Është fakt i ditur që anglezja Mary Edith Durham dhe amerikania Rose Wilder Lane janë dy nga miket më të mëdha të Shqipërisë dhe shqiptarëve, pa harruar këtu edhe skocezen e shquar Margaret Masson Hardie Hasluck, ndonëse vendin e nderit më të lartë historia shqiptare ia ka dhënë, me të drejtë, misionarit amerikano-suedez Charles Telford Erickson (1876-1966), mikut më të madh të shqiptarëve dhe bashkëkohësit të atyre tri grave të shquara anglo-saksone.
Për këto personalitete mendje-ndritura është shkruar shpesh në shtypin tonë. Veprat e tyre janë përkthyer në gjuhën shqipe. Pas vitit 1990 është bërë diçka për nderimin e tyre edhe në aspektin administrativ. Në Tiranë ka një shkollë 9-vjeçare dhe një rrugë me emrin e Edith Durhamit; edhe në Shkodër ka një shkollë 9-vjeçaredhe një rrugë kryesore “Edith Durham”; edhe në Prizren ka një rrugë të tillë; kurse në Prishtinë ka një shesh me emrin “Mis Edit Durham”. Më 18 qershor 2010, me rastin e 125-vjetorit të lindjes së Margaret Masson Hardie/Hasluck-ut, ajo u nderua me titullin “Qytetare Nderi e Elbasanit” dhe një pllakë përkujtimore është vendosur në shtëpinë e saj të dikurshme. Kurse shkolla e mesme bujqësore e Kavajës e themeluar prej Eriksonit sot mban emrin e tij.Përmendim këtu se qeveritë shqiptare para Luftës së Dytë Botërore bënë diçka për t’i nderuar miqtë e Shqipërisë. Më 3 gusht 1914 në hotelin “Ballkan” në Vlorë u organizua ceremonia e dhënies së titullit “Qytetare Nderi e Vlorës” Edith Durhamit. Me propozim të Mit’hat Frashërit asaj iu dhurua edhe një pendë e artë dhe një kostum kombëtar. Kurse më 28 nëntor 1927 Mbreti Zog I i dha Telford Eriksonit “Urdhërin e Skënderbeut” me rastin e 25 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Vetëm për Rose Wilder Lane-in, për fat të keq, deri tani nuk është bërë asgjë në këtë aspekt.
Për ato gra të jashtëzakonshme janë bërë edhe studime e monografi në gjuhën shqipe dhe angleze. Në mars 2019 studjuesi i talentuar Fatmir Ramadani, Ph.D., nga Suhareka (Theranda) e Kosovës mbrojti me sukses në gjuhën angleze doktoratën në Universitetin e Gracit (Austri), me temën “Albanian Lands, People and Culture in the Focus of Two Anglo-Saxon Women Travellers – E. Durham and R. W. Lane” (“Toka, njerëzit dhe kultura shqiptare në fokusin e dy udhëtareve anglo-saksone – E. Durham dhe R.W. Lane”) me udhëheqjen shkencore të Prof. Simon Edwards të Universitetit Roehampton të Londrës dhe të Prof. Roberta Maierhofer të Universitetit të Gracit. Në vitin 2013 Ma. Medina Çoba nga Mali i Zi mbrojti Magjistraturën me disertacionin “Mary Edith Durham’s Memories, Impressions, Thoughts and Articles about Albania and the Albanians” (“Kujtimet, përshtypjet, mendimet dhe artikujt e Mary Edith Durhamit mbi Shqipërinë dhe shqiptarët”) në Universitetin Shtetëror të Tetovës (Maqedonia e Veriut) nën udhëheqjen shkencore të profesorit të shquar të letërsisë angleze dhe themeluesit të katedrës së gjuhës dhe letërsisë angleze në Universitetin e Prishtinës Prof. Dr. Abdullah Karjagdiu. Në shkurt 2009 Dr. Rregjina Gokaj mbrojti disertacionin me temë: “Figura e gruas shqiptare në veprat e tri autoreve anglo-saksone të gjysmës së parë të shekullit XX – Mary Edith Durham, Margaret Hasluck dhe Rose Wilder Lane” në Universitetin e Tiranës nën udhëheqjen shkencore të Prof. Dr. Refik Kadija, etj.
Por asnjëherë nuk është mjaftueshëm për të shkruar për ato. Gjithnjë mbetet diçka më shumë për të thënë e për të bërë. Gjithnjë dalin fakte e të dhëna të reja që duhen njohur dhe duhen bërë të ditura publikisht. Asnjëherë Shqipëria dhe shqiptarët nuk ia lajnë krejt borxhin moral këtyre mikeve të sinqerta e të përkushtuara ndaj SHQIPTARISË.
