Pjetër Bogdani është një personalitet i shquar i historisë e kulturës sonë kombëtare. Me veprën dhe veprimtarinë e tij të shumëanshme, kontributin e çmuar në letërsinë e vjetër shqipe, pjesëmarrjen në lëvizjen kundër pushtuesit otoman, erudicionin brilant për shoqërinë, natyrën, mitologjinë, historinë, teologjinë, zotërimin e disa gjuhëve të huaja si; latinisht, italisht, greqishten e vjetër, hebraisht, arabisht, armenisht etj., ai u bë një nga mendimtarët poliedrikë që shkëlqeu në kohën e tij dhe vijoji të mbetet i tillë dhe për gjeneratat pasardhëse. Për të kanë shkruar historianë, linguistë, shkrimtarë, etnografë, ndër të cilët mund të përmendim: AT Shtjefën Gjeçovin, Eqrem Çabejn, Faik Konicën, Dhimitër Shuteriqin, Gaetano Petrottën, Odette Marquet, Injac Zamputin, Ibrahim Rugovën, SabriHamitin, Martin Camajn, Aurel Plasarin, Kristo Frashërin, Mahir Domin, Ëngjëll Sedajn, Anila Omarin, Moikom Zeqon, Shefqet Hoxhën, Nexhat Çoçajn, Bedri Muhadrin, Mark Palnikajn dhe vitet e fundit, studjuesin e zellshëm hasjan Muhamet Dautin etj.

(Përmendorja e Pjetër Bogdanit, e përuruar në Krumë, më 28 prill 2022, (ideuar nga skulptori i njohur Prof.Dr. Artan Peqini. Sponsorizuar nga biznesmeni Kadri Morina, në bashkëpunim me Bashkinë Krumë)
Në mënyrë të përmbledhur, mund të paraqesim jetëshkrimin e kësaj figure tejet mbresëlënëse. Pjetër Bogdani lindi më 1625, në Gur të Hasit. Fillimisht u shkollua në Ciprovac (Bullgari), pastaj vijoi Kolegjin e Loretos për studime teologjike e filozofike, të cilin e kreu me sukses. Më 1651 ishte meshtar në Pult të Malësisë së Dukagjinit, Shkodër, e vijuar në fshatrat e Prizrenit. Në vitin 1656 shkon në Romë për të vazhduar studimet e larta teologjike e filozofike në Kolegjin e Propagandës Fide, të cilat i kryen shkëlqyeshëm, gjë që shprehet dhe me mbrojtjen e doktoraturës, qoftë për teologji, ashtu dhe për filozofi. Për 21 vjet rrjesht, (1656-1677), ushtron detyrën e Ipeshkëvit të Shkodrës dhe administratorit të Tivarit. Në 12 vjetët e fundit të jetës së tij, ishte Kryepeshkop i Shkupit, në vend të Andrea Bogdanit, xhaxhait të tij.
Në vitin 1665 i parashtron për botim Kongregatës së Vatikanit, Propagadës Fide, veprën “Çeta e Profetëve”, e cila i rekomandon të përkthejë këtë vepër edhe në italisht.
Pjetër Bogdani për veprimtarinë e tij antiosmane përndiqej vazhdimisht nga turqit. Ndër të tjera, mund të përmendim rastin kur ishte në kishën e tij në Shkodër dhe 1656 burgoset nga Biri i Pashës, njëkohësisht i ndalohet letërkëmbimi me Italinë. (Odette Maquet, Pjetër Bogdani, Letra dhe Dokumente, nga Arkivi i Kongregatës “de Propoganda Fide” si dhe nga Arkivat Sekrete të Vatikanit, Shkodër 1997,f.66). Në pasqyrimin e gjendjes tejet të vështirë që kalonte vendi, në një nga letrat e tij, më 20.X.1658, “Bogdani uron që një ditë të lind një prijës i mirë, me vepra dhe me ndjenja sikur Gjergj Kastrioti Skënderbeu” (Odette Marquet, vep.cit…f.83). Si rezultat i kësaj përndjekje detyrohet të strehohej në male dhe larg vendit të tij, si në Ciprovac e Dubrovnik. Në një nga këto lëvizje humbet librin e Gramatikës latinisht-shqip, që ishte përgatitur nga xhaxhai Andrea Bogdani, të cilit i ishte shumë mirënjohës. Në vitin 1685 shkon në Venedik e Padovë, ku merr me vete dorëshkrimin e përgatitur për botim, i cili botohet në fund të 1685 në Padova.
