LETËR E VONUAR E VËLLAIT NGA KOSTANDINOPOJA:
I dashur Kamber Ali,
I lutem Zotit, çdo mëngjes, të më shpëtojë nga kjo pllakë akulli, që më ka mbërthyer kraharorin, që më shtyp zemrën dhe duket sikur më thërret: “Hushkulur!”
Thashë se do të isha për bukuri këtu se, më në fund, kish ardhur koha ta shkruaja edhe unë librin e jetës sime, e rrugëtimeve të mija nëpër udhët e shenjta të Zotit dhe udhëve gjarpërore të njeriut. Thashë se kërkimet nëpër arkiva ishin një punë aq e ngarkuar dhe aq e imët, sa nuk do të më mbetej më kohë të flas me veten. Po njeriu gjithnjë jetuaka disa jetë brenda vetes dhe me veten. Nuk mund ta mohoj se çdo zbulim, sado i vogël, më mbushte me krenari veçanërisht, kur vendosa ta filloj të shkruarën për arkitektët, që e ndërtuan këtë qytet.
Kristovolus në jetëshkrimin e sulltan Mehmetit II, tregon se për ndërtimin e Stambollit të dëmtuar gjatë luftimeve të pushtimit, u futën në punë të burgosurit, pra shumë shqiptarë, të cilët u morën robër, siç qenë zejtarët dhe artistët e mirëfilltë. Duke u futur në këto kërkime, duke kërkuar rrënjët më të hershme të paraardhësve tanë, më duket se nuk jam këtu aq i huaj, se ky qytet dashur pa dashur, është lulëzuar e ndriçuar veçanërisht nga dora e mjeshtërve mëmëdhetarë. Dhjetë vjet pas pushtimit të Kostandinopojës nga turqit, në vitin 1463, sulltan Mehmeti i II-të, për të përjetësuar vetveten, urdhëroi të ndërtohej një faltore mu në truallin e ish- kishës së Apostujve, aty ku ishin varrosur të gjithë sovranët e Perandorisë Bizantine, ndër ta, edhe ligjvënësi i madh, Justiniani i Parë nga Kosova (525-565). Punimet për xhaminë e re (e para xhami në Stamboll), filluan në pranverën e vitit 1463 dhe vijuan për 8 vjet me radhë.
Kështu vëlla, që të mos të më duket vetja se jam fare i humbur. Unë po shkruaj jetët e njerëzve të mëdhenj, që e kanë origjinën nga Shqipëria. Kjo ndoshta do të jetë disi e dobishme për të njohur vetveten. Unë jam i bindur tani, se çdo punë e mirë nuk humbet asnjëherë.
Kryearkitekt i ndërtimit të xhamisë së re u zgjodh arkitekt Sinani. Ky është i pari artist shqiptar, që përmendet ndër kronikat turke. Në Shqipëri ai e kish emrin mjeshtri Kristodullo, e me vonë u quajt Sinan Atiq (pra, skllav i liruar).
Deri në verën e vitit 1471, në përfundim të punimeve, ai arriti të ndërtojë një faltore me 22 kube, të mbështetura në 18 shtylla graniti dhe mermeri.
Thuhet se sapo e mbaroi ndërtimin e veprës, sulltani u zemërua, sepse xhamia e re doli më e ulët se ajo e Shën Sofisë, prandaj urdhëroi t’ia shkurtonin duart Sinanit, sepse ai i kishte shkurtuar dy shtylla, që kishin kushtuar shumë, e më pas, e burgosi dhe e vrau mjeshtrin.
Nuk e di përse po t’i shkruaj këto, ashtu si edhe mendimin e ngulitur, që nuk do të bëhet kurrë Shqipëria me esadët e sojin e tyre. Ta kesh vëth në vesh nga unë këtë të vërtetë!
Por edhe nëse tregon çdo lloj zotësie të rrallë nëpër vise të huaja, kjo nuk do të thotë, se u bëre njësh me atë vend, përderisa shpirti nuk të gjen qetësi. Edhe kur qemë në Manastir, në atë qytet, ku shekujt kaluan aq herë në shkëlqim e në rënie, na merrte malli për gurët e Bënjës, prej nga ishte nisur gjyshi ynë, Kamberi, që të fliste e të kërkonte jetë për mëmëdheun.
Ishin ato çaste aq të rralla kur njerëzia po shihnin të fekste ylli i lirisë në qiellin e Shqipërisë, kur këndoheshin këngët e trimërisë së Sulit edhe në teqenë e Frashërit (të themeluar nga Nasib Tahir Babai)
Patriotët këndonin “Qerbelanë” dhe thërrisnin në ndihmë Abaz Alinë.
Zoti më ruajt, po më duket se po më qajnë Zejneli, Nimeti e Zakja dhe unë jam këtu larg mërguar e nuk i ndihmoj dot.
Yti në jetë të jetëve, Hajdar”.
LETËR VËLLAIT NË KOSTANDINOPOJË
“Vlorë, 22 tetor 1913
I dashur dhe i shtrenjti vëlla, Hajdar,
Më në fund o vëllai im i mirë shumë, e mora tejshkrimin tënd nga Kostandinopoja, ku më shkruaje: “E dija që kështu do të ngatërroheshin punët, derisa Esad Pasha t’ua vërë zjarrin me themel Shqipërisë e shqiptarëve, jo se jam profet, po asnjë punë nuk u bë për së mbari e si është e udhës, e të mos të të vijë keq se s’do të dalim kurrë më nga bataku lum vëllai, prandaj gjej një mënyrë, e nisi fëmijët për në Kostandinopojë dhe hiqju asaj udhe, që është për lumë a për në det të zi!”
Të falem nderit vëlla e babai im!
Fjalën tënde e kam dëgjuar dhe e kam besuar përherë, por më ka thirrur vetë kryetari i qeverisë për të organizuar xhandarmërinë shqiptare e më ka ngarkuar të pres oficerët holandezë, meqenëse mund t’u shërbej, edhe si terxhyman nga frëngjishtja.
Kështu o vëlla, vetë më ke mësuar se punën që e nis njeriu, që të jetë ballëhapur para vetes, Zotit e shtëpisë së tij, nuk duhet ta lërë kurrë në mes.
Kishe të drejtë sa s’ka ku të vejë për Esad Pashën e shumë pashallarë të tjerë. Jo vetëm miqtë, po ndoshta, edhe armiqtë e kombit, prisnin që pas kaq vuajtjesh e rreziqesh që kaloi mëmëdheu, të gjithë bijtë e saj do të pendoheshin për të shkuarat e do të radhiteshin rreth e qark flamurit të shenjtë, që u ngrit pas aq e aq mundimesh dhe me ndihmën e miqve të Shqipërisë.
Kurrë nuk na shkonte ndër mend (me gjithë paralajmërimet e dyshimet e tua), që do të dilte ndonjë shqiptar, pas atyre që u panë sytë në këto luftëra të egra, si çnderimit, burgimeve, sëmundjeve dhe urisë, që e griu miletin si mizat, pas gjithë këtyre të zezave, të dilnin vetë shqiptarët të nxjerrin të tillë armiq, që sjellin vetëm turbullim e shkatërrim. Mjerisht, u mashtruam në ëndrrën tonë, dhe “SKIPËTARË” të tillë mbinë si kërpudhat. Siç thotë edhe fjala e vjetër: “Ujku vetëm qimen e ndërron, por jo zakonë”.
Ka njerëz, të cilët kurrë nuk e kanë kuptuar çdo të thotë “ ATDHE”! Ata as ia dinë vleftën. Ka nga ata që përpara egoizmës dhe interesit vetjak, mund t’i vënë zjarrë ose ta shesin atë.
Ka për fat të zi edhe nga ata që nuk e kanë për turp të jenë rob i tjetrit.
E ngrata Shqipëri, nuk është mjaft, ç’ka hequr, por duhet të vuajë akoma edhe nga ky soj i bijve të vet, që i ka rritur e i ka mëkuar në gjirin e saj.
Ja kështu janë punët, vëllai im, Hajdar.
Po përgatitem të njihem me kolonel Thomsonin. Në qoftë se Holanda dërgon një kolonel apostafat për Shqipërinë, si të ikim e të shpëtojmë kokën, ne, që jemi mishi, thoi, gjaku e jeta e këtij vendi?
E mbaj në shpirt e në mendje (qysh në ato vite të shkuara, kur e shoqërova nëpër qytetet e Jugut, Edith Durhamin, atë zonjë të nderuar, miken e vërtetë të shqiptarëve), fjalën e saj gjithë urtësi: “Edhe popujt janë si njerëzit, kanë fazat e tyre të rritjes, foshnjërinë, rininë, pjekurinë”.
Si ta lemë këtë foshnjë në duart e përgjakura të tradhtarëve o vëlla e baba?
Si të ikim e t’i kthejmë krahët, “o Mete për vete”, tanithi që e kemi në dorë ta mbjellim drejt pemën, se dihet nga të gjithë, se NJË PEMË E MBJELLË SHTREMBËR, E SHTREMBËR DO TË MBESË.
Më ka marrë malli, sa nuk rrëfehet me gojë. Po njeriu i shkretë, nuk është zog që të lëshojë krahë e të fluturojë. Vetëm shpirti, që është i lirë, vjen aty ndër viset e tua e është i pandarë nga vëllazëria jonë që është vëllazëri e pasosur, deri në frymën e fundit.
Të puth sytë me mall.
Kamber ALI
EMINE PERO PËRMETI (BËNJA)
E gjithë kjo bijë dite nuk po më mjafton për lutjet e mija, megjithëse të gjithë më mbajnë për trime, por këtë radhë jam trembur për vdekje.
O Zot i madh më jep shenjë, se burrin e kam në luftë çdo ditë me dushmanin!
Ndonjëherë do të dëshiroja të kisha time ëmë, a babanë tim të ndjerë pranë. Nuk e di përse më mungon aq shumë. Nuk ka qenë burrë që fliste, por vetëm hija e tij, ishte mjaft për ne. Ai vështrimi i syve të tij, aq të menduar e aq të mençur, që të jepnin siguri e të trimëronin. Vetëm Zejnelin e arriti dhe ishte i lumtur, kur e merrte në prehër vogëlushin, që pa i mbushur të tri vjetët vraponte me festen e gjyshit në dorë dhe i thoshte, se ia kishte fshehur, e nuk do t’ia jepte derisa të qëndronte me të e të mos ikte. Mirëpo ai ikte se ikte, se dihet që çupa është derë e botës, veçse im atë më thoshte gjithnjë: “Biri im”, sikur unë të qeshë djalë, djali, që nuk e pati kurrë. Kështu, Zejnelin e pati edhe nip edhe djalë.
Dhe ëndërronte ta shpinim nëpër shkollat e mëdha, se Shqipërisë do t’i duhen gjithnjë njerëzit e ditur, se pa dituri e pa urtësi nuk do të bëhej kurrë një vend.
Edhe para disa ditësh Kamberi ma kujtoi dëshirën e babait tim për Zejnelin.
Tha se do të dëshironte të bënte edhe ai gjimnazin “Zosimea”, në Janinë, që ishte një shkollë e dëgjuar dhe me emër të mirë, ku kanë mësuar të diturit e Shqipërisë, megjithëse edhe ne që morëm nga një copë diplome atje, nuk mund të themi se nuk kuptojmë gjë nga bota.
“Zot”, i thashë, “Është luftë e turbullirë, s’dua ta ndaj djalin nga vetja, se është ende fëmijë, por ti e di më mirë se unë, se ç’duhet bërë. Ne të gjithë jemi në dorën e nën urdhrat e tua”.
“Po, e di”, tha Kamberi. I kam bërë lutje mikut tim, ministrit të Arsimit për mundësinë e shkollimit të Zejnelit, vitin e ardhshëm. Të shohim, të shohim, çdo të na thotë Luigji.
Sidoqoftë, e hairit u bëftë!”
ZEJNEL ABEDIN KAMBER PËRMETI (BËNJA)
Ne kaluam ca ditë disi të veçanta gjatë kohës që ndodhej në shtëpinë tonë ajo çupa për të cilën ishte bërë dorëzanës im atë. Çupës i qe penguar krejt të folurit dhe kishte një lemzë, që nuk i pushonte ditë e natë. Nimeti i vinte rrotull për të bërë pak muhabet “thuthuthu”, por çupa vetëm e shihte me sytë e trembur dhe rrinte e tulatur në një qoshe të shtëpisë e nuk fliste fare.
Të gjithë u çliruam disi, kur erdhën dhe e morën disa njerëz të saj.
Edhe shumë vite më vonë kur e kujtoja, mendoja: “Ç’fat do ta ketë pritur gjynahqarin?”.
Që ta harronim shijen e hidhur që na pati sjellë, mëma na befasoi, siç e kish zakon përherë. Nuk e di se si i vajti ndërmend, t’i qepë një fustan-flamur Nimetit, që sapo e ka mësuar edhe vjershën e flamurit.
Megjithëse mundohet ta thotë për së mbari, prapë se prapë, pengohet, për shkak se i ha fjalët. Dhe veçanërisht Zakja nuk na lë të punojmë, se na ngatërrohet në çdo çast nëpër këmbë, po ne të gjithë e duam Zaken, si sytë e ballit dhe tani, që sapo ka filluar të çapitet, i rrimë sa para – prapa, që të mos rrëzohet, por megjithatëë, nuk e shpëtojmë dot nga rrëzimi.
Zakja e ka gjithë kohën ballin me xhunga, se e merr ana, siç thotë babai.
Nuk do t’i harroj kurrë sytë e tim eti të mbushura me lot, kur motërza e mbështetur pas murit të odës përkulej për të nderuar dëgjuesit dhe fillonte vjershën:
“Flamur, flamur, flamur!
Ti që me shkëlqim po valon e hapesh palë, palë
E i gëzuar, trashëgim i prindërve të paharruar,
Vallë ç’na ëndërron?
Sot po valon i mburrur në Shqipëri
Dhe ëndrra e papritur po na shfaqet
Ne djemtë e tu dëshira po përhapet e vleftën kush ta di?
