Kam përpara një Margaritar, jo vetëm të ndritshëm, rrezaton mënçuri të rallë. Miqësuar prej shumë vitesh. Dikur, në kohë të largëta, sapo kisha nisur shkollën e mesme, shkoja në teatër me të afërmen time që punonte atje. Ndiqja provat dhe të gjitha shfaqet për të disatën herë. E familjarizuar me teatrin dhe punonjësit e tij, e veçanërisht me Margaritën, falë buzëqeshjes së ëmbël, simbol i mirësisë dhe paqes. “Një fytyrë e buzëqeshur është një fytyrë e bukur. Një zemër e buzeqëshur është një zemër e lumtur”. Ritakuar në aktivitete e shoqëri grash, ku margaritari shkëlqente edhe më fort. Prej kohësh, hidhja kujtimet e mia për Margaritarin e skenës.
Stepur prej shkrimeve dhe intervistave të shumta, brenda dhe jashtë vendit. Një libër me një bibliografi dhe analizë të hollësishme, profesionale të studiuesit Miho Gjini, e më pas nga Angjelina Xhara. Shkrime vlerësime, nga gazetarët, kolegët studiuesit, regjisorët e vendit dhe të huaj. Prej muajsh kisha gati për botim, librin me esse dhe tregime, ku rëndonte pesha e kujtimeve. Më mungonte ky bashkëbisedim i gjërë, kemi shumë për të thënë. Njihemi dhe duhemi prej kohësh edhe pse takohemi rrallë. Dhe vjen një ditë e parathënë ku flet shpirti.
-Të kam përpara syve dhe më vjen ndërmend e njëjta pyetje që bëri student i ri i gazetarisë: -“A është e vërtetë?” I cili u përpoq të ngjitej në skenë në mesin e shfaqes. Inspektorët e skenës e ndaluan të shqetësuar. Ai, pa vetëdije, i mahnitur nga bukuria e aktrimit dhe qenies tënde, u ngrit si sonambul dhe u drejtua drejt skenës. – Ku shkon? – Pyetën ata, duke e ndaluar në shkallët anësore. Ai i zgjuar nga ëndrra, pyet përsëri: – A është e vërtetë? Do të shkruaj … dua të bindem. A është e vërtetë?! Djaloshi u muar si njeri jo normal dhe u nxorr jashtë.
Ç’faj kishte i gjori? Unë të kam përballë dhe je ai, ylli i skenës, që tronditi shpirtra. Ti Margarit ke qenë, para se të jesh!
– Eh, isha e re dhe e lezeçme, por mbi të gjitha është: Fati fatlum! Jo gjithmonë, se edhe fati është kapriçioz, po në përgjithësi, ka qenë i mirë me mua. -thotë qetë, me një buzëqeshje të lehtë… “Jeta është si një pasqyrë. Buzëqeshi asaj dhe ajo do të të buzëqeshë ty mbrapsht”.
Qenia e saj përballë, më kujton një thënie të ngulitur fort ne mendje: “Arti është art dhe ligje ka. Po ligji më i parë, është të jesh i thjeshtë”. Margarita Xhepa, e di mirë këtë. Është artistja e madhe që vetëm Shekspirin e luajti pesë herë, fuqishëm, me kryeveprat dhe kryerolet.
Portreti yt, hyri në galerinë e kujtesës të një populli. Më thuaj si? Si mbrite në Teatrin Popullor?
– Kur erdha në Tiranë, nuk kisha marrë as pasaportën, isha shumë e re, s’kisha mbushur ende të katërmbëdhjetat. Sot jam kjo që sheh, s’ka ngelur regjisor filmi apo teatri, pa me dhënë role në premierat e tyre. Ja pra fati. Si nxënëse shkolle, më aktivizuan në shtëpinë e kulturës në Lushnje, si recituese dhe më pas vendosën të më çonin në Liceun Artistik në Tiranë. Erdha ashtu, e ndrojtur e frikësuar, drejt një udhe të re. Do të konkuroja për të hyrë në degën e aktrimit. Kryetar jurie ishte aktori dhe regjisori i mirnjohur, Pandi Stillu. Recitova ato dy tre poezi që dija mirë. E para ishte “Bagëti dhe Bujqësi” e Naim Frashërit. Pastaj më thanë: – “Mirë i recitove, por do të japim edhe një ushtrim që të provojmë më mirë talentin tënd”. Unë isha duke pritur plot emocione e ndrojtur. -Dëgjo Margarit, -mu drejtua regjisori. Kemi dëgjuar se ti në Lushnje, bashkë me nja dy shoqe, ke shkuar në një Mapo dhe ke marrë një copë për fustan, ndërkohë që shitsja merrej me shoqet e tua, ti e fute në çantë dhe ike me nxitim. Shitsja e shqetësuar ka njoftuar, dhe ti duhet të paguash lekët….
E tronditur, ngrihem nga vendi dhe shkoj përpara komisionit: – Jooo! Unë nuk kam hyrë asnjëherë në asnjë dyqan, sepse nuk kam pasur kurrë lekë në duar. Ne ishim të varfër, fustanet dhe sandalet na i blinte babai çdo vit për Pashkë. Ai punonte dhe mbante paratë, bukën dhe ushqimet, babai i blinte… Isha përlotur e skuqur në fytyrë. -Mirë, mirë, mos u shqetëso, prit pak aty, në koridor.
Kisha fituar! Të nesërmen në mëngjes shkuam të takonim Drejtorin e Teatrit Popullor, Xhemal Broja. Ai na priti mirë duke thënë, se në teatër do të bënim punë të bukura dhe do të paguhesha me një rrogë minimale. Megjithëse u gëzova shumë, i thashë se mua më kanë dërguar të vazhdoj shkollën … Po ky ishte edhe mendimi i tyre, teatrit i duheshin njerëz me shkollë. Pas shkollës do të shkoja në teatër të bëja prova. Kjo ishte një mrekulli për mua. Do jetoja në Tiranë dhe do ndihmoja familjen time të madhe në Lushnje. Fluturoja nga gëzimi!
Puna në teatër ishte një tjetër shkollë e madhe për mua, atje gjeta aktorë të medhenj si, Mihal Popi, Mihal Stefa, Loro Kovaçi, pjetër Gjoka, Andon Pano, Naim Frashëri, Kadri Roshi, Besim Levonja, Prokop Mima, Sandër Prosi, Gjon Karma e të tjërë. Aktoret, Behije Çela, Liza Vorfi, Drita Krypa Pelingu, Marie Lagoreci, Violeta Manushi, e Besa Imami.
Pasi luajta disa role të vogla episodike figuranteje, filluan të më besoheshin role më të plota. Me përpjekjet e mia dhe dashurinë e madhe që kisha për artin dhe ndihmën e madhe të kolegëve, regjisorëve dhe drejtuesve të Teatrit Popullor, fillova të përparoja, të mos quhesha më, figurantja e bukur e Liceut apo recituesja nga Lushnja.
-Më ka pëlqyer përherë flaka e mirësisë, që mban ndezur shpirti yt. Spektatorët të adhuronin sapo vije këmbën në skenë: “Jetoj dhe vuaj me rolet e mia.” -thoje dikur, vazhdon përsëri ta bësh këtë?
– Nuk janë pak 40 role radhazi, punë përkushtim, dashuri dhe vuajtje. Gjithmonë me frikën se mos përsërisja veten. Duke filluar me Mashën. Drama Mashenka nga dramaturgjia ruse. Ishte koha e miqësië atëherë. Tek Mashenka, isha një vajzë e vogël, e cila pas vdekjes së të jatit, vjen të jetoj me gjyshin e vet shkencëtar.
Pas tre roleve si personazhe ruse, luajta rolin e Majlindës në dramën e Xhemal Brojës. Dramaturg dhe drejtor i Teatrit Popullor. Njeri me dije dhe kulturë të gjërë. Kisha partner aktorin Kujtim Spahivogli. Ne ishim çift i ri i sapomartuar, ku Majlinda vuante shpirtërisht nga shprehjet e pakontrolluara e të shoqit. Fyerjet dhe mosrespekti i tij, do ta ndrythte gruan e re, e cila do të merte forcë dhe kurajo ta kundërshtonte të shoqin, e rebeluar me të, merr vesh se ai e tradhëtonte. Ajo, do të kërkonte të largohej prej tij. – “Mjaft më, dashuria fal, kur dinjiteti nuk nëpërkëmbet.” Po Majlinda është një grua e mençur, e nisur nga dashuria ajo kërkon ta mbrojë familjen dhe fëmijën e tyre të vogël. Këto probleme sociale ishin atëherë dhe janë kudo edhe tani aq shumë aktuale. Kohet kanë ndryshuar, problemet mbeten.
-E dashur Margarit, arti është një faktor mbizotërues në jetën e njerëzve, protagonistët e tij, influencojnë fort në mirëqënien e jetës së tyre.
-E vërtetë, më pas, erdhi një rol tjetër i plotë, ai i Valentinës. Drama ruse e Barjamovit. Ishim të varur jo vetëm ekonomikisht por edhe kulturalisht. Partner kisha aktorin Naim Frashëri. Merrnin pjesë edhe dy aktorë të tjerë mjaft të mirë si Sandër Prosi dhe Ndrek Luca, në rolin e japonezit Muximura. Më pas erdhi, Valja- një agjente ruse.
-Ti agjente? Paske luajtur dhe Mataharin! – qeshëm të dyja.
-Jo, jo si Matahari, sepse agjentja dhe shoku i saj agjent, ishin në shërbim të atdheut, ishin njerëz dinjitozë. Isha si fillim një togere e thjeshtë, pastaj një agjente sypatrembur që komunikoja me dinjitet më eprorët. Sigurisht nuk mungojnë të papriturat, në prapavijat e ushtrisë japoneze, duhet të hiqesha sikur isha gruaja e dikujt tjetër, ndërkohë dikush tjetër më dashuronte marrëzisht, por unë në punë e sipër dashurohem më kolegun tim, agjentin rus, aktorin e talentuar Naim Frashëri. Ishte një stërmundim ky rol në realizimin e tij, pasi unë isha një atdhetare ruse dhe duhet të luaja rolin e urrejtjes ndaj vendit tim. Kjo gjendje e dyzuar më bënte ta urreja veten. Sot këto raporte dhe realitete janë të përmbysura.
-Sepse, vetë fjala agjente personifikon një rol të vështirë dhe të dyzuar, me së shumti të urryer.
Për të ndihmuar bashkbisedimin, se kujtesën e keni perfekte, kam mbajtur, disa shënime.
Dramën,“Djali plangëprishës”, ma kujto paksa.
-Ishte pjesë e dramaturgut Ranet. Një dramë psikologjike, dhe fort aktuale me histori që ndodhin edhe tani. Regjisori dhe pedagogu Andrea Malo, e vuri në skenë mrekullisht, por ishin dhe aktorët e zgjedhur në përshtatje me rolet. Une isha Anika, gruaja e një të burgosuri politik. Mark Tuishi quhej, i cili kthehet nga internimi i xhindosur të hakmerej me gruan e tij, që e kishte tradhëtuar kur ai ishte në burg. Dramës së internimit dhe burgosjes i shtohet drama tjetër. Ai sillet dhunshëm me gruan, duke i shkaktuar plagë të reja. Dramaturgu i jep përfundim tragjik Markut. Por aktori Naim Frashëri me mjeshtërinë e tij, e zbut tragjedinë duke ruajtur aromën e dashurisë së dikurshme. Ndërsa Anika një grua e bukur dhe e kohës, ndjente urrejtje për të shoqin, pasi dhe ajo ishte ndjerë e braktisur prej tij gjatë viteve të burgut. Dëshpërimi, zhgënjimi dhe luhatja e saj prej dyshimit, ja bënin të vështirë jetën.
-Një treshe e mrekullueshme aktorësh, Margarita, Artisti i Popullit Naim Frashëri dhe Sandër Prosi. Tre artistë brilante dhe të dashur për publikun, i cili ju duartrokiti fort.
-Në fakt për mua ka qenë një rol i vishtirë ai i Anikës. Regjisori më la vetëm, nuk më vuri dublante. Isha vetëm çdo natë. U bë një punë e madhe, shihja sesi Naimi, e zbërthente karakterin e rolit të tij me detaje dhe ndryshonte gjendje nga fraza në frazë. Kur unë i thoja: “Ti ma vdiqe fëmijën”, ai tkurrej nga dhimbja nga që vuante dhe më donte akoma. Reagimet e lojes së përsosur aktoriale të partnerve të mi, më ndihmonin shumë në zbërthimin e rolit. Ndaj, partneri është shumë i rëndësishëm në raste të tilla. Sytë e tij shkëlqenin kur më thoshte: “të urrej!” Suksesin tim në këtë dramë ja dedikoj dy partnerëve të mi, Naimit dhe Sandër Prosit, në rolin e Lembit. Shkruan dhe gazetat për këtë shfaqe të sukseshme të vitit 1961.
Pas një viti luajta një tragjikomedi tjetër të huaj, të dramaturges Polake Gabriela Zapolska. “Morali i Zonjës Dulska” në rolin e Melës.
-Roli i bukur ishte ky, të pëlqeu?
-Ishte një dramë e kohës të mos them e të gjitha kohërave. Demaskonte falsitetin, korrupsionin, hipokrizinë që fshihej pas shoqërisë borgjeze. Po edhe në të gjitha shoqëritë e sotme. Regjisori Pandi Stillu, me mjeshtëri kishte zgjedhur aktorët më të mirë dhe kishte përshtatur rolet. Violeta Manushi, Prokop Mima, Mihal Popi, Liza Forfi e të tjerë. Zonja Dulska, i mbante nën tutelë fëmijët e saj të rritur. Por duke mos patur edukatën e duhur përmbyset gjithçka. Të gjitha personazhet luajtën bukur zvetnimin e tyre, por Mihal Popi shkëlqeu.
-Po ti ç’beje atje?
-Unë isha një vajzë e lirë që vrapoja nëpër skenë, luaja me vërtetësi dhe sinqeritet rolin dhe kështu e kisha bërë spektatorin për vete. Isha si një fëmijë që flet e vepron pa ditur se ç’po bën.
Në vitin 1965, u vu në skenë një komedi gazmore e Komediografit spanjoll, Lope de Vega. Mua mu besua roli i Marcelës. Në qendër të komedisë ishte kontesha e Belflorit, Diana. Vejusha që ka rrënë në dashuri me sekretarin e saj Teodorin, me të cilin as do që të martohet, e as e le të marrë grua tjetër.
– Marcela ishte shërbëtorja?
– Po, unë isha e kundërta e vejushës Diana. Komedi ishte alarmi që u krijua se në çifligun e konteshës, kishte hyrë një djalë i ri për Marcelën, jo për Dianën! Mirpo unë e ndrojtur, ula kokën e turpëruar. Ishte dallimi klasor që e bënte këtë diferencë. Megjithatë tashmë Marcela ishte konkurentja e konteshës në dashuri, ajo e dashuronte djaloshin që i sillëj vërdallë dhe i çuçuriste fjalë dashurie. Kontesha tërbohej nga ky fakt, ku shërbëtorja që mbante në çifligun e saj, po e sfidonte dhe konkuronte në dashuri. Teodori i përkiste klasës së pasur dhe i takonte asaj.
