Tashmë që Tirana ka kryebashkiakun e ri, është koha për të hedhur një vështrim në rrugën që sapo bëri dhe hamendësuar ku do të vemi. Zgjedhja e Erion Velisë nuk kaloi pa ngërçe dhe dilema. Edi Rama nguroi deri në momentin e fundit për ta hedhur në lojë. Shkaku i parë ishte dyshimi se si do të reagonte baza socialiste e cila ende ka në memorje luftën e përditshme të Erion Veliajt në dy vitet e fundit të qeverisë Nano. Pavarësisht deklaratave vetëposhtëruese të Fatmir Xhafës ish-sekretar i përgjithshëm i qeverisë Nano se “atëherë Erioni e kishte drejtë dhe ne ishim gabim”, në memorien e socialistëve të thjeshtë, duke parë kataklizmën Berisha që erdhi më pas, dhe qeverisjen problematike Rama të dy vjetëve të fundit, koha e Nanos nuk ngjan dhe aq e keqe. Edhe pas kapërcimit të kësaj dileme, Rama pati frikë. Ndaj për t’i dhënë procesit pak salcë “rozë” dhe bërë më të tretshëm për votuesit e majtë, atashoi si mbështetës Pandeli Majkon.
Katrahura në kampin tjetër, lufta brenda llojit e demokratëve të cilët sabotonin në të gjitha mënyrat Halim Kosovën, avantazhi numerik i votës së majtë në të quajturën “Tiranë e Madhe”, duhet t’i jepnin Veliajt qetësinë e fitores. Por makina elektorale e PS, mesa duket ndiente xhirim gomash. Përveç të shkuarës jo fort ideologjike të Veliajt, prania e figurave të dyshimta në listat e Këshillit Bashkiak, e kishin rënduar makinën e tij. Ndërkohë vetë Veliaj dinte se reformat që kishte bërë kur ishte ministër nuk ishin aq efektive sa i paraqiste. Më shumë ishin propagandë se kishin efekt ekonomik tek masat. Ndaj u shtuan përpjekjet e ekipit të majtë për t’u siguruar nga ndonjë e papritur e cila do të ishte dërrmuese edhe për vetë Edi Ramën.
Në planet e bosit të PS këto zgjedhje ishin hapi i fundmë për shndërimin e saj në një projekt të tijin personal. Pasi ka spastruar partinë dhe vendosur në vitrinë figurat e vjetra, pasi ka pozicionuar në hierarkinë e PS njerëz që i ka sjellë vetë në PS dhe binden pa kushte, pasi ka vendosur si kryetarë bashkish personazhe që do të jenë vazhdim i gjymtyrëve të tija, ndërmori hapin e fundit që ishte kandidimi i Veliajt si etapë përfundimtare për një sundim të qetë të kësaj force, derisa të vendosë të dalë në pension. Por një humbje e Erion Veliaj, mund të ishte problematike dhe ngadalësojë projektin. Për fat të tij dhe Erjonit kjo nuk i ndodhi. Gjithë makineria partiake dhe shtetërore, forca e numrave të së majtës, luajaliteti i LSI, ishin vendimtare. Ndërkohë shtimi në turlinë elektorale të koalicionit të PS e partive të Topit, Nokës dhe çamëve, bënë që mos të perceptohet nga publiku firoja elektorale. Dhe tashmë Erion Veliaj është kryetar i ri i Bashkisë së Tiranës.
Megjithëse kjo nuk është fitore si e Pirros, gjithashtu nuk ka shkëlqimin e një fitoreje napoleonike, pavarësish pompës që po mundohet ti japë makina propagandistike e Velisë. Numrat janë kokëfortë: Në një Tiranë dy herë më të madhe në votues se Tirana e dikurshme elektorale, koalicioni i majtë plus LSI dhe kontornoja e orëve të fundit Topi & Ndoka & Idrizi, morri vetëm 25 mijë vota më shumë nga 125 mijë që mori PS-ja e vetme në zgjedhjet e katër vjetëve më parë. Pra vetëm 160 mijë, nga 200 mijë që duhet të kishte në kuti. Mungesa e emigrantëve në votim, çorientimi i votuesve në zonat rurale nga harta e re territoriale, janë të gjithë faktorë ndikues, por që nuk fshehin apatinë e votuesit tradicionalë të majtë dhe të atij qytetar, gjithmonë e më dyshues ndaj karameleve që ofron politika. Por qytetari për mirë apo për keq, nuk ka më zë në kapitull për dy vjet të tjera. Pas 21 qershorit, gjithë kryetarët e bashkive ku fitoi e majta presin të zbatojnë projektin e Edi Ramës, i cili me sa duket si mjet kryesor për qeverisjen e vendit dhe prosperimin e tij ekomomik ka atë që bëri pesëmbëdhjetë vjet më parë në Tiranë: Shtrimin e rrugëve, gjelbërimin dhe lyerjen e fasadave të pallateve të qyteteve të cilat nga pikëpamja urbanistike tashmë janë më të shëmtuara nga ato që na la monizmi. Ndër ta, bën pjesë edhe Erion Veliaj. I cili në ndryshim nga të tjerët, ka në mënd edhe një projekt personal. Por që të shkojë deri aty ku ja ka vënë syrin, duhet më parë të kalojë një periudhë ku do të jetë nën dritën e prozhektorëve, e që kur të vijë dita e llogarisë, nuk do ti vlejë as elokuenca vetjake e as mbrojtja e kapitenit të tij, por puna që do të ketë bërë për qytetin e parë të vendit.
Komentet