Nga Lek Pervizi
Memorie.al / Siç e kemi thanë, Valentini, do t’ishte një shoqnues i gjithë ngjarjeve që ndodhën në burgjet e Shkodrës, nga 1944-a deri në vitin 1946, ku qëndroi dy vjet i padënuem, duke pritë e përcjellë, me dhjetëra e qindra qytetarë e malësorë të ndershëm e të pafajshëm që, torturoheshin, pushkatoheshin ose dënoheshin me burg, sipas vendimeve të gjyqeve speciale ose, gjyqeve të popullit.
Në ato ditë, u mor vesh se kishin arrestue shumë njerëz, ma të shumtit klerikë katolikë, që gjoja paskëshin krijue një organizatë subversive, kundër evolucionare. E hapën lajmin se u ishin gjetë një sasi e madhe armësh e municionesh të fshehura nën lterët të Kishës së Madhe, fakt që do të kishte randue gjendjen e të arrestuarve. Sigurisht se, për të burgosurit që ma shumë se kushdo tjetër, i njihnin metodat e veprimet e komunistëve, këto lajme që vinin nga jashtë, ishin krejtësisht të pabesueshme.
Por “masa“ i besonte, pra nji pjesë e mirë e popullit. Këto ngjarje të reja u shërbenin për të gjallnue bisedat e tyre. Nuk kaloi shumë kohë dhe u muar vesh se, i ashtuquajturi Gjyq Special, do t’i hapte përsëri dyert në kinemanë “Rozafat“, pas një muaj pushim. Kësaj radhe, ishte fjala për Klerin Katolik dhe të tjerë, që do të implikoheshin në atë proces. Filluan seancat ku, do të gjykoheshin nja njëzet vetë, ndër ta dy misionarë italianë, At Gjon Fausti e At Jak Gardini, dhe shqiptarët At Gjon Shllaku, At Daniel Dajani, etje.
Italianët jetonin në Shqipni prej shumë vjetësh, dhe jepnin mësim në Liceun e Jezuitëve të Shkodrës. Të tjerët i përkisnin Klerit Katolik Shqiptar, ma e shumta e tyre gjakoj e ndonjë laik. Si zhvillohej procesi gjyqësor tashmë dinë të gjithë. Po e njëjta histori: Akuza të shpikura këmbë e krye, të cilave u shtoheshin deklaratat false, të dëshmitarëve të rremë.
Në fund të javës, përfundonte gjithçka me ma tepër se gjashtë dënime me vdekje dhe me dënime të rënda me burg, të të tjerëve. Të dy misionarët që ishin me të vërtetë njerëz të shenjtë, u dënuan me vdekje, bashkë me dy priftë shqiptarë.
Nuk kaloi shumë dhe i çuan e i pushkatuan me gëzimin e madhe të “masës popullore”, siç e quanin atë grup njerëzish, të dehun nga propaganda komuniste që, i konsideronte ato të dënuam të shkretë, si prototipat e kriminalitetit. Deri në atë gjendje ishte katandisë populli! Por merita kryesore për atë arritje fatzezë i takonte udhëheqësit të regjimit, dhe pikërisht djallit vetë Enver Hoxhës, i cili deri në thellësi të mendjes së tij përverse ushqehej me urrejtje të tillë sa që duke mos pasë mundësi me i shfarosë të gjithë katolikët ai, do të shpallte ateizmin shtetëror, megjithëse ai vetë ishte bir i një hoxhe, siç ishte Stalini, bir i nji prifti.
Babë Stalini, me të birin Enver, nuk mund të mos ushqeheshin nga të njëjtat ndjenja kriminale e, sadizëm gjakatar. Si me veprue ndryshe? Shumë thjeshtë: për me eliminua për gjithmonë fenë katolike, i duhej të sakrifikonte fenë e tij dhe atë ortodokse, një far shëmbëllimi me Sansonin me Filistejtë. Por për një vendim të tillë, nuk ishte koha e përshtatshme, atë vendim djallëzor, do ta linte për ma vonë.