Fillimisht duhet theksuar se këto dy udhëtare anglo-saksone, studjuesja e gazetarja britanike Mary Edith Durham dhe gazetarja e romancierja amerikane Rose Wilder Lane, e vizituan Shqipërinë gjatë tri-katër dekadave të para të shekullit XX që ishin kohra të trazuara për Europën e sidomos për Shqipërinë. Ato vizituan, eksploruan dhe ndihmuan kryesishtmalësitë e veriut të Shqipërisë që ishin pjesa më e varfër e saj, me klimë të ashpër e terren të vështirë. Ato mblodhën plot të dhëna për tokën dhe njerëzit, për historinë, të shkuarën dhe të tashmen, për mënyrën e jetesës, karakterin dhe mendësinë e shqiptarëve, për folklorin, zakonet e traditat e tyre, të cilat ato i hodhën në letër dhe ia bënë të ditur botës. Përveç artikujve të gazetave, ato shkruan libra dokumentarë mbi Shqipërinë e shqiptarët të bazuara në hulumtime, fakte dhe vëzhgime të drejtpërdrejta, të ilustruara me foto të shumta. Shkrimet e librat e tyre e bënë Shqipërinë të njohur në botë, kryesisht në lexues anglisht-folës, dhe zgjuan interesin për një vend dhe një popull pak të njohur deri atëherë.
Që nga ajo kohë kanë ndodhur shumë ndryshime historike, politike, sociale e kulturore në botë, përfshirë edhe jetën materiale e shpirtrore të shqiptarëve. Shumë nga traditat e zakonet e lashta, të cilat u kishin bërë aq shumë përshtypje këtyre udhëtareve anglo-saksone, tashmë në pjesën më të madhe janë zhdukur ose nuk praktikohen më. Prandaj, nga ky këndvështrim, regjistrimi dhe përshkrimi i hollësishëm që ato i bënë zakoneve e traditave të malësive të veriut të Shqipërisë janë me vlera kulturore, antropologjike e etnografike të patjetërsueshme.
Admirimi dhe vlerësimi ynë për Edith Durhamin nuk kufizohet thjesht në dokumentimin e hollësishëm që ajo i bëri historisë së shkuar dhe folklorit të shqiptarëve, por ka të bëjë dhe me përkrahjen e saj të flaktë për popullin shqiptar në luftën e tij për liri e pavarësi, me përfshirjen e saj të drejtpërdrejtë në fatin dramatik të Shqipërisë gjatë periudhës më të vështirë e më të trazuar të historisë së saj, me përkrahjen dhe mbështetjen politike e mediatike që i dha këtij vendi të vogël kur ishte i vetëm dhe pa miq, veçanërisht gjatë përpjekjeve për shpalljen e Pavarësisë, gjatë dy luftrave ballkanike të 1912-1913-ës dhe Luftës së Parë Botërore.
Kurse mbi Rose Wilder Lane-in, për të cilën kam shkruar më parë, studimet kanë qenë foksuar në veprën e saj kryesore mbi Shqipërinë “The Peaks of Shala” (“Majat e Shalës”)që ka njohur 9 botime në gjuhën angleze, botuar së pari nga Chapman & Dodd më 1922 me 224 faqe, së dyti nga Harper &Brothers më 1923, së treti përsëri nga Chapman & Dodd më 1924, etj. dhe 2 botime të përkthimit në gjuhën shqipe – më 1997 në Prishtinë nga Ndërmarrja Botuese “Rilindja” dhe më 2004 në Tiranë nga Shtëpia Botuese “Dituria”. Janë bërë disa artikuj e bloge mbi Rose Lane-in që kanë vlerësuar dashurinë e saj për Shqipërinë e shqiptarët, përpjekjet e saj për të ecur në gjurmët e Edith Durhamit dhe për t’i ndihmuar shqiptarët në hallet e tyre të shumta dhe për vlerësimin e lartë që i ka bërë bujarisë, mikpritjes, trimërisë, zgjuarsisë e besës së malësorëve. Është shkruar edhe mbi njohjen dhe vlerësimin që ajo i bën në këtë vepër dokeve, zakoneve e traditave të shqiptarëve. Është përmendur në shkrime edhe lidhja e saj me jetimin 12-vjeçar nga Vuthaj Rexhë Meta, i cili i shërbeu me besnikëri si përkthyes, përkujdesja e saj ndaj tij, birësimi dhe shkollimi që ajo mori përsipër për të, si dhe përpjekjet e saj për ta shpëtuar nga ekzekutimi. Në disa portale si “Radi & Radi”, “Zani i Malsisë”, “Gazeta Vatra”, “Telegrafi” e ndonjë tjetër është dhënë përmbajtja e librit “Majat e Shalës” dhe janë shkruar bloge me fakte biografike të Rose Lane-it, si afrimi i saj me idetë komuniste kur vizitoi Bashkimin Sovjetik në vitet 1920-të, largimi nga ato ide dhe formimi i bindjeve të saja antikomuniste, miqësia e saj me Ahmet Zogun, apo dhe një anekdotë shkodrane në lidhje me diplomimin e shkëlqyer të Rexhë Metës në Universitetin e Kembrixhit.
Edith Durhami dhe Rose Lane-i dhanë një ndihmesë të vyer edhe për emancipimin dhe arsimimin e shoqërisë shqiptare kur ajo po përpiqej fort për ta kapërcyer varfërinë e prapambetjen shekullore dhe për t’u bërë e qytetëruar.