Mirpo unë luaja naivitetin e një vajze të thjeshtë që nuk kupton se kontesha dashuron Teodorin, ndaj kujtoja se kontesha do e përkrahte duke parë se Marcela dashuronte marrëzisht. Isha e lumtur dhe gazmore, mos them edhe pak djallëzore në interpretimin e rolit. Mirpo Kontesha e zëmëruar, jo vetëm që nuk e kupton por e dënon Marcelën me izolimin, pothuaj burgosjen e saj.
– Interesante dhe argëtuese, si vazhdoi më tej komedia?
-Më pas Marcela, e revoltuar vendos të hakmerret me të dy, megjithëse ajo akoma e dashuron Teodorin; “Sa e zorshme qënka ta harrosh dashurinë”- shprehet ajo. “Nuk jam aq naïve sa mendon zonja”. Marcela bën sikur dashuron Fabion, besnikun e Dianës. Teodori tërbohet dhe hidhet në krahët e saj përsëri. Tashmë do të marë hak Kontesha, duke vendosur ta martojë Marcelën me Fabion. Komedia ka luhatjet e saj, dhe unë herë e dashuruar dhe lozonjare me frazat e zgjedhura:’ “Unë jam ashtu si më paraqet dashuria…Që të të shoh dhe të flas me ty, jam gati të jap njëmijë jetë.” Por edhe humbëse. Ajo nuk pranon të martohet me Fabion se është e dashuruar marrëzisht me Teodorin, do të shkojnë të jetojnë në Spanjë, larg çifligut të tyre. Por kthesa zigzake e fatit, zbulon se i dashuri i saj është i biri i humbur i një konti. Kështu shtresa sociale i ndan përsëri të dashuruarit. Secili në jetën e vet, ku Marcela e vetmuar e varfër në fatin e saj, mbetet përsëri shërbëtore.
-Komedi i thënçin, dramë e vërtetë, megjithatë mua më ngeli në mendje, fraza kuptimplote: “Unë jam ashtu si më paraqet dashuria.” – e bukur apo jo? Si ishte Margarita Marcel?
-Shumë argëtuese, vërtetë që më pëlqeu dhe e zbërtheva rolin fije për fije, pasi kisha ndihmë si shumë herë, partnerin Naim Frashëri në rolin e Teodorit, plot ngrohtësi në interpretim si një komedian i vërtetë, më jepte ndihmë në komunikim. E ndjeva që ishte një rol i arrirë që u pëlqye shumë dhe mora vlerësime nga regjisorët e tjerë dhe kritika e kohës. E quaj një nga rolet e mia të arrira dhe të dashura.
-Erdhi Dafina, personazhi ndryshe, i dashur dhe i dhimbsur tek drama, “Lumi i Vdekur”. Një dramatizim i shkëlqyer nga Kudret Velça, i romanit me të njëjtin emër të shkrimtarit Jakov Xoxa. E kam parë dramën dhe jam përlotur. Vënë në skenë mrekullisht, nga Drita Agolli, me të gjitha detajet dhe antropologjinë e kohës. Fatkeqësitë natyrore të myzeqarëve dhe shpërngulja masive e kosovarëve nga trojet e tyre. Mikpritja e banorëve myzeqarë bujarë, në shtëpitë e tyre buzë lumit të vdekur. Drama e madhe e një populli të vuajtur ndër shekuj. Varfëria e tejskajshme dhe pangopësia e feudalëve të kohës. E kam shumë për zemër, librin edhe dramën e realizuar aq bukur.
-Po edhe unë, e kam dashur shumë, po shumë këtë rol, pasi më kujtoheshin mirë disa skena që kur isha e vogël, por edhe tregimet e prindërve të mi. I kishin pritur kosovarët si vëllezërit e tyre, ndanë bukën me ta, bën krushqi me ta, dhe mes vuajtjeve mbijetuan. Unë kisha rolin e Dafinës, një nuse e re, të cilës lumi i kish rrëmbyer djalin tetë vjeçar. Gjithçka ishte përmbysur në jetën time, por duhet të qëndroja e fortë për të përballuar jetën dhe vështirësitë.
– Sa bukur flet në emër të personazhit! Na keni bërë për të qarë dhe të duartrokasim fort.
Nga Dafina tek Ledi Milford, dhe nëna e Luizës. Dramë e Shilerit. “Intrigë dhe dashuri”. Intrigue and Love”. E luajtur në shumë skena të botës. A thua se s’ka dashuri pa intrigë!
-Përsëri Drita Agolli, i kishte dubluar pothuaj të gjitha rolet kryesore. Një natë isha Ledi Milford, natën tjetër isha Dadoja e Luizës, me aktoren Yllka Mujo.
-E si ja dole me këto thyerje karakteresh?
-Te dyja rolet kishin karakter social e shoqëror. Por kishin tipare dhe karaktere të ndryshme, veshje të ndryshme dhe dallonin mirë nga njëri-tjetri.
“Ledi, një grua aristokrate mondane e veshur bukur me glamur ngjyrë jeshil e tantella si flutura, një trup i bukur elegant si i derdhur në mermer, me flokët e artë dhe bizhu ndërthurur në to. Një bukuri e rallë e pakrahasueshme, nën muzikën e bukur referuar kohës, me një erashkë në dorë. Nervoze, një aristokrate e fisme e ftohtë dhe kryelartë që pikon mirësi dhe urtësi në çdo fjalë. Por ajo eshte e dashuruar marrëzisht me Ferdinandin dhe nuk i bën përshtypje komforti që e rrethon.” – kështu të përshkruajn artëdashësit.
-Fatkeqësisht Ferdinandi është i dashuruar me Luiza Milerin, ndaj Ledi është në dëshpërim të thellë. I cili do ta konfliktonte jo vetëm me veten, po me të gjithë që kishte pranë. Krenaria dhe dashuria në luftë me njëra tjetrën.
– Një rol interesant, i veçante nga të tjerët, i dhe sharmin tënd. Me aktoren Yllka Mujo, ishit në lartësinë e dramws së Shilerit, ndaj shfaqja u prit dhe u duartrokit fort. Më trego pak për takimin interesant me zotin Eqerem Çabej?
-Po ecja rrugës duke nxituar për në shtëpi. Diku afër Bankës së Shtetit, dijetari i shquar, zoti Çabej, duke shkuar rrugës së tij, ndodhëm përballë. U përshëndetëm dhe më thotë: ”Më lejoni t’u puth dorën zonja Margarita! Unë, jam kundër puthjes së dorës, se në një rast të tillë të etikës dhe mirsjelljes, më kanë quajtuar borgjez! … Por unë do t’ua puth dorën, se atje në skenë përfaqësonit personalitetin e një gruaje me tipare të larta. Personazhi juaj i Ledi Milford, qe i plotë, ashtu si e krijoi Shileri. Mua më dha një kënaqësi fort të madhe. Unë pashë figurën e një zonje me dinjitet, por edhe dramën që ajo kishte midis bastardëve të oborrit… Bukur! Shumë bukuuur!…… “
-Copëza jete që plotësojnë për mrekulli jetën skenike, pjesë e rëndësishme të një artisti! Ledi Milerit i fale mondanitetin, bukurinë dhe fisnikërinë tënde. Kurse Dados së Luiza Milerit, megjithese rol jo i plotë e me pak fjalë, i dhe butësinë, thjeshtësinë dhe dashurinë e madhe që mbart shpirti yt!
Dhe vjen “Vizita e Inspektorit”, dramë e Xhon Pristlit, ku ti shkëlqen përsëri.
– Megjithëse drama u çensurua mjaft, dhe humbën diku disa mesazhe. Zonja Bërling ishte një grua potente autoritare që mbronte me mish e me shpirt nderin e familjes, madje regjisori i ri Dhimitër Pecani, për ta përshtatur shtoi një monolog në lojën time, ku anashkaloheshin pergjegjesitë e inspektorit Gull, në zgjedhjen e personazheve të akuzuar.
– Megjithatë, loja jote e një aristokrateje, që plotësonte më së miri sharmi yt, i mbuloi disa gabime. Si ja bëre me prepotencën dhe autoritetin e një zonje të ftohtë si statujat e mermerit, krejt cinike e pa shpirt, ndaj jetës së njerëzve të tjerë? “Hungërinte si një kafshë e plagosur”- shkruante kritika.
– Puna, e dashur, puna e madhe, e imja, e regjisorit dhe e kolegëve të mi të nderuar. Unë i pranoja me mirënjohje vërejtjet. Pasioni për teatrin bën gjithçka, të tjetërson në skenë sipas rolit. Mos harro! “Të gjithë kemi brenda djallin që shkatëron dhe ëngjëllin që ndërton.”
– Në këtë rast, qëndron kjo thënie. Por unë jam mrekulluar e dashur Margarit, tek drama “Viti ‘61”, desh kam hypur në skenë t’ju përqafoj. Me gjithë djallin brenda, jam mahnitur, njëlloj si studenti i gazetarisë. Se besoja; “nëse ishe e vërtetë”, apo mirazh i zbritur nga qielli.
-Ti, po e zmadhon disi, në fakt, rolin e Zinës tek drama e Fadil Paçramit, e doja fort, e ndjeja shumë afër meje, sepse e adhuroja bukurinë e vajzave ruse, brishtësinë dhe bardhësinë e tyre. E ndikuar edhe nga tregimet e Çehovit dhe Turgenjevit. Pavarësisht politizimit të saj, ishte drama e shumë shqiptarëve që u fikën jetët dhe fatin e tyre, nga prishja e mardhënieve me Bashkimin Sovjetik.
– Ti ngjaje fiks si ato aktoret e mëdha ruse, me flokët e verdha të mbledhura prapa, e veshur me kostumin elegant gri. E lënduar nga ikja dhe tragjedia familjare me fëmijën në mes. Por e bukur, marrëzisht e bukur edhe pa stolitë e veshjet mondane. Me një interpretim brilant, luaje tragjetinë e fatit të dhjetra familjeve, që u shkatëruan vetëm se djemtë shqiptarë, u dashuruan dhe u martuan me vajzat ruse. Tashmë në kemi plot informacione, se çfar ndodhi me ato familje të gjora që u ndanë, me ato gra fisnike që nuk pranuan të ndaheshin, u shkatëruan familjarisht, u çmenden dhe u shuan burgjeve dhe internimeve komuniste…
Një nga dhjetra e dhjetra histori të atyre viteve është dhe ajo e Thoma Rafaelit. Ma ka treguar këtë histori një mik nga Pogradeci. Thomai kishte studiuar në Bashkimin Sovjetik dhe ishte martuar me një grua ruse të bukur. Ishte mjeke psikiatre dhe kishin lindur një djalë. Me prishjen e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, ajo mori djalin dhe iku në atdheun e saj, duke lënë majorin shumë të brengosur. Ashtu si shumë të tjerë kuadro që studiuan dhe u dashuruan me vajzat ruse. Thomai i vendosur me mendimin për t’u bashkuar me të birin dhe gruan ruse, ide që i’a pati dhënë i vëllai i tij Stavri, duke parë dëshpërimin e thellë që përjetonte Thomai. Stavri Rafaeli, një këngëtar i shquar i Operas dhe Baletit, i zhgënjyer nga arti dhe jeta që bëhej në Shqipëri, e nxiti të vëllanë e përkushtuar ndaj profesionit të tij për t’u arratisur drejt një bote dhe jete të bashkuar me familjen e tij. Thoma Refaeli, bashkë me të vëllanë dhe katër shokë të tjerë ranë në duart e xhelatëve duke u arrestuar në kufi, pranë fshatin Lin të Pogradecit, për tentativë arratisjeje. U pushkatuan për tradhti ndaj atdheut, duke u dhënë fundin tragjik vuajtjeve dhe jetës.
-Sa histori të dhimbshme të dhemb shpirti thellë, atëherë nuk trajtohej kështu, politika revizioniste ruse dhe dashuria e tyre shiheshin si shkaktare të këtyre tragjedive, tradhëtare e fajtore të pabesa. Ky ishte qëllimi i dramës “Viti 61.”
– Qëllimi në dukje ndoshta, në fakt dramë e guximshme për kohën? Ishit një çift i përsosur për tu patur zili, loja juaj brilante i bënte spektatorët të lotonin për ndarjen, ikjen tënde bashkë me fëmijën e gjorë, dënuar prej fajit të komunizmit lindor.
Naim Frashëri, një aktor brilant në të gjitha rolet, merte në sytë tanë pamjen herë të Dritëroit, e herë të ushtarakëvë të gjorë, që u martuan me vajzat ruse, më pas u persekutuan dhe jetuan dramën deri në fund të jetës. Ndërsa drama “Viti 61”, mbyllte siparin e shfaqes në vitin 1971. Akoma s’kishte filluar furtuna kundër artit, ku e pësoi dhe autori i kësaj drame.
Të ikim nga kjo kohë rrënqethëse, kush vjen më pas?
-TEMISI, nga “Prometeu”, një tragjedi tjetër marë nga mirtologjia, e sjellë në kohët moderne. Dramaturgu i shquar Viktor Eftimiu, me origjinë shqiptare, e kishte marrë temën nga mitologjia e lashtë. Prometeu, i cili i vodhi Zeusit zjarrin dhe ua dha njërëzve. Zeusi i zëmëruar e lidhi pas shkëmbinjve që t’ia hanin mëlçinë shkabat.
– Me dhëmb kur flas më dhëmb kur hesht,
As vetë nuk di se kur më dhëmb më shumë …
Ka zemër hekuri, apo prej guri
Ai që s’vajton për fatin tënd të mjerë,
O Promete! Oh, sa do desha unë
Mjerimet e tua, të mos i shihja kurrë!
Me ndrydhet zemra kur i shoh tani.
– Ndryshe nga Eskili, në dramën “Prometeu i mbërthyer”, Eftimiu e sjell në kohë mesazhin e dramës, duke e bërë më kontemporane.
– Vetëm një aktore e madhe si ty, do të lunate nënën e tij, Temisin, e cila do ti qëndronte pranë në këtë gjëmë.
– Vështirësia ishte, se nuk ishte një rol klasik i tragjedisë së Eskili, ti sapo citove, ku dominonte fuqia e tragjedisë klasike. Unë duhet të isha një nënë e urtë, e veshur thjeshtë e dhimbshur me shpërthimet e mia tragjike për birin.
-Pra, ja dole si një nënë shqiptare, e cila qëndron pranë birit për t’i lehtësuar plagët.
– Ishte Fatos Haxhiraj, një aktor-regjisor i ri që do ma besonte këtë rol, dhe ja arrita besoj, me imagjinatën krijuese, të vuaja e lebetitur nënën pranë birit të dënuar ç’njerëzisht. Ishte viti 1984. Drama kishte mesazhin; “duhet të vuash për të mirën e njerëzimit!”
-Pse nuk thua, se ti shkëlqeve. Vetë Akademiku i lartë Viktor Eftimiu, e duartrokiti fort dramën dhe përcjelljen saktë të mesazhit të saj. “Tw vuash në emër të njerëzimit.” Si një shenjt.
– Suksesi në një punë kolektive është i të gjithë trupës, kjo dihet tashmë.
-Fill pas nënës së dhemshur, tek Gjyshja e Rajmondës. Nuk ishe shumë larg, gjyshe, po aq e dashur dhe e e dhembshur.