Të shoh flamur i kuq Skënderbeut,
Burrat e dheut për ty ranë theror…
Je ti flamur, që u thure kaq kurorë dëshmorëve të Atdheut.
Tmerr, tmerr i armikut, të di cili je.
Hone e gërxhe e dheu po gjëmojnë.
Ky komb i ngratë, që po e shqelmojnë mos pandeh se fle.
Flamur i shenjtë atje ku të vesh u thuaj
Se shqiptarët nuk e harrojnë gjakun e shenjtë.
Virtytet s’ mohojnë.
O larg qofteresh!
Qofsh bekuar dhe la e me la,
Për të mbaruar më shpejt, qëllimet e mëdha!
Ëndrrat e mëdha!”
Kështu do të mund të bëjmë një festë të vogël edhe në shtëpi për 28 Nëntorin, ditën e vitit të parë të ngritjes së FLAMURIT.
Asnjë njeri nuk do të mundohej aq shumë, duke e qepur nën flakët e qiririt atë fustan-flamur, përveç mëmës sime.
Edhe Nimeti duket me të vërtetë, si një flutur e bukur e topolake, me flokët e zinj kaçurrela, me dhëmbët e bardhë, dhe mendoj se ndoshta është me të vërtetë e vetmja që ngjan aq shumë me babanë, megjithëse shumë të tjerë thonë për mua se i ngjaj, po më duket se kjo më shumë thuhet për të më bërë qejfin, nga që unë e shfaq jashtëzakonisht hapur dashurinë e mallin, që më zë për të, kur ai është larg. Derisa të kthehet im atë, s’më ndahet brenga nga shpirti.
Jam më i madhi i shtëpisë pas babait dhe ai gjithnjë ma përsërit se unë jam shtylla e shtëpisë, po në të vërtetë tani ne as shtëpi nuk kemi, e jemi si të gjithë muhaxhirët e tjerë, që enden ullishtave të Vlorës, me lecka në krahë.
Babai na thotë të mos mërzitemi asnjëherë, se do të vinjë një kohë që kjo do të jetë mburrja jonë, kur do t’u rrëfejmë fëmijëve tanë se si ishte Vlora në ditët e Qeverisë së Përtashme.
Duhet t’i mbledhim si ujët e pakët këto kujtimet tona, që do të jenë të vlejtura për të gjithë mëmëdhetarët e ndershëm. Se jeta e njeriut është vërtet e gjatë po, ndonjëherë edhe fare e shkurtër, e lum kush di të jetojë si njeri i vlejtur, i çmuar nga njerëzia e nga Perëndia!
KAMBER ALI PËRMETI (BËNJA)
Vlorë, 1 nëntor 1913.
Sot është një ditë e bukur në vjeshtën e tretë, një nga ato të pakta ditë, që mund t’i numërosh me gishta, pranë fëmijëve dhe Eminesë.
Nga deti vjen një erë e njelmët. Ullishtat janë plaga e jonë dhe mezi po mbajmë gjallë njerëzit, që kanë mbetur me të vërtetë as në qiell, as në tokë, thuajse të humbur në vendthin e tyre, me shpresa të thyera dhe me sytë nga qielli, duke iu lutur Perëndisë.
Po këtu në shtëpi, nga dritarja e së cilës bën hije kalaja e Kaninës, të duket vetja në një qoshe të mbrojtur dhe mund të ëndërrosh e ta thuash edhe ëndrrën me zë të lartë apo ta shkruash në fletoren e shënimeve të tua. Mund t’i rrëfesh vetes në moshën dyzetë vjeçare, pasi je endur nëpër udhët e mërgimit e rrugët e mëmëdheut se ata njerëz, që mbështeten te fuqia vetjake janë më të lumtur se ata që mbështeten te fuqia e përgjithshme! Se është mjaft e pëlqyer fjala e pleqve që thotë: “Pyet 100 vetë e bëj si di vetë”.
Sa të lumtur janë ata njerëz që duke pasur besim te vetja e tyre, i dalin për zot çdo pune e përparojnë nën ëmbëlsinë e atij qëllimi, që sjell një fatbardhësi të plotë.
Unë po të kem mundësi Zejnelin do ta shpie në shkollë për inxhinieri në Janinë, Selanik, apo ndoshta edhe në shkollën me emër të Shën Dhimitër Koronës e më vonë në ndonjë universitet të njohur të Italisë apo të Anglisë.
Edhe çupën time, që flet ende si thuthuqe, do t’ia lija në dorë Sevastisë që ta mësonjë.
Le të bëhet ime bije një dhaskalicë e mirë, që t’ua marrë dorën shqiptarëve të vegjël e do t’u mësoje shkronjat e para të gjuhës shqipe.
Për Zaken tim të vogël nuk e di përse do të kisha një ëndërr me të vërtetë të madhe, do të doja të vazhdonte studimet në Kembrixh, për jurisprudencë, e kur dikur të mblidheshim rreth vatrës këta fëmijët e mi të rritur, ndoshta burra e me fëmijët e tyre, të rrëfenin se si arritën me zotësi, pikërisht ashtu siç e pati ëndërruar babai i tyre: të bëhen burra të ditur e të vyer, që nuk do t’ia kishin nevojën askujt, që do të punonin për të mbrojtur të drejtën nga e shtrembra, që do të luftonin të mos merrte krahë djallëzia, sepse e kishin një amanet të vjetër e të stërvjetër, që të fitonte e drejta mbi këtë truall të të parëve.
Dhe Zakja im i vogël do të rrëfente për ligjvënësit e mëdhenj, që nga Solomoni e Hamurabi, deri te Perandori Kostandin e deri te Leka i Dukagjinit e Skënderbeu, që vunë ligje, fe e besë për mëmëdhetarët.
Ja kështu do të dëshiroja, që fëmijët e mi të parën gjë të kishin MËMËDHENË, ZOTIN E NDERIN, e të shkonin në udhët, që e lartësojnë njeriun në mes të të tjerëve.
E kjo udhë është ajo që merr një fund të mirë duke u pështetur në guximin e vet e jo në shpresën e tjetrit.
Njeriu përparon në çdo gjë, që merr përsipër, kur siguron një qëndrim të vetvetishëm, në përshtatje të natyrës së vet, dhe forcon dëshirën për të arritur qëllimin e rrojtjes vetjake.
ZOTI I NDIHMOFTË FËMIJËT E MI, TË MBËSHTETEN TE RROJTJA VETIAKE!
Dihet që, ndër ato kombe, ku ndiqet rruga e fuqisë së gjerë qeveritare (si Turqia), çdo njeri mundohet të hyjë në punët e qeverisë për të siguruar bukën e gojës.
Profesionet që dëshiroj të kenë fëmijët e mi në të ardhmen (për të cilën do të luftoj me thonj e me dhëmbë t’i arrijnë), janë profesione të lira, që do t’u krijojnë hapësirë të mos mbeten vetëm rrogëtarë e amin o hoxhë!
Dhëntë Zoti që edhe Shqipëria të përparojë e të mos mbetet si ato vise, ku çdo njeri është një nëpunës apo ka ndërmend të bëhet i tillë , sepse dihet, gjithashtu, se (te rrogëtari), njëkohësisht mundi e fuqia e veçantë pakësohet dhe sa vete e humbet, sepse çdo njeri në vend të mbështetet te vetja, mbështetet te shtylla e Qeverisë, që dalëngadalë, prish një racë të tërë njerëzish, krijon një ushtri puthadorësh e lepe-peqesh dhe e le vendin pa të ardhme.
Zoti i ndihmoftë shqiptarët të ecin udhës së DREJTË!
Sa për fëmijët e mi do të dëshiroja t’u qëndronin larg burimeve të lehta dhe të gjenin gëzimin e lumturinë e jetës te mundi e te fuqia vetjake, kështu do të jesh i sigurt për ardhmërinë e një race, që del mbi të tjerët, ashtu siç ishte në kohët e hershme raca helene dhe ajo ilire e që sot pa dyshim, është raca anglosaksone që janë më TË LIRËT e më TË SHQUARIT e botës.
Ndoshta këtë mendim të pakundërshtueshëm për anglosaksonët e formova nga që fati më solli ta shoqëroja nëpër rrugëtimin e saj në Shqipëri, shumë të lartën e të nderuarën, miss EDITH DURHAM.
Nuk e di në do të gjendet ndonjë grua tjetër në botë, që t’i dojë e t’i respektojë shqiptarët, si Edithi. Nuk i harroj dot ato ditët e udhëtimit tonë nga Manastiri në Korçë, Përmet, Tepelenë, e deri në Pojan.
Edhe atëherë i shkruaja ç’më thoshte, se ishte e para herë në jetën time që njihja një grua aq të veçante e të nderuar. Sikur të mos më paskësh lindur Nimeti, para këtij udhëtimi, do t’ia kisha vënë emrin Edith. Edhe Zakes, në qoftë se do ishte çupë, të njëjtën gjë do të kisha bërë.
I kam vasiet fjalët e Edithit, e nuk i harroj:
“NË BALLKAN, historia përsëritet me një rregullsi të çuditshme. Popujt e këtij gadishulli kurrë s’kanë arritur t’i lajnë hesapet me njëri-tjetrin deri në fund, sepse ngaherë janë thyer nga një armik i përbashkët. Shqiptarëve u është dashur të luftojnë për trojet e veta kundër shumë pushtuesve me radhë dhe u duhet një kohë e gjatë, që të mund të arrijnë te LIRIA e te mëvetësia”.
Gjithnjë e kam parasysh atë buzëqeshje në atë fytyrë të imët, të një gruaje flokëshkurtër e me një trup thuajse fëminor, që u ngjitej kuajve e rrëpirave tona me shpejtësi të pabesueshme.
Tani që kanë kaluar aq kohë, shumë mendime të Edithit mbeten si PROFECI:
“PËR SA KOHË QË ÇËSHTJA SHQIPTARE DO TË MBETET E PAQARTË, KËTU DO TË SUNDOJË ANARKIA DHE GJENDJA NË BALLKAN S’DO TË PËRMIRËSOHET. IDEJA E DISA FUQIVE PËR T’U DHËNË VETËM NJË RRIP TOKE MALORE NË BREGDET, DO TË SHPJERË NË KATASTROFË, SEPSE NJË POPULLI ME CILËSI KAQ TË VEÇANTA E ME KAQ VITALITET, I DUHEN FUSHA PJELLORE PËR TË JETUAR E PO QE SE NUK IA JAPIN, AI KA PËR T’I RRËMBYER VETË”.
As vetë nuk e di se nga i vinin ato mendime të ndritura, Edith Durhamit. Ndoshta ishin një frymëzim i Zotit e kur Zoti flet me këtë gjuhë, të zë një frikë e madhe për fatin.
“JU JENI POPULLI MË I RI DHE MË I LASHTË I BALLKANIT E NË THELB TË SHUMICËS SË PROBLEMEVE, TË TIJ. ÇDO PLANI QË SYNON T’I ZGJIDHË KËTO PROBLEME, PA I LËNË HAPËSIRË SHQIPËRISË, ËSHTË I DESTINUAR TË DËSHTOJË!”, e përfundonte bisedën Edithi.
Vlorë, 10 nëntor 1913.
Sot është një ditë e shënuar për të gjithë. Dita është e vrerët e me shi e të duket sikur në çdo çast vapori do të mbytej nga dallgët që përplaseshin në skelë.
Ishim të gjithë si në ethe, sepse po prisnim dërgatën e Holandës, me 17 oficerë.
Edhe pa e parë asnjëherë, e njoha kolonelin Thomson. Për disa ditë do t’i shoqëroj miqtë, të shohin gjendjen tonë, që të thuash të drejtën, është për të qarë hallin. Rreziqet i kemi nga të gjitha krahët. Dhe më në fund, pas aq e aq muaj bisedimesh në Mbledhjen e Ambasadorëve, u vendos që Shqipëria të bëhet mbretëri.
Të bëhemi mbretëri, po ja që pikërisht këtu, na filluan edhe ngatërresat.
Kolonel Thomsoni është një shpresë e madhe për ne dhe nuk e di përse e shoh që vjen me gëzim e me plot dëshira për veprime të nderçme.
Duke e njohur me imtësi jetën e Kolonelit, më vjen mirë që e gjeta, ashtu siç e kisha përfytyruar. Ja pak a shumë, jeta e tij:
Thomsoni lindi në Vorcolen pranë Hagës, më 11 qershor 1869 (pra, në muajin, kur kam lindur edhe unë). I ati ishte mjek i Shtabit të Marinës, ndërsa gjyshi kishte luftuar në Waterlo, si major infanterie. Mësimet e para i mori nën kujdesin e mëmës së tij. Më pas, Thomsoni e vijoi shkollën në Bergen e Zoon. Mbaroi shkollën mbretërore dhe së fundi, dha provimin në Akademinë Ushtarake të Bredes. Në vitin 1893 u shkrua në ushtri të Indisë, ku fitoi titullin “Kalorës i Parë” dhe u quajt “Villmesord Militare”. Pasi u kthye nga Hindia pati rastin të japë provimet në Shkollën e Lartë të Luftës. Shkoi në Afrikën e Jugut, si atashe ushtarak dhe kur u kthye në Holandë, u emërua në Arkivin e Historisë së Luftës, në Shtabin Madhor. Në vitin 1903, u gradua kapiten dhe më 1905-n u zgjodh deputet. Në këtë detyrë punoi me përkushtim, për të krijuar një mirëkuptim dhe një bashkëpunim për një qëllim të përbashkët: t’i shërbejë atdheut të tij, Holandës.
Në vitin 1912 la zyrën parlamentare dhe veshi rrobën ushtarake. Kishte deklaruar që në fillim të zgjedhjes në Parlament, se nuk lipset të qëndrojmë shumë kohë si deputetë, në qoftë se dëshirojmë të mbajmë edhe titullin e ushtarakut. Kështu, doli nga parlamenti i Holandës me gradën e majorit. Shqipërinë e lirë e njohu që në fillimin e Luftës Ballanike, se më 7 nëntor të vitit 1912, u dërgua në Ballkan, si atashe ushtarak pranë Greqisë e më vonë, si përfaqësues i Holandës në Serbi e në Mal të Zi.