Ndonëse këto dy udhëtare të palodhura e përqëndruan eksplorimin e tyre në malësitë e malësorët e Shqipërisë së Veriut, ata vizituan edhe pjesë të tjera të Shqipërisë, sidomos Durhami, e cila udhëtoi deri në malësitë e Shpatit, vizitoi Elbasanin, Korçën dhe krahinën e saj, Beratin, Vlorën dhe qytete të tjera ndonëse rezidenca e saj për më shumë se njëzet vjet ishte Shkodra (prej nga shkoi dhe në Ulqin). Ajo eksploroi Kosovën dhe qytetet e saj kryesore: Prizrenin, Gjakovën, Prishtinën, Pejën, Ferizajn, bile dhe qytetin e vogël Suharekë. Kurse Rose Lane-i vizitoi Durrësin, Elbasanin, Shkodrën me rrethinat e saj dhe u vendos në Tiranë për më shumë se dy vjet.
Këto dy udhëtare trimëresha nuk erdhën në Shqipëri si turiste të rëndomta për të soditur panoramat mahnitëse të Alpeve të Shqipërisë apo plazhet me diell mesdhetar të bregdetit shqiptar. Ato nuk jetuan në luks e komoditet, por duruan vështirësi e privacione. Ato e përshkuan terrenin e ashpër shkëmbor të maleve të lartë duke ecur me orë të tëra në shi, shpesh në këmbë e herë pas here me kalë ose mushkë. Ata u shtruan këmbëkryq me njerëzit e thjeshtë, duke ndarë me ta një sofër të thjeshtë “me bukë e krypë e zemër të hapur” dhe flinin në kasollet e tyre të varfëra të privuara nga kushtet edhe më minimale.
Çfarë i shtyu dhe i frymëzoi këto dy zonja, njërën që vinte nga një familje e madhe e një kirurgu nga Londra dhe tjetrën që vinte nga qyteti i vogël De Smet i shtetit të largët amerikan të Dakotas së Jugut, që t’i përkushtoheshin me entuziazëm dhe me gjithë shpirt Shqipërisë dhe shqiptarëve gjatë pjesës më të madhe të jetës së tyre? Të dyja qenë të lidhura me shqiptarët për më shumë se dyzet vjet. Edith Durhami i kaloi dyzet vitet e dyta të jetës së saj (1904-1944) duke u përpjekur për çështjen shqiptare të integritetit kombëtar. Dhe Rose Lane-i e deklaroi në shkrimet e saj dy herë – më 1922 dhe 1926, se “kishte rënë në dashuri me Shqipërinë” që e konsideronte si “vendlindja e saj e dytë” dhe se po planifikonte të ndërtonte një shtëpi në Shqipëri ku të vendosej përgjithmonë. Ndonëse kjo dëshirë e saj nuk u realizua për shkak të disa problemeve serioze familjare të papritura që e detyruan të kthehej në SHBA, ajo nuk e harroi Shqipërinë që mbeti e mbërthyer fort përgjithmonë në imagjinatën dhe zemrën e saj derisa vdiq më 1968.
Nxitje për këtë shkrim mbi Durhamin dhe Lejnin u bënë disa të dhëna të reja. Për Durhamin ishte libri i historianit bashkëkohor dhe gazetarit investigativ të BIRN-it Marcus Tanner “‘Mbretëresha e Maleve’ e Shqipërisë: Edith Durhami dhe Ballkani” që u botua më 2014 dhe mori vlerësime superlative nga shtypi anglez dhe amerikan. Kurse për Rouz Lejnin ishin disa fakte interesante të biografisë së saj, sidomos në lidhje me marrëdhëniet me dy bijtë e saj të birësuar – me shqiptarin Rexhë Metë Ulaj (1906-1985) dhe bashkëshorten e tij shkodrane Pertefe Dani/Meta dhe me amerikanin Roger Lea MacBride (1929-1995), të dokumentuara dhe të trajtuara me kompetencë në librin e historianit të Universitetit të Misurit Prof. William Holtz “Fantazma në Shtëpinë e Vogel: Një jetë e Rouz Uilder Lejnit”. Një shtysë ishte dhe gjetja e disa dosjeve në arkivin e “Bibliotekës dhe Muzeumit Presidencial Herbert Hoover” (“Herbert Hoover Presidential Library and Museum”) mbi Rexhë Metën (10 dosje dhe foto të familjes së tij) dhe mbi miqësinë e Rouz Uilder Lejnit me Herbert Huverin (1874-1964), Presidentin e 31-të të SHBA, i cili do t’i drejtohej qeverisë shqiptare më 1946 me kërkesën për të mos e pushkatuar Rexhë Metën.
Një libër mbi Edith Durham-in dhe Shqipërinë
(Marcus Tanner)
Më 21 prill 2014 Shtëpia Botuese I.B. Tauris botoi në Londër veprën prej 304 faqesh me titull “Mbretëresha e Maleve e Shqipërisë: Edith Durham-i dhe Ballkani” e analistit, historianit e gazetarit të shquar anglez Marcus Tanner.
