Duam që ditën ta nisim shqip, ta përshëndesim dhe t’i buzëqeshim shqip dhe ditët të rrjedhin shqip. Këtë dëshirojmë ne dhe ata që duan gjuhën dhe vendin, por në veçanti gjuhëtarët, akademikët, që i përkushtohen me mish e shpirt, kësaj pasurie kombëtare. Nuk habitemi, kur fjala e tyre vjen te ne, herë si rrëke uji, qetë-qetë, herë këshilluese, herë si kambanë alarmi, e herë si llavë vullkani. Ne dhe shekujt, u jemi mirënjohës dhe borxhli atyre, por që fatkeqësisht mjaftohemi vetëm me një falënderim. Për këtë edhe juve profesor Gjovalini, ju takon një mirënjohje e sinqertë dhe dashamirëse, që na kujtoni, se gjuha e shenjtë shqipe, i ka rrënjët në jetën dhe gjakun e brezave të tërë. Ju takon, profesori im, sepse nuk e lini zjarrin të fiket dhe hiri të marrë dhenë, e kombi të shuhet si shumë kombe të tjerë.
Jo vetëm profesioni, por edhe pasioni, më shtyjnë të lexoj. Nga përvoja po them se, nëse humbas një libër letrar, ka humbur një pjesë emocionesh, por kur humbas një libër shkencor, kam humbur një pjesë të madhe të shpirtit dhe qenies sime si mësuese, intelektuale dhe atdhetare.
Vepra “Urgjenca gjuhësore”, megjithëse ka kohë që është botuar, përsëri vjen për ne, si një kambanë alarmi, që na kujton peshën e madhe, që po marrin gjuhët e huaja ndaj gjuhës shqipe, në jetën e përditshme, në të shkruar dhe në të folur.
Libri më shtyn t’i bëj pyetje vetes dhe të tjerëve. Kemi nisur një turravrap marramendës ndaj fjalës së huaj, por ku po shkojmë, ç’kërkojmë dhe ç’po fitojmë? Ç’na shtyn? Etj, etj. Këtë, pak kush e ka të qartë në vetëdijen, se sa po humb gjuha jonë. Alarmi që ngrihet nga akademiku ynë, na tregon se peshorja po prishet me shpejtësi. Një humbje e tillë është e pafalshme për ne sot, sepse kemi një stad njohje dhe zhvillimi për të ndarë të bardhën nga e zeza.
Duke i thënë njëri-tjetrit: “Çiao”, “Adio”, “Okey”, “Wellcom”, “baj-baj”, etj, po humbim, dhe nuk di, çka po fitojmë. Është një lloj dukje “moderne”, apo dembelizëm, për të gjetur fjalën shqipe.
Vepra të tilla, si “Urgjenca Gjuhësore”, na vlejnë, sepse na zgjojnë nga pakujdesia dhe papërgjegjshmëria, për t’i thënë ndal vrapit tonë të çmendur. Këtu ndjehet dhimbja dhe del thirrja: ndal futjes dhe përdorimit të fjalës së huaj në gjuhën tonë! Pse Marrim hua, kur s’na mungon asgjë, shtrijmë dorën kur gjuha jonë ka aftësi të shprehë bindshëm, dashurinë, dhimbjen, trimërinë, gëzimin, lindjen, dasmën, vdekjen dhe hidhërimin, si askush tjetër. Pse kërkojmë miell, kur e kemi hambarin plot?
Nuk kam ndërmend të bëj analizën dhe gjykimin e veprës. Atë le të bëjë lexuesi dhe studiuesi, por dua të theksoj, se autori ka bërë një “operacion” kundër këtij kanceri, që ka mbërthyer moshën e mesme, por më shumë rininë, qoftë edhe atë shkollore. Madje të tilla vepra janë domosdoshmëri të botohen dhe ribotohen herë pas here, kjo është më e pakta punë e vyer, sepse ato duhet të jenë pjesë e programeve shkollore, në të gjithë sistemin tonë arsimor.
E lexova me dëshirë të madhe, me një buzëqeshje të lodhur, disi të munduar e të menduar. Aty-këtu ndjeva një dhimbje të thellë e trishtim në shpirt. Prandaj falënderimi ndaj jush buronte vetiu.