Në shkurt të këtij viti (1913-s), fuqitë e mëdha iu lutën Holandës, meqenëse ishte një shtet neutral, të dërgojë në Shqipëri organizatorë për të themeluar gjindërmarinë e shtetit tonë të ri. Që nga shkurti e deri në nëntor, edhe ne jemi duke i pritur. Më në fund do ta krijojmë këtë gjindërmari me ushtarakë të ndershëm e të devotshëm, me ushtarakë të vërtetë, NDAJ E MENDOJ KOLONELIN, SI NJË SHPRESË TË MADHE PËR SHQIPËRINË.
***
18 nëntor 1913
(Lajme nga Gramshi)
U muar vesh me saktësi, se nja dy javë më parë një çetë nga krahina e Krrabës, e përbërë prej 40-50 vetash, vajti në shtëpinë e brigantit të njohur, Xhelal Cakës nga fshati Rashtan. Këta pasi këmbyen mendime kundër Qeverisë së sotme, deklaruan se cilido nga shqiptarët që dëshiron të mbetet osmanlli, ka tani një rast shumë të mirë. Ai mund të futet në shërbim të politikës së brendshme dhe të jashtme të Esad Pashës dhe të bashkohet, ku mund të marrë 250 grosh rrogë mujore.
***
19 Nëntor I913 (Lajm nga Kurbini)
Kurbini ndër ditët tona sundohet vetëqeverimisht, mbas ligjeve të veta. Sot ai kryetradhëtar d. m. th. Esad Pasha, don me e ba Kurbinin një krahinë të vueme nën sundim, të cilit Kurbini as don as nuk ka me i ndenjë, e kështu nuk ka me u nda prej qëllimit të shqyptarëve. Qeveria e Krujës, që mban krahun e Esad Pashës, ka marrë e ka dhënë me qeverinë e Kurbinit me fjalë të vrame, tuj thanë se Kurbini do të rrijë nën sundim të vetin domosdo, e se qeveria tradhtare e Durrësit le të çojë mëkëmbësit vet, në vend të Kurbinit.
Përgjigja e Kurbinit u kthye me një të përbuzun të arsyeshëm, tuj u diftue se tash tetë vjet jemi mundue për liri të Shqypnisë.
***
O vëllezër të Amerikës, i lutemi “DIELLIT” të mos na lerë të gjorë, se na ka marrë malli shumë për të shenjtin “DIELL”, nga i cili kemi disa muaj që jemi ndarë. Ka plot gazeta të tjera, po ne jemi aq të lidhur me ju vëllezër, e nuk dimë edhe si t’ju falënderojmë për ndihmat që na erdhën për aq gojë të uritura që dergjen ende nëpër Ullishtat e Vlorës.
Unë vetë jam pak i sëmurë nga udha që bëra me kolonel Thomsonin, jetën e të cilit po ua dërgoj dhe do të dëshiroja ta botonit në gazetën tuaj, sepse për mua kolonel Thomsoni është një shpresë për mëmëdhetarët, është ajo që kemi më tepër nevojë e që po na humbet çdo ditë.
Thomsoni, e mësoi me gëzim e me vullnet shumë mirë vjershën e flamurit tonë kombëtar.
Po bëhet afro një vit që jemi të mosvarur dhe po afron gjithashtu viti qyshkur Europa denjoi t’ia njohë Shqipërisë rrojtjen e lirë.
Mori fund edhe Lufta Ballkanike dhe u përmbushën dëshirat dhe kërkesat e atyre që luftuan.
Vetëm populli shqiptar, i pari që filloi luftën për lirinë e vet, dhe që prej shumë kohësh e ka provuar dëshirën e tij të vërtetë për të rrojtur vëllazërisht me fqinjët, vetëm atë e lanë në një pasiguri mizore për fatin e të ardhmen e tij. Nuk e di ende, se cilat janë vendet që do të mbeten e në ç’kushte do ta zhvillojë jetën paskëtaj. I ndjekur prej mundësve dhe atyre që u mundën, i duroi të gjitha mjerimet, i vetëpërmbajtur e i ngashëryer vetëm prej shpresës që ushqente dhe ushqen edhe sot, se fuqitë e mëdha do ta sosin me drejtësi çështjen tonë.
Nuk e di përse tani që po shkruaj këto radhë, m’u kujtua mikja ime angleze, Miss Durham, tek më tha: “Rasti i Shqipërisë është i çuditshëm. Në kohën e Kosovës (betejës me turqit në Fushë –Kosovë), do t’u përshtatej fare mirë thënia e Herodotit për thrakët: “Po të kishin qenë nën sundimin e një personi të vetëm, OSE TË BASHKUAR ME NJËRI -TJETRIN, DO TË ISHIM TË PATHYESHËM”.
Miku ynë BOLENGA u nis për të shkuar në Dibër. Nuk e di, a keni pasur rast të botoni diçka edhe për Kosovën?
U kam nisur më parë një letër të Isa Boletinit, dërguar Kryetarit të Qeverisë, ku jepet sinjali SOS.
Me nderime
Kamber Ali PËRMETI
***
TË TJERA SHËNIME (PËR TË MOS U HARRUAR).
Një çetë e formuar prej 7-8 vetash nga ndjekës të Hasan beut dhe të Qamil beut doli disa ditë në udhën Elbasan –Durrës, me qëllim që të prishë qetësinë.
Një javë më parë ata bandite rropën disa ushtarë, ranë në përpjekje me rojën, që kishte dalë në ato vende, vranë një gjindarm dhe plagosën një tjetër.
Një nga brigantët u plagos dhe u tërhoq në Peqin, ku siç u muar vesh më vonë, vdiq nga plagët që kishte marrë. Pastaj Qamil beu shkoi në anën e Sulovës dhe pesë ditë më parë, prishi vijat telegrafike Vlorë-Elbasan. Nga kjo u ndërpre ndërlidhja për dy ditë. Edhe pasi e ndreqën, e ndërprenë përsëri.
***
Ca ditë më parë këtu, në Vlorë, afër detit dhjetë minuta afër Ministrisë se Luftës u bë një vrasje fort e ligë, nga Lili beu i Vlorës, që kishte hasmëri me bejlerët e Çepanit. Bejlerët e Çepanit u falën nga ana e qeverisë dhe u nisën të venë në shtëpi, por hasmi u kishte zënë pusi tek avllia e Shehut nga Kanina dhe aty u vranë dy në vend dhe të tretnë e plagosnë e njeriu i Qeverisë i vështronte kur vriteshin, e nuk lëvizte as gishtin e as që u zgjua fare, fare, sikur të qe në gjumin e madh.
***
Me të vërtetë kur i shoh këto punë të pabukura, them me vete, se do të duhen shumë kolonelë Thomsonë, që të na shpëtojnë nga e zeza e vetes sonë!
Bolenga me njoftoi se kur kaloi në Durrës, ku është ngrehur klika e diktatorit Esad Toptani, sapo zbriti nga vapon i erdhi një zagar i Esadit e i thotë se ç’ka me vete, duhen lënë në zyrën e Doganës dhe pasi ia morën çdo gjë që i ndodhej me vete, e kthyen nga kishte ardhur, kështu që për të vajtur në Dibër është detyruar të bënjë një rrugë tjetër, e ndoshta shkrimet e tij, do të jenë shumë të vonuara për “DIELLIN”.
LETËR HAJDARIT NË KOSTANDINOPOJË.
O vëllai im i dashur shumë,
Siç duket kështu paska qenë fati ynë, jo vetëm yti, por edhe i imi, edhe i të gjithëve, ca të humbasin në dhera të huaja dhe ca të mbeten këtu me shpresë dhe vetëm me shpresë, se do të vinjë edhe ky shtet në udhën e qytetërimit.
Po që të bëhet e vërtetë kjo ëndërr e bukur, duhet të prishen pak interesat vetjake. Dhe kështu pa pritur e pa kujtuar, na u ra MASKA e patriotizmit atyre, që punojnë për të mbushur xhepat Kështu xhepaxhinjtë vrapuan të marrin pjesë në mbretërimin e vendit, menjëherë sapo doli në shesh çështja e PRINCIT të Shqipërisë. Po na propozojnë lloj-lloj princash, pa gjykuar sa të mirë, apo sa të rrezikshëm janë për Shqipërinë. Tani na paska dalë fytyra e princit Efelah Ahmet Fuadit.
Këta kryeintringantë thonë: “Meqenëse shumica e kombit është muhamedan, edhe princi të jetë muhamedan”. Po harrojnë të shënojnë në argumentet fanatike, se asnjë muhamedan i kuptuar nuk dëshiron një SHAH TË DYTË.
E shohin të gjithë, se muhamedanët atdhetarë, dëshirojnë një princ europian, që të ketë krahë e të jetë i lidhur me oborret e Europës, të jetë njeri i zoti për të luajtur rol, kur të vinjë dita në radhët diplomatike për të mirën e vendit. Shqipëria do t’i japë djemtë e saj këtij mbreti të pritur. Dhe ja ku na del tani një xhonturk, që me ndihmën ushtarake të Xhavit Pashës dhe përkrahjen e fanatikëve të mykur, na propozojnë për mbret Izet Pashën e Osmanllinjve.
Me kolonel Thomsonin po përpiqemi të krijojmë xhandarmërinë shqiptare dhe të shpartallojmë ndjekësit e Beqir Age Grebenesë, për të shkatërruar pllanin e tij djallëzor, i cili po të zbatohej do t’i kish ngulur mëmëdheut tënë thikën e vdekjes. Njerëzia thonë: “Poshtë Felahu dhe veglat e tij!” dhe po i djegin gazetat me fytyrën e princit Osmanlli.
Dhe mua me vjen të ulërij për Hindunë egërsirë, që pesëqind vjet gjaknë e njerëzve tanë ka pirë. A nuk qenë mjaft me të vërtetë, o vëllai im i dashur shumë?
Lëvizja e Toptanasit po bëhet gjithnjë e më e rrezikshme dhe i ka tronditur njerëzit,
Ca thonë se ka mbledhur mbi 3000 mijë ushtarë dhe do të bënjë kryengritje kundër Kryetarit, Plakut të Vlorës
ZOTI NA RUAJTË, SE MOS NA COPTOJNË KËTË ÇIKË ATDHE!
Të puth me mall,
Yti, Kamber
EMINE PERO PËRMETI (BËNJA)
“O mëmë, o mëmë”, m’u lut sot në darkë para gjumit Nimeti. “Përrallën!”
Po unë kam një peshë të rëndë në shpirt këto ditë, se e shoh Kamberin, që është në hall e nuk flet.
Dhe unë e di se, kur është kështu i vuvosur dhe i mbyllur me shtatë çelësa, do të pëlcasë se nuk bën ndonjë bombë të madhe. Sikur të mos më mjaftonin edhe gjithë ato ëndrra të liga, që nuk po më ndahen prej kaq kohësh.
Zejneli më merr përpjetë çdo ditë, para syve.
Edhe fare pakëz kohe i ka mbetur të jetë fëmijë E shoh djalin që i kanë dalë brinjët dhe i tunden nëpër trup rrobat, që sapo ia qepa.
Kështu janë këto net të shkreta, kur jam e detyruar të mbaj veten dhe fëmijët pa babanë. Netët, kur më dridhet zemra, sepse nuk e di se, ç’lajme do të sjellë sabahu axheba?
Gjithë këtë kohë Kamberi është me kolonelin dhe si në tym, nga që nuk e di fundin e udhës, ku jemi nisur.
“Dua babanë”, thotë Nimeti. “Më mori malli”.
“Dëgjoje çupën e përkëdhelur të babait”, e ngacmon Zejneli.
“Jo, dhanëm, sa për atë kush është i babait, e dinë të gjithë, se je ti, Zejnel vëdhai”, përgjigjet motra.
U rrokullis edhe ky vit dhe Zakja mori këmbët këto ditë. Se do të gëzoheshin aq shumë më të rriturit, nuk e besoja.
“Hop, hop”, thërrisnin të gëzuar e përplasnin duart, dhe e drejtonin Zaken nga një cep i dhomës, në tjetrin, me krahë të hapura. E Zakja qeshte e vraponte për herë të parë në jetën e tij nga krahët e vëllait tek ato të motrës.
“Shiko si vrapon vëdhai, mëmë!”, gëzohej Nimeti.
“Ka aq kohë, që është gati”, u thashë. “Por sot i erdhi trimëria”, ndërsa me vete mendoja, se ende janë shumë të vegjël këta fëmijë.
Zakja, sado që u trimërua sot, nuk po e zë gjumi.
“Kur do të m’a thuash pëdhadhën?”
“Ja, sa ta zërë gjumi Zaken”.
“Ta marr unë në duar e t’i këndoj këngën “ullullaj””.
“Jo, se është në të fjetur e sipër”.
Zakja është fëmijë i urtë e i mbarë. E Nimeti, si një mama e vogël, ka qejf t’i këndojë këngën: “Fli pëdhumb i barvë, fli”.
“Edhe në këtë furtunë të madhe, babai me vaporin do të vinjë?” – pyet Zejneli.
E di që djali gjithë kohën e ka mendjen tek i ati. Gjithnjë, përgjon gjurmët e tij.
Fëmijëve u është bërë zakon ta presin me sy gjoja të mbyllur. Zejneli thërret i pari, kur i dëgjon hapat e pelës në kalldrëm: “Erdhi babai!”
Dhe pret djali, pret ta thërresë i ati, ta pyesë për shkollën, se është gjithnjë i pari i shokëve. Pret ta thërresë, edhe kur shkruan letra apo shkresa, që t’u hedhë djali një sy, si një mësues i të shkrojturit shqip. Po Kamberit, që kur kanë ardhur holandezët, nuk po i zënë këmbët dhe.