Lindur më 1961, Tanneri e përmbledh autobiografinë e tij si më poshtë: “U rrita në Esher, Surrey, shkova në shkollën Charterhouse, afër Guilfordit, dhe pastaj në Universitetin e Jorkut, ku kreva studimet universitare për histori (1980-1983) dhe në Universitetin e Kembrixhit ku mora gradën BA për Teologji (1983-1985). Pas një periudhe të shkurtër si zëvendës-redaktor në gazetën “The Indipendent” në fund të viteve 1980-të, shkova në Ballkan për të punuar për ata për gjashtë vjet si korrespondent ku mbuloja luftrat e ish-Jugosllavisë nga 1989 deri më 1994. Pas kësaj u ktheva për të punuar si ndihmës-editor i sektorit të jashtëm deri në vitin 2001. Pastaj u largova për të shkruar disa libra, mbi historinë e Kroacisë, apo konfliktin fetar në Irlandë, Keltët dhe Edith Durhamin, anglezen që pati një jetë interesante në Ballkan dhe ishte veçanërisht e përfshirë ngusht me Shqipërinë.
Fillova të punoj për Institutin e Raportimit mbi Luftën dhe Paqen (IWPR) si editor i pavarur derisa fillova punën në vitin 2006, si editor, në Rrjetin e Raportimit Investigativ për Ballkanin, BIRN, ku punoj edhe sot. Gjithashtu punoj me kohë të pjesëshme për “Tabletin”, një revistë katolike, kurse që nga viti 2017 redaktoj raporte për policinë – HMICFRS [(Her Majesty’s Inspectorate of Constabulary and Fire & Rescue Services) – Inspektorati që merret me testimin e vlerësimin e aftësisë së forcave të policisë dhe të shërbimeve të zjarrit e shpëtimit për interesin publik në Mbretërinë e Bashkuar]. Jetoj në Londrën perëndimore.” Shtojmë se Tanner-i është edhe trajnues i stafit shqiptar të BIRN-it.
Vepra e Tanner-it “Mbretëresha e Maleve e Shqipërisë: Edith Durham-i dhe Ballkani” zgjoi interes të madh në shtypin anglez dhe në lexues të shumë të Angli dhe në SHBA dhe mori vlerësime të larta.
Sipas botuesit I.B. Tauris, “Kjo vepër është historia e përpjekjeve të një anglezeje të shquar për ta shpëtuar Shqipërinë që të mos gëlltitej nga fqinjët e saj…”.“Zoti të ka dërguar për të na shpëtuar”, ishte mesazhi nga qytetarët e Beratit për Edith Durhamin, e cila arriti atje më 1904. Ajo ishte anglezja e parë që shkeli në atë pjesë të Shqipërisë. Udhëtare, shkrimtare dhe aktiviste e ndihmave humanitare, ajo ende kujtohet e nderohet në vendin që mori nën mbrojtje.
Në librin“Mbretëresha e Maleve e Shqipërisë” Markus Tanner-i gjurmon udhëtimet e saj nëpër Ballkan gjatë viteve që i paraprin dy Luftrave Ballkanike (1912-1913) dhe Luftës së Parë Botërore (1914-1918), duke iu referuar veprave të saj dhe duke i vendosur ato në një sfond e kontekst historik. Rezultati është një histori e gjallë e një gruaje të rrallë dhe e kohës së saj.
Autori ka përzgjedhur disa nga elementët kryesorë të jetës së Durhamit, pa hyrë në imtësira e skuta biografike. Lindur nê Londêr mê 1863, nê mesin e periudhês viktoriane, Tanneri tregon se ajo erdhi për herë të parë në Ballkan në vitin 1900, kur ajo ishte tashmë afër të dyzetave. Ky udhëtim, kryesisht për arësye shëndetsore, doli se ishte një pikë kthese në jetën e saj që i dha mundësi të bëhej një figurë e rëndësishme në rajon në vend që të mbetej në hije në vendlindje si një lëneshë proverbiale. Por kjo nuk do të thotë se gjithshka i shkoi ‘vaj’ në arratinë e saj: burrat vendas, të tërhequr nga paraqitja e hijshme e një gruaje të pamartuar, shpesh i propozonin për martesë, derisa njerëzit filluan ta adhurojnë si një qenie superiore, të gjithpushtetshme e të painteresuar për martesë.
Autori vë në dukje se Durhami, fillimisht nga “një prej femrave të vetmuara që guxonin të ndërmerrnin udhëtime në vende të panjohura duke marrë me vehte një bllok dhe një kuletë private”, brenda pak viteve u bë eksperte për “ngatërresat ballkanike” dhe aktiviste në fushatën për drejtësi, duke i përkrahur vëndasit në luftën e tyre për pavarësi e shkëputje nga sundimi otoman. Ajo botoi shtatë libra dhe shumë artikuj për të përditëshmet angleze rreth rajonit të Ballkanit, bashkë me shumë raporte mbi Luftën e Parë Ballkanike. Vëzhgimet e analizat e saj ishin zakonisht të mprehta dhe pa moralizime, bile shpesh me një finish sarkastik: për shembull, qeveria e përkohëshme shqiptare, sipas asaj, i përngjante një trupe të një operete komike nga Gilbert & Sullivan.
