Kështu thyhet në copa e thërrime kështjella e shpresës, e ëndrrave, e kujtimeve ; jeta shndërrohet në një melodi të përvajshme e të ndërsyer ; të përfshin një rrymë malli e çmëndur dëshire, pikëllimi dhe shprese; kërkon të shpëtosh nga kjo shushatje pa kuptim ; dëshiron të arratisesh nga kujtimet, nga vrrulli i pasionit që përpiqet të të rrëmbejë me shpejtësinë e fluturimit të tij të pakapshëm ; dëshiron të arratisesh edhe nga kjo këngë matufe e ditëve të zbrazëta, që merr gjithnjë të njëjtin avaz ; të ikësh, veç të ikësh, pavarësish se ku… Ah, kjo nevojë e mjerë për të zhdukur vetminë…a mos është vallë vetëm një vegim mashtrues, një mohim, një arratisje ?! A ekziston vallë ndonjë gjë tjetër, përveç të qënit vetëm ?!..Jo, nuk besoj se ekziston gjë tjetër ! Mbasi për çdo gjë tjetër, njeriu ka shumë pak truall nën këmbët e veta.
Tiranë, 1988
Muzika e Puçinit po më magjepste. Atmosfera e sallës së Teatrit të Operës filloi të më dukej më e tendosur dhe unë pata përshtypjen se çdo gjë ndrroi pamje nën tingujt e ëmbël të zërit të Tij. Pata ndjesinë se vetë rryma e jetës po çlirohej prej saj; nuk kishte më ndrydhje dhe zymti; nuk kishte më kufij; kishte vetëm shkëlqim, melodi e dashuri. Ato momente harrova se përjashta mbretëronte diktatura e egër, vuajtja e dëshpërimi; harrova mënyrën se si iu vodha vështrimit të Tij përvëlues disa orë më parë, se si u detyrova më vonë të përgjigjem me fraza të parapërgatitura në sirtarët e zyrave të Komitetit të Partisë dhe si dështoi në mimikën time përpjekja e një buzëqeshjeje hipokrite kur dëgjova dokrrat e përkthyesit për “arritjet” e artit dhe kulturës sonë në vitet e Partisë (!?!) Unë e dija që Ai nuk do t’i besonte dokrrave te tilla, por ideja e kafazit në të cilin ndodhesha e burgosur dhe vullkani përvëlues që digjej brënda kraharorit tim të brishtë, për të larguar nga sytë e Tij vështrimin e keqardhjes, idenë e “Madamës Batterfly” në imazhin e vajzës shqiptare, po kthehej në ankth, në ide fikse.
… Ai po e pushtonte sallën me zërin e tij mahnitës dhe unë vazhdoja të qëndroja e magjepsur; më dukej sikur po prekja hyjnoren për herë të parë, bukurinë vetë, dashurinë e vërtetë, të mishëruar në një vepër madhështore arti që të pushtonte shpirt e trup e që rridhte pikërisht prej gojës së Tij, me një ëmbëlsi të çuditshme e njëkohësisht veshur me pasion të zjarrtë.
Përpara syve të mij fluturonin pamjet e atyre çasteve që kisha mundur të bisedoja me të, me kokën gjysmë të ulur e si e zënë në faj; kur ai më kishte pëshpëritur vjedhurazi në vesh se dimensioni i LIRISË nuk do të ishte i largët edhe për ne shqiptarët, për takimin tonë të ardhshëm, larg skemave, përgjimit, frikës, terrorit.
Në vetëdijen time, me një shpejtësi të rrufeshme, filloi të thyhej çdo nocion i mëparshëm i fjalës “dashuri”. Fillova ta urrej atë fërkim trupash, atë lumturi të padenjë kopeje, e cila nuk i kapërcente dot kurrë kufijtë e saj; fillova t’i urrej të gjitha ato dokrra “dashurie” që flisnin për shkrirjen e dy shpirtrave në një të vetëm, të urreja pangopshmërinë e njerëzve për tu bashkuar dhe për tu larguar nga njëri-tjetri e më pas, për tu takuar sërishmi; atë sistem mediokër të bashkimit të martesave hipokrite, të ndarjeve të bujshme dhe të gjoja vuajtjeve e sentimentalizmave të sëmura. Ato momente pata dëshirën më shumë se kurrë të ndihesha vetëm, në mënyrë që ta perceptoja deri në thellësi ndjesinë e kësaj lumturie që po më falte ky përjetim! Asgjë tjetër nuk do mund të ma ndizte më dëshirën për tu larguar prej brigjeve magjike të vetmisë, se sa ky pështjellim, ky trazim ndjenjash që po më pushtonte trup e shpirt atë mbrëmje! Mbase kjo ndjenjë e re dhe e panjohur më parë, mund të më ndizte duke më shtyrë në përhumbje dhe shqetësime të reja tronditëse … ose ishte një iluzion, vetëm një iluzion…ose ndoshta ishte nata që po afrohej rrëmbimthi, muzika dhe dashuria…dashuria e vërtetë!…
*
Hapa sytë menjëherë – aq i gjallë u bë ai ëndërrim!
