Çështja e romanit të shkruar në formë klasike apo moderne i ka bërë studiuesit të formulojnë disa karakteristika të dy formave të të shkruarit, por është pranuar se ndryshimi ka të bëjë më shumë me çështje të stilit. Autorët që shkruajnë prozën moderne bashkëkohore eksperimentojnë për të krijuar diçka të re dhe trendi, që do të përthithë lexuesin si çdo gjë e re që ngjall kërshëri, por pastaj mund të pëlqehet, po mund të mos pëlqehet, kjo varet nga fuqia e rrokjes së realitetit artistik të përfshirë në roman, shprehjes së mesazhit apo kumtit përmes fjalës së zgjedhur me art. Letërsia moderne përfshin tema më urbane dhe me ndikim, klasikja është e lidhur me njerëzit dhe mënyrën e tyre të jetesës. Por, ndërkohë, pranohet se letërsia moderne mbështetet në themelet e klasikes.
Nga ana tjetër, dihet se një libër klasik i vërtetë me vlera të qëndrueshme i reziston provës së kohës, pavarësisht në ç’periudhë kohore është shkruar.
Veprat e mëdha të letërsisë depërtojnë thellë në mendjen dhe shpirtin e lexuesit, sepse ato trajtojnë tematika që kuptohen nga numër i madh njerëzish me nivele të ndryshme kulture dhe përvojash jetësore. Për shembull, temat e dashurisë, urrejtjes, vdekjes, jetës dhe besimit prekin disa nga reagimet tona emocionale më themelore, prandaj edhe e tërheqin lexuesin masivisht. Dhe këtu është rasti të dalim te romani realist, i cili është një zhanër i letërsisë që karakterizohet nga ngjarje dhe karaktere të besueshme, pra ngjarje dhe personazhe që, edhe pse të trilluara nga shkrimtari, duken sikur ndodhin ose ekzistojnë në jetën reale. Dhe më tej shkojmë te thënia: “Romani nuk është një tregim i shkrimtarit, por një zbulim i asaj që është jeta njerëzore brenda kurthit që është bërë bota”.
E bëra enkas këtë hyrje të nevojshme për të shkuar te romani realist “Koha në mes” i Raimonda Belli Gjençajt, i cili është romani i katërt i saj dhe është shkruar në formën tradicionale të romanit klasik.
Do të mundohem të analizoj romanin, për të shpjeguar edhe faktin se ç’e bën një lexues t’i rikthehet leximit të një vepre, ashtu siç bëra unë me këtë roman.
Romanin “Koha në mes” do ta krahasoja me një ndërtesë me shumë kate ku gëlon jeta njerëzore, ku ngjizen fate dhe histori të ndryshme, ku mplekset e mira me të keqen, gëzimi me trishtimin, jeta me vdekjen, mëkati me virtytin, e bukura me të shëmtuarën sidomos në marrëdhëniet njerëzore. Romani është një radiografi e kohës që kaluam dhe asaj që po jetojmë, ku gjejmë personazhe aq të skalitur dhe përfaqësues të shtresave shoqërore dhe të habit me thellësinë e gjykimit dhe interpretimit të fakteve të jetës. Unë jam e bindur se gjithkush që e merr në dorë dhe e lexon do të gjejë aty jetën e gjallë, marrëdhëniet njerëzore, jetën e përditshme të lartësuara në art denjësisht.
Strumbullar i fabulës është jeta në disa breza e një familjeje korçare të shtresës së pasur. Ngjarjet që përbëjnë subjektin shpalosen në mënyrë kronologjike dhe kanë një shtrirje të gjatë kohore, duke filluar me të parët (gjysh stërgjyshin) dhe duke përfunduar te pinjolli i fundit, Kristi. Lexuesi ndjek me kërshëri çdo ngjarje deri tek ato më episodiket, që përbëjnë tharmin e jetës së çdo njeriu a brezi. Te ky roman del qartë thënia me vlerë aksiomatike se çdo njeri është produkt i kohës dhe rrethanave në të cilat jeton dhe zhvillohet. Ngjarjet janë të besueshme, jetësore dhe ndjekin rrjedhën e tyre në mënyrë më se të natyrshme.