Duke iu referuar krijimtarisë së saj, Tanner-i shënon se Durhami në fillim e përkrahu Sërbinë, por me kalimin e kohës besnikëria e saj ndryshoi. Për njëfarë kohe ajo ishte në anën e Malit të Zi, duke qenë se ishte bërë e afërt me familjen mbretërore të këtij vendi, por simpatia e saj për Shqipërinë doli se ishte më e madhja e të gjithave. Mbasi vendi ynë shpalli pavarësinë e tij më 1912, Durhami menjëherë e kuptoi se çështja e kufijve duhej të zgjidhej dhe të manaxhohej për t’i sensibilizuar fuqitë e mëdha në Londër për këtë problem.
Me këmbënguljen e rrallë, pikëpamjet përparimtare dhe karakterin e pavarur, Durhami ishte më e përparuar se koha e saj në disa drejtime, por në disa drejtime të tjera ajo mbeti bijë besnike e kohës. Atë e akuzonin se e trajtonte si “manare të përkëdhelur një popull të vogël ballkanik” (domethënë popullin shqiptar), por Tanneri mendon se kjo akuzë është e padrejtë, ndonëse pranon se “ajo nganjëherë ishte paragjykuese ndaj kombeve të tërë”. Sipas tij, “ndër kontradiktat e tjera të saj përfshihen përbuzja për femrat dhe prirja për ta përkufizuar drejtësinë sipa mënyrës së saj. Megjithatë, fakti që ajo nuk ishte një ‘shënjtore prej gipsi’ e bën atë një figurë akoma më magjepëse. Ka kaluar një shekull dhe në botën tonë të studimeve post-koloniale paragjykimet e vjetra është vështirë të harrohen. Tani që Shqipëria është gati të integrohet në BE, një paraqitje e të shkuarës së saj është në kohën e duhur, veçanërisht kur ajo vjen nga dikush që ka qenë e pranishme në lindjen e atij vendi, e deshte atë vend dhe u përpoq të shkruante për të me kokë të freskët”.
Durhami dhe Lejni – këto dy gra të shquara anglo-saksone, mikesha të mëdha e besnike të popullit shqiptar, meritojnë një memorial të përbashkët ku të gjithë ne shqiptarët brez pas brezi të bëjmë homazh duke u përkulur me nderim para tyre. Publicistja e shquar angleze Rosie Whitehouse propozoi që të bëhet një film për Edith Durham-in – këtë grua të jashtëzakonshme, të pavarur dhe pa paragjykime. Më 17 mars 2016 Rosie Whitehouse shkruante në përshtypjet e saj: “Unë kalova disa kohë në Shqipëri, Kosovë dhe Mal të Zi verën që shkoi dhe e mora këtë libër me vehte për ta lexuar. Më pëlqeu shumë. E sillte të gjallë historinë e rajonit. Nuk ka aq shumë libra të rinj historie për këtë rajon dhe ato që kam lexuar kanë prirjen të jenë aq të thatë e seriozë sa që bëhen të mërzitshëm. Shyqyr zotit, Tanner-i ka sens humori. Durhami del qartë si një grua magjepsëse dhe do të ishte fantastike nëse dikush do të bënte një film ose një dokumentaar për jetën e saj plot ngjyra”. Do të thonim se, për të njëjtat arësye, po aq interesant dhe me vlerë do të ishte (pse jo?) edhe një film për Rose Wilder Lane-in. (Rosie Whitehouse është bashkëshortja e gazetarit të famshëm investigativ Tim Judah, President i BIRN-it. Ata kanë pesë fëmijë, një nga të cilët është gazetari Ben Judah që jeton në Nju Jork, SHBA, i martuar me gazetaren Rosie Gray, të bijën e shkrimtarit çifut nga Bostoni, Massachusets Peter Abrahams. Familja Judah janë me origjinë nga komuniteti i lashtë i çifutëve të Bagdadit.)
Për librin e Marcus Tanner-it mbi Edith Durhamin dhe shqiptarët presidenti i bordit të BIRN-it Tim Judah ka dhënë vlerësimin e mëposhtëm: “Një libër fantastik që sjell në jetë një karakter të vërtetë. Libri i përsosur hulumtues i Tanner-it do të jetë i mirëpritur nga kushdo që ka interes për Ballkanin. Në këtë libër shumë tërheqës e plot ngjyra të këndëshme ai gjurmon hap pas hapi jo vetëm një jetë të jashtëzakonshme e mahitëse, por e vendos fort biografinë e Edith Durhamit në kontekstin e kohës së saj, duke shpjeguar manovrimet përndryshe komplekse jo thjesht të politikanëve ballkanikë, por të fuqive të kohës. Por, më shumë se kaq, ai shpjegon qartë se si ngjarjet e një shekulli më parë kontribuan në konfliktet e kohës sonë dhe si Durhamit, të izoluar dhe të harruar nga fundi i jetës së saj, i ka dhënë të drejtë historia. Një libër original, i mirëpritur dhe në kohën e duhur.” (Tim Judah, Balkans Correspondent, The Economist)
Tharme biografike të Rose Wilder Lane-it
Janë bërë disa biogafi për Rose Wilder Lane-in duke vënë në dukje karrierën e saj të suksesshme si gazetarja më e paguar në botë e kohës së saj, si romanciere e tregimtare shumë prodhimtare, si biografe e talentuar, si publiciste e teorciene politike e guximshme dhe si bija e vetme e autores me famë botërore të serisë së librave për fëmijë “Shtëpia e vogël” Laura Ingalls Wilder (1867-1957). Mirëpo biografia më e plotë është “The Ghost in the Little House – A Life of Rose Wilder Lane”(“Fantazma në Shtëpinë e Vogël – Një Jetë e Rouz Uilder Lejnit”), botuar më 1993, vepër e historianit William Holtz, Profesor Emeritus i Anglishtes në Universitetin e Misurit, botues e redaktor i veprave të R.W. Lane-it.
