Në ditët kur në Tiranë bëhej gjyqi i Bahri Omarit, Enver Hoxha ka takuar për herë të fundit Sheh Karbunarën në Lushnjë. Në kujtimet për kunatin e pushkatuar, Hoxha zbardh me cinizëm dialogët e shkëmbyer me “ballistin me taç dhe me raso”.
“Po kthehesha nga Berati, shkruan Enveri, afër Karbunarës, më ndali Shehu dhe m’u lut për të falur kokën e Bahriut. Për kokën e tradhtarit të poshtër, që ka lyer duart me gjakun e popullit, e kam merak vetë, i thashë. Hata, Enver, hata, bëri ai, kujton Hoxha dhe vijon me përgjigjen e prerë që i ka dhënë aty për aty: Kërkon të më prekësh se Bahriu është kunati im, por të them, do ta pushkatoj; edhe tri kokë të kishte, të tria do t’ia prisja me dorën time!” Përtej dilemës për sinqeritetin e rrëfimit të Hoxhës në përballjen e fundit me Sheh Karbunarën, një fakt zbulohet qartazi: Fundi tragjik i Bahri Omarit është shënjuar prej tij. “Bashkë me Bahriun, shkruan Hoxha me ndjenjë triumfi, pushkatuam Kol Tromarën me shokë; të tjerët i çuam me derra”. Nga kujtimet me këta të fundit, njeriu që ka urdhëruar vrasjet makabre, veçon mbresat nga dy takimet me Sejfi Vllamasin, “diplomatin e Ballit” që i shpëtoi plumbit, por jo dhunës dhe represionit të regjimit. “Pak kohë pas çlirimit, kujton Hoxha, u përballa me Sejfiun te stalla e derrave në Kavajë. Ishte bërë si mos më keq; një plak i rreshkur e i rreckosur. Punonte si rojtar derrash. Më tha t’i jepnim një pension se s’mundej të punonte. Pension? Përse? – i thashë. Që s’ke punuar kurrë, apo pse ke qenë në ‘Këshillin e Shtetit’ fashist? Për këto merita e kërkon pensionin? Një herë tjetër, pas disa vitesh, shton Hoxha, e pashë shtrirë në një trotuar në Fier. Ishte kërrusur, qe bërë si xhubë ‘diplomati i Ballit’. Më thanë se kishte një pension të vogël, pse ka qenë ruajtës derrash”.
Mbresat e Hoxhës nga takimet e fundit me Sheh Karbunarën dhe Sejfi Vllamasin pas çlirimit, vijnë si epilog i debateve të zjarrta me grupin e “demokratëve nacionalistë” në vigjilje të Konferencës së Pezës. “Ata s’pranuan asnjë lloj bashkëpunimi, shkruan Enveri, dhe unë i paralajmërova se këtej e tutje na ndante pushka, duke kujtuar se e mbajti fjalën…”.
***
Po debatonim me grupin e “antizogistëve demokrat” për Konferencën e Pezës. Aty për aty kërceu Sejfi Vllamasi dhe pyeti: Mirë, more Enver, po a keni menduar se të luftosh, do të thotë të vritet populli, të digjet vendi?
-Kur vendos të luftosh, edhe do të vritesh, por edhe do të vrasësh,i them
-Jo, thotë Sejfiu, ne mendojmë edhe të luftojmë, edhe të bëjmë politikë, që “mishi të piqet dhe helli të mos digjet”.
-Kjo është rruga më me mend, tha Shehu.
-Kjo rrugë është vetëvrasje, kësaj i thonë të bashkëpunosh me okupatorin, more baba Sheh, i them.
-Atëherë, ç’kërkoni nga ne, tha Kola, duke ngritur kokën, i skuqur nga inati. Shkoni dhe luftoni, s’ju mban njeri.
-Jo, leje nga ju ne nuk kemi kërkuar dhe as do të kërkojmë, por kemi ardhur t’ju bëjmë thirrje të bashkëpunojmë.
-Zoti Enver, tha Vllamasi, si do të vemë në këtë mbledhje?
-Në mënyrë ilegale, i thashë dhe i shpjegova pikëpamjen kryesore që partia jonë do të shtonte në këtë vend për diskutim. Kërceu Kola dhe tha:
-Sa bukur e kanë menduar kuqaloshët! Ata do të venë si parti, ne të vemë si berrat që të na heqin prej hunde…
-Nuk është faji ynë, i them Kolës, pse ju nuk keni parti. Aty Kola më ndërpreu dhe tha: Pritnani dhe ne të formojmë parti dhe të jemi baras.
-Kush do të jetë tjetër në atë mbledhje? – pyeti Shehu.
-Ata që do të pranojnë, i them.
-Mirë Enver, kërceu Shehu, por të presim dhe ca, të shohim si do të rrokulliset gjendja dhe shohim e bëjmë. Ç’na duhet që të mblidhemi?