Më 14 dhjetor 1685, Ipeshkvi i Padovës, kardinali Gregor Barbarito, përkrahës i Pjetër Bogdanit, i shkruante Kardinalit Kibo: “….Mundimet që ka hequr Imzot Pjetër Bogdani, Arqipeshkv i Shkupit, janë rekomandim i gjallë në mbështetje të tij. Ai do t’i dërgonte SH.T. një libër që ka shtypur mbi jetëm e Jezu Krishtit në gjuhën shqipe dhe në italisht për edukimin e atyre popujve”. Njëkohësisht i kërkon ndihmë për kthimin e Pjetër Bogdanit në selinë e tij.
Më 15 dhjetor 1685, Pjetër Bogdani i shkruan nga Venecia Atit të Shenjtë:”……Iu paraqes me përulje një libër të hartuar nga unë në shqip dhe në italisht:kam arritur ta shtyp me shpenzimet e mia në këtë kohë përndjekje prej turqve që më ka mbajtur larg nga kisha ime, ku jam i vendosur në shpirt që të kthehem vetë…”.
“Çeta e profetëve” e Pjetër Bogdanit do jetë një margaritar i kulturës sonë kombëtare, që nga stili, vlerat gjuhësore, përbajtësore e historike, siç theksojnë studjuesit e Bogdanit, është vepër fundamentale, sidomos për shek.XVII-XVIII. Në këtë vepër shprehet dashuria e pakufishme e Bogdanit për popullin shqiptar, trojet tona historike. Që në parathënie të veprës e cilëson atë “..një qirij ndezurë ndarë, për të ndrittunë atë të vobekk dhée të Arbënit”.( P.Bogdani, “Cuneus prophetarum”bot.1685,f.4.).
Njëkohësisht kuptohen qartë motivet e shkrimit të kësaj vepre, ngase “…po dergjet atdheu në robëri të errët, i verbuar me dy palë mjegulla të zeza mbi faqe, që janë mëkati dhe mosdija”. Në letrën “lexuesit të nderuar” thekson “Nuk shkrova për lavdin tim, por për dobi të shenjtës fe”.
Pikësëpari kjo vepër spikat për vlerat e saj me rreth 400 faqe të shkruara në gjuhën shqipe. Dijen dhe gjuhën shqipe i shikon Bogdani si mjetin kryesor kundër të këqijave të kohës. “E madhe dobi e fryjt anshtë, shkruan Ai, pra me ndrequnë këtë shkallë të urtisë e me shkruem bukurë ………….të mos lënë dijen e giuhën e dheut me u dvarunë, pasi lëfton gjithë dheu e shekulli për të vet”, (Mahir Domi, Pjetër Bogdani dhe letërsia e vjetër shqipe, “Pjetër Bogdani dhe veprat e tij”, Tiranë 1991, f.118.).. Ai thekson: “….. më është dashur mjaft mund për të ndrequr shumë fjalë …….”.
Në aspektin teologjik, sipas Dhjatës së Vjetër, kjo vepër flet për jetën e profetëve izraelitë, ndërsa sipas Djatës së Re flet për jetën e Jezu Krishtit. Veçanërisht në pjesën e parë ka probleme të ndryshme dhe diturore, ndër të cilat mund të veçojmë filozofinë mesjetare të krishterë, ku nuk mungojnë dhe elementë të humanizmit etj. Pjetër Bogdani ishte një njohës shumë i zoti i letërsisë teologjike, por dhe asaj klasike greke e romake. Ka përkthyer pjesë nga vepra e Homerit, Virgjilit etj… Ai ka shtjelluar dhe aspekte të ndryshme që lidhen me gjeografinë, mateamtikën etj.
Pjetër Bogdani është ndalur dhe në koncepte morale. Zoti, sipas tij, krijoi vetëm gjëra të bukura. ….. E bukura dhe e ndershmja, moralja, shkojnë ose duhet të shkojnë bashkë:”Drini e Buna kur dalënë jashtë brigjeshit së tyne e rrjedhinë ndëpër bërrakë të Hasit e Zadrimës, ndo Sitnica, e si Vardari ndëpër Shkupit e ndëpër Kosovë, gjithëherë ecinë e janë më të turbullta, tuj bajtunë me vehëte plehë e baltë, se kur ecin amësë vet”, shkruan ai.