Unë s’dua të mendoj, sepse zemrën e kam të akulluar.
Plaku i Vlorës thotë se do t’i a dorëzojë Qeverinë një princi të huaj, që do të na vinjë këtë pranverë.
Edhe unë nuk e di përse mendoj atë pyetjen e famshme që iu bë Kostandinit të vdekur, kur vate e mori Dhoqinën, në valle nga vetë ajo: “Si të vishem, o im vëlla, për të mirë, a për të keq?”
Ndërsa ai iu përgjigj: “Jo, motër, sikundër je“.
Edhe ne nuk e dimë, si do të vishemi këtë pranverë, vallë?
ZEJNEL ABEDIN KAMBER PËRMETI (BËNJA)
Edhe mëma ime e kishte përrallën e saj e Nimeti nuk ngopej me të. Përralla ishte kjo:
“Ishte ç’na ishte, ishte një peshkatar, kish edhe të shoqen. Një ditë prej ditësh i thotë gruaja peshkatarit: “Ore burrë, ti që shet peshkun që zë çdo ditë, nuk do na sjellësh edhe neve një?”
E peshkatari iku të nesërmen të gjuajë peshk për shtëpinë, dhe kur hodhi mbrezhdën në ujë, zuri një peshk të mirë, por ai i tha peshkatarit:
“Mos më trazo mua se nuk jam fati i yt, lëshomë e hajde nesër të zësh peshkun, që është FATI yt!”
Dhe peshkatari e lëshoi e vajti në shtëpi duarzbrazur, e gjeti të shoqen me tigan në zjarr për ta skuqur peshkun.
Gruaja u çudit dhe e pyeti: “ Përse nuk e solle peshkun, o burrë?”
Dhe ai i tregoi gruas, si i ngjau.
Të nesërmen shkoi dhe zuri një peshk të madh, i cili i tha:
“Mirë që më zure. Do të më presësh në tetë thela dhe dy nga ato do t’i shtiesh nën portën tënde, dy do t’ia japësh pelës, dy bushtrës, dhe dy do t’ia japësh sat shoqeje!”
Dhe ai me të vajtur në shtëpi, e ndau peshkun sipas porosisë së tij.
Te porta mbinë dy selvi, pelëza polli dy hamshorë të paparë ndonjëherë në ato anë, bushtra polli dy luanë të çuditshëm dhe e shoqja lindi dy djem trima dhe të bukur shumë.
Në një fshat aty pranë tyre, jetonte e Bukura e Dheut. Djali i madh i peshkatarit sapo e mori vesh, u shti keqas pas saj, sa vendosi të shkojë e ta marrë për grua.
Prindërit rrahën t’i mbushin mendjen, që ta sprapsnin nga ajo udhë e rrezikshme, sepse ata kishin dëgjuar që kush nisej për te e Bukura e Dheut, nuk kthehej më i gjallë në shtëpi, por djali nuk qe e mundur të bindej. Para se të nisej, u la porosinë: “Në qoftë se selvia e tij do të zërë të vyshket e do të ulë kokën poshtë, ta dini se atëherë, edhe ai do të ishte humbur”.
Kaq tha djali e u nis e shkoi për te e BUKURA e tij.
Kur u sos në fshatin e saj, shkoi me gjithë luanin drejt e në shtëpinë e së Bukurës së Dheut.
Te dera i doli një plakë dhe e pyeti, se çfarë donte aty.
E posa djali i tha se donte të Bukurën e Dheut, plaka e bëri gur, e në atë çast edhe selvia e tij te porta e shtëpisë, u fishk dhe e vari qafën.
Prindërit e mjerë ia dhanë të qarit. Djali i vogël u tha që të mos mërziten, se do të vente ai që edhe vëllanë ta shpëtonte, edhe të Bukurën e Dheut do ta merrte.
Prindërit e mjerë ia dhanë përsëri të qarit e iu lutën duke u lebetitur, që të mos gënjehej e të mos vente, se do e gjente edhe atë, ajo që e gjeti të vëllanë, por ai nuk i dëgjoi e u nis e shkoi me luanin e tij. Po luanin e porositi që porsa të soseshin te shtëpia e së Bukurës së Dheut, me të dalë plaka (sepse ai e kishte mësuar, se ç’u punonte plaka djemve), ta rrëmbente dhe ta shtrëngonte për gryke, deri sa t’i merrte firomën dhe ta detyronte t’ia ngjallte të vëllanë dhe t’i jepte të Bukurën e Dheut. Në të kundërt, do ta vdiste në vend.
Kështu kur arritën te porta dhe panë vëllanë me gjithë luanë të bërë gur, i dolën lotët si breshër, por luani siç qe porositur, e rrëmbeu sakaq shtrigën dhe e shtrëngoi, deri sa e kruspullosi. Shtriga e pa që s’kishte nga t’ia mbante më dhe u tregoi një dollap, ku kishte dy qelqe me ujë, njëra me ujë të bardhë, që i ngrinte njerëzit, e tjetra me ujë të kuq, që i ngjallte ata.
Kështu, vëllai i vogël i shtiu ujin e kuq vëllait dhe luanit dhe sakaq, ata u ngjallën.
Vëllai i madh, duke fshirë sytë tha:
“ Oh, sa shumë paskam fjetur!”
“Nuk fjete, po kështu e kështu të ndodhi”, iu përgjigj vëllai i vogël.
Në atë çast edhe selvia në shtëpi u krekua e u ngjall. Ia dhanë gazit edhe prindërit, sepse e kuptuan që u ishte ngjallur djali.
As përralla s’ju rrëfeva, po desha e u gënjeva!
Flini tani, mbyllni sytë, se u bë natë e madhe!
Unë e ndjeja gjithnjë dorën topolake të Nimetit, që më rrethonte qafën dhe pastaj dëgjoja gërhimën e saj të lehtë. Gjithë jetën e kam dashur atë motër me drithërima, gjithë jetën më dukej se Zakja ishte vëllai i vogël, që nuk do të jetonte dot gjatë pa mua, ashtu si edhe unë pa atë.
Ndoshta ishte një betim apo një trashëgim i familjes, ku vëllazëria do mbetej përjetësisht e pasosur!
KAMBER ALI PËRMETI (BËNJA)
Vlorë, 28 dhjetor 1913
Sot Zakja bëri një vjeç. Nxjerr gishtin e vogël e tregon, se u bë një vjeç.
Ne sapo u kthyem në Vlorë me Zotin Ethem bej Vlora. Ishim nëpër Shqipëri, se bashku me holandezët, me zotin Dewer e zotin Thomson, për të parë sesi mund të organizohej xhandarmëria e mbrojtja e shtetit shqiptar.
Qemë në Berat, Elbasan, Durrës, Shkodër. Jam shumë i shqetësuar, në do të mund t’i bëjmë ballë rrezikut, që sapo vjen e bëhet më i dukshëm dhe po na e bën punën shumë, shumë të rëndë. Esad Toptani e formoi qeverinë e Shqipërisë së Mesme, që më 14 tetor me Ali Bej Zajmin, Isuf bej Dibrën dhe Azis bej Vrionin. Njerëzia janë tronditur e mallkojnë: “O Perëndi e madhe, që je lart në qiell, nuk e sheh si po na shkelmojnë tradhtarët? O more armiqtë e kombit, Zoti ua marrtë jetën tuaj dhe shpëtoftë kombi i nderçëm e i shumëvuajtur shqiptar! ”
Po sot fëmijët e mi gëzojnë, se vëllai i tyre u bë një vjeç. Janë ende shumë të vegjël.
Me pak miq e shokë e kaluam këtë ditë dhe me vjershat që i thotë Nimeti, vjershat që ia mëson Zejneli nga ato që i bëjnë në shkollë.
Veçanërisht më të dashurën vjershë, atë të flamurit. Edhe burrat bëhen si fëmijë përpara flamurit. A thua s’do të jemi të bekuar nën FLAMURIN TËNË?
LETËR MINISTRIT TË LUFTËS Z. MEHMET PASHA, VLORË
“Sot në orën një para drekës, në fushën e Muradijes u vranë dy çuna.
Duke i parë aq të njomë, fëmijë fare, mendoj se nuk duhen të lihen në asnjë mënyrë të armatosur. Është mëkat të na vriten kështu dita-ditës sy më sy.
Jo, Zoti ministër, nuk mund të qëndrojmë kështu symbyllur e në gjumë e të mos mendojmë se ç’rrezik i pritur është të vriten djelmuria kot së koti e pa asnjë shkak. Ndaj Ju lutem zot, të merren masa të menjëhershme që të priten kategorikisht e me dënime të rënda këto vrasje e hakmarrje të zeza. Duhen ligje të rrepta që të zbatohen menjëherë, pa asnjë vonesë e me shpejtësi.
I jam drejtuar disa herë zotërisë suaj, por siç duket, fjala ime bie në vesh të shurdhër
Nuk është marrë asnjë masë kundër shpifësve që përhapin fjalë se shqiptarët po vrasin vëllezërit e tyre grekë në Vlorë e në Berat, ku as për ilaç s’gjendet ndonjë grek, që kishat i paskemi bërë xhami, që dhespotët u bënë myfti dhe shumë pallavra të tjera si këto.
Ku i shpie mushka këta afendikonj? Doli që edhe ju, zotërinj në Këshillin e Ministrave, qenkeni rrahur me zotin Pandeli Evangjeli, nga shkaku që mbajti të dielën ditë pushimi.
Përse të mos qartësohen njerëzit nga këto gënjeshtra, që kanë bërë këmbë e hyjnë kudo, si sëmundje e ligë?
Për fat të keq nuk shikohet asnjë punë, sikundër lipset dhe po merret populli në qafë. Është në dorën tuaj që të merren masa të plota, të shihen punët e çdo njeriu dhe të emërohen në punë sipas diturisë që ka çdo oficer dhe jo të merren nëpër punëra VJEDHËS e VRASËS, e kërkesat e oficerëve të aftë të presin me muaj.
Oficerët, që erdhën vullnetarisht t’i shërbejnë Kombit, që dinë greqishten, turqishten frëngjishten dhe gjuhën amtare, që lanë rehatin e shtëpitë, që kishin në Turqi, Manastir, Selanik, Janinë, e gjetkë dhe mbetën pa punë. Po ta studiosh hollë- hollë, del se këto janë arsyet që na ndodhin para hundës ngjarje të shëmtuara, si ajo e 28 gushtit në Fier, ku Nas Muços, i cili kishte dalë për të blerë harxhet për varrosjen e kushëririt të tij, i doli xhandari i qeverisë sonë në udhë, i mori kalin me forcë dhe e rrahu.
Populli kërkon mbrojtje nga ne, zoti Ministër! Populli mendon se ne jemi ndryshe nga Esadi, që krijon një shtet tjetër, që përçan, që kërkon sherre dhe mendon për vete dhe vetëm për vete.
Populli ka sy, ka veshë, ka zemër dhe vullnet të madh, që të mos e humbasë shpresën.
Të huajt vijnë të na ndihmojnë ta ngremë më këmbë shtetin dhe ju, e keni në dorë, që të merrni masa për çdo punë e për çdo njeri, që të mos të na pllakosë paudhësia, se do të merremi në qafë të gjithë.
Nuk mjafton të zgjidhni vetëm interesat e njerëzve tuaj se SHQIPËRIA NUK ËSHTË VETËM JUAJA, POR E TË GJITHËVE.
PRIMARI I GJINDARMËRISË, KAMBER ALI PËRMETI
LETËR E VËLLAIT NGA KOSTANDINOPOJA.
Jam këtu, e nuk jam këtu o Kamber, vëllai i dashur shumë,
Të gjithë thonë se Stambolli është ai qytet i mahnitshëm në kapërcyell midis Lindjes dhe Perëndimit. Po ne në Shqipëri, nuk ia thamë e nuk ia thamë emrin e ri. Për ne ky Stambolli, mbeti e do të mbetet Kostandinopojë.
Përse nuk u mësuam me emrin e ri megjithëse kaluan pesë shekuj? Nuk u ndamë dot nga Kostandinopoja, që për një mijë vjet ishte epiqendra e Perandorisë së tre kontinenteve, Afrikës, Azisë dhe Evropës. Nuk e deshëm emrin e Stambollit ndoshta, sepse ai shtet, si një lubi, na thithi aq djem të humbur jeniçerë e deshi të na fshijë nga faqja e dheut herë me thikë, herë me masakra e herë me një dorë në mjaltë, duke thithur trurin e talentin e njerëzve, siç është rasti i arkitektëve të shquar, që ndërtuan veprat e pavdekshme të kryeqendrës së sulltanëve.
Nuk e di po një ëndërr e çuditshme që kam parë, sikur një djalë i Lutfijes do të qe një historian i shquar, më bën të vendos të hedh kështu shënime e mendime të miat në këto letra dhe të kërkoj nëpër bibliotekat e qytetit, lidhjet e vjetra, dhimbjet e vjetra, mallkimet e vjetra dhe veprat që, edhe pse gjenden në një qendër të huaj, janë pjesë e jetës dhe historisë tënde.
Kostandinopoja ishte qyteti nëpër udhët e skelat e të cilit kryqëzohej trafiku që lidhte Mesdheun dhe Egjeun, me Kaspikun e Detin e Zi. Kostandinopoja lidhte Europën Qendrore nga viset e Adriatikut. Këtu dyndeshin nga ish-Perandoria e Bizantit, grekët, latinët, turqit e aziatikët, të cilët krijuan një popullsi prej gjithfarë kombësish, me tipare, gjuhë e psikologji të ndryshme.
Ky qytet ndoshta na mësoi edhe ne, se po të jesh pjesë e një bote të tillë, nuk do të ndodhesh vetëm, edhe po të të pushtojnë lloj-lloj hordhish, ti do të mbetesh superior, sepse nga ti kanë dalë Komnenët, Kastriotët, Dukagjinët, që vendosën fe e besë e i dhanë shpresë Arbërisë.