-Jo Baba Sheh, i them, nuk është i arsyeshëm ky mendimi juaj. Tromara i egërsuar, duke parë se shoku i tij Shehu e shkeli, tha: “Zoti Enver, do përgjigje nga ne? Po jua them: Ne nuk e pranojmë propozimin tuaj dhe nuk do të bashkëpunojmë me ju!”
-Bëni si të doni, ne ju dolëm borxhit. Mbledhjen do ta bëjmë edhe pa ju, se populli është me ne, dhe u ngrita. Kol Tromarës s’ia pashë më turinjtë. Si bashkëpunëtor i italianëve, i gjermanëve e kuislingëve, si një nga krerët e Ballit, ai luftoi me egërsi kundër nesh deri në fund. Pas çlirimit të plotë të vendit e kapëm dhe me gjyq ushtarak e pushkatuam dhe këtë qelbësirë fashiste.
Ç’bënë të tjerët?
Sheh Karbunara, siç e thashë më lart, ishte shumë dinak. Ky ballist dhe bashkëpunëtor i krerëve të Ballit hidhte gurin dhe fshihte dorën. Nuk u afishua publikisht as me italianët dhe as me gjermanët, por ishte e qartë se ishte njeri i tyre dhe i reaksionit. Partinë tonë e urrente. Natyrisht, ai luftoi edhe kundër Fronti Nacionalçlirimtar. Edhe pas kapitullimit të Italisë, ku vendi u pushtua nga gjermanët, Këshilli i Përgjithshëm i Frontit i bëri thirrje të bashkohej me Luftën Nacionalçlirimtare kundër gjermanëve. Por të gjithë këta kolaboracionistë, tradhtarë, si Ali Këlcyra, Bahri Omari, Kol Tromara në krye të Ballit, u futën në shërbim të kësaj organizate tradhtare dhe na luftuan me armë. Që nga ajo kohë, ndaj tyre s’u drejtuan më thirrje, por i vumë në grykën e pushkës. Sheh Karbunara dhe Sejfi Vllamasi, duke mos qenë armiq të afirmuar si shokët e tyre, pas çlirimit të Shqipërisë nuk i arrestuam se edhe fakte të shkruara nuk kishim. Mirëpo i lajmëruam seriozisht se, në rastin më të vogël që do të konstatohej se do të vepronin kundër pushtetit popullor, do të arrestoheshin dhe do të kalonin para gjyqit revolucionar. Pranuan me gojë, por jo me vepra, sidomos Sheh Karbunara.
Ishin duke u gjykuar tradhtarët kuislingë Bahri Omari, Kol Tromara etj. Më kujtohet se kisha shkuar për punë në Berat dhe po kthehesha në Tiranë. Atëherë mbaja uniformën blu të gjeneralit, me shirita të kuq dhe me çizme. Kur i afrohem Karbunarës, shoh Sheh Karbunarën me taç dhe me raso që kishte zënë mesin e rrugës e kishte ngritur dorën, duke bërë me shenjë që të ndaloja. I thashë shoferit të ndalonte, porosita oficerin të dilte, por të mos e hapte derën e automobilit nga ana ime, ta linte Shehun ta hapte vetë derën dhe unë i mbështetur sa gjatë e gjerë në kolltukun e makinës prita Shehun të vinte në këmbë, të hapte derën e makinës, të thyente kurrizin e të fliste çfarë kishte. Doja apostafat ta poshtëroja dhe t’i jepja të kuptonte këtij armiku se pikërisht ne, që luftuam dhe fituam, ishim në fuqi.
Shehu hapi derën, u përkul, më përshëndeti, më dha dorën dhe unë pa lëvizur i dhashë dorën.
-Ç’kishit, pse më ndalët?, e pyeta.
-T’ju uroj, më parë, tha.
-S’kam nevojë për urimet tuaja, i them. Kini ndonjë gjë tjetër?
-Të ndala, tha, të të lutem të falësh kokën e Bahriut.
-E kam merak vetë, i them. Ajo kokë është kokë e një tradhtari të poshtër, e një ministri kuisling gjerman, e një kreu të Ballit Kombëtar që na vuri pushkën. Ai dhe shokët e tu të tjerë i kanë duart të lyera me gjakun e popullit tani deri në bërryl, prandaj mos u bëj aspak merak, të siguroj se do të pushkatohen dhe kokat e tyre do të fluturojnë në erë.
-Hata, more Enver, unë nuk të kërkoj kokën e Kol Tromarës, po të Bahriut.
-Dëgjo, Sheh Karbunara, i them, kur unë ju lutesha të hiqnit dorë nga rruga e tradhtisë, ju më sikterrisët, ju më qesëndisët, ju mendonit se italiani dhe gjermani ishin më të fortë nga populli dhe nga Partia jonë që ju e tallnit dhe e luftuat.
Ti Sheh Karbunara kujton të më prekësh, me që Bahri Omari është kunati im, por unë po të them, se edhe plaku im po të ishte si ai, unë do ta pushkatoja. Sa për Bahri Omarin edhe tri kokë të kishte, të tria do t’ia prisja atij dhe shokëve të tij. Besoj se e ke të qartë, i them pa i hequr krahët nga kolltuku i automobilit.
