Ora: 09:58- Pezullohet i gjithë procesi i votimit në Bashkinë e Tepelenës. Mësohet se pritet një vendim nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në lidhje me këtë situatë.
PROCESI I VOTIMIT, VËZHGUESIT VENDORË: JA PROBLEMET NË GJITHË VENDIN
Ora 09:45- Koalicioni i Vëzhguesve vendorë ka dalë me një deklaratë për shtyp ku ka parashtruar problematikat që janë hasur në të gjithë vendin në procesin e votimit që ka nisur prej orës 7 të mëngjesit. Problematikat janë kryesisht për çështje teknike ose nga ndërrimi i komisionerëve në minutat e fundit.
Përfaqësuesit e Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë (KVV) deklarojnë se janë vendosur në të gjitha KZAZ-të për të monitoruar të gjithë procesin. Sipas KVV, ka pasur probleme në Kurbin. Probleme me disa vendimmarrje në qendrat e procesit të votimit pranë burgjeve.
Në Sarandë, 3 qendra votimi nuk janë hapur në kohë për shkak të mos paraqitjes së anëtarëve të komisionit. Në Konispol ka pasur ndërrim komisionesh. Në Dropull është ndërruar kryetari i Komisionit. Në një qendër kanë humbur vulën, në një tjetër nuk janë paraqitur për të marrë në dorëzim qendrën.
Në Librazhd, 3 QV të hapura pas orës 7 për probleme teknike. Dy QV u hapën me vonësë sepse mungonin komisionerët e PD. 20% e komisionerëve nuk janë të trajnuar sepse janë ndërruar në momentin e fundit.
Në Shkodër, KZAZ 3 ka Qendra Votimi të pahapura sepse mungojnë komisionerët. Në Mirditë janë ndërruar sërish komisionerët.
VELIAJ THIRRJE VOTUESVE PËR HERË TË PARË: VOTONI, JEPNI KONTRIBUTIN TUAJ PËR DEMOKRACI
Ora: 09:41- Kanididati i majtë për bashkinë e Tiranës, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij i është drejtuar kutisë së votimit në qendrën e shkollën “Fan Noli”. Gjatë një deklarate për mediat, Veliaj i bëri thirrje të gjithë qytetarëve që ti drejtohen kutive të votimit. Nga ana tjetër, ai u bëri thirrje të gjithë votuesve të rinj, të japin kontributin e tyre për demokracinë.
“Shkoj qetë, ishte efecientë. Dua të falënderoje së pari komisionerët. Dua ti falënderoi që janë çuar pa gdhirë. Dua të falenderojë ata që votojnë për herë të parë, pasi bëhen kontribuues të demokracisë. Dua që të ti bëjë thirrje qytetarëve, që të votojnë. Ne ankohemi e shqetësohemi, por duhet të dimë se çfarë drejtohemi duhet t’i japim vendit. Unë besoj se kjo fushatë meriton të vlerësohet. 4 vite më parë, votat u vodhën dhe ndaj duhet të sigurojmë rezultatin dhe le ti futemi punës për Tiranën. Tirana do vihet ashtu siç e meriton”, tha Veliaj.
KURBIN, PD: KRYETARI I KZAZ, JO PËRFAQËSUESI YNË
Ora 09:40- Në Qarkun e Lezhës deri në këto momente ka pasur probleme dhe vonesa në bashkinë e Kurbinit. Pasi KQZ shkarkoi 4 anëtarët e PD-së për KZAZ 15 në Kurbin, në orën 23:00 janë emëruar 4 të rinjtë. Por për shkak edhe të problematikës edhe këta janë shkarkuar gjatë natës. Më pas është vendosur një tjetër kryesisht nga ana e KQZ-së, në këtë KZAZ, ndërsa 3 janë të PS. Kryetari i KZAZ nr. 15 është Fran Lezha. Por Partia Demokratike ka deklaruar se kryetari i KZAZ nuk është përfaqësuesi i kësaj force.
