë, por, në fakt, dje ata kanë qenë çinovnikë të regjimit komunist dhe diktaturës dhe sot vazhdojnë të mbeten çinovnikë të hipotekave të tyre, pasi edhe sot e kësaj dite nuk arrijnë dot të gjejnë ndryshimin midis viktimave dhe ekzekutorëve të viktimave.

 

Ata mund të mbeten konfuzë deri sa të bëhen si Nexhmije Hoxha, 90 vjeçarë, por opinioni publik shqiptar nuk është konfuz dhe ai i njeh mjaft mirë ekzekutorët e shtetit diktatorial, të cilën e përmbysi më 22 marsin e vitit 1992.

 

Nga kjo botë ikin edhe njerëz që fitojnë bujë e nderim përmes veprave të mira, si shtetarë të devotshëm, të pakorruptushëm që i dedikohen shtetit të së drejtës jo për privilegje; nga kjo botë ikin shkrimtarë e artisë të mëdhenj që përmes artit të tyre na zbukurojnë jetën e përditëshme; nga kjo botë ikin shpikës gjenialë si Steve Jobs që ia kushtuan jetën e tyre njerëzimit; ikin shkencëtarë që shkrinë jetën e tyre për të zbuluar të panjohurat e universit; nga kjo botë ikin humanistë që sakrifikuan lirinë e tyre e tyre për hir të lirive të të tjerëve, dhe ikjet e tyre e bëjnë botën të vajtojë për ta, si vlera, duke shkaktuar boshllëk dhe mungesë. Sa për ikjet e ish-diktatorëve apo të atyre emri i të cilëve është i lidhur me vuajtjet e kombit të tij, këto ikje nuk i shkaktojnë boshllëk as kombit dhe as opinionit publik.

 

https://www.voal-online.ch/index.php?mod=article&cat=OPINONEEDITORIALE&article=18162

NEPËR ANALET E HISTORISË SË SHTYPIT SHQIPTAR – Dhimitër Berati- Nga Frank Shkreli

“Përlindja e Shqipërisë” — Një organ në mbrojtje të drejtave kombëtare
(24 gusht, 1913 në Vlorë)

Në analet e historisë së shtypit të lirë shqiptar domosdo përfshihet edhe gazeta “Përlindja e Shqipërisë”, numri i parë i të cilës është botuar me 24 gusht, 1913 në Vlorë. Thuhet se ka qenë gazeta e parë zyrtare, politike e cila si mision të saj kishte bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet të vetëm. Dhe si e tillë, për kohën e shkurtër që është botuar, ka mbështetur qeverinë e re shqiptare, të kryesuar nga Ismail Qemali, përball sfidave dhe kërcënimeve, ndaj trojeve shqiptare, të asaj kohe.

“Përlindja e Shqipëniës” e vitit 1913, ishte ndër gazetat e para të shtetit të pavarur shqiptar. Botohej në Vlorë dy herë në javë, të mërkurën e të shtunën. Numri i parë doli më 24 gusht 1913 dhe vazhdoi deri në 1914. Botonte lajme politike, ekonomike, shoqërore e kulturore. Mbështeti politikën e qeverisë së përkohshme të Vlorës, të kryesuar nga Ismail Qemali. Por vija editoriale e saj ishte mbrojtja të drejtave të Kombit shqiptar dhe kufijve të Shqipërisë, kundër synimeve grabitqare të shteteve shoviniste fqinje dhe intrigave të fuqive të huaja. Përsa vazhdoi së botuari, “Përlindja e Shqipëniës”, bënte thirrje për bashkimin e popullit në zhvillimin dhe përparimin e shtetit të ri shqiptar, të posa ishte shpallur, i pavarur.