Me interes të veçantë janë sidomos poezitë e tij origjinale në gjuhën shqipe “Cikli i Sibilave”. Sibilat njihen si profetesha të lashtësisë, që pasqyrojnë profecitë e vajzave pagane, që njihen si parathënëse të ardhjes së Krishtit dhe çlirimin prej mëkateve. Sibila-Fjalë për fjalë përkthehen si shprehëse e vullnetit të zotit. Janë 10 sibila, e secila prej tyre ka një emër. Mund të përmendim Sibilën e Cumaene-s, Delfikën, Eritrean, Persianen, të Libisë etj… Pjetër Bogdani i jep emrave të sibilave emra të trojeve arbërore. Ndër ta spikat figura e Sibilës Delfika, të cilën Bogdani e emërton Hasiania (pra nga Hasi, vendlindja e tij). Hasiana mban në duar një libër të hapur, sfondi së cilës paraqet peisazhin e Hasit. Ai emërton edhe sibila të tjera si: Sibila Scodrensis (e Shkodrës), Sibila e Shkupit, e Prizrenit, Sibila e Lezhës, Sibila e Zadrimës, Sibila e Kosovës etj.
Për Ciklin e Sibilave të Pjetër Bogdanit, personalitete të shquara të letrave shqipe kanë theksuar se “….. mund të hyjë tek ciklet më të mëdha poetike të krejt poezisë evropiane baroke të shek.XVII “
Akademiku, Profesor Eqrem Çabej, e vlerëson si një stilist të rrallë, i cili arriti nivelin e lartë të përsosshmërisë gjuhësore dhe artistike.
Studjuesi i Bogdanit, Presidenti Ibrahim Rugova, shkruan:”Kjo vepër, thënë metaforisht, ashtu si e thotë Bogdani për parimin e tij filozofik Zotin, është një krua i gjallë, ku mendja dhe shpirti ynë do të gjejë kënaqësi dhe shqetësim intelektual ku shumëkush mund të marrë ujë, e s’do të shterret lehtë ( I.Rugova, Vepra e Bogdanit, 1625-1689, Prishtinë,1982).
Profesor Sabri Hamiti ka theksuar:”Pjetër Bogdani në shkrimin kanonik katolik, te vepra Cuneus Prophetaraum (Çeta e Profetëve), provon e jep argumenta të burimeve kishtare, filozofike e poetike. Referencat poetike i merr nga letërsia antike greke (Homeri), e latine (Virgjili), kurse referencat filozofike të filozofit antik (Aristoteli), e të filozofit të krishterë (Augustini). Kjo provë dhe argumentimi i shkrimit të parë kanonik katolik në shqip vë në veprim të plotë autorin (Bogdanin), si njohës i botës dhe prodhues i tekstit autorial të tri niveleve: doktrinar, njohës, poetik..” (Sabri Hamiti, Testamenti,Prishtinë 2018,f.17).
Studjuesi i mirënjohur, i ndjeri Profesor Moikom Zeqo, ka theksuar:”Pjetër Bogdani nuk është vetëm një kryemjeshtër mrekullibërës i gjuhës shqipe, por mesa duket ai është dhe ka mbetur teologu më i madh i krishterë në gjuhën shqipe, që reflekton një humanizëm të pashoq në letrat evropiane, si dhe një nga poetët e përndritur të poezisë së stilit barok në Shqipëri dhe në Evropë, në shek.XVII” (M.Zeqo-ese, Pjetër Bogdani,bota ndryshe, Voal, 11 prill 2016).
Në dhjetor të vitit 1994 kam mbajtur një kumtesë “Koha e Bogdani”, në të cilën jam ndalur në veçanti për rolin e Bogdanit në lëvizjen kundër pushtimit otoman, bashkëpunimin me ushtrinë austriake e gjeneralin e saj Pikolomini. Në relacionin e 24 marsit të vitit 1684, drejtuar Kongregacionit, Bogdani përshkruan gjendjen politike dhe ushtarake të vendit dhe nënvizon si duhet çliruar nga skllavëria e sulltanit. Pjetër Bogdani largohet në male. Ka meritë se punoi shumë duke ofruar banorët myslimanë e katolikë bashkë kundër osmanëve pushtues. Historiani çek F.Vagner shkruan se patriarku i Kelmendit kishte lidhur marrëveshje me gjeneral Pikolominin, që shqiptarërt kryengritës të luftonin bashkë me forcat austriake kundër pushtuesve osmanë. Nipi i Pjetër Bogdanit, Gjon Bogdani, në letrën drejtuar Kongregacionit thekson takimin e Pjetër Bogdanit me Piccolominin dhe forcat mbështetëse. Kronisti anonim austriak i kësaj kohe thotë se Pjetër Bogdani në takimin me Pikolominin kishte me vete 6000 mijë luftëtarë myslimanë e të krishterë. Piccolomini vdes në Prizren nga mortaja, ndërsa Pjetër Bogdani kthehet në Prishtinë dhe mbyll sytë më 6 dhjetor 1689, po nga kjo sëmundje.