Rose Wilder Lane lindi “trëndafil në dimër” më 5 dhjetor 1886 në një familje fermere në Dakotën e Jugut. Ishte fëmijë shumë e zgjuar. Kur ishte 3 vjeç mësoi të lexonte. Ishte lexuese e etur dhe shkëlqeu në mësime. Shkollimin e plotësoi me leximet e saj. Kur u bë 17 vjeçe iku nga ferma e varfër e prindërve të saj në Misuri për të çarë vetë në jetë. Punoi për pak kohë si telegrafiste e Western Union-it, si shitëse e pasurive të patundëshme në Kaliforni dhe pastaj filloi një karrierë të suksesshme si gazetare investigative për San Francisco Bulletin.
Më 1909 u martua me Gillete Lane-in. Pas një viti pati një lindje të komplikuar – i lindi djali i vdekur dhe pas kësaj ajo nuk mund të lindte më. U divorcua më 1918 dhe nuk u martua më.
Pas divorcit ajo vazhdoi me këmbëngulje strukturimin e një karriere të suksesshme jo vetëm në gazetari, por dhe në letërsi si romanciere, tregimtare, biografe dhe autore e librave mbi udhëtimet e saj në shumë vende të botës, duke u bërë kështu një figurë letrare e mirënjohur e kohës së saj. Ajo intervistoi dhe shkroi biografitë e miqve të saj Çarli Çaplin, Henri Ford, Xhek London dhe Herbert Huver. Ajo botoi 8 romane dhe disa libra të tjerë, ndër të cilët edhe “Majat e Shalës” (1822). Romani i saj “Le të ulërijë uragani” (1933) u bë një best-seller që vazhdoi të rishtypej gjatë katër dekadave dhe u dramatizua në televizion me titullin “Pionerët e rinj”. Libri i saj “Zbulimi i lirisë” (1943), i cili vazhdon të ribotohet e të kërkohet edhe sot, ndihmoi për të frymëzuar lëvizjen moderne libertariste.
Rose Lane-i arriti popullaritet të jashtëzakonshëm në gjithë Amerikën kur skeletin e tregimeve autobiografikë të nënës së saj e përpunoi dhe e mbushi me veprim e gjallëri në serinë e librave të dashur “Shtëpia e vogël” mbi përgjegjshmërinë individuale, vetbesimin, mirësjelljen, guximin dhe dashurinë. Shumë lexues i konsiderojnë këta si seria më e madhe e librave për fëmijë që është shkruar ndonjëherë. Librat e “Shtëpisë së vogël” u ekranizuan dhe u shfaqën për nëntë vjet me radhë (1974-1983) si filma serialë televizivë me një kastë aktorësh të famshëm holllivudianë si Michael Landon, Melissa Gilbert (që ka luajtur rolin e Laura-s në 191 seri nga 205 seritë që ka gjithësejt ky film), Richard Bull, Allison Balson, Alison Arngrim, Jason Bateman, etj.
Në dekadat e fundit të jetës së saj Lane-i u fokusua në konservatorizmin e saj politik që vinte duke u shtuar, në kritikat e saj kundër komunizmit e socializmit dhe çdo forme tjetër qeverisjeje që mohonte lirinë e individit. Kështu ajo u bë përfundimisht një rebele, sipas saj, në traditën e Revolucionit Amerikan, dhe zëdhënëse e lirisë individuale. Ajo e përshkroi transformimin e saj filozofik në një shkrim në gazetën Saturday Evening Post, i cili më vonë qarkulloi gjërësisht si librushkë me titullin “Më jep mua Liri”, por zhvillimin e plotë të filozofisë së saj të lirisë ajo e shpalosi në veprën “Zbulimi i Lirisë: Lufta e Individit kundër Autoritetit” (“The Discovery of Freedom: Man’s Struggle Against Authority”). Ajo konsiderohet gjërësisht si një nga figurat kryesore themeluese të Partisë Libertare Amerikane.
Puna e saj si korrespondente lufte shtrihet në rreth gjysëm shekulli – që nga Europa e Luftës së Parë Botërore (kur ishte në fillim të tridhjetave) deri në turneun e saj në zonën e Luftës së Vietnamit më 1965 (kur ishte 78 vjeç), duke qenë korrespondentja e luftës më e moshuar që e mbulonte atë konflikt.Më 1968 ajo po përgatitej për një turne në Europë por nuk arriti ta realizonte. Më 29 tetor ajo poqi disa bukë në shtëpinë e saj në Danbury, Connecticut, pastaj u ngjit lart në dhomë dhe ra për të fjetur. Pas mesnate, “aty nga orët e errëta pak para agimit”, shkruan Holtz-i, “zemra e sa u ndal.” Kështu, më 30 tetor 1968 Rose Wilder Lane-i nuk u zgjua më. Pelegrinazhi i saj kishte përfunduar.