Gjëja që më ka tërhequr vëmendjen ndaj kësaj gazete të hershme është titulli por sidomos nën-titulli i saj: “Organ për me mprojtur të drejtat kombëtare”. Por, edhe emri i Drejtorit Përgjegjës të asaj gazete, Dhimitër Berati, më ka tërhequr interesimin kur jam arratisur në botën e lirë, në vitin 1970 pasi ishte një emër që e kisha dëgjuar. Merreni me mend sot një gazetë me një nëntitull të tillë në faqen e parë: organ në mbrojtje të drejtave kombëtare! Ka njeri ose media sot që haptazi e shpallin veten si mbrojtës të interesit kombëtar?! Ndoshta ka ndonjë. Apo, njihni ndonjë politikan shqiptar të këtyre 30 e sa viteve “demokraci”, që të flasë me bindje parimore, në mbështetje të interesave kombëtare, ose të ndonjë veprimtarie mbarë-kombëtare shqiptare — mbi ato interesat personale dhe partiake –interesa për të cilat janë të njohur aq shumë nga politikanët aktualë shqiptarë?! Ndoshta mund të jetë ndonjë aty këtu, por zëri i tyre edhe kur kanë bërë ose bëjnë ndonjë deklaratë në mbrojtje të interesave kombëtare, sot ato zëra, nuk mbështeten, por mbyten ose injorohen nga mas-media digjitale e shitur tek politikanët “modernë”.

Por t’i kthehemi subjektit të këtij shënimi modest me pyetjen se kush ishte Kryeredaktori i gazetës “Përlindja e Shqipëniës”, Dhimitër Berati, i cili drejtonte organin që promovonte mbrojtjen e të drejtave kombëtare. Ai ishte pjesëmarrës në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe njëri prej nënshkruesve të saj. Berati ishte gjallë deri në vitin 1970 – i fundit i nënshkruesve të Pavarësisë së Shqipërisë — kur ndërroi jetë nga një aksident automoblistik në Romë. Historia e njeh kontributin e Dhimtër Beratit edhe si pjesëmarrës i shquar aktiv në Konferencën e Paqës në Paris me 1919. Përgjithësisht, veprimtaria e tij ishte shumë dimensionale në politikë e publicistikë, përfshir bashkpunimin me At Gjergj Fishtën dhe më vonë në mërgim edhe me Ernest Koliqin, një bashkpuntor i ngusht i tij me shkrimet e tija që botoheshin në revistën Shëjzat.

Botuesi i gazetës “Përlindja e Shqipëniës”, organi që filloi botimin me 24 gusht, 1913, me synimin për t’ia kushtuar atë mbrojtjes së të drejtave dhe interesave kombëtare të shqiptarëve, Dhimitër Berati, ndërsa i mërguar pas ardhjes në pushtet të regjimit komunist në Shqipëri – ai vazhdoi të punonte, aktivisht, me komunitetin shqiptar në Romë por edhe më gjërë, në mbështetje të interesave kombëtare, përfshir lidhjet e tija me komunitetin shqiptaro-amerikan. “Në nëntor të vitit 1969, prania e tij në kremtimet e Vatrës në Boston dhe New York”, shkruante Ernest Koliqi me rastin e kalimit në amshim të bashkpuntorit e kolegut ti tëj ngusht, Dhimtër Berati, të pranishëmve në ato festime, “i dha vështrim të posaçëm shfaqjeve të ndryshme që u zhvilluan në atë rast.” Shënohet se Berati gjatë qëndrimit të tij në New York u kishte folur shqiptaro-amerikanëve me “hollësi të çmueshme” rreth ngritjes së Flamurit në Vlorë me 28 nëntor, 1912, ku edhe ai vet kishte qenë i pranishëm dhe nenshkrues i dokumentit të Pavarësisë.

Pyetjes së kush ishte Dhimitër Berati, kryeredaktori pra i organit “Përlindja e Shqipëniës”, gazetës së vet-shpallur “Organ për me mbrojtur të drejtat kombëtare”, ndoshta i është përgjigjur më së miri kolegu e bashkpuntori i tij i ngushtë, Ernest Koliqi: “Ai ishte dekani i Rilindasve ende në jetë dhe simboli i idealeve që frymëzuen lëvizjen për Rilindjen kombëtare dhe kunorzimin e saj me 1912, mbas sa mundimesh e gjaku të derdhun.”

Si përfundim pra në këtë përvjetor, Dekani i Rilindasve, Dhimitër Berati nuk duhet të harrohet, as të anashkalohen meritat e tij patriotike, gazetareske e publicistike, siç nuk duhet të harrohen as kontributet e bashkëpuntorëve të tij të ngushtë, At Gjergj Fishta dhe Ernest Koliqi. Por të kujtohen dhe të nderohen, pa paragjykime ideologjike, brez pas brezi, për kontributin e tyre të gjatë dhe për meritat e veçanta të tyre në shërbim dhe në interes të Kombit shqiptar, ashtu siç i ka hije një populli që jeton në shekullin 21. Si firmëtar i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Dhimitër Berati, me shokët e tij të të njëjtit mendim e qëllim, nuk meritonin persekutimin nga regjimi barbar komunist i Enver Hoxhës, as nuk meritojnë të hidhen në harresë sot e kësaj dite.