“Koha në mes” është konceptuar si një roman ku janë realitetet historike dhe personazhet me jetën e tyre, që diktojnë uljen dhe ngritjen e kurbës së dramacitetit. Romani vetë nuk ka një pikë kulmore, ku lexuesi të mbajë frymën nga ngjarja, po, nga ana tjetër, ka aq shumë kthesa të forta dhe gjendje psikologjike të personazheve, aq përshkrime realiste të një jete plot drama njerëzore, sa lexuesi përfshihet i gjithi në një vorbull emocionesh të mëdha. Duket sikur autorja me një kamera të vendosur diku lart dhe me një sy kryekëput të vëmendshëm ndjek trajektoren e jetës së personazheve, që lëvizin e zhvillohen në një mjedis të caktuar në një kohë të caktuar. Çdo përshkrim mjedisi apo realiteti politik a shoqëror hyn në mënyrë të natyrshme, pa e rënduar subjektin me hollësi që do ta largonin lexuesin nga shina e përshkrimit të jetës së personazheve dhe psikologjisë së tyre, çka përbën edhe qëllimin pse është shkruar ky roman në mënyrë të këtillë.
Intriga në roman nis me ardhjen e Davidit nga Italia ku ishte për studime dhe e gjen familjen e tij të shpronësuar dhe të trysnuar nga pushteti popullor i instaluar në Shqipëri. Aty pastaj krijohen një sërë rrethanash që e detyrojnë djalin e pamësuar të shtëpisë të përplaset me realitetin e ri, por edhe t’i nënshtrohet atij në luftën për mbijetesë. Në sfondin historik dhe realitetin politiko-shoqëror hyjnë lufta e klasave, gjyqi i deputetëve, pushkatimet e intelektualëve, sekuestrimet e pasurive, sjelljet e vrazhda ndaj njerëzve të kamur, spiunllëqet e njerëzve të rekrutuar, futja në burg dhe pushkatimi i kuadrove të lartë ushtarakë në vitet e mëpastajme etj. “Oktapodi i biografisë të ngulte tentakulat dhe të arrinte, sado larg që të ishe”, thotë autorja.
Dhe pastaj ngjarjet dramatike të pas nëntëdhjetës zënë një vend të mirë në roman. Eksodi masiv, rënia e firmave piramidale, ndërtimi i një demokracie të brishtë, që vazhdon edhe sot të mbajë në këmbë një shoqëri rakitike janë përshkruar me shumë realizëm. Thënia “o me ne, o me ata” vazhdon edhe sot dhe shënjon shoqërinë tonë konfliktuale, të ndarë sipas simpatisë për njërën apo tjetrën parti. “Hakmarrja është një pjatë që duhet ngrënë e ftohtë”, thotë autorja diku në roman.
Në roman ka disa personazhe kryesorë, që vizatohen në mënyrë mjeshtërore, por ka edhe një mori personazhesh episodikë, prania e të cilëve pasuron kuadrin e kohës në fjalë. Ata skicohen në mënyrë aq të gjallë dhe mbresëlënëse, sa të mbeten në mendje si një portret ekspresiv i skicuar me laps nga një piktor i mirë.
Romani është i mirëstrukturuar në pikëpamje kompozicionale. Ngjarjet rrjedhin në mënyrë të natyrshme dhe zhvillohen sipas logjikës shkak-pasojë.
Herë pas herë për të thyer formën standarde të rrëfimit, apo dialogut dhe për të dhënë me gjallëri përjetimet e personazheve kryesore, në teknikën e saj narrative autorja ka futur një formë të rrëfimit epistolar, që ndihmon në portretizimin më të mirë të tyre, të zbulimit të botës së tyre të brendshme.
