Është e padiskutueshme që morali dhe interesi i çdo shteti demokratik europian e lyp të jesh sot në krah të popullit martir ukrainas. Ardhja e Zelenskit në Tiranë e radhit pa dyshim Shqipërinë në anën e duhur të historisë. Kjo nuk është meritë e veçantë e qeverisë aktuale shqiptare.
Çdo qeveri tjetër në Tiranë do të kishte bërë të njëjtën gjë me Ukrainën sot ashtu dhe si u veprua dhe dje me mikëpritjen me ujgurët, me opozitën iraniane apo afganët. Qeveritë e Shqipërisë pro perëndimore reflektojnë në vetvete aspiratat e shqiptarëve të cilët i thonë jo Putinit dhe bashkë me të çdo lloj forme diktature dhe autoritarizmi që na kujton ish-regjimin komunist shqiptar më i egri në Europë.
Por ardhja e Zelenskit në Tiranë përtej simbolikës së fortë të rezistencës së demokracive ndaj ‘aksit të së keqes’ përmban dhe disa pikëpyetje. Do të veçoja tre syresh :
Pse u neglizhua Kosova?
Ardhja e Zelenskit në Tiranë bëri një viktimë pa dashje . Kjo qe Kosova. Ajo pësoi një poshtërim të panevojshëm si pasojë e trysnisë më të madhe që patën mbi Ukraniën dhe Perëndimin interesat serbe duke lënë në hije ato të Kosovës.
Deri tani, nuk është pushuar së kritikuari Kosova e Albin Kurtit se ajo nuk po vepron karshi Serbisë sipas rekomandimeve të Shba-ve dhe të BE-së. Aq shumë janë bërë publike këto kritika saqë jemi mësuar me to dhe është krijuar një ndjesi e rreme sikur rolet janë përmbysur, Kosova nga aleate është shndërruar në problem për Perëndimin , në të kundërt me Serbinë e cila nga problem është shndërruar në një ‘madonë’ që duhet marrë më të mirë.
Shembulli më i spikatur qe samiti me Zelenskin ne Tirane. Pa rrëfimet e vete presidentit serbem s’do e kishim mësuar se sa poshtë ra jo vetëm perëndimi por dhe vetë presidenti ukrainas përballë një Vuçiç që ua futi këmbët në një këpucë me tekat e tija.
Vuçiç tregoi me mburrje për mediat serbe, sesi në një mbledhje me vizio një natë para samitit me Zelenskin u imponoi perëndimorëve në prani dhe të Erdoganit dhe Micotaqit, dy gjëra themelore në lidhje me Rusinë: mos të përmendeshin në deklaratën finale të vizitës së Zelenskit në Tiranë as sanksione ndaj Rusisë dhe as roli minues i Rusisë në Ballkanin pèrëndimor. Dhe si me magji, këto dy aspekte nuk figuruan në deklaratën finale.
Kur Kosova thjesht guxon për interesin e saj kombëtar të refuzojë një tekst marrëveshje asociacioni të komunave serbe me përmbajte sipas orekseve të Beogradit, i merret erzi botërisht. Por kur Vuçiç insiston në dëm të interesave të Ukrainës dhe të bashkësisë perëndimore, të mos i vërë sanksione agresorit rus, dhe mos ta shpalle atë si të rrezikshëm për paqen edhe në rajonin ballkanik, jo vetëm që nuk gjen një burrë shteti perëndimor t’i marre erzin publikisht Serbisë siç e bëjnë me Kosovën, por përkundrazi ia mbajnë sekret opinionit publik të palarat me Vuçiçin siç kanë qenë negociatat për deklaratën finale me Zelenskin në Tiranë.
Një poshtërim i dytë e priste Kosovën në Tiranë. Mungesa e flamurit të Kosovës aty ku ishte i pranishëm Vuçiç ! Edhe kjo ne emër të interesave të Serbisë rë diktuara nga Vuçiç në Tiranë? Sa e largët duket ajo ditë në fillimet e qeverisjes së Edi Ramës kur ky I fundit I tha Vuçiçit në Beograd : “Kosova shtet është realitet , sa më shpejt ta njihni aq më mirë do jetë për ju !” Por ja që kjo jo vetëm s’ka ndodhur, por po e kundërta po ndodh, është Serbia që po i dikton Edi Ramës mu në zemër të Tiranës mos ekzistencën e shtetit të Kosovës.