Por për fat të keq, bazuar në historinë e këtyre 3-dekadave të një periudhe gjoja “post-komuniste”, për shkak të një trashëgimie komuniste, një mizorie të kohërave të sotëme në trojet shqiptare dhe padrejtësisë së fatit të tyre, Atdheu ende nuk ua njeh këtyre burrave, konributet e tyre historike, në interes të Kombit, as nuk u ka njohur madje as shpërblimin më të vogël moral për punën e tyre, që e kryenin gjithmonë, me mendje dhe zemër të pastër e pa hile, në shërbim dhe në mbrojtje të interesave kombëtare të Atdheut, ashtu siç deklaronte në faqën e parë të saj, Gazeta “Përlindja e Shqipëniës”, e Dhimtër Beratit, e cila ka filluar botimin me 24 gusht, 1913 në Vlorë.

Frank Shkreli

Dhimtër Berati në rini

Fotot nga Revista “Shëjzat” e Ernest Koliqit (XIV, 1970 – 7-9)

Dhimtër Berati në Konferencën e Paqës në Paris (1919) me Imzot Luigj Bumçin dhe At Gjergj Fishtën


Dhimitër Berati duke folur në darkën e “Vatrës” në Hotelin “Americana” në Nju Jork, Nëntor, 969 — 50-vjet pas pjesëmarrjes së tij në Konferencën e Paqës në Paris, 1919.

Synimet fashiste të Kremlinit ndaj Ukrainës- Nga Prof. dr. ESHREF YMERI

 

(Dy kryeshovinistët rusë – Putini dhe Medvedjevi – kërkojnë ta zhdukin fare nga harta Ukrainën, si shtet i pavarur dhe sovran).

Sulmi i Rusisë fashiste kundër Ukrainës nuk ishte absolutisht një tekë e rastit e klikës kriminale ruse, me në krye Putinin. Ai sulm ka parahistorinë e vet, me një shtrirje kohore prej gati 20 vjetësh.

Në vitin 2005, Putini i qe drejtuar parlamenti rus me një mesazh të posaçëm, në të cilin shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik e pati karakterizuar si “katastrofën” më të madhe gjeopolitike të shekullit të kaluar. Rolin e “vajtores” për shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, Putini, në vitet në vijim, vazhdoi ta luajë jo vetëm para publikut rus, por edhe para opinionit ndërkombëtar. Keqardhjen e tij të thellë për atë “katastrofë”, Putini ia pati shprehur në një intervistë edhe kinoregjisorit, skenaristit dhe producentit të njohur amerikan, Oliver Stoun (Oliver Stone – 1946).

Shtatë muaj para sulmit të 24 shkurtit 2024, Putini pati shkruar një artikull të gjatë, me titull “Për unitetin historik të rusëve dhe të ukrainasve”, në botuar në sajtin e Kremlinit dhe në faqen e internetit “tass” të datës 12 korrik 2021. Artikulli fillon me paragrafin në vijim:

“Para pak kohësh, gjatë emisionit “Linja direkt”, kur po i përgjigjesha pyetjes për marrëdhëniet ruso-ukrainase, theksova se rusët dhe ukrainasit janë një popull, janë një e tërë. Këto fjalë nuk janë detyrim ndaj ndonjë konjukture të caktuar ose ndaj rrethanave të tanishme politike. Këtë e kam thënë jo një herë, kjo është bindja ime”.

Dhe në vazhdim, Putini, duke iu përmbajtur praktikës së vet të njohur të mashtrimeve politike, futet thellë në historinë mesjetare, për të “vërtetuar” se rusët dhe ukrainasit qenkan “një popull”.