Mu duk sikur pamjet më zbrisnin përpara syve nga një botë tjetër: qiell i kaltër e i pamatë, horizont i shkëlqyer dhe ajo trajtë e hijshme burri që afrohej drejt meje…Mu duk sikur isha e vetme në botë dhe sikur drejt meje po afrohej njeriu i parë. Për një çast e ndjeva pushtetin e madhërishëm e të heshtur të dashurisë dhe e kuptova se ajo ishte më e fuqishme se sa tërë e kaluara e hidhur…që ajo duhej të ishte më e fuqishme, se përndryshe bota do të shëmbej e do të mbytej në kaosin e saj të tmerrshëm… E më shumë se çdo gjë tjetër, fillova të ndjeja se ekzistoja si femër, si grua e lirë, jashtë prangave të diktaturës – të ekzistoja e të ndodhesha këtu, pranë Tij, në takimin tonë të parë e të ndaluar njëkohësisht… E ndjeja se ky veprim i guximshëm, por mbase edhe fatal për të nesërmen, më kishte shpëtuar përgjithmonë nga llahtaria e dokrrave “komuniste”; e ndjeja se kisha sy, duar dhe mendime, se gjaku i nxehtë më lëvrinte damarëve dhe se të gjitha këto ishin një mrekulli e pakufijshme…
Dalëngadalë, gjithçka filloi të merrte trajtë dhe shkëlqim. Pasiguria dhe ngurrimi u zhdukën; fjalët nisën të dilnin vetvetiu dhe unë nuk po dija më se ç’flisja: të vërteta të frikshme që tingëllonin të reja për veshët e mij, fjalë e tinguj të ashpër rebelimi që rridhnin si pa dashur nga goja ime e pamësuar më parë, një tërësi shqisash që më dëgjonin dhe kapërdinin me keqardhje të vërtetën e zymtë, në pamundësi për të ndihmuar, në pamundësi për të më rrëmbyer e për të më marrë me vehte sa më larg, atje ku nuk zgjateshin dot kthetrat shtazore që më kishin mbërthyer në këtë kafaz gjigand e ku nuk ndodhesha vetëm.
Ashtu e përhumbur siç isha, midis valës së zemërimit e asaj të pasionit që kishte porsalindur tek unë, ndjeva se po më avitej e po më përfshinte dallga e madhe dhe e butë, se si po mbushej plot pamje ajo orë e zbrazët e mbrëmjes dhe se si po fanitej e zhdukej përpara syve vargu i heshtur i ëndrrave të mia, duke i shuar kufijtë mospërfillës e të përhimtë të së tashmes. Horizonti u zgjerua dhe konturet e parkut “Rinia”, ku i isha vjedhur atij takimi të parë (pas insistimit të tij për të më takuar vetëm, pa përkthyes, shoqërues, turma simpatizantësh e kuriozë që e rrethonin), u shndërrua në një vatër të ngrohtë, në një kënd të fshehur të botës, në një vendstrehim të mugët, rreth e qark të cilit uturonte beteja e përjetshme e kaosit dhe brënda të cilit ne rrinim fshehur, të hedhur çuditërisht pranë njëri-tjetrit nga tufani magjik i kohës.