Kostandinopoja, (ish-metropoli i Justininianit të famshëm, edhe ai me origjinë ilire, nga Dardania), nuk do të bëhej asnjëherë Stamboll për ne. Nuk të duket e çuditshme kjo?
Një emër, që rrëfen rezistencën e një kujtese të gjatë, e njëkohësisht të mëson se sa të sipërfaqshme mbeten shtresat, që kalojnë mbi atë çka quhet MBIJETESA E NJË KOMBI e që të vijmë pikërisht te mbijetesa, nuk na mjaftojnë vetëm armët që gjithnjë nuk i kemi lëshuar nga dora. Unë them që na duhet të rrëfejmë se kush jemi e nga vijmë e çfarë përfaqësojmë, pra duhet hulumtimi i historianit dhe njeriut që di aq gjuhë (i faleminderit gjithnjë Akademisë Ushtarake të Manastirit), se tani persishtja, turqishtja, frëngjishtja e greqishtja e vjetër, janë nëpër këto arkiva, një dhuratë prej Zotit, që i zbulon njeriut udhën e diturisë e të vetëpërsosjes, që të mos mbyllet në një kafaz-burg, po kudo që të jetë, të bëjë diçka të vlefshme, e të vërë në punë dijet e të nxënët, që ka pësuar, që të mos t’i mbeten të vdekura, po të jetojnë nëpërmjet të tjerëve, pra të ardhmërisë sonë, që ka aq nevojë të zbulojë vetveten…
KAMBER ALI PËRMETI (BËNJA)
Nuk e besoja që do të më vinte ora të shkruaja edhe këto shënime të fundit për çudirat që po na ndodhin çdo ditë e çdo orë. Përsëri Toptanasi del në rrugën e mëmëdheut dhe në udhën time. Ndoshta ne ushtarakët e paskemi ca të vështirë të kuptojmë përse politikanët e Europës mbështetin përsëri Toptanin. Komisioni i Kontrollit i propozon Esadit, që të formojë një komision të përbërë prej të gjithë parësisë, të venë në Gjermani e të paraqesin fronin e Shqipërisë Princ Wiedit. Esadi e pranon këtë, me dy kondita: E para, të pranohet Durrësi si kryeqytet.
E dyta, në kabinetin e Wiedit të ketë Ministrinë e Mbrendëshme dhe atë të Luftës.
Komisioni i Kontrollit e pranoi dhe Princ Wiedi arriti në Shqipëri më 7 mars 1914.
Durrësi mori pamjen e një kryeqyteti, ku të gjitha fuqitë europiane e njohën Shqipërinë si shtet të pavarur dhe dërguan përfaqësitë diplomatike.
Komisioni Ndërkombëtar i dorëzoi pushtetin Turhan Pashës. Kabineti i Wiedit vendosi të formojë një ushtri vullnetarësh për të dëbuar grekërit nga Korça e nga Gjirokastra. “Kryengritja Epirote” s’është gjë tjetër veçse një mashtrim për t’u hedhur hi syve fuqive të mëdha, që në këtë kohë janë të ngutur e të brejtur nga mosmarrëveshjet e tyre të brendshme. Fakti që Italia zgjodhi Esadin për ta mbështetur, tregonte se loja luhet gjithnjë nën rrogoz. Esadi përfitoi dhe si kryeintrigant i shkallës së parë që është, bën politikën e zakonshme, me dy faqe. Si do të vejë halli ynë?
GJYKIMI I HISTORIANIT, TAJAR ZAVALANI:
Në këtë mes fuqitë e mëdha që kishin frikë nga një luftë e përgjithshme urdhëruan Komisionin Ndërkombëtar të Kontrollit të merret vesh me Greqinë. Kështu lindi Protokolli famëkeq i Korfuzit…
Nji pikë që duhet theksue asht se mbas kushteve të protokollit, Shqipnia e Jugut do të ishte formalisht nji pjesë e pandame e Shqipnisë dhe administrata e “Epirit të vetëqeverisun” do të organizohej nga Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit. Qeveria shqiptare do t’emnonte prefektët e nën-prefektët në përpjesëtim me përqindjen e elementit të popullsisë muhamedane e të krishtenë.
Fara që Esad Toptani kishte mbjellë në Shqipninë e Mesme mbasi dorëzoi Shkodrën dhe u kthye në Tiranë ngjalli lëvizjen rebele të Haxhi Qamilit, q’i dha grushtin e vdekjes Shqipnis së pamvarun në vigjilje të Luftës së Parë Botërore.
Këtu hyjmë në fazën ma të ngatërrueme dhe ma pak të ndriçueme të historisë sonë moderne.
(T. Zavalani: “Histori e Shqypnisë”, f. 124)
KAMBER ALI PËRMETI (BËNJA)
Durrësi mori një pamje tjetër dhe lagjja e kalasë, ku vendosa fëmijët, ishte e mbrojtur me mure të hershme shekullore, që rrëfejnë pavdekësinë e tyre, e përkohshmërinë e çdo njeriu në këtë botë.
Me Thomsonin u caktuam të krijojmë mbrojtjen e dy qyteteve bregdetare, Vlorës e Durrësit. Tani rrallë e për mall qëndroj në shtëpi.
Vetëm se më mban gëzimi që po punoj me kolonelin, që i ka shokët e rrallë. Kështu u nisëm për në Korçë dhe u përpoqëm të bëjmë punë të mira prej Elbasanit në prefekturën e Gramshit, ku ka shumë fusha pjellore buzë Devollit, po ngado të vërtitesh, çdo gjë të duket e shkatërruar e mos më keq, në atë mënyrë sa nuk i përfytyron dot gjërat.
Këto qendra kanë mbetur me ndonjë dyqan me mure të rrëzuara, të vetmuar, si nëpër shkretëtira, me konaqe të vjetra e të nxira nga tymi, me hane me dysheqe rreckash, që nuk ka ku t’i zërë as qeni, por koloneli thotë se ka parë edhe me keq në jetën e tij prej ushtari të vjetër, ndaj nuk e humbet asnjëherë toruan Ky shkretim duket se nuk do të marrë fund kurrë. Në këto humbëtira nuk është bërë gjë tjetër, veçse ndërrimi i stafit të sundimtarëve. E megjithatë, personalisht, nuk kam pse të ankohem për fatin, që më solli në udhën e jetës sime njerëz, si Edith Durhami dhe koloneli Thomson.
Zoti deshi të ma hapë këtë portë të madhe, ku gjeta miqtë e vërtetë të mëmëdheut, ndoshta edhe vetëm për kaq, do t’ia vlente jeta ime.
Nuk e harroj rastin, kur koloneli iu përgjigj me rreptësi një diplomati, që i kërkonte privilegje të veçanta nga ato që gëzonin mehmurët në kohën e Dovletit. “Siç duket ju, zotërinj ende nuk e keni kuptuar që Shqipëria është një shtet më vete dhe brenda kufijve të saj, është aq e pavarëshme, sa më i forti shtet i dheut, Shqipëria rron e lirë, dhe do të jetë e lirë, sikur bota të përmbyset”!
ZEJNEL ABEDIN KAMBER PËRMETI (BËNJA)
Kur erdhëm në Durrës zumë një shtëpi në Kala. Babai mendonte se muret e trasha, që rrethonin shtëpinë ku jetonim, do te qenë mbrojtje edhe për ne, sepse ai gjithë kohën ishte në lëvizje me holandezët. Tani gjithnjë e më shpesh kur ikte nga shtëpia me thoshte se, sido që të vinte puna, e dinte që familja ishte në duar të sigurta, meqenëse unë po rritesha çdo ditë dhe mëma ime qe një trimëreshë e vërtetë, nga ato të përrallave, që na tregonte.
Tani që Shqipërisë i erdhi Princi nga Evropa, ashtu si edhe koloneli Thomson, ne si familje duhej të qemë të lumtur, sepse ndodhemi ne krahun e njerëzve, që e donin mëmëdhenë tonë, ndaj duhej të kishim shumë e shumë shpresë, për të ardhmen. Duhet të besonim se do të bëhej gjithnjë mirë e më mirë.
Shtëpia në kala na pëlqente se ishte në kuotën, ku frëngjitë e mureve vështronin gjithnjë nga deti dhe mua me pëlqente shumë deti, sepse dukej i paanë e herë i qetë e i kaltër, si një pasqyrë dhe herë i zemëruar e me dallgë, që përplaseshin me furi dhe në atë çast të dukej se do të përmbysej çdo gjë.
Edhe të gjitha pemët e mbira nëpër rrëpirën e kalasë, shkonin e vinin dhe e puthnin tokën, duke luajtur kështu një valle të egër, sa të dukej sikur do të thyheshin nga çasti në çast, por ato qëndronin e qëndronin aty dhe vetëm sa përkuleshin, por nuk thyheshin asnjëherë.
Shtëpia ishte dykatëshe. Kati i parë qe krejt si një fortesë, ndërsa i dyti, kalonte nëpërmjet disa shkallëve të drunjta dhe të nxirrte në një tarracë, nga dukej çdo anije në horizont, që e fillonte lëvizjen nga porti i vjetër, që e kishte emrin “Porto Romano”.
Ime ëmë u mërzit kur babai u nis me mision, bashkë me kolonelin Thomsonin për në Korçë.
Mua më merrte malli për Korçën dhe shpesh i kujtoja rrugët e saj me kalldrëm, veçanërisht pazarin e hanet, që më dukeshin atëherë, si disa labirinte, ku futeshe e nuk dije nga të dilje.
Dhe Sevastia, që u detyrua ta mbyllte Shkollën e Vashave me të gjithë kujtimet e para të jetës sime, që lidheshin me të dhe me oborrin e saj me plloça, ku luanim derisa ngrysej fare e hija e Moravës bëhej e lëvizshme dhe zinte diell e hënë.
Kur erdhëm në Durrës mbetëm pak të çuditur, sepse qyteti na u duk shumë i madh dhe ishte natë kur hymë nëpër rrugët e tij, ku regëtinin disa dritëza të mekura.
LETËR VËLLAIT NË KOSTANDINOPOJË
I dashur dhe i shtrenjti vëlla Hajdar,
Ne jemi të gjithë mirë. Deshi Zoti, fëmijën i kam në Durrës e janë mirë e të puthin dorën. Po të shkruaj nga Korça, se kemi ardhur këtu me kolonel Thomsonin me një detyrë.
Me të vërtetë ishte një ngjarje që nuk do ta harroj kurrë, takimi që patëm me Esad Pashën.
Kolonel Thomsoni e përballoi sfidën me sukses. (Ishte si të shihje gjarprin sy më sy, duke e ditur që është i helmatisur e megjithatë, të duhet t’i qëndrosh kobrës ballë për ballë).
Vetëm të kishe veshë e të dëgjoje. Vetëm të kishe sy e të mos shikoje, si po luante Mavijeja me fatin tënë. Thomsoni si njeriu me shpirtin më të madh, që kam njohur, ishte krejt i qetë edhe pse e kuptonte fare mirë, se po na urdhëronin të niseshim për në Korçë, jo për të mbrojtur vendin, por për të na hequr qafe
Ishte takimi i Engjëllit me Djallin, e për turpin tënë të përjetshëm, Djalli qe një bashkatdhetari ynë.
A THUA KY DO TË QE MALLKIMI I SHQIPËRISË, TË QEVERISEJ GJITHNJË NGA KY SOJ INTRIGANTËSH E TË PABESËSH?
Po përse?
Përse nuk e dëgjuan të gjithë mëmëdhetarët si iu përgjigj pashës, i cili mendonte se do të gjente te koloneli lodërtarin e një politike pehlivanësh, duke përdorur mjeshtërisht të gjitha llojet e gjuhëve gjarpërore?
Edhe pse e shtinë në ngasje armiqtë e mëmëdheut, pse burgosi dy agjentë të huaj, e filluan ta akuzojnë “se po përzihej në çështjet e brendshme të Shqipërisë” dhe deshën ta dëmtojnë e ta paralizojnë, duke e vënë para alternativës, ja të kërkonte ndjesë ose të hiqte dorë nga misioni në Shqipëri. Thomsoni trim, ndoqi udhën e tretë të ndershme të ushtarit, e iu përgjigj pashës me zë të vendosur:
“Nuk kam ardhur në Shqipëri për të lënë nderin, por jetën”.
Për një çast m’u bë se e gjeta përgjigjen e pyetjes, që ia bëja vetes prej aq kohësh:
“Cili do të qe Abaz Aliu ynë?”
Falënderova Zotin me gjithë shpirt, që ia dërgoi mëmëdheut kolonelin, që mund t’i bëhej prijës në ditët e ZEZA E TË MALLKUARA të Esadit. Nuk e dimë se ç’lojë luhet edhe në kurrizin e Princit të shastisur nga ç’po sheh e ç’po pëson ditë për ditë, Princit aq të pritur e aq të kërkuar nga patriotët, që kanë mijëra dëshira t’i tregojnë botës që edhe ne, si pjesë e lulëzuar e Perandorisë së hershme të Justinianit, që e fortifikoi mrekullisht këtë qytet bregdetar, do të qëndrojmë pranë rrënjëve tona të lashta e nuk do të mbetemi peng i jeniçerëve, as i bandave të injorantëve.
Ne kemi aq vjet që presim të shohim pakëz dritë, e shumë njerëz u bënë qiriri i kësaj drite, që nga Rilindja jonë Kombëtare, që nxori kolosë, si Sulejman Vokshi e Abdyl bej Frashëri.
Cili do të fitojë? Ç’është e shkruar vallë për ne?
O vëllai im i dashur shumë, e di se ç’do të thuash. Atë fjalën e vjetër dhe të urtë: “Ç’të mbjellsh, do të korrësh”, ose më thjesht: “Kur të vijnë mendtë, nuk t’i hanë as qentë”.
Unë mund të të them vetëm, se koloneli është një profesionist me të gjitha virtytet e njeriut të përkryer dhe të papërkulur, që i jep zemrës sime, dritë e shpresë.
Të puth me mall, Kamber
- S.
