PLAGË E VJETËR
Plagë e vjetër mbulon zemrën tënde
Shtresë e patjetërsueshme.
Shigjetat e vështrimeve kryqëzohen
Thyhen në ajër, bien mbi këtë shtresë.
Duke rënë
Mbi ujin e zjerë të saj
Shuhen me dënesë…
EJA TRADHTI
Eja t`i bëjmë tradhtisë një darkë,
Boll e mbajtëm të fshehtë dhe kurrë s`e shpallëm,
E dimë, në vend të luleve ajo ka plagë
Mjaft me ne lulet u tallën.
Mjaft u harlis skutave dhe qosheve
U fsheh aq shumë sa u harrua,
Nën mllefin gri të kodoshëve
U torturua.
Eja t`i bëjmë një darkë
Të festojmë me të do qe më mirë,
Pastaj duke lëshuar flakë
Si fantazmë e tradhtuar do humbë magjinë…
ZBRAZJE
e kam zbrazur kuptimin e një kënge për dashurinë
sa çdo kuptim tjetër i saj më thotë
se ajo më nuk ekziston.
Po ç`dua që shoh bukuri të reja
që shkojnë gabimisht në zemra indiferente
e mua nuk më shikojnë…
KURRIZ MALI
Mbi kreshtë
një dru i vetëm si roje e qiellit,
si një ushtar që rri në horizonte
të ruajë enigmat që mbillen.
Një dru,
shenjë e drurëve të tjerë që aty ishin,
Dhe që ta heqë dhe dot se heq,
horionti ul e shtriq kurrizin…
si heshtën që s`e heq nga kurrizi tigri…
GUVË
Daullja e qiellit me shkopinj rrezesh
u gris në këtë guvë malesh,
ky qiell mbeti kaq i ngushtë dhe shurdhëria
e hoqi lëkurën e agimeve duke ia veshur gurit.
Pemëve të rralla duke ia veshur.
Daullja e qielli mbet e rjepur…
KUR UDHA MË FTONTE
Kur udha më ftoi
Pa pritur këngën e këndezit të parë
Si orën më të saktë,
Pikërisht atëhere u nisa nëpër natë.
Sa mall kam sot për këto nisje
Atëhere kur nëpër prag agimesh
Diellin e dëshirave ndizje…
Tani çohem vonë dhe udha përton të më afrohet
Apo unë asaj?
kënga e këndezit shuhet si një flakë në pluhurin e saj…
KUR ËSHTË VETËM POET I DASHURUAR…
Kur është vetëm poet i dashuruar
Vetmia në shikim të ndërgjegjes
Bëhet një minierë refleksesh.
Vijnë dy elipse buzësh si hënë e ngrënë mësysh
Dhe e thithin vetminë
Për të mos u bërë shushunja
Poeti i njom me dashurinë…
Komentet