I vendosur nën sulmin e orkestruar nga mazhoranca, e cila e akuzon se gjatë kohës së komunizmit ka denoncuar shokun e tij të fakultetit, ish presidenti Meta, i është përgjigjur Edi Ramës me të njëjtën monedhë. Ai ka publikuar në Facebook disa karikatura të vitit 1983 (fotot lart), që mbajnë nënshkrimin e Ramës dhe të cilat ai i ka përgatitur për ish revistën e sigurimit të shtetit, “Në shërbim të popullit”. “Ju përshëndes me këtë karikaturë të karikaturistit të preferuar të Sigurimit, Edi apo Edvin Rama, përshtatur në një shkrim të revistës “Në shërbim të popullit”, 10 tetor 1983, ku çuditërisht në shkrimin e porositur nga Sigurimi flitet për heroizmin e një “Mata Hari” shqiptare të quajtur Neta”, shkruajti Meta.
Qëllimi i mesazhit qe i qartë: Edi Rama është i përzier keq me regjimin e shkuar. Dhe siç ndodh rëndom për ta çuar deri në skaj parabolën e Metës, bëri një shënim edhe sekretari i përgjithshëm i partisë së tij, Tedi Blushi. Akuza, e formuluar në formë pyetjesh është e njëjtë, i riu Edi Rama ka bashkëpunuar me syrin vigjilent të partisë. “A je paguar nga sigurimi dhe kush ta rregulloi të punoje për të” pyet ai.
Më tej Blushi i bën jehonë edhe një akuze që është ricikluar disa herë, asaj se Edi Rama ka hartuar një raport për sigurimin e shtetit në nëntor të vitit 1988, atëhere kur ai ka shërbyer si shoqërues i skuadrës italiane të basketbollit, Scavolini e cila kishte ardhur të luante kundër Partizanit. Ky raport nuk ka dalë kurrë në dritë dhe vërtetësia e tij nuk është e provuar, por ata që e përmendin atë pretendojnë se informacionet e Ramës, drejtori i sigurimit Zef Loka i ka shpënë deri tek eprorët e tij, ministri i brendëshëm Hekuran Isai dhe kryeministri Adil Çarçani.

Pra fabula është e qartë, ashtu siç ndodh rëndom në këtë vend: Meta sulmohet si spiun, ai i kundërpërgjigjet Ramës se është vetë i tillë.
Por, në fakt, kjo nuk duket se është mënyra më e mirë për tu marrë me shefin aktual të qeverisë. E keqja e Edi Ramës nuk është as se ka marrë ndonjë honorar për të botuar karikatura në revistën e sigurimit, as se ka pasur më tepër mundësi se të tjetrët për të shoqëruar skuadrën e Scavolinit, duke përpiluar raportin e domosdoshëm që bënin atë kohë të gjithë. Akuza të tilla si “nipi i Spiro Kolekës”, djali i Kristaqit që ka firmosur dënimin me vdekje të poetit Avzi Nela”, nuk janë sinjifikative për ata që kërkojnë një beteje permanente me të. Sepse mëkati real i Edi Ramës nuk qëndron në të shkuarën e tij, por në faktin se metoda të asaj të shkuare do ti ringjallë sot.
Mjafton të lexosh shënimin e gjatë në Facebook që bëri kundër spiunit I.M. për të kuptuar se ai qëndron në krye të një shteti autokratik që ka përdhosur çdo institucion të pavarur.
Ai ndonëse thotë se as nuk ka komunikuar me autoritetin e dosjeve, as e nuk e di se ç’fshehin ato, flet me sigurinë e njeriut që është në brendësi të asaj që është përgatitur. Përndryshe asnjë, kryeministër, sado grafoman qoftë, nuk do të merrte guximin të shprehej kaq gjatë, për një temë që nuk e zotëronte. Së dyti, po të lexosh tekstin e Ramës e kupton me lehtësi se kush ka qenë suportuesi i asaj makinerie që ngriti një fortunë në gotë. Ai shpjegon “tronditjen e thellë” prej bibe të Lindita Nikollës, pathosin e atyre deputeteve laraska që vunë kujën dhe të gjitha mediat e financuara nga regjimi që mbajtën të njëjtën linjë që në letër Rama e shpallli se ishte e tija. Së treti në tekst Rama thotë se kjo çështje nuk duhet politizuar dhe se kryetarja e autoritetit të dosjeve është njeri pranë Metës, duke “harruar” se ajo është shumë pranë Erion Veliajt, i cili ditët e fundit është vënë në qendër të akuzave për skandalin e inceneratorëve nga partia e ish presidentit.
Pra Rama manipulon dhe bllofon pasi ai është vetë në krye të këtij legjoni mercenarësh. Një ditë pasi Ilir Meta rikthehet në politikën aktive, me një email anonim, autoriteti i dosjeve vihet në lëvizje me urgjencë, Lindita Nikolli ndihet e tmerruar dhe thërret forcat politike, përgatitet me urgjencë ndryshimi i ligjit dhe si me komandë ushtria mediatike futet në llogore.
A ka ilustrim më të fortë se ky për të përshkruar një shtet autokratik? Edhe sikur spiuni I.M. të jetë vërtet ish presidenti Ilir Meta, kjo nuk e fsheh dot aspak, fytyrën e një shteti me parlament kukull e me institucione leckë, që i nënshtrohet tekave personale të Edi Ramës.
Ky është konkluzioni i errët i kësaj fabule me spiunë: asgjesimi i ditëpërditshëm i demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Prandaj Edi Rama duhet kundërshtuar për atë që po bën sot në krye të vendit dhe jo për karikaturat që bënte dikur si i biri i Kristaqit. Lapsi
Komentet