Në të vërtetë nuk jam krejt i sigurt, nëse do ta dërgoj këtë letër, ndaj po e shkruaj njëherë në ditarin tim”.
ZEJNEL ABEDIN KAMBER PËRMETI (BËNJA)
Babai dëshironte që unë të bëhesha inxhinier, që ta ndërtoja e ta lulëzoja këtë vend, mëmëdheun e shtrenjtë, që tani duket i shkatërruar, i djegur e i sakatuar.
Babai nuk dinte si të më gëzohej, meqenëse isha nxënës shumë i mirë, veçanërisht në vizatim, në matematikë e në gjuhë.
Dhe të them të drejtën ndjehesha shumë i lirshëm, kur vizatoja dhe më dukej se çdo gjë mund ta shprehja më bukur e më saktë në vizatim.
Me gjithë frikën që na zinte kur nisej babai si këtë herë me kolonelin për në Korçë, ne me mëmën e përcillnim me sy nga dritarja e shtëpisë që shihte nga rruga e që ishte, si e blinduar nga që ndodhej në katin e parë të shtëpisë- kala.
Ky qe sekreti ynë imi, i mëmës dhe i Nimetit, se Zakja nuk merrte vesh ende ç’bëhej në këtë dynja, megjithëse mëma e thërriste Zaken, “Fati ynë i mirë”.
Sot në mëngjes mëma na rrëfeu se kishte parë një ëndërr shumë të bukur.
E kishte parë Zaken dhëndër e kjo do të thoshte, që Zakja do të rritej e do të bëhej burrë, e do të kishte edhe fëmijët e tij, që do t’i lindnin në këtë qytet, pra në Durrës. Kështu Durrësi, do ishte qyteti i së ardhmes së Zakes së vogël.
Shumë vite më vonë, (kur ne me të vërtetë ishim vendosur, që të tre (të dy vëllezërit dhe motra e vetme në Durrës), e kujtoja ëndrrën e mëmës sime dhe më vinte çudi, sepse ne banonim në po atë lagje, në anë të Kalasë unë dhe vëllai im i vetëm. Me familjen e Zakes, më ndante vetëm një rrugë, po të dilnim në ballkonet e njëri-tjetrit, mund të përshëndeteshim me dorë. Kështu fati i qe shfaqur në ëndërr gruas së mirë, mëmës sime. Unë atëherë, thuajse nuk shihja ëndrra kurrë, ose shihja, po nuk dija t’i rrëfeja, se nuk i mbaja mend, asnjëherë. Unë isha më i kënaqur me mësuesin tim, që ishte një burrë me flokë shumë të zinj dhe që më thoshte gjithnjë, se do të bëhesha një inxhinier me famë botërore, si Karl Gega.
Sigurisht, as që e dija e as e kisha dëgjuar se cili qe Karl Gega, por mësuesi im, që e kishte bërë shkollën në Shën Dhimitër Korona të arbëreshëve, thoshte se shumë njerëz të shquar kishin dalë nga fisi ynë i madh arbëror. Dhe ndër më të shquarit ishte një poet, që ai e kishte për zemër me emrin De Rada, që ishte një nga themeluesit e kulturës sonë kombëtare.
Pra, ne do të kishim medoemos një kulturë tonën, në të ardhmen, ashtu si edhe shtetin, që do ta ndërtonim vetë, me duart tona. E desha me gjithë shpirt mësuesin tim, që më dukej njeriu më i ditur i botës.
Ai na shpuri në shtëpinë e Isa Boletinit, dhe për herë të parë e pashë nga afër atë burrë, që ishte bërë legjendë e që për të rrëfenin aq trimëri e aq luftëra, se si ishte përballur me gjeneralët më të famshëm të osmanëve dhe i kishte mundur ata.
Mësuesi e quajti “Skënderbe i ditëve tona”. Isa Boletini ishte shtrënguar me tirq të zinj e jelekë të kuq. Ishte i gjatë e i hijshëm, me mustaqe të sapo thinjura e me një gisht të dorës, që i mungonte.
Mësuesi na mësoi edhe një vjershë, që këndohej në Kosovë.
“Serbi don me na farue “
“Me na i mbytë fmijët në djep. “
“Me na i vjerr trimat në plep. “
Gjatë gjithë jetës sime i kam pasur në zemër e në mendje ata burra, që i pashë për herë të parë e të fundit në jetën time.
KAMBER ALI PËRMETI (BËNJA)
Më pëlqeu pa masë si e kishte karakterizuar Toptanasin, një diplomat francez, ndaj po e shënoj në ditarin tim: “Esad Toptani i ngjan shumë jakobinit të shëmtuar francez Zhorzh Fushesë, një pjesëmarrës në revolucionin e madh frëng në fund të shekullit të XVIII-të. Ashtu si ai, është një vrasës për të grumbulluar pasuri, i gatshëm për t’i shërbyer kujtdo “mikut dhe armikut”, për të arritur e për të mbajtur postet e larta. Që të dy e kishin të zhvilluar dinakërinë dhe intrigat në kulm. Njerëzit u trembeshin, pikërisht atëherë, kur ata buzëqeshnin dhe i përqafonin. Çiltërsinë e përbuznin dhe të çiltrit i konsideronin njerëz të trashë. Të dy bashkoheshin edhe me djajtë, vetëm të mbijetonin në bollëk e të fuqishëm. U përngjanin kafshëve që mendojnë të kullosin vetëm në jeshil, si dhe egërsirave, që nuk ngopen së thithuri gjak.
Ishin dy përbindësha, dy tregtarë politikë, që i shiteshin blerësit, që i paguante më shumë.
Ndryshimi ishte se Fusheja kishte qenë seminarist, ndërsa Esad Pasha një injorant dhe analfabet”.
GJYKIM I HISTORIANIT, TAJAR ZAVALANI:
Lëvizja rebele u organizua në Tiranë nga Arif Hiqmet prej Kallkandalenit, i cili punonte për Turqinë. Dy bashkëpunëtorët më të ngushtë nga pikëpamja politike ishin Musa Qazimi dhe Mustafa Ndroqi. Në fazën vendimtare komandant i forcave rebele, ishte Haxhi Qamili. Ndërsa Haxhi Qamili, mbante titullin e komandantit dhe uniformën me xhixhlla, punën e bënin ekspertët ushtarake të ardhur nga viset e huaja. Gjithashtu, financimi dhe furnizimi i lëvizjes rebele bëhej nga Serbia përmes Ohrit. Një fakt tjetër më komprometues për rebelët doli në shesh kur koloneli Philips prej Shkodre, shkoi në Tiranë me i bind që t’i nënshtroheshin Qeverisë së Durrësit ndën Princ Wiedin, tue hjek dorë nga kërkesa për një princ mysliman. Ai u takue më pas me udhëheqës të lëvizjes rebele, prej të cilëve njani iu duk si prift grek, njani si turk i ri, por asnjë shqiptar nuk pa midis tyre.
(T. Z. “Histori e Shqipërisë” f. 127).
SKËNDER LUARASI
Esad Pasha, vegla e verbër e aspiracioneve të huaja, luajti rolin më të rrezikshëm, jo vetëm nga zgjuarsia e tij, por më fort nga fuqia që iu dha në dorë, si Ministër i Punëve të Brendshme dhe i Luftës. Me qëllim i la të keqësohen punërat në Shqipërinë e Jugës, për qejf të Serbisë shkaktoi dhe përkrahu kryengritjen e Harif Hiqmetit, fshehurazi e armatosi popullin e Tiranës me pushkë dhe me topa, që duhej t’i dërgonte në Jug. Kolonel Thomsonin, të cilit ia kishte frikën, e pati dërguar me mision të jashtëzakonshëm. Konspiracioni mori ngjyrë të rrezikshme. Më 18 maj u muar vesh marshimi i kryengritësve. Në Durrës u panë shenja të një grushti shteti. Esad Pasha, për të dobësuar krahun e qeverisë, kërkoi dorëheqjen e komandantit të rezistencës, të Major Slyusit.
E kundërta ngjau. Esad Pasha u rrëzua prej fuqisë, porse forcat e armatosura qenë akoma nën influencën e tij, prandaj Thomsoni i armatosi të paktët nacionalistë, që gjendeshin në kryeqytet. Në mëngjesin e së nesërmes Durrësi u trondit prej topave, që i qenë drejtuar shtëpisë së Esad Pashës. Pas një zjarri të shkurtër në të cilin u vranë dhe u plagosën disa nga trimat e Esad Pashës, ish- ministri u dorëzua dhe u dëbua në Itali, pasi dha fjalën që nuk do të kthehej përsëri në Shqipëri.
Ndërkohë, kryengritësit zunë kodrat e Rashbullit. Më 23 maj ngjau disfata e Shijakut dhe paniku i famshëm në Durrës. Alioti ishte krye-aktori i tragjikomedisë. Pas bisedimeve të kota me rebelët, qeveria vendosi ta shuajë kryengritjen me forcë. Plani u trajtua prej kolonel Thomsonit, i cili u emërua komandant i rezistencës.
(Skënder Luarasi: “Koloneli Thomson”, f. 14. )
PRINCI STRUDZA-Sekretar i Legatës Rumune, Durrës:
(Dorëshkrim i ditarit, i cituar prej J. Swire në “Albania”: “The Rise of a kingdom”)
“Rebelët e organizuar, si forcë ushtarake me Haxhi Qamilin nisën prej Tirane dhe mbërrijnë në Shijak. Princ Wiedi ngarkoi majorin holandez Sluys, të drejtojë mbrojtjen e Durrësit kundër rebelëve. Esad Toptani, duke e ndierë veten të fortë, pasi nuk iu pranua dorëheqja, kundërshton emërimin e majorit Sluys dhe shkoi aq larg sa kërkoi pushimin e tij nga detyra. Majori Sluys takohet privatisht me Princ Wiedin dhe e bind që Esadi është tradhtar. Del nevoja ta arrestojnë, por është rrezik se shpërthen dyfeku, mbasi Esadi ka mjaft njerëz, që e mbrojnë në Durrës. Emërimi i majorit Sluys konfirmohet dhe luftanijet, që presin në liman, porositen të jenë gati të zbarkojnë me ushtri, në rast nevoje. Shtëpia e Esadit rrethohet dhe pasi ai refuzon të dorëzohet, qëllohet me top. Një gjyle bie në dhomën e fjetjes dhe një flamur i bardhë valon në ballkon. Esadi kapet dhe me një roje të fortë shoqërohet në liman, ku e merr në dorëzim kapiteni i kryqëzorit austriak Shigetvar. Mendimi përgjithshëm është që Esadi të merret dhe të nxirret para gjyqit ushtarak. Vetëm baron Alioti i Italisë, shprehet kundër dhe propozon, që ai të transferohet me një luftanije italiane për ta deportuar në Itali, mbasi të nënshkruajë një deklaratë, se nuk do të kthehet më në Shqipëri, pa autorizimin me shkrim të princ Wiedit dhe nuk do të përzihej më në politikën e brendshme ose të jashtme të Shqipërisë. Esadi u dërgua në Romë, ku u prit me nderime nga zyrtarët italianë. Kabineti shqiptar dha dorëheqjen e një qeveri e re u formua nën kryesinë e Turhan Pashës. Në titullarët e dikastereve u panë këto ndryshime: Aqif Pashë Elbasani – Ministër i Luftës, Mithat Frashëri – Ministër i Punëve Botore, të tjerët mbetën, ashtu siç ishin, vetëm Dr. Turtulli u zëvendësua nga Pjetër Poga.
Detashmenti ushtarak që zbriti në tokë nga luftanijet e limanit në lidhje me incidentin e Esad Pashës, vazhdoi të qëndrojë si roje e Pallatit Mbretëror”.
***
…”E vërteta është se çdo iniciativë konstruktive sot në Shqipëri është e destinuar të dështojë. Çdo udhë që të ndjekë njeriu, fqinjët e afërm e të largët, do të bëjnë që të mos t’i dalin në krye. Po të jesh i urtë e i bindur, një lukuni agjentësh të huaj do të bëjnë çmos të të prishin mendjen, derisa të rrëmbesh pushkën e të bësh kryengritje. Armët, pajimet dhe të hollat e kalojnë kufirin për t’i shërbyer qëllimeve shkatërruese, kurse po të duash ti vetë, si atdhetar i ndershëm, të luftosh për kauzën kombëtare asnjeri s’do të të ndjekë, do të gjesh belanë nga të katër anët dhe përpjekja jote, do të dështojë në mes të rrëmujës së përgjithshme…”
ZEJNEL ABEDIN KAMBER PËRMETI (BËNJA)
Ne si fëmijë luanim luftash në kala dhe kur gjetëm një vazo balte, shumë të bukur me vizatime, babai na porositi që të kishim kujdes po të gjenim sende të tjera, t’ia jepnim atij sepse ato ishin antika shumë, shumë të vjetra, ashtu siç qe edhe vetë qyteti i Durrësit, shumë i vjetër, pesë a gjashtë shekuj para epokës së re, pra, ishte një qytet mijëra vjeçar, që nga Epidamnusi i Greqisë e deri te Durakjum i romakëve e deri te kalaja e Komnenëve, e cila ishte një familje fisnikësh shqiptarë me emër, nga e cila kishin dalë personalitete të Perandorisë Bizantine.
Durrësi, nuk qenkësh më pak i njohur se Kostandinopoja, ku jeton xhaxhai ynë.
Asnjeri nuk do ta besonte se në themelet e shtëpisë sonë, do të qe një amfiteatër aq i madh apo një hipodrom, që nga koha e Romës antike.
Këtë e morëm vesh një ditë, pa pritur e pa kujtuar, kur Zakes i rrëshqiti këmba dhe u rrokullis tatëpjetë e ra në një gropë, që ishte shumë e thellë.
Ne u trembëm aq shumë për Zaken e vogël, që ulërinte aty në errësirë e thërriste, deri sa e zgjeruam disi gropën, ku u futa unë dhe e nxora vëllanë.