POGRADEC, NUK KA SHABLLONE PËR PERSONAT E VERBËR
Ora: 09:34- Një problem është regjistruar në qendrat e votimit në Pogradec, ndërsa mësohet se ka mungesë të bazës materiale për personat me aftësi të kufizuar. Bëhet e ditur se nuk ka shabllone për personat e verbër.
PROKURORI ADRIATIK LLALLA TAKIM ME PROKURORËT
Ora: 09:31- Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla do të takohet sot me prokurorët e gatshëm. Takimi po mbahet rreth orës 10:30 në prokurorinë e Tiranës, ndërsa në qendër të diskutimit do të jenë procesi zgjedhor. Sakaq, pritet që Llalla të jap dhe një deklaratë për mediat.
POLICIA E SHTETIT: NË TË GJITHË VENDIN U MORËN NË RUAJTJE 5301 Qendra Votimi
09:11- Nga shërbimet e policisë u morën në ruajtje në të gjithë vendin: 5301 Qendra Votimit, 90 Komisione Zonale të Administrimit Zgjedhor. Për ruajtjen e KZAZ-ve dhe Qendrave të Votimit Policia e Shtetit angazhoi gjithsej 5.960 punonjës policie. Nga shërbimet e policisë gjatë natës nuk janë evidentuar probleme që lidhen me përmbushjen e detyrave në kuadër të procesit zgjedhor.
Krahas përmbushjes së detyrave në kuadër të procesit zgjedhor, strukturat policore gjatë natës së mbrëmshme kanë qenë totalisht të angazhuara për garantimin e rendit e të sigurisë publike dhe kanë kryer detyrat në përmbushje të misionit të Policisë së Shtetit.
Dorëzimi i objekteve zgjedhore të marra në ruajtje është bërë konform rregullave të përcaktuara dhe punonjësit e policisë tashmë janë larguar nga Qendrat e Votimit dhe KZAZ-të e janë vendosur në Komisariate, stacione policore dhe në ambientet e përcaktuara. (përjashto qendrat ku vijon procesi)
Gjatë gjithë kohës lëvizja e punonjësve të policisë në zbatim të akteve normative do të bëhet me automjete me mbishkrimin “automjet i Policisë së Shtetit i angazhuar me detyra zgjedhore” dhe vendosja e forcave të policisë do të bëhet në Komisariate/Stacione Policie dhe në ambientet e përcaktuara, ku do të jetë i vendosur mbishkrimi “vendqëndrim i policisë për zgjedhjet”.
Në çdo rast ndërhyrja e forcave të policisë për rivendosjen e rregullit brenda Qendrës së Votimit do të bëhet me vendim të Komisionit të Qendrës së Votimit.
Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht për garantimin e rendit e të sigurisë gjatë gjithë procesit zgjedhor. Situata në të gjithë vendit deri tani paraqitet e qetë.
PROBLEME ME FLETËN E VOTIMIT TË KANIDIDATIT NË ROSKOVEC, ENDE NUK KA NISUR PROCESI I VOTIMIT
Ora: 09:10- Në Roskovec nuk ka nisur ende procesi i votimit. Ka mberritur dy herë e njëjta fletë votimi për kandidatin për kryetar bashkie, ndaj komisionerët kanë logjikuar që nuk mund të nis procesi i votimit. KZAZ nr.60 ka marrë vendimin që mos të nis procesin e votimit. Gabimi evidentohet ne fleten e votimit ku kandidatet votojne me te njejten sigel.
PROBLEME NË QENDRËN E VOTIMIT KUR PRITET TË VOTOJË KRYEMINISTRI RAMA
Ora 09:13- Ka pasur probleme në Surrel, në qendrën e shkollës “Ymer Lala” ku pritet që të votojë dhe kryeministri Edi Rama, ndërsa mësohet se bllokimi pak çaste është bllokuar procesi i votimit.