Ai qëndronte pranë meje sa i afërt, po aq i huaj dhe misterioz, i përplasur nga këto brigje nga ana tjetër e botës, nga një kontinent i pashkelur e i panjohur për mua. Unë dëgjoja vehten duke folur dhe më dukej sikur s’isha më unë; më dukej sikur tani po fliste dikush tjetër, dikush që do të dëshiroja të isha unë. Fjalët nuk po përputheshin më me njëra-tjetrën; ato shtyheshin, suleshin matanë në lëme të tjera, më të larmishme nga ç’mund t’i pasqyronin ngjarjet e trishtuara të jetës time. Tani nuk doja më të ulërija për të kaluarën; doja të përjetoja të tashmen e të ëndërroja të ardhmen. E dija që fjalët s’ishin më të vërteta; e dija që ato po shndërroheshin në fantazira e gënjeshtra, por mua aq më bënte. E vërteta ishte e trishtuar dhe e zymtë dhe unë doja ta harroja e ta largoja me të gjitha forcat atë. Doja të përhumbesha në magjinë e kësaj ndjenje të re ringjalljeje dhe ëndrrash që paralajmëronte jetë…
Papritmas m’u duk sikur toka u lëkund. Ai më kishte hedhur dorën në qafë dhe fryma e tij prekte fytyrën time. Ndjeva buzët e tij mbi ballin dhe sytë e mija. Unë kisha mbetur si e ngrirë dhe ndalova një ngashërimë brënda meje. Ai e ndjeu menjëherë tronditjen time dhe largoi pak kokën nga unë, duke më vështruar me ëmbëlsinë e tij përvëluese…por diçka brënda meje s’po e lëshonte dot më. Më dukej sikur buzët e tija ishin ende aty, sikur unë prehesha ende në krahet e tij, duke mbështetur kokën në kraharorin e tij, duke thithur aromën e trupit të tij dhe afshin e ëmbël që buronte prej tij. Tani isha unë që ngurroja ta shihja në sy. Tashmë, ai ishte bërë tjetër njeri për mua; ishte lidhur përjetë brënda meje… A ishte e mundur që të kisha rënë në dashuri me atë njeri pas atij shtrëngimi të parë?! Apo kjo ishte vetëm një dëshirë për ta lëshuar një herë vehten të fluturojë krejt e lirë…për të rënë…diku…
Nata kishte filluar të dendësohej dhe dukej sikur donte të përpinte gjithçka, sikur donte ta ngrinte përjetë dhe ta shkëpuste nga toka. Ne qëndronim të heshtur pranë njëri-tjetrit, ulur në një stol ku dukeshin qartë konturet e Hotel “Dajtit” dhe hijet e zeza të rojeve që bridhnin frikshëm rreth tij. Por errësira i bënte të gjitha të pavërteta, ashtu si edhe praninë tonë. Ai u afrua përsëri tek unë, si për të më vërtetuar se hapsira e mjegulluar nuk e kishte marrë ende me vete, se ishte aty, i gatshëm për të më mbrojtur nga ato hije lëvizëse. Më vështronte parreshtur, duke më përkëdhelur e buzëqeshur, me dashuri e me keqardhje, por mua më dukej sikur dalëngadalë ai nuk po më shihte më qartë, sikur po i nënqeshte dikujt përtej meje, në drejtim të avujve të dendur ngjyrë argjëndi… sikur ishte magjepsur nga shushurima e pemëve, nga vesa që rridhte tatëpjetë lëvozhgës së trungjeve…sikur përgjonte një thirrje të fshehtë pas pemëve, pas botës…sikur do të ngrihej nga çasti në çast e do të arratisej nëpër mjegullën e natës, pa ndonjë cak, por me hap të sigurt, duke ndjekur atë thirrje të shurdhër e misterioze të tokës e të jetës, që vetëm ai mund ta dëgjonte, ose më mirë – që vetëm ai ishte i lirë ta dëgjonte…
Kurrë nuk do ta harroj atë pamje, atë përjetim, atë çarmatosje shqisore, atë vështrim të dashur e të zjarrtë njëkohësisht, atë thellësi! Kurrë nuk do ta harroj momentin kur Ai u afrua edhe një herë pranë meje, se si më mbështolli ngadalë me dashurinë e ëmbëlsinë e tij si edhe me një heshtje vezulluese…kurrë nuk do ta harroj se si u mbështetën për herë të parë buzët e Tij mbi të mijat, se si u zhytën sytë mij në të tijat, në thellësinë e atij shkëlqimi aq të ëmbël e ëndërrimtar e njëkohësisht, aq përvëlues…dhe se si u mbyllën sakaq, dalëngadalë, sikur po dorëzoheshin…Rruga ishte fundosur. Koha kishte vdekur…