Në kundërshtim me mashtrimet e Putinit, ja çfarë ka deklaruar një analist ukrainas:
“Marrëdhëniet e tendosura mes ukrainasve dhe rusëve kanë qenë të përhershme. Ato nuk janë krijuar sot, ato shkojnë larg, e kanë zanafillën që nga kohët e Rusës Kieviane (me toponimin Rusa nënkuptohet emërtimi historik i tokave të sllavëve lindorë dhe të shtetit që qe krijuar atje në shekujt e mesjetës – E.Y.), kur princët rusë që gjoja i përkisnin së njëjtës etni, thereshin me njëri-tjetrin që si e si të hidhnin në dorë fronin e Kievit. Megjithatë, nuk kemi ndër mend të futemi thellë në histori. Do ta fillojmë nga viti 1618, kur hetmani (komandant i trupave kozake, – E.Y.) ynë lavdimadh Sahajdaçni (1582-1622), së bashku me zaporozhasit e vet të lavdishëm, i kalli datën Rusisë dhe për pak sa nuk pushtoi Moskën. Unë mendoj se pikërisht që asokohe rusët i kanë marr zët ukrainasit. Dhe kjo është e kuptueshme: moskovitët asokohe i mbushën pantallonat. Mandej pasoi beteja në afërsi të Konotopit (qytet i krahinës Sumskaja në verilindje të Ukrainës – E.Y.), kur një tjetër hetman i shquar, Vigovski (1608-1659) u dha dërrmën trupave cariste. Kanë pas qarkulluar llafe asokohe se cari rus kaq keq i paskej mbushur pantallonat, saqë ia kishte mbathur nga Moska, nga frika se mos kozakët do të shkonin për të hedhur në dorë shpirtin e tij mëkatar. Paskëtaj kanë qenë jo të pakta betejat e ukrainasve në aleancë herë me polakët, herë me turqit, herë me suedezët, herë me gjermanët kundër rusëve. Prandaj nuk pinë ujë hipokrizitë dhe rrëfenjat me përralla për “miqësinë shekullore mes popujve vëllezër”, sepse, në të vërtetë, nuk ka pas ekzistuar kurrfarë miqësie. Sepse ata, me të cilët ju gjoja keni pasur miqësi, nuk kanë qenë ukrainas dhe djalli e merr vesh se kush kanë qenë ata, sepse ukrainasit e vërtetë asnjëherë nuk hynin në marrëdhënie miqësore me ata që iu kanë bërë të liga. Po, po! Dhe nuk është nevoja të shtrembëroni turinjtë dhe t’i hapni sytë kokërdhok nga qielli. Ju menduakeni se treqind vjet bashkëjetesë në një shtet të vetëm kanë qenë periudhë idilike fund e krye, se, demek, ukrainasit dhe rusët kanë jetuar në paqe dhe në lumturi? Por ne, ukrainasit, nuk jemi të këtij mendimi. Ne e mbajmë mend shumë mirë sesi carët tuaj, bashkë me careshat tuaja, ndalonin përdorimin e gjuhës sonë, se si ata po e shfarosnin vetvetësinë (identitetin) tonë, duke mos lejuar përdorimin e emërtimit “Ukraina” (që do të thotë krahinë kufitare dhe që në fundin e shek XVIII rusët filluan ta quanin “Rusia e Vogël” – E.Y.) dhe “ukrainas”, duke i zëvendësuar ato me emërtimet idiote “Rusia e Vogël” dhe “rus i vogël”; se si sundimtarët tuaj i torturonin me armën e urisë stërgjyshërit tanë dhe i vrisnin për të vetmen arsye se ata donin të jetonin të lirë në shtetin e tyre të pavarur… Prandaj, në qoftë se dëshironi që ukrainasit të mos ju urrejnë më, në qoftë se keni qejf ta ktheni atë që nuk ka pas ekzistuar kurrë, ja se çfarë duhet të bëni: cari juaj i gjithë Rusisë, Vovoçka Putin, le të vijë në Kiev, të kalojë në Sheshin Meidan (ukrainasit e quajnë Maidan, fjalë kjo me prejardhje nga persishtja që emërton çdolloj mjedisi të hapur, parku apo sheshi në tërësi – E.Y.), të bjerë në gjunjë dhe, në emër të të gjithë popullit rus, t’i kërkojë ndjesë popullit ukrainas… Pastaj le të shporret nga toka jonë e shenjtë. Dhe, në ikje e sipër, le të ndalet në çdo qytet, në çdo fshat dhe të kërkojë ndjesë për të gjitha ato të liga që carët, perandorët dhe sekretarët e përgjithshëm kanë bërë në tokën e Ukrainës!” (Citohet sipas: Vadim Gontarenko. “Pse ukrainasit kanë urrejtje për rusët”. Faqja e internetit “UAINFO”. 22 shkurt 2014).