Aq shumë u llahtarisëm, sa na u duk sikur dikush po na i tërhiqte vëllain nën tokë e Nimeti thërriste pa pushim, aq sa po i merrej fryma:
“Zake, Zake, prit Zake mos lëviz sa të zbresë Zejneli, as mos lëviz, as mos qaj!”
Unë pata përshtypjen se Zakja kish ngecur nën një qemer dhe kjo e kishte shpëtuar që të mos binte deri në fund të gropës, që duhej të ishte shumë e thellë e ndoshta, ishte e mbushur edhe me ujë.
Kur e mendoja se Zakja mund të na kish rënë edhe në pus e nuk do ta gjenim dot kurrë, më ngriheshin leshtë e kokës përpjetë, veçanërisht, kur pashë fytyrën e mëmës sime krejt të bardhë e të ngurosur nga tmerri dhe thirrjen e saj:
“Të falem o Zot! Kush është jetëgjatë, jetëshkurtër nuk bëhet!”
Ishte hera e parë, që e dëgjoja atë klithmë të mëmës.
Aq e aq herë e kam menduar, gjatë jetës sime, sa e vërtetë qe ajo klithmë!
Kur ia rrëfyem babait se ç’na kishte bërë vaki, ai na tha se po të gërmosh në themelet e çdo shtëpie nën këmbët tona në Durrës, do të nxjerrësh një qytet tjetër i groposur nga tërmetet, që kanë rënë dhe nga luftërat, që janë bërë.
Luftëra, pritje e ankthe të gjata me pushime fare të shkurtra, me gëzime të pakta, kështu qe FATI YNË, siç qenë edhe ato çaste të rralla, kur na hynte babai në derën e shtëpisë e ne vraponim të tre e thërrisnim: “BABAI! ERDHI, ERDHI!”
Babai ka një pelë shumë të bukur e të shpejtë dhe më ka premtuar, se kur të vinjë koha e të ketë një mëz, ai do t’ia falë atë të vetmit kalorës, që i beson, i cili qenkësha unë.
Zakja, qysh kur ka marrë këmbët, turret i pari të zërë vend në prehrin e babait.
Nimeti i varet në qafë dhe mëma m’a bën me shenjë, që të mos mërzitem, se tani prehri i babait s’është më për mua, që jam “buri i familjes”.
“Ç’ke ti”, më thotë. “Fëmijët e vegjël janë për në prehër, kurse ti je drita e syve të mi, dhe unë s’jetoj dot pa dritën time të syve”.
Nuk paska gjë më të vështirë, se të jesh fëmijë dhe të jesh edhe burrë njëkohësisht.
Kur zëthi i mëmës, të tingëllon në vesh: “Dritë e syve të babait dhe të mëmës, ne te ty e kemi shpresën!”, çdo gjë bëhet më e lehtë e më e pranueshme.
E di fare mirë, se e kanë shpresën tek unë, sepse i kam dëgjuar kush e di sa herë të bisedojnë se në cilën shkollë do të më shpien.
Po cilado, që përmendet, është larg Shqipërisë.
Dhe mëma thotë: “Jo, jo, jo”.
Dhe ajo “jo”, e thënë me aq qetësi, duket krejtësisht e prerë dhe pa asnjë kundërshtim. Ndërsa babai im, që mund të komandojë gjindërmarinë, është një qengj i butë në shtëpi dhe i thotë mëmës, se çdo gjë do ta pleqërojnë së bashku. Ai nuk do të vendosi kurrë i vetëm për fatin e fëmijëve, madje ai do t’i pyeste edhe ata vetë, pra mua, Nimetin dhe Zaken.
E, kur i dëgjoj si flasin për ne, më vjen për të qarë e mendoj, se sa me fat që jemi, që kemi ata dy njerëz, që na duan, e nuk do të na lënë kurrë të humbasim në këtë botë, që siç duket, është aq e ngatërruar e me shumë të panjohura përpara.
GJYKIM I HISTORIANIT, TAJAR ZAVALANI:
E para qe Kavaja, që e ngriti flamurin e Turqisë. Kundër kësaj qeveria vendosi të dërgojë një fuqi, më 23 maj 1914, të përbërë prej një kompanie xhandarësh dhe vullnetarësh të malësorëve të Shkodrës, që patën ardhur në Durrës për mbrojtjen e Wiedit. Qeveria kombëtare nuk kishte një ushtri të stërvitur për të luftuar kundër rebelizmit që frymëzohej dhe ishte e organizuar me ndihmën e jashtme. Oficerët holandezë porsa kishin filluar të formonin njësitë e gjindërmarisë për të ruajtur qetësinë e brendshme. E vetmja forcë e armatosur, ishin mirditorët e Preng Bib Dodës, kosovarët e Isa Boletinit dhe malësorët e Bajram Currit. Ata ishin mësue të luftonin si grupe të veçueme ndën komandën e prijësve të tyne dhe s’pëlqenin taktikat e luftës moderne. Një pengesë e papritur në luftën e Qeverisë kundër rebelëve ishte BESA e përgjithshme, që u shpreh me rastin e hipjes në fron të Princ Wiedit Mbasi nuk kishin ndonji gjak për të marrë, Malësorët menduen se nuk ka arsye me shtie kundër shqiptarëve të gabuem nga udhëheqës fanatikë si Musa Qazimi me shokë. Nacionalistët me ndërgjegje kombëtare, qi kishin shkue në Durrës nga çdo anë për me e vue vehten në shërbim të qeverisë kombëtare, ishin gati për me u turr kundër çdo armiku të brendshëm e të jashtëm, por mjerisht, nuk çojshin kandar, sepse ishin të pakët në numër. Nji rreze drite në gjith’ atë rrëmujë që nxuerr në shesh anët ma të shëmtueta të politikës dhe të natyrës njerëzore, ishte vetëmohimi i oficerëve holandezë dhe civilëve të huaj, qi simpatizonin kauzën shqiptare derisa me rrezikue dhe në nji rast të vajtueshëm, me sakrifikue jetën për të.
(T. Z. “Histori e Shqipërisë”, f. 127)
DËSHMI TË BASHKËKOHËSIT SEJFI VLLAMASI:
Më 23 maj 1914 mbërrin me ngutësi prej Tirane, Murat e Tefik Toptani, të dy të alarmuar dhe kërkuan ndihmë. Atëherë, qeveria e ndryshoi planin dhe nën komandën e kapitenit Sarr, nisi një kompani xhandarësh me toger Bajram Fevzinë në krye të vullnetarëve malësorë dhe 20-30 vullnetarë nacionalistë bashkë me Reuf Ficon, nënprefektin e Tiranës, niset mbas mesnate dhe bën një pushim në Shijak. Në mëngjes malësorët refuzuan të nisen Ata thanë se kanë ardhur të mbrojnë Wiedin e jo të luftojnë shoq me shoq, dhe u kthyen në Durrës. Atëherë, kapiten Xhavit Leskoviku, lajmëroi kapiten Sarrin, që të ktheheshin për në Durrës, mbasi me një fuqi kaq të vogël, s’mund të niseshin për në Tiranë. Sarri insistoi, po më në fund, pyetën komandën me një telegram urgjent në Durrës. Ky telegram ra në dorë të gjeneral Deverit dhe jo të kolonel Thomsonit, i cili dha urdhër për nisje. Fuqia u nis, po prej katundit në kodër, në të majtë të Shijakut, krisi lufta dhe për pak kohë u shkëmbyen zjarre nga të gjitha anët. Fuqia qeveritare tërhiqet në kodër, në të djathtë të rrugës dhe shtrëngohet të kthehet në Shijak, ku shumica e xhandarëve hyjnë në atë godinë qeveritare prej plitharësh dhe pjesa tjetër në shkollë. Lufta filloi dhe disa xhandarë u vranë nga plumbat që përshkonin plitharët e mureve të ndërtesës, Kapiten Xhavit Leskoviku, shtatmadhori, e këshilloi Sarrin, që në tërheqje sipër, të mos qëndronin në Shijak, por të zinin Rrashbullin për të evituar rrethimin, por Sarri, që nuk e njihte vendin dhe zakonet e popullit, nuk e dëgjoi. Atëherë, forcat qeveritare u dorëzuan, por edhe shijakasit më vonë u penduan dhe për t’iu shmangur përgjegjësisë eventuale, thanë se qeveria ka prishur BESËN.
Kapiten Xhavit Leskoviku u përgjigj: “Sido që u bë, ne do të nxjerrim një dekret faljeje prej Wiedit e çështja të mbyllet me kaq”.
Sarri shkoi në Durrës dhe e mori dekretin, po mjerisht u kthye vonë. Shijakasit e zunë Rrashbullim para se ta zinin vullnetarët nacionaliste me te cilët kam qenë edhe vetë. Komandanti i kësaj force, që përbëhej prej 50-60 vetash që kapiten Meleq Frashëri, i cili e këshilloi gjeneral Dewerin, duke i thënë se nuk mund të sulmohej Rrashbulli me një fuqi aq të vogël dhe pa një përgatitje ushtarake. Gjenerali holandez, që nga çdo pikëpamje, s’ka qenë në nivelin e lartë të misionit të tij, nuk e pranoi dhe urdhëroi që të fillonte sulmi më 23 maj 1914. Meleqi, i hipur kalit, së bashku me vullnetarët, sulmoi drejt rrugës, në të dy krahët e saj. Meleqi u plagos dhe u vranë 13 vetë nga vullnetarët, midis të cilëve Ceno Sharra dhe Haki Glina. Një pjesë e vullnetarëve ranë rob dhe pjesa tjetër u tërhoq drejt Durrësit.
Me disfatën e plotë të vullnetarëve, rruga e Durrësit mbeti e hapur për rebelët. Durrësi në panik, priste ardhjen e tyre dhe princ Wiedi bashkë me Qeverinë e një shumicë personalitetesh u futën në vapor.
Wiedi dërgoi Mehmet Pashë Drallën me një flamur të bardhë për armëpushim. Lufta vetiu kishte pushuar, por rebelët nuk ditën të përfitonin nga fitorja e papritur.
Një pjesë e kryengritësve kavajas shkuan në Shijak, duke i rënë borisë dhe u bënë shkak të prishej marrëveshja dhe të mbeten pa u liruar robërit e luftës.
Kur kapiten Sarri mbajti një fjalim përpara tyre dhe në mbarim të tij thirri: “Rroftë Shqipëria!”, ata u përgjigjën: “Rroftë Baba Dovleti!”
Më vonë mbërriti në Shijak Komisioni i Kontrollit, ku delegati i Austrisë, August Krali, gjeneral dhe konsull, u mbajti një fjalim në gjuhën shqipe kryengritësve.
Robërit u liruan. Koloneli Thomson u informua mirë mbi zhvillimin e ngjarjeve dhe e disaprovoi urdhrin e Dewenit për të nisur trupat në Tiranë. Pastaj kërkoi nga qeveria shqiptare, që të zgjedhë njërin prej të dyve, për komandant. Qeveria zgjodhi kolonel Thomsonin dhe e lajmëroi qeverinë holandeze për sa u tha më lart, e cila thirri Dewerin.
KAMBER ALI PËRMETI (BËNJA)
“DITË QË NUK HARROHEN SA TË JETË JETA E NJERIUT”.
Durrës, 15 qershor 1914
Isha edhe unë një dëshmitar i ngjarjeve që po rrokulliseshin me një shpejtësi të rrufeshme, sikur toka nën këmbët tona të ishte e minuar. Përpiqesha ta mbysja dëshpërimin me një ngërdheshje, që të mos dukesha si ata që ndjellin zi, e Zoti t’i falë, nuk e shohin veçse me sytë e natës çdo gjë.
Thomsoni përgatiti vijën e mbrojtjes. Koloneli erdhi me zemrën e pastër të njeriut që në përtëritjen e një Kombi ndjen lumturinë e vet më të thellë.
E DREJTA E KOLONELIT fitoi mbi paaftësinë njerëzve, që vijnë sa për të bërë detyrën, po edhe atë nuk e bëjnë siç duhet, pra e rrogëtarëve të çdo kohe e të çdo vendi.
Gjatë këtyre muajve, pra qysh nga dita e parë që u takuam në Vlorë, më 10 nëntor 1913 e deri sot, thuajse nuk jemi ndarë nga njëri-tjetri.
Jam me të vërtetë fatlumtur, që kam provuar shijen e miqësisë së njeriut shpirtmadh e fjalë-ëmbël e burrërinë e atij, që e ka brenda vetes fisnikërinë e mbajtjen e fjalës së dhënë në të. Neve, të gjindërmarisë, na ndihmoi të ndërtojmë një gjindërmari, që e di detyrën e na ushtroi ditë për ditë. Për djemurinë, që duan të ndjekin një shembull të bukur, ai u bë një atë i denjë.
***
Thomsoni na thirri në shtabin e luftës dhe caktoi planin e saj. Sulmi do të niste nga të katër anët. Në Durrës janë 1000 luftëtarë. Ne ishim 400 mirditasit e Preng Bib Dodës, që do të marshojmë nga Lindja dhe 800 gjindarmë, që sapo i sollëm nga Jugu në Qafën e Thanës e të Kërrabës. Kështu, duke i rrethuar në një darë, do t’i detyrojmë të dorëzohen. Vija e mbrojtjes do të fillonte nga Ura e Dajlanit e deri te Bishti i Pallës.
Kur ika nga shtëpia ende pa gdhirë, fëmijët i lashë në gjumë, Emineja më përcolli e heshtur dhe pa dhënë shenjë se frikësohej, si gjithnjë, vetëm nga zbehtësia e fytyrës dhe shtrëngimi i duarve, që e kishte zakon kur ishte e shqetësuar, mund ta kuptoja se mezi po e mbante veten. Megjithatë, më tha: “Në dorën e Zotit jemi të gjithë.”