Gjatë jetës së saj Lane-i birësoi dhe mori nën kujdestari disa fëmijë. I pari që birësoi ishte shqiptari Rexhë Meta më 1923, kur ajo ishte 37 vjeç; i dyti, të cilin e birësoi ligjërisht edhe si trashëgimtar, ishte amerikani Roger Lea MacBride më 1943, kur ajo po i afrohej të shtatëdhjetave; kurse të fundit që mori nën kujdestari ishte motra e përkthyesit të saj vietnamez më 1965, kur ishte gati 80 vjeçe dhe i kishin mbetur 2-3 vjet jetë. Vajza vietnameze i bëri përshtypje me inteligjencën e saj, prandaj e mori me vehte në Amerikë dhe i sponsorizoi regjistrimin në universitet.
Rexhë Meta rreth vitit 1932 me uniformën e Universitetit të Kembrixhit
Pertefe Dani/Meta
Do të shënojmë disa grimca të reja biografike rreth familjes së Rexhë Metës, të cilat m’i ka dhënë djali i tij Fitimi, të cilin gjej rastin ta falënderoj. Familja e tij ka jetuar në rrugën“Danej” të lagjes “Perash” në Shkodër. Pertefja, bashkëshortja e Rexhës, bijë e avokat Danit, kishte kryer kolegjin katolik të Motrave Stigmatine në Shkodër dhe kishte mësuar 3 gjuhë: italisht, frëngjisht dhe anglisht. Ka punuar si mësuese. Gjatë kohës që i shoqi ishte në burg, Pertefja mbante korrespondencë me Rose Wilder Lane-in në anglisht. Vëllai i Pertefes, Bardhosh Dani, u pushkatua më 18 gusht 1948në moshën 17 vjeçare kur tentoi të arratisej në prag të arrestimit. Sot një rrugë në Shkodër mban emrin e tij. Pertefja vdiq më 1986, një vit pas vekjes së bashkëshortit të saj. Më 1991 Prof. Sami Repishti kontaktoi me Roger Lea MacBride-in që banonte me të bijën e adoptuar Abigail në Florida, dhe i kërkoi që të lidhej me vajzën e Rexhës, Bora-Rose Metën, e cila kishte vajtur në Itali si refugjate. Roger-i dhe Profesor Repishti u lidhën me Borën,shkuan të dy bashkë në Itali dhe e morën në SHBA bashkë me dy djemtë e saj. Edhe ajo jeton sot me familjen e saj në qytetin e vogël bregdetar Naples, Florida. Kurse vëllai i saj Fitimi jeton në Belgjikë.
Pas adoptimit joformal të Rexhë Metës, ajo mori nën kujdestari më 1943 djaloshin Roger Lea MacBride, birin 14-vjeçar të redaktorit të revistës “Reader’s Digest” Burt MacBride, i cili do t’i botonte në atë revistë një variant të kondensuar të një romani të saj. Rouza e Roxheri u lidhën ngusht me njëri tjetrin dhe qysh adoleshent ai e quante veten publikisht si “nipi i adoptuar” i një mikeshe të familjes, shkrimtare dhe teoriciene politike. Roger Lea Macbride kishte lindur më 6 gusht 1929 në qytetin New Rochelle të shtetit të Nju Jorkut. Ai u diplomua në Universitetin e Prinstonit (Princeton University) dhe në Fakultetin Juridik të Harvardit (Harvard Law School) dhe u bë jurist, si dhe figurë politike, shkrimtar dhe producent televiziv. Rose Lane e edukoi Roger-in me filozofinë e saj libertariste. Ai u bë avokati i saj dhe më vonë u bë trashëgimtari i saj ekskluziv.Ai u bë aktivist i Partisë Libertariste dhe më1976 kandidoi për president të SHBA. MacBride-i punoi për disa vjet për firmën juridike White & Case nëWall-Street derisa hapi një zyrë të vogël në Vermont. Në mesin e viteve 1970-të ai u vendos në Virxhiniadhe nuk e ushtroi më profesionin e juristit full-time me kohë të plotë.
Roger MacBride (1929-1995)
MacBride-i trashëgoi pronat e patundshme të Rose Lane-it përfshirë të drejtat për pronat letrare të konsiderueshme Ingalls-Wilder bashkë me ekskluzivitetin për “Shtëpinë e vogël në fushat e paanë” (“The Little House on the Prairie”). Ai është autor i tre librave shtesë të serisë së “Shtëpisë së vogël” dhe filloi serinë e romaneve për fëmijë“Vitet e Rocky Ridge-it”, të cilët përshkruanin fëmijërinë e Rose Lane-it në Ozark. Ai u muar gjithnjë e më shumë me veprimtari politike, botoi manifestin e Partisë Libertariste “Një agim i ri për Amerikën: Sfida Libertariste” dhe dy libra mbi ligjin kushtetues – “Kolegji Elektoral Amerikan” dhe “Traktatet përballë Kushtetutës”. Gjatë viteve 1979-të MacBride-i bashkë-krijoi seritë televizive “Shtëpia e vogël në fushat e paanë”dhe ishte bashkë-producent i transmetimit të tyre duke përfituar të ardhura të majme.
