Bahri Omari nuk ishte i vetmi nga rrethi i familiarëve të Enverit që u pushkatua me urdhër të tij. Në kujtimet e panjohura të Hoxhës bëhet e ditur se fati i keq i kunatit ka ndjekur një dyzinë të tërë nga të afërmit që u bashkuan me të.

BAHRI OMARI ME FAMILJEN
Në krye të kushërinjve “të pabindur”, Hoxha përmend Abaz Omarin, nipin e xhaxhait, Hysenit. I rritur me të në sokakët e Gjirokastrës, Enveri, siç shkruan, kishte ndarë mendime të njëjta në Liceun e Korçës dhe më vonë në Tiranë, kur Abazi ishte kthyer nga studimet në Francë. Po kreshentoja e vizioneve të njëjta kishte ndryshuar papritur me pushtimin e Shqipërisë. “Kur unë prisja të më mbështeste në përpjekjet për luftën kundër okupatorit, -shprehet Hoxha duke iu referuar një takimi në shtëpinë e së motrës, Fahrijes, -Abazi ishte tjetërsuar dhe kishte zgjedhur tjetër rrugë: nga i majtë ishte bërë i djathtë; nga antifeudal, qe bërë mbrojtës i zjarrtë i të pasurve.
E kishte bërë për vete Bahri Omari dhe Ali Këlcyra. Ishte bërë një qelbësirë, -shkruan me urrejtje Hoxha, -u bë ballist; u bashkua me gjermanët, po e hëngri kokën pas çlirimit; e kapëm në Tiranë dhe gjyqi e pushkatoi si tradhtar”. Pak a shumë një histori të tillë përshkruan Enveri për vëllezërit Reiz e Surja Selfo dhe Nexhat e Manush Peshkëpia, të cilët ishin të afërm të familjes Hoxha, por që i ndau qasja për luftën. Fakti që ata s’shkuan me Enverin, por me Bahriun, me nacionalistët, shënjoi fatin e keq të tyre, ashtu siç ndodhi me kushërinjtë e tjerë. Kjo ndodhi jo vetëm me ata që i kthyen krahët Enverit gjatë luftës, por edhe me të tjerët që e mbajtën afër dhe i vunë në dispozicion pasurinë e tyre.
-Njëri ndër ta, Surja Selfo, -pohon për herë të parë Hoxha në këto kujtime, -bëri shumë për mua në vitet e luftës, por pas çlirimit ra viktimë e grupit të Koçi Xoxes dhe u pushkatua. Pjesa në vijim e shënimeve të Enverit fokusohet te “misioni i pamundur” për të përfshirë në nismën për Konferencën e Pezës grupin e “demokratëve nacionalistë”, që drejtohej nga Kol Tromara, Bahri Omari dhe Sheh Karbunara. Me mënyrën e tij, ai përshkruan debatet e tensionuara në takimin që ka pasur me “Treshen e pabindur” në një bazë ilegale në Tiranë, në verën e vitit 1942.

Nako Spiro
“Më herët, -shkruan Hoxha, -ia kërkova këtë Bahriut, megjithëse isha i bindur se do të refuzonte. I thashë se duhet të shkëmbejmë mendime me njëri-tjetrin, se duhet të sheshojmë mosmarrëveshjet dhe të arrijmë në një mbledhje të përbashkët kundër pushtuesit, por nuk e pranoi. Më tej i shtriva negociatat në një takim të zgjeruar, por sërish dështova, se ishte e pamundur që Kol Tromara, Sheh Karbunara dhe takëmi i tyre të shkëputeshin nga bashkëpunimi me okupatorin”…
DOKUMENTI
Në shtëpinë e Bahri Omarit vinte shpesh Reiz Selfo, kushëriri i parë i Bahriut dhe kryetar i familjes së Selfove, që qenë tregtarë të mëdhenj. Ky ishte më reaksionari e më dallaveraxhiu dhe ekspert në tregti të madhe. E kishte mirë me çdo regjim, me Zogun dhe italianët. Vetëm me ne nuk i shkoi.

Faksimile e dokumentit me dorëshkrimin e daktilografuar të Enverit me kujtime për Bahri Omarin
Ne i treguam vendin, e pushkatuam. Unë e njihja mirë, takohesha me të, por rrallë bisedoja. Ishte shumë i rëndë dhe s’kishte kohë “të merrej me njerëz si ne”. Të gjithë vëllezërit e tij ishin njerëz të këqij, me përjashtim të Surja Selfos dhe Halit Selfos. Surjanë e kisha shok të mirë, e kisha përpunuar; ai komunist nuk ishte, por ishte patriot, antifashist.
