VOAL

VOAL

Komentet

NATO trajnon trupat ushtarake ukrainase në Lituani dhe Poloni

VOA

Ushtarët ukrainas janë trajnuar nga trupat e NATO-s që kur Rusia sulmoi Ukrainën në shkurt të vitit 2022. Zëri i Amerikës vizitoi një nga zonat ku trupave ukrainase po u mësohen aftësi të reja nga trupat britanike, kanadeze e polake.

Në këtë vend në Poloni, ekipet e tankistëve ukrainas po mësojnë nga ushtarë të NATO-s se si të përdorin tanket gjermane. Kjo si pjesë e një programi të ndihmës ushtarake, financuar nga Bashkimi Evropian. Luftëtarët ukrainas po trajnohen nga trupat britanike, kanadeze e polake.

“Punojmë gjatë gjithë ditës duke përdorur kompjuterët, duke trajnuar tankist pas tankisti. Në këtë mënyrë kursejmë karburantin dhe kur tankistët e përdorin realisht mjetin, jemi të sigurt se ata do të shmangin çdo gabim, për shkak se kanë mësuar në këta kompjuter”, thotë Gjeneral Major i Forcave të Armatosura polake, Piotr Fajkowski.

Puna në këtë qendër pranë kufirit me Gjermaninë përfshin zotërimin e të gjitha aspekteve që lidhen me tanket gjermane Leopard, prej drejtimit të tyre tek riparimi. Po kështu tankistët ukrainas aftësohen ta manovrojnë mjetin me shpejtësi maksimale ndërsa kryejnë ushtrime duke gjuajtuar në terrene të posaçme stërvitore.

Instruktorët thonë se kur luftëtarët ukrainas largohen nga Polonia, ata janë plotësisht të përgatitur për të përdorur tankun gjatë një beteje të vërtetë.

“Sa më mirë të trajnohen trupat, aq më efektive janë ato në fushën e betejës. Po shohim se Rusia, po përpiqet aq shumë të organizojë ofensivën sa nuk kanë kohë për stërvitje të mjaftueshme. Dhe ne po i shohim humbjet e tyre!”, thotë eksperti ushtarak Vaidotas Malinionis.

Trupat ukrainase po trajnohen edhe në Lituani, një vend anëtar i NATO-s. Të dy vendet ndajnë një kufi me Bjellorusinë, një vend aleat i Rusisë. Këto stërvitje të vazhdueshme janë bërë shumë më intensive që kur Rusia sulmoi Ukrainën në shkurt 2022. Në dy muajt e fundit, këtu janë trajnuar ushtarak të rinj të forcave të armatosura të Ukrainës.

“Disa prej tyre kanë përvojë ushtarake, por ka edhe nga ata që nuk kanë përvojë apo njohuri bazë të mjaftueshme dhe ky kurs shërben që t’i stërvitim pak a shumë në të njëjtin nivel”, thotë Olegas Magas, instruktor i ushtrisë lituaneze.

Pjesa më e madhe e këtij trajnimi përqendrohet tek ata ushtarakë, të cilët ka të ngjarë të jenë në vijën e parë të frontit, duke i mësuar të marrin vendime të shpejta, që të jenë taktikisht elastik, si dhe që të punojnë lehtësisht me trupat e NATO-s.

“Qëllimi parësor i ushtrive të NATO-s dhe i NATO-s si forcë ushtarake është standardizimi i të gjitha degëve të saj, pra që trupat amerikane të mund të punojnë me ato lituaneze”, thotë ushtari ukrainas që nuk u identifikua për çështje sigurie.

Familjarizimi me procedurat e NATO-s është pjesë e dëshirës së Presidentit Volodymyr Zelenskyy që Ukraina t’i bashkohet aleancës. Ai beson se kjo është një mënyrë për të garantuar paqen e qëndrueshme me Rusinë. Por zoti Zelenskyy ka pranuar gjithashtu se anëtarësimi i plotë në NATO, nuk është i mundur për sa kohë që lufta vazhdon.

Protestë në Beograd kundër presidentit serb dhe qeverisë së tij

VOA

Dhjetëra mijëra veta u mblodhën të dielën në një shesh qendror në Beograd duke protestuar kundër presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç dhe qeverisë së tij.

Protesta e organizuar nga studentët dhe sindikatat e fermerëve, është pjesë e një lëvizjeje më të gjerë që kërkon përgjegjësi për shembjen e çatisë së stacioni hekurudhor në qytetin verior të Novi Sadit, që ka pas vetes 15 të vdekur me një nëntor.

Protesta filloi me një heshtje 15-minutëshe në nderim të viktimave dhe u pasua nga brohoritjet “I keni duart e përgjakura”. Tubime më të vogla u mbajtën edhe në qytetet e Nishit dhe Kragujevcit.

Shumë në Serbi fajësojnë për fatkeqësinë korrupsionin e përhapur dhe punimet e dobëta në ndërtesën e stacionit hekurudhor, që u rinovua dy herë në vitet e fundit si pjesë e projekteve të dyshimta që përfshijnë kompanitë shtetërore kineze. Protestuesit kërkojnë që Presidenti Vuçiç dhe përgjegjësit për shembjen e çatisë, të përballen me drejtësinë.

