PROPOZIM
Drejtuar: Presidentit të Republikës së Shqipërisë
Zotit Bujar Nishani
TIRANË
PËR DHËNIEN E TITULLIT “NDERI I KOMBIT”
STUDIUESIT ARVANITAS, ARISTIDH KOLA
I nderuar z. President,
Duke patur parasysh vlerën e madhe të figurës së studiuesit dhe veprimtarit të madh arvanitas Aristidh Kola, ju propozojmë dekorimin e tij me titullin e lartë “Nderi i Kombit”.
Cilësitë dhe tiparet themelore që e kanë kthyer atë një tribun të madh të arvanitëve, të cilat mendojmë se e bëjnë të meritueshme këtë titull janë:
1-Krenaria e tij si shqiptar, e cila e shoqëroi deri në fund të jetës e prej të cilës nuk hezitoi e nuk hoqi dorë kurrë sado presion dhe luftë që i bënin.
2-Guximi për të thënë të vërtetën, për të mbrojtur kulturën gjuhën e traditat shqiptare ndër arvanitët e Greqisë.
3- Dashuria e madhe për atdheun e të parëve dhe popullin shqiptar në Shqipëri, Kosovë, arbëreshët e Italisë, shqiptarët e Maqedonisë dhe kudo ku ata ndodheshin në botë.
4-Udhëheqës i madh i arvanitasve, veprimtar i palodhur në gjithçka që i shërbente indentitetit arvanitas; organizator i veprimtarive për mbajtjen gjallë të kulturës e traditave të popullit të vet.
5-Përkushtimi i jashtëzakonshëm për ngritjen e dinjitetit të shqiptarëve të Greqisë për të cilën la cdo gjë, dhe profesionin e avokatit, dhe u mor tërësisht me kërkime e studime në fushën e kulturës popullore dhe historisë.
6-Studiues që solli vepra voluminoze që bëjnë histori, mjaftojmë të kujtojmë “Arvanitët dhe prejardhja e grekëve”, që ka njohur mbi 14 botime dhe që konsiderohet si bibla e arvanitasve, vepër që ka hyrë në çdo shtëpi shqiptare dhe me fakte historike të ngjall krenarinë e të qenit shqiptar. Edhe “Gjuha e perëndive” është një vepër studimore që sjell argument që gjuha shqipe është vazhdimësi e gjuhës ilire dhe si një gjuhë të cilën e flisnin perënditë e Olimpit, çfarë e bën krenar çdo shqiptar në botë.
7- Publicist i madh, mbrojtës i patundur i kauzës së shqiptarëve në Ballkan, mbrojtës i shqiptarëve të Kosovës, për të cilën shkroi dhe veprën “Greqia në kurthin e serbëve të Millosheviçit” Athinë 1995, përkthyer edhe në shqip.
8-Njeriu i paqes, megjithëse luftëtar i madh i kauzës së kulturës dhe dinjitetit të popullit të vet, ai dëshironte që në mes të dy popujve më të vjetër në Ballkan të kishte miqësi e mirëkuptim, sepse vetë popujt kurrë nuk janë burime luftrash ata më së shumti e pësojne prej politikës së mbrapshtë të kastave e qarqeve ekstremiste.
9- Sakrifikoi gjithçka për kauzën në të cilën besonte, pa kursyer asgjë, madje edhe jetën e tij, sepse gjithmonë jetoi nën kërcënime deri me vdekje, por kurrë nuk u zmbraps e kurrë nuk u mposht.
10- Figura e tij madhore, krenaria e tij për prejardhjen shqiptare, është sot një burim frymëzimi për të gjithë shqiptarët e Greqisë, por edhe në mbarë botën.
Aristidh P. Kola u lind më 8 korrik 1944 në Leontari (Kaskaveli) të Thivës, rrethin e Tebës dhe kishte dy motra dhe një vëlla. Një fëmijë i vëmendshëm që nisi të shkonte pas të atit që ishte ikonograf në kishat e Thivës. Ky djalë ishte fort i dhënë pas artit, por edhe pas gojëdhënave të gjyshërve arvanitë. Gjente në to shumë cilësi që nuk i shihte përreth. Ajo çfarë i bënte përshtypje ishte se ndjehej një fare droje në të folurën arvanite në publik. Mësuesit ishin shumë të rreptë dhe kësisoj shqipja e vjetër e folur prej tyre strukej për t’u përdorur në shtëpi. Por edhe emrat e fshatrave po tentohej të ndryshoheshin, sepse ishin emra arvanitë. A mos ky lloj ndalimi, (një komision i Helsinkit raportonte se fëmijët arvanitë rriheshin prej mësuesve grekë kur flisnin në gjuhën e kombit prej të cilit e kishin prejardhjen), mos vallë pra ky ndalim ngjalli revoltën e Arit të vogël (kështu e quanin të afërmit e miqtë)?! Në intervistat e mëvonshme ai tregon episode të fëmijërisë e jetës shkollore, por edhe çfarë po ngjiste me këngët e vallet arvanite të cilave edhe tekstin kishin nisur t’ua kthenin në greqisht. Mbaroi gjimnazin e Thivës në vitin 1963 dhe më pas vazhdoi studimet për jurist në Universitetin e Athinës, Fakultetin Juridik, të cilin e përfundoi në 1968. Në këtë vit bën një përpjekje për të vazhduar studimet pasuniversitare në Francë bashkë me shokun e tij Niko, që për pak u kushtoi burgun. Për shkak të situatave të turbullta