Në fillim dua t’u përshendes dhe uroj nga zemra të gjithëve ju zonën e Kurbimit dhe qytetin e Krujës, familjen patriotike Merlika – Kruja, në këtë ditë historike të inaugurimit të bustit kushtuar Mustafa Merlika – Kruja, personalitetit të shquar të botës së letrave shqipe dhe një ndër figurat e mëdha dhe brilante, të nderuar e respektur të historisë së lavdishme të popullit në vendlindje dhe në të gjithë trojet etnike shqiptare.
Ai me jetën dhe veprën e tij si një burrështeti i shquar e vuri veten e tij gjithëmonë në shërbimin të kombit shqiptar dhe letrave shqipe si një intelektual i madh e i palodhur. Ai ishte dhe mbeti për shumë dekada nderi dhe krenaria e jonë si dhe e identitetit etnik të kombit tonë.
Në këtë ditë të madhe historike, unë dua gjithashtu të falënderoj nga thellësia e zemrës time, të gjithë personalitetet e shquara të qytetit historik të Krujës, që vazhdimisht kanë kontribuar dhe kanë ndihmuar pa asnjë kursim në të gjithë zonën e Kurbinit legjendar, kreshnik dhe historik.
Gjithashtu percjelli nga zemra një urim të veçantë për Shoqatën Mbarëkombëtare “Trojet e Arbërit” dhe kryetarin dhe studiuesin e palodhur të historisë zotin Nue Oroshi, për punën e madhe që ka bërë për këto 20 vite dhe po bën sërisht, për rivlerësimin dhe zbardhjen e figurave të shquara të nacionalizmit shqiptar si dhe për interesimin e vazhdueshëm për vendosjen e monumentëve historike të përjetësisë si dhe për ringritjen në piedestalin e merituar të emërit dhe veprës së burrshtetit dhe personalitetit të madh Mustafa Merlika – Kruja.
Ju jeni mbledhur sot së bashku, në qytetin historik të Krujës së Heroit Kombëtar të Arbërisë Gjergj Gjon Kastriotit, për të përuruar me dashuri dhe krenari bustin e bukur dhe shumë kuptimplote, kushtuar burrit të madh të krahinës dhe trojeve etnike shqiptare Mustafa Merlika – Krujës.
Në këtë rast, pranoni nga zemra ime të gjithë përgëzimet e ngrohta dhe të sinçerta, duke ju falënderuar ngrohtësisht të gjithëve për këtë nismë fisnike patriotike dhe mirënjohje të pakufi për eruditin e shquar shqiptar, i cili jetoi dhe veproi me përkushtim dhe dashuri të madhe për popullin e tij, në dekadat e kaluara të historisë se lavdishme të qytetit të tij të lindjes.
Para se të hy në temën për të treguar se kush ishte dhe mbeti Muftafa Merlika – Kruja, dua të them me fjalë të përzgjedhura zemre, pikërisht për bukurinë dhe madhështinë e këtij busti, i cili hijeshon sot krenarë mes maleve tona kreshnike, fushave të bukura dhe qytetit të Krujës historike dhe legjendare.
Kush ishte patrioti dhe burrshtetasi Mustafa Merlika -Kruja?
Emri i personalitetit të shquar të botës shqiptare për disa dekada, të cilin po e nderojmë dhe respektojmë me krenari sot të gjithë së bashku, në tubimin kulturorë dhe historik, është i lidhur ngushtë me emrat e plejadës së ndritur të shumë figurave të shquara të kombit tonë, të nacionalizmës dhe botës së madhe të letrave shqipe, që ishin njeherazi edhe miqët dhe bashkëpunëtorët e idealeve të tij atdhetare dhe kulturedashëse të trojeve etnike.
Jeta dhe vepra nacionaliste e Mustafa Merlika – Krujës, lidhej me emrat e shquara historike, si: Kapidan Gjon Markgjoni, Mark Gjomarkaj, Ndue Gjomarkaj, prof. Ernest Koliqi, prof. dr. At Paulin Margjokaj, prof. Rexhep Krasniqi, prof. Zef Nekaj, Xhevat Korça, Engjëll Çoba, Maliq Bushati, Kolë Bib Mirakaj, At Anton Harapi, Mehdi Frashëri, Lef Nosi, Xhafer Deva, Fiqiri Dine, Ibrahim Biçaku e sa e sa qeveritarë të shquar të tjerë të Shqipërisë etnike, në të gjitha nivelet, që nderuan me veprën e tyre emrin e saj e i lanë brezave të ardhshëm krenarinë e të qënit bir i një populli, që dhunës i kundërvuri humanizmin e vërtetë.
