Tiranë, 9 qershor – Në Pedonalen e Tiranës është ekspozuar një cikël i pikturave të anglezit Eduart Lir për Shqipërinë, një pjesë prej të cilave nuk janë publikuar më parë.
Auron Tare ka përzgjedhur pikturat dhe skicat e Rrugës Egnatia, si një mesazh për rivitalizimin e kësaj rruge, të cilat mund të konsiderohen si fotografitë e fundit të saj.
Në vitin 1848 Eduart Lir nisi një udhëtim përmes Greqisë për në Stamboll.
Udhëtimi mori një kthesë të papritur për shkak se kishte rënë kolera dhe e vazhdoi udhëtimin përmes Selanikut e Manastirit.
Udhëtoi në Ohër, Strugë, Elbasan, Tiranë, Krujë, Lezhë dhe Shkodër. Kthehet në Tiranë dhe vazhdon të udhëtojë drejt Kavajës, Beratit, Ardenicës, Apolonisë, Vlorës, Himarës, Tepelenës, Gjirokastrës deri në Janinë.
Auron Tare thotë se përmes 100 pikturave të Lirit me temë nga Shqipëria, ka përzgjedhur atë pjesë që lidhet me promovimin e projektit të rrugës “Egnatia”.
“Arsyeja që po e bëjmë këtë ekspozitë është se mund të rikthehet si një intenerar i rëndësishëm që mund të kthejë edhe turistët në zona që sot nuk vizitohen nga turistët”, tha Tare.
Por çfarë e lidhte Lirin me vendin tonë?
“Lirin e lidhte me Shqipërinë e para sepse nuk ikte nga deti se kishte kolerë, por pati dhe një njohje me një shqiptarë me të cilin edhe bashkëjetoi dhe janë varrosur edhe bashkë, pra ka pasur edhe motive emocionale”, u shpreh Tare.
Poeti dhe piktori anglez Eduard Lir (1812-1888) ka qenë i pari udhëtar e shkrimtar që bëri një udhëtim të plotë nëpër Shqipëri, jug e veri.
Komentet