Në Shqipëri një incident i rëndë u rregjistrua mbrëmjen e së hënës në Kavajë, kur në një nga zyrat elektorale të Partisë Demokratike në Kavajë, u plagos me armë zjarri sekretari i kësaj force politike, Bledar Okshtuni 27 vjeç. Mësohet se personi që ka qëlluar është Ndriçim Jonuzi, me të kaluar kriminale, i cili mbante dhe mbiemrin Tahiri. I dënuar më parë në Itali, ai kishte vuajtur 8 vjet burgim në Shqipëri. Sipas policisë, Jonuzi “dyshohet se si pasojë e një konflikti për motive të dobta, ka hyrë në ambientet e brendshme të një zyre elektorale të një subjekti politik dhe ka plagosur me armë zjarri pistoletë në këmbë shtetasin Okshtuni, i cili ndodhet në spitalin e Durrësit, nën kujdesin e mjekëve”.
Por për Partinë Demokratike, ngjarja ka qenë e provokuar dhe e nxitur politiisht. Kandidatja për deputete e PD, Grida Duma e cila mbulon pikërisht zonën e Kavajës, tha se Jonuzi, i shoqëruar dhe nga dy persona të tjerë me uniformë të Policisë Bashkiake, i ka kërkuar Okshtunit të largojë makinën dhe më pas ka hyrë në zyrën elektorale duke e qëlluar. Sipas zonjës Duma, agresori Jonuzi, është gjithashtu një biznesmen që ka fituar tendera nga Bashkia e Kavajës, e cila drejtohet nga socialistët.
Për motive politike foli edhe kryetari demokrat Lulëzim Basha i cili shkoi në Kavajë, menjëherë pas ngjarjes. “Sonte Kavaja është përballur me një ngjarje të rëndë, një atentat kundër PD-së, kundër Aleancës për Ndryshim, nga një kryeministër që e di se të dielën ai humb, dhe Kavaja e Shqipëria fiton. Një njeri i cili ka humbur çdo lloj kufiri njerëzor e që hesht, ndërkohë që njerëzit e tij me aktet e dhunës tregojnë se këtij rregjimi i ka ardhur fundi”, deklaroi zoti Basha duke bërë thirrje që “le t’ja japim përgjigjen këtij akti burracak, të gjithë masivisht ditën e dielë në kutinë e votimit”.
Edhe presidenti Ilir Meta u shpreh i shqetësuar duke njoftuar se do të shkonte në Kavajë në përfundim të disa angazhimeve në Elbasan.
Nga ana e tij, kandidati socialist që mbulon Kavajën Etien Xhafaj, ndërsa dënon ngjarjen shprehet i bindur se ajo nuk ka lidhje me politikën. “Ngjarje si kjo e sotmja nuk përfaqësojnë kulturën dhe qytetarinë e Kavajës. Jam i bindur se ngjarja nuk ka lidhje me politikën dhe ne që garojmë për zgjedhjet e 25 prillit duhet të jemi të parët që jo vetëm ta dënojmë aktin e sotëm, por edhe mos ta politizojmë këtë ngjarje. Zgjedhjet duhet te jenë festë dhe kështu do të jenë në Kavajë e gjithë Shqipërinë. Autoritetet duhet të veprojnë me shpejtësi dhe autorët duhet të vendosen një orë e më parë para drejtësisë”, u shpreh zoti Xhafaj në një deklaratë.
Edhe kryeministri Edi Rama e dënoi ngjarjen duke e konsideruar plagosjen e përfaqësuesit demokrat “të patolerueshme. Autori duhet çuar në pranga sa më shpejt! Politizimi i kësaj ngjarjeje është po aq i keq sa vetë ngjarja! Lulzim Basha duhet të bashkohet me mua për të mbështetur drejtësinë pa nxitur tensionin, ndërsa Ilir Meta duhet ta ndalë fushatën idioteske të tensionimit!”, shkruajti zoti Rama në Twitter.
Komentet