Në dorën e Zotit jemi të gjithë vërtet, po shqiptarët po thërresin në Tiranë: “Rroftë baba Dovleti!” dhe zoti Alioti po mbron tradhtarin e mëmëdheut, ndërsa ne duhet të vritemi me njëri-tjetrin, siç duket për të hequr gështenjat nga zjarri e disa zotërinjve, që luajnë me fatin e popujve të vegjël dhe fanatikët, të cilët s’bëjnë gjë tjetër veç vrasjes së vetvetes. Shpresonim që me një dorë të fortë, ta shtypnim kryengritjen, por ndodhi e kundërta. Preng Bibë Doda u kandis prej agjentëve të huaj, që të mos marrë pjesë në luftë.
Gjindarmët u ndaluan në Shkumbin prej Lalë Dervishit. Veç kësaj, tradhtia ua shpuri planin në vesh kryengritësve. Sinjalet me dritë luajtën edhe këtë radhë rolin e tyre të fshehtë. Në agimin e ditës së sotme afro 3000 bujq të organizuar prej oficerëve turq të Esad Pashës rrethuan kryeqytetin. Kryengritësit sulmuan nga Bishti i Pallës me 500-600 shijakas dhe nga ana e Urës së Dajlanit, së bashku me kavajas të komanduar nga Sheh Hamdi bej Rubjeka, arritën të kapërcejnë kënetën dhe zunë brigjet nga ana e Porto Romanos. 800 veta u ndalën në sheshim e zunë urën, të tjerët u fshehën nëpër zhugat rrëzë udhës së Kavajës.
Kolonel Thomsoni e zbuloi rrezikun dhe urdhëroi që me shpejtësi, të merrnim të paktën Durrësin në duart tona. Kështu mund të pakësonim rrezikun e parë.
Në orën 3:30, ende pa gdhirë muzgu i asaj dite që po vinte për ne, të gjithë ditën me kosën e vdekjes në dorë, zbatuam planin e kolonelit tonë, pra spastruam qytetin, shpëtuam magazinat e municioneve dhe iu drejtuam rrugës së ngushtë për të dalë tek ura, që të kapnim kodrat e Rashbullit. Koloneli urdhëroi të fillonim sulmin për të hapur udhën. Kështu u gjendem nën piskun e zjarrit të batareve, që nuk pushonin për asnjë çast, të cilat i përballuam e kaluam në Gazhane, për të kontrolluar luftën. Nuk po e merrnim vesh se nga na vinin plumbat, vetëm kur një xhandari ynë kurveleshas e diktoi pikën e zjarrit dhe ne të gjithë, o burra me një breshëri të paprerë, sulmuam.
Koloneli që ishte në ballë, u plagos bashkë me Ajdin Dragën. Vijuam sulmin nën zjarrin e plumbave dhe kur erdhëm në Gazhane dhe pamë kurveleshasin tonë të vrarë, njëkohësisht zbuluam se cili kishte qenë ai, që na plagosi kolonelin. Ishte një kavajas, që siç duket, e pati kaluar Urën e Dajlanit tinëzisht, nëpër det, më pas i qe afruar një shkoze dhe qëlloi mbi kolonel Thomsonin.
Gjithçka ndodhi me një shpejtësi të rrufeshme, ashtu siç ishte edhe ajo gjëmë.
E pashë kolonelin tim, që pasi eci disa çape prapa, ia dorëzoi komandën Major Kronit dhe i mbështetur në krahët e bashkatdhetarit të tij, Roelfsemma, dha shpirt.
NUK E BESOJA SE DO TË MË BINTE MUA RASTËSIA TA JETOJA KËTË ÇAST KAQ TË RËNDË, KUR TË VJEN TURP QË JE SHQIPTAR, KUR TË VJEN TË ULËRISH E TË MARRËSH MALET ME KUJE.
Një bashkatdhetar i çmendur, një fanatik i tërbuar, një skllav i shitur tek armiqtë e KOMBIT TË VET , na e shtriu përdhe burrin më të madh, që kam njohur deri tani.
Ditë e zezë sterrë, kur furia e urrejtjes nuk mund të ndalej. U vërsulëm mbi ata bashkatdhetarë, që na e vranë njeriun që e deshi Shqipërinë, si Holandën e tij…
MALLKIM, MALLKIM, 100 herë MALLKIM!
Unë u gjunjëzova para trupit pa jetë dhe qava me zë të lartë e nuk e di përse m’u duk se humba një pjesë të shpirtit e të jetës sime bashkë me mikun tim të shtrenjtë, që e deshi mëmëdheun tënë me zjarrin e pastër të zemrës. Shpresonte të na ndihmonte që të zhduknim prapambetjen e shekujve të humbur nën errësirën Otomane. Aq shumë deshi ta ndihmonte këtë popull të vogël e të përçmuar nga të gjithë, ndoshta më shumë se te gjithë, nga e keqja që po e gërryente përbrenda, duke ia mbrojtur të drejtat përpara sulmeve të armiqve të fortë e ngadhënjyes.
Ai nuk erdhi këtu vetëm për të organizuar gjindarmërinë dhe administratën. AI ERDHI NË SHQIPËRI PËR TË ZHDUKUR KAOSIN, PËR TË VENDOSUR RREGULLIN, PËR TË NDËRTUAR NJË SHTET DHE U BË THEROR PËR NE . AI U BË FRYMËZMI I FITORES PËR NE.
Ne i mundëm kundërshtarët. Sheh Hamdiu u plagos dhe u shpu në spitalin e Durrësit, ndërsa patriotëve u vinte t’i vinin thonjtë në grykë!
Po sa para bën?
ASKURRË DHE ASGJË NUK DO TA LANTE KËTË TURP, NË JETË TË JETËVE!
GJYKIMI I HISTORIANIT, TAJAR ZAVALANI:
Në këtë gjendje kritike Alioti kishte marrëveshje sekrete me forcat antiqeveritare dhe bëri propagandë disfatiste. Në luftën diplomatike Itali kundër Austro-Hungarisë dolën fitues italianët dhe princ Wiedi ishte praktikisht rob në duart e tyre. Princi u këshillua të bëjë armëpushim me rebelët për të fituar kohë ,që të grumbullonte forcat nacionaliste anë e mbanë Shqipnisë. Pozita e Durrësit dukej disi e përmirësuar me kthimin e luftanijeve. Ishte rasti t’i jepej grushti i vdekjes lëvizjes së rebelëve me një ofensivë me qendër Tiranën. Mjerisht kjo nuk u bë.
Forcat nacionaliste, sado të pakta në numër e mbrojtën kryeqytetin e Shqipnis së pavarun me guxim të pathyeshëm dhe rebelet u zmbrapsën tue lanë më shumë se 200 të vrarë. Nga ana e mbrojtësve përveç 50 shqiptarëve mbeti i vrarë Koloneli Thomson, i cili ishte bërë shpirti i rezistencës kundër rebelëve. Kjo është një njollë e zezë për traditën e mikpritjes shqiptare. Kolonel Thomsonin e vajtoi i tanë kombi, bile edhe rebelët vetë morën leje të dërgonin një përfaqësues të tyre në varrimin e holandezit trim, që dha jetën për kauzën shqiptare.
Monumenti i Kolonel Thomsonit në Durrës, dëshmon se Kombi ynë e ka dënuar këtë krim kundër një miku të huaj, tue dënue njëkohësisht, lëvizjen antikombëtare që e shkaktoi.
***
Pas disfatës që pësuan në Durrës, rebelët pranuan armëpushimin.
Koloneli Philips erdhi nga Shkodra për të bërë paqe me krahinat e sunduara nga rebelët.
Kur panë se Durrësi nuk mund të zaptohej, me gjithë ndihmën e agjentëve të Italisë e të Serbisë, që kishin mbërritur në qytet, armiqtë e huej drejtuen sulmet e rebelëve kundër viseve të tjera të Shqipërisë. Forcat rebele përparuan drejt Jugut tue dalë në Berat, Pogradec dhe shkuan deri në Korçë.
Aty u zhvillue akti i fundit dhe ma i përgjakur i tragjedisë së Shqipënisë Jugore.
Qeveria greke përfitoi nga anarkia për të dërgue ushtri të rregullt me zaptue Korçën, Përmetin, Tepelenën. Me urdhër të qeverisë greke u krye një masakrim i organizuem i shqiptarëve qi nuk i nënshtroheshin sundimit grek.
Në Dhomën e Komunave, miku i Shqipënisë, koloneli Herbert, lexoi letrën, që kishte nga një dëshmues filogrek, i cili shkruante: “Vajtimi i grave dhe ulërimat e fëmijëve dhe të foshnjave në gji të nanave, asht gjaja ma e tmerrshme qi kam pa, dhe unë kam pa plot llahtarë në jetën time. Nji nga këta tmerre u zhvillue në kishën e Hormovës, ku ishin mbyllur njëqind shqiptarë të çdo moshe dhe çdo seksi, të cilët u vranë me plumbat e andarëve që shtinin nga çatia e kishës.
Sa për qëndrimin pasiv dhe indiferent të fuqive europiane përballë këtij krimi kundër njerëzimit, nuk ashtë nevoja me e zgjat ma tepër. Ai asht nji episod i turpshëm ndër shumë të tjerë që e justifikon plotësisht akuzën e randë të Gjergj Fishtës.
Kupa e helmit për nacionalistët shqiptarë u mbush, kur Ismail Qemali u kthye në Shqipëri, pikërisht ndërsa po luhej akti i fundit i dramës shqiptare. Tue ardhë nga Zvicra, ai u ndal në Romë dhe u takue me ministrin e Jashtëm italian, San Giuliano. Ata së bashku kishin hartuar nji plan për të zbërthyer njëherë e mirë çështjen shqiptare. Mbasi zbriti në Vlonë, Ismail Qemali shkoi në Durrës, i shoqënuem nga paria e atij qyteti.
U mblodh kabineti ndën kryesinë e Princ WIEDI T për të ndigjue hollësirat e planit shpëtimtar.
Thelbi i projektit ishte qi Shqipnija të ndahej në tre kantone të vetëqeverisur, simbas modelit zviceran. Princ Wiedi duhej të largohej, kabineti duhet të jepte dorëheqjen dhe Shqipëria duhet të qeverisej nga Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit.
Princ Wiedi, bashkë me të gjithë ata qi u ndodhën në atë mbledhje, tue përfshi edhe Isa Boletinin, e hudhën poshtë me zemërim planin e Ismail Qemalit. Kur pa se nuk i ndezi, ai u kthye në Vlonë dhe formoi Komitetin e Shpëtimit Kombëtar, së bashku me disa vlonjatë dhe disa refugjatë nga Shqipënia e Jugut. Komiteti u drejtoi nji shkresë fuqive të mëdha tue kërkue qi Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit të autorizohej me e marrë qeverinë në dorë dhe me u instalue në Vlonën e caktuar, si kryeqytet.
Me e ba Shqipninë, Zvicrën e Ballkanit, kishte qenë andrra e pionierëve të Rilindjes Kombëtare. Po me krijue tre kantone autonome, në rrethanat e verës së 1914-s nuk ishte gjë tjetër, veçse me krijue tri zona influence, austriake në Veri, italiane në Qendër dhe greke në Jug. Prandaj nuk asht çudi qi plani i Ismail Qemalit u kritikue ashpër nga opinioni nacionalist shqiptar dhe ma në fund, autori u detyrue të shkonte në Itali, ku vdiq në vitin 1918.
Për të shlye çdo acarim ndjenjash mbas këtij episodi të vajtueshëm Princ Wiedi shkoi tinës me vizitue Vlonën, ku u prit me shumë entuziasmë. Delegatët e qytetit dhe të refugjatëve nga viset e okupuese, iu lutën qi të kujdesej për fatin e tyre. Porsa u kthye në Durrës Princ Wiedi mblodhi përfaqësuesit e fuqive të mëdha tue i porositë të bajnë demarshe pranë qeverive të tyne qi të përmbushin detyrimet, qi kishin marrë kundrejt Shqipnis dhe kundrejt tij personalisht, por fuqitë e mëdha nuk kishin ndërmend me u marrë me çështjen, shqiptare, veçse për të ba intriga kundër njëra-tjetrës. Ato ishin tue zanë pozita në parashikim të luftës së përgjithshme, që pritej të shpërthente fatalisht mbas vrasjes në Sarajeve të Arkidukës Franc Ferdinandit, i cili ra viktimë e një organizate terroriste serbe.
Durrësi u ba, si vapori qi po mbytej. Rebelët e kishin rrethue dhe gati izolue nga kusuri i Shqipnis. Fuqitë e mëdha, me përjashtim të Italisë, tërhoqën luftanijet e tyre nga limani. Hasan Prishtina e Isa Boletini, banin plane për të fillue kryengritjen ne Kosovë, Italia donte të shkëpuste koncesione, tue përfitue nga kriza financiare e qeverisë kombëtare. Austro-Hungaria orvatej me e shtye Princ Wiedin t’i shpallte luftë Serbisë, me gjithë qi ambasadori i saj në Londër, kishte votuar për NEUTRALITETIN.
Misioni ushtarak Holandez u largua nga Durrësi, ku të huajt po bëheshin gjithnjë e më të rrallë.
Edhe Princi u kthye në vendin e tij më 3 shtator 1914.
(T. Z. “Histori e Shqipërisë”)
Gruaja ime më la për një burrë tjetër dhe unë isha zemërthyer dhe i shkatërruar. Por në një ditë të mirë po lëvizja nëpër internet kur pashë një zonjë që dëshmonte se si DR Gideon e ndihmoi atë, kështu që vendosa ta kontaktoja për ndihmë dhe ai më ndihmoi të rivendosja marrëdhënien time të prishur dhe tani gruaja ime është kthyer dhe ajo më do shumë më tepër se sa mund ta imagjinoj ndonjëherë. Nëse jeni duke kaluar nëpër situata të ngjashme edhe nëse dëshironi të mbeteni shtatzënë. ose kuruar sëmundje.
Fito lotari.
Win Curt case.
Bëni një hakmarrje mos hezitoni, kontaktoni Dr Gideon nëse keni nevojë për ndonjë lloj ndihme kontaktoni DR GIDEON në Whatsapp: +2347042191323
Email: [email protected]