–Me Petro Markon ” më lidh” Ulza.Kemi punuar të dy aty në kohë të ndryshme.Ai si gazetar dhe unë si mësues.Ai kur ndërtohej hidrocentrali , unë kur jepte “Dritë mbi Shqipëri “.Më ka mahnitur pjesa e parë e romanit” Një natë dhe dy agime”, ngjarjet e të cilit zhvillohen në Ulëz dhe pas një telefonate, se duhet të paraqitet në redaksi , nga Ulza në Tiranë.
Ka dhe diçka tjetër që më lidh me Petro Markon , kemi qënë në kohë të ndryshme në të njejtin fshat të Pogonit,në Hllomo.Ai në vitet 30 – të , unë në vitet 70- të.Ai si mësues të cilin e ndiqte regjimi për ta hedhur në gjyq, unë në një gjyq politik të hapur në vitet e regjimit të ri. Nga që nuk e kishte mirë me mbretërinë , nga që ishte i majtë, e pushuan nga puna si mësues në Vanistër të Dropullit dhe e çuan prapa maleve , në Pogon.Por ia kishin me hile.Do ta kishin arrestuar , po të mos e ndihmonte Asim Vokshi.Dhe mori një vendas , i cili e përcolli deri në kufi dhe vajti tek i vëllai në Athinë.
Më përpara se ta lexoj e kam parë në fotografi, në atë foton klasike të tij me flokët kaçurele dhe cigaren në buzë.Pataj erdhën leximet .Dhe më i pari ” Shpella e piratëve ” , romani i lexuar nga sa e sa breza fëmijsh.Dhe pasoi ” Hasta la vista”.Nuk ishte për moshën tonë, por duke parë më të rriturit që e lexonin si në fshehtësi , duke parë se disa faqe i kthenin , që t’ u ktheheshin serish dhe disa paragrafe të nënvizuara , na bënë kuriozë që ta lexonim dhe ne .Ishin këto faqe erotike midis Gori Gjinlekës dhe Anita Hernandezit ,që na bënë që ta lexojmë gjithë romanin, nga i cili , një kopje kishte arritur deri përtej oqeanit , në bibliotekën e nobelistit Ernest Heminguej , të cilin Petro Marko e njohu në Spanjë.
Është padyshim një nga shkrimtarët më të mëdhenj shqiptarë, një shkrimtar legjendë ,dhe që të kthehej në një legjendë të gjallë të kësaj letërsie, ndihmoi dhe vetë regjimi , me hyrje daljet e shumta që i bënte në listën e Lidhjes, nuk e përjashtonte, se e dinte se do të ndihmonte pa dashur që të kthehej në legjendë, në një mit i gjallë.Gjeti dy rrugë të tjera: nuk e përmëndëte, nuk i lejonte botimin e asaj që shkruante.E para, mos përmëndja , i bënte mirë, lexuesve u bënte përshtypje kjo lënie në haresë dhe kërkonte librat e shkrimtarit, dhe i kërkonte më së shumti në bibliotekat shtëpiake , se tek ato të shtetit , ose nguronin , ose nuk mund dhe t’i gjeje .
Ishin si gjysëm të ndaluara dhe bile dhe të hedhura në karton, si vëllimi ” Horizont” , për një poezi të të cilit e akuzuan poetin, se poezia nuk është shkruar para Luftës, siç pretendonte autori , por aludon për socializmin, dhe për romanin e lezëçëm për fëmijë ” Fantazma dhe plani 3 plus 4 ” .Ky roman për Luftën u hoq nga qarkullimi se përmendej ” Vjosa” , Mehmet Shehu, ëmër i fuqishëm ky i Shqipërisë së pas Luftës, i cili , në vënd që ta ndihmonte shkrimtarin, si bashkëluftëtarë në Spanjë,përkudrazi , ai pagoi kapriçot e fshehta të Enverit ndaj këtij njeriu , të cilin , dukej sikur i trembej, e dhe vetë Enveri i fuqishëm ,i trembej këtij satanai , se me bëmat e tij kishte bërë për vete një krahinë të njohur për trimëri Dhe dallgët që krijoheshin lart përplaseshin në gjoksin plot nikotinë të Petro Markos. ” Mua më shpëtoi Koçi Xoxe , thotë Petro Marko në librin e tij të mrekullueshëm ” Retë dhe gurët” , të shkruar nën presionin e autocensurës, ashtu i sëmurë dhe i mbledhur skurpull mbi makinën e shkrimit, i mbështjellë me batanie.
E kritikuan për proliksitet , faqe të tepërta në prozën e tij, por ai nuk ua vinte veshin.Dhe kjo ” sëmundje letrare ” u vu re më.shumë në romanin “Stina e armëve” , i cili ka ngërthyer në subjektin e vet gati gjysmën eShqipërisë , nga Vlora e rrethina e gjer në Mirditë.
Ai i paepuri , ai antikonformisti , u thye vetëm një herë.E kishin lënë në haresë.E thëresin në zyrat më të larta të Partisë, vetë Ramiz Alia
.I thonë troç!Duam një roman për kolektivizimin e zonave malore .Ti mund ta shkruash.Ja dhe leja krijuese.
Dhe kështu lindi romani jo pa vlera , megjithëse i shkruar me porosi , ” Ara në mal” .Dhe kritikët zbuluan në rrjedhën e këtij romani Zan Erzenin , një nga heronjtë letrarë nga më të mirët e letërsisë së asaj kohe.
Por e dhe ai” nuk rrinte rrehat”!A e bënte qëllimisht , apo nuk mundej që t’i shmangej së vërtetës historike dhe letrare?!Është fjala për romanin.” Një emër në katër rrugë” .Dhe vetëm për një fakt , dhe vetëm.për një paragraf, u shkaktua alarm deri lart , dhe më shumë u alarmuan gratë e udhëheqjes.Sipas Petro Markos , disa vajza të Instutit Fëmëror zgjidheshin si mantenuta për oborrin e mbretit Zog.Libri u bë karton dhe autori në vetmi.Shkruante, e dhe pse e dinte që nuk do të botoheshin.Iu larguan të gjithë.I kishin futur dhe Jamarbërin në burg.Vetëm njeri nuk u trëmb.Ishte Xhevahir Spahiu që i mori dorëshkrimin e romanit ” Ultimatum” , e radaktoi , e recensoi dhe e botoi.Kjo e gëzoi shumë Petro Markon e plakur , Petro Markon e sëmurë.
Për shkrimtarë si Petro Marko të vjen keq që ndrimi i sistemeve nuk u bë disa vjet më herët.Të paktën libri i mrekullueshëm “Retë dhe gurët” do të ishte pesëfishi i atij që pa dritën e botimit.Petro Marko ishte një arkiv , një enciklopedi e pashkruar e historisë shqiptare nga vitet 30 – të deri në 1990.
Tani prehet në Dhërmi, të cilit i ka kushtuar romanin” Çuka e shtegtarit”. Pranë ka dhe Spiro Çomorën.Ka dhe një bust , i cili shikon nga deti , nga deti me tallaze , si vetë zëmra e Petro Markos.
Dhe i këndojnë dhe një këngë të bukur.
Shënim: Fotografia është marrë nga Albumi i fotoreporterit të njohur Petrit Kumi.
Komentet