Kur mbarova së lexuari këtë analizë interesante, menjëherë më erdhi ndër mend një strofë mjaft kuptimplote nga një poezi e poetit të shquar kombëtar ukrainas, Taras Shevçenko (1814-1861), të cilin perandori Nikollai I (1796-1855), për përmbajtjen e poemës “Ëndrra”, e pati ndëshkuar rëndë, duke e degdisur në stepat e humbura të Kazakistanit dhe të Kirkizisë për kryerjen e shërbimit ushtarak:
Brune, bëni qejfin tuaj,
Por jo me moskalë*,
Se moskalët janë të huaj,
Kanë për t’ju tallë.

Pra, zanafilla e tërmeteve politike mes këtyre dy shteteve është shumë e hershme. Heroi kombëtar i popullit ukrainas, Bogdan Hmelnjicki (1595-1657), në Kuvendin e Perejasllavit, të mbledhur më 18 janar 1654, shpalli bashkimin me Rusinë, mbi bazën e të drejtave të barabarta në kuadrin e dy shteteve të përbashkëta. Por pas vdekjes së Hmelnjickit, shovinizmi rusomadh e zhduku dokumentin e firmosur prej tij që vërtetonte barazinë e plotë mes të dy shteteve, me qëllim që ta shndërronte Ukrainën në koloni të vetën. Ishte pikërisht pabesia e shovinizmit rusomadh ajo që e detyroi të birin e Bogdan Hmelnjickit, Juri Hmelnjickin (1641-1685), t’i shkëpuste lidhjet me Rusinë. Më vonë Ukraina përsëri ra nën zgjedhën e carizmit rus, zgjedhë kjo që vazhdoi deri në Revolucionin e Tetorit, por që u bë edhe më e egër nën sundimin e komunistëve sovjetikë.

Gati një vit pas sulmit të 24 shkurtit, Putini i dha në Moskë një intervistë gazetarit të njohur amerikan Taker Karlson (Tucker Carlson – 1969), themelues i videoplatformës “Tucker Carlson Network”. Nuk dihet me saktësi nëse Karlsoni kishte qenë vetë i interesuar për t’ia marrë atë intervistë Putinit, apo Putini e pati ftuar paraprakisht për t’i dhënë një intervistë të tillë. Sidoqoftë, një gjë është e qartë: Karlsoni njihet si simpatizant i thekur i Donald Trampit dhe ky njihet mirë si simpatizant i Putinit.

Një gazetar dhe shkrimtar anglez shkruan:

“Në dhjetor (2015 – E.Y.), disa muaj para se Trampi të propozohej nga partia republikane si kandidat për president, Putini e pati quajtur “njeri të ndritur, të talentuar, pa as dyshimin më të vogël…”. Trampi, nga ana e vet, u shpreh për Putinin me simpati, duke e quajtur “udhëheqës të fortë”, me të cilin do të dëshironte të kishte marrëdhënie shumë të mira… Mjetet ruse të informimit masiv janë kryesisht në mbështetje të Trampit, i cili, në financimin e bizneseve të veta me pasuri të paluajtshme, tradicionalisht, vazhdon t’i var shpresat te paratë ruse” (Citohet sipas: Julian Borger. “Nuk ka dyshim që Putini përkrah Trampin”. Faqja e internetit e gazetës “The Guardian”. 26 korrik 2016).

Në intervistën që i dha gazetarit Karlson, të botuar në gazetën “Komsomolskaja pravda” më 08 shkurt 2023, Putini, për të justifikuar edhe para opinionit publik amerikan sulmin fashist kundër Ukrainës të një viti më parë, i parashtroi atij të njëjtat mashtrime, si edhe në artikullin e lartpërmendur të 12 korrikut 2021.

Mashtrimet e Putinit ishim me të vërtetë skanaloze. Mosreagimi i gazetarit ndaj atyre mashtrimeve, e nxori edhe shumë më tepër në pah mjerimin e tij, si një përfaqësues i një mjeti amerikan të informimit masiv pa formim intelektual. Në vend që të reagonte, duke i hedhur poshtë ato mashtrime, gazetari jo vetëm që pohonte me kokë për çdo gjë, por madje arriti deri aty, saqë i krehu bishtin Putinit me shprehjen “dijet tuaja janë enciklopedike”!!!

