Vështrim libri: “Lëri zogjtë të këndojnë”, libër poetik me mesazhe të çarta e filozofike të kohës sonë.
(Bardhyl OSEKU: “Lëri zogjtë të këndojnë”, poezi, 2023 – botoi ”Erproprint”-Gjakovë)
Lexuesit dhe opinioni i gjerë njohin poetin, Bardhyl Osekun, krijuesin e hershëm por botuesin e “vonë”, njeriun i cili gjithë jetën ia kushtoi arsimit dhe edukimit të brezave nëpër kohë mjaft të vështira, nëpër të cilat kaloi vendi. Përjetimet gjatë periudhave të ndryshme kohore, si profesor i gjuhës e letërsisë shqipe, e konfrontuan poetin me rryma të ndryshme politike të kohës, të cilat e kaliten për jetën në vijim. Secila kohë ka lënë gjurmë në ndërdijen e tij, i cili që herët përmes vargut poetik, rezistoi me penë, duke botuar poezi në revista të kohës.
Poezinë e parë e botoi në revistën “Zani i rinisë” në vitin 1965, për të vazhduar me botime në revista të tjera për vite me radhë. Bardhyl Oseku i takon plejadës së atyre krijuesve brilantë gjakovarë, cilët jo vetëm se lanë gjurmë të paharruara në art, por ia lanë lavdinë kulturës letrare gjithëkombëtare e jo vetëm.
Duke jetuar jetën e lirë e me komoditet në gjirin familjar, me të ardhura prej një pensionisti, lexon e krijon tani pandarë vargje poetike me tematika të ndryshme shoqërore njerëzore, të cilat burojnë nga brendia e shpirtit fisnik, nga një personalitet me përvojë të pasur jete. Ka një elegancë të përsosur në intimen personale, ku ngërthehet e gjithë filozofia krijuese e këtij poeti melankolik gjakovar.
Libri më i ri poetik, ”Lëri zogjtë të këndojnë” që doli nga shtypi këto ditë korriku me vapë, është dhuratë freskuese për lexuesit e pasionuar të të gjitha moshave, ku secili varg sjellë freskinë intime dhe peshën filozofike të mendimit poetik. Që në poezinë e parë, ”Diellëzo o diell”, poeti me përvojë e me ide sublime, kërkon rrugën për t’i dalë në ndihmë njerëzve, shtresës së varfër, për begatimin e jetës së tyre. Në këtë aspekt, poeti duke u ndjerë i prekur shpirtërisht për shtresën e varfër, i drejtohet diellit, si simbol lirie: “Ti o diell që botën diellzo/të përgjërohem/Të sëmurëve shëroju plagët”. Me sa madhështi e ndjenjë njerëzore njëjtësohet poeti me arsyen e shtresës me halle jete!…
Një poezi tjetër radhazi me titull, “Lumi i qytetit tim”, vjen si një refleksion i thellësive të brendshme psikologjike, ku nxjerr dufin e vuajtjeve historike të popullit, duke metaforizuar me lumin e qytetit që kurrë nuk ndalë, e “Si nuk the njëherë të vetme/ jam lodhur….”. Mund ta quajmë mjeshtri vargëzimi idenë e poetit duke rrëfyer kohët e kaluara në historinë tonë të mundimshme. Kjo mënyrë e të shprehurit me “teh” mendje i ngjason shumë poezisë se Besim Bokshit të mirënjohur, nga libri “Në pritje”. Një tematikë e tillë poetike “zihet” e “konfrontohet” në disa poezi të këtij libri të cilat përmbajnë ajkën e penës krijuese të Bardhyl Osekut.
Dielli e hëna, në poezinë e Bardhyl Osekut, janë si dy simbole ku poeti i varë shpresat e jetës, përmes të cilave ngadhënjen mbi të pamundshmen, ose depërton tek e dëshirorja personale, deri tek qëllimi universal, por duke qenë vet i dëlirë e fisnik deri në themel të njerëzores. Mendoj, te poezia, “Lutje diellit,” poeti më së miri ekspozohet si qenie njerëzore, ose predikon se si duhet të jemi si qenie njerëzore. Të lexojmë me vëmendje këtë poezi krahasuese: “Një ditë, deri në përgjërim, iu luta diellit/t’i shkrijë të gjitha mburojat e hirta të reve/që rrezet e tij t’na ngrohin ditë e natë, verë e dimër./Me një qortim prindëror dielli m’u drejtua: para se të trokitni në dyert e qiellit/mbani hapur dritaret e shpirtit dhe shkrini akujt e zemrave…”!
Mendoj se kjo poezi ka peshën e shumëfishtë si refleksion filozofik e pedagogjik që buron nga një galeri e pasur edukative me përvojë të gjatë jete e autorit. Motive të tilla, me peshën e vlerës ekzistuese ku fatet përkunden përmes sfidave jetësore, poeti i shndërron me elegancë në qëndresë të paepur, si në poezinë, “Lumi i qytetit tim”, por jo vetëm.