-Ishte një dramë poetike, e thurur nga Artur Zheji, përsëri Pecani e vuri në skënë dhe ma besoi këtë rol. Ishte një gjyshe që jep për mbesën gjithçka nga shpirti, pasi mbesës i kishte vdekur e ëma, ajo duhet t’i shëronte dhimbjet. E përkëdhel me ëmbëlsi dhe dashuri të madhe me optimizmin për jetën, duke u bërë një dritë që do të ndriçonte jetën e saj.
-E dashur Margarit, nëse do ti kujtojmë të gjitha rolet e tua, aq shumë të dashura për ne, do të na duhet ta gdhimë këtu tek,“Taverna Tafaj”. Mbase do na duhet një muaj e nuk do mjaftonte. Më thuaj të lutem edhe një herë, ku i bëje provat e tekstit kur ishe në shtëpi. Ajo buzëqesh pak dhe tund kokën. Unë ia kujtoj,- në banjo.
-Sepse në dhomën e gjumit bënte provat Xhaviti, në kuzhinë im bir Çimi, mua ajo më mbetej, ishte zgjedhja ime, merrja një stol dhe ulesha aty dhe mësoja tekstin me zë. Artistët janë njerëz të sakrifikuar, kudo të ndodhen edhe në botë, me artin e tyre kënaqen të tjerët.
-Ndërsa, ideja është se ata janë lindur për qef, “ku rrafsha mos u vrafsha”!
Edhe te Beti, shkëlqeve përsëri, megjithëse kishe vite pa interpretuar në skenë, pas daljes në pension.
-Ah, drama “Streha e të Harruarve” e Ruzhdi Pulahës, ishte rol i bukur karakteri dhe ai, më ngjiti fort fisnikëria e rolit dhe aktualiteti i saj. I mijra grave fatkeqe që e pësuan nga prapësitë e regjimit të egër komunist. Regjisori Mihallaq Luarasi, me inercinë e moshës dhe kohës e vuri në skenë. Ishte viti 2004, sistemi kish ndryshuar dhe prapësitë komuniste duheshin goditur.
-Roli yt, ishte shumë emocionues e shpirtëror, duke ruajtur dinjitetin e përballur me sfidat e kohës. Ishe e matur e ftohtë dhe ruaje bukurinë dhe fisnikërinë e dikurshme, përpara ish të dashurit që të kishte lënduar rëndë në rininë tënde të bukur. Reshat Arbana, i prerë për rolet dramatike, kërkon falje i prekur thëllë. Një dramë e bukur ku luhet thjesht në një azil të moshuarish, jep mesazhe të ngrohta njerëzore përpos tragjedisë së dikurshme. Të lëndon zëri yt i drithëruar, tek flet për të kaluarën e hidhur. Po fisnikëria e gdhendur si në statujat antike, i jepte një ngrohtësi dramës. Sidomos në fundin e saj.
– Ruzhdiu është i prerë për këto lloj dramash, krejt ndryshe nga komeditë e tij të famshme.
-Si ja beje e dashur, nga një dramë në tjetrën e nga një personazh në tjetrin me karaktere të ndryshme.
-Të jesh artist duhet të jetosh disa jetë. Duhet të veshësh lëkurën e personazhit, thoshin regjisorët. Dhe përpiqesha shumë për këtë, nuk isha e vetkënaqur, doja të arrija më të mirën e asaj që kërkonin, po mendoj e dashur mike, se po nuk i dhe rolit pjesë nga shpirti yt, nuk besoj se arrin atë që duhet.
-E padiskutueshme ajo që thotë Shopenauer: “Intelekti është shërbëtor i vullnetit.” Përndryshe nuk arrihen sukseset.
– Njeriu i mbart brenda vetes inatin, autoritetin, dashurinë dhe urrejtjen. Mundohesha të gjeja thelbin e gjësë. Këto karaktere, më kanë bërë më të fortë ma të mençur, më të guximshme, me një fjalë ma kanë pasuruar shpirtin çastet e mundimshme. Edhe aty duhet forca e shpirtit përball lojës dhe asaj që kërkonte regjisori. Po unë kam pasur fatin të kem regjisor nga më të mirët si artistë por edhe njerëzor. Eshtë dhe fati e kemi thënë në krye të herës, pastaj është libreti, dramaturgjia nga e cila edhe varet suksesi me thenë të drejtën.
– Bëjmë pak thashetheme për të lehtësuar bisedën? Ti po qesh! Por të shtojnë jetën, – thoshte një mikja ime. Po… me afeksionet, dashuritë, zënkat, grindjet, xhelozitë, mëritë, ç’ndodhte në teatër?
– Drithërimat e dashurisë i kam ndjerë për herë të parë kur isha 14 vjeç. Na çuan në një mbrëmjë me të rinjtë e qytetit, ku unë do të recitoja. E organizonte Komiteti i Rinisë të qytetit të Lushnjes. Më mori në kërcim një djalë i ri, i gjatë dhe shumë simpatik. Ai më ofroi paksa pranë vetes dhe më komplimentoi: “O Zot sa e bukur je, lum kush do të marrë!” Me pëlqeu shumë ai djali dhe fjalët e bukura që më tha. Fillova të ndjej dhe të mendoj, por nuk e pashë më që nga ajo ditë.
Nga kjo ndjesi dhe të tjera rrethana, u martova herët me një njeri të mirë, ku linda dhe djalin tim të parë Artanin. Por këtu më ndoqi fati i keq. Kjo martesë e mirë nuk zgjati shumë. Im shoq ndërroi jetë nga një sëmundje e rëndë. Isha e re dhe u dëshpërova shumë.
Pas pak vitesh, unë njoha nga afër, kolegun, shokun dhe burrin tim të jetës, Xhavit Xhepën, këngëtar aso kohe në Estradën e Shtetit, e më pas aktor në Teatrin e Kukullave. Xhaviti ishte një zotëri tiranas, me zemër të madhe, ishte shumë qytetar. Jeta ime u zbukurua edhe më shumë me lindjen e dy djemve të tjerë, Ndriçimin dhe Sokoklin. Një familje e bukur e plotësuar dhe e gëzuar, me jetën modeste e plot sakrifica, por me shumë mirkuptim midis nesh.
Pastaj, ato të tjerat, ndjenjat e roleve dhe partnerëve, lindnin dhe vdisnin në skenë edhe dasitë edhe armiqësitë. Në skenë harrohen të gjitha, duhet të realizosh mirë, atë që të kanë besuar. Faleminderit Zotit, që me ka rrethuar gjithë kohën me shokë e miq të mirë artistë, mirkuptimi dhe ndihma reciproke më kanë shoqëruar gjithë jetën.
– Mrekulli kjo që sapo më the, janë të rralla këto mardhënie kolegësh kudo, e sidomos në art. Kthehemi te rolet e dashur Margarit, i hodhëm bisedës, pak kripë, piper dhe pak sheqer.
-Tri bijat te Mretit Lir. Regana, e kundërta e roleve të shumta të vajzave të bukura e zonjave mondane, dhe nënave të dhemsura, tek një bijë arrogante e mosmirënjohese.
-Regana bija e dytë e pa shpirt e Mbretit Lir, si ja bëre me këtë grifshë?
“Shkatëroja barkun, natyrës ku ngjizet pjella dhe me një të shtënë, ç’farosja të gjitha forcat, nga të cilat lind njerëzia… mosmirënjohëse!” Sa i ashpër Shekspiri! Jo, vetëm Shekspiri, edhe Dante Aligeri i futi në rrethin e nëntë, tek digjen në zjarr mosmirënjohësit.
-Shiko mike, drama u luajt tek ne më 1965-n, me regjisorin e guximshëm, Mihallaq Luarasi. Po sot është aq shumë aktuakle kjo dramë dhe më vjen keq që nuk e venë përsëri në skenë. Në fakt, qe një gjë e madhe për mua të ndryshoja kahet, sepse kisha frikë gjithmonë se mos përsëris veten. Regjisorët në përgjithësi, me jepnin rolet pozitive të vajzave e zonjave të bukura.
-Do të jetë nisur nga serioziteti yt, apo të pa ndonjëherë të inatosur tek ziresh me ndonjë kolege?
– Jo! -buzëqeshur, përgjigjet,- Luarasi ishte i thellë, me eksperiencë të huaj ku luheshin drama botërore dhe ndjeu që po të më jepte rolin e vajzës së mirë Kordeles, bijës së tretë të Mbretit Lir, kish mundësi të dukesha njësoj, ai guxoi dhe fitoi drama dhe unë. Regana një grua e bukur por me shpirt të zi, e pa ngopur dhe mosmirënjohëse. E pa shpirt ndaj babait, Mbret i cili po u trashëgonte bijave pasurinë e tij dhe fronin. “Baba, je plakur dhe natyra të ka shpënë buzë varrit.”- I thotë ajo pa mëshirë. Kërkon dhe pjesën e bijës së tretë Kordelias. E flak mbretin jashtë. Ai shkon tek bija tjetër po aq e ligë, Gonerila. Vetëm bijëza e tretë e deshi dhe e mbajti babain, mbretin e gjorë, dikur i pushtetshëm e kapadai, por zëmërgjërë dhe i fisëm.
-Si ja arrite atij roli të një vrasëseje të pashpirt, me shpat në dorë i nxorre sytë të gjorit, shërbëtorit Glkoster, që e donte aq shumë babanë tënd. Ai, dha shpirt në këmbët e tua, në sytë e Kordeles.
– Ha ha ha, po është gjoja moj, është loja Nadire!
-Çfarë gjoja, njerëzit përloteshin, fshinin lotët më shami. Unë gjithashtu. Më kujtove tim shoq, sa herë qaja për ndonjë film, ai më thoshte, po këto fjalë: “është gjoja” -sikur unë se dija. Në këtë rast e dija fare mirë se ti isha Margarita jonë. Po loja jote, ishte aq shumë e realizuar sa… Befasia e rolit desha të them.
-Në fakt për të qarë është edhe sot, kur prindërit braktisen me apo pa dashje, të detyruar nga kushtet. Po të luash në Teatër nuk është e thjeshtë, duhet të interpretosh, të luash edhe vrasesen kur s’ke vrarë as edhe një mizë. Janë drama të fuqishme, janë një shkollë më vetë në profesionin tonë.
– Tek Zonja Lemon, besoj nuk e pate të vështirë, ishte zonja Lemon më pranë zonjës Margarita. E duruar, e urtë dinjitoze, një zonjë e vërtetë me personalitet dhe qëndrueshmëri si bashkëshorte dhe si nënë. Ajo do ti gjendet në krah bashkëshortit, gjatë rënies së tij prej sfidave të kohës, prej mashtrimeve, konkurencës, shfrytëzimit ankthit dhe mbijetesës.
-Partner kisha Reshat Arbanën, aktor shumë dinjitoz, që të jepte dorë te roli dhe komunikimi më të. Will Lemon. Komisjoneri i pushuar nga puna. – “Ti je prehja e mbështetja ime.” Më thotë gjatë rolit aq thjesht dhe natyrshëm. Po me kaq ngrohtësi i përgjigjesha unë; “Ki kujdes te shkakllët shpirt!” Krahas mbështetjes që i bën të shoqit, sheh përpara syve shkatërimin e fëmijëve që enden sa andej këndej të pa punë. Ku nuk ka dritë në fund të tunelit. Kjo i shkaton dhimbje shpirtërore dhe psikologjike. Ëndrra të zbrazëta të një jete bosh, jeta e njeriut është një jetë qeni, ka vlerë vetëm ajo që shitet.
Por nga ana njerëzore nga ana tjetër e medaljes, isha e kënaqur, partner kisha më të mirët aktorë, Reshat Arbanën, Robert Ndrenikën dhe tim bir Ndriçimin. Një aktore nënë aktori dhe kështu kompesoja vuajtjet e skenës. Ata ma bënin më të lehtë rolin e trishtuar.
Dramën e vuri në skënë Fatos Haxhiraj, ku mbyllej me një monolog të fuqishëm dhe fjalët e Willit që po vdes: “Ti je një grua e mrekukllueshme … Unë nuk të meritoj. Po vdes se të dua…të dua shumë! …
-Dhimbshëm dhe bukur! Margarit, si shpjegohet kjo mardhënia jote me teatrin në tërësinë e tij, me koklegët, regjisorët, aktorët grimierët, me punënonjësit dhe drejtuesit, por edhe me punëtorët, prapavijën e tij. Në art ka shumë egoizëm cinik, ndërkohë një grua e fortë një artiste gjithmonë në ngjitje, një yll teatri dhe kinemaje, një diva, do të thoshin kritikët e artit, me modestinë e saj dhe dashurinë për jetën, veten dhe njerëzit ishte gjithmonë me këmbët në tokë.
-Sepse në teatër e ndjeja veten, si në një familje të madhe, në një shtëpi të madhe, kështu vuaja në çdo pjesë që luaja dhimbjen njërëzore. Dhe derisa të këm fuqi dua të aktroj … Teatri më jep jetë, ndaj do interpretoj derisa të këm frymën e fundit. Ashtu si thotë gjermani: “Të gjithë do vdesin ndoshta dhe unë.”
-Po të gjithë do vdesim, është ligj i natyrës, por i përbotshmi ynë Kadare, thotë: “Një ditë të gjithë do të largohen…ndryshimi qëndron në faktin se njerëzit më të rëndësishëm, kujtohen përgjithmonë…” E nisa me këtë thënie, sepse tani dëshëroj të flasim, duke i lënë enkas për në fund, rolet kryesore të kryeveprave, që ti u dhe emrin dhe shpirtin tënd dhe anasjelltas, ato të dhanë frymën e tyre.
– Margarit e dashur ti i përket epokës që ke jetuar, dhe le pas shkëlqimin tënd.
-Duhet jetuar plotësisht, që të largohesh qëtësisht. – mendoj unë.
– Një epokë me artistë të mëdhenj dhe figura të shquara epokale. Dua të më tregosh ca copëza jete nga gjashtë kryeveprat botërore që ti luajte në skenë.
Diamantet në kurorën e artë të artistes, Margarita Prifti Xhepa. Gurët e çmuar, secili me peshën dhe shkëlqimin e tij! Ta nisim nga; DIAMANTI i KUQ. Cili është për ty, e dashur Margarita?
-OFELIA, tek tragjedia “Hamlet”. Si sot e kam përpara syve. Ishte viti 1960, kur regjisori rus Vladimir Bortko, heroi i luftës së dytë botërore, me një këmbë prej druri. I talentuar, i pa lodhur, vraponte nëpër skënë, trak, trak e truk, trokiste këmba prej druri. Ai, sa më pa më tha: – Ti je OFELIA! Drama u luajt në qërshor të vitit 1961, duke mbyllur sezonin me një sukses të madh.
-Ti, e re, e bukur e brishtë, një yll në ngjitje!
-Kisha luajtur shumë role, po deri atëherë ky ishte kryeroli. Cila aktore në botë nuk e ka ëndëruar këtë rol tragjik por edhe magjik, si “Ofelia”. Partner kisha Naim Frashërin, aktor i madh, poetik; “Kjo bot’ u shthur! O prapësi o dreq, që unë paskam lindur të të ndreq!” Kjo frazë e recituar me aq dhimbje dhe forcë të brendëshme prej tij, më jëpte fuqi të madhe interpretimi. Naimi, punonte me një qetësi olimpike gjatë provave. Në skenë ishte shpërthyes.
-Një dyshe e përsosur e skenës teatrale shqiptare.