Kur Putini deklaroi se “rusët dhe ukrainasit janë një popull”, Karlsoni heshti si mumje, në vend që të reagonte me pyetjen:

“Nëse qenkan një popull, atëherë ata qenkan një etni dhe paskan një gjuhë të përbashkët, apo jo?”.

Një pyetje të tillë mund t’ia bënte Putinit për ta zënë “mat” vetëm një gazetar me përgatitje enciklopedike, por jo Karlsoni gjysmak nga formimi intelektual dhe profesional në raport me historinë e marrëdhënieve të Rusisë me Ukrainën. Sepse gjuha është treguesi dhe themeli i identitetit kombëtar. Si tepër e ndjeshme ndaj dukurive të sociumit (kolektiv, mori njerëzisht që karakterizohen nga përbashkësia e jetës shoqërore, ekonomike dhe kulturore), gjuha pasqyron veçoritë karakteristike për çdo nivel shoqëror dhe shërben si tregues i statusit social të individit. Si fenomen sociokulturor, gjuha paraqitet si faktor i identitetit kombëtar. Pozicioni gjeografik, nuncat politike dhe zhvillimi historik kanë bërë që, në kohën e tanishme, gjuha ruse të dallohet dukshëm nga gjuha ukrainase. Fjala vjen, shkronja “e” ndryshe shqiptohet në rusisht, ndryshe në ukrainisht. Tregues thelbësor i ndryshimeve gjuhësore është leksiku. Leksiku i ukrainishtes ka më shumë ngjashmëri me disa gjuhë europianolindore, sesa me rusishten. Kështu, vihen re 23 tipare të përbashkëta të ukrainishtes, të polonishtes dhe të sllovakishtes, kurse me rusishten vetëm 11 tipare. Dhe një gjë të tillë e vërteton leksiku më së miri. Rusishtja dallon thelbësisht nga ukrainishtja edhe për arsye se në këtë të fundit përdoret rasa thirrore. Për arsye të rregullit të kombinimit, sipas të cilit tinguj zanorë ose bashkëtingëllorë në ukrainisht nuk përdoren njëri pas tjetrit, kjo gjuhë konsiderohet më melodike se rusishtja. Sigurisht që dallimet mes rusishtes dhe ukrainishtes janë shumë më të mëdhaja. Kryesorja është që këto janë dy gjuhë të ndryshme, në të cilat janë ndjekur rrugë të ndryshme zhvillimi, çka do të thotë se janë gjuhë më vete, secila me veçoritë e saj. Prandaj deklarata e Putinit, sipas të cilit “rusët dhe ukrainasit janë një popull”, është një gënjeshtër me bisht, një mashtrin i kulluar, me të cilin ai ka për qëllim të justifikojë sulmin fashist të 24 shkurtit 2022, sulm ky që e kanë përkrahur dhe vazhdojnë ta përkrahin shumica dërrmuese e popullit rus dhe kisha shoviniste ruse. Në mjetet e informimit masiv është dhënë informacioni në vijim:

“Sot, më 20 gusht 2024, në Ukrainë qe marrë një vendim historik. Parlamenti ndaloi me ligj veprimtarinë e kishës ruse në Ukrainë. Parlamenti aprovoi ligjin”. (Citohet sipas: “Kishën ruse e ndaluan në Ukrainë. Parlamenti aprovoi ligjin”. Faqja e internetit “my.novini”. 20 gusht 2024).

Ndërkohë, duhet theksuar se qëndrimi shovinist i Rusisë fashiste ndaj Ukrainës, nuk përmblidhet vetëm në pikëpamjet e kryekriminelit Putin. Ai qëndrim, dy vjet pas sulmit të 24 shkurtit 2024, zbulohet fare lakuriq në figurën e një tjetër kryekrimineli rus, siç është Dhimitër Medvedjevi. Putini dhe Medvedjevi kanë vite që njihen si “Loli dhe Coli” i Kremlinit, duke ndërruar disa herë me njëri-tjetrin postin e presidentit dhe të kryeministrit. Në këndvështrimin e Medvedjevit, Ukraina duhet të zhduket fare nga harta si shtet i pavarur dhe sovran.