Deri tani autoritetet kanë arrestuar 13 persona për ngjarjen në Novi Sad, përfshirë një ministër që u la më pas i lirë, dukë shtuar mosbesimin e publikut rreth procesit të hetimeve.

Protestat e javëve të fundit e kanë sfiduar pushtetin e Presidentit Vuçiç, kundërshtarët e të cilit e akuzojnë për sundim gjithnjë e më autokratik.

Udhëheqësi serb kërkon zyrtarisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por është përballur me akuzat për shkeljen e lirive demokratike dhe ruan lidhje të ngushta me Rusinë dhe Kinën.

Ai fillimisht i akuzoi studentët për nisjen e protestave, duke thënë se po paguhen nga Perëndimi, ndërsa më vonë pretendoi se i përmbushur kërkesat e tyre, përfshirë publikimin e dokumentacionit në lidhje me punën e rinovimit në stacionin e trenit në Novi Sad.

Në një shfaqje vetëbesimi, presidenti serb përuroi të dielën një pjesë të një autostrade të sapondërtuar në Serbinë qendrore. Gjatë një ceremonie Presidenti Vuçiç tha se nuk do t’u nënshtrohet kërkesave të opozitës për një qeveri kalimtare dhe akuzoi kundërshtarët e tij se po shfrytëzijnë studentët për të marrë pushtetin pa zgjedhje.

“Nuk ka asgjë prej kësaj. Do t’i mposhtim përsëri dhe më bindshëm se kurrë dhe do t’i mposhtim sepse punojmë për popullin”, tha ai.

Partitë opozitare thonë se një qeveri kalimtare do të përgatiste zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe mund të ishte një rrugëdalje nga tensionet politike, pasi populistët në pushtet janë akuzuar gjithashtu për keqpërdorim të votave në të kaluarën.

Në një përpjekje për të penguar protestat, qeveria e Serbisë ka zgjatur pushimet dimërore të shkollave duke i nisur ato gati një javë më herët. Ditët e fundit lëvizjes i janë bashkuar edhe më shumë nxënës shkollash të mesme.

Mësimet në universitetet në të gjithë vendin ballkanik janë pezulluar prej javësh me studentët që po qëndrojnë brenda godinave të fakulteteve. Dhuna e herëpashershme ka përshkuar protestat ndërsa grupe pro-qeveritare u përpoqën të pengojnë protestat.

Një grup fermerësh thanë të dielën se policia i mori traktorin njërit prej udhëheqësve të tyre para protestës. Përveç fermerëve, studentët e Serbisë gjithashtu kanë marrë mbështetje mbarëkombëtare nga të gjitha sferat e jetës duke përfshirë profesorët e tyre, personalitete të medias, avokatë dhe individë të shquar.

*Mbështetur në agjencitë e lajmeve Reuters dhe Associated Press

Qeveria e Kosovës, bonus 100 euro për pensionistët dhe për fëmijët deri në moshën 16 vjeç

Qeveria e Kosovës ka vendosur të japë një bonus prej 100 eurosh për pensionistët dhe për gjithë fëmijët e  moshave deri 16 vjeç.

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media së bashku me ministrin e Financave, Hekuran Murati, ka thënë se po ndahen këto shtesa pas performancës së mirë ekonomike.

“Të dashur fëmijë, të gjithë ju që jeni të moshës nga 0 deri në 16 vjeç, dhe që jeni pranues të shtesave mujore për fëmijë, do t’i përfitoni edhe sivjet nga 100 euro secili. Kjo nuk është vetëm një dhuratë e fundvitit nga shteti juaj, por është investim në mirëqenien e të gjithë fëmijëve pa dallim. Andaj, edhe ju të dashur prindër, t’i rrisni fëmijët me shëndet por edhe me dashurinë për shtetin e tyre, kur vlerat dhe dashuria për vendin brumosen që në fëmijëri, e ardhmja e Republikës sonë pa dyshim që do të jetë në duar të sigurta. Por, përveç investimit në fëmijët që janë edhe e tashmja e sidomos e ardhmja jonë, duhet të kujdesemi që t’i mbështesim edhe ata që kontribuan dhe ndërtuan shtetin e na sollën deri këtu. Prandaj, sikurse tashmë e kemi bërë traditë që sa herë që ka buxhet të mjaftueshëm dhe ekonomia rritet përtej projeksioneve, në fund të vitit po ndajmë mbështetje shtesë të njëhershme nga 100 euro, apo siç disa edhe kanë filluar ta quajnë pensionin e 13-të për të gjithë pensionmarrësit të cilët kualifikohen. Kjo shënon mbështetjen e 5-të brenda mandatit tonë që një mbështetje e tillë shpërndahet te pensionistët tanë”, tha Kurti.

Ministri Murati tha do të mundohen t’i ekzekutojnë javën e ardhshme mjetet.

“Sikurse vitin e kaluar s’ka nevojë për ndonjë aplikim. I kemi listat e përfituesve në data bazat tona, si për pensionistë ashtu edhe për marrësit e shtesave për fëmijë. Do të mundohemi gjatë kësaj jave që të bëjmë përgatitjet teknike që të ekzekutohen pagesat për këtë javë”, tha Murati.