-Qartë, tha Shehu, dhe nxori kokën nga makina të ikte se iu këput.
-Sheh Karbunara!, e thirra prapë. Ai prapë e futi kokën në makinë dhe theu kurrizin.
-Dëgjo Sheh, unë e di që ti ke qenë bythë e brekë me Bahri Omarin dhe Kol Tromarën, por ua hodhe mirë atyre, hodhe gurin dhe fshehe dorën. Ne nuk të arrestuam, jo për sytë e tu të bukur, por se nuk kishim aq fakte konkrete për ty, se përndryshe edhe koka jote do të fluturonte. Pra, shpëtove një herë, të dytën nuk do të shpëtosh, prandaj të këshilloj të rrish urtë, të mos komplotosh, se atëherë do të ta tregoj vendin. Kaq kisha për të thënë, -dhe u qërua. Oficeri mbylli derën e makinës. E lash Sheh Karbunarën në tymin e rrugës e më s’ia pashë sytë, vetëm zërin ia dëgjova në gjyqin e popullit. Ky armik nuk hoqi dorë nga komplotet kundër pushtetit. U bë pjesëtar i komplotit të kurdisur nga agjentura anglo-amerikane e Shefqet Bejës, Gjergj Kokoshit, Riza Danit etj. Kështu dhe Sheh Karbunara u dënua me vdekje dhe u pushkatua.
Shoku tjetër i tij, Sejfi Vllamasi, uli kokën, hëngri ato para që kishte grumbulluar, u rreckos dhe më në fund, kur gati sa nuk vdiq për bukë, u detyrua të kërkonte një punë çfarëdo. Ishte plakur. Nuk kisha pyetur për të asnjëherë. Një ditë, kur shkoja në Vlorë, u ndala në fermën e Gosës, u poqa me drejtorin dhe i them si venë punët. Ai më dha shpjegime. Afër rrugës ishin ca baranga lyer me gëlqere. E pyes: Ç’janë këto baranga? Është stalla e derrave, -më thotë. Vemë e shohim, i them. Hyj brenda dhe shikoj një fshatar plak kavajas. E dija se kavajasit pleq ishin fanatikë, veçanërisht derri ishte bërë haram nga Pejgameri. I them plakut: Më vjen shumë mirë që ti ruan derrat.
-Ç’të bëj, thotë, -dua të rroj. Ai më njohu dhe më tha me zë të ulët: Po ta them ty në vesh, se ti na i di hallet. Këta derra nuk i shoh dot me sy, por unë e dua Partinë dhe bëj si thotë ajo. E shikon këtë shkop të gjatë, me këtë i prek derrat. Me afizalla se i prek me dorë. Qeshëm që të tre me të madhe. Të qeshurit tonë tërhoqi drejt nesh një plak tjetër, të rreshkur, të rreckosur, edhe ky ruajtës derrash që u afrua, më dha dorën dhe më përshëndeti. “Si jeni zoti Enver?”. Ngre kokën të shikoj se më tërhoqi vëmendjen fjala zoti në gojën e fshatarit, kur këta kurdoherë thonë “shoko”. Po kë shoh? Sejfi Vllamasin! Ishte bërë rojtar derrash.
-Me gjithë ç’keni bërë, i them, -Partia nuk ju la pa punë, ju bëri rojtar derrash dhe për herë të parë po e fiton bukën e gojës me djersën e ballit.
-Si urdhëron, zoti Enver, po tash u plaka.
-U plake, ky është ligji i natyrës, po ç’i bën, duhet të hash dhe që të hash, duhet të punosh.
-Ashtu është zoti Enver, tha Sejfiu, -por në ka mundësi të më jap qeveria një pension.
-Pension? Përse? Që nuk ke punuar kurrë, apo pse ke qenë në Këshillin e Shtetit fashist, apo që s’ke bërë kurrë një vepër patriotike? Në kohën e Nolit ti votoje për reaksionarët, në emigracion luajte kumar kur populli vuante, pastaj erdhët me italianët dhe u shërbyet atyre dhe gjermanëve. Për këto merita e kërkon pensionin?
-Pse i tillë ishte ky shokua, -më ndërhyri fshatari kavajas. Ky qenka më i keq se këta derrat. Alla hile, shoku Enver, nuk e njihja.
Një herë tjetër, pas disa vitesh, e pashë shtrirë në një trotuar në Fier. Ishte kërrusur, qe bërë si xhubë “diplomati i Ballit”. Pyeta ç’bëhet. Më thanë se ka një pension të vogël, pse ka qenë ruajtës derrash. Shoku që më tha këto ishte i ri, as që ia kishte dëgjuar kurrë emrin këtij ballisti, prej të cilit dhe prej shokëve të tij kishim hequr kaq shumë të këqija.
Panorama
Komentet