Më datën 24 maj 2018, u nda së gjallësh akademiku dhe miku im i nderuar, Prof.Dr.Kolec Topalli. Qysh sot, pas homazheve dhe fjalëve vlerësuese që iu bënë në Akademinë e Shkencave, ai do të prehët nën dheun e qytetit të Shkodrës, ku lindi dhe kaloi moshën e re, ku u ushqye me ndjenjat e atdhetarisë e të qytetarisë shkodrane, si bir i njërës prej familjeve me emër të mirë të atij qyteti.
Me pikëllim të thellë, natyrisht, edhe me dhimbje të sinqertë, vlerësoj se Kolec Topalli, për të gjithë ata që e kanë njohur dhe që i kanë marrë në dorë veprat e tij do të përmendet me vlerësimet dhe nderimin meritor si një nga gjuhëtarët më të shquar shqiptarë, autor me plot 18 vëllime monografike, gramatika dhe fjalorë, si dhe një sasi të madhe kumtesash e artikujsh studimorë të botuar në revistat shkencore albanologjike, si dhe në konferenca ndërkombëtare.
Kolec Topalli punoi në lëmin e gjuhësisë, duke u përqëndruar e thelluar kryesisht në problemet e fonetikës historike dhe të gramatikës historike dhe të etimologjisë së shqipes, fusha në të cilat kishin punuar para tij Eqrem Çabej dhe albanologë të tjerë të shquar shqiptarë e të huaj, një nga fushat më të vështira të gjuhësisë shqiptare, por ku akademiku ynë do të sillte ndihmesat e tij të shumta, të rëndësishme e të atilla që e bëjnë atë një nga figurat më të dalluara të gjuhësisë shqiptare e të albanologjisë së sotme.
Sikundër e kam shprehur edhe në tubimin e bërë për përurimin e parë të “Gramatikës” në ditët e Albanologjisë (dhjetor 2011), po përsëris me plot gojën atë që kam pohuar me atë rast: Kolec Topali, kolegu ynë i nderuar, na e ka kaluar të gjithëve, si me sasinë e madhe të librave, ashtu edhe me akribinë shkencore dhe me prurjet e shumta që ndejnë studimet e tij, tashmë edhe të ditura, po edhe denjësisht të vlerësuara. Përmendim se vepra e tij madhore “Gramatikë historike e shqipes”(2011) është nderuar me çmimin e Akademisë “Kult”, kurse më parë vepra e tij shumë e rëndësishme “Fonetika historike e gjuhës shqipe” është nderuar me çmimet “Ekselenca Shqiptare 2007” dhe “Çmimi i Albanologjisë 2008”. Vetëm para pak javësh vepra “Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe” e akademikut Kolec Topalli u nderua edhe me “Çmimin E.Çabej”.
Veprat e Kolec Topallit janë vlerësuar e përuruar në shumë konferencë shkencore të QSA-së e të universiteteve të ndryshme,si p.sh. në Ditët e Albanologjisë nga QSA,në Universitetin “Eqrem Çabej” në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, si dhe në Akademinë e Shkencave e të Arteve të Kosovës, ku ai ishte edhe anëtar i jashtëm i saj.
Ngushëllime familjarëve, të afërmeve, kolegëve e të gjithë atyre që e kanë njohur dhe kanë bashkëpunuar me akademikun e nderuar, Kolec Topalli, i cili do të na mungojë, por do të mbetet mes nesh me kontributet e tij të shumta në lëmin e gjuhësisë shqiptare.
I qoftë e lehtë lëndina e Atdheut për të cilin ai dha ndihmesat e tij shumë të të vyera.
Komentet