- Vija e Jetës
Loti i Parë dhe Loti i Fundit janë binjakë
Ose: dy pika krijojnë Vijën e Jetës.
Në këtë vijë kam ecur
Në fillim këmba-dorës
Duke kuptuar zvarritjet e luftës…
Pastaj gjunjazi
Duke nuhatur të ardhmen
Si rob duke u lutur.
Kur u ngrita në këmbë
Qe tepër vonë:
Përplasa kokën te Hëna e plotë
Dhe mbeta i gjymtuar…
Manhattan, 30 shtator, 2013
- Shmangie enigmës
Duke iu shmangur enigmës bëhesh rob i saj
s’e kupton pse një piano në vend të tastave ka petale
pse kur bie borë në maj u lodhet kujtesa maleve.
Enigma është një mushmollë me shije të athët
Ti e mbjell kudo, ajo mbin veç njëherë
Në një errësirë të beftë si në kuti brilantësh.
Ti luan në piano: errësira e brilanteve çoroditet në dritë
Mushmolla lulëzon pa i njohur kufijtë
Dhe çan errësirën brenda meje.
Luan në piano pa e ditur ç’ndodh me degëzën në gjoksin tim
Pse bora kur bie natën ka ngjyrë mushmolle
Dhe pse malet – megjithëse të lartë – mbyten në trishtim.
Më ke kthyer në piano: det i zi me shkumë të bardhë
Kuti ku sapo u vendosën brilantët
Mushmollë nën borë.
Brooklyn, 24 nëntor 2013
- E di, zog i vogël…
E di, zog i vogël, e di
Zogjtë s’kanë lot në sy
qajnë me cicëri.
E di, zog i vogël, e di.
Habitesh me lotin tim
Lotin mos e çukit
kështu shkon në flijim
nga zog kthehesh në shpirt.
E di, zog i vogël, e di…
Po deshe merre një pikë
Merre një lot si pajë
Shpalle në qiell si dritë
Shpërnda parfumin e saj.
E di, zog i vogël, e di.
Janë lot dashurie, o zog
E ç’mund të bëj loti në qiell
Fluturon në qiell një zog
Një zog me lot dashurie.
E di, zog i vogël, e di.
Brooklyn, 11 gusht 2013
- Unë dhe Hija
Ndryshe nga çdo ditë
sot hija më bezdis
Unë vë kapele, e vë dhe ajo,
Kapelen heq unë dhe hija heq kapelen
Lulen që këpus e këput edhe hija
Ashtu e vogël – re e zezë:
Nga poshtë – lart
do të nisin… shirat.
Shi nuk bie
po diçka m’i njomi qepallat
Unë eci drejt
Hija zvarritet
në një tokë përrallash
Përkulem dhe hijes
i pëshpëris në vesh:
Kur unë qaj
Ti s’ke lot
Dhe askush s’të sheh ty
Kur unë buzëqesh.
Hija vazhdon lojën e saj
Papritmas vetëtin si re:
Mos u anko për mua
Jetën tënde mbi supe mbaj
Nuk do të bezdis
Kur të shkosh… nën dhé.
Unë heq kapelen
Ajo … kapelen ve…
2-3 maj 2012
- Tek e shkuara…
Vizitova të shkuarën: e kisha lënë të re, m’u shfaq e rrënuar
“Mirëmbrëma”, i them. Ajo më pyet: Mos jeni vjedhës?…
-Jo, i them, kam ardhur të shoh oborrin…
-Oborrit ia vodhën kumbullën e kuqe
E bëmë dru zjarri për dimrin e egër
O Zot, dhe flakët i kish cipëza kumbullash të pjekur!…
Mos kini ardhur për të vjedhur?…
-Oh, jo, erdha të shoh pusin në oborr.
-E mbyllëm. Ishte si një sy i keq
Vajzat e lodhura këtu donin të mbyteshin
Ngaqë qielli valëvitet edhe poshtë.
…Po ç’mund të vidhni në këtë shtëpi të vjetër?
Dyert i morën vjeshtën që shkoi: i duhen Parajsës, më thanë
Dritaret m’i morën se u duheshin mëngjeseve të përplasen zogjtë.
…Nëse s’ke ardhur të vjedhësh dhe je Vdekja: më merr
Më ço te kumbulla e kuqe, te pusi i vajzave me sy nga qielli
Te dyert dhe dritaret e mia… kam ëndërruar Parajsën këtu në Ferr.
Libraria Barnes & Noble, 14 street, 8 qershor 2014