Me Reizin nuk i kishte “të grunja”. Surjai e ndihmoi luftën sa mundi; dy shtëpi që zuri me qira na i vuri në dispozicion ne për punën ilegale. Jepte ndihmë në të holla për luftën tonë dhe personalisht për mua. Kur dola nga ilegaliteti, ai i mbajti me bukë prindërit e mi pleq dhe Sanon.
Koçi Xoxe me jugosllavët, pasi erdhën nga Berati, filluan të përgatisin material komprometues për mua. Ata e panë që për tradhtarin Bahri Omari unë ngula këmbë që të pushkatohej si tradhtar, se në Byronë Politike Sejfulla Malëshova dhe Nako Spiroja donin t’ia falnin jetën Bahri Omarit, se gjoja u dorëzua në fund. Koçi kurdisi një grup tjetër armiqësor.
Një ditë më tha se në këtë grup është implikuar edhe Surja Selfo “për rrëzimin e pushtetit”. Unë hapa sytë dhe i them se është e pamundur. Ka deponuar vetë, tha Koçi, ka pohuar çdo gjë dhe ka firmosur. -Më sillni procesverbalin se unë ia njoh firmën, i thashë. Ma solli, e lexova dhe pashë se ishte firma e Surjait. Aty për aty u mendova dhe i them Koçit: Mos e kanë torturuar? Koçi më bëri be e rrufe. Pastaj i thashë të shkojë në gjyq. Gjyqi e dënoi me vdekje Surja Selfon, mikun tim.
Më vonë, kur u zbulua tradhtia e Koçi Xoxes, u zbuluan të gjitha poshtërsitë e tyre, u zbuluan edhe dosjet që përgatiste Ministria e Brendshme për mua, për Mehmetin etj. Çështja e Surja Selfos, e Selim Kokalarit (anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar) nuk ishte veçse një kurth për të më kompromentuar, duke arrestuar miqtë e mi, duke i torturuar për vdekje, për të pranuar dhe firmosur ç’u diktonte grupi i Koçi Xoxes. Po le të vijmë te miqtë e Bahri Omarit, me të cilët kam pasur debate.
KRIMINELI ME DAMKË, REIZ SELFO
Me Reiz Selfon ishim një ditë për darkë te Bahriu dhe, duke ngrënë, filloi biseda rreth problemeve politike. Filloi Reizi dhe hyri në konsiderata “antifashiste”, duke kritikuar njërin e duke lavdëruar tjetrin, por strumbullari qëndronte në atë që “kjo e keqe që na erdhi, ka edhe të mirat e saj, se po hapen vende pune, ka mallra në treg, shkollat shqipe nuk u mbyllën” etj.
Natyrisht unë ia hodha poshtë të gjitha. Bahri Omari hapi një herë gojën dhe tha: Reiz, më mirë lëreni këtë muhabet. Jo, tha Reizi, se këta rrjepacakët si Enveri, po na shesin mend për patriotizëm, sikur këta do ta bëjnë Shqipërinë. -Mbaje mend mirë këtë fjalë, i thashë, se unë s’do ta harroj. Nesër, ti s’do të flasësh me këtë gjuhë, por do të mbushësh pantallonat. Bahriu prapë na u lut ta mbyllnim këtë muhabet.
Dhe Reizi e mbylli “tytkën”. Kur u çlirua Shqipëria, Reiz Selfos i konfiskuan çdo gjë, mbeti vetëm me rrobat e trupit që kishte veshur. Më vonë, kur terroristët hodhën bombën në Ambasadën e BS-së, u zbulua se Reiz Selfo ishte një nga shtytësit. Nga gjyqi shkoi në pushkatim dhe kështu mbaroi një qelbësirë.
ABAZ OMARI, NIPI I XHAXHIT
Kur vajta një ditë në shtëpi te Fahrija, gjeta një kushëri të përbashkët, të Bahriut dhe timin, Abaz Omarin. Ky ishte kushëri i parë me Bahriun nga babai i tij, kurse nga ana jonë ishte djali i vajzës së madhe të xhaxhait tim, Hysen Hoxhës. Ishim rritur së toku. Ai, kur ishim të rinj, vinte në shtëpinë tonë, që ishte njëkohësisht dhe shtëpia e gjyshit, nga nëna e tij, Hajrija. Abazi ish-te nja dy-tre vjet më i madh nga unë. Ai mbaroi Liceun e Korçës dhe shkoi në Paris, ku ndenji nja katër vjet me lekët e babait që e kishte tregtar dhe pronar tokash në Fier. U kthye pa diplomë në Shqipëri, ku punonte me babain, por mendjen e kishte në Paris.