-Naimi ishte aktor i rangut botëror, e vlerësonin edhe regjisorët e huaj, jo vetëm tanët.
-Një Laurence Olivier shqiptar, që luante Hamletin e Danimarkës.
-Princi Hamlet, pasi merr vesh të vërtetën e vrasjes së të jatit nga Klaud, për ti marrë fronin mbretëror, martohet më nënën e tij, Gertrudën. Fantazma e të jatit i tregon gjithçka. Në shpirtin e tij lind hakmarrja, për të vrarë mbretin dhe mbështetësit e tij, për tja arritur kësaj, ai luan rolin e një të çmenduri, duke justifikuar veprimet e tij të vrazhda.
-Ndërsa Ofelia, e dashura e Hamletit, një vajzë e brishtë, e bukur e embël, ëngjëllore, e pastër në pafajsinë e saj, çmendet me të vërtetë dhe vret veten, e fyer nga i dashuri i saj Hamlet, i cili nuk iu përgjigj dashurisë së saj, megjithëse e dashuronte. Ajo vuante midis dashurisë së madhe për Hamletin dhe tragjedisë së vrasjes e të jatit Pollonit, si mbështetësin kryesor të mbretit.
-Nuk mundi ti përballonte dot intrigat dhe pendimin e vonuar të nënës së tij. Mbreti Klaud, i cili thur intriga të mëdha dhe çon në dyluftim Laertin, vëllanë e saj naiv, me Hamletin, të dashurin që shfaq shenjat e marrëzizë. Ofelia në dëshpërim e sipër midis dashurisë marrosëse për Hamletin dhe dashurisë për të vëllanë Laertin dhe të jatin, vret veten e çmendur, në pafajsinë e saj.
-Kaq shumë e re vetëm 26 vjeçe, si ja dole çmëndurisë Shekspiriane, në oborin mbretëror të Danimarkës?
-E doja shumë atë rol, isha e tronditur nga gëzimi, nuk më zinte gjumi natën, si do t’ia arrija. Isha gati të sakrifikoja shumë nga vetja. Më erdhi në mëndje, të shkoja në spital, në çmendinë. Ja arrita qëllimit me ndihmën e miqve, shkova atje dhe u trondita megjithsa pashë. Mora shumë dhimbje dhe fitova modelin që më kërkonte roli.
Ishte një vajzë e re e bukur, me vështrim si në humbnerë dhe bënte lëvizje të pa kontrolluara, qeshte dhe qante, e më pas këndonte … Edhe unë këndoja në skenë;
Të bardhë si dëbor’e kish savanin,
Me lule të stolisur.
I vogël e i madh me lot e qanin,
Me zemër të zalisur…………
Një pafajsi engjëllore në oborrin e intrigave mbretërore. Flisja me lulet me gjethet, gjurmoja njerëz të këtij lloji. Sa, në provat gjenerale, regjisori i Aklademisë Teatrale të Moskës, u habit me prurjen e veçante që i bëra rolit. E dashuroja rolin e Ofelisë, e quajta rolin e jetës në atë kohë. Ka aktualitet kjo dramë edhe në kohët e sotme, atje ku veprojnë diktaturat. E kompletova rolin dhe mora përgëzimin e regjisorit dhe duartrokitjet e spektatorëve.
-Të lumtë e dashur, nuk është e thjeshtë të interpretosh në një tragjedi shekspirjane, të luajtur në filma dhe teatro botërore me dhjetra e qindra herë me aktor të famshëm. Ofelia këndon dhe ëndërron vellon e nusërisë që nuk do të vinte kurrë. E bukur, e brishtë me zë të qetë dhe vajtues, këndon dhe mbledh lulet për kurorën e nuzërisë e cila tashmë qëndron në kokë shtrirë në varrin e saj. “Se zemra m’u tret për një djalë të ri!”. Zëri i përvajshëm i saj tek mallkon zot e tiranë. Fatkeqe me një dhimbje të madhe në shpirt. Vdekja e saj e dëshpëron fort Hamletin, i cili therrët me forcën e shpirtit, se e deshte me fuqinë e qiellit Ofelinë dhe se don të mbulohet në varr bashkë me të.
– Ajo mbetet një dashuri qiellore. Ku njeriu gjen vetveten në afeksionin e tij, të pamundurën dashuri të jetës.
-Kështu ju të dy aktorët e adhuruar nga publiku Naim Frashëri, një Alkeksandër Moisiu i dytë dhe Margarita Xhepa “Aktorja më dramatike e teatrit tonë kombëtar”. Do të përcaktonte gjeniu i letrave, Ismail Kadare. Mbetën në memorjen e artëdashësve si një Ofeli dhe Hamlet Shekspirjan!
-Më përgëzuan shumë edhe kolegët, Naimi i cili ishte një Hamlet i shkëlqyer, me përgëzoi; se roli i Ofelisë ishte dhe do mbetej roli më i realizuar i jetës. Ndërsa Reshat Arbana, partner në disa shfaqe teatrale u shpreh mrekullisht: “sikur Ofelinë, Shekspiri e kishte shkruar për Margaritën”. Im shoq Xhaviti më përgëzoi duke më thënë se, “e kisha qëndisur bukur rolin e Ofelisë”. E plot të tjera.
-Shkruan kritikët- Josif Papagjoni: “Margarita Xhepa, i është afruar shkrirjes së plotë të rolit dhe mbetet një nga pikat e dritësuara të përvojës sonë aktoriale.” E plot të tjera, tani më vjen turp të flas shumë për veten.
-Me pak fjalë, e kompletove rolin dhe more përgëzimin e regjisorit dhe duartrokitjet e pafundme të spektatorëve.
– Më pas, u ambjentove me realitetin, se mos t’u mbush mendje se ishe çmendur vërtetë? Ha ha ha… (qeshëm fort të dyja)
-Jooo! Nga njëra anë luaja trishtimin, dhimbjen, tragjedinë e çmendurinë e rolit, nga ana tjetër më gufonte zemra nga gëzimi, që ja arrita ta luaja ashtu si duhej atë rol të kaq shumpritur. Pastaj… në shtëpi më prisnin punë dhe përgjegjësi të tjera.
Eeeh! … Më kujtohet… aty tek Rruga e Durrësit, afër Ambasadës Kubaneze, banonte Doktor, Ylli Popa. Ishte një ditë dimri shumë e ftohtë. Ngrihesha shumë hërët, hidhja një pallto blu krahëve, atë kisha dhe shkoja në radhë për qumësht. Doktori u shkëput nga radha e burrave dhe më thotë: – “Sa keq më vjen Margarit, që të shoh këtu në radhë qëmenatë, mbrëmë isha në Teatër dhe pashë një Ofeli të magjishme, nga tragjedia Hamlet e Shekspirit të madh, ishe një Ofeli fantastike, e mrekullueshme. Sot, me natë je këtu në radhë për qumësht e mbërdhirë. – Ç’të bëjmë doctor. – i thashë, – Ti e di se im shoq Xhaviti vuan nga tensioni i lartë, dhe unë vetë nuk e le, ndaj e bëj këtë gjë për familjen time.
-Habitem me natyrën dhe karakterin tënd të veçantë. Po, si nuk të linin pa radhë ty Yll, Ofeli?
– Jo, nuk ua kërkoja, më vinte keq, të gjithë hallexhinj ishin atëkohë. E shoqja e Yllit ishte e huaj, bullgare me duket, nuk vinte kurrë në radhë. Edhe Ylli Popa, doktor i shquar, me nam ishte, por rrinte në rradhë si gjith të tjerët.
-Kohë barbare do të thosha! I lëmë pas, se humbasim ekujlibrin e bisedës. Cili diamant erdhi më pas, Diamanti Blu?
“Për një çast të vetëm unë dua të vë në vend, të gjitha padrejtësitë që ti ke provuar…. Me dashuro, EZOP! – i tha Klea.
– Ezopi! “Dhelpra dhe Rrushtë”- kryevepra e fabulistit filozof, e përshtatur për skenë nga dramaturgu brazilian, Gulhieme Figueiredos.
– “U duk sikur dramaturgu brazilinian e kishte shkruar këtë vepër jo për fabulistin e famshëm grek, po për të ngritur dy monumente artsistike të skenës shqiptare, thuajse të paarritshme për kohën, Ezopin e Kadri Roshit dhe Klean e Margarita Xhepës. … Nuk mund të kishte një Ezop më të skaklitur se Kadri Roshi, ku bukuria shpirtërore fshihet nën shëmtimin e pamjes së jashtme. As krijesë femërore më tipike greke dhe më joshëse, si shfaqe e drejtëpërdrejtë e bukurisë dhe sensualitetit të Margarita Xhepës, ku pamja e jashtme shkëlqyese i përgjigjej në mënyrë harmonike ndjesive shpirtërore prej femre të kultivuar të apasionuar dhe inteligjente.” -shkruan kritiku, Mjeshtri i madh Miho Gjini.
-Ç’na thua për këto rrjeshta?
-Do thosha se shfaqja theu rekordet e deri atëhershme, u dha 380 herë në të gjithë vendin dhe u prit me duartrokitje të gjata. Klea ishte një rol i shkëlqyer për mua. Një dramë e madhe botërore. Kur erdhi dramaturgu Brazilian Figareto, me një delegacion qeveritar, dëgjoi se në po vinim në skenë, “Dhelpra dhe Rrushtë”, dramatizuar nga ai vetë, erdhi e pa dhe u mrekullua. “E keni konceptuar shumë bukur, e keni vënë theksin tek Liria. Pasi e kam parë në shumë Teatro të tjerë dhe ata i mëshojnë dashurisë. Jo! Nuk ka dashuri pa liri!
Mihallaq Luarasi, regjisor i ri, i sapo ardhur nga Hungaria, e vuri në skenë shumë bukur. Pa le pastaj Kadri Roshi, Ezopi vetë, i shëmtuar si ai dhe i mençur. Aktor i madh, që të jepte një ndihmë të çmuar gjatë punës dhe interpretimit. Është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi, kishim një mrdhënië të shkëlqyer bashkëpunmi me kolegët. Kam shkuar mirë me të gjithë, jo vetëm se shkoja me qef në punë, por dhe do kisha partner në skenë aktor të mëdhenj.
-Mike e shtrenjtë, ti flet mahnitshëm për të tjerët, po për ty një Klea mahnitëse që u dashurove marrëzisht pas skllavit që solli burri yt në shtëpi. Në fillim doje ta largoje atë qënie të përbuzur, pastaj… doje ta mbaje aty përjetësisht, ai të refuzoi…Kjo do të thotë se, mençuria tërheq më shumë se pasuria, ndaj dhe … është një vlerë që sa vjen dhe më rrallë e gjejmë. Shpesh ndodh e kundërta.
Përsa i përket rolit tënd e dashur Margarit… “Regjisori, do të skakliste tek roli Kleas, një perëndeshë pellazgjike. Që në fillim të dramës, dukej një bukuri femërore e përsosur me trup të derdhur dhe fytyrë skuklpturore. Pamja e saj prej perëndeshe, vuan mungesën e një burri të fortë, të një njeriu me mendje të kthjelët. Të një mashkulli që Ksanti burri i saj nuk i ka këto veti, megjithëse e mban veten për filozof. Por ai sjell në shtëpi si pronë të tij, skllavin më të shëmtuar të Greqisë, Ezopin. Klea e llahtarisur nga shëmtia dhe veshjet e tij të leckosura, do të urdhëroj të shoqin: “Ma hiq nga sytë këtë ndyrësirë”. -shkruajti kritika e kohës.
-Skllavi i mençur, filloi ti rrëfejë zonjës së bukur, fabulat “Dhelpra dhe Luani”. Si dhe do ti thotë, se njeriu ambientohet me shëmtinë ashtu si ndaj bukurisë së gruas.
– Klea, befasohet nga oratoria dhe mençuria e tij, ku përpara një thesari të madh ai do të çmonte lirinë jo pasurinë e të zotit të tij. Ajo fillon ta mëshirojë, pastaj ta adhurojë, dhe së fundi ta dashurojë marrëzisht, atë skllavin e shëmtuar që urrente e përbuzte në fillim. “Liroje Ksant!”- Urdhëron të shoqin. Ezopi lirinë e sheh tëk muzika që rrjedh. Më pas ajo afrohet dhe drithërohet, nga mënçuria e një burri, të cilën gruaja e kërkon tërë jetën.
-Tashmë, ajo e harron shëmtinë fizike dhe tërhiqet nga mendja dhe dituria e tij. Duke patur në shpirt zbrazdësinë e një burri të paditur dhe kapadai. Ezopi i tregon edhe takimin e dy qenve në rrugë, njëri i ngopur dhe i shëndoshur me rrip në qafë dhe zinxhir të gjatë dhe tjetri i dobët i pangrënë por i lirë. Liria mbi gjithçka, vlerëson ai. Fabulën dhelpra dhe rrushtë, refuzimi i dhelprës mashtruese, duke i quajtur rrushtë e pabërë. Ezopi i tregon Kleas, se “Gjuha është mëma e gjithë të mirave dhe gjithë të këqiave”. Ezopi kërkon të largohet, por Klea i lutet të qëndrojë aty, se tashmë ajo ka kuptuar se cilat janë gjerat më të rëndësishme në jetë. As pasuria, as pamja fizike, as pozita shoqërore.
– “Pa shiko njëherë o njeri i shëmtuar. A nuk e sheh se ti je i bukur dhe shkëlqen në sytë e mi!”. Klea që kërkoi ta largonte në fillim, pastaj do që të largohej vetë prej refuzimit të tij, por bota e saj e rrethuar me pasuri e stoli do të shëmbej me gjithçka përreth. Ndaj i lutet Ezopit të qëndrojë me ta. “Më dashuro Ezop”, me një dridhje të zërit e të shpirtit.
-E refuzuar nga Ezopi, tashmë ndjenja merr kthesën e fortë, kërkon të hakmerret kundër tij. Dhe hakmarrja e nje gruaje ndaj një burri, është e tmerrëshme.
Ajo, urrejtjen e shkarkon edhe ndaj të shoqit, i cili e rreh me kamzhik skllavin. Klea ndahet përfundimisht me të shoqin. Ajo kupton se bukuria e një femre, nuk qëndron thjesht tek pamja fizike, por e rrëndësishme është bukuria shpirtërore.
-Dikush theksoi se, “bukuria e një femre tundon çdo burrë për tradhëti, por jo Ezopin”. E rëndësishme ishte se kritika e kohës shkroi: “Margarita xhepa luajti bukur në të dya rrafshet, gruan e bukur dhe atë me bukuri shpirtërore.” Ti Margarit, ja arrin rolit ti nxjerrësh thelbin e vërtetë.
Këto fragmente më kujtuan dhe po qesh me vete, një ngjarje që më ke treguar dikur, me shoqen tënde të ngushtë, pas shfaqes me Ezopin. E mban mend?
-Se di për kë e ke fjalën, të tilla kam plot.