POLICIA E GJIROKASTRËS: JANË DORËZUAR TË GJITHA QENDRAT E VOTIMIT
Ora 09:00- Strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, gjatë kryerjes se shërbimit për ruajtjen e qëndrave të votimit, nuk kanë konstatuar asnjë problem.
Dorëzimi i qëndrave të votimit nga strukturat e policisë Gjirokastër ka filluar që prej orës 06:00, të mëngjesit të datës 21.06.2015 sipas të gjitha kërkesave ligjore, me proces-verbalet përkatëse të komisionit të votimit.
Procesi i dorëzimit ka përfunduar në të gjithë qarkun në 233 qendra votimi rreth orës 09:00, përjashtuar dy qendra votimi përkatësisht në fshatin Kakavi dhe Selo ku tani po shkojnë materialet zgjedhore.Të gjitha qëndrat e votimit sëbashku me materialet zgjedhore janë dorëzuar në rregull nga ana e punonjësve të policisë Gjirokastër.
Të gjithë punonjësit e policisë, pasi kanë dorëzuar qendrat e votimit, janë grumbulluar në ambjenete e përcaktuara për punonjësit e policisë gjatë procesit zgjedhor. Strukturat e policisë gjatë gjithë procesit do të zbatojnë me përpikmëri ligjin dhe do të jenë të angazhuar për garantimin e rendit.
PEZULLOHET PROCESI I VOTIMIT NË TEPELENË
Ora 08:55- Në Tepelenë procesi i votimit është pezulluar për shkak të një gabimi në fletën e votimit. Për këtë bashki kandidojnë, Tërmet Peçi i ASHE-së, Veip Çela i APPD-së dhe kandidati i pavarur Dritan Memushaj. Por në fletën e votimit ka vetëm dy numra. I pari është Memushaj me numrin 1 dhe në numrin 2 janë dy kandidatë, ai i ASHE-së dhe i APPD-së. Po bashkëpunohet mes KZAZ dhe KQZ-së për të zgjidhur këtë problem dhe deri në arritjen e një konkluzioni zgjedhjet janë pezulluar.
MALËSI E MADHE, THYHET KUTIA E VOTIMIT NË FSHATIN VUKPALAJ
Ora: 08:54- Një incident i pazakontë ka ndodhur në fshatin Vukpalaj në Malësinë e Madhe. Mësohet se është thyer kutia e votimit. Sakaq, nuk dihet ende se çfarë ka ndodhur.
ZHBLLOKOHET PROCESI I VOTIMIT NË KURBIN
Ora:08:51- Vetëm pas më shumë se një ore është zhbllokuar procesi i votimit në Kurbin. Mësohet se situata është normalizuar dhe ka nisur procesi i votimit, ku qytetarët do ti drejtohen qendrave të votimit.
POLICIA E TIRANËS: KA PËRFUNDUAR DORËZIMI I QENDRAVE TË VOTIMIT
Ora 08:45- Strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, gjatë kryerjes se shërbimit për ruajtjen e qëndrave të votimit, nuk kanë konstatuar asnjë problem. Dorëzimi i qendrave të votimit nga efektivët e policisë Tiranë ka filluar që prej orës 06:00, të mëngjesit të datës 21.06.2015 dhe ka përfunduar në orën 08:15 në të gjitha qëndrat e votimit sipas të gjitha kërkesave ligjore, me proces-verbalet përkatëse të komisionit të votimit.Të gjithë punonjësit e policisë, pasi kanë dorëzuar qendrat e votimit, janë grumbulluar në ambientet e përcaktuara për punonjësit e policisë gjatë procesit zgjedhor. Strukturat e policisë gjatë gjithë procesit do të zbatojnë me përpikmëri ligjin dhe do të jenë të angazhuar për garantimin e rendit. Gjatë ruajties së qendrave të votimit gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit, nuk është konstatuar asnjë problem.