Qarkullimi  ndaloi në Gotthard për të pastruar borën

Për shkak të borës së madhe, policia kantonale ndërpreu përkohësisht trafikun midis Amstegut dhe tunelit rrugor para mesditës; shqetësime edhe mes Faidos dhe Airolo-s

 

VOAL- Për shkak të reshjeve të mëdha të borës, policia kantonale ndaloi trafikun midis Amsteg dhe tunelit rrugor Gotthard pak para mesditës, në mënyrë që të lejojë ndërhyrjen e mjeteve për pastrimin e borës.

Këtë e deklaroi një zëdhënës i policisë kantonale kur u pyet nga agjencia e lajmeve Keystone-ATS, duke konfirmuar atë që u raportua nga Swiss Touring Club në X. Prandaj, bllokimi i trafikut është vetëm i përkohshëm, shpjegoi zëdhënësi. Ndërkohë, këshillohet të jeni të kujdesshëm për shkak të borës në të dy drejtimet për shkak të pranisë së borës në rrugën A2 ndërmjet tunelit S. Gottard dhe Faido.

Më pas trafiku ka rifilluar, por është i mbingarkuar dhe priten vonesa të gjata.

Shërbimet meteorologjike kishin paralajmëruar ardhjen e një fronti të ftohtë sot në Zvicër, me reshje bore të mundshme edhe në fusha dhe lugina. Deri në prag të Krishtlindjeve, meteorologët parashikojnë deri në 125 centimetra borë në zonat qendrore të Alpeve brenda 75 orëve. RSI

Ministri i jashtëm turk takon kreun e HTS-së në Damask

VOA Marrë nga Reuters

Ministri i Jashtëm i Turqisë Hakan Fidan u takua në Damask të dielën me udhëheqësin de fakto të Sirisë Ahmed al-Sharaa – i njohur gjithashtu si Abu Mohammed al-Golani, tha ministria e jashtme e Turqisë, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Fotografitë dhe pamjet e shpërndara nga ministria tregojnë Fidanin dhe Sharaan, udhëheqësi i grupit islamik Hayat Tahrir al-Sham që drejtoi operacionin për rrëzimin e Bashar Assadit dy javë më parë, të pasuar nga një delegacion i gjerë dhe më pas duke pozuar për fotografi. Të dy ata shihen gjithashtu duke shtrënguar duart, duke u përqafuar dhe duke buzëqeshur.

Të premten, Presidenti turk Tajip Erdogan tha se Turqia do të ndihmojë administratën e re të Sirisë të formojë një strukturë shtetërore dhe të hartojë një kushtetutë të re, duke shtuar se zoti Fidan do të shkonte në Damask për të diskutuar këtë strukturë të re, por pa dhënë një datë.

Ibrahim Kalin, kreu i agjencisë turke të zbulimit MIT, vizitoi gjithashtu Damaskun më 12 dhjetor, katër ditë pas rënies së Assadit. Ankaraja kishte mbështetur për vite me radhë rebelët që përpiqeshin të rrëzonin Assadin dhe përshëndeti fundin e sundimit brutal pesë dekadash të familjes së tij pas një lufte civile 13-vjeçare.

Turqia gjithashtu strehon miliona emigrantë sirianë që ajo shpreson që të fillojnë të kthehen në vendin e tyre pas rënies së Asadit dhe është zotuar të ndihmojë në rindërtimin e Sirisë.

Vizita e Ministrit Fidan vjen në mes të luftimeve në Sirinë verilindore midis luftëtarëve sirianë të mbështetur nga Turqia dhe milicisë kurde YPG, e cila kryeson Forcat Demokratike Siriane (SDF) aleate të SHBA-së në verilindje dhe që Ankaraja e konsideron si një organizatë terroriste.

Më herët, Ministri i Mbrojtjes i Turqisë tha se Ankaraja beson se udhëheqja e re e Sirisë, përfshirë grupin e armatosur të Ushtrisë Kombëtare Siriane (SNA) të cilin Ankaraja e mbështet, do të dëbojë luftëtarët e YPG-së nga i gjithë territori që ata kontrollojë në verilindje.

Ankaraja, së bashku me aleatët sirianë, ka orkestruar disa ofensiva ndërkufitare kundër fraksionit kurd në Sirinë veriore dhe kontrollon pjesë të territorit sirian përgjatë kufirit, ndërkohë që kërkon vazhdimisht që aleati i saj i NATO-s, Uashingtoni të ndalojë mbështetjen për luftëtarët kurdë.

SDF ka qenë në dizavantazh që nga rënia e Assadit, përballë kërcënimit të përparimeve nga Ankaraja dhe grupeve të mbështetura nga Turqia, ndërsa përpiqet të ruajë arritjet politike të 13 viteve të fundit, dhe në kushtet kur drejtuesit e rinj të Sirisë kanë marrëdhënie miqësore me Ankaranë.

