27 marsi i vitit 1931 është data kur Pjetër Gaci hyri në jetë dhe me talentin e përkushtimin e tij, i dha kulturës sonë muzikore njërin prej emrave më të dashur e më të nderuar të artit tonë muzikor. Nga fshati Shirq ku lindi, që në moshë të njomë kur ishte 3 vjeç, familja e tij u zhvendos për të jetuar në Shirokë, në një vend piktoresk e pikë turistike shumë e frekuentuar, ku shkodranët kanë shkuar përherë për të pushuar, për t’u zbavitur e argëtuar.
I ati, një rapsod i talentuar, qe i pari, i cili, herë me lahutë, herë me çifteli dhe me zërin e tij, ndikoi në ndjenjat e holla dhe në prirjet muzikore. Pjetri, fëmijë i vëmendshëm e me një talent të rrallë, do të shkruante në ndërgjegje e në memorie të parat brendi e përmbajtje të çmuara e të rëndësishme, nga kodi i eposit dhe folklorit tonë. Në Shirokë, në kontakt me grupet shoqërore që shkonin për t’u argëtuar, ka rast të njohë e të marrë në dorë veglat muzikore si mandolinën, fizarmonikën e violinën.
Tingujt e mrekullonin. Duart e vogla filluan t’i rrëshqisnin në tastierë herë të njërit e herë të tjetrit instrument, duke radhitur tinguj e bërë melodi. Kështu tërhoqi vëmendjen e artistëve dhe hyri në shkollë në Shkodër, e prirjet e forta muzikore i hapën rrugën për në Liceun Artistik të Tiranës, ku ndjek me sukses mësimet në klasën e violinës. Me mbarimin e kësaj shkolle, në të cilën talenti i tij ka spikatur dukshëm, në vitin 1952 dërgohet në Konservatorin Çajkovski në Moskë, për të vazhduar studimet e larta në specialitetin e violinës. Këtu zgjeron në mënyrë të ndjeshme dijenitë e tija, duke u aftësuar në disiplina të ndryshme të këtij arti.
Ambienti që e rrethonte dhe jeta artistike tepër e pasur në këtë qytet me tradita të mëdha në artet e kultivuara, si dhe njohja me shumë personalitete artistike të kalibrit botërorë, do të kenë një ndikim të fuqishëm të djaloshit me trup të shkurtër, por me botë të madhe, Pjetër Gaci, tek i cili po kultivohej ndjenja e përgjegjësisë dhe e detyrimit artistik.
Ishte bashkuar në shoqëri me Çesk Zadejën, Rifat Teqen, Avni Mulën, Tish Dainë, Lukë Kaçen, Milto Vakon, Mentor Xhemalin e të tjerë muzikantë të talentuar për të vazhduar studimet, por ndërkohë zhvillonin edhe aktivitete duke marrë pjesë me koncerte në jetën artistike. “Për herë të parë e pashë Pjetrin – shprehet bashkëshortja zonja Tamara Gaci në kujtimet e saja – në Sallën e Koncerteve të Konservatorit të Moskës. Isha në sallë në mes të publikut.
Pjetri luajti romancën e Rahmaninovit. Këtë pjesë e kisha dëgjuar në mjaft interpretime të ndryshme, por interpretimi i këtij djaloshi shqiptar ishte aq i ngrohtë, aq i ndjeshëm, saqë me lojën e tij iu transmetoi dëgjuesve atë muzikë si magji. Kur Pjetri uli violinën, shpërthyen duartrokitjet. Nuk i rezistova dëshirës t’i shtrëngoja dorën dhe ta përgëzoj, e ta falënderoj violinistin për kënaqësinë e çastit magjik që na krijoi me violinën e tij”.
Në vitin 1956 kthehet në atdhe e me plot përkushtim dhe përgjegjësi obligohet për të përligjë dhuntitë e tij muzikore me shumë pasion e frymëzim. Nuk pati interpretim apo pentagram të mbushur me nota nga violinisti dhe kompozitori ynë i mirënjohur, që nuk është përjetuar thellë artistikisht. Ndjenja dhe emocioni përshkon dukshëm vargun e tingujve të prodhuar nga shpirti dhe mendja e këtij artisti. Aq qartë është përligjur në muzikën e tij ndjenja dhe emocioni, saqë asimilimi i situatës artistike nga dëgjuesit është plotësisht i mundshëm nga të gjithë dhe pa koment. Angazhohet mjaft gjerë në punë: në skenë del e debuton si violinist, në klasë bën mësime të paharruara nga nxënësit e tij, e ndërkohë mendimi krijues e fantazia i ndizet nga pasione të fuqishme.