– Mikja jote nga Lushnja, kish studiuar jashtë vendit, kishte ardhur në Shqipëri me pushime dhe dëgjon për shfaqen dhe suksesin tënd. Vjen ta shohë shfaqen, me një tufë të madhe lulesh në duar. Ti mbretëresha Klea, e veshur me rrobat klasike greke, fustanin hedhur në një krah, tjetrin zbuluar, në kokë një kurrorë të bukur që shkëlqente, stolisur me gurë të ndritshëm. Një bukuri e rrallë ku ndrisje si margaritar. Mikja jote u mrekullua nga shfaqja dhe pas duartrokitjeve të gjata të spektatorëve, çau turmën e njerëzve që po dilnin dhe u ngjit lart në prapaskenë, të uronte për suksesin. Por, nuk të gjeti, ti kishe fluturuar nxitimthi.
-Ou, sa mirë e paske mbajtur mend, po, po, ashtu me vrap vishesha dhe vrapoja për në shtëpi. Këtu, ku është ngritur ky pallati që banoj unë sot, e kishte shtëpinë im shoq Xhaviti, përballë “Tavernës Tafaj”. Shtëpi një katëshe tip tiranase me qilar. Mbanin aty, sende të vjetra bakri, qypa, e plot rrangulla të tjera. Kur u nisa për në shfaqe, s’kisha pasur kohë të haja mirë, se në skenë harxhon shumë energji gjatë interpretimit. Sapo mbrita në shtëpi mora diçka për të ngrënë dhe u futa në qilar mos më shihte njeri, po haja ashtu e uritur. Mikja ime që nuk më gjeti në teatër, bashkë më buqetën me lule vjen në shtëpi, thërrët te porta, hyn brenda, e vjen drejt e në qilar ku e kishin drejtuar njerzit e shtëpisë. Kur më pa shpërtheu: “Ooooh, Margarit! Mbretëresha ime ç’bën këtu ti Klea?” -Mikja ime e mirë, më fal, si më gjete këtu! Po ha se u këputa, – i them. U përqafuam aty, dhe nuk pushoi së lavdëruari shfaqen dhe mua. Shprehu keqardhjen duke më thënë, se unë duhet të kisha një vilë dhe shërbëtore. Atëherë nuk bëhej fjalë, po as më pas s’kam patur kurrë.
…. Tre djem dhe burrin katër. Nga provat në xhirime dhe nga xhirimet në skenë. Është lodhje dhe sakrifica arti. Se si i bëja të gjitha ato punë, që herët në mëngjes, habitem tashmë edhe vetë. Jetuam kohë të vështira, por përsëri arti na falte lumturi.
-Më shumë ne që e shijonim. Ju jemi mirënjohëse, na mbajtët frymën gjallë edhe në kohë të vështira. Tre vite më pas një gur tjetër i çmuar në kurorën e artë teatrale. Diamati i Verdhë, i treti për nga radha.
– Elena Andrejevna! Jo më pak i dashur për mua. E si mos ta duash Çehovin e thellë, ashtu shtruar hyn në skutat e thella të shpirtit njerëzor. I ndjeshëm dhe elegant, përshkrues i fortë i monotonisë së jetës ruse të kohës. Drama nuk kishte kthesa të forta me britmat, vrasjet, çmenduritë dhe tragjeditë shekspiriane. Ndaj, u prit pa shumë entuziazëm nga publiku i gjerë. Por spektatori i kulturuar, e përjetoi dhe e duartrokiti. Unë e doja Elena Andrejevnën, me pëlqente shumë dhe punova me mish e me shpirt për ta realizuar atë. Më rrethonin edhe tre partner të shkëlqyer, si Vojnicki i Naim Frashërit, Serebrajakovi i Prokop Mimës dhe Astrovi i Sandër Prosit, me regjinë e një artisti të talentuar si Andrea Malo.
-Ti ishe gruaja e bukur e një shkencëtari plak, që shkruante tërë ditën me qindra dhe dhjetra faqe dhe nuk nxirrte asgjë në dritë. Jeta monotone si ujë i ndenjur moçali e gryen jetën e çiflikut dhe gjithçka rreth tij, por mësë shumti Elenën. E cila me shumë dinjitet mbron fatin dhe moralin Kristian, duke i qëndruar besnike dhe kujdesur për burrin e saj plak dhe të rëndomtë në shkrimet e tij. I ankohej duke iu përkëdhelur gruas si një pronë e tij. Ajo stoike dhe e bindur siç është ndodhet midis dashurivë të zotërinjve që e rethojnë, Astrovit i cili e dashuron marrëzisht dhe Vojnickit i cili e adhuron, me fjalë të bukura dhe delikate, me një keqardhje gruan e bukur për jetën dhe besnikërinë e saj, ndaj një burri të pavlerë.
-Elena Andrejvja, është tepër e trishtuar në të shumtën e herës, por qëndron stoike, derisa jeta e saj u bë e padurueshme. ”Unë jam e pafat…jam fatkeqe,. Ska lumturi për mua në këtë botë.” Bisedat me Xhaxha Vanjën, Vojnickin, i cili ishte vëllai i gruas së parë të tim shoqi. Elena, është fatkeqe sepse refuzon dashurinë, refuzon të jetë e lumtur, duke i qenë besnike një burri të pamerituar. Serbrajakovi, i hapi mendjen. Të cilin ajo e pëlqen më shumë se Astrovin pasionat. Ja ndryshojnë disi ndjesinë dhe mendimin për besnikërinë ndaj bashkshortit të rëndomtë. Ajo fillon të ndjejë për Vojnickin, duke qënë e përmbajtur, mundohet të mposht monotoninë dhe palumturinë e saj. Elena Andrejvna ishte një personazh kompleks dhe kontradiktor, kjo më bëri ta dua akoma më shumë rolin, duke e ndjerë veten si Elena Andrejeva. Figurën komplekse të një zonje midis martesës së palumtur dhe dashurisë.
-Ndaj nuk e kanë duartrokitur fort shumica, e kanë ndjerë veten të pa merituar burrat prozaikë, gratë janë dukur të frikësuara se mos ata e kuptojnë pakënaqësinë e tyre. Çehovi i madh godet aty ku të dhemb. Një dramë tepër aktuale, kjo i bën të mëdhenj, në të gjitha kohët këta shkrimtarë e dramaturgë që merren me ta dhe aktorët që luajnë personazhet e tyre të skalitura mjeshtërisht.
Fati troket përsëri në derën tënde. Vjen Roli i Desdemonës, Diamanti i Bardhë, i pastër i ndritur si shpirti i saj.
Tragjedia e famshme “OTELLO” Arapi i Vendikut. Sandër Prosi, të cilin e luajti vetë, ku ishte dhe regjisori i shfaqes. Kështu publiku u mrekullua me me dy role të bukur dhe dy aktorë të medhenj, Sandër Prosi dhe Margarita Xhepa.
– Ashtu si thotë Noli ynë i madh: “Desdemona nga shpirti, nga zemra dhe nga fytyra është më i bardhi dhe i ëmbli pëllumb që fluturoi në këtë botë.” Por, fati i ardhjes së atij roli, nuk ishte i njëjtë me atë të Desdemonës, e cila do të mbytej nga i shoqi Otello, duke e akuzuar padrejtësisht për tradhëti. Pabesia i erdhi Otellos prej Jagos, shokut të tij intrigant. Desdemona e pafajshme e adhuronte burrin e saj, për të cilin kishte lënë strehën atërore për të shkuar pas tij kudo ku ai luftonte
– “Një dramë me mesazhe të forta, Desdemona- Margarit, shkelqente si gjithmonë, duke i falur rolit jo vetëm bukurinë e jashtme, po edhe vendosmërinë, fisnikërinë, dhe brishtësinë e një gruaje të pafajshme, përballë xhelozisë së afrikanit me ngjyrë të zezë, që ka në shtrat gruan e përsosur, të pastër si kristali e cila beson tek arapi me shpirt të bardhë, ndaj e dashuron.”-thotë shtypi i kohës.
– Pata frikë në fillim, por u përpoqa shumë, mos përsërisja veten prej rolit tjëtër shekspirian, Ofelisë, sepse vetë Shekspiri i ka quajtur: “Kreatyra” të krijimtarisë të tij. Te dyja të bukura, të pastra të brishta dhe viktima të dashurisë. Ja arrita qëllimit ti ndaj mirë këto role, me pasionin e madh për punën.
Fatkeqësisht ky rol i imi, dhe kjo shfaqe brilante e vënë në skenë nga i madhi Sandër Prosi, nuk e pati jetën e gjatë. Pas tre shfaqesh ku sipari mbyllej mes duartrokitjesh te stuhishme. U mbyll dhe venia në skenë e dramave të huja, dramave të mëdha që kishin mrekulluar botën e artit me rolet e kryerolet e medha. Kjo me urdhër nga lart nga vetë udhëheqësi, i madhi diktator i kohës. Me arsyetimin prekës dhe cinik, se teatri duhet të jetë krejtësisht shqiptar, fund e krye. Ishin pjesë të bukura shumë, por më pas u ndaluan. Vunë në skenë, drama vetëm të autorëve shqiptarë. Më pas e panë që nuk ja dolën dhe filluan përsëri.
-Nga Desdemona tek “Elektra” e Sofokliut. Diamanti i Gjelbër.
-Këtë herë isha Dadoja e Elektrës.
– Kush ishte ne rolin e Elektrës?
– Një aktore e madhe greke, Kajrofilia Karabeti. Po, roli i Dados ishte edhe më i bukuri për mua, një rol i vishtirë por shumë i madh. Tragjedianët grekë, mbeten përjetësisht më të mëdhenjtë, rolet e tyre janë të arrira në lartësinë e duhur. Regjisori Dhimitri Mavrikos, më pa në festivalin e filmit në Selanik dhe që aty vendosi të më jepte rolin e dados tek Elektra.
– Një dado pa gojë, si mund të luhej?
-Ma prenë gjuhën, që të mos flisja. Kisha parë me sytë e mi vrasjen e Agamemnonit. Kishin frikë se do të tregoja aktin makabër. Gjithçka duhet ta thoja nëpërmjet gjesteve dhe plastikës, gjuhës së trupit, mimikës tragjike.
– Ja arrite ta bësh mrekullisht, habite publikun dhe vetë aktoren greke, Elektrën e cila komentoi: “Dadoja ime në skenë u interpretua nga një aktore vullkanike si Margarita Xhepa.”
– Premiera në teatrin e Epidaurosit e kapërceu ëndrrën time. Pa e ditur gjuhën greke, unë u përshtata dhe krijova një sugjestion me trupën greke gjatë shfaqeve. Unë, pa gjuhë, pa folur duhet të shprehja, dhimbjen, dashurinë, gëzimet dhe hidhërimet. Të gjitha këto, i shprehja me tingujt e zërit të vajeve e këngëve të folklorit tonë, të folklorit shqiptar. Ninullat e vajtimit, këngët e kurbetit. Isha memece ndaj. Dhe kur me tinguj këndoja ninullat e vajtimit, sytë më rridhni lot vetvetiu, dhe fytyra e duart merrnin plastikën e duhur
-Si të vajti mendja ta bësh këtë, një fantazi hyjnore?
-Po, këto dija moj e dashur, “gjuha vete ku dhëmb dhëmbi”- thotë populli.
-I mahnite aktorët dhe spektatorët grekë. Të duartrokitën fort në këto skena.
– Duartrokitje personale i quanin ata andej.
-Nuk ishe ajo dadoja e ëmbël e Luizës si te “Ledi Milford”.
– Jo, jo, isha ndryshe! Maria Katsiadaki, aktorja që loste Klitemnestrën, tha; “Margatita qëndron në një feminilitet të jashtzakonshëm para egërsisë gjakatare”. Diçka të tillë kam dëgjuar nga e famshmja Kabareti: “Margarita ime! Kënaqësia më e madhe imja është që të loz në teatër bashkë me ty. Është çmimi më i madh. Je shumë e mrekullueshme dhe më e ëmbla nënë që kam pasur ndonjëherë në teatër.”
– Sa keq më vjen që nuk kam qenë aty. Mbritur me këmbë, “mes përmes detit”, ta dija më parë. Lum ata që mundën ta shohin.
Vjen HEKUBA tek “Trojanët”, Diamanti Lejla, nga më të ndriturit në kuroren e artë. TROJANËT E EURIPIDIT.
– Këtë herë isha në skenën time, me gjuhën time të dashur, në Teatrin Kombëtar, atje ku jam rritur. Me aktorët tanë të mrekullueshmë. Por tragjeditë greke më mirë se regjisorët grekë vështirë ti realizojë kush me aq sukses. U shfaq shumë herë në Tiranë, Butrint dhe në teatrin e Athinës, “Milena Mërkuri”.
– Aktorët ishin shqiptarë të gjithë. Në të dyja vendet, Margaritari ynë, u quajt “Diva Shqiptare”. Drama e tragjikut të madh grek, i cili me nivelin e lartë të qytetërimit, trajton tragjedinë e kohës tremijë vjet përpara Krishtit, kur Grekët mundën dhe shkatërruan Trojën. Ku, Kali i drunjtë u kthye në një metaforë universale, për pabesinë e ushtruar nga grekët, dhe mban qëndrim të ashpër ndaj perëndive që nuk e ndaluan këtë shkatërrim të këtij qytetërimi të lashtë. Jam fatlume që këtë dramë e kam parë në skenë dhe kam dalë e përlotur, jo vetëm prej Euripidit po dhe prej madhështisë së interpretimit.
– Ishte një rol i madh tronditës, zor se mund të luaja një rol kaq të fuqishëm herë tjetër. Hekuba, bijë mbreti e martuar me mbret, gruaja e Priamit, nëna e Hektorit. E mundur, tashmë e shtrirë përdhe me mantelin e saj të zi, derdh lot dhe ofshan e rrethuar me gra të vetmuara pa burrat dhe djemtë e tyre të vrarë dhe masakruar nëpër beteja të ashpra. Troja nxjerr tym e flakë, – “Ka pllakosur mënxyra. Troja humbi…. Mbretëreshë e Trojës nuk je më.” Lot të hidhur do derdh dhe do vajtoj me ligje.” Psherëtin ngadalë tek thotë këto fjalë. Andromaka, gruaja e Hektorit është zënë rrobinjë tashmë. Paridi, bir i saj shkaktar i shkatërrimit trojan, nga martesa e tij me Helenën. Hekuba e ndëshkon dhe e mallkon atë. “Të gjithë qajnë me përjashtim të të vdekurve.” Plot dhimbje vajtojnë e mallkojnë fatin dhe ata shkaktarët e kësaj lufte. Mallkojnë zotat me theroritë dhe padrejtësitë e tyre. Perëndesha Athina, dëgjon dhe mallkon. I kërkon Poseidonit, t’ua nxijë jetën akenjve në rrugën e kthimit. Hekuba me një monolog të gjatë e të hidhur i kërkon Hektorit ta ndëshkojë gruan e tij Helenën për këtë mënxyrë.
-Ti si gjithmonë, e madhërishme, gjigande, dukeshe edhe më e madhe në atë skenë me atë dekor që fliste shumë. Si munde, ku e gjete gjithë atë fuqi shprehëse dhe interpretuese, sa unë shpesh harroja që ishe ti mikja ime Margarita Xhepa. Vetë Hekuba e ngritur nga lashtësia.
-Ishte vetë drama, sjellja e saj me një mesazh novativ, skena, inskenimi, regjisori Theodhoropullos, i cili vuri në sfond një këngë labe, që mua më dukej sikur thoshte: “Troja është e jona dhe nëse do të grindemi e z’do të merremi vesh, do ta pësojmë si Troja. Nëse mes nesh hyn kali i drunjtë i pabesisë, i dinakërisë, i shfarosjes njerëzore.”