Kur bisedoja me të, hiqej si demokrat, i majtë, antifeudal etj. Në atë kohë takoheshim me Nexhat Peshkëpinë, të cilit ai i kishte dhënë motrën, domethënë gruaja e Nexhatit ishte mbesë nga ne, siç ishte edhe Abazi nip. Prandaj në shtëpinë e Nexhatit, që e konsideronim si shtëpinë tonë, lëvonin diskutimet politike ditë e natë. S’kishim shumë kundërshtime me njëri-tjetrin dhe as me vëllain e Nexhatit, Manushin, i cili hiqej si shkrimtar dhe kishte miqësi me Shefqet Musaranë.
Ishin kohët kur unë isha pa punë dhe nuk kisha ç’të haja dhe Nexhati nuk mungonte të më jepte ndonjë lekë ose të më merrte shpesh për drekë e për darkë. Feroja, gruaja e Nexhatit dhe mbesa jonë, ishte një vajzë e mirë dhe popullore si Nexhati në atë kohë. Ky ishte antizogist, ishte i majtë dhe ca anarkist. Kur dola në mal, i bëra disa herë thirrje edhe këtij, edhe Bahriut që të dilnin dhe ata. Po as që dëgjuan. Të dy u bënë ballistë.
Bahriu mori dënimin që meritonte, kurse Nexhati u arratis me gjithë tradhtarët e tjerë në SHBA, ku na luftoi egërsisht deri sa vdiq. Ngordhi dhe një fashist nga të njohurit e mi. Por të vijmë tek Abaz Omari. Ky mori për grua një çupë me prikë dhe me të hollat e saj u kthye nga Franca ku kishte marrë diplomën në Drejtësi dhe erdhi dhe u bë avokat. Kur më pushuan nga puna në Korçë, fill pas pushtimit të vendit, erdha në Tiranë, dhe një ditë takova “nipin” te Fahrija. U puthëm e u ngalasëm, e urova dhe pas bisedave të zakonshme, filluam diskutimet për politikë.
Kur i fola për luftën, për domosdoshmërinë e saj, ç’të shoh: Abazi nga i majtë, ishte bërë i djathtë, nga antifeudal, qe bërë një mbrojtës i zjarrtë i të pasurve. Filloi të ngrinte në qiell Bahri Omarin dhe Ali bej Këlcyrën. Abaz Omari qe bërë një qelbësirë, një karrierist. U zumë keq, bile sa nuk u goditëm, por pastaj ndërhyri Fahrija. U largova duke e sharë atë fundërrinë. Ai u bë një qen zinxhiri i Ali Beut, u bë ballist e me gjermanët dhe pas çlirimit, e kapëm në Tiranë dhe gjyqi i popullit e pushkatoi edhe këtë tradhtar.
TAKIMI I FUNDIT ME KOL TROMARËN
Me Kol Tromarën dhe Sheh Karbunarën takohesha ndonjëherë në kafe “Kursal”, ku bisedat që bëheshin ishin nga më të rëndomtat. Kur shiheshim rrugës përshëndeteshim. Kol Tromarën s’e kisha parë kurrë në shtëpinë e Bahriut, kurse Baba Shehu shkonte shpesh. Vetëm se Shehu ishte i zgjuar dhe dinak. Ruhej, nuk hapej, merrte pare, nga të gjithë. Ai rrinte në Karbunarë, në shtëpinë-teqe dhe atje i venin dhe i vinin të njohurit nga Lushnja, Berati, Durrësi e Tirana.
Shehu, gjoja nën petkun e demokratit dhe me atë mënyrën e tij “babaxhane”, shfrytëzonte dhe mistikën fetare të “tacit e të xhybesë”. Ai dilte andej-këndej edhe vetë, jo vetëm në Tiranë te miqtë e tij të vjetër të mërgimit, por edhe te miqtë e tjerë, tregtarë të njohur. Ky ishte shumë i rrezikshëm me “bonhommie”-n e tij, që fshihte një natyrë djallëzore. Ishin ato kohë kur kisha dalë në ilegalitet dhe kishim formuar Partinë. Po përgatiteshim për mbledhjen e Konferencës së Pezës.
