Autoritetet holandeze thanë se gazetari i famshëm Peter R. de Vries, i njohur për punën e tij në ndriçimin e botës së krimit, po lufton për jetën e tij, pasi u qëllua në një rrugë të Amsterdamit.
Tre të dyshuar u arrestuan, përfshirë edhe autorin e mundshëm, tha policia, por nuk pranoi të jepte hollësi të tjera.
“Ai u plagos rëndë dhe po lufton për jetën e tij”, tha kryetarja e bashkisë së Amsterdamit, Femke Halsema në një konferencë me gazetarë. “Ai është një hero kombëtar për të gjithë ne. Një gazetar i rrallë, i guximshëm, që pa u lodhur kërkoi drejtësi”.
Gazetari De Vries fitoi çmimin ndërkombëtar Emmy në vitin 2008 për punën e tij ne hetimin e zhdukjes së adoleshentes amerikane Natalee Holloway në Aruba, në vitin 2005.
Kryeministri holandez, Mark Rutte, e quajti sulmin “tronditës dhe të pakuptueshëm. Ishte një sulm ndaj një gazetari të guximshëm dhe gjithashtu një sulm ndaj shtypit të lirë që është kaq thelbësorë për demokracinë tonë. Ne jemi duke u lutur që ai të mbijetojë”, tha ai.
Transmetuesi holandez RTL tha se Peter R. de Vries sapo ishte larguar nga studiot e tij në qendër të Amsterdamit kur u qëllua ne kokë.
Gazetari De Vries, 64 vjeç, është i famshëm në Holandë, si komentator i shpeshtë i programeve televizive dhe reporter ekspert i krimit, me burime si në forcat e sundimit të ligjit ashtu edhe në botën e krimit.
Ai është i njohur në Holandë për punën hetimore në raste të panumërta, veçanërisht pas rrëmbimit në vitin 1983 të manjatit të birrës, Freddy Heineken.
De Vries ishte kërcënuar nga bota e krimit në të kaluarën në lidhje me disa raste.
Në vitin 2013, Willem Holleeder, rrëmbyesi i zotit Heineken, u dënua për kërcënime ndaj gazetarit De Vries. Holleeder aktualisht po vuan një dënim me burgim të përjetshëm për përfshirje në pesë vrasje.
Ngjarja e së martës nxiti reagimin në shkallë të gjerë të organizatave për mbrojtjen e gazetarëve. Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve u bëri thirrje autoriteteve holandeze” të hetojnë me shpejtësi dhe thellësisht sulmin ndaj gazetarit Peter R. de Vries, të përcaktojnë nëse ai ishte në shënjestër për punën e tij dhe të sigurojnë që sulmuesi dhe organizatorët e sulmit të përballen me drejtësinë”.
Tom Gibson, përfaqësues i këtij komiteti për Bashkimin Evropian, tha se “gazetarët në BE duhet të jenë në gjendje të hetojnë krimin dhe korrupsionin pa u frikësuar për sigurinë e tyre”.
Organizata Gazetarët pa Kufij duke shprehur solidaritet me familjen dhe gazetarët holandez, bëri thirrje po ashtu për arrestimin e shpejtë të autorëve të sulmit.
Thirrje për vënien sa më të shpejtë para drejtësisë bëri edhe Federata Evropiane e Gazetarëve, ndërsa përfaqësuesja për lirinë e medias në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Teresa Ribeiro, u shpreh “e tmerruar nga lajmi” duke e cilësuar atë “goditje të tmerrshme mbi lirinë e medias”.