Nuk di të them se sa ndenjëm ashtu. Dalëngadalë, flladi i lehtë u kthye në erë. Unë e ndjeja shtrëngimin e krahëve të tij dhe më dukej sikur isha mbushur plot jetë, plot pritje, si në një ëndërr, në të cilën rasti fatlum e kishte hedhur Atë, pikërisht Atë – artistin e madh, si papritur në jetën time; këtë jetë tashmë të lodhur nga zhgënjimet e ëndrrave të coptuara prej diktaturës së egër, në jetën time pa të ardhme ose me një të ardhme të pasigurt e të panjohur, të pakuptimtë… tek unë !?! E megjithatë, unë e dija se Ai s’mund të ishte më tek unë. Edhe disa orë dhe kjo ëndërr do tretej e do zhdukej përsëri…për dymbëdhjet vjet të tërë…Dhe papritmas, unë fillova ta ndjeja ankthin…ankthin e ndarjes së përjetshme – mallkuar nga kushedi se cili filozof a ideolog që kish’ shpikur atë murtajë vdekjeprurëse: diktaturën çnjerëzore të njeriut mbi njeriun, atë djall me brirë, atë kuçedër me shumë kokë që quhej “komunizëm”. Ne do të ndodheshim që këtej e tutje në të dy ekstremet e Murit të Berlinit, të ndarë pamëshirshëm, të hedhur larg, duke qënë njëkohësisht aq pranë e të lidhur shpirtërisht brënda njëri-tjetrit. Dhe unë, duke ndjerë aq fuqishëm, për herë të parë të qënit “skllav”, ndihesha e paaftë për ta penguar heshtjen e tmerrin që përgjonte pas shpinës së tij – mallkimin, vetminë, të kaluarën e zymtë, ditët e lagështa të trishtimit, shkretëtirën, grimcat e kalbura të ekzistencës, shushatjen, ëndrrat e kota të një jete pa kuptim…Ndërsa këtu, përpara meje, kredhur në hije, tmerrësisht aq pranë, frymëmarrja e ngadaltë, e tanishmja e mahnitshme, ngrohtësia, jeta… U përpoqa ta mbaja fort, ta fitoja…
Këto ishin momente ku pata një dëshirë të çmëndur për t’i dhënë pakëz shkëlqim labirintit të errët të jetës time, vetëm e vetëm për të mos e humbur atë refren, atë shpresë të porsalindur, atë gëzim fatlum, para të cilit vetja më dukej e vogël, e pamjaftueshme, e paaftë për t’i qëndruar pranë.
Më vonë, ndoshta më vonë do të mund t’ia shpjegoja këtë… Më vonë, kur të shëmbej ai mur i mallkuar që ndante botën në ferr e parajsë për së gjalli. Më vonë do të mund t’ia shpjegoja këtë; kur unë të isha diçka më tepër, kur gjithçka të ishte më e sigurt… Më vonë, por jo tani……
*
Prisja me ankth e padurim çdo lajm prej tij, çdo letër, çdo kartolinë. Me duar që më dridheshin lexoja: “Tanti saluti da…..” e përshëndetjet vinin nga Parisi, Roma, Vjena, Londra, Milano, Zyrihu apo Berlini, nga Kajro, Moska e Zagrebi, nga New Yorku… “dove canto……” dhe…asnjë fjalë më tepër. Ai nuk e kishte harruar çensurën e sistemit të egër edhe pse largësitë e mëdha që i duhej të përshkonte vazhdimisht, mund t’ia zbehnin imazhin e atij vëndi të vogël, fundosur dhimshëm në perëndim të Ballkanit, e ku rastësisht e si pa dashur, ai kish’ përjetuar intensivisht një dhimbje të ëmbël, që pa e kuptuar as vetë, do ta shoqëronte për një kohë të gjatë, pa u zbehur nga duartrokitjet, emocionet e suksesit, njohjet e reja. Ajo do të mbetej për të si një plagë që nuk mundi ta shërojë as me emrin e tij, as me famën e tij e as me mundësitë e tij. Ishte diçka që nuk arriti ta kuptojë si duhej por edhe që nuk mundi ta harronte më.
Ai nuk shkruante asgjë më tepër; çdo fjalë ishte e zgjedhur me kujdes, çdo presje, çdo hapsirë midis rreshtave…e megjithatë, unë dalloja në to shumë heshtje të mundimshme. E ndjeja: edhe atje ku ndodhej, Ai nuk kishte harruar të më ruante. Dëgjoja shpesh regjistrimet me zërin e tij magjepës e aq të ëmbël dhe ndjeja se si hidhërimi i shurdhët, i cili kishte rënë si një gur i rëndë diku, në thellësinë time, përmbytej herë pas here nga dallgët e një shprese të tërbuar…ndjeja se si hidhërimi shndërohej vazhdimisht, se si përziheshin të gjitha së bashku në një mënyrë të mahnitshme, se si njëra ia zinte vëndin tjetrës: hidhërimi, brenga, trishtimi, shpresa, flladi, mbrëmja, njeriu i dashur, kujtimet… Dhe shpesh kisha përshtypjen e çuditshme se mos ndoshta e gjithë kjo, në kuptimin e saj më të thellë ishte vetë jeta e vërtetë dhe mbase, kushedi(?!) edhe vetë lumturia. Dashuri me kaq shumë trishtim, me kaq shumë ankth e dijeni të heshtur!