– “Këmbanat e luftës së Trojës bien akoma. Janë aktuale sot nëpër botë, pabesitë, ku vriten e rrobërohen njërëzit, gratë e fëmijët në gjumë, apo grindjet politike për influence strategjike. Bota do digjet si Troja, nëse do të vazhdohet kështu. Më thuaj, ku e gjete fuqinë e interpretimit rreth të shtatëdhjetave, me atë rol aq tragjik që mallkon dhe birin, Paridin!
– Euripidi mallkon grekët, duke qenë edhe vetë grek. Pra sjell një mezazh të fuqishëm me këtë dramë. Kështu edhe unë duhet ta përcillja këtë mesazh, po me atë forcë. Edhe gjatë përgatitjes dhe studimit të rolit, u konsultova disa herë me regjisorin. I cili më sugjeroi të shihja aktoren e madhe amerikane Vanesa Reigrej në rolin e Hekubës, në skenën e teatrit Grek. E cila e trajtonte në formën e vajit interpretimin e Hekubës. Unë e kryqëzova herë me vaj, po më së shumti me fjalë shpërthyese e të përmbajtura hera herës. Duke ju përshtatur edhe kantilenave antike. Në ndihmë më vinin ato fragmente folklorike, siç e theksova dhe më lart, këngët e korit, kënga labe dhe jehona e saj.
Hekuba, e dashur Nadire, është roli që më ka ngopur shpirtin. Jam lodhur vërtetë, po gëzimi im për këtë rol ka qenë më i madh. Hekuba është një minierë, që sa herë e kujtoj, zbuloj gjera të arta. Kam kaluar shumë kohë duke e përtypur. Dua të shtoj se dhe në Athinë, tragjedia u interpretua në gjuhën shqipe. E habitëshme, se si spektatorët e pritën dhe e duartrokitën aq shumë gjatë shfaqen. Erdhën plot emigrantë shqiptarë, me mallëngjim dhe dashuri ndiqnin shfaqen dhe duartrokitën fort.
-Kam dëgjuar në lajme atëherë. Jo vetëm shfaqen, por edhe ty personalisht, duke të quajtur jo vetëm Diva Shqiptare, por, një Katerina Paksinu, Diva Greke. Regjisori Theodhoropullos, u ngjit në skenë dhe e tha këtë e të puthi dorën. Madje këtë gjasë e theksoi edhe kritiku Jotas Sikas, në gazetën “I Kathemerini”, ku shkruan se: “Margarita Xhepa është Katina Paksinu, gruaja për të cilën ndalonin makinat në rrugë, për të kaluar ajo më parë… dhe uleshin pushkët, për hir të dashurisë që kishin për të….”
Edhe kritika jonë shpërtheu furishëm, Miho Gjini si gjithmonë, kolegë si Tinka Kurti, në intrvista dhe gazeta, me fjalët me të larta. Drejtori i Teatrit Kombëtar, Kristaq Skrami, do të shprehej se ndihej shumë krenar për aktoren tonë të madhe. “Hekuba shqiptare qëndron shumë më lart se ajo greke.” I veçantë qe dhe përcaktimi që bëri arkitekti Maks Velo, i cili do të shprehej: “Margarita Xhepa, mbajti gjithë tragjedinë e Trojës”. Me një shkrim dhe analizë të gjatë, zbërtheu të gjithë rolin e Hekubës dhe lojën e aktores sonë të madhe.
Ky nuk ishte fundi, një tjetër rol shekspirian. Nëna te “Rikardit i Tretë”. Tregjedi po aq e fuqishme sa dhe të tjerat. Diamanti Portokalli.
– Përkthyer nga Skënder Luarasi. Me regjisor Agim Qirjaqin. Drama “Rikardi i Tretë”, u vu në skenë në vitin 1992, kur në Shqipëri po ndodhte përmbysja e madhe. Mesazhi i saj ishte i fuqishëm. Etjen për pushtet të pushtetarëve të paskrupuj dhe gjakatar. Personazhet tepër interesante dhe situatat e ndryshme. Me demaskimin e sistemit shoqëror dhe politik që ishte ngritur mbi vrasjet, internimet dhe burgosjet, kur priteshin koka njerzish dhe pushtetarësh. Një dramë analogji për kohën. – përshkruan shtypi kohës.
– E kujtoj dhe rikujtoj shpesh këtë dramë, të realizuar kaq mjeshtërisht, e cila qysh se e shkruar nga autori gjenial Shekspiri, dukej si e shkruar për të gjitha kohët e vendet ku sundojnë diktatorët dhe diktaturat. Edhe këtu si tek Trojanët. Po si e arrite ti zonjë e ëmbël, nënë e dashur ta mallkoje birin që e linde dhe rrite me aq dashuri, edhe këtu si tek Trojanët. Po madje në emër të shpëtimit të njerëzve t’a mallkoje deri në vdekje birin. Si e përballove situatën e rëndë në të cilën të vendosnin regjisorët.
-Më ngjallte ato dramat antike, me mondanitetin dhe karakterin e fortë të grave që drejtonin krahas bijve. Dhe ruanin dinjitetin e fisit e vendit, atdheut, lirisë së njerëzimit. E vertëtë që kjo nënë mban skajin më dramatik të njerëzimit. Por nuk pajtohet kurrë me etjen e birit per gjak dhe pushtet, dhunën, sadizmin dhe karakterin cinik, vrasjet e përbindëshme. Ajo bën një dialog të ashpër dhe konfrontues, deri në mohimin dhe asgjesimin e tij. Ishin situatat e ndryshme. Paridi vetëm se dashuroi dhe rëmbeu Helenën shkatoi luftën. Rikardi është vetë shkatrimtari.
Ky është një nga kulmet e forta të tragjedisë, ku me zë të dridhur nga dhimbja i duhet rolit shumë forcë dhe energji të fuqishme. Me një shpërthim shpirtëror, që më burronte nga dashuria për teatrin, spektatorin që më adhuronte dhe shpërthente në duartrokitje.
-Ja dole mbanë, duke e arirë Nënën e Rikardit të Tretë. Po korrje farat e dashurisë që kishe mbjellë me artin tënd.
Përsëri, tek një nënë e madhe e fuqishme, që mallkon birin. Kësaj here, nëna arbërore. Nëna e Kostandinit. Legjenda e famshme, “Kush e Solli Doruntinën” e gjeniut shqiptar, shekspirianit KADARE. Diamanti ngjyrë Vjollcë.
– Kjo dramë është shkruar në shumë shtete të Ballkanit. Secili e ndërtoi sipas këndvështrimit dhe traditave vendase të tyre. Regjisori grek, zgjodhi të dramatizonte, kryeveprën universale, romanin e shkrimtarit tonë të përbotshëm. E luajtur në skenë nga aktoret e mëdha të këtyre vendeve ballkanike dhe në pesë gjuhë të huaja, të secilit vend ballkanik ku do të jepej shfaqja. Drama u luajt në shtetin grek 25 herë radhazi. Me veshje e fjalor të secilit shtet me elementet e artit antik.
-Në gjuhën shqipe ishit tre aktorë shqiptar. Karafil Shena, aktorja Kume dhe Margarita Xhepa në rolin e nënës. “Kush e solli Doruntinën”, ishte vënë në skenë në vitet ’70, në Teatrin Popullor, e më pas në dhjetvjeçarin e parë të shekullit XXI nga regjisor i ri, Laert Vasili. Ku ti e dashur Margarita, trondisje fort pa dalë në skenë, vetëm me zërin dhe potencën tënde, ngrije në heshtje spektatorin.
– “Së fundmi, duke kapërcyer kufirin në një skenë greke, e quajtur “Besa e vëllait të vdekur.” Drama, do të shfaqej më 12 prill 2009 në teatrin “Kappa” të Athinës. Më një vënie ndryshe nga çdo herë tjetër. Regjisori Sotiris Haxaqis, krijon një vepër unike universale që u quajt: “Mrekullia e vitit”. Pothuajse i njëjti tekst i interpretuar në gjuhët ballkanike. Me tre nëna njëherësh në skenë, në gjuhët, greke, rumune, sllave dhe shqiptare. Me aktoret e mëdha të secilit vend. Aktorja e madhe rumune, Maja Morgenshtejn, aktoren e shquar greke, Maria Kacaxakis dhe aktorja e madhe shqiptare Margarita Xhepa.Ku shkëlqeu me interpretimin e fuqishëm, Nëna e Kostandinit.” -thotë shtypi kohës.
-Të treja nënat jepnin klithmën: “Kostandin … ku e ke besën që më dhe?! Drama ishte ndërthurur me këngë e vaje marë nga Poema e legjendës së vjetër. Këngë erotike të dasmës dhe këngët e kurbetit. Duke sjellë mitin e shekukllit të shtatë para Krishtit, në kohët moderne.
– “Aktorja shqiptare, i jep veprës një shtrirje universale por origjinale. E veshur fund e krye me të zeza, me një ecje të rrëndë impozante, me një zë potent e të shtrirë, me fuqinë e shpirtit, mbart një forcë tragjike, duke shpërthyer tek varri i të birit: “Kostandin … ! Ku e ke besën që më dhe për të sjellë Doruntinën.” Dhe pastaj një britmë shperthyese e dalë nga thellësia e shpirtit. Kështu me radhë edhe aktorja rumune Maja Morgenshtajn, me një mjeshtëri të rrallë përbri Margaritës. Do të shprehej, se ndihej e priviligjuar që interpretonte përballë një aktoreje të rrallë si Margarita Xhepa. Ajo tashmë është e zonja të luaj çdo rol botëror, duke pasur Zot veten”. – shkruajn mediat.
– Maja, më thoshte: “Margariata ti luan më bukur. – Maria Kazanzaqis aktorja e madhe greke, thosh:- Margarita mu, ti je më e mirë se mua. -Jo! – i përgjigjesha unë, mbase jam më e vjetër se ju në moshë dhe më ka hije lëvizja, fjala e dhembshur. Në fakt mora shumë vlerësime për duartroktjet përsonale, më tha Kurkulas, Drejtori i teatrit grek. Për dy muaj jemi ndjerë shumë të afërta. Ndërsa aktorja serbe Natasha Medik, do të shtonte: “Margarita Xhepa, është një person shumë i dashur për mua, edhe pse nuk komunikojmë në të njëjtën gjuhë. Vertetë unë quhem vajza serbe dhe ajo është nëna shqiptare për mua. Kjo shfaqe na ndihmon shume të japim mesazhin e barazisë dhe miqësisë, larg nacionalizmave dhe politikave që ndajnë njerëz dhe ndjenja. Ndërsa aktorja greke, Maria Kacaxaqis, do të shtonte se është gjuha e artit që na bashkon. “Atë që bën arti nuk e bën dot politika.”
-Befasi e madhe, gjetje gjeniale. Regjisori grek del përmbi nacionalizmave të ngushta, si të paragjykuar në Europë, luhatjeve politike dhe politikës së egër. Njerëzit e kulturës kapërcejnë barrierat e politikës. Arti i bukur bashkon artistët, bashkon edhe popujt.
-E luajtëm 17 herë këtë dramë në Sërbi, ku morëm dhe shumë duartrokitje. Na ftoi edhe për darkë, ne të gjithë aktorëve të shfaqes, Ministri Kulturës, Bogdanoviç, dikur aktor teatri dhe filmi. Sapo kishim mbritur në një restoranti luksoz. Unë shkova në tualet për të hequr makiazhin e tepërt që bëja të dukesha më plakë në skenë. Vjen e më thërret Maja. Ella Margarita, të kërkon ministri serb i kulturës. Nxitova, dhe sapo e takova, ai më puthi dorën dhe në ballë. – “Të lumtë zonjë, ke interpretuar mahnitshëm! Nënat shqiptare kanë vuajtur më shumë nga të gjitha nënat e Ballkanit. Dhe ti përfaqëson denjësisht të gjitha nënat ballkanase. Më kujtove nënën time sapo të pashë në skenë, sidomos kur e luaje atë dorën, kështu.”- u shprej ai, duke imituar lëvizjen time të dorës. Ishte një mbrëmje e këndëshme, me fjalë dhe përshëndetje të bukura. Arti, nuk njeh kufi, është i pakufishëm.
-U mahnita nga sa tregon, ka patur të drejtë Bogdanoviç.
-Edhe ne trupa shqiptare ja kthyem respektin. Kur trupa e Beogradit, konkuroi ne Festivalin Nderkombëtar të Teatrove, atë natë ra shi në Butrint. Megjithëse shi vere na lagu me gjithsej. Trupa shqiptare nuk u largua deri në fund të shfaqes. Dikush një gazetë, unë vura çantën në kokë, dikush dicka tjetër, po qëndruam dhe duartrokitëm fort. Ata nuk e ndërprenë shfaqen. Regjisori i trupes Serbe (Antigona), u tha aktorëve të përshëndesnin edhe njëherë në veçanti aktorët shqiptarë që ndoqën shfaqen deri në fund. Arti bashkon zemrat!
– Gjithë këto role, kujtime, duartrokitje dhe suksese. E mbyll karierën teatrale me një rol të fuqishëm me një nga kryeveprat e gjeniut tonë Ismail Kadare. Të cilin e ka krahasuar kritika botërore me Shekspirin, Homerin, Kafkën. Po ai është i përbotshmi i patjetërsueshmi, Ismail KADARE. E ke takuar ndonjëherë?
– Sigurisht. Ishte një befasi dhe kënaqësi e madhe. Në një aktivitet artistësh në Pallatin e Kongreseve. Sapo u përshëndetëm, mu drejtua me fjalët: – “Sa mirë që u pamë. Je artistja me e mirë dramatike që ka teatri ynë”. – Edhe për mua është një kënaqësi e veçantë t’u takoj juve, shkrimtarin më të madh të vendit tim dhe botës. -Do të pyes: – Cili nga personazhet e librave të mi, ju pelqen më shumë, e do kishit dashur ta interpretonit? -Oh! Të gjitha, po në veçanti do doja të interpretoja, Kako Pinon. Ju, personazhet i’a jepni në pëllëmbë të dorës aktorëve, të zbërthyera një, e nga një, me mjeshtëri të madhe. Ato plakat gjirokastrite… më dylbi e telqyra. Janë personazhe të pavdekshme… U them të gjithëve: Lexojeni, dy-tre herë Kadarenë, është i thellë. Kam një foto të bukur kujtim nga ajo ditë.
-E di që më duket nganjëherë, sikur kam përpara Helena Kadarenë, e butë e thjeshtë e mençur me këmbë në Tokë.
-Po, myzeqare është me origjinë nga nëna edhe Helena dhe ngjajmë mbase, zonjë e mençur ke ç’mëson. E ka thënë bukur vetë Kadareja: “Myzeqarët e shikojnë jetën me sytë e tyre, për myzeqarët janë të huaja arroganca, vaniteti, dëshira për t’u mburrur. Mirësia dhe thjeshtësia e tyre është shumë e vërtetë, sa të tjerët e marrin për naivitet. Por jo! Këto veti, janë e ardhmja e tyre Europiane.”
-Sa bukur, me ju pas zili ju myzeqareve!
