Qëkurse merr një veprim për krijimin e një vepre artistike që simbolizon jetën e idealet e një njeriu, pasi ai e ka mbyllur ciklin e jetës, artisti, krijuesi ndodhet para disa të njohurave e te panjohurave, të cilat duhet ti davaritë që të arrij të shohë përmes kohës çfarë ka qenë më tipikja dhe përfaqësuesja në jetën e njeriu, fundi i fundit çfarë ka qenë lajtmotivi i jetës dhe ku e kur kanë qenë çastet kulmore. Ndodh që në antologjinë e ndonjë poeti, hartuesit përzgjedhin një fotografi të kohës së rinisë së tij dhe jo atë kur hiqej osh-osh me një shkop, i pafuqi, i plakur e i rrudhur, i mbaruar, pa vullnet e pa shpresë. Do të ishte marrëzia me e madhe njerëzore nder ne nëse Migjenin e vargjeve rinore plot patos e vitalitet, ta mishëronim në një shtatore si një i sëmurë me tuberkuloz, i mbledhur kruspull e i dergjur, siç në të vërtetë ishte në fund të jetës së vet.
Kur njeriu nuk është më ndër të gjallë, përfytyrimi mbi të merret ajo çfarë ka qenë më tipike, dhe as fillimi dhe as mbarimi i tij biologjik. Të gjithë personalitetet e botës kanë qenë foshnje në pelena, por nuk ka arsye të shëndosh që të themi ky fëmijë i ndragur në këtë skulpture është Shekspiri. Përkundrazi Shekspiri është ai trup e ai shpirt, ajo frymë që ka mbajtur tragjeditë me të mëdha e më mbresëlënëse të botës skenike, prandaj jashtë këtij përfytyrimi nuk është e mundur të konceptohet.
Artistet figurative, në këtë rast skulptorët, kanë vizionet e tyre të lira, por kur kanë të bëjnë me persona e ngjarje reale e veprat bëhen me porosi e jo si trille vetanake krijuese, janë të detyruar ti afrohen gjithsesi realitetit. Se këtu ndër ne ndodh edhe që një grumbull gurësh tu vesh emrin Gjergj Fishta, siç është bërë në Shkodër ku njerëzit kalojnë përskaj e gjithçka mund të mendojnë por Gjergj Fishtë kurrkund.
Por në këtë rast të këtij shkrimi, nuk e kemi fjalën për Fishtën e gurëve të Bashkisë së Shkodrës, por për Pjetër Arbnorin e Parlamentit të Shqipërisë në Tiranë. Po kush ka qenë Pjetër Filip Toma – Arbnori që parlamentarët e këtij vendi ua servirin popullit të kryeqytetit si një njeri i përvuajtur, i hyrë si doku kinez në ujë. Në një vepër kjo më se e goditur nëse do ti kushtohej ndonjë oshënari apo murgu i mbyllur në vetmi, brenda mureve të monastireve ku njeriu tretet fizikisht deri në shpërfytyrim. Abati Faria nëse marrim një personazh letrar anemik nga Aleksandër Dumas.
A e dinë këta që kanë marrë përsipër ta kryejnë këtë punë kush ka qenë Pjetër Arbnori. A e dine cilat janë raportet në segmente të caktuara në jetën e këtij njeriu që po e venë në kujtesën e kombit si i përvuajtur, kur në të vërtetë çasti më kulmor i jetës së tij nuk ishte kur drejtonte një Parlament të ndarë në dy gjysma, kur në të vërtetë në të dy krahët gëlonin ish spiunët e sigurimit e ish komunistët që si kameleon kishin ndërruar vetëm ngjyrat, por jo mentalitetin dhe as praktikat. Cila pjesë e jetës së Pjetër Arbnorit është ajo që konsiderohet si shkëlqimi i diamantit në rrezet e diellit. Është e lehtë ti japësh zgjidhje duke pas parasysh një kryetar parlamenti, që nuk ka asnjë atribut tjetër veç ti jap fjalën herë njërës palë e herë tjetrës, një tufë banditësh pra që luftonin e vazhdojnë të luftojnë zagarisht për pushtet e aspak për popullin. Atë punë që bënte Pjetër Arbnori andej nga fundi i jetës e bën tani një ish ministër i brendshëm i diktaturës kundër të cilës luftoi në kohën e rinisë së vet, çfarë e pagoi me burgje të gjata pa fund. Cila është pra vlera e të qenit kryetar i parlamentit që amerikanët e konsiderojnë thjesht “Parliament Speaker”, përpara një jete e vepre aq madhore që bëri Pjetër Arbnori në rininë të tij të admirueshme. Dhe pikërisht në kohën kur represionet ndaj fjalës se lirë e mendimit të lirë ishin më të egrat në mbarë Europën Lindore, në kohën kur populli shtypej mizorisht e një fjale e vetme të merrte jetën ose kalbeshe burgjeve. Pjetër Arbnori i ri, them i ri për ta ndarë nga Pjetër Arbnori i vjetër, i plakur e pa vitalitet, bëri atë që mund të konsiderohet e paimagjinueshme për guximin, me një grup shokësh besnikë, organizuan themelimin e Partisë Social Demokrate në ilegalitet. Por të dekonspiruar e ndjekur nga agjentët e sigurimit, grupi u arrestua në vitin 1962 dhe Pjetër Arbnori u dënua me vdekje. Vendim ju kthye në 25 vjet burg. Ky është Pjetër Arbnori, kjo është apoteoza e jetës se tij dhe jo koha kur shërbeu me devocion në një parti të dominuar nga fryma autokratike i një ish komunisti në aq vite sa Pjetër Arbnori kishte bërë burgje.