Jo, as atëhere dhe as gjatë gjithë këtyre viteve që kaluan larg tij, nuk mendova se s’do ta shihja më kurrë. Një gjë të tillë mund ta kem menduar vetëm ditën, por jo natën, kur jeta bëhet më ëndërrimtare, më e guximshme, më e ngrohtë, më e dashur dhe plot shpresë…
Kam dashur e ëndërruar gjithnjë ta kem pranë. Doja Atë e vetëm atë. S’kisha të ngopur së menduari për të dhe ëndërroja gjithmonë takimin, duke shpresuar të mos e humbisja më as edhe një minutë së jetuari së bashku me Të!
*
Tetor 2000
Aeroporti nuk dukej akoma, por unë e ndjeja çdo moment afrimin e tij. Që pas xhamit të aeroplanit, vështroja e tronditur hapsirën e pafund. Edhe pse nuk isha më vetëm në këtë udhëtim të ëndërruar vite me rradhë, gjithçka po më dukej e mrekullueshme. Gjithçka po më dukej e pamatë dhe e pakrahasueshme… Ndodhesha në atë gjëndje të tendosur shqisash, e cila të pushton kur ke pirë dhe kur e ke kaluar përsëri atë fazë dehjeje.
Dhe ja, më në fund, ëndrra me realitetin u pështjelluan sa që e gjithë ndrojtja ime u largua si me dorë. Këmbët dhe duart filluan të më dridhen. Nuk doja t’ja dija më se isha e shoqëruar dhe se vendimin për t’ju përgjigjur kësaj ftese premjerë-koncerti e kishte marrë pikërisht bashkudhëtari im. Hapsira e madhe e aeroportit po ngarkohej dalëngadalë me një forcë të fshehtë e me shkëlqim. Asgjë s’mund të ndodhte më. Asgjë s’ishte më e gënjeshtërt… Ai më pushtoi nga supet, më shtrëngoi fort dhe unë u struka në gjoksin e tij…dhe nuk mendova më asgjë.
A ishte e vërtetë? M’u duk sikur u fundosa thellë në ujë. U shtrëngova fort pas trupit të Tij – një valë, një dallgë e praruar, e butë, plot frymëmarrje e plot jetë më rrëmbeu… Gjithçka u errësua, u shua…
Rruga automobilistike ndriçohej prej fenerëve të makinave, duke përhapur rreze drite mbi rrugët e lagura nga shiu. Makina e tij lëvizte ngadalë. Ishte koha e qarkullimit të dëndur dhe rrugët e këtij kryeqyteti të pamatë, që kushedi se sa herë e kisha vizituar në ëndrrat e mia, na fluturonin përpara syve; gjithçka fluturonte – njerëzit, fushat, makinat, ndërtesat e praruara nga ndriçimi i mbrëmjes, fenerët e makinave përballë, rrëmuja e këndshme dhe e zhurmshme e jetës, ethet e lehta të natës që po afrohej, drejt së cilës qyteti vërviste flakërimet e tij.
Unë qëndroja pa lëvizur në sediljen e parë dhe shikoja. I shikoja të gjitha, si e zgjuar nga një gjumë i ëmbël dhe i patrazuar, e çlodhur, e lehtësuar, e qetë dhe shumë e lumtur. Ai ishte vetë në timon, aq pranë meje dhe dritë-hijet rrëshqisnin përmes xhamave të makinës mbi fytyrën e tij. Unë e vështroja vjedhurazi, herë pas here dhe më sillej menjëherë ndër mënd çasti kur e pashë për herë të parë. Kishte marrë një pamje më serioze; madje herë-herë më dukej edhe më i heshtur se atëhere, ndoshta nga prezenca e një njeriu të tretë në makinë; por unë tani e ndjeja shumë më pranë meje; tashmë më digjte përbrënda – ishin po ato tipare, po ai konstrukt, po ai zë i ëmbël. Më dukej se në atë fytyrë dallohej diçka nga ai misteri i heshtjes që kanë vetëm ato gjëra që qëndrojnë shumë pranë natyrës – pemët, retë, deti – e ngandonjëherë edhe një njeri!
