A e ka shpejtuar përplasja me editorët e Voal.ch – ish editorin e Diellit, Dalip Grecën të dalë në pension? Si për t’u shfajësuar se nuk është ai censori? Dhe se Diellin nuk e menaxhon më ai? Ndofta!
Nuk e di, por unë më 25 maj i bëra thirrje Dalip Grecës të japë dorëheqjen, sepse profili i Vatrës dhe gazetës Dielli përjashton censurën dhe censorët!
Cilat janë tiparet që e kanë dalluar Vatrën dhe Diellin si vlerë dhe trashëgimi vlerash. Mos të harrojmë se Dielli e lindi Vatrën. Dielli e ka ditën e lindjes më 1909, ndërsa Vatra më 1912. Unë po sjell katër tipare themelore:
Së pari, Vatra dhe Dielli janë themeluar nga avantguarda e mendjeve të ndritura të kombit, nga koha e Rilindjes.
Së dyti, themeluesit e Vatrës dhe Diellit janë dalluar për qëndrimet e vrullëshme patriotike, pro Perëndimore në mbrojtje të Nënës. Sado surrealiste të duket, ishin Bijtë që e lindën Nënën, të varrosur nëntë pashë në dhé gjatë pesë shekujve pushtim nga perandoria otomane.
Së treti, Vatra dhe Dielli janë krijuar nga elita shqiptare e mendimit përparimtar Europianisto-Perëndimor, antikomunist, antifashist dhe anti çdo lloj ekstremi që minon liritë e njeriut dhe demokracinë si sistem vlerash.
Së katërti, Vatra dhe Dielli kanë patur rol në të gjitha ngjarjet me peshë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut etj, sidomos në mbrojtje të territoreve shqiptare pas Konferencës së Londrës më 1913 e tutje.
Viti 2019-2020 ishte një vit i rrezikshëm për shqiptarët si dhe stabilitetin e paqes rajonale, pasi Kosova rrezikoi ndarjen dhe u vu në treg nga kryepolitikanët shqiptarë, pikërisht në kohën kur Vatra doli me sloganin për unitet kombëtar.
Po t’i shohësh ish editorët dhe kryetarët e Vatrës e Diellit, ata janë ajka e shqiptarizmit patriot liberal dhe progresiv, një pjesë e madhe e tyre të burgosur, pushkatuar, arratisur e ndjekur nga diktatura e Enver Hoxhës.
Tek Dielli dhe Vatra kanë kontribuar përveç Faik Konicës e Fan Nolit, figura të ndritura si Kristo Dako, kryetar dhe editor i Diellit , bashkëshorti i Sevasti Qiriazit dhe kunati i Parashqevi Qiriazit, me një aktivitet të pandalshëm si patriotë, njerëz të dijes, arsimit e kulturës që shpenzuan gjithë jetën për të ndriçuar mendjet e rinisë shqiptare, duke themeluar më 1931 Institutin Kyrias, por të persekutuar e masakruar nga diktatura komuniste. Editorë të Diellit ka qenë atdhetari i përkushtuar Kristo Floqi, i burgosur nga regjimi komunist; Bahri Omari i pushkatuar nga regjimi komunist; Kristo Kirka, i burgosur dhe vdekur në burgjet komuniste, Akif Përmeti, i pushkatuar nga regjimi komunist, Arshi Pipa, i burgosur dhe i arratisur nga regjimi komunist, vëllai i tij avokati Muzafer Pipa i pushkatuar nga regjimi komunist; Bilal Xhaferri, i arratisur dhe i përndjekur nga regjimi komunist; Ing. Agim Karagjozi, antikomunist, i arratisur nga regjimi komunist; Dr.Gjon Buçaj, me baba të pushkatuar nga regjimi komunist dhe vetë i arratisur. Jo vetëm që i kanë burgosur e vrarë kryetarët e Vatrës dhe editorët Diellit, por ua kanë përndjekur, burgosur dhe syrgjynosur nëpër internime edhe fëmijët e familjet brez pas brezi.