Menjëherë pas të ashtuquajturit, zhdukje të asaj organizate subversive të “armatosun”, që paskej qenë e udhëhequr nga ato të dy misionarët italianë tetëdhjetëvjeçar, i erdhi radha një grupi tjetër të burgosurish politikë, ndër të cilët ishte dhe një ish- agjent famëkeq, i Sigurimit, që quhej Pierin Kçira.
Salla e kinemasë, ishte mbushë plot e përplot me popull, që dallohej për zhurmën e madhe, i gatshëm me himnizue “idhullin” e tyre, të cilit duke bërtit si të marrë, i falnin vjet nga jeta e tyre. Një masë e egërsuarë që nuk përtonte me përplas këmbët mbi dyshemenë, duke kërkua me thirrje ritmike, dënimin me vdekje të të gjithë të pandehurve.
Por kësaj radhe, të pranishmit nuk mund të përfytyronin se çfarë do të ndodhte me grupin e të pandehurve të rij. Kur erdhi radha e Pierin Kçirës, ky ishte çue dhe ishte afrue befasisht te mikrofoni, ku me një zë bumbullues e të qartë deklaroi, pa qenë i lejuam të flasë, pra shpejt e shpejt, që mos vallë e pengonin dhe ia hiqnin mikrofonin.
-Popull i Shkodrës, Kleri Katolik, nuk asht aspak fajtor për veprime kundër shtetit, prandaj procesi i tyre, ka qenë vetëm një kurdisje. Ata janë krejtësisht të pafajshëm. Armët që u gjetën nën lter, i kam vendosë unë vetë, me duart e mija, me urdhër të krerëve të Partisë dhe të Sigurimit.
Pjerini, përfundoi duke deklarua se, e gjithë kjo, ishte kurdisë për të eliminua Klerin Katolik dhe botën katolike shqiptare. Pierini, arriti të flasë aq shpejt, sa që kur policët mbërritën aty për të hequr mikrofonin, ai e kishte mbaruar fjalimin. U ul krejt i kënaqur mbi stolin e tij, sepse tashmë e ndiente veten të liruam, nga ajo peshë e rëndë, që shpirti i tij ishte dashtë të duronte, deri në ato çaste.
Prandaj e ndjente veten të gatshëm, me u paraqitë para Zotit, me ndërgjegje të pastër. Ai e dinte shumë mirë se, së shpejti ai, do të nisej për në botën tjetër. E pushkatuan bashkë me disa të tjerë, Episodi i Pierinit, ra si një bombë e vërtetë e papritur, që e tërboi së tepërmi kreun e regjimit. Ai incident, duhej të mos kishte ndodhur. Disa njerëz të Sigurimit e hëngrën për këtë pakujdesi të madhe, që demaskonte vetë sistemin bolshevik, që kishte mbërthye Shqipnin, në kthetrat e terrorit.
Pas fjalës së Pierin Kçirës, në gjithë sallën ra nji heshtje e madhe, sa nuk ndjehej fluturimi i mizës. Por pastaj, filloj përsëri poterja, me britma shurdhuese, të drejtuam kundër atij njeriu, që kishte pasë atë guxim të madh, për të ia përplasë e demaskua publikisht, poshtërsitë e gjykatave, që ishin prova ma e gjallë e padrejtësive, mashtrimeve e falsifikimeve, ma të dënueshme, që mund të përfytyroheshin dhe që e karakterizonin sistemin komunist, që bota perëndimore, nuk arrinte të njihte e të kuptonte.
Mjerisht kështu funksionoi gjatë 47 vjetëve, drejtësia e padrejtë dhe false e atij regjimi. Edhe të pandehurit e kësaj seance gjyqësore morën dënime të rënda.
Kur grupi i të dënuemve doli jashtë i përciellur nga policia, mbi to u lëshue masa, për me i mbyt me duart e saj, veçanërisht kundër Pierinit, por policia nuk i lejoi. Pra, ato njerëz ishte të bindur, se Pierini, kishte bë deklarata false, aq ishin te dehur nga propaganda Partisë Komuniste, që gjente në to tokën pjellore, për të hedhur farën e keqe të saj.