“A e ndjente vallë edhe ai shqetësimin si unë?” Kjo pyetje po më mundonte vazhdimisht dhe për një moment mendova se s’mund të jetoja më me atë dyshim, s’mund të jetoja më pa dashurinë e Tij. E papritmas, sikur ky shqetësim i imi ta kishte përshkuar tërë qënien e tij, me sytë që u kthyen nga unë, më hodhi vjedhurazi një vështrim përvëlues që më mbajti si të mbërthyer – vështrim pa asnjë të fshehtë e mbushur me pasion që vibroi çdo qelizë timen. “Do të të mbaj fort” – më dukej sikur më foli ai vështrim i fundosur në atë heshtje ëndërrimesh, në atë gjysmëdehje – “Do të të mbaj fort sa do të çuditesh edhe vetë!” Dhe kjo gjuhë vështrimesh marramendëse u bë për ne e vetmja mënyrë komunikimi, ato tre ditë që qëndrova atje.
Pata dëshirë që kjo mbrëmje të vazhdonte në pafundësi, mbasi të nesërmen s’do kisha mundësi ta shihja më, deri në darkë, kur të fillonte shfaqja e premierës. Po endesha diku përtej kohës me ëndërrimet e mia. Gjithçka kishte ardhur aq papritur e pakujtuar: telefonata e tij e parë pas shumë vjetësh, pikërisht atëhere kur unë mendoja se do të më kishte harruar përgjithmonë (dyshim, i cili nuk më kishte lejuar të merrja hapin e para për ta kontaktuar), ftesa, udhëtimi, takimi me të, vërshimi i emocioneve të ringjallura. Gjithçka kishte ndodhur aq shpejt, saqë ende s’po më hynte në kokë. S’po kuptoja se si më në fund, kisha mundësinë për të qënë e lumtur…edhe pse e dija mirë se kjo mrekulli e papritur nuk mund të zgjaste më shumë se tre ditë, ose më mirë, vetëm tri net ëndërrimesh dhe…me tu zgjuar, do të merrte fund gjithçka.
Kur u ndamë me Të atë mbrëmje dhe u bashkuam me miqtë e tjerë që kishin ardhur nga vënde të tjera për premjerën e re, gjatë gjithë kohës, ashtu si edhe të nesërmen gjithë ditën, qëndrova në hotel, duke ndjerë në të gjitha poret të ftohtit përreth. Nuk dëgjoja më se çfarë flitej; i përgjigjesha me “po” ose “jo” atij që më drejtohej. Deri në darkë, pak përpara se të vinin studentët e tij për të na shoqëruar në llozhën e teatrit, pikërisht në atë ambjent ku kujtimet e mia do të shpaloseshin edhe një herë me gjithë forcën dhe madhështinë e tyre, me zjarrin e pasionin e shumë viteve më parë…pra deri në darkë, mposhta shumë herë dëshirën për t’i telefonuar. U përpoqa ta largoja mëndjen prej tij, prej minutave të stërgjatura që tërhiqeshim me vështirësi për të kapur mbrëmjen e shumëpritur. Kërkova ta quaj këtë takim vetëm si një dhuratë të papritur e fatlume, një rastësi që kish’ trokitur në pragun tim. Nuk doja më ta shihja me sy tjetër. Nuk doja kursesi ta mbaja veten me shpresën se ishte diçka më shumë. E dija fort mirë që të gjitha dashuritë kërkojnë të jenë të përjetshme dhe se pikërisht këtu e kishte burimin mundimi dhe vuajtja e tyre e pafund. Atë ditë ia bëra shumë herë pyetjen vetes se çfarë duhej të bëja. A kishte ardhur me të vërtetë momenti i shumëpritur vite me rradhë? A kishte dashuri që nuk shuhej me kalimin e viteve?! Pata përshtypjen se një përgjigje e gjeta, ose më mirë, ishte e vetmja përgjigje që më vinte nëpër mënd ato momente, që e prisja ose e dija që më parë…
E gjata përgjigjen, por njëkohësisht u trondita shumë. Mu duk sikur po gremisesha në një hon të pafund. Dhe kjo ndjesi nuk kish’ të bënte as me Atë e as me njerëzit që na rrethonin. S’kishte të bënte as me mua e as me ambjentin e tij. Ishte një mister i errët që dëshmoi se vërtet realiteti i rizgjon dëshirat, por nuk i përmbush dot gjithmonë ato; se gjithçka mund të ekzistonte në realitet e të gjitha mund t’i bëje të tuat: njeriun, dashurinë, lumturinë, jetën – por ç’e do, ato ishin gjithmonë tepër pak dhe nën peshën e një ligji të tmershëm, i cili nuk ta lejon kurrë realizimin e dëshirave ashtu si i do ti, ato zvogëloheshin nën këmbët e tua gjithnjë e më shumë, duke të krijuar imazhin e një ëndrre që nuk ka ekzistuar kurrë…