Problemi i gjuhës sonë, huazime dhe shtrembërime të fjalëve dhe fjalive, nis që në mëngjes sapo hap sytë dhe vazhdon gjithë ditën e lume, deri në darkë vonë, sepse sapo të vesh dorën në pultin televizorit, ndjen se diçka këputet brenda teje. Si breshër derdhen fjalët e huaja nga spikeri. A thua se ke shtypur gabim një stacion tjetër. Më thoni, si mund të ndjehem e qetë, kur një spiker goxha i fisëm, thotë: “Më falni, se nuk po e gjej dot fjalën shqipe”, dhe e zëvendësoi në çast me fjalën e huaj. Dëgjoj diskutimet në parlament, ku burra me një barrë mend, “luftojnë” për mbarësinë e kombit, por më duket sikur jam në një auditor të një fakulteti të gjithëve të huaja. Thua se peshën e madhe të kokës e kulturës, ta madhojnë e ta rëndojnë fjalët e huaja, se fjala shqipe nuk peshon sa duhet.
Nuk e teproj që shpreh mërzi, kur dëgjoj shtypin e shkruar, gazeta apo revista, të cilat sikur shtyhen kush e kush më parë, të kërkojë ndihmë për fjalën e huaj, të cilën njerëzit e thjeshtë as që e kuptojnë, por as që shtyhen të dinë kuptimin. Mos të hyjmë në sinorët e telefonave modern dhe portaleve elektronike, ku secili flet dhe shkruan në qejf të vet, pa pyetur fare për gjuhën, fjlën dhe rregullat e drejtshkrimit.
Një mendje më shtyn të pyes: Vallë nga dalin këta lloj “të diturish”, të etur e të djegur për fjalën e huaj, sepse edhe unë mësuese kam qenë? Mos kam gabuar, që shqipja u bëka moderne, kur e ushqejmë me fjalë të huaja? Çudi e madhe me ne shqiptarët, që po tregohemi pa mend, apo pa vëmendje ndaj gjuhës, të vetmes pasuri, që na dallon nga të tjerët, kur shtete dhe kombe më të mëdhenj se ne, tregohen fanatikë dhe nxjerrin ligje në mbrojtje të gjuhës së tyre, deri tek tabelat e dyqaneve, hoteleve dhe lokaleve. Nuk e kuptoj, çfarë humbet shteti të ndërhyjë, apo të kujdeset ndaj administratës dhe institucioneve publike? Medemek e mbytën hallet dhe punët e mëdha e s’ ja ka ngenë për këto gjera “të vogla”. Se si po i bien ciflat gjuhës sonë, e tregon fakti i thjeshtë: Bëni një shëtitje në Tiranë, i gjen të gjithë emrat e botës, vetëm shqiptare jo. A thua se Tirana jonë është kryeqyteti i botës. Po nuk përtoni ejani në Durrës, apo në çdo qytet të provincës dhe do të bindeni, është e njëjta dukuri.
Nuk e teproj, por “Emergjenca gjuhësore” është shndërruar në motiv alarmi, jo vetëm për dijetarët, profesorët dhe mësuesit nëpër shkollat tona, por për të gjithë personat publik, që shfaqen në TV, shtyp, letërsi, oratori dhe sidomos në “Odën” e Kuvendit, ku deputet ngatërrohen në fjalët e huaja, sepse vdesin për t’u dukur paksa modern. Eh të zezat ata, që kujtojnë, se kështu do t’i duam më shumë, ne vegjëlia këtu poshtë!
I kemi pranuar fjalët ndërkombëtare, që përdoren në shumë gjuhë të botës, janë fjalë teknike dhe shkencore, nuk i shmangim dot, por alarmi ulëret për fjalë që i kemi tonat shumë më të bukura. Dhe “pseja”, mbetet pa përgjigje.
Kështu si unë mund të kenë thënë edhe plot të tjerë: Ta lexojmë me vëmendje këtë vepër dhe pararendëset e këtij mësuesi dashamirës, që të mos bëhemi prishës, të asaj që na e jep e sotmja, pa menduar për të ardhmen. Kjo është vetëm fillimi, sepse duhet punë dhe qendrueshmëri në marrje vendime dhe zbatimi në praktikë. Alarmi është për ata që dëgjojnë dhe shikojnë.
Falënderoj Akademikun Gjovalin Shkurtaj dhe gjuhëtarë të tjerë, qofshin profesorë, akademikë dhe studjues, që kurrë nuk e lanë natën pa hënë dhe ditën pa diell, që nuk po e lenë gjuhën shqipe, si një perëndim të pafund.
Porosi e dijetarit tonë Sami Frashëri, thënë një shekull e ca më parë, vlen po kaq shumë edhe sot: “Shqipëtarët flasin një nga më të vjetrat dhe më të bukurat gjuhë të botës. Gjuhërat që kanë qënë shoqet dhe motrat e shqipes, kanë mijëra vjet që kanë humbur e s’fliten më në ndonjë vent të dheut”.
Suksese profesor, në libra të tjerë po kaq të bukur dhe të dobishëm!
Faleminderit!
Fatmira Beqja (Veseli)
Durrës më: 02. 05. 2018
Komentet