“Në shtëpi gjeta familjarët e mi. Më rrëfyen për atë se çfarë gjetën dhe panë në shtëpinë tonë kur arritën. Me të hyrë në shtëpi kishin gjetur uniforma të ndryshme policore e ushtarake, armë dhe municione, veshmbathje të pëgjakura të femrave. Mobileria e shtëpisë ishte vjedhur dhe pothuajse nuk kishte asgjë, po ashtu edhe gjësendet tjera”, thuhet në rrëfimin e njërit prej protagonistëve të librit ”Shoh” i cili u përurua në Prishtinë në kuadër të projektit “Ballafaqimi me të kaluarën në Kosovë”, realizuar nga OJQ ‘Aksioni kundër dhunës dhe ndërtimi i paqes, ANP’.
Libri “Shoh”, përmban tregime jete të njerëzve, përjetime personale të cilat fillojnë diku në vitin 1998 /1999, në kohën kur ndodhi lufta në Kosovë. Brenda faqeve të librit lexuesi gjen detaje të hollësishme se si jetonin e mbijetonin njerëzit gjatë atyre viteve, duke pasur parasysh atë se me çfarë përballeshin, ende pa filluar lufta, gjatë e pas saj.
Redaktorja e librit, Emine Ismajli ka thënë se njerëzit thonë se tregimi secilit prej tyre është më i rëndë e më i tmerrshëm se i dikujt në librin tuaj, por nuk jemi ne ata që e vendosim se çka duhet të tregojmë.
“Edhe ngjarjet e gëzueshme në jetë është e vështirë të ndahen me tjetrin nëse nuk je i gatshëm që ta hapësh shpirtin, se lëre më kur janë në pyetje tmerret e traumat. Është libri i tretë që botohet në tri gjuhë, atë shqipe angleze dhe serbokroate. E kemi të parin “ Mbamendja e shpirtit, i dyti” Dheu i ofshamës” dhe libri i tretë “Shoh”. Shumë herë e kam mendu punën e titullit mirëpo prej fillimit më është imponuar ky titull. Vështirësia tjetër ka qenë kur është dashur të punohet kopertina e librit ngase kisha përshtypjen se asnjë kopertinë nuk shpjegon se çka përmban libri. Po shpresoj se tash ka shumë detaje në kopertinë dhe flasin për secilin tregim veç e veç. Secili kthehet prapa në kohë dhe flet për veten. Rastësisht ky grup ka pasur njerëz që kanë qenë fëmijë në atë kohë. Mirëpo e kanë një kujtesë shumë më të mirë dhe përmes tregimeve të tyre mund të shohim edhe detaje që ndoshta një të rrituri i kishin kaluar pa i pa”, ka thënë Ismajli.
Redaktorja Ismajli ka shtuar: “Krijohet përshtypja sikur nëpër korridoret e kohës takohen njerëz e fate, paraardhës e pasardhës, trashëgimtar e trashëgimi, që janë pjesë e tregimeve ku shtjellohet e përjetuara e ndërthurur me ngjarje historike të kohërave të ndryshme, të cilat fillojnë diku në vitin 1998-1999, në kohën ku ndodhi lufta në Kosovë duke na informuar në mënyrë më të hollësishme se si jetonin e mbijetonin njerëzit gjatë atyre viteve, duke pasur parasysh atë se me çfarë përballeshin, ende pa filluar lufta.”, ka thënë mes tjerash Ismajli.
Ndërsa, Nexhat Ismajli ka treguar se janë disa autorë që e kanë realizuar këtë libër. Gjatë trajnimeve janë ndarë tregimet e përjetimet e tyre të dhimbshme dhe pastaj kanë gjetur vullnetin kurajon që edhe ti dokumentojnë ato tregime dhe ti prezantojnë për publikun.
“Janë tregime të qytetarëve të Kosovës, tema shumë e dhimbshme për shoqërinë tone, por si proces dokumentimin e konsiderojmë si një process jashtëzakonisht shumë të rëndësishëm”, është shprehur drejtori I OJQ-së, ‘Aksioni kundër dhunës dhe ndërtimi i paqes, ANP’., Nexhat Ismajli.
“Që nga viti 2014, ANP punon intensivisht në projektin ‘Ballafaqimi me të kaluarën’ dhe deri më tani kemi realizuar shumë aktivitete e filma dokumentarë. Të gjitha këto me të vetmin qëllim, që të dokumentojmë të kaluarën në mënyrën më të sinqertë dhe të luftojmë narrativat etnocentrike në shoqërinë tonë”, ka thënë Ismajli.
Duhet theksuar se pjesëmarrës në aktivitete dhe tregime kanë qenë përfaqësues të disa komuniteteve në Kosovë, shqiptarë, serbë e boshnjakë.
U shfaq edhe një film dokumentar realizuar nga Burim Baftiu, rreth përmbajtjes së projektit.
Iliriana Pylla
Prishtinë