Si veçori e stilit të Raimondës është gjuha e pasur me fjalë dhe shprehje frazeologjike, të cilat i vëmë re edhe në gjuhën e narratores, por edhe në dialogjet e personazheve. Zhdërvjelltësia e gjuhës, shmangia me mjeshtëri e rëndomtësisë apo përshkrimit natyralist që mund të jetë një kurth në këtë lloj romani, përbën një vlerë të penës së autores. Pastaj janë shumë shprehje në formën e sentencave filozofike, që janë rrjedhim i njohjes së jetës dhe kulturës së marrë nga leximet e shumta.
Duke ndjekur në vijueshmëri jetën dhe fatin e personazheve, lexuesi përjeton emocionalisht çdo gjë që ndodh, vuan kur personazhet vuajnë, gëzohet kur ata kanë gëzim, kur një fëmijë vjen në jetë, kur dashuritë e reja buisin dhe derdh lotë kur ata vdesin. Ka personazhe si Stela që të kujtojnë Irenë Forsajtin e Xhon Gollsuorthit, aq bukur është portretizuar. Dhe lexuesit i duket se me ikjen e saj nga jeta i është shkëputur diçka nga shpirti edhe atij. E gjithë kjo falë përshkrimeve të bukura dhe të ndjera të endura në pëhurën e veçantë gjuhësore të autores.
Fundi i romanit të lë trishtin në shpirt, sepse edhe fëmija i vetëm i familjes Terziu, që kishte mbetur në Shqipëri, largohet për të studiuar në Amerikë dhe aty duket sikur mbyllet odiseja e historisë së një familjeje intelektuale shqiptare me tradita, nga ato që populli i përkufizon me shprehjen “familje të mira”. Kjo ikje të bën të nënkuptosh dhe të përjetosh me dhimbje faktin se shoqëria shqiptare është në dilemën e madhe të ekzistencës a mosekzistencës.
Kohën në mes unë e shoh si një metaforë e rropatjeve të njeriut për të gjetur busullën në jetë. Nga kjo pikëpamje për të gjithë ka një kohë të tillë.
“Në mes atyre kutive të mëdha prej kartoni, përfytyrova rrugëtimin e librave. Ose më mirë, fluturimin e dijeve njerëzore dhe të kulturës, nga një kontinent në tjetrin. Gjyshërit nuk ishin më. E kishin lënë këtë botë, jo vetëm si qenie biologjike, por edhe si dy biblioteka që kishin frymuar në mes të njerëzve, duke përhapur dijet e tyre, kudo që mundeshin. Kjo i bënte ata sigurisht të veçantë, por edhe të ngjashëm me miliona të tjerë në botë, për të cilët libri kishte atributet e busullës. Jeta e tyre kishte qenë e vrullshme, sepse ata vetëm ashtu mund ta kuptonin dhe plotësonin veten. Unë nuk e di se ç’jetë do të kishin bërë, po të kishin ndenjur në vendin ku studiuan. Mbase as ata vetë nuk e dinin. Kishin vendosur dhe ishin kthyer. Si shumë të tjerë atë kohë. Kishte qenë një kthim i natyrshëm. Pa zhurmë, pa bujë”, mediton Kristi në prag të ikjes së tij për studime në Amerikë, duke qëndruar përpara bibliotekës së pasur të shtëpisë.
A kam ndonjë vërejtje: Ndoshta heqja e linjës së ndonjë personazhi episodik, që nuk sjell ndonjë kumt të veçantë, mund të sillte një ngjeshje të subjektit dhe do të ndihmonte në dinamikën e ngjarjeve. Por në romane të tilla që trajtojnë tema epokale dhe kanë shtrirje të gjerë, i lihet shkrimtarit të ketë këndvështrimin e vet edhe në këtë çështje dhe të japë atë që është më e arsyeshme.
Kjo gjithsesi s’është diçka që ndikon në nivelin e këtij romani me vlera të veçanta njohëse dhe artistike, që lexohet me një frymë dhe që të bën të meditosh për fatin e njeriut dhe filozofinë e jetës në përgjithësi. Me këtë libër Raimonda Belli Gjençaj formëson mirëfilltazi profilin e saj letrar në prozën e gjatë dhe renditet pa asnjë dyshim ndër shkrimtarët tanë më të mirë bashkëkohorë.
************
Irena Dono
21. 12. 2022