Pak ditë pasi u mbushën dymbëdhjetë vjet prej ndarjes nga jeta, me nismën dhe kujdesin e kryetarit aktual të Kuvendit të Shqipërisë, në oborrin e këtij institucioni u përurua busti i Pjetër Arbnorit, Mandelës së Shqipërisë, disidentit të paepur antikomunist, ish kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë.
Pjetër Arbnorin e kam njohur fillimisht nëpërmjet bashkëpunimeve të tij letrare në gazetën “Drita”. Floberi thoshte dikur se stili është njeriu. Megjithatë, mund të them se rrallë herë stili i shkrimtarit, i krijuesit përputhet aq mirë si tek Arbnori, shkrimtari dhe gojëtari, përputhen me njeriun.
Gjithashtu, rrallë mund të ketë një përputhje, një koherencë midis njeriut dhe jetës së tij, sa në figurën e Pjetër Arbnorit, zyrtar i lartë i shtetit shqiptar, ai asnjëherë nuk binte ndesh, nuk përplasej me njeriun e vuajtur nëpër burgjet komuniste, me njeriun që i doli ballë për ballë regjimit të egër komunist, duke i mbijetuar atij pa cënuar kurrë thelbin e qenies njeri. Studiuesit e huaj këtë veti dhe përmasë të rrallë të Arbnorit e kanë shpjeguar edhe me formimin e tij të thellë dhe të plotë si besimtar.
Gjatë punës në Radiotelevizion e kam njohur shumë nga afër Arbnorin. Më është përforcuar gjithnjë përcaktimi im se ai njeri flet duke menduar. Dhe, tek fliste, mund t’ia dalloje jo vetëm fjalët prej fjalëve, por edhe tingujt prej tingujve. I prâjtë, meditativ, bindës, i thellë ai përfaqësonte demokracinë që nuk bërtet, nuk çirret, nuk shpërfytyrohet as në rrethanën më të vrazhdë që mund t’i imponohet.
Miqësia jonë i qëndroi kohës edhe pas largimit tim nga Shqipëria. Arbnori më ka takuar çdo herë që ka ardhur në Zvicër. Më ka takuar në redaksinë e gazetës “Bota sot” në Zyrih, në tubimet e shqiptarëve nëpër Zvicër, më ka bërë vizita në shtëpinë time disa herë, ka ardhur edhe me familjen e tij, zonjën Suzana, djalin dhe vajzën. Këto kujtime ne i kemi të fiksuara në plot foto.
Ngjarjet e vitit 1997 e kishin tronditur rëndë Atdheun, kishin tronditur rëndë lidhjet e Atdheut me bijtë. Arbnori jo vetëm e bënte të shpjegueshme të pashpjegueshmen, por arrinte të ngjallte edhe besimin e shpresën në ato që thoshte. Arbnori fliste dhe hapte dritare për bashkëbiseduesit e tij.
Arbnori mbetet model i përkryer i mënyrës së thjeshtë njerëzore të komunikimit të ideve, bindjeve, porosive të politikanit, të burrështetasit tek publiku, tek bashkëbiseduesit e çdo niveli dhe të çdo bindjeje. Këtë ai e ka bërë jo vetëm nga pozicioni i Spikerit të Kuvendit të Shqipërisë, por edhe në auditorë evropianë e botërorë, kudo që është ndodhur.
Sot, më shumë se kurrë, ne e kuptojmë sa e ka të domosdoshme politika shqiptare, realiteti shqiptar, jeta shqiptare një mënyrë të tillë komunikimi, ku idetë, mendimet nga foltoret, nga ekranet, nga mikrofonët të shkojnë tek njerëzit, të shndërrohen ato në bindje dhe të mos pëlcasin si flluska në ajër sapo të nxirren nga goja e folësit.
Kam zgjedhur për publikim foton me Arbnorin, ku ai mban pranë dhe po flet me Endritin e vogël. Një kujtim prej shumë kujtimeve me njeriun e lartë të kujtimeve të bukura Pjetër Arbnori.


Komentet