Petrit Velaj duke rrëfyer për gazetën “Panorama” foto V. SulajVelaj: Njohja me dhëndurët e divorcuar të byroistëve në burg.“Nga Spaçi në Shtëpinë e Bardhë, 10 minuta sy më sy me Bushin”
“Kur përktheja nga gjermanishtja biografinë e Bethovenit në qelitë e burgut për vajzën e Ramiz Alisë“
“Ishte koha kur kuçedra e tërbuar hante bijtë e vet”
“Në burg me fëmijët e bllokmenëve të dënuar”

Presidenti Xhorxhe Bush dhe Zonja Barbara Bush në një nga pritjet në Shtëpinë e BardhëKa ëndërruar shumëçka në kalvarin e 11 mijë e 778 ditë-netëve burg, po që dikur do të ishte mysafir në Shtëpinë e Bardhë, madje ballë për ballë me presidentin e SHBA-ve, nuk e kishte menduar kurrë.
Ajo që ka përjetuar Petrit Velaj në vitin 1991, pas rrugëtimit të parë përtej Atlantikut me ftesë të autoriteteve amerikane, ia kalon çdo fantazie njerëzore. Të paktën për aq sa tregon i burgosuri i Spaçit, që e quan veten me fat për këtë mundësi të artë, pasi një ngjarje si kjo është nga rastet e rralla që nuk përsëriten dy herë në jetë. Për ketë arsye, kjo ndodhi në kujtimet e Velajt zë vendin e qershisë mbi tortë, pas atij rrëfimi rrëqethës për jetë-burgun e Mandelës së Shqipërisë, siç e quajnë me të drejtë bashkëvuajtësit, por jo vetëm. Kalvari i vuajtjeve në qelitë e tmerrshme në periudhën e viteve ’80, duke filluar nga skëterra e Zejmenit të Lezhës, e deri te rikthimi për herë të katërt tek i tmerrshmi Spaç, është pjesa fundore e kujtimeve të njeriut që kaloi gjysmën e jetës në ferrin e burgjeve të komunizmit, e cila i paraprin epilogut interesant me mbresat nga vizita në Shtëpinë e Bardhë dhe takimi sy më sy me presidentin Bush. Në këtë pjesë, Velaj nuk harron t’u rikthehet përjetimeve nga shoqëria me djemtë e ish-bllokmenëve, të dënuar rishtas pas kryqëzimit të prindërve si armiq të popullit. Ishte koha, nënvizon ai, kur kuçedra e tërbuar filloi të hante edhe bijtë e vet…

Ftesa për Velajn nga Xhorxhe dhe Barbara Bush, maj 1991Në Zejmen të Lezhës

Petrit Velaj me gruan Reskijen dhe me familjen, në vitin 1992Në vitin 1982, bashkë me 40 të dënuar të tjerë, më transferuan në ndërtimin e godinave, në burgun e ri në Zejmen të Lezhës. Aty na prezantuan me inxhinierin e punimeve, Shkëlqim Bumçi. Edhe ai ishte i dënuar si ne, me motivacionin “për sabotim të ekonomisë socialiste”. Banonim në një barakë të gjatë në kushte tejet të vështira. Pjesa më e madhe ishin mjeshtër ndërtimi. Në Zejmen qëndrova deri në fund të vitit 1985. Me të dënuarit nderuam aty zyrtarët e komandës së burgut, kampin e të dënuarve, kapanonët e ushtarëve. Gjatë qëndrimit aty më pëlqente të shoqërohesha me inxhinier Bumçin. Nga ai mësova shumë, sidomos për kolosët e arkitekturës shqiptare. Shkëlqimi më tregoi për projektuesin e talentuar të tuneleve të Semeringut e të hekurudhave të Gracit, me origjinë shqiptare Karl Gega, për inxhinierin e dëgjuar të konstruksioneve Gjovalin Gjadri, për ndërtimin e hekurudhave në Europë e deri në Japoni. Gjatë bisedave me Bumçin u njoha edhe me arsyet e dënimit të tij. Aty mësova se kishte qenë i martuar me vajzën e njërit prej anëtarëve të Byrosë Politike dhe pas divorcit me të e kishin dënuar për agjitacion e propagandë, që shkonte deri në shtatë vjet. Natyrisht, kjo nuk e kishte kënaqur ish-vjehrrin e tij, i cili kishte bërë të pamundurën për të shtuar vitet e dënimit. Rigjykimi i bërë me