Instituti i studimit të luftës (Institute for the Study of War – ISW) është një qendër analitike amerikane, të cilën, në vitin 2007, e ka themeluar Zonja Kimberli Kagan (Kimberly Kagan – 1972), historiane ushtarake amerikane, presidente e institutit në fjalë. Ky institut kryen studime në fushën e mbrojtjes dhe të çëshjeve ndërkombëtare. Informacioni i këtij instituti hedh dritë mbi synimet e vërteta fashiste të Kremlinit ndaj Ukrainës:

“Paqja për Rusinë do të thotë fundi i Ukrainës, si shtet i pavarur dhe sovran në çfarëdolloj kufijsh: më 14 mars këtë e pohoi haptazi ish-presidenti i Federatës Ruse Dhimitër Medvedjevi, pasi parashtroi të ashtuqujturën “formulë ruse të paqes”, një formujlë kjo e egër dhe e paapelueshme. Për këtë bëhet fjalë në një parashikim të ri të Institutit të studimit të luftës.
Zëvendëskryetari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Dhimitër Medvedjevi, ka botuar një thirrje të hollësishme për shfarosjen e plotë të shtetit ukrainas dhe gëlltitjen e tij nga Federata Ruse, duke e quajtur këtë plan “formula e paqes ruse”. Analistet e ISW theksojnë se kërkesat e Medvedjevit nuk janë të reja, ato përfaqësojnë më shumë synimet e vërteta të Kremlinit ndaj Ukrainës, synime këto, të cilat nuk hapin shteg për bisedime me tjetër qëllim, përveç parashtrimit të kushteve konkrete për kapitullimin e plotë të Ukrainës. Që në fillim të “planit paqësor”, të shtruar prej tij, Medvedjevi e hedh poshtë sovranitetin e Ukrainës, duke e qujajtur atë “ish” vend dhe duke e vendosur në thonjëza toponimin “Ukrainë”. Më poshtë, Medvedjevi ka parashtruar shtatë pika të “formulës së paqes”, sipas tij, të cilën ai, në një mënyrë tallëse plot mllef, e ka quajtur “të qetë”, “realiste”, “humane” dhe “të butë”. Ja çfarë parashikohet konkretisht në ato shtatë pika:

1. Pranimi nga ana e Ukrainës i disfatës ushtarake, kapitullimi i plotë dhe pa kushte i Ukrainës dhe “demilitarizimi” i plotë.

2. Pranimi nga ana e krejt bashkësisë ndërkombëtare i “karakterit nazist” të Ukrainës, shoqëruar me “denazifikimin” e autoritetit ukrainas.

3. Deklaratë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për zhveshjen e Ukrainës nga statusi i shtetit të saj sovran, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, si edhe deklarata se çdo shteti-trashëgimtar të Ukrainës do t’i ndalohet të rreshtohet në çfarëdo aleancash ushtarake, pa pëlqimin e Rusisë.

4. Dorëheqja e të gjitha organeve kushtetuese të pushtetit të Ukrainës dhe zhvillimi i menjëhershëm i zgjedhjeve parlamentare për një “parlament të përkohshëm”.

5. Pagesa e reparacioneve Rusisë nga pala ukrainase.

6. Pranimi zyrtarisht nga ana e “parlamenti të përkohshm” (që gjoja do të zgjidhet pas dorëheqjes së pushtetit të tanishëm të Ukrainës) i faktit që krejt territori i Ukrainës është pjesë e Rusisë dhe aprovimi i aktit të “ribashkimit të Ukrainës me Federatën Ruse” dhe përfshirjes së saj në të.

7. Shpërndarja e këtij “parlamenti të përkohshëm” dhe njohja nga ana e Organizatësë së Kombeve të Bashkuara e “ribashkimit” të Ukrainës me Rusinë…” (Citohet sipas: “Kapitullimi i Ukrainës në shtatë pika. Që nga fillimi i sulmit, Medvedjevi i ka sqaruar shumë më qartë synimet e vërteta të Federatës Ruse në luftë: ç’do të thotë kjo?” Faqja e internetit “New Voice”. 15 mars 2024).

Ky qëndrim prej sllavi i popullit rus, të cilit s’i bëjnë kurrfarë përshtypjesh krimet barbare të ushtarëve të tij kundër popullsisë civile në Ukrainë, shkatërrimet me raketa të pallateve të banimit, të objekteve të artit dhe të kulturës dhe përgjithësisht të infrastrukturës në atë vend, më solli ndër mend një shprehje mjaft kuptimplote të arkitektit amerikan Frank Lloid Rait (Frank Lloyd Wright – 1867-1959), të vlerësuar si krijues të “arkitekturës organike”. Ajo shprehje i shkon mjaft për shtat natyrës së marrëdhënieve të kryekriminelit Putin me popullin e vet. Ai ka thënë:
“Madhështia e një despoti e ka burimin jo në vlerat e tij personale, por në poshtërimin e turmës që e rrethon”.

