Papirus 1
Një foshnje pi gji me sytë nga Udha e Qumështit…
Papirus 7
Dy mëllenja drite sytë e tu, dy mëllenja drite… nën shi.
Papirus 104
Oqeani s’mund të quhet plagjiat i qiellit
përderisa brigjeve shpërndan yje deti.
Papirus 409
Përballë një burri pasqyra është pasqyrë,
Përballë një gruaje pasqyra është krijesë
Ndaj pasqyrat mbajnë zi kur një grua vdesë.
Lakuriq
Në dhomë një femër shpall lakuriqësinë dhe pasqyra fryhet: qumësht argjendi në vlim.
Lakuriq. Bijë e Evës dhe ne me Evën ishim miq. Lakuriq.
Vërtitet nëpër dhomë shkujdesur: dhe kofshët, dhe gjinjtë, dhe seksi, dhe llërët – me shpirt.
Lakuriq. Ajo sheh veten në pasqyrë dhe qesh, i flet pasqyrës: Më ndiq!
Pasqyra e kthyer në hartë memece pa asnjë udhëkryq. Lakuriq….
Komentet