porosi të tij e kishte penalizuar inxhinier Bumçin për “sabotim…”, akuzë kjo që shkonte deri në 25 vite burg. Në Zejmen njoha edhe një të burgosur tjetër që “vuante” nga e njëjta sindromë. Ky Demir Neki Selenica, nga Dangëllia e Përmetit, e kishte pësuar pak a shumë si Bumçi, që kishte guxuar të divorconte të bijën e mikut të ngushtë të Enverit. Në rastin e tij, krushku kishte qenë i niveleve lokale. Nekiut të gjorë i kishin kërkuar dorën e mbesës për sekretarin e partisë së kooperativës dhe kishte refuzuar. Kjo ishte bërë shkak për ta vënë menjëherë në sy të ciklonit. Hakmarrja e sekretarit të Partisë, pas një procesi gjyqësor të montuar, që e kryqëzoi për “agjitacion e propagandë”, e bëri Demirin e shkretë banor të burgjeve të tmerrshme për 10 vite me radhë…
Në Spaç për herë të fundit
Ishte fundi i vitit ’85 kur mbërrita përsëri në Spaç. Aty gjeta miqtë e mi Fatbardh Kupi, Fatos Lubonja, Moisi Miraka, Dervish Gumeni, Eduard Ypi etj. Pjesa më e madhe e tyre ishin djem të rinj. Shumë syresh ishin thinjur nëpër burgje. Në kamp sakaq u njoha edhe me një kategori tjetër të dënuarish, që vinin nga familjet e oborrit të diktaturës. Ata, ndryshe nga bashkëvuajtësit e tjerë, vinin aty nga një jetë tjetër. Sidoqoftë, kjo nuk i lehtësoi asnjëherë nga represioni i burgut. Në bisedat e para me Maksim Ramën, Bashkim Shehun, Fatos Lubonjën e Vladimir Ballukun, fillova të konstatoj se edhe brenda nomenklaturës kishte filluar plasaritja e madhe. Jo rastësisht pinjollët e tyre, ardhur rishtas në Spaç, shpreheshin me urrejtje për komunizmin. Madje, pjesa më e madhe e tyre flisnin hapur për kulturën, muzikën, letërsinë dhe politikën e vendeve perëndimore. Kur binte fjala për prindërit e tyre, e pranonin se kishin rënë në kurthin e enverizmit dhe kjo disave u kishte kushtuar jetën. Në Spaç më kërkuan përsëri për të punuar në sektorin e botimeve. Në grupin e përkthyesve të krijuar rishtas bënte pjesë Sherif Merdani, Villiam Hysenbegasi, Gëzim Medolli, Pëllumb Lamaj, Luan Koka, Nikolla Skani, Eduard Ypi e Femi Frashëri. Ndërkohë, dy përkthyes të tjerë, Pjetër Arbnori e Daut Gumeni, i dërgonin materialet e shqipëruara nga burgu i Burrelit. Ndër veprat e përkthyera në atë periudhë më kujtohet “Dezinformacioni”, vepra voluminoze e ekonomistit të madh amerikan Ëilliam Bou, vepra me autor japonez etj. E gjithë periudha 1987-1989 kaloi me shqipërime. Ruaj shumë kujtime nga kjo periudhë. Një pasdite, tek po pushoja në shtrat, më lajmëruan të shkoja në sallën e përkthimeve. Aty kishte ardhur zëvendësministri i Brendshëm dhe më zgjati dy vepra në formë pamfletesh, njëra në gjuhën angleze dhe tjera në gjermanisht. I njëjti titull “Bethoven. Nota biografike dhe nëntë simfonitë e tij”. Duke e shfletuar, më ra në sy se qysh në faqet e para shkruhej tjetër gjë: “Nota biografike rreth dirigjentit të madh të botës Herbert Fon Karajan dhe amerikanit Irvin Kollodin”. Zëvendësministri më tha se ato vepra ia kishte dhënë për t’i përkthyer Ramiz Alia, sepse i duheshin vajzës së tij që ishte muzikante. I mora librat dhe fillova t’i përgatis. Fakti që ato ishin në anglisht e gjermanisht, ma lehtësonte punën. Kur mbarova shqipërimin, u kërkova porositësve që për saktësinë e termave muzikorë mund të konsultoheshin me ndonjë pedagog muzike. Ashtu bënë. Përgjigjja erdhi se përkthimi kishte qenë perfekt.