“Komunizmi shqiptar, nuk foli kurrë për këtë epope të fisnikërisë njerëzore, të shfaqur në tokën e tij, sepse ai e kishte përdhosur atë me krimet e tij brënda racës, brënda kombit, brënda popullit, që pati meritën t’a prodhonte. Ata qindra jetë hebrenjsh, që shqiptarët shpëtuan nga rreziku i asgjësimit nazist, u kompensuan nga njëqindfishi i krimeve mbi vetë shqiptarët, madje mbi pjesën më të vlefshme e më fisnike të tyre. Atë kurajo, guxim e zemërgjërësi, që treguan shqiptarët në mbrojtjen e hebrenjvet, bandat kriminale të Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut e të ngjajshmëve të tyre, u a zhdukën në pak ditë, në sajë të një terrori, para të cilit edhe ai i SS-ve gjermanë ishte një hije e zbehtë.” – shkruan nipi dhe studiuesi, publiçisti bashkëkohorë dhe aktivisti i shquar Eugjen Merlika-Kruja.
Gjatë hulumtimeve të mia shumëvjeçare mbi jetën dhe veprën e intelektualit dhe burrit të madh të shtetit shqiptar, ish Kryeministrit të Shqipërisë Mustafa Merlika – Kruja, sikurse dihet ai ka qenë shumë i interesuar për historinë e popullit shqiptar ndër shekuj. Këtë gjë e ka shprehur në shumë artikuj dhe studime serioze, që i ka lënë në dorëshkrim dhe për të cilat në ditët tona po përkujdeset për t’i botuar një e nga një nipi i tij Eugjen Merlika – Kruja.
Me shumë interes lexuesit shqiptarë, mund të mësojnë mbi hershmërinë e para-ardhësve tanë ilirë, prijësit dhe figurat e shquara dhe të spikatura të kohës, sikurse ishte Pirroja i Epirit.
Po ashtu studiuesi serioz dhe skrupoloz Merlika, na jep një përshkrim të detajuar kohor dhe faktik mbi trashëgimtarët e Perandorit Valentinianit I, sikurse shton me kulturë dhe eurodicion të pasur historik në disa përsiatje të shkurtëra, mbi rolin e perandorëve ilirë në historinë e Romës dhe mbi të gjitha shkruan mbi kryetrimin e shtetit të Arbërit Heroi Mbarëkombëtar shqiptar Gjergj Gjon Kastrioti – Skënderbeu, sikurse dhe sukseset e Arbërisë, gjatë kohës së lavdishme historike të tij.
Dihet se asokohe Mustafa Merlika – Kruja, ka pasur gjatë jetës së tij, para dhe gjatë periudhës si Kryeministër i Shqipërisë si dhe më pas saj, libra në dorëshkrime voluminoze të pabotuara, për arsye të angazhimeve të shumta shoqërore etj.
Nga një vështrim i përgjithshëm, del se aty shihet puna dhe përkushtimi cilësor, në hulumtimin dhe dhënien e opinioneve reale mbi çështje të ndryshme, që ai trajton pjesë mbas pjesë dhe kapitull mbas kapitulli.
Aty shihet kjartë përvoja dhe pjekuria e trashëguar për çdo temë historike dhe kulturore, që ai trajton, me një stil narrativ dhe gjuhë të pastër, duke u krijuar breznive të reja një mundsi dhe dritare, për të njohur me objektivitet fazat e rëndsishme të historisë shqiptare, gjatë dekadave të shkuara.
Gjithashtu aty, ne zbulojmë dhe përjetojmë botën e madhe dhe të pasur shpirtërore, atdhetare dhe kulturore, për historinë e popullit të lashtë shqiptar ndër shekuj, që Mustafa Merlika – Kruja, i ka kushtuar gjithë jetën si një ndër burrat më të shquar, në krye të drejtimit të shtetit shqiptar me kompetencë, zgjuarësi dhe urti tipike atdhedashurie të vazhdueshme patriotike, në çdo kohë dhe rrethanë historike.