nga demostratat dhe revoltat e studentëve parisianë u ndaluan nga policia franceze dhe i detyruan të kthehen sërish në Athinë ku ushtroi profesionin e juristit. Në vitet ’80-të, Aristidh Kola do të linte profesionin për t’u marrë me pasionin e jetës së tij; studimet historike, traditat, folklorin dhe gjuhën arvanitase që ishte gjuhë e fëmijërisë së tij dhe e rrënjëve të tij arvanitase. Aristidh Kola ishte shumë i apasionuar edhe pas arteve, njohës i muzikës klasike dhe popullore, piktor amator i admirueshëm, kjo për shkak të traditave familjare. Babai ishte piktor ikonash, po ashtu dhe motra e tij, ka bërë emër si piktore ikonografe në Gjermani, gjithashtu dhe i vëllai Jorgo ushtroi të njëjtin profesion, si ikonograf. Falë aftësive vëzhguese dhe analitike si dhe njohjes së arteve, që në studimet e para arvanitase do të kishte sukses të plotë. Libri i tij i parë “Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve” u botua në Athinë në vitin 1983, duke njohur 12 botime në greqisht deri më sot dhe duke u bërë, krahas librit të Kosta N. Birit po për arvanitët, libri klasik që hyri masivisht në çdo familje arvanitase në Greqi. Autori i ri fitoi një popullaritet të madh tek arvanitasit dhe në rrethet studimore. Që nga viti 1986 e deri në vitin 1995, ai u zgjodh vazhdimisht president i Lidhjes së Arvanitasve të Greqisë. Në vitin 1989 boton librin e dytë studimor “Gjuha e perëndive” në përpjekje për të shpjeguar fjalët dhe shprehjet e mitologjisë greke me ndihmën e të folurës arvanitase. Atë libër Aristidh Kola e konsideronte si shtesë e librit të tij madhor “Arvanitët dhe prejardhja e grekëve”. Në vitin 1995 boton librin me temë aktuale “Greqia në grackën e serbëve të Milosheviçit”, që do të përkthehej më pas në gjuhën shqipe duke u bërë një nga librat më të shitur e të kërkuar në vitin 1998 në Shqipëri. Në vitin 2002 (pas vdekjes) do të botohej i përkthyer në Shqipëri edhe libri i tij “Arvanitët”. Aristidh Kola ishte edhe themelues i Qendrës së Studimeve Arvanitase “Marko Boçari”, të cilën e drejtoi në shumë vite. Bashkë me kompozitorin dhe muzikologun Thanasis Moraitis, Aristidh Kola do të ishte organizatori i festivalit të parë me këngë arvanite, më 15 dhjetor 1986, nga e cila do të dilnin kasetat dhe disqet e para. Më 7 mars 1998 do të organizohej po nga këta edhe festivali i dytë, nga i cili, në vitin 1999 do të qarkullonte një kompakt disk me titull “Trëndafilat e shkëmbit” i edituarshumë herë e me një sukses të jashtzakonshëm. Botoi fillimisht revistën “Besa” si organ të “Lidhjes Arvanitase”, të cilën e drejton deri në vitin 1995 (34 numra) dhe pas ndërprerjes së saj, krijoi shtëpinë botuese “Thamiris” dhe revistën e re dymujore “Arvanon” 1998-1999 (në 8 numra). I ngarkuar tej mase me punët studimore, detyrohet të ndërpresë botimin e revistës “Arvanon”. Në vitin 2000 boton librin “Antonio Bellusci dhe magjia e gojëdhanave popullore”. Janë të shumtë librat e shkruar, por të pabotuar të Aristidh Kolias, ndër këta “Zeusi pellazgjik dhe mashtrimi indo-europian”, “Kadmos dhe Alfabeti”, “Marko Boçari” -roman biografik, “Poezi dhe tregime”, e të tjera vepra mbetur në dorëshkrim. Aristidh Kola u sëmur krejt papritur më 24 maj 2000 dhe të mërkurën e 11 Tetorit 2000 në mbrëmje, jeta e tij u shua duke lënë pas gruan Nansi, vajzën Polikseni, djalin Pano, si dhe veprat që shkroi të cilat e bëjnë emrin e tij të pavdekshëm në historinë e arvanitasve. Aristidh Kolës i është dhënë nënshtetësia shqiptare gjithashtu është dekoruar nga shteti shqiptar me çmimin “Ismail Qemali” dhe, pas vdekjes u nderua me Urdhërin “Naim Frashëri” i Artë. Një rrugë në Tiranë, në rajonin e Saukut mban emrin “Aristidh Kola”.
Nga libri “Aristidh Kola” Kolec Traboini, f.17, bot. Pantheon Books, Tiranë, 2014
Këtij propozimi i bashkangjiten
firmat e intelektualëve, emigrantëve dhe qytetarëve,
simpatizantë të veprës së Aristidh Kolës në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni
dhe në Diasporë.
Kush dëshiron ta nënshkruajë peticionin të shkojë në këtë link
https://www.change.org/p/presidenti-i-republik%C3%ABs-bujar-nishani-aristidh-kola-nderi-i-kombit?recruiter=59461669&utm_source=share_petition&utm_medium=facebook&utm_campaign=share_page&utm_term=des-lg-share_petition-no_msg
Komentet