Ishte kjo detyra e fundit që po përmbushja jashtë dëshirës sime në ato kushte mizerabël. Dalëngadalë po afronte edhe dita e lirimit. Na ishte premtuar se do të liroheshim para kohe, por edhe Vitin e Ri e hëngrëm në burg. Aty nga mesi i shkurtit më në fund porta me hekura u hap, por liria mbetej prapë larg…Dita e parë në liri
Kisha lënë më në fund portën e burgut, aty ku ngrysa gati 40 vite dhe çapitesha si pa vetëdije në rrugët e Tiranës. Udhëtova atë natë për herë të parë me tren deri në Vlorën time të dashur. Kur kisha rënë në burg, nuk bëhej fjalë për hekurudhë. Gjatë kohës që vuaja dënimin, kisha dëgjuar diçka për inaugurimin e saj. Madje, më kujtohej që shiritin e kishte prerë Hekuran Isai, ish-ministri i Brendshëm, që ne, banorët e atyre zgafelleve, e “kishim fort për zemër”. Diku afër mesnatës mbërrita te shtëpia e vëllait në qytet. Derën ma hapi i biri rreth të 20-ave që, kur më pa ashtu të shpërfytyruar, u tremb dhe thirri të atin për ndihmë. E kuptova që nuk më njohu dhe u përpoqa ta qetësoj. Qëndrova aty atë natë dhe e gdhimë pa vënë gjumë në sy bashkë me vëllain. Të nesërmen që në mëngjes u nisa bashkë me të për në Kaninë, ku kisha gruan dhe fëmijët. Teksa ecja monopatit për te kasollja në brinjë më doli para një grua, që, sa më pa, më pyeti gjithë kërshëri: “Kush je zotrote që vjen në këto anë?”. U mata t’i përgjigjem, por nuk munda, pasi nga dera e kasolles doli një vajzë e brishtë duke bërtitur me zë të lartë: “Është babai im! Është shpirti im! Vdeksha unë për të!” E gjora vajzë sa ishte çuar nga krevati gjithë ethe dhe djersë. Ashtu, duke klithur si e marrë, më hidhet e më mbulon me të puthura e të qara. Nuk ngopesha dot me përqafimet e saj.
E mora në krahë dhe ashtu të përmalluar u futëm në kasolle. Pas gati një ore te dera u shfaq ime shoqe, Reskija, me fytyrë të vrarë nga hallet e jetës dhe puna e rëndë në kooperativë. U ngrita dhe, i përmalluar siç isha, i thashë: Po ku je mermer i gjallë vuajtjesh dhe mjerimi? Ajo, siç e kishte zakon, nuk foli, aq më shumë që kësaj here ardhja ime ishte e papritur. Në fytyrën e saj përzihej ankthi dhe gëzimi, dashuria dhe mjerimi. Pas pak mbërriti aty edhe djali, Ahmeti, që m’u hodh në qafë me fjalët “babai”. Më dukej vetja si në ëndërr. Ishte një skenë plot dhimbje dhe dashuri. Kishin kaluar me dhjetëra e dhjetëra vite që u kisha munguar atyre dhe kësaj strehëze të ngrohtë. Një moment hodha një sy rreth e qark kasolles. Në mes një qilim i rreckosur, në hyrje, dera me tri dërrasa nga ku frynte era me fishkëllimë, në qoshe një dollap pa derë, diku më tej një raft me enë kuzhine dhe rroba të grisura…
Atë natë ndenjëm deri vonë. Shtruam për të fjetur afër mëngjesit në dy shilte gjithë arna dhe një jorgan që s’kish ku ta kapte qeni. Një moment, djali u ngrit nga minderi ku ishte shtrirë dhe duke u afruar, më pyeti: “Sa vjet burg bëre o babai?” “Shumë, shumë, sa nuk numërohen, po tani shpëtova e nuk do largohem kurrë, i thashë për ta qetësuar. Si më dëgjoi, djali u vrenjt në fytyrë, uli vetullat si retë mbi Karaburun dhe m’u drejtua prapë: “Vërtet ke hequr keq aty në burg, po duhet ta dish se edhe këtu një lloj burgu ka qenë”…
Mysafir në Shtëpinë e BardhëNë pranverën e vitit 1991 udhëtova për herë të parë matanë Atlantikut. Fillimisht qëndrova disa ditë në Itali e Francë. Pastaj mbërrita në Nju Xhersi, ku më priste i përmalluar vëllai. Ditët kur isha mysafir tek ai ishin fantastike. Një jetë tjetër, në një planet tjetër. Diçka e paimagjinueshme. Ca më tepër në rrethanat që gjendesha në këtë mrekulli, pas atij kalvari në qelitë e tmerrshme. Në të papriturat e atyre ditëve, ishte një ftesë krejt e veçantë, këtë herë jo për vizitë familjare, si mjaft syresh që kisha marrë gjatë qëndrimit