Figura e Kryeministrit patriot shqiptar Mustafa Merlika – Kruja, del e plotë dhe e zbardhur me fakte dhe prova të reja objektive, të panjohur më parë nga historiografia shqiptare dhe brezi i ri i studentëve të historisë të universitetëve në trojet etnike shqiptare.
Mustafa Merlika – Kruja shkruante dorëshkrimet e tij, si vepra në shërbim të historisë dhe kulturës së kombit shqiptar, dhe në vetvete ato janë sot një prognozë e shkëlqyer e të gjithë këndvshtrimeve të sakta historike, politike, kulturore, shpirtërore, tradicionale, gjuhësore, letrare etj., të cilat, ai i ka ndriçuar dhe prognozuar me realizëm dhe një sy kritik, larg klisheve standarte, të servilizmit të rëndomtë, që kanë pushtuar sot librat e rinj, që po botohen në botën shqiptare, brenda dhe jashtë trojeve etnike.
Intelektuali i shquar shqiptar Mustafa Merlika – Kruja, falë një përvoje të madhe historike, duke qene në krye të shtetit, ai dinte me detaje funksionimin e Qeverisë së tij dhe njihte hallet dhe mentalitetin psikologjik të kohës si dhe jepte ide dhe perkufizime se si kombi ynë mund të ecë përpara, edhe pse asokohe dhe rrethanat e popullit shqiptar nuk ishin në anën tonë.
Të flasësh dhe të shkruash në ditët tona, për historinë me humbje dhe fitore, pas shumë dekadash, mbi figurën apo personalitetin e papërsëritshëm dhe pendën brilante të studiuesit dhe burrështetasit të madh dhe sypatrembur të kombit tonë Mustafa Merlika – Kruja, është shumë e vështirë, sepse ai është një ndër personalitetet, i cili qysh në rininë e tij mori pjesë në Ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912, në Vlorën historike, ku u ngrit dhe valoj krenar Flamuri Kombëtar Kuq e Zi, më shkabën dykrenare nga burrat më të shquar të tokës arbërore.
Mosnjohja sa dhe si duhet e këtij personaliteti të harruar me paramendim në trojet shqiptare, gjatë 50 vitëve të diktaturës më të egër në Europë dhe komunizmit të zi të saj, për arsye të përsekutimit dhe përbaltjes sistematike, që pa të drejtë rregjimi komunisto-ateist i ka bërë atij dhe familjes së tij.
Ai drejtoi vendin e tij si burrshtetas me vizion largpamës, kishte marrëdhënie shumë të mira me disa personalite dhe burra të shquar të shumë shtetëve të botës, me të cilët ai kishte letërkëmbime të vazhdueshëm, ku në esencë trajtonte çështjen e trojeve etnike shqiptare dhe integrimin e domosdoshëm të tyre në familjen e shteteve më të zhvilluara të Europës Perëndimore.
Problemi kombëtar, ruajtja e Shqipërisë etnike edhe përtej çastit politik të kohës, sido që të ishte fati i luftës, ishte shqetësimi kryesor i forcave politike nacionaliste, i cili ishte edhe materiali lidhës, që përshkonte atë pjesë të politikës, që ndahej pastaj pothuajse në të gjithë përbërësit e tjerë të programeve dhe filozofisë politike të tyre.
Së fundi, mendoj, se në të ardhmen në trojet etnike shqiptare dhe diaspore, ku ai jetoi dhe punoi me përkushtim të madh për shumë dekada, duhet menduar seriozisht, që emëri, jeta dhe vepra e tij të përjetësohet edhe më tej, duke ngritur buste të reja, hulumtuar dhe analizuar e gjithë vepra akademike serioze studimore e tij, dhe të rivleresohet me objektivitet ai, duke u vendosur emëri i tij në shkollat e mesme dhe universitetet shqiptare, sepse ai ishte dhe mbeti një intelektual solid, me një eurodicion dhe përkushtim të vazhdeshëm, gjatë gjithë jetës së tij.