BASHA APEL QYTETARËVE: VOTONI MASIVISHT, VOTA JUAJ ËSHTË FUQIA JUAJ
ORA 08:37- Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka votuar 8 e 30 në Qendrën e Votimit numër 13 në Njësinë 8, në rrugën “Riza Cerova”. Ai ka qenë bashkë më prindërit dhe vëllain e tij. Pasi ka votuar, Basha u ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë të votojnë masivisht.
“Dua ti bëj thirrje qytetarëve në këtë ditë të madhe të marrin masivisht pjesë në votime. Ti bëj thirrje qytetarëve të Tiranës dhe anembanë Shqipërisë të ndajnë pak minuta nga koha e tyre të vijnë në qendrat e votimit, të hedhin votën. Vota juaj është fuqia juaj, vendimet merren nga ata që votojnë. Zoti e bekoftë Shqipërinë!
VLORË, NË 8 QV KA PASUR PROBLEME, JANË HAPUR ME VONESË
Ora: 08:36- Probleme janë hasur dhe në qytetin e Vlorës, ndërsa procesi i hapjes së qendrave të votimit është shoqëruar me vonesë. Në 8 Qendra Votimit ka pasur probleme.
VORË, HAPEN QENDRAT E VOTIMIT, PROCESI NORMAL
Ora 08:35- Në Vorë, një prej Bashkive që gjatë fushatës elektorale ka paraqitur probleme procesi i votimit ka filluar normalisht dhe deri tanë nuk ka pasur ndonjë problematikë. Në Vorë janë mbi 27 mijë zgjedhës, 42 qendra votimi. Në garë janë, nga ASHE, Luan Sallaku i LSI-së dhe nga APPD, Fiqiri Ismaili i PD-së.
KAVAJË, MOMENTE TENSIONI E BLLOKIMI NË QV 2196/1
Ora:08:34- Në QV 2196/1 në Kavajë ka pasur momente tensioni dhe bllokimi. Mësohet se 3 persona nuk janë lejuar të votojnë, kjo me pretendimin se nuk kanë qenë banorë të kësaj qendre. Sipas përfaqësuesit të PS-së, mësohet se emrat e tre personave kanë qenë në listë. Mësohet se këta persona janë nxjerrë jashtë qendrave të votimit. Aty kanë shkuar dhe anëtar të KZAZ-së 42, të cilët janë dhe administruesit e këtyre zgjedhjeve. PD ka vendosur që mos ti njoh këta persona.
NË KAMZË PROCESI I VOTIMIT NORMAL
Ora 08:32- Nuk ka patur probleme deri tani dhe çdo gjë po shkon normalisht, megjithëse edhe për të është folur si një zonë e nxehtë, procesi i votimit ka filluar në kohë. Në garë janë Kandidatët Safet Gjici i ASHE-së dhe Xhelal Mziu i APPD-së. Në 25 vite kjo bashki është dominuar nga e djathta. në zgjedhjet e kaluara rezultat i ngushtë. Janë thirrur të votojnë mbi 18 mijë zgjedhës.
SHKODËR, NDËRPRITET PROCESI I VOTIMIT NË FSHATIN BARDHAJ
Ora: 08:30- Është ndërprerë procesi i votimit në fshatin Bardhaj. Shkak i kësaj ndërprerje mësohet se është bërë pasi është tentuar të votohet familjarisht.
NË BURGUN E RROGOZHINËS DHE PEQINIT NUK KA NISUR ENDE PROCESI I VOTIMIT
Ora 08:25- Gazetarja Klodiana Lala raportoi se në 2 burgje të Peqinit dhe Rrogozhinës nuk ka nisur procesi i votimit pasi ka patur problem me materialet zgjedhore që s’kanë mbërritur ende. Në 19 burgjet e tjera procesi normal, deri tani pjesëmarrje e ulët. Ky është një proces specifik dhe çdo person që do futet në këto ambiente duhet të kontrollohet dhe monitorohet.
4 QENDRA VOTIMI NË DURRËS NUK JANË HAPUR ENDE
Ora:08:22- 4 qendra votimi në Durrës nuk janë hapur ende. Shkak i kësaj situate është bërë ngatërrimi i kodeve të kutive të votimit. Sakaq, pritet që të vinë nga KQZ materiale për të ndryshuar kodet.