Kreu i CIA-s kryen vizitën e fundit zyrtare në Kiev, William Burns takim me Zelenskyn

Drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës William Burns ka bërë një tjetër udhëtim të paparalajmëruar në Kiev, me gjasë të fundit të tij përpara se të tërhiqej nga posti i tij, sipas presidentit ukrainas Volodymyyr Zelensky.

Zelensky e zbuloi takimin në një postim në Telegram të shtunën, duke theksuar rolin e rëndësishëm që Burns ka luajtur në mbështetjen e Ukrainës gjatë konfliktit të saj të vazhdueshëm me Rusinë.

“Bill Burns bëri vizitën e tij të fundit në Ukrainë si drejtor i CIA-s. Ne kemi mbajtur shumë takime gjatë kësaj lufte dhe unë jam mirënjohës për ndihmën tuaj”, ka shkruar Zelensky, shoqëruar me një foto të tij duke shtrënguar duart me Burns.

Udhëheqësi ukrainas pranoi se takime të tilla të nivelit të lartë zakonisht mbahen konfidenciale, por theksoi rëndësinë e nënvizimit të komunikimit të tyre të vazhdueshëm.

“Zakonisht, takime të tilla nuk raportohen publikisht, dhe të gjitha takimet tona – në Ukrainë, në vende të tjera evropiane, në Amerikë dhe në pjesë të tjera të botës – u zhvilluan pa informacion zyrtar. Por tani, pas vizitës së fundit, ia vlen të thuhet hapur”, tha Zelensky.

Burns ka mbajtur postin e drejtorit të CIA-s që nga marsi i vitit 2021 dhe do të largohet nga posti i tij pas inaugurimit të Presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, të planifikuar për 20 janar.

Trump ka emëruar ish-drejtorin e Inteligjencës Kombëtare John Ratcliffe për të pasuar Burns. Zelensky ka shprehur angazhimin e tij për të mbajtur kontakte me udhëheqjen e re në CIA.

Gjatë gjithë konfliktit, Shtetet e Bashkuara kanë qenë sponsori më i rëndësishëm i Kievit, duke ofruar pjesën më të madhe të mbështetjes financiare dhe ushtarake, si dhe të inteligjencës.

Vizita e spiunazhit të SHBA vjen në një moment kritik, pasi Trump është zotuar se do t’i japë fund konfliktit të Ukrainës, duke ngritur shqetësime në Kiev se jo vetëm mund të përballet me një rënie të ndihmës, por edhe një auditim të miliarda dollarëve që ka marrë nga Uashingtoni. nën administratën e presidentit Joe Biden. bw

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim

Dyqani i Ardianit ku tregtojnë mish dhe bulmet. Foto:Ardian Nerguti (Courtesy Photo)

Paratë e fituara nisi t’i investojë në fshatin e lindjes në Gjegjan të Kukësit.

Ai ishte i përgatitur për vështirësitë që ka çdo fillim i një sipërmarrjeje, por jo edhe për pengesat që do t’i dilnin në institucionet e vendit të tij për pronësinë e tokës.

Ardian Nerguti me bashkëshorten dhe vajzën.

Ardian Nerguti me bashkëshorten dhe vajzën.

Entuziazmi i fillimit thotë se u zëvendësua me zhgënjim, e madje deri diku edhe me pendim.

Nga qyteti çek në fshatin në Kukës

Ardiani emigroi fillimisht në Greqi për gjashtë vjet. Më pas u zhvendos në Angli, e së fundi në Çeki.

Aty krijoi familjen e tij me Pavlën – një vajzë e qeshur çeke dhe e dashuruar me natyrën shqiptare.

Çifti ka një vajzë 4 vjeçe e gjysmë.

Vajza e çiftit Nerguti në fermë.

Vajza e çiftit Nerguti në fermë.

Pas një çerek shekulli në emigrim dhe pasi mblodhi disa kursime, Ardiani vendosi të kthehej në Shqipëri në maj të këtij viti.

“E kishim diskutuar disa herë edhe me bashkëshorten dhe vendosëm të hapnim një fermë në fshatin tim të lindjes. Kështu u kthyem në Gjegjan të Kukësit dhe nisëm jetën tonë të re në Shqipëri”, rrëfen Ardiani për Radion Evropa e Lirë.

Ajo është një vajzë qyteti, tregon se ka lindur dhe jetuar në Shumperk të Çekisë, por se është përshtatur mirë me fshatin dhe punët e tij.

Ardiani me bashkëshorten dhe vajzën në Çeki, para kthimit në Shqipëri.

Ardiani me bashkëshorten dhe vajzën në Çeki, para kthimit në Shqipëri.

Toka e trashëguar brez pas brezi, por pa dokumente

Ardiani thotë se ishte i përgatitur për problemet që do t’i kishte në lidhje me fermën, pasi çdo fillim i ka vështirësitë e veta.

Në fshatin ku u lind dhe u rrit, ndërtoi një stallë, ku mban 18 krerë lopë dhe disa pula, dhe kështu nisi ta bënte realitet ëndrrën për të investuar në vendin e tij.

Aktualisht, ka edhe një dyqan me qira, ku tregton produkte të mishit dhe qumështit, si dhe vezë.