Gjithsesi ta shohësh, sado dashamirës i figurës të jesh, do të konstatosh se në jetën e Pjetër Arbnorit ka dy kohë e dy sjellje të ndryshme. Në një krah është disidenca antikomuniste e pa kompromis në rininë e tij, në krahun tjetër toleranca e falja përtej çdo logjike e drejtësie të krimit dhe e kriminelëve pas vitit 1990 në pseudodemokraci dhe bashkëpunimi me ish komunistet e kamufluar si antikomunistë. Ajo që e lartëson është pikërisht shpirti i revoltës ndaj shtypjes dhe qëndresa kundër komunizmit. Po kjo gjithnjë i është harruar, qëllimisht. Asaj kohe nuk i japin asnjë atribut. Përkundrazi e vlerësojnë për qenien e tij në krye të Parlamentit ku gëlonin spiunë e sigurimsa të diktaturës komuniste e ku ruante qetësinë (kujdestar rendi pra) e duan të na bëjnë të besojmë se, ky e vetëm ky kujdestari, na qenka fenomeni Pjetër Arbnori.
Pjetër Arbnori, padyshim ka kenë njeri i mirë në kuptimin më të drejtë të kësaj fjale, madje më i mirë se sa duhej, sipas konceptit tonë. Pjetër Arbnori si funksionar i lartë i shtetit shqiptar, në pluralizmin e sajuar ligsht, nuk pati asnjë shkëlqim. Dhe ata që sot i sajojnë shtatore groteske sot, atëbotë e përgojonin dhe e qeshnin në parlament, veçmas për theksin e tij në të folmen e Shkodrës. Ai e dinte këtë, i njihte mirë, prandaj bëri sikur nuk dëgjonte e më se shumti përfitoi të kujdesej të botonte veprat e tij që kishte shkruar gjatë 28 viteve në burgjet e komunizmit. Kjo për atë ishte një arsye e mjaftueshme për të qëndruar në atë post ku nuk kishte asnjë kompetencë dhe asnjë pushtet.
Tani ndodhemi para faktit të kryer. Dymbëdhjetë vjet pas vdekjes së tij, me 24 korrik 2006, para parlamentit i vendoset një shtatore e cila e paraqet si njeri të ndrydhur, të ngjeshur brenda bronzit siç ai nuk do të donte të ishte. Sepse më shumë se qëndresë e vitalitet tregon qyqari, sa “me ju dhimbtë gurit e drunit” do të thoshte vetë Pjetër Arbnori megjithë tolerancën e tij hyjnore. Ndoshta një shtatore e kësaj natyre do të ishte e denjë për në ndonjë kënd në Tiranë ku zënë qoshe lypësit e ngratë me qellim të preknin në ndjenjat e njerëzve për të pas pak mëshirë e për të rrëmuar në xhepa. A ndoshta kanë menduar që me këtë shtatore mjerane tu bëjnë një sugjestion deputetëve milionerë që të mendojnë sado pak edhe për popullin e varfër që e kanë shaluar ligsht si kalorës të pamend.
Gjithsesi këtu ka një ndjenjë ligësie a xhelozie ndaj Pjetër Arbnorit të vërtetë, guximtarit që i doli ballë për ballë diktaturës së Enver Hoxhës dhe baballarëve të këtyre që sidozot, sot janë deputetë në Parlamentin Shqiptar. Pjetër Arbnorin, djalë shkodran guximtar, vizionar, të patrembur, nuk dëshirojnë ta kujtojnë. Por duan një Pjetër Arbnor përdëllestar që t’ju shërbejë edhe pas vdekjes me qëllimin që në popull të mos ketë shëmbëllesa qëndrese, kundërshtuese, por lakej të butë me një mirësjellje e përvuajtje që u shkon vetëm shërbëtorëve.
