Policia e Shtetit ka administruar së fundmi një informacion se një grup kishte planifikuar të ekzekutonte ish-drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Gledis Nanon.
Sipas “News 24” dyshohet se plani për eliminimin e Gledis Nanos po organizohej nga një grup që ish-kryepolici e ka hetuar kur ka qenë në detyrë në polici më parë si drejtues i Antiterrorit.
Po ashtu është konfirmuar fakti se policia nuk e ka vënë në dijeni për situatën ish-drejtorin e përgjithshëm të Policisë së shtetit, Gledis Nanon. Madje, as ndaj familjes së tij nuk janë shtuar masat mbrojtëse.
Ndërkohë, Policia e Shtetit, lidhur me lajmin, as nuk mohon e as nuk pohon ndonjë rezultat lidhur me rastin. Kujtojmë që Nano u shkarkua si drejtor i përgjithshëm i Policisë së Shtetit më 31 gusht 2022 vetëm pas 10 muajsh në detyrë, me argumentin e qeverisë se nuk kishte realizuar objektivat dhe deri sot ende ndodhet jashtë policisë së shtetit.
Gledis Nano vjen nga një karrierë 19- vjeçare në Polici, ku para se të emërohej kryepolic, drejtoi për 5 vite Antiterrorin, ku u vlerësua edhe nga Ambasada amerikane për përpjekjet e përbashkëta në luftën botërore ndaj terrorizmit.
Veç trajnimeve të ndryshme ndërkombëtare nga agjenci të njohura në fushën e sigurisë, Gledis Nano në vitin 2017 u diplomua në Akademinë Kombëtare të FBI-së, në Quantico Virginia. Pak ditë më parë Nano ishte në një vizitë në SHBA.
Ndonëse nuk ka asnjë informacion zyrtar nga policia e Shtetit dhe as nga agjencitë e tjera ligjzbatuese, bëhet me dije se në fakt policia prej kohësh ka në duar të dhëna konkrete për personin. Janë administruar materiale në lidhje me këtë person, por ende nuk dihet se përse policia nuk ka referuar materiale në prokurori.
Burimet tregojnë se po punohet për të mësuar më shumë në lidhje me gjithçka thuhet në informacione që mund të ndodhin ndërkohë që pritet që në ditët në vijim edhe të reagohet për këtë çështje, nëse kërcënimi është serioz dhe mund t‘i rrezikojë jetën Gledis Nanos, pasi kujtojmë se ai përveçse ka qenë drejtor i Policisë së Shtetit, është një nga ekspertët më të mirë në vendin tonë në fushën e terrorizmit.