Në vitin 1959 i jep muzikës shqiptare të parën vepër koncertore instrumentale, “Koncertin për violinë e orkestër”, vepër të cilën në debutimin e parë e luajti vetë po atë vit, me sukses e atmosferë të paharruar për pjesëmarrësit. Pjetër Gaci, me punën e tij krijuese, hyn në jetën artistike të vendit, duke debutuar me sukses të plotë në shumë gjini të artit muzikorë. Merr pjesë në Festivalet e Këngës në Radio Televizion, ku është nderuar me shumë çmime.
Spikasin këngët “Të lumtur të dua” nderuar me çmim të tretë në vitin 1964, “Kur bie fyelli, çiftelia” me çmim të tretë në vitin 1966, “Shqiponjë e lirë” me çmim të parë në vitin 1966, “Bie borë” në vitin 1968, “Vitet e zjarrta” me çmim të dytë në vitin 1969, “Kur vjen pranvera” me çmim të parë në vitin 1972, “Poeti partizan” me çmim të dytë në vitin 1973 etj. Të paharruara do të mbeten këngët: “Jeho”, nderuar me çmimin e tretë në Festivalet e Këngës Popullore; “Për ty atdhe”, nderuar me çmimin e parë në konkursin e 20-vjetorit të çlirimit, “Lahutari” interpretuar nga Ansambli i Këngëve dhe valleve nderuar me çmimin e Dekadës së Majit në vitin 1973; “Lulëkuqja” interpretuar nga Teatri i Operës dhe Baletit edhe kjo nderuar me çmimin e Dekadës së Majit.
Në vitin 1976 i kushtoi qytetit të tij të dashur, Shkodrës, këngën “Qytetit tim”, e cila u nderua me çmim të parë në Festivalin e Këngës në Shkodër. Këngët që kompozoi në stil të mirëfilltë popullor shquhen për vlera të theksuara origjinale. Mes të tjerave, të tilla janë këngët shumë të njohura, “Kënga e Kaçanikut”, kompozuar në vitin 1980 dhe “Si lule zambak” apo siç njihet “Kënga e marakut”, kompozuar në vitin 1986.
Në jehonat e kamufluara të botës së tij të pasur në punë krijuese, kultura muzikore shqiptare njohu përtëritje dhe rilindje, sepse produkti artistik i krijimtarisë së Pjetër Gacit është i frymëzuar nga ndjenjat e njeriut të lindur dhe të ushqyer në kuptimin më të plotë të fjalës, në patosin legjendar dhe lirikën fisnike të botës shqiptare.
Kompozoi në këtë frymë shumë miniatura për violinë e pianoforte, një lëndë me shumë vlera për mësimin e violinës, romanca vokale, Baladë për Violinë, Baladë për pianoforte, Perpeto mobile, Vallet simfonike 1, 2, 3. Kompozon muzikën për operën “Përtej mjegullës”, interpretuar në vitin 1971 nga trupa e Teatrit të Operës dhe Baletit, Koncertino për violinë në vitin 1977 dhe në vitin 1981 Teatri i Operës dhe Baletit vuri në skenë operën “Toka jonë”, të cilën Pjetër Gaci e kompozoi me libret të Ndrekë Lucës.
Artistë të gjinive të tjera të artit i kërkojnë bashkëpunim dhe me frymëzim kompozon muzikë për skenën koreografike “Kreshnikët e lirisë” realizuar nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve, muzikën për dramën “Baca i Gjetajve”, realizuar nga trupa e teatrit “Migjeni” Shkodër, muzikën e filmave “Prita” dhe “Lisa në dëborë”(në bashkëpunim me Zef Çoba) etj. Bota e fëmijëve nuk është e pranishme vetëm në repertorin e pasur instrumental, por edhe në këngët herë të menduara e me përmbajtje të thellë si “Na llogaritni edhe ne”, e herë gazmore si “Tik tak ora”.
Gjatë viteve që punoi në kryeqytet, Pjetër Gaci kishte njohje me një rreth të gjerë artistësh që e admironin nga të gjitha gjinitë e artit, miq e bashkëpunëtorë, me të cilët jetonte çdo ditë me preokupimet e punës së tij krijuese. Por në vitin 1975 goditet rëndë nga institucionet e diktaturës, sepse dëbohet nga kryeqyteti. Transferohet fillimisht në Vlorë e më pas me kërkesë të tij në Shkodër, ku fillon punë mësues i violinës në Shkollën e Mesme të Muzikës “Prenk Jakova”.