Gjerdani me smeraldet, rubinët dhe margaritarët vazhdon. … Të flasim tani për filmat, nuk janë pak rreth tridhjetë. Po ti marrim një nga një, do na duhet ta gdhimë këtu tek taverna, “Tafaj”. Do takohemi përsëri, patjetër. Tani le të kujtojmë ata më të rëndësishmit, ata që kanë mbetur thellë në memorien tonë, botën e madhe shpirtërore.
Zyraka, tek “Vitet e para”, e bukura dhe provokuesja gruaja e inxhinierit sabotator. Atëherë vështrohej ndryshe roli yt, tani merr një kuptim tjetër.
-Më ngjiti ai rol, isha në fillimet e filmit dhe me pelqeu si rol karakteri. Film i mirë, me regjisor Kristaq Dhamon, i sapodiplomuar në Humngari. Edhe Kristaqi, lushnjar ishte, regjisor dhe njeri i mirë shumë.
-Një rol i guximshëm për kohën, një grua sharmante provokuese, në veshje, shikim e sjellje. “Vitet e para”. Ishe krejt ndryshe nga Ofelia, Meli, Elena. E bukur vërtetë, por me tjetër karakter, provokuese dhe joshëse e qëllimtë sensuale e rrobëruese. Një femër e fshehtë dhe dyzuese. Hiqej me karakter, por intrigante e qëllimtë. Një lloj Meduze-thotë kritika e kohës. Ajo di ta shijojë jetën edhe në kënetën e baltosur, besnike e burrit të saj, në shërbim të idealeve të tij. Nga më të bukurat role. Edhe sot filmi shihet me kënaqësi, veçse duke i dhënë një kuptim tjetër bashkohor.
– Më pas nuk pata një rol të tillë intrigues ne filma, ishin role nënash dhe grash shqiptare, të vuajtura të lodhura dhe të dashura. Midis tyre edhe ndonjë aristokrate borgjeze, tek tuk.
-I mban mend të gjitha rolet? Unë në bllokun tim kam shënuar ata që janë ngulitur thellë në memorien tonë, tek i madh dhe i vogël.
-Posi, një për një, janë pjesë e jetës, të punës e pasionit. Roli i Xhevos tek seriali “I treti”. Nëna e nuses tek “Dollia e dasmës time.” Gruaja e kryetarit të bashkisë tek “Gjeneral Gramafoni”. Nëna e Gonit tek filmi “Me hapin e shokëve”. Roli i Dritës tek “Dita e parë e emrimit”. Nëna e Gencit tek “Shokët”. Nëna e Arturit tek “Apasionata”. Nëna e Vizarit tek “Militanti”. Në rolin e mjekes tek filmi “Fillim i vështirë”. Roli i mësueses tek “Gabimi”. Dy role te vogla tek “Vitet e Pritjes” dhe “Pesha e Kohës”, përsëri roli i nënës tek “Gurët e shtëpisë sime”. Roli i Teftës tek “Rrethi i kujtesës”. Roli i Kristullës tek, “Misioni përtej detit.” Nëna e Irenës te “Pranvera nuk erdhi vetëm”. Roli i Kristinës në filmin, “Një djalë dhe një vajzë”. Edhe nja tre-katër role grash tek filmat; “E diela e fundit”, “Kronikë”, “Në kërkim të kujt”, dhe “Tingulli i heshtjes”. Gra dhe nëna këto, pothuaj të një linje, të dashura të dhemsura, me ndonjë ndryshim të vogël nga njëra -tjetra.
–Si e ndjeje veten në këta filma me rolet që pak a shumë kishe interpretuar edhe në teatër. Sepse më ndodhte mua kur të shihja në këto role, mendja më shkonte tek teatri.
– Me thënë të drejtën, ishte pak e vështirë të shkëputeshe nga teatri, sepse filmi do tjetër impenjim, të del fallco roli, po luajte si në teatër. Përveç punës me regjisorët, nga më të mirët, unë përpiqesha të kujtoja, nënën time, gratë e mëhallës në Lushnje, por edhe gratë që kisha njohur në Tiranë dhe në fisin e Xhavitit, ta bëja rolin të natyrshëm dhe njëkohësisht me artin që i kërkohej filmit. Kam patur edhe role kryesore në filmat ….
-Ti marrim një nga një, janë ngulitur thellë në kujtesën e secilit, janë pjesë e jetës tonë. Përtej modestisë, ke shkëlqyer edhe në këtë art të madh. Te filmi, “Tokë e Përgjakur”, ishe kaq e vertetë, sa harroje që Sandra ishte Margarita, e shohim për të disatën herë edhe sot. Loja e natyrshme e shkrirë me shkallën e interpretimit artistik. Të adhuronin të mëdhenj dhe të vegjël. “Të vranë o Miti të vranë Oiiii…Oiiiii.” Jemi përlotur dhe kemi qarë sa herë e kemi parë.
– Kisha zbritur në tokën time të dashur, tokën myzeqare, i kisha përpara syve ato gra të vuajtura që vajtonin burrat dhe bijtë. Ndaj e lëshova zërin të shpërthente në vaj.
– Dhe mbulove ekranin me atë figurë filmike, ardhur nga një epos shqiptar. Realizuar mrekullisht.
– Ishin mbledhur tok edhe gjithë elementët. Regjia e Ibrahim Muço, Kristaq Mitro, Skenari i Kiço Blushit e, Nexhati Tafa, apo muzika e Aleksandër Peçit. Një kryevepër tronditëse që plotësonte figurën time në vazhdim.
– Edhe tek filmi Filmi “Pyllii Lirisë”, derdhe shpirtin e nënave dhe grave myzeqare.
– Nëna e Vlashit, ishte nëna ime, gjyshja dhe stërgjyshja ime. Gratë e mëhallës dhe gratë e fisit tim, me varfërinë dhe fisnikërinë e tyre e mbanin jetën me ato pak gjëra e sende të pastra dritë. Aty në sepetet e tezes time Sofia, gjeta veshjet e rolit, rroba të zeza të zbardhura nga përdorimi.
– Ka qenë viti 1976. Me regjisor Gëzim Erebara. Dhe skenar të Kiço Blushit. Të ngrinte peshë muzika e Feim Ibrahimit.
Im bir, Vlash Zaka, të cilin e luante Alfred Bualoti, eshte një fshatar i varfër dhe jetim, e ushqehet duke kapur kuaj në pyll. I vellai që është tashmë partizan, ka vrarë një spiun të italianëve, kështu që Vlashi është në suvejim. Jeta e tij është në rrezik nga tregtari i fshatit Lami dhe nga kryetari i komunës, ballisti Ibrahim beu për shkak të një kali. Por ai gjen mbështetje tek bashkëfshatarët e tij derisa del partizan së bashku me Lenën.
Filmi është luajtur në Divjakë të Lushnjes. Isha në tokën time, në tokën e vuajtur dhe të begatë. Në pyllin e Divjakës që e adhurojnë të gjithë e në veçanti myzeqarët.
-Vetë emri Div-jaka, e tregon këtë. “E egër e fortë”.
– Ashtu është vërtetë, ke qenë ndonjëherë?
-Po kam shkuar dhe jam mrekulluar, pyll det shpendë, jet e begatë.
– Më pyeti Ibrahim Muça, tek po bëheshim gati të xhironim, -Margarita, a di të ecësh zbathur?
-Pa tjetër që di regjisor, deri në moshën 10 vjeçare zbathur kami ecur. Ishim të varfër, i ruanim këpucët dhe sandalet për në shkollë dhe ditë feste. Një herë në vit n’a i blinte babai, vetëm për Pashkë, ishim 10 fëmijë në shtëpi. Ecnim vraponim dhe luanin atyre fushave me bar, lule e baltë, zbathur edhe kur binte shi. Kështu bënin shumë nga ne fëmijët myzeqarë, vraponim e lodronim zbathur fushave me lule dhe baltrave të Myzeqesë.
-Pa provoje njëherë se mos ke harruar!
-Dhe, ja nisa të ecja zbathur, pa problem fare atyre ugareve ku po xhirohej filmi.
-Sa bukuuur e tregon, sikur ka ndodhur dje, dhe unë e përfytyroj!
– Po mike, unë akoma jetoj, gëzohem dhe vuaj me rolet e mia!
– Shanooo! Thëras që të kujtoj filmin mbresëlenës, me pak fjalë, me shumë veprim dhimbje e dhe dashuri për jetën; “Dimri i Fundit”.
– Ah! Sa kujtime te paharuara kam nga ai film. Në një dimër të madh në malet dhe pyjet me dëborë, duhet të shpëtonim jetët e partizanëve të strehuar atje, në një shtetrrethim të egër nazist. Gra dhe vajza të lodhura të mbërdhira, ecnim dhe zbathur në dëborë, me një mission të lartë, ku me lojen tonë dhe plastikën e fytyrës duhet të shprehnim, ankthin, frikën, vendosmërinë dhe zgjuarsinë për të realizuar misionin tonë. Tu çonim bukë e ushqime, partizanëve të izoluar.
Filmi ka vërtetësi në lojën aktoriale dhe të lëndon shumë. I tillë ishte ankthi, frika, të dridhurat nga të ftohtit dhe shpirtit kur nazistët pushkatonin burrat në mesin e fshatit në sytë e fshatarëve. Filmi artistik ku luhej drama e vdekjes. Nënave u kujtoheshin bijtë dhe burrat e vrarë në luftë, vëllezërit, kushërinjtë, bashkfshatarët e tyre. Kafshonin buzët dhe lotonin prej vërteti. Patëm ftohtë dhe vuajtëm në atë film, na fali edhe lumturi kur e pamë të realizuar bukur.
-Një nga filmat më të realizuar do të thoja. Apo muzika e Aleksandër Lalos, isoja e zërave në mes të dëborës, O Nazooo…O Shanooo! OOOOO …Të pavdekshëm këta mjeshtra të mëdhenj. Duhej Zoti ti menjanonte nga vdekja! Të gjithë do të jepnim nga pak jetë që ata, të mëdhenjtë e artit të ishin të pavdekshëm.
-Edhe Mitro dhe Muça, regjisor të mëdhenj ishin. Film i vitit 1976. Beheshin shumë filma atëherë. Të thonë çtë duan skeptikët, xhelozët dhe injorantët politikë.
– Filmat kanë mesazhet e kohës së largët, kanë art dhe artistë në realizimin e tyre, kanë histori, kanë një jetë të jetuar me problemet dhe hallet e kohës, të cilat njerëzit i mirkuptojnë dhe dinë të vlerësojnë. Së fundmi, “koha është, sita më e mirë që ndan miellin nga krundet.”
Një tjetër film që mbahet mend mirë; “Dora e ngrohtë”. Thoshin atëherë, shkëlqeve se luaje vetveten, pjesë e jetës.
– “Dora e ngrohtë”, është një film dramatik i prodhuar në vitin 1983, me regji të Kujtim Çashkut. Drama të tilla ka kudo në vendin tonë edhe në botë. Aktori shpesh gjen veten dhe jep nga vetja në secilin rol që luan, qoftë në film apo në teatër, e kam thënë që në krye të bisedës. Po kjo s’do të thotë që gjithçka është ashtu si në film. Skenarin e ka bërë dikush tjetër, duke marr ide e mesazhe nga jeta. Por jeta ka të papritura të çuditshme, që duhen përballuar me durim dhe mençuri për tu bërë krah në familje. S’është e lehtë ta shkatërosh, por edhe ta mbash bashkuar familjen.
-“Një martesë e mirë nuk kërkon një burrë të përsosur, apo një grua të përsosur. Ajo kërkon vetëm një burrë dhe një grua të përkushtuar që të përpiqen së bashku tërë jetën, drejt përsosmërisë.”-E kam lexuar diku dhe regjistruar ne mendje.
– Kjo arihet duke u përpjekur për të ndihmuar njëri-tjetrin, nëse nuk janë me botkuptime të njëjta, të cilat shkaktojnë dramat sociale që dëmtojnë familjen dhe shoqërinë.
Besimi, im bir në filmin “Dora e ngrohtë”, e luante aktori i ri, Artur Gorishti. Nuk gjen ngrohtësi nga njerku i tij Ahmeti, në rol Reshat Arbana. Partner dikur dhe në teatër. Im bir, braktisi shkollën dhe bën gabime të rënda. Por është pikërisht dora e ngrohtë e shokëve të klasës, e gjithë shoqërisë që e kthejnë Besimin në jetë normale. Sidomos përpjektet dhe dashuria e nënës, për birin dhe familjen e saj. Skenar i fortë i Neshat Tozaj. Edhe Muzika e Hajk Zaharjan, mjaft e ndjerë.
-Roli tjetër, i mbërthyer në kujtesën e njerëzve, ështrë Pianistja, Eleni Jakollari. Personifikimi i pianistes Lola Gjoka. Shoqëruesja e sopranos së famshme Tefta Tashko Koço. “Koncert në Vitin 1936”. Shumë të shkon roli i pianistes. Aty je Margarita dhe Lola Gjoka bashkë. Po ku ka rol që s’të shkon? – Ruse po, greke antike po gjithashtu. Të gjitha rolet e vajzave, grave dhe nënave shqiptare. I qan me lot të gjitha. Mos qesh e kam shumë sinqerisht. Të kam përpara syve nuk i besoj vitet mbi supet e tua. Memoria tënde e pastër, e fortë, e mënçur, gjithçka e pacënuar nga koha.
Ç’ke bërë Margaritë e dashur?
– Kam qenë shoqe dhe bashkëudhëtare me Lola Gjokën, pianisten e Tefta Tashko Koços. Më thoshin edhe kokën e luan si Lola Gjoka, tek sheh e ndjek me vemendje këngëtaren. Por, edhe emrin e pianos “Hartman” e shqiptoja si Lola Gjoka. “Ju jeni Pianistja Hartman”?
Shumë herë kam qenë spikere, prezantuese në Opera. Si dhe spikerja e Festivalit të Parë të Këngës Shqiptare në Radio Tirana. Me partner Luigj Gurakuqin. Ai më thotë në një moment, pasi u fol për Maria Krajën: -Do t’na thuash një batutë për Marien, apo do na këndosh një këngë të saj?
Jo, unë s’jam këngëtare jam aktore,- i them, -por do t’ju tregoj si më përshëndet Marija, sa herë takohemi qoftë edhe rastësisht. Fillova të këndoj, ta imitoj Marian: “Midis ballit ke një pikë, shtatin si selvi … “. Spektatorët duartrokitën fort. Të gjithë më komplimentuan e në veçanti, Anita Take.
-Më mahnite edhe mua sa bukur e këndove, si nuk je bëre këngëtare lirike, këndove mrekullisht tani, pa le atëherë?! E adhuroj këtë zhanër arti të muzikës skenike.
-Jo, e doja më shumë teatrin, dramën, e adhuroja. Nuk thonë kot, njeriu është destin.
-Ishe një pianiste e vërtetë, me lëvizjet, kulturën dhe interpretimin elegant, tek shoqëroje sopranon e bukur dhe delikate, Tefta Tashko Koço. Në udhëtimet e saj koncertale me pianon e ngarkuar mbi një karrocë të vjetër rrugëve të përbaltura të vendit. Një nga filmat më të bukur shqiptar me regjisor Saimir Kumbaron.