Më ishte krijuar një përplasje dhe pështjellim i tillë ndjenjash sa që nuk arrija dot të shkëputesha më prej vorbullës së tyre. Çfarë duhej të bëja?! Unë e dija mirë se po t’i thoja: “Do të qëndroj këtu, me ty”, ai do të më mbante. Asgjë nuk do të mund të na ndante më e do të kishim mundësi të ishim pranë njëri-tjetrit orë e çast, aq sa ç’mund të jenë vetëm njerëzit e dashururar…e, megjithatë, gati gjithë kohën, këto përfytyrime mbuloheshin me disa hije misterioze e të zymta – realiteti në të cilin ndodheshim. Ne nuk ishim të aftë për ta çliruar njëri-tjetrin nga hallka e ngjarjeve; nuk mund ta shkëpusnim njëri-tjetrin nga rrethi i asaj ekzistence që ndodhej mbi ne dhe brënda nesh dhe që na i diktonte ligjet e veta: frymën dhe zhdukjen, shkëlqimin e magjishëm të së tashmes që gremiset vazhdimisht në hiç dhe iluzionin ledhatar të ndjenjës që, porsa arrin ta zotërosh, e humbet pamëshirshëm përsëri. Më dukej sikur kurrë nuk mund të zgjidhej ai zinxhir njerëzish thurur reth nesh; kurrë shqetësimi për palën e braktisur nuk mund të kthehej më në qetësi e në prehje, harresa në paqe, gremisja në mbështetje! As unë e as Ai nuk mund të shkëputeshim nga rastësia e jetëve tona, nga ç’kishim qënë më parë, kur nuk njiheshim ende e kur u ndamë mizorisht për një kohë të gjatë; nuk mund të shkëputeshim dot nga mijëra mendime, kujtime e përgjegjësi karshi të tjerëve; nga ajo gjë që i kish’ dhënë formë atij përpara se të shfaqesha unë dhe mua, përpara se të shfaqej Ai… E as nga njerëzit që na rrethonin nuk mund të shkëputeshim dot…
E dija, se po të bëja një lëvizje fare të vogël, një lëvizje për tu strukur në krahët e Tij e për t’i ndenjur pranë…sot, nesër e ndoshta përgjithmonë…
Ndoshta, mendova unë, ndoshta… Gjithmonë po kjo fjalë, e cila na ndjek në çdo hap! Ishte siguria ajo që i mungonte njeriut. Ishte siguria ajo që u mungonte të gjithave dhe të gjithëve…
*
Aeroporti nuk po dukej akoma e megjithatë, unë e ndjeja afrimin e tij. Që pas xhamit të veturës vështroja rrugët e lagura nga shiu mëngjesor dhe makinat që kalonin pranë nesh nga të dyja skajet e rrugës. Unë vështroja përpara, pa mundur të thoja më asnjë fjalë, duke kapërcyer me mundim ujvarën e lotëve që po më buçiste në sy.
Ato tre ditë qenë të mjaftueshme për t’i ringjallur me të gjithë forcën e tyre ndjenjat tona, përsëri të dënuara për tu gëlltitur edhe një herë mizorisht. Nga buzët tona nuk u belbëzua as edhe një shprehje, sado e vogël dashurie, si për t’iu ruajtur vërshimit të pashmangshëm. Por edhe pse heshtja zotëroi si roje e shenjtë e dashurisë sonë, përjetësisht të ndaluar, unë tashmë e dija të vërtetën, e shikoja në vështrimin e Tij, në psherëtimën e Tij, në frymëmarrjen e Tij. Ishte vetëm ky sensacion që më përpiu të tërën, sensacion të cilin nuk e kisha provuar kurrë. Ato momente e kuptova se gjithë jeta ime e mëparshme kishte qënë një rastësi, një bashkëjetesë mbrëmjesh pothuajse të vetmuara, arratisje nga vetvetja, nga dëshpërimi, nga zbrazëtia. Me sa duket, as vetë nuk do të kem dashur të ndodhte ndryshe, mbasi jeta më kishte mësuar që njeriu nuk kishte një qëndër për tu mbështetur diku, përveç se pas vetes së tij apo pas ndonjë shoku a shoqeje të vërtetë. Kurse tani, papritmas, po kuptoja se mund të vleja diçka më shumë edhe për një njeri tjetër, vetëm e vetëm sepse ekzistoja dhe sepse ai njeri ishte i lumtur që unë mund t’i ndodhesha pranë. Kjo ishte dashuria e vërtetë dhe akoma, edhe diçka tjetër, diçka që shpërthen përbrënda dhe të ndryshon krejtësisht. Diçka për të cilën ia vlen të jetohet!