Kjo listë që përmend është natyrisht shumë e mangët dhe lë shumë për të dëshiruar. Të gjithë ata që i kanë kontribuar Vatrës dhe daljes të Diellit deri sot përfshihen në listën e nderit të kombit nisur prej emigrantëve të parë që vunë kēmbēn në Land of Liberty.
A po i trashëgon Vatra dhe Dielli këto tipare?
Kush përdor censurë dhe përjashtim s’ka lidhje me Vatrën dhe Diellin. E pakrahasueshme me kohën kur konsideroheshin “qeveria shqiptare në mërgim”, sot Vatra dhe Dielli janë në statusin e të bërit asgjë, në luftë midis vedi, të bunkerizuar, megjithë energjitë e Vatranëve që duan ta nxjerrin nga ky çorientim. Kujtojnë se me një deklaratë me disa rreshta mund t’i bien gjoksit me grusht!
Vatra dhe Dielli po mban qëndrime apatike, të influencuara politikisht. Por jo nga krahu politik i Vatranëve dhe Diellit tradicional. Në emër të unitetit kombëtar, kur Edi Rama me tentakulat e pushtetit dhe financimeve të zeza po kap Diasporën, burimin gjigand të shpresës, Vatra takohet me Gramoz Ruçin, pret në Vatër Hashim Thaçin, bashkëpunon me shtypin qeveritar të Edi Ramës dhe përdor drynin e censurës ndaj kritikëve! S’ka ku të vejë më keq!
Këto qëndrime agresive kundër fjalës të lirë, me pretendime absurde, nuk kanë lidhje as me thelbin e Vatrës dhe as me atë që përfaqëson Dielli. Dielli në mes të Amerikës është i detyruar të respektojë Amendamentin e Parë të Kushtetutës Amerikane dhe jo ta shkelë atë, është i detyruar të vijojë rrugën e atyre që kanë krijuar trashëgiminë e vlerave patriotike dhe proPerëndimore.
Por ajo që konstatoj si gazetare me tre dekada aktivitet është se rreth trashëgimisë të Diellit dhe Vatrës, po të shkosh në internet – nuk gjen pothuaj asnjë gjurmë. Kjo është metodologjia e kriptostalinistëve, e trashëgimtarëve të diktaturës sot me plotpushtet. Në diktaturë të burgosnin dhe të vrisnin, sot përdorin indiferencën, harrimin, përjashtimin, censurën, zhdukin kujtesën kombëtare dhe çdo gjurmë të “armiqve të diktaturës komuniste”. Kështu i rivrasin.
Nëse kërkon sot të mësosh për Vatranët dhe Editorët e Diellit të dikurshëm, që me emrin dhe angazhimin e tyre në interes të kombit kanë bërë histori dhe kanë hyrë në histori, ende nuk kanë dalë historianë që ta shkruajnë veprimtarinë e tyre. Por nuk është bërë as minimalja, që faqet e gazetës Dielli të ishin dixhitalizuar dhe hedhur online, që çdo shqiptar të lexonte, të hulumtonte dhe të njihte veprimtarinë e këtyre patriotëve.
Të gjithë Etërit e Diellit dhe Vatrës rezultojnë të zhytur në hije, të harruar, dikur të futur nëpër burgje, të pushkatuar, të anatemuar nga diktatura, tani të fshirë nga kujtesa. Për ironi të fatit, ndryshe ndodh me Dalip Grecën.
Editorja e anglishtes e Diellit, gazetarja Rafaela Prifti, e mbesa e njërit prej editorëve të Diellit, Profesor Peter Priftit dhe e bija e shkrimtarit dhe sekretarit të Vatrës Naum Prifti, e cila e ka ndjerë fort mungesën e bashkëpunimit kolegjial të ish shefit të saj, në urimin që i dërgoi kur Dalip Greca doli në pension veç të tjerave i shkruante: “Gjatë viteve krijova përshtypjen se Fan Noli do t’ia kishte patur zili Dalipit. Në përpjesëtim me shkollimin dhe formimin gjuhësor që kishte njeri dhe tjetri”. Ironi e fatit.
(Pjesa e tretë – Vështrim retrospektiv Komunikimi prej një dekade me Dalip Grecën – Dielli i kapur nga Edi Rama)
Komentet