-Në greqi kam kam luajtur në filmin, “Mirupafshim”, bashkë me Kadri Roshin. Një nënë që ka përcjekllë tre djemtë e saj në emigracion. E cila nga malli shkon ti kërkojë dhe i gjen prapa hekurave të burgut. Një plagë e madhe sociale shoqërore dhe politike sot në botë edhe në vendin tonë. Megjithëse shumë familje greke, I ndihmojnë djemtë tanë emigrantë. Filmi është shfaqur shumë herë në Selanik, po këtu në Shqipëri ende jo. Mbase duhet blerë. Filmi me regjisorin grek, Jorgo Koras dhe Kristos Vapuras. Një rol i vogël ishte ai që luaja unë, po me një mesazh të madh. Dy regjisorët grekë, ishin dashamirës ndaj shqiptarëve dhe me këtë film kontribojnë në miqësinë midis dy popujve. Filmi tregon më tej, se si një emigrant shqiptar u dashurua me një grua greke.
-“Me aktorë si Margarita Xhepa dhe kadri Roshi, mund të kesh sukses edhe në filma më të vështirë”. – u shprehën ata. Aktorja, Margarita Xhepa, fitoi çmimin e madh në Festivalin e Filmit Grek në Selanik. Në juri ishte dhe aktorja e madhe greko-amerikane me origjinë shqiptare, Iren Papas. -shkruan mediat. Kënaqësi e dyfishtë.
Se di, nëse kemi haruar ndonjë arritje të rëndësishme pa përmendur, megjithëse u përpoqa ti rikujtoj të gjitha rolet e dashura për ty dhe publikun. Diamantet, rubinët, smealdet dhe margaritarët.
– Ke haruar një, është e rëndësishme për mua; “Kënga e fundit e Mjelmës”. Çehovin, shkrimtarin e shpirtit njerëzor. Ah, ç’ka qenë për mua kjo monodramë e bukur dhe shumë, shumë shpirtërore. Hapi një sipar të ri, pas mbylljes së siparit teatror, kur unë dola në pension. Dhimbje e madhe thellë në shpirt, kur artisti lë skenën, ndërkohë që ai ëndëron si çdo artist tjetër, të plaket e të vdes në skenë.
Dhejtë vjet pas lamtumirës së daljes sime në pension, kur shpresat ishin vakur dhe nxirrja mallin e skenës me recitimet poetike, më vjen një ftesë nga regjisorja e re, Juli Sinani, për të luajtur Angjelën, te “Kënga e Mjelmës”.
-E kam parasysh këtë mrekulli çehoviane, nga marrin hov shumë librete të luajtuara në shumë skena të mëdha të botës, me titujt e ndryshëm; Kënga e fundit e Mjelmës, Kënga e Mjelmës, Vdekja e Mjelmës, Liqeni i Mjelmave… Në teatër e balet, me muzikën e Çhajkovskit të madh, ku përlotesh tek dëgjon e sheh skenat përrallore. Së fundmi një monodramë interpretuar nga Mjelma jonë, Margarita Xhepa.
-Unë kam qarë.
-Edhe unë. Besoj të gjithë sa ishin në sallë. Çehovi e shkroi për një aktor që po vdisne në skenë. Kjo gjasë nuk ka ndodhur vetëm njëherë në skenat e botës. Madje edhe në skenat tona.
-Po kjo është ëndrra e çdo aktori besoj, të vdesë në skenë. Dhe mua më solli aq shumë kujtime, për rolet e mia në teatër, lodhjet, sukseset, gëzimet dhe trishtimet e jetës. Ishte si një klithmë shpirti, si ajo e Mjelmës. Dhe… unë interpretova vetveten, në vitin 2006.
“-Mjelma jonë, nuk vdes në skenë, ajo fluturoi lart.” – foli kritika e kohës.
-Sepse fill pas kësaj monodrame, ku unë fitova çmimin “Aktorja më e mirë”, në Festivalin e Monodramës në Tiranë, erdhën disa nga rolet e tjera të mëdha.
– Tashmë mjelma jonë fluturon në lartësitë poetike.
– Po e dua shumë poezinë, kështu e fillova karierën time artistike kështu do ta mbyll me poezinë.
-Edhe mua më pëlqen shumë poezia, Po në cilat poezi ke qenë më shumë brenda tyre. Naim Frashërin me “Bagëti e Bujqësi.” Po tjetër?
-Përlotem kur e recitoj, më kujton fëmijërinë. Ashtu si nxënëset edhe mua më pëlqente të recitoja. Përlotesha, sidomos me poemën e Rilindasit të madh. Kur më pyeti mësuesja: “Pse ti Margaritë e do kaq shumë poezinë,”- unë iu përgjigja: -Po ja mësuese, Naim Frashëri thotë; “Shqipëri o mëma ime”, pra e do Shqipërinë si nënën, ndaj dhe unë e dua poezinë. Mësuesen time e quanin Sofie Kushi, ishte ajo që më mësoi të flas, të recitoj dhe të këndoj bukur. Dhe mua që më kishte vdekur nëna aq shpejt, kur isha 9 vjeç mbetur jetime, kisha një mall të madh për nënën time të dashur, Maria. Ajo është Shën Mëria ime. Ajo ishte idhulli im, e doja e më donte aq shumë. Babai im Zoi Prifti, ishte njeri i urtë, pa fjalë dhe shumë punëtor. Po me nënën isha e lidhur fort.
Kam recituar mjaft poezi, sidomos kur punova në Estradën e shtetit. Poezitë “Poçari”, “Turkesha” dhe fabulat e Driteroit, nga Kadareja, “Mësueset e fshatit”, “Mall” e plot të tjera, poezi të poetve tanë nga Kosova, kam marrë pjesë në disa evente e festivale poetike, ku kam recituar poezi të poetëve, Azem Shkreli, Ali Podrimja, por edhe të poetëve të rinj. Më pëlqen shumë dhe i kam recituar shpesh herë poezitë e Vojsava Nelos, një poete shpirterore, sidomos ato poezitë e detit i qan poetja sarandiote.
Mos harroj ta them, kur kam shkuar për Festën e Pavarësisë në Kosovë, mbaj mend që ishte shumë ftohtë dhe kam ecur gjatë më këmbë në Prishtinë, kisha përgatitur një cikël me poezitë më të bukura atdhetare. Me aq dashuri dhe emocion, sa nuk do t’i harroj asnjë herë ato përjetime të bukura.
-Poezia është dashuria jote e parë. Më pas kaloi e dyta, pas teatrit. Tani, mesa shoh … është dashuria e fundit.
– Kjo, që kam në dorë, është një poezi e ndjerë e një djali vlonjat, Albert Abazaj quhet. Titullohet, “Pafajshmëria e pafaj”. Më pëlqeu shumë dhe dua ta recitoj e ta shpërndaj ne internet. I kushtohet heroinës Ramize Gjebrea. Duhet të kesh dëgjuar për të.
-Patjetër, në fillim më ka treguar im atë, i cili ka qenë partizan, kjo histori qarkullonte qysh atëherë gojë më gojë. Më pas e kanë shkruar të tjerë bashkëluftetarë, shkrimtarë e studiues, veçoj shkrimtarin tonë të madh, Ismail Kadare, ashtu si di vetëm ai. Ta sjell unë, ta lexosh, tek libri “MOSMARVESHJA”.
-Sa interesante do të jetë e shkruar nga Kadareja! Kam qënë për xhirime në Vuno, dhe atje flitej ende për këtë gjëmë. Regjisori Dhimitër Anagnosti, ka bërë dhe një skenar filmi, që donte ta xhironte atëherë së shpejti, por për fatin e tij të keq dhe tonin. Dhimitri u sëmurë, dhe mbeti filmi pa u bërë. Do kishim një film kryeveper per bëmat e komunismit, prej fillimit të tij në Shqipëri.
-Dashurinë e kishin frikë më shumë se gjithçka ata.
-Po për vete dashuruan sa mundën.
-Dashuri i thënçin.
Margarita, ishte shume e prekur, e përlotur e recitoi disa herë, derisa u bind se e bëri mirë. Unë i lutesha të mos lodhej aq shumë, se do vija të nesërmen përsëri enkas për poezinë, por ajo megjithëse ishte jo mirë me shëndetin, e recitoi përsëri e përsëri, me zë drithërues.
Dashuria për artin është energji e pashtershme. Të nesërmen u shtrua në spital. Një virozë e kish prekur në frymëmarje.
Shkova ta shoh, e rënduar, por plot optimizëm dhe dashuri, fliste vetëm për artin.
Duke u larguar prej andej. Kujtoj me dhimbje, kur ktheheshim nga Vlora prej një aktiviteti grash, gjithmonë ndalonim në të dalë të Lushnjes. Në krah të djathtë një lokal prej dërrase mes pemesh, ndalonte furgoni me gratë e shquara. Lokali që i pëlqente zonjave artiste. Sa herë më qëlloj të kaloj atyre anëve, e kërkoj me sy e përqëndruar, ka kohë që nuk e shoh. Lokali, kishte zakonisht pilaf, kos e kafe. Te gjhitha nga 50 qindarka. Aty ndalonin dhe hanin e pinin kafenë artistet e mëdha, Margarita, Tinka, Drita Pelinku, Xhanfize Keko, Roza Anagnosti, Lumja, Meri dhe artiste të tjera. Me pas numronin qindarkat nga xhepat e shpuar. Pata privilegjin që fshehtas, pa e marrë vesh kush, të ngrihesha dhe të paguaja, duke lehtësuar shpirtin tim se kisha bërë një shërbim mikroskopik, asaj kulture, edukate, asaj shkolle, që kisha marrë duke u rritur me artin e tyre. Heroinat e mia dhe të shumë shqiptarëve në skenë e në jetë, numëronin qindarkat. Dhe në ato takime e udhëtime kafesh të lira, bëheshin biseda dhe kujtime mbresëlënese të padëgjuara, për të mos thënë të pabesueshme.
Biseda u mbyll me teatrin.
-E prishën Teatrin.
– Mirë bënë -i them unë. Kalbësira të mykura, prej kohësh nuk ishin aspak të përshtatshme e më pas degraduan fare.
-Po është kujtesa, llozha pastaj…
-Kujtesa jeni ju. Muzeu i Teatrit. Fotot dhe filmimet. Rolet tuaja prej fillimit të tij, libreti, skenarët, autoret, regjisorët, skenografët, kosmjerët, stilistët, garderoba, rekuizita, gjithçka që ju shërbeu dhe ju, na shërbyet ne. Si thotë Niçja: “Kemi artin, për të mos vdekur nga e vërteta.”
Llozhat bëhen prap si ti kërkosh. Problemi është; mirë se e prishën Teatrin, këtë dashuri të shënjtë, po pse s’po ndërtojnë një Teatër të ri. Na lane sin ë shkretëtirë. Kullat po ngrihen çdo ditë. Se ç’far ngatërrojnë duke hedhur hi e baltë syve njëri-tjetrit dhe popullit. Çdo teatër ka muzeun e tij, që i jep madhështinë e egzistencës dhe plotëson sharmin e teatrit, me aktorët, dramat, skenografite veshjet, rekuizita, pamjet etj. Kam frikë nëse janë ruajtur apo… Ja ti dëshëron dhe unë gjithashtu të bëj një film dokumentar për ty. Po a janë ruajtur materialet. Vështirë të kërkosh e gjesh në këtë botën tonë shqiptare kujtesë materiale.
-Ke të drejtë, ashtu është, bota i ruan të gjitha. Ja ashtu si Piramidën.
-Piramida e Keopsit, është ende e fuqishme. Yjet e artit u shuan një nga një, lanë vetëm dritë pas.
-Ah, sa larg botës jemi. Bota i ruan se i mirëmban, ne nuk e bëjmë këtë.
Dikur vija nga larg për të parë premierat e reja të teatrit, kur u ktheva në Tiranë, me mallin e dikurshëm, teatri ishte katandisur keq. Gjoja restauruar, të bëhëshin gjunjët copë ngjitur me kompesatat e ndenjseve, dikush të tundëte nga pas sediljen e prishur që nuk përthyhej. Ftohtë, njerëzit veshur me xhupa si jorganë dhe me galloshe. Me çadra e çanta nëpër duar. Dikur në hyrjen e hollit kishte dy banakë anash me varset e palltove, çadrave. Veshjet ishin nga me të mirat që kishim, si parade mode.
Tani, Teatri është Turbina, imagjino ç’emër hidrocentrali, lartësia sikur e sheh nga avioni, poshtë në humnerë është skena, luajnë aktorët, dhe të duket se mend bie mbi ta në skenë. Akustika zero, nuk dëgjohen gjysmat e fjalëve. Larg, fare në periferi. Kurse stadiumet i kemi në lluks të madh. Shpenzimet dhe sponsorimet për sportin marramendese në krahasim me rezultatet. Mirë bëjnë, po me artin ç’kanë? Pse kaq pak. Edhe ato fonde ndahen me miqësi e tarafe. Unë dhe ti , -ai ajo… të presin. Deri kur?
-Të shpresojmë se gjërat do të venë në vend me kohën, megjithëse shumë kemi pritur dhe fort jemi mwrzitur.
-E dashur Margarit!Ti i përket epokës sw jetuar midis dy shekujve, duke lënë shkëlqimin tënd me karakterin, fisnikërinë dhe gurët e ndritur në kurorën e artë!
-Duhet jetuar plotësisht, për të ikur qetësisht, e dashur mike.
-Sa bukur flet dhe mendon. Nuk i lëshon ëndrrat të bien njëra-pastjetrës në pluhurin e harresës. Falë kujtesës, rijeton pjesët e bukura të jetës.
“Lumturia e një njeriu varet nga ajo që ai është”. – thekson, Shopenhauer. Edhe në çaste të vështira shëndetsore, buzëqeshja jote shpreh lumturi e dashur Margarita!
Bashkbisedoi Nadire BUZO
1 Nëntor 2024
Respekte per punen e madhe e te mrekullushme qe po e beni z. Lule.
Po na beni krenar si Komb. Ju deshirojm mbaresi gjithmon.
Përshëndetje shikuesit, unë jam nelson dhe jam gati ta ndaj dëshminë time këtu, nëna ime më prezantoi me Baba e Madhe Ogbogo kur zbuloi se nuk mund ta merrja gruan time shtatzënë pas 3 vjetësh nga martesa jonë. Pra, këto sollën aq shumë telashe në martesën time dhe çuan në një divorc. ajo tha, ai është shumë shpirtëror dhe mund ta bëjë gruan time të kthehet tek unë me gëzim dhe ne mund të kemi fëmijë së bashku. Në fillim, unë nuk dyshoja derisa e kontaktova dhe pastaj hodha magji të fuqishme për mua dhe e bëra gruan time të kthehej. Dhe tani, ne jemi gjithashtu të lumtur me fëmijë të bukur, pikërisht nga dita që BaBa Ogbogo e Madhe punoi për mua dhe zgjidhi problemet e mia. Unë bëra një premtim të fortë që për sa kohë që unë jetoj, do të vazhdoj të dëshmoj për mirësinë e veprave të tij të mëdha, dhe për ata atje që përballen me marrëdhënie dhe vështirësi martesore duhet të kontaktojnë shpejt me të dhe të bëhen një dëshmitar i lumtur si unë. Unë e hoqa kontaktin e tij këtu, Email: [email protected], ose numrin e tij të WhatsApp. +2349020168697 …
Ai bëri që ish gruaja ime të kthehej tek unë me gëzim
Ai më shëroi nga një njeri i pafuqishëm te një njeri i vërtetë.