Në Kosovë është shënuar 24 vjetori i nisjes së bombardimeve të NATO-s mbi caqet ushtarake dhe policore serbe.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e shoqëruar me ambasadorët e shteteve të QUINT-it (Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës dhe Italisë) kanë bërë homazhe te Memoriali i ushtarëve të rënë të NATO-s në Kosovë, ku theksoi se NATO-ja “ia pamundësoi regjimit kriminal spastrimin etnik të popullit të Kosovës”.
“Prandaj u jemi përherë mirënjohës. 24 Marsi është dita e kthesës, shpresës dhe lirisë. Do ta përsërisim çdo herë se populli i Kosovës ishte viktimë më 1999, ndërkaq Serbia ishte agresore. Kështu do të jetë gjithnjë në analet e historisë”, citohet të ketë thënë presidentja Osmani në njoftimin për media.
Ajo ka shtuar se vullneti i popullit të Kosovës për liri mori mbështetjen e duhur nga ana e botës perëndimore, e cila siç tha “u vu në anën e duhur të historisë”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një fjalimi në Gllogjan, ku u shënua Epopeja e Dukagjinit, tha se drejtësia dhe fisnikëria e popullit të Kosovës “bëri që në mbështetje, në krahun tonë, të fitonim aleatë”.
“Është pikërisht data 24 mars 1999, kur aleanca e NATO-s filloi bombardimet mbi caqet ushtarake dhe policore serbe. Në aspektin politik, Bill Clinton, në atë diplomatik Medeline Olbright, në atë informues James Rubin, në atë ushtarak Wesly Clark. Ishte ky kombinimi që i dha fund pushtimit të Serbisë, ndërsa njerëzve tanë i dha shpresë”, tha Kurti.
Ai theksoi se bombardimet që zgjatën 78 ditë “e ndalën gjenocidin ndaj popullit shqiptar nga regjimi fashist i Milosheviqit”.
Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se nën komandën e gjeneralit Wesley Clark, fushata bombarduese 78 ditore e NATO-s në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i dha fund spastrimit etnik dhe gjenocidit mbi shqiptarët në Kosovë.
“E nga qielli i përflakur shkëlqeu liria. 24 vjet më pas, Republika e Kosovës, e ndërtuar mbi themelet e luftës çlirimtare të UÇK-së, martirizimit të popullit tonë dhe ndihmës ushtarake të NATO-s, është shtet demokratik, sovran dhe i pavarur. Shembulli më i mirë në Ballkan, Evropë e më gjerë për jetën e lirë të qytetarëve të barabartë, të drejtat e njeriut dhe të drejtat e komuniteteve pakicë”, ka shkruar Konjufca në rrjetin social Facebook.
Më 24 mars bëhen 24 vjet nga fillimi i sulmeve ajrore të Aleancës Veri-Atlantike kundër caqeve ushtarake policore në ish-Jugosllavi.
Pas 78-ditësh të sulmeve, bombardimet u ndërprenë më 10 qershor 1999, me Marrëveshjen Teknike të Kumanovës, e cila parashihte tërheqjen e të gjitha forcave ushtarake dhe policore serbe nga Kosova.
Marrëveshje u pasua me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Kjo Rezolutë, ishte një kompromis i pesë vendeve të përhershme anëtare të Këshillit të Sigurimit në bazë të së cilës, në Kosovë vendosej një administratë e Kombeve të Bashkuara – UNMIK, e cila administronte fazën transitore deri në ngritjen e institucioneve vendore dhe zgjidhjen e përhershme të statusit të Kosovës.
Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, kishte mundësuar edhe kthimin në shtëpitë e tyre të më shumë se 800 mijë refugjatëve, personave të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës.
Më 12 qershor 1999 filloi vendosja e rreth 50,000 ushtarëve nga 36 vende të botës, prej të cilëve 30,000 ishin nga vendet e NATO-s.