Profil artistik1
Hapësirën këtu,
bregun dhe detin,
i kam me “tapi”,
me “vulë” shteti!
Hotel me 5 yje,
si në Varadero,2
s`gjen më lirë,
nata 200 euro!
Rëra që shikon,
ka jod magjik,
cilësia paguhet,
bëj mirë llogaritë!
Çadra,shezlong,
me ngjyra dielli,
20 euro dita,
vijnë nga Izraeli.
Ushqimi tri vakte,
gatimi shtëpiak,
ç`e do restorantin,
me ushqim bajat!
Për peshk t`egër,3
këtu jam i pari,
të tjerët të japin,
peshk rezervuari.
Fruta ke në pemë,
shegët e ftonjtë,
rri larg dyqaneve,
se t`mashtrojnë!
Kam pije lloj – lloj,
verë Narte, Italie,
100 euro shishja,
t`kam mik shtëpie!
Ujin e ke t`ftohtë,
direkt e nga mali,
mos bli te fqinji,
të shet uji kanali!
Nëse do “koka”,
ta sjell me porosi,
veçse t`kushton,
si në Kolumbi.
T`gjej marihuanë,
hashash, heroinë,
t`i bëj qejfin tënd,
unë bëj llogarinë!
Nëse do patenta,
për skafe e jahte,
t`i bënë byrazeri,
brenda një nate.
Këtu ke gjithçka,
asgjë s`mungon,
nëse të nevojitet,
të gjej edhe dron.
Tek unë vjen elita,
t`pasur, politikanë,
liderë të mëdhenj,
të gjithë miq i kam!
Kuptohet jam bos,
të shërbej me nder,
s`jam si fqinji im,
lango e i pavlerë!
Në tërë Otranton,
unë jam me nam,
siç ish Mjekërziu,4
pirati me famë.
Kur lundroj unë,
sirenat jehojnë,
kapitenët e skafeve,
gatitu më nderojnë!
Kur vjen kontrolli,
për taksa e tatime,
s`e kam problem,
t`hedh ca thërrime.
Ti fillo pushimet,
bëj qejf si “bej”,
atij që të bezdis,
dhëmbët ia thyej!
S`ja mban askujt,
t`më dalë përballë,
dhe vet Haxhi Aliu,5.
po të ishte gjallë!
Iç fare mos pyet,
për ligjet e shtetit,
se unë jam pirati,
“i forti” i bregdetit!
………
1.Profil,në kuptimin “drejtim kryesor i veprimtarisë së dikujt”, 2.Varadero, qytet turistik në Kubë, një nga plazhet më të mira në botë.
3.Peshk i egër, është përdorur në kuptimin peshk deti.
4.Mjekërziu, pirat i shekullit të 18-të, që përhapte tmerr e frikë në dete…
5.Haxhi Ali Ulqinaku(1569-1625) ka qenë kapiten detar ulqinak me emër në Mesdhe. Në Karaburun, një shpellë mban emrin e tij.
Komentet