Në parathënien e veprës së tij “të primittë përpara lettrarit”, Pjetër Bogdani ka shkruar:” …tue kjanë unë prej Gurit ndë Hast, Sanxhakijet të Dukagjinit, Dioqezit të Prezerendit….”, duke saktësuar vendlindjen e tij. Krahas të tjerave, për këtë në vjershën disa strofëshe “Pjetër Bogdanit, Arshipekshv i Shkupit, kushëririt tim të dashtun.” Lukë Bogdani,, në strofën e parë thekson: “Duel Gurit bukuria, zana si një sutë (drenushë) e naltë, qi s’kish brenda Veneqia, si Pashtriku muem maltë”. Disa nga studjuesit e veprës së Bogdanit kanë bërë përpjekje për saktësimin e këtij fshati ku u lind Bogdani, duke shprehur mendimet e tyre, mbi bazën e burimeve historike, etnografike etj., për Hasin nga shek.XIV deri në shek.XVII. Një optikë e përbashkët i bashkon këta studiues që analizojnë Hasin e Rrafshit, Hasin e Brinjës dhe Hasin e Gurit, që përfshihen të gjitha në krahinën etnografike të Hasit.
Nga studimet tona arkeologjike dhe historike rezulton se Pjetër Bogdani ashtu si paraardhësit, kohenikët e tij dhe pasardhësit nuk u lindën në një truall të zbrazët. Ai është vijimtar i korifejtë të mendimit e veprimit në fushën e letërsisë e historisë shqiptare, siç ishin Buzuku, Barleti, Budi, Matranga, Bardhi, duke ngritur në një cilësi shumë më të lartë arritjet falë gjithçka që bëri ai për dheun e Arbërit.
Pamëdyshje mund të themi se trashëgimia jonë historike, kulturore në shekuj e mijëvjeçarë, ka shërbyer si bazament i fuqishëm i lindjes dhe formësimit të këtyre personaliteteve të shquara të kombit tonë.
Në vitet 80-të të shekullit të kaluar, nisur dhe nga pasuria e trashëgimisë kulturore të Hasit, etj., si arkeolog, bashkë me kolegun Prof.Dr.Luan Përzhitën, sot Rektor i Akademisë së Studimeve Albanologjike, si dhe skicografin Bislim Nerguti, kryem rigonicion në këtë trevë dhe gërmime arkeologjike në disa qendra pranë Pashtrikut. Ndër ta do veçoja Vendbanimin shpellor të Dajçit, ku për herë të parë, në Hasin e Republikës së Shqipërisë, zbulohet epoka e eneolitit (bakrit), si dhe u zbuluan periudhat e bronzit të hershëm, fundit të bronzit dhe fillimit të hekurit, si dhe periudhat antike e mesjetare. Po kështu kryem gërmime sistematike në vendbanimin prehistorik të Pusit të Thatë, Tumat e Mujajve, të Bjeshkës së Krumës, Tumat e Myç-Hasit, (mjafton të përmendim këtu faktin se në këto tuma të fundit u zbuluan rreth 100 armë ilire prej hekuri të asaj kohe, maja heshtash e shigjetash, që tregojnë, ndërmejet të tjerash, pasuritë metalifere të kësaj treve rrëzë Pashtrikut. Njëkohësisht realizuam rigonicione në vendbanimet mesjetare të fortifikuara në Gjinaj, si dhe në “Shpellën e Qytezës”, vendbanimin e fortifikuar të “Majës së Murit “, që i përkasin Hasit të Gurit. Gjatë këtyrë gërmimeve e studimeve jemi njohur edhe me toponime të ndryshme, siç janë në Kishaj-Lama e Bogdanit, Trojet e Bogdanëve, Sofra e Bogdanëve, Gurra e Bogdanit, apo mes Cahanit e Kishajve “Guri i Bogdanit”.
Mbështetur në kulturën materiale e shpirtërore të zbuluar në vendbanime, shpellore, të hapura, të fortifikuara, nekropole tumulare, varreza antike e mesjetare në qendra të ndryshme të Hasit të Gurit, të Brinjës e të Rrafshit, e më gjerë, në tërë truallin ilir arbëror, dëshmohet vijimësia etnokulturore iliro-arbërore në këtë territor. Falë kësaj vijimësie ky truall ka nxjerrë figura të shdrritshme, siç është Pjetër Bogdani. E rëndësishme është se Bogdani i përket kombit shqiptar. Vepra e tij është e pashlyer. Ai mbetet një titan i historisë sonë kombëtare, është një njeri i lavdishëm, që secili prej nesh ka për të mësuar për veprën e kontributin e Pjetër Bogdanit.
Komentet