…U mata të them diçka, si për herë të fundit, por nuk ia dola dot. Është e vështirë të gjesh fjalë kur ke për të thënë vërtet diçka. Edhe sikur t’i dish ato fjalë që duhen, atëhere të vjen turp t’i shprehësh. Sepse të duket sikur të gjitha ato fjalë i përkasin shekujve të kaluar. E koha jonë, ende nuk i ka gjetur fjalët që i duhen për ndjenjat e saj. Ajo di vetëm të shprehet me arrogancë – të gjitha të tjerat janë të rreme!
Nuk doja ta besoja se mund ta shihja për herë të fundit. Ai më përqafoi si i ngrirë, ndoshta i bezdisur nga prania e dikujt tjetër që më shtrëngonte fort në krahun e djathtë dhe që do të më shoqëronte në udhëtimin tim pa kthim. Më pëshëndeti edhe një herë përtej xhamave, nga larg dhe unë ktheva kokën nga ana tjetër. Nuk i ndjeva më këmbët e mia dhe nuk shihja më se ku po drejtohesha. Di vetëm se hyra në aeroport dhe nuk mbaj mënd se sa kohë qëndrova ashtu, si e shushatur. Përfytyroja në çdo çast momentin se si mund të vështronte Ai pas xhamave të makinës qiellin dhe kilometrat që do ta ndanin mizorisht prej meje, ashtu siç më ndanë edhe mua vite më parë prej Tij, aeroplanin që do të zhdukej në qiell dhe mua që do të tretesha brënda tij, gjithnjë e më larg, në drejtim të së panjohurës.
U përmënda nga gjëmimi i motorrëve dhe mu duk sikur toka filloi të dridhej. Gjëmimi i tyre u shndërrua në një si kujë të egër dhe gërryese. Dukej sikur kjo makinë e madhe lëvizëse nuk mund të çante përpara pa provuar në çastet e fundit një dhimbje mizore, atë të ndarjeve, të lamtumirave dhe të brengave. Dhe me të vërtetë, porsa aeroplani u nis, vrulli i kujës ra menjëherë. U ndje një si shkëputje dhe trupi i tij i madh sikur u lehtësua, sikur u çlirua nga ankthi dhe pas disa çastesh, midis tokës dhe meje u krijua një humnerë që rritej me një shpejtësi të pabesueshme…
*
E lodhur nga kujtimet, përpiqem të hedh në letër sensacionet e paharrueshme që provova në jetë ato pak çaste që qëndrova pranë Tij. Shpesh pyes veten, mos ndoshta do të kish’ qënë më mire, sikur të mos e kisha takuar kurrë?! Më mundon ideja se po kthehem në një sentimentale; më mundon kujtimi i atij udhëtimi, të cilin në fillim e mora vetëm si një ëndërr-aventurë, të papritur e të pabesueshme! Ai më kishte hyrë shumë më thellë në gjak nga ç’e kisha pandehur. Dhe po e ndjeja dita-ditës edhe më shumë se ç’ndryshim të madh kisha pësuar.
Ajo pamje nuk po më hiqej më nga sytë: makina që kridhej vazhdimisht nëpër mugëtirë, hijet e buta e të kaltra të mbrëmjeve të atij qyteti, tashmë të paharruar për mua, prania e Tij aq e ëmbël, i ulur në timon, pranë meje, fjalët dhe zëri i Tij aq i ngrohtë që më ngjallnin pa pushim dëshirën për tu shtrënguar fort në krahët e Tij…
Pyes akoma veten, pse ika, pse nuk ndënja me të, ashtu siç doja me të vërtetë?! Mbase duhej ta largoja mëndjen nga të gjitha këto dyshime. Le të bëhej ç’të bëhej! Le të çmëndesha nga pikëllimi – rëndësi kishte që unë nuk do të ndahesha më për jetë me të…
Zvicer, tetor 2000
Komentet