Erotika si intimë përgjithësuese në poezinë e Osekut
Për dashurinë, (erotiken), janë shkruar e thënë shumë e shumë mendime të ndryshme, duke e krahasuar me epitetet të ndryshme, për faktin se dashuria është shtyllë ku lind, zhvillohet dhe lartësohet jeta njerëzore. Kam lexuar se dashuria i ngjanë zjarrit. Zjarri zgjatë derisa ka çfarë për të djegur. Edhe dashuria vazhdon si zjarri derisa ka mundësi të dashurojë. Markezi thotë se “dashuria nuk njeh moshë…”!
Duke konsideruar si element qenësor e jetësor dashurinë, edhe autori i këtij libri, bukur i ka kënduar dashurisë, duke hyjnizuar atë në lartësinë e merituar.
A mund të trajtohet ky aspekt si intimë personale apo si emocion gjithëpërfshirës, si trajtesë, mendoj se shumësia është e pandarë, por glorifikimet janë të ndryshme, varësisht momenteve kohore ku përjetësohemi të gjithë…
“Njëqind dimra e njëqind pranvera do të pres/Për ta parë mugullimin e buzëqeshjes sate”, thotë poeti Oseku. Ku ka ndjenjë më të bukur e besnikëri më të lartë se në këto vargje kaq brilante. Pa një ndjenjë të tillë, deri në ekstazë, nuk mund të jesh bashkëshort i mirë, as prind e edukator i mirë, qoftë si intime personale e familjare, apo si pjesë unike shoqërore. Me shkathtësi e forcë poetike poeti përshkruan bukurinë e gjinisë femërore në poezinë “Kur ti qesh”: “Kur ti qesh/Shkrihen të gjitha ngricat e jetës/Muzgun e kthen n‘agim/Ujëvarë lumturie shpërthen në zemrën time”. Ose tek poezia “Më merr”, ku shkruan: ”Kur u largove/Kraharori im m’u bë kuti e zbrazët druri”…
Poeti, tani i dëshmuar me vargje pikante në dy vëllime poetike, ai në përgjithësi dashurinë e trajton mrekullueshëm e me kompetencë humane e njerëzore, ku femra shqiptare merr vlerat e duhura e meritore si nënë, si faktor rrënjësor kombëtar. Këtë më së miri mund ta mësoni te poezia “Bijat tona”: “Tërë jetën bëhen nëna/Kur janë vajza/Kujdesen për motrat e vëllezërit e vegjël/Kur të martohen/Me burra sillen si grua e nënë/Fëmijët i rrisin derisa ata bëhen prindër/Sa shumë bija/Janë plakur e vdekur pa e jetuar vajzërinë”. Mendoj se kjo poezi sa elegante, po aq edhe sinjifikative, tërësisht paraqet rolin e femrës shqiptare, si rrënjë e trung i pandarë. Në këtë poezi, Bardhyl Oseku, ka dëshmuar jo vetëm talentin poetik personal, por ka glorifikuar me themel rrolin e femrës shqiptare e cila e ka në shoqërinë tonë.
Vetmia dhe shkapërderdhjet gjithandej botës…
Padyshim se poetët janë pjesë shpirtërore e njerëzimit. Pikërisht për këtë arsye, ata nuk qëndrojnë anash sfidave njerëzore, janë pjesë e pandarë e tyre. Viteve të fundit, zbrazja e Kosovës nga rinia, lënia plotësisht në vetmi të prindërve të moshuar, kanë hyrë në krijimtarinë letrare(kohëve të fundit), si plagë kohe, si pakujdesi e papërgjegjësi politike e shoqërore.
Në librin “Lëri zogjtë të këndojnë”, kjo temë trajtohet me dhimbsuri nga poeti, autori i librit. Kurbeti si plagë e vjetër, është shndërruar në një virus ikje pa përgjegjësi individuale e as shoqërore. Malli për nipa e mbesa, për djem e vajza, po kallë zemrat e të moshuarve në vetmi, mbyllur shtëpive pa asnjë përkujdesje. Bardhyl Oseku, poet i ndjesive të holla, në poezinë “Loja”, në strofën e fundit, vë në spikamë me vargje: ”Djali i tij me të shoqen në dhomë derdheshin së qeshuri,/Pas pak erdhi fqiu dhe u tha/Plaku është rrëzua në rrugë/ Një kalimtar rasti e dërgoi pa vetëdije në spital…”! Këto vargje me kaq peshë, nuk donë koment, pos keqardhje…!
Njëherësh, spikasin edhe poezi të tjera me tematikë kurbeti, ku secila ka peshën më të rëndë se tjetra, ku barra e gjithë këtij mllefi poetik, bie mbi vlerat e shoqërisë sonë, kujdesi i së cilës është tejet i ulët…
Dhe natyrisht se nga ky aspekt, sipas poezive të poetit, Bardhyl Oseku, mund të shkruhen faqe të tëra. Poezitë, si në librin “Lëri zogjtë të këndojnë”, ashtu edhe në librin e parë, “Ngarendje”, gjithnjë në spikamë janë tema të rëndësisë njerëzore e shoqërore.
Ky libër është edhe një pasuri për bibliotekat tona personale, shkollore e universitare.
Gjakovë, 25 korrik 2023