Edhe ky grup e pagoi me gjashtë të pushkatuar, ndër ta Pierin Kçira, që e tregoi veten se ishte burrë trim e i vendosur si një shqiptar i vërtetë. I gënjyem dhe i lidhur me Partinë e Sigurimin, këta e kishin përdorë, për të kurdisë planin e armëve të fshehura në kishë. Por, pas gjyqit të misionarëve italianë e priftëve shqiptar, që pastaj u pushkatuan, Pierini e kuptoi se, kishte hy në rrugë të gabueme, duke u bë shërbëtor i djallit.
Kështu, duke mos e tregue veten për asnjë çast, karshi Sigurimit, se ishte i aftë për gjeste trimërie e vetëmohimi, priti daljen në gjyq, për të shfajsue veten, duke thanë të vërtetën para popullit Shkodran e, për të demaskue kurdisjet e poshtërsitë e një regjimi, që e mbante pushtetin për të bë krime mbi krime të ligjerueme, gjoja me gjykata e prokurori, të gjithë në shërbim të terrorit e, të kriminalitetit të një udhëheqësi psikopat e pervers. Mjerë Shqipnia e mjerë shqiptarët!
Llesh Marashi
Në një pasdite, ndërsa të gjithë ishin të shtrimë, duke u marrë me mendimet e tyre, nga jashtë erdhi nji zhurmë zanash e britmash, që hynte nga dritarja e vogël nalt mbi faqen e murit.
Valentini vendosi me pa, e duke hipë me këmbë mbi kurrizin e një shokut, mundi me dallue një turmë të madhe, ma shumë ish- partizanë e partizane, që vinin rrugës me shumë popull mbrapa, duke shoqërue dy njerëz të lidhur, të mëdhenj e mjekrosh, sigurisht malësorë, të arratisur të malit, që i kishin kapë.
Ato dalloheshin mbi gjithë të tjerët, për nga shtatnaltësia dhe ishin të ruejtur nga njerëz të Sigurimit të armatosur deri në dhëmbë. Sigurisht do t’ishin njerëz të rëndësishëm, për deri sa ishte grumbulle gjithë ai popull rreth tyre, duke britë e sha, e duke i thur lavde partisë, qeverisë e diktatorit. Rruga bënte kthesë dhe turma mori drejtim andej dhe u zhduk. Valentini zbriti. Kush do t’ishin ato të dy malësorë e si me e marrë vesh?
Për mos me ra në sy të spiunëve, Valentini, porositi një nga shokët e tjerë, të pyeste kushërinin e Remzisë, që bënte shërbim aty. Morën vesh se ishte fjala për major Llesh Marashin dhe një t’afërt të tij, që i kishin kapë atë mëngjes, pas një luftimi të shkurtën afër Koplikut.
Llesh Marashi, siç dihet ishte ai që andej nga mesi i dhjetorit 1944, kryesoj kryengritjen dhe sulmin ndaj Koplikut, 7 km. larg nga Shkodra, me qëllim pastaj, me i ra Shkodrës. Me shpresë se do të çoheshin edhe krahinat e tjera përreth, gjë që nuk ndodhi dhe kryengritja dështoi.
Lleshi me të vetët, u detyruan të fshiheshin përsëri në malet e tyre, të ndjekur nga forca të shumta komuniste, të dërgueme drejt nga Tirana, për t’i asgjësue, nën komandën e Mehmet Shehut super krimineli i dytë, pas Enverit. Siç e kemi thane, ai vendosi një shtetrrethim pesë ditor në Shkodër, ku u arrestue me mija vetë, dhe pati pushkatime të shumta pa gjyq.
Valentini vetë, e kishte pësue duke u arrestue e burgosë e, duke e lanë gruan italiane fillikat e vetëm, sepse e gjithë familja e tij, gjendej e fshehur në malet e Kurbinit.