DROPULL, NË 4 QENDRA VOTIMI NUK JANË SHPËRNDARË MATERIALET
Ora 08:14- 4 qendra votimi në Dropull nuk janë shpërndarë ende materialet e votimit. Sakaq, mësohet se është ndërruar në momentin e fundit kryetari i KZAZ-së.
LEZHË, NIS PROCESI I VOTIMIT PËR BASHKITË RRËSHEN DHE LEZHË
Në Lezhë votimi ka nisur për dy bashkitë e Lezhës dhe Rrëshenit. Ndërsa në Kurbin nuk ka nisur ende, për shkak se ende nuk ka përfunduar shpërndarja e materialeve zgjedhore. Janë 163 mijë votues që votojnë në qarkun e Lezhës.
Ora 07:40- Në qendrën e votimit pranë fakultetit të Mjekësisë ka pasur disa vonesa por më pas ka vijuar procesi normal.
TË BLLOKUARA DY QENDRA VOTIMI NË KORÇË
Ora 07:30- Dy qendra votimi në Korçë janë të bllokuara. Bëhet fjalët për QV 3648 dhe 3648/1. Sipas të dhënave shkak i bllokimit janë bërë posterat në këto qendra votimi. Në Korçë janë përballë Sotiraq Filo i ASHE-së dhe Gjergji Mero i APPD-së.
LUZI: VOTONI, ZGJEDHJET ME RËNDËSI HISTORIKE PËR TË ARDHMEN E SHQIPËRISË
Ora 07:12- Kryetarja e KQZ, Lefterie Luzi voton në ZAZ numër 35 të vendosur tek Akademia e Arteve. Luzi ka qenë qytetarja e parë që ka votuar në këtë qendër votimi. Fill pas hedhjes së votës së saj në kutinë e votimit, Luzi i bëri thirrje të gjithë shqiptarëve, që të votojnë. Gjatë një deklarate para mediave, Luzi theksoi rëndësinë e këtyre zgjedhjeve.
“Sikurse ju e kemi ndjekur KQZ ka punuar nderi në orët e para të mëngjesit për të bërë të mundur që sot ditën e zgjedhjeve çdo qytetar të votoje. Nuk kemi informacion nëse janë hapur të gjitha qendrat, do marrin informacionet e nevojshme pak më vonë. Baza materiale për të cilat ishte problematike në Kurbin është shpërndarë.”, tha Luzi.
Teksa u ndal tek deklaratat e opozitës për Kavajën dhe Kurbinin, Luzi theksoi se të gjitha pretendimet e një subjekti politik duhet të respektohen. “Kjo është një deklaratë e subjektit zgjedhor dhe vendimmarrja e saj Sot shkoni të gjithë në qendrat e votimit, pasi siç e dini këto zgjedhje janë test i radhës për këto votime. Dua ti bëj thirrje dhe grave, se vota e tyre ka rëndësi, pasi vota e tyre është deri në 50 për qind. Ndaj ju ftoj dhe të rinjt që votojnë për herë të parë që ti drejtohen qendrave të votimit. I bëj thirrje gjithë shqiptareve që ti drejtohen qendrave të votimit, pasi këto janë zgjedhje me rëndësi, për të ardhmen e Shqipërisë. Duhet të ruajmë qetësi dhe të zhvillojmë zgjedhje të qeta“, përfundoi Luzi.
HAPEN QENDRAT E VOTIMIT
Ora 07:00- Ka nisur zyrtarisht procesi i votimit. Gazetarët e News24 kanë raportuar nga dy qendra votimi në kryeqytet: ajo tek Akademia e Arteve, ku pritet të votojë edhe kryetarja e KQZ-së, Lefterie Luzi si dhe tek shkolla “Ismail Qemali”. Edhe në Durrës janë hapur qendrat e votimit.
Komentet