aty. Pikërisht në ditët e para të majit, vetë Presidenti i SHBA-ve, Xhorxh Bush, më ftoi për të vizituar Shtëpinë e Bardhë. Në orën e caktuar mbërrita te hyrja qendrore. Para portës së madhe kishte shumë njerëz nga vende e kontinente të ndryshme. Me ftesën në dorë bëra përpara për të zënë radhë. Pa u afruar mirë te kangjellat, një personalitet francez më vërejti dhe, si më pa me kartëvizitën në dorë, m’u afrua duke thënë: “Zotëri, jeni i lirë të kaloni brenda!” Me sa duket, më kishte parë që komunikoja frëngjisht dhe m’u drejtua me gjuhën e vet. Frëngjishtja e tij më solli një ndjenjë gëzimi. Te porta e hekurt, administratori i Shtëpisë së Bardhë i bëri shenjë një djaloshi elegant, i cili u afrua gjithë mirësjellje. Pasi m’u prezantua me emër, Roland L’Fransua, më zgjati dorën, më përshëndeti dhe më përcolli për t’u futur brenda. Ai na shoqëroi një copë udhë mes kopshteve të bukura të “Mbretëreshës Semiramidë”. Teksa shikoja i hutuar mrekullitë rreth e qark, një çast L’Fransua më kapi për krahu dhe nisi të më tregojë me dorë dikë. Hodha sytë. Ishte vetë Presidenti Bush me të shoqen, Barbara Bush, veshur me rroba sportive. Me sa duket kishin dalë për të pritur mysafirët e ftuar. Na përshëndetën nga larg dhe aty për aty Bushi porositi Roland L’Fransuan të më shoqëronte te zyra e tij. Ishte kjo një mrekulli e vërtetë, ca më tepër për mua, një banor i vjetër i burgjeve famëkeqe të Enverit, ku u rrita, u burrërova dhe u plaka në skëterrat e tmerrshme të tyre. Në pritjen e jashtëzakonshme ishte i pranishëm sekretari i Shtetit, bashkë me sekretarin personal të kreut të Shtëpisë së Bardhë. “Mirëserdhët zoti Velaj Hamet Petrit!”, më përshëndeti Presidenti me një zë të ngrohtë. “Mirë se ju gjeta!”, ia ktheva unë me ritin shqiptar. Pastaj u ulëm e folëm lirshëm. Fjalë për fjalë nuk e mbaj mend bisedën e atyre çasteve, por më kujtohet që një moment, duke përfituar nga një pauzë e shkurtër, iu drejtova si pa vetëdije: Cila është arsyeja e kësaj ftese të papritur? “Po ja, si thoni ju?!, u shpreh Bushi duke më parë në sy. “Më ke thirrur për të parë çfarë gjallese ka dalë nga ‘kopshti zoologjik’ i Enverit, apo për të mësuar tragjedinë e Shqipërisë në 40 vitet e flamës së komunizmit bolshevik?”, ia ktheva me një lloj emocioni gati të papërmbajtshëm. “Për të dyja, për të dyja bashkë”, ia bëri i zoti i shtëpisë që më ndiqte sy e vesh. Pastaj i fola gjerë e gjatë për tmerret dhe bëmat e regjimit, i shpjegova me qetësi ato që kisha parë e përjetuar në skëterrat e qelive çnjerëzore. “Kam dëgjuar për krimet e Hitlerit e Stalinit, më ndërpreu një moment Presidenti Bush, duke u kthyer nga të pranishmit e tjerë, por këto të ‘Neronit të Shqipërisë’ nuk mund t’i përfytyrojë as imagjinata më e guximshme”. “I tillë ka qenë, si Neroni, madje më i keq”, shtova unë dhe pashë orën për të qenë korrekt me kohën e caktuar nga protokolli. “Ashtu vërtet”, ndërhyri i zoti i shtëpisë dhe i ngacmuar me sa duket nga krahasimi i goditur, shqiptoi aty për aty një lloj dileme, që në kontekstin e përdorur tingëllonte mjaft domethënëse. “Si është e mundur, u shpreh ai, që Sokrati i madh ka një bust prej balte, kurse Neroni një shtatore prej bronzi?!”. Pjesa tjetër e bisedës, me sa mbaj mend, u përqendrua në prioritetet e së nesërmes që e prisnin një vend si Shqipëria, që pora kishte dalë nga burgu i komunizmit. Kështu kaluan pa u ndjerë plot 10 minuta në takimin ballë përballë me kreun e SHBA-ve. Aty nga orët e vona të pasdites, pasi kisha përfunduar vizitën në Shtëpinë e Bardhë, shkova të vizitoj Senatin Amerikan. Qysh në hyrje më bëri përshtypje monumenti madhështor i autorit të Kushtetutës amerikane, Abraham Linkoln. Një mrekulli tjetër kjo që më ka lënë gjurmë në kujtesë.
Komentet