Është e natyrshme se Pjetër Arbnori nuk ka si të përfytyrohet ndryshe prej Gramoz Ruçëve të diktaturës që sot sundojnë Shqipërinë, dhe e kanë bërë këtë shtatore si simbol i një mjerani që u shtrin dorën me u lypë persekutorëve të vet. Nuk ka mënyrë më të mirë se kjo për tu thënë shqiptarëve se bijtë biologjikë të kuadrovikëve të komunizmit do të jenë të përjetshëm në pushtet dhe ekonomi dhe se Sindroma e Stohkolmit do të jetë sëmundja shekullore në vazhdimësi e viktimave të komunizmit në Shqipëri. Kjo shtatore që shohim nuk përfaqëson as vitalitetin e të djathtës së vërtetë që ruan themelet e kombit, as humanitetin e së majtës që mbron interesat e shtresave në vuajtje, por thjeshtë njeriun e përvujtun që pranon të rrojë nën skeptrin e pushtetarëve represivë.
Në fund të fjalës kjo pamje fizike mjerane, ky qyqarllëk para Parlamentit, nuk përfaqëson personalitetin e Pjetër Filip Tomës, Arbnorit, por veç hijen e tij, ai nuk është e nuk mund të jetë Pjetër Arbnori që vuri moshën e tij më të bukur rinore në zgrip për ideale demokratike, vuri jetën përballë vdekjes, aspiroi ballhapur lirinë e jo mrroljen skutave të errësirës së bandave komuniste dhe postkomuniste.
Shrim i bukur dhe analizëe hollë.
Më shumë më vjen keq për artistin, që ka “Harxhuar” talentin, për ta bërë bustin aq të shëmtuar. “Aferim”, me një fjalë turkoshake, do t’i thosha autorit dhe atyre që e përzgjodhën këtë punë të rëndomtë, që më shumë e fyen se e nderon Pjetrin guximtar.
Zotit Kolec Tropoini
Më duket dhe është, një leksione mbartur me kritikën ku vepra të përshkruhet nga partishmëria dhe realizmi socialist , ku heroi te pasqyrohet në momentin e themelimit te partise social demokrate energjik rinor idealist , dhe në fund nuk do kishim gjë tjetër vetëm një vepër skematike te viteve te perënduara. Ti nuk e njehë skulpeturën nuk thua asnjë fjalë per formën artistike per mënyrën e te prekurit dhe stilizimin . Ti nuk mer parasysh as personalitetin e artistit dhe as nuk gjykon se çfar e ka shtyre ate te dale në nje vepër te tillë , nga çmotive u nise që arriti në kete konkluzion , gjetje apo zgjidhje , ti nuk njeh gjuhen e skulpturës sintezën e sajë dhe flete si sekretare partie para dhe pas pleniumit te 4 te komitetit qendror të PPSH. per çfaqjes të huaja dhe qëndrime liberale dashakeqe në dem te realizmit socialist. Jo zotëri artisti eshte i lire te mendoje te studioje, te leviz e nga qenia e brendesheme e tije të futet në qenien e asaj qe krijon dhe ajo eshte një vepër qe lind në rastin konkret një lindje e vështire. Nje figure që mbart në vetvete një apologji , apologjinë e njeriut dhe apologjinë e vete vetes qe bën njeriu në nje moshe te tillë. Me nje fjalë kjo ishte jeta ime duam apo sduam ne . Na pelqen apo nuk na pelqen ne. Skulptori e shikon realizmin në ndjenjën dhe levizjen e ideve te figurës në zgjidhjen në tersi arkitekturore. Dhe po me aq vertetesi e realizim në tipizimin dhe stilizimin e portretit te tije i mbyllur në apologjinë e tije te jetes pa bëre politike . Po ai djalë me përballjen e tijë me jeten u lodhë , sa ne themi Mandela Shqipetare, rezistenca e tije i hëngri jeten nje njeri i paqes i dialogut i tolerancës arriti në strukturat më të larta te pushtetit duke na lenë një vënd në korrupsion te madh institucional një njeri krijues vlerash shkrimtare dhe politikan në fund e kuptoj , në fakt e zbulon artisti skulptor në meditimin e tije në apologjinë e tije te brendeshem me gjuhen e skulpturës na thote fjalen e Sokrati të te madh një gje di qe zdi asgje. Dhe gjithë jeta e tije rezistenca dhe perkushtimi i tije duke na dhënë mesazhin i forte eshte ai qe ngrihet kur rrezohet, dhe sa herë të rezohesh prapë të ngrihesh se në çdo dite ka diçka te re qe duhet ta besh. Por njeriu jeton fizikisht në kohe prandaj njerzit e mëdhenj mbyllen në meditimin e tyre në bisede me veteveten. Me duket se skulpetori eshte udhëhequr drejt ka bërë edhe ata gjera qe ti nuk i shikon me sintezën e apologjise së mendimit me formën. Faleminderit.