Dhe me të vërtetë, turmat e popullit rus janë aq të poshtëruara nga kryedespoti i Kremlinit, saqë të kujtojnë bujkrobërit e çifligarëve që përshkruan shkrimtari Nikollaj Gogoli (1809-1852) në romanin e famshëm “Frymë të vdekura”. Por, në të njëjtën kohë, ato turma janë kaq të indoktrinuara me frymën e shovinizmit rusomadh, saqë janë bërë mbështetje e fuqishme e klikës fashiste të Kremlinit për pushtime territoresh të huaja. Ky indoktrinim ka traditë të kahershme në Rusinë cariste dhe ka ardhur e është bërë shumë më tepër agresiv, sidomos gjatë sundimit të Pjetrit I (1672-1725), Ekaterinës II (1929-1796), Leninit (1870-1924), Stalinit (1878-1953) dhe Putinit (1952). Pikërisht pesha e rëndë e këtij indoktrinimi të fuqishëm shovinist, ka bërë që turmat ruse të ditëve tona të mos ndiejnë kurrfarë shqetësimi nga vrasja e më shumë se 600 mijë ushtarëve dhe oficerëve rusë në Ukrainë që prej sulmit fashist të 24 shkurtit të vitit 2022. Domosdo, ato turma të verbra ruse, mbartëse të psikologjisë prej sklavi brez pas brezi, e kanë më të shtrenjtë pushtimin e territoreve të huaja, sesa jetën e bijve të tyre. Ato turma prisnin me ngazëllim se ushtria fashiste ruse do të pritej me lule në rrugët e Kievit, ashtu si turmat pararendëse ishin të bindura se ushtria sovjetike, pas sulmit fashist kundër Finlandës më 30 nëntor 1939, do ta festonte fitoren nëpër rrugët e Helsinkit me rastin e ditëlindjes së Stalinit më 21 dhjetor. Po ashtu, turmat e verbëra të popullit rus prisnin se pas sulmit fashist që ushtria sovjetike ndërmori kundër Afganistanit më 24 dhjetor 1979, ajo do të pritej me lule nëpër rrugët e Kabulit. Por, për arsye të forcës mitike të atij popullit të vogël finlandez, ushtria fashiste sovjetike e pagoi atë sulm me 127 mijë ushtarë dhe oficerë të vrarë, të ngrirë në dëborë dhe të zhdukur pa lënë gjurmë, kurse sulmin kundër Afganistanit e shleu me 30 mijë të vrarë dhe 60 mijë të sakatuar. Pra, luftërat agresive, Rusia fashiste i ka përfunduar me turp. Me siguri që edhe lufta agresive kundër Ukrainës ka për të përfunduar me turp për Rusinë. Më këtë luftë, klika fashiste e Kremlinit dhe shumica dërrmuese e populit shovinist rus, shpresonin se, duke pushtuar Ukrainën, të cilën ëndërrojnë ta zhdukin nga harta si shtet të pavarur dhe sovran, dhe duke e ribashkuar përfundimisht me Federatën Ruse, do të çliroheshin një herë e mirë nga smira dhe xhelozia që i ka brejtur pa pushim ndaj Ukrainës pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991. Ajo smirë dhe xhelozi i ka bërë krerët e Kremlinit dhe pjesën më të madhe të popullit rus, të mos e pranojnë të vërtetën historike që Ukraina është djepi i kulturës sllavianolindore dhe Kievi kryeqendra e saj. Sepse Kievi është themeluar në vitin 482, kurse Moska – 665 vjet më vonë, në vitin 1147. Edhe Moskën e pati themeluar princi ukrainas Juri Dollgoruki (1090-1157).

Lexuesve të nderuar iu rekomandoj të ndjekin në youtub materialin me titull “Video allegedly shows captured Russian soldiers in Kursk”, në mënyrë që të shikojnë se në ç’derexhe janë katandisur ushtarët e ushtrisë “së dytë në botë”!

Kaliforni, 22 gusht 2024
———————————–
*moskalnofkë përbuzëse që u qe ngjitur rusëve shekuj më parë në Ukrainë dhe në Bjellorusi.


Send this to a friend