Kështu ndodhi vjeshtën e kaluar, kur dy përfaqësues të lartë te Shtetit serb në vizitë në Tiranë për samite ndërkombëtare, për shkak të pranisë së flamurit të Kosovës refuzuan të merrnin pjesë ne fotot zyrtare. Kështu veproi në Tiranë edhe ministri i jashtëm serb Dadiç edhe kryeministrja serbe Bernabiç.
Për të evituar një bojkot të ri, kësaj here të vetë presidentit serb në Tiranë, Vuçiç, a e pati më kollaj Rama të zhdukë fare nga imazhi flamurin e Kosovës? Nëse ka ndodhur vërtetë kështu, presidentja e Kosovës Vjollca Osmani duhet të kishte bërë dhe ajo të njëjtin gjest të bojkotonte dhe të bojkotojë çdo instancë ku nuk do të figuronte flamuri i Shtetit të Kosovës.
Cili është ekzakt statusi i Aleks Sorros pranë autoriteteve shqiptare
Një nga fotot zyrtare që na u servir nga samiti me Zeleneskin në Tiranë nxirrte në plan të parë , Kryeministrin Rama dhe menjëherë pas tij dy figura të njohura publike: Taulant Balla, ministër i Brendshëm i Shqipërisë dhe Aleks Sorros për të cilin nuk ka asnjë komunikim zyrtar nga autoritetet shqiptare se çfarë statusi apo rangu gëzon ai në ekipin kryeministror.
Nuk është fjala këtu për të bërë ‘Sorros bashing’ sepse fundi I fundit ai përfaqëson një emër të madh në botë dhe një mbështetje totale ndaj kauzës së Ukrainës. Por fakti është se nuk numërohen rastet kur Alex Sorros shfaqet krah për krah Edi Ramës në samite ku Shqipëria është pjesëmarrëse. Një pyetje e tillë nuk është ngritur asnjëherë për shembull në lidhje me Toni Bler.
Marrëdhëniet me të Rama i ka qartësuar duke e prezantuar si këshilltar i qeverisë shqiptare. Vetë Bler e ka pranuar këtë status duke sqaruar se e ushtron falas. Por për Aleks Sorros nuk është dhënë dhe vazhdon të mos jepet as dhe më i vogli sqarim, duke i dhënë këtij të fundit një status pa status si ai i disa guruve perëndimorë pranë presidentëve të republikave bananiere në Afrikë. Statusi i vetëm zyrtar i njohur për Aleks Sorros është lidhja me fondacionin Sorros themeluar nga i ati i tij Xhorxh Sorros.
Por si të tillë atë nuk e shohim krah apo mbrapa liderëve të vendeve të tjera ku vepron fondacioni Sorros. A mund ta sqarojë kryeministri i Shqipërisë taksapaguesin shqiptar sesi duhet kuptuar prania konstante e Aleks Sorrosit në samitet ku populli shqiptar përfaqësohet nga kryeministri?
Çfarë përmban plani shqiptaro-ukrainas për prodhim të përbashkët municionesh në Shqipëri
Por pika më intriguese e samitit me presidentin ukrainas në Tiranë mbetet momenti kur Zelenski kërkoi bashkëpunim për prodhim municionesh. Shumë pyetje shtrohen për të evituar pikërisht mangësitë në komunikim në rastin e planit Rama Meloni kur opinioni publik u vu para faktit të kryer të një plani të negociuar muaj më parë.
Kur Zelenski foli për prodhim municionesh, a përfshin ai në këtë plan vende të Ballkanit Perëndimor apo vetëm Shqipërinë. Serbia ka mohuar për shembull se me Zelenskin është negociuar një gjë e tillë. Në rast se është vetëm Shqipëria, a jemi në stadin e një dëshire apo negociatat dypalëshe kanë avancuar konkretisht ? Kush do i prodhonte këto municione në Shqipëri, qeveria shqiptare, ajo ukrainase, qeveri perëndimore, me ndërmarrje publike, apo shoqëri private me tendera?
Cili do jetë modeli ekonomik i kësaj industrie lufte, Shqipëria do i shesë Ukrainës dhe Perëndimorëve municionet e prodhuara, apo Ukraina do të kishte uzinat e saja dhe roli I Shqipërisë do të kufizohej në vënien në dispozicion të një territori për një uzinë siç po e bën Rama me Melonin për kampet e refugjatëve?
Përgjigjet ndaj këtyre pikëpyetjeve janë jo vetëm një detyrim në shoqëritë demokratike por dhe një demonstrim vlerash përballë një Rusie agresive dhe diktatoriale që ka si udhërrëfyes sekretin dhe manipulimin e opinionit të saj publik. /BW