Ma vonë ata morën vesh se, Llesh Marashi me nipin, Rrok Kanti, dhe kushrinin Pjetër Bajraktari, që rrinin fshehur prej gati një vit e gjysmë në një shpellë, në një faqe të një mali shkëmbor, mjaft e zorshme me u diktue dhe arrit.
Furnizoheshin me ushqime nga njerëz shumë besnikë që, kur afrohesh, lëshonin zë kafshës së pyllit. Shumë rallë dilte ndonjëherë i nipi, Rrok Kanti, për kontroll, një e ri i pashëm, i fuqishëm dhe shumë i zhdërvjelltë, që ishte shque në luftime kundër forcave komuniste.
Shpella ishte në një vend të fshehtë shumë të sigurt, që as që mendohej se mund të zbulohej. Por, me sa duket ndonjë spiun. do të ketë vërejt lëvizjet e njerëzve që çonin ushqime, sado që ato mundoheshin mos me ra në sy.
Kur forcat e Sigurimit e rrethuan vendin, komandanti kishte kërkue dorëzimin e tyre, por në atë çast, nipi i Lleshit, Rroku, ishte lëshue pas një shkëmbi e, kishte fillue pushkën. Në të shtënat e para, mbetën të plagosur dy ushtarakë e megjithëse Lleshi, i thërriste nipit, Rrok Kantit, që të pushonte zjarrin, ai nuk donte të ia dinte dhe vazhdonte me luftue, me trimri të pashoqe.
Por rrethimi, sa vinte e shtrëngohej ma tepër dhe Rroku e pa se i kishin mbet pak fishekë, atëhere mori vendimin e fundit, ma mirë me vra veten, se sa me ra në dorë të Sigurimit, kështu që e drejtoi revolverin drejt gjoksit e gjuajti. Ndërkaq komandanti i thirri Lleshit, që të dorëzoheshin se, nuk kishte tjetër rrugëdalje.
Lleshi ishte përgjigj, se po t’ishte për atë, ai nuk do t’ishte dorëzua kurrë, por mendonte për jetën e nipit edhe të kushërini, pra, të Rrokut e të Pjetrit. Në qoftë se ai i garantonte jetën e tyre, atëhere ai do të dorëzohej. Në këtë rast, Lleshi nuk dinte asgjë për Rrokun. Komandanti, pasi ishte konsultua me komisarin, u përgjigj që, e pranonin atë kusht.
Kështu Llesh Marashi e Pjetër Bajraktari, u dorëzuan dhe i sollën në Shkodër. Rrokun e gjetën të shtrim, me një plagë të madh në gjoks e,shumë humbje gjaku dhe e kujtuan të vdekur.
Por komandanti, ishte afrue dhe kishte vërejt se ai ishte akoma gjallë, prandaj kishte dhanë urdhër, që të përgatisnin me do drunj një far lese, për ta ulë deri në një vend, ku vinte makina. Kështu u veprue dhe Rrokun e mori një makinë dhe e çoj në spitalin e Shkodrës, ku e operuan urgjentisht e shpëtoi nga vdekja
Shënim
Edhe për Llesh Marshin, ka pasë vërejtje nga malësorët, se ai nuk duhej të dorëzohej, po të luftonte si burrat e të mos binte gjallë në dorë të komunistëve. Kemi njohur të nipin Rrok Konti, burrë trim e besnik, që në rrethimin që iu bë Lleshit, vrau veten, por plumbat se kishin prek zemrën, e shpëtoi.
U njohëm në kampin ku e kishin sjellë, në kampin e Tepelenës, nga burgu i Burrelit. Ai na tregoi, se gjatë luftimit, qenë mbarue fishekët, me dy të fundit, me mend e tij, e vrau veten, por plumbat s’ia kishin prek zemrën. Kur mori vesh dorëzimin e Lleshit, na tha: Do ta kisha vra me dorën time, e jo me u dorëzua gjallë kurrë./Memorie.al