I bëra më parë propozim Bahriut. I thashë se duhet të shkëmbejmë mendime me njëri-tjetrin, se duhet të sheshojmë mosmarrëveshjet dhe të arrijmë në ndonjë mbledhje të përbashkët kundër pushtuesit. Bahriu nuk e pranoi një propozim të tillë. Unë nuk ia zgjata më. Vendosëm me shokët ta atakojmë, nga ana tjetër mund ta çanim nga ana e Kol Tromarës dhe e Sheh Karbunarës. Prandaj e mora unë edhe këtë barrë, sado që isha i bindur se do të dështoja. Sidomos Kol Tromarën nuk e honepsja dot, kurse me Shehun mbaja marrëdhënie “të mira”.
I çova lajm Sheh Karbunarës me djalin e vogël, Hysenin, që ishte baxhanak me Surjanë. Vajta në shtëpinë e tij dhe i them të vejë në Lushnjë te Baba Shehu dhe t’i thotë se Enveri kërkon një takim me të e Kol Tromarën dhe po të dëshirojnë ata, edhe me Sejfi Vllamasin. E dija se Shehu do të bëhej kurioz dhe do ta pranonte takimin. Hyseni (Qorri e thërrisnin se kishte një sy të prishur) u nis për në Lushnjë.
Më vonë, pas disa ditësh, më erdhi lajmi në bazën ilegale ku isha se Hyseni kërkonte të takohej me mua. Shkoj një natë në befasi në shtëpinë e tij dhe ai më tha se Baba Shehu pranonte në parim të takohej, por kur të vinte në Tiranë do të bisedonte me shokët e tij dhe do të më lajmëronte. Më në fund erdhi lajmi se Sheh Karbunara, Kol Tromara dhe Sejfi Vllamasi pranonin takimin dhe këtë do ta bënim te shtëpia e Kol Kuqalit, mikut tonë të përbashkët.
Isha dakord. Në datën dhe orën e caktuar vajta. Gjik Kuqali ishte shoku ynë. Babai i tij, Kola, po ashtu ishte simpatizant i yni. Kur hyra në dhomë, i gjeta që të tre. Kishin vajtur më parë. Fillova t’u flisja për nevojën e një takimi të përbashkët, ku të shfaqeshin lirshëm mendimet mbi organizimin e luftës.
Pasi mbarova, e mori fjalën Tromara dhe zhvilloi një leksion me ato mendime që i njihja nga Bahriu, por më me fodullëk e arrogancë, bile edhe në mënyrë fyese, me shprehje “ju njoh mirë ju kuqaloshëve”, “kam pas të bëj me ju”, “ju dëgjoni Stalinin” etj. -Kam ardhur jo për t’u grindur, ndërhyra, -se po të doni, edhe atë jam gati ta bëj, po kam ardhur të miqësohem, të lëmë mënjanë mosmarrëveshjet, për hir të çështjes së çlirimit.
Do të luftojmë pa kompromis”
-Haha, qeshi me ironi Kola. Pa kompromis. Po ajo që bëri Stalini me Hitlerin, ç’ishte, zoti kuqalosh?
-Stalini, i them -i ndëri dorën Çembërlenit dhe Daladierit tuaj, mikut të idhullit tuaj, Heriosë, dhe ata jo vetëm që ia refuzuan, por ndërsyen Hitlerin kundër BS-së.
-Ohu, tha Kola, -sa herë i kam lexuar unë këto dëngla nga Moris Torezi në Paris!
-Ç’thotë kështu Kola, o Baba Sheh?, i drejtohem këtij.
-Ky as në parim s’më duket se do të luftojë. Mendova të fusja një pykë në mes tyre, por kjo s’pati sukses. Shehu, duke kruar mjekrën tha: Ajo që tha Kola është e vërtetë. Aty për aty kërceu Sejfi Vllamasi dhe pyeti: Mirë more Enver, po a keni menduar se të luftosh do të thotë të vritet populli, të digjet vendi.
-Zoti Sejfi, i them, -kur vendos të luftosh edhe do të vritesh, por edhe do të vrasësh.
-Jo, thotë Sejfiu, -ne mendojmë edhe të luftojmë, edhe të bëjmë politikë, që “mishi të piqet dhe helli të mos digjet”
-Kjo është vetëvrasje, kësaj i thonë të bashkëpunosh me okupatorin, more Baba Sheh, -i them.
Komentet