MacBride ishte thesarmbajtës (arkëtar, financier)i PartisëRepublikane të Virxhinias më 1972 dhe një nga elektorët (zgjedhësit)e partisë kur Riçard Niksoni fitoi votën popullore për të qenë për herë të dytë President i Shteteve të Bashkuara. Megjithatë, MacBride-i veproi si “elektor i pabesë” duke votuar për të nominuarit e Partisë Libertariste – kandidatin për president John Hospers dhe kandidaten për zëvendës-presidente Tonie Nathan (producente televizive e famëshme) që ishte gruaja e parë në historinë e Shteteve të Bashkuara që mori një votë elektorale. Eksperti politik David Boaz komentoi më vonë në revistën “Liberty” se vërtet MacBride-i ishte treguar “i pabesë ndaj Niksonit dhe zëvendësit të tij Agnew, por ishte besnik ndaj parimeve kushtetuese që Rose Wilder Lane kishte injektuar (rrënjosur) tek ai”.
Pasi hodhi votën e tij elektorale më 1972, MacBride-i menjëherë fitoi pikë në Partinë Libertariste që ishte e re dhe kishte më pak se një vit që ishte formuar. Kur Partia Libertariste e nominoi si kandidat për president më 1976, ai mori akses për votime në 32 shtete; ai dhe zëvendësi i tij David Bergland morën 172,553 (0.2%) vota popullore nga numërimi zyrtar dhe asnjë votë elektorale. Rezultatin më të mirë e arriti në Alaskë, ku mori 6,785 vota, ose afërsisht 5.5%.
MacBride-i vdiq nga pushim zemre më 5 mars 1995 në Miami Beach, Florida, në moshën 66 vjeçare. Në fund të jetës së tij Roger Lea MacBride-i kishte grumbulluar një pasuri 100 milion dollarëshe nga prona e Rose Lane-it dhe honoraret e serisë “Shtëpia e Vogël”. Roger-i vetë nuk kishte fëmijë të tijët, por kishte adoptuar një vajzë sapo ajo kishte lindur më 1970, të cilës ia kishte vënë emrin Abigail MacBride Allen. Kur e mori vajzën e Rexhë Metës Borën dhe dy djemtë e saj në Florida, Roxheri i vendosi ata në një shtëpi të mobiluar mirë në Naples. Ai dhe e bija Abigaili jetonin në Miami Beach, por takoheshin shpesh me familjen e Borës. Bile Roxheri u përpoq që ta martonte vajzën e tij me djalin e madh të Borës, pork kjo martesë që do të bashkonte dy pinjollët e dy djemëve të birësuar të Rose Lane-it, pra rrjedhimisht edhe trashëgiminë e saj, nuk u realizua.Pas vdekjes së Roxherit, Abigaili trashëgoi e vetme pasurinë 100-milion dollarëshe dhe i ndërpreu kontaktet me familjen e Bora Metës, bile iu shmang çdo lloj pibliciteti aq sa nuk ekziston asnjë adresë dhe asnjë foto e saj në media.
Në kapitullin VI me titull “Come with Me to Europe” (“Eja me mua në Europë”) të librit mbi Rose Lane-in historiani Holtz përshkruan rrethanat rastësore të njohjes së saj me shkrimtaren dhe infermjeren e MGH të Bostonit Helen Dore Boylston (1895-1984). Pasi kreu studimet për infermjeri më 1917, po atë vit ajo shkoi si infermjere pranë forcave britanike në frontin e luftës në Francë, ku shërbeu si anesteziste me gradën e kapitenit. Pas Luftës së Parë Botërore Boylston-i kishte shërbyer në Shqipëri si infermjere me Kryqin e Kuq Ndërkombëtar përpara se të takohej me Lane-in.Ajo bashkë me një shoqe tjetër infermjere, Kitty Van-Buskirk, po shkonin me tren nga Parisi në Varshavë, pas mbarimit të shërbimit të tyre në Shqipëri. Në atë tren udhëtonte dhe Lane-i, e cila u njoh me dy infermjeret e reja amerikane gjatë një rrëmuje për caktimin e krevateve dyshe në vagon dhe u miqësua menjëherë me ato. Historitë që i treguan për përvojën e tyre të luftës e magjepsën Lane-in, të cilat ajo i përfshiu në një shkrim gazete për lexuesit e saj në San Francisco. “Ky ishte fillimi i një miqësie të gjatë e të rëndësishne” (H Holtz, 1993, f. 100) midis Rouzës dhe Helenës. Ishte pikërisht Helen Boylston qëdo ta shoqëronte Rouzën në shtator 1926 për në Shqipëri. Gjatë përgatitjeve për udhëtim, në