Në vitin 1976 del në profesion të lirë. Në Shkodër mirëpritet nga artistët muzikantë, poetë, regjisorë, piktorë dhe ndjen ngrohtësinë dhe dashurinë e opinionit publik. Të gjithë e çmojnë për talentin dhe virtytet e tija të larta njerëzore si thjeshtësinë, zemërgjerësinë dhe përkushtimin profesional. Në vitin 1986 bashkëpunon në Shkodër me Zef Çobën për “KONCERT ME KENGE TE REJA SHKODRANE”, për të përmbushur më mirë kërkesat e publikut. Pjetër Gaci udhëhoqi me sukses shumë veprimtari të rëndësishme artistike e festivale, si dhe ansamble artistike në turne brenda dhe jashtë vendit. Për punën e palodhur ka marrë shumë vlerësime dhe është nderuar me urdhrin “Naim Frashëri” të klasit të parë, çmimin e Republikës të Shkallës së Parë me këngën “Për ty atdhe” në vitin 1970, është nderuar me titullin “Artist i merituar” në vitin 1979, dhe në vitin 1989 me titullin “Artist i popullit”.
Përmes kompozimeve të Pjetër Gacit, muzika jonë pati arritje të rëndësishme drejt vlerave profesionale e qytetërimit muzikor. Në të dallohet identiteti dhe origjinaliteti i muzikës sonë kombëtare, frymëzimi dhe qartësia e mjeteve artistike të përdorura në funksion dhe unitet të plotë me përmbajtjen dhe brendinë e secilës vepër. Pjetër Gaci në krijimtarinë e tij të pasur ka fiksuar momente të sinqerta artistike, rezultat i vlerave të jetuara thellësisht në procesin krijues.
Muzika e tij të emocionon dhe të jep mesazhe të qarta, sepse është produkt i realizuar natyrshëm i jetuar dhe jo i kërkuar. Pjetër Gaci shkroi muzikë dhe vetëm muzikë. Ai është melodist i kalibrit të veçantë me origjinalitet të spikatur, melodi të cilën e zhvillon natyrshëm pa asnjë ndërlikim të tepërt. Katalogu i pasur i veprave të tij ka një amplitudë të gjerë, duke filluar nga krijimet në stil të mirëfilltë të këngëve popullore qytetare, provë kjo e kaluar me sukses absolut, duke vazhduar me këngët e muzikës së lehtë së cilës i fali shumë realizime brilante, megjithë kohën delikate që kalonte lëvrimi i kësaj gjinie në ato vite, për të vazhduar me repertorin violinistik me shumë vlerë, instrument të cilin e zotëronte dhe njihte mirë, e deri te vallet simfonike, muzika vokale e operistike.
Pjetër Gaci depërtoi tek artdashësit dhe admiruesit e artit muzikor sepse me gjenialitetin e tij krijues e intuitën, arriti të komunikojë me mjete të qarta e të thjeshta artistike, pa përdorur situata artificiale. Falë punës së tij, arriti të bëhet ndër emrat më të dashur e të njohur, e më me shumë popullaritet ndër artistët shqiptarë.
Pa dyshim, ai ishte artisti që në jetën e tij ka përligjur misionin e muzikantit pasionant, në fëmijëri si nxënës i magjepsur nga misteri i tingujve, më pas si violinist, pedagog edukator e kompozitor i shquar. 27 marsi është data që përcaktoi fillimin dhe përfundimin e një cikli prej 64 vitesh jetë. 27 marsi i vitit 1995 ishte dita e stuhisë që na rrëmbeu violinistin, pedagogun, kompozitorin dhe mikun tonë të paharruar.
Pa e tepruar humbjen e ndjenë të gjithë, të gjitha moshat, e në mënyrë të veçantë artistët dhe muzikantët, miqtë e tij të shumtë që u mblodhën për t’i dhënë lamtumirën në pasdreken e 28 marsit, kur papritur natyra filloi të shpërndajë nga lart flokët e bardhë e të ftohtë të dëborës, për të na kujtuar çastin magjepsës e të frymëzuar me tingujt e bukur të këngës “Bjen borë, bjen borë pa pushim”. Por kësaj here kjo borë po binte për të mbuluar me bardhësi banesën e fundit të muzikantit tonë të paharruar Pjetër Gaci.
U dhembi shpirti atë ditë njerëzve të përgjegjshëm për artin dhe kulturën tonë, e cila kishte dhe ka tepër nevojë për njerëz si ai, në shërbim të identitetit tonë kulturor, shkollës sonë muzikore e dinjitetit tonë kombëtar. Pikërisht për këtë, ky institucion i rëndësishëm i kulturës në Shkodër, duke marrë emrin “Pjetër Gaci”, dimensionon mirë kuptimin e aktivitetit të tij, sepse në tingujt e muzikës së Pjetër Gacit ndihet vuajtja dhe qëndresa, lirika dhe epika, dhimbja dhe gëzimi, kaq të pranishëm në jetën shqiptare, kurdoherë të shprehura shqip, qartë, thjesht dhe me madhështi.