Pavla para dyqanit ku shet mish dhe bulmet.

Pavla para dyqanit ku shet mish dhe bulmet.

Por, ajo që nuk e kishte menduar kurrë, doli të jetë problematika me tokën e trashëguar brez pas brezi.

Ajo sipërfaqe toke, për të cilën thotë se i gjithë fshati e dinte se ishte në pronësi të familjes së tij, rezultoi të mos jetë e gjitha e dokumentuar.

“Është tokë e trashëguar, por jo e regjistruar. U habita kur mësova se toka nuk ekzistonte fare në kadastër. Ka qenë tokë që e kemi përdorur dhe trashëguar tash e 300 e më shumë vjet”, thotë 42-vjeçari.

“Nga kjo pjesë toke që unë besoja se e trashëgoja, hoqa dorë. Pastaj, duke kërkuar në dokumentet e babait që nuk jeton më, gjeta disa letra që tregonin se kishim të dokumentuar rreth 600 metër truall në dy zona të ndryshme dhe kërkova të bëhej kalimi nga emri i babait tek unë”, rrëfen ai.

Por, përgjigjja që mori thotë se ishte e çuditshme. Ai duhej të hiqte dorë nga njëri prej trojeve prej 300 metrash, për të trashëguar 300-metërshin tjetër.

Ofrohen fonde për investime, por me kritere të paplotësueshme

Zhgënjimi i kësaj familjeje, veç problemeve me pronësinë e tokës, lidhet edhe me mungesën e mbështetjes nga shteti për investimin që ka nisur në një qark, i cili është ndër më të prekurit nga emigrimi.

Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural në Shqipëri shpesh bën thirrje për përfitim të fondeve për të investuar në bujqësi.

Në një prej takimeve informuese mori pjesë edhe Ardiani, por thotë se mbeti shumë i habitur.

Stalla në fermën e Ardianit.

Stalla në fermën e Ardianit.

“Në takim na u tha se mund të përfitonim deri në 750 mijë euro, por kushti i parë ishte që toka ku do të investohej, të ishte e regjistruar me dokumentacion të plotë. Të vihet ky kusht kur dihet që më shumë se 90% e banorëve të fshatrave të Kukësit nuk e kanë tokën me dokumente, duket pa kuptim”, thotë Ardiani.

“Nëse shteti e di këtë problematikë, nuk mund ta ketë kusht për marrjen e një fondi mbështetës, por duhet ta zgjidhë fillimisht atë”, thotë ai.

Bashkëshortja e tij, Pavla, është gjithashtu e mërzitur nga kjo situatë.

Ajo thotë se problem i madh është mungesa e ndihmës nga shteti për planin e tyre të biznesit.

“I kemi investuar të gjithë paratë tona dhe nuk po gjejmë mbështetje për ta ristrukturuar shtëpinë e prindërve të bashkëshortit tim, për ta përshtatur për fëmijën tonë, e po ashtu kemi edhe probleme me pronësinë e tokës”, thotë ajo.

Shtëpia e çiftit Nerguti në fshatin Gjegjan të Kukësit, Shqipëri.

Shtëpia e çiftit Nerguti në fshatin Gjegjan të Kukësit, Shqipëri.

“Më lehtë të regjistrosh pronë në emigrim se në vendin tënd”

Ardiani thotë se e ka shtëpinë e tij në Çeki, ashtu si edhe një sipërfaqe të konsiderueshme toke.

“Gjithë atë pasuri e kam arritur me punën time, e gjithashtu e kam dokumentuar shumë lehtësisht. Mendo ta bësh këtë në një shtet të huaj ku isha emigrant, e në vendin tënd nuk arrin ta dokumentosh pronën tënde, një pronë që familja ime e trashëgon ndër shekuj. Duket shumë ironike”, thotë Ardiani.

Shpesh thotë se ndihet keq, sepse “përpiqen ta bëjnë të duket edhe i paditur”.

“… por, pastaj them: kur kam arritur ta realizoj këtë në Çeki, nuk është tek unë problemi, por te sistemi, tek institucionet, por si zgjidhet”?

Kjo pyetje thotë se e mundon prej shumë muajsh dhe se zhgënjimi për vendimin që mori për t’u kthyer në Shqipëri, tashmë i ka kaluar në pendim.

“Do të vazhdoj ta bëj maksimumin për ta pasur në emrin tim atë tokë që rezulton e regjistruar… Por, nuk më ka mbetur gjë tjetër se i kam marrë institucionet me radhë, veçse t’i drejtohem kryeministrit [Edi] Rama me ndonjë letër”, thotë fermeri.

Pavla në stallën e fermës së saj.

Pavla në stallën e fermës së saj.

Ai vazhdon të punojë fort me bashkëshorten dhe nënën e tij, por të ardhmen e sheh të zymtë.

“Në Çeki vijoj të paguaj detyrime për shtëpinë dhe tokën, ndërkohë që këtu jam në një udhëkryq. Sigurisht që në këto kushte, largimi duket zgjidhje optimale”, thotë i prekur Ardiani.

Qeveria – thirrje për kthim të emigrantëve për të investuar

Në takimet që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, zhvilloi muajve të fundit me diasporën, por edhe në zona të ndryshme turistike malore, ai u bëri thirrje emigrantëve të kthehen në Shqipëri për të investuar, duke thënë se Qeveria po përgatit Paketën e Maleve.

“Do të jetë një paketë me një sërë masash që të gjithë ata që i kanë lënë këto male, në kërkim të një jete më të mirë, të kthehen. Dhe, me bukuritë e këtyre maleve, të bëjnë sukses, të bëjnë ekonomi, të bëjnë mirëqenie dhe t’u lënë fëmijëve të tyre trashëgimi një pasuri të jashtëzakonshme“, tha Rama.

Paketa e Maleve synon, mes tjerash, turizëm malor 365 ditë në vit, rivitalizim të zonave malore dhe zgjidhje të çështjes së pronësisë.

Pamje nga fushat e fermës Nerguti.

Pamje nga fushat e fermës Nerguti.

Kjo çështje e pronësisë mbi tokën është pranuar nga Rama, i cili ka premtuar zgjidhje.

Kjo problematikë ka qenë vazhdimisht shqetësim i shprehur edhe në raportet për progresin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian, e po ashtu pengesë për investime të huaja në vend.

“Si mua dhe vajzës sime na pëlqen shumë. Natyra është e bukur, kemi përballë malin e Gjallicës, pamjen e bukur të lumit Drin, pamje fantastike… Ushqimet janë bio dhe ajri është i pastër”, thotë Pavla.

Sistemi i ri për mbrojtjen nga raketat, përforcon krahun lindor të NATO-s

VOA Myroslava Gongadze

Shtetet e Bashkuara hapën zyrtarisht muajin e kaluar një bazë të përhershme ushtarake në Poloni, pjesë e sistemit të mbrojtjes nga raketat të NATO-s, mes tensioneve në rritje me Rusinë. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Myroslava Gongadge, Ministri polak i mbrojtjes thotë se baza është gjithashtu një dëshmi e bashkëpunimit polako-amerikan.

Një bazë e re ushtarake e SHBA-së në Poloninë veriore po bëhet një pjesë kyçe e sistemit të NATO-s për mbrojtjen nga raketat, i njohur si Aegis Ashore. E vendosur në Redzikowo pranë Detit Baltik dhe pranë rajonit të Kaliningradit të Rusisë, baza është e pajisur me tre paisje, secila e aftë të mbajë tetë raketa interceptuese.

Ajo është krijuar për të mbrojtur aleancën e NATO-s dhe Evropën nga kërcënimet e mundshme me raketa balistike.

Kapiteni Michael Dwan, komandant i Task Forcës SIX FOUR të Marinës së SHBA, që fokusohet tek misionet e mbrojtjes nga raketat, shpjegon se raketahedhësit funksionojnë në mënyrë autonome, pa pasur nevojë për ndërhyrje manuale.

“Pasi diktohet një kërcënim, sistemi ynë e automatizon reagimin duke zgjedhur një nga raketat e disponueshme në cilindo nga tre raketahedhësit tanë për të përballuar atë kërcënim.”

Baza, së bashku me një objekt të ngjashëm në Rumani, destrojerët e marinës amerikane të stacionuar në portin spanjoll Rota dhe një radar i paralajmërimit të hershëm në Turqi, përbën një pjesë jetike të mbrojtjes nga raketat të NATO-s Aegis Ashore në Evropë, projektuar për t’u bërë ballë kërcënimeve të raketave balistike me rreze të mesme veprimi.

Sistemi e demonstroi kohët e fundit efektivitetin e tij në mbrojtjen e Izraelit, thotë komandanti i Aegis Ashore në Poloni, Matthew Plant.

“Sistemi Aegis dhe misioni i mbrojtjes nga raketat balistike u testuan në Detin Mesdhe në mbrojtje të Izraelit. Pra, ato sisteme e kaluan provën. Ishte një goditje iraniane kundër Izraelit”, thotë ai.

Në një qendër komandimi dhe kontrolli, personeli ushtarak amerikan monitoron gjatë gjithë kohës për çdo kërcënim të mundshëm. Misioni i tyre është të diktojnë dhe t’u përgjigjen sulmeve me raketa, duke përdorur të dhënat e radarit për të orientuar interceptorët për neutralizimin e raketave.

Zyrtarët theksojnë se baza është vetëm për mbrojtje.

“Nuk ka asnjë eksploziv apo mbushje për goditje në asnjë prej raketave tona këtu”, thotë Kapiteni Michael Dwan.

Kremlini reagoi ndaj hapjes së bazës amerikane në Redzikowo, duke thënë se Rusia do të merrte “masat e duhura për të siguruar të njëjtin nivel gatishmërie”.

Për Poloninë, një anëtar kyç i NATO-s në kufi me Rusinë, Bjellorusinë dhe Ukrainën, baza është një pjesë jetike e strategjisë së saj të mbrojtjes. Ministri polak i Mbrojtjes Wladysław Kosiniak-Kamysz e quan bazën një moment historik për parandalimin dhe mbrojtjen.

“Baza e Redzikowos nuk mund të evakuohet brenda disa orësh. Kjo mbron Evropën, por edhe SHBA-në dhe Kanadanë, të gjithë aleatët e NATO-s. Është një nga projektet kyçe dhe kundërshtimi i fortë i Rusisë, tregon se sa projekt i rëndësishëm është.”

Baza menaxhohet nën Komandën Ajrore të Aleatëve të NATO-s në Bazën Ajrore Ramstein në Gjermani, e cila mbikëqyr komandën dhe kontrollin e sistemeve të mbrojtjes së bllokut nga raketat balistike.

The New York Times (1929) “18 orë punë në ditë, 10 minuta ushtrime çdo dy orë, qentë, shqiponjat, Amerika, dekreti për mbiemrat…” — Takimi me mbretin Zog I në pallatin e tij

Burimi : The New York Times, e hënë, 10 qershor 1929, faqe n°5

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 19 Dhjetor 2024

 

“The New York Times” ka botuar, të hënën e 10 qershorit 1929, në faqen n°5, një shkrim asokohe rreth figurës së Mbretit Zog I, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

 

Mbreti Zog punon 18 orë në ditë

 

 

Sovrani shqiptar bën pushime 10-minutëshe çdo 2 orë nga ora 6 e mëngjesit deri në mesnatë

Ai luan me shqiponjat

Monarku i ri shpjegon se zogjtë e mëdhenj janë simbole të lirisë, ashtu si në Amerikë

 

Tiranë, Shqipëri, 9 qershor (AP). — Mbreti Zog I, sovrani i vetëshpallur i Shqipërisë, edhe pse në fron më pak se një vit, ka fituar titullin monarku më punëtor në botë.

 

[Javën e kaluar Mbreti Zog nxori një dekret që të gjitha familjet myslimane në Shqipëri të heqin dorë nga përdorimi i qyteteve në lidhje me emrat e tyre dhe të adoptojnë sistemin evropian të emrave të familjes. Në përputhje me dekretin, ai hoqi shkronjën “u” nga emri i tij.]

 

Tetëmbëdhjetë orë punë të angazhuara në ditë, me vetëm dhjetë minuta ushtrim çdo dy orë i izoluar në pallatin e tij me gëlqere të bardhë, përbën, sipas tij, një ditë të zakonshme pune.

 

 

Mbreti ngrihet me shqiponjat e malit në orën 6 të mëngjesit. Ai pi një filxhan kafe turke, thith një cigare dhe zhytet menjëherë në punë. Me përjashtim të një vizite disa minutëshe te mamaja e tij, me të cilën është shumë i lidhur, ai nuk del kurrë nga zyra e tij deri në mesnatë. Devijimi i tij i vetëm është loja e herëpashershme me qentë e tij të preferuar në parkun e mbikqyrur të pallatit.

 

Në mbrëmje, puna e gjatë sovranit ndërpritet vetëm kur mbreti dëgjon meloditë e tij të preferuara amerikane në gramafonin e tij amerikan, të cilin ministri Hart ia dhuroi atij.

 

Miqtë e monarkut shqiptar thonë se atij i mungon aftësia për të deleguar detyra të tjerëve, madje edhe ministrave të tij. Prandaj, ai këmbëngul që të bëjë gjithçka personalisht dhe të drejtojë vendin praktikisht me dorën e vetme.

 

Megjithëse qeveris Shqipërinë i vetëm, ai nuk ka pamjen e një diktatori.

 

Tiparet e tij të buta, hunda e tij akuiliane, goja e tij delikate, flokët e tij biondë, mustaqet e tij të vogla gështenjë, dinjiteti i tij i mrekullueshëm dhe pamja e tij e rezervuar aristokratike sugjerojnë më tepër një fisnik francez ose austriak që nuk i është dashur kurrë të djegë dorën ose vetullat në punën e përditshme.

 

Megjithatë, sovrani më i ri i Evropës nuk është mbret diletant apo sallonesh. Ai drejton një million nënshtetasit e tij me një dorë të fortë dhe të papërkulur, por të drejtë dhe i jep mbretërisë një shembull të shkëlqyer me mundin e tij të pandërprerë.

 

 

Ndonëse Mbreti Zog u shndërrua pothuajse brenda natës nga mbështetësit e tij nga një kryetar i zakonshëm fisnor i rrethit të tij të lindjes në pushtetin dhe lavdinë e një monarku, ata që kanë privilegjin ta takojnë atë, mahniten nga sjelljet e tij mbretërore, hijeshia e tij e kudondodhur, hiri dhe përzemërsia e tij.

 

Kur korrespondenti i The Associated Press vizitoi sot pallatin, ai gjeti Mbretin duke përkëdhelur dhe duke luajtur me një grup shqiponjash të mëdha malore, të cilat i zbuti vetë.

 

Meqenëse Shqipëria është një vend me shkëmbinj dhe maja të larta, — tha Mbreti duke buzëqeshur dhe në një gjermanishte të shkëlqyer, — ne këtu kemi pothuajse po aq shqiponja sa ju keni harabela në Amerikë. Ashtu si shqiponjat në mbarë botën”, vazhdoi ai, “shqiponja shqiptare është krenare, sfiduese, e guximshme dhe e pavarur. Prandaj, ne e bëmë atë simbol të lirisë sonë kombëtare, ashtu si Shtetet e Bashkuara. Njerëzit e mi m’i sjellin ato në një numër të madh si dhurata që tani kam mjaftueshëm për t’i eksportuar disa në Amerikë.

 

Duke qeshur, mbreti shtoi :

 

Por e di që populli amerikan tashmë ka mjaft shqiponja dhe liri të mjaftueshme.

A PO E NJEH KËTË UDHËTAR?- Nga Skënder Karaçica

Skicë fjalësh
Udhët e jetës,kah nuk të çojnë,thanë disa zëra burash në një tavolinë kafeje në Prishtinë…Aty pari kaloi me hapat kutrrum një njeri i panjohur për ata në tovolinën e kafës së mëngjesit në Prishtinë.
– A po e njihni këtë njeri me këta hapa kutrrum,- u tha njeriu në qoshin e djathtë të tovolinës për të pranishmit.
– Nuk po e njohim këtë udhëtar në sheshin e Prishtinës,-u përgjigjen të pranishmit në tovolinën e kafës së mëngjesit…!
– Nuk po e njihni,-unë ju tregoj se kush është,-u tha njeriu në qoshin e djathtë të tovolinës.
– Ky udhëtar në sheshin e Prishtinës është deputeti i popullit!E kemi votuar para ketër vjetësh,kur ai erdhi i mbushur frymë e,duke belbëzuar na pati thënë se,do të jem përfaqësues i denjë i popullit,-thoshte në fushatën e sheshit…
– E kemi të qartë,-thanë ata njëzëri në tovolinën e kafës së mëngjesit.
– Sa na është bër qejfi,që pas katër vjetësh e pamë afër, sy me sy me deputetin e popullit,-ishin njëzëri ata të tovolinës dhe të votës së lirë të sovranit…!
Kështu e ka jeta,thonë në artin e gjeniut popullor:Të rrova e më rrove ,por briski i berberit…!
Për fund,deputetet e popullit që do të zgjidhën me 9 shkurt 2025,mos të harrojnë të qëndrojnë në krah të sovranit të votës së lirë…!
Deputetë të popullit,mos u bëni udhëtarë të pa njohur në sheshin e Prishtinës!
(Dhjetor,2024)

KUR NJË GRUA LARGOHET…- Poezi nga BEKIR COSHKUN

 

Kur largohet një grua,
ajo lë një boshllëk të madh.
Kur ajo largohet një ditë,
shumë mbesin “jetimë“ pas ikjes së saj.
Dollapet e guzhinës, perdet.
Rrobat e palosura me kujdes.
Fjongot në fund të dollapëve.

Me agun e mëngjesit nuk dëgjohen më taketuket
nga kuzhina.
Tabakatë mbesin jetime!

.
Kur një grua largohet,
shpesh lulet thahen pa ujë.
Luleverdha shpejt e përkul qafën…
Askush s’ja di kuptimin asaj gote.
Askush nuk e di se sa vlen ajo enë kromi.
Ballkoni tashmë është i qetë…
Koridor i heshtur…

.
Kur largohet një grua…
Në të vërtetë, kur ajo largohet,
sa shumë njerëz ikin bashkë me të?!
Një punëtore e palodhur.
Një pastruese.
Një rojtare.
Një kopshtare.
Një llogaritare.
Një NENE shkon.
Një Mike.
Një Shoqe.
Një e Dashur.
Sa njerëz zhduken me ikjen e saj…

.
Gjithmonë ndodh kështu
Kur ajo ikën
komplimentet, paralajmërimet, ankesat, lutjet,
do të mbeten jetimë…
Tek pragu i derës nuk dëgjohen më:
“Ki kujdes”!
“Mos u vono”!

.
Gratë!
Gratë largohen duke lënë zbrazëtirë shumë të madhe pas vetes.
Kur një grua është larguar, në të vërtetë,
shumë gra janë larguar…
Dhe kur një grua largohet,
ajo ka lënë pas
shumë “jetim”.
Do na marrë malli për ty, grua e bukur!

.

Bekir Coşkun (1945 – 18 October 2020) ishte gazetar, shkrimtar dhe kolumnist për gazetën më të madhe turke Zhumhuriet.

 

Shuhet Rey Mysterio, legjenda meksikane e sporteve luftarake ndërron jetë papritur

Zi në botën e keçit. Rey Mysterio, legjenda e sporteve luftarake, ka vdekur në moshën 66-vjeçare.

Këtë e kanë bërë të ditur mediat ndërkombëtare, duke cituar familjen e keçistit meksikan. Shkaku i vdekjes së papritur ende nuk është bërë i ditur.

I lindur në Meksikë, Miguel Angel Lopez Diaz dhe me origjinë nga Tijuana, ai filloi të luftonte në 1976 dhe performoi për herë të fundit vitin e kaluar. Nipi i tij Oscar Gutierrez Rubio, i njohur si Rey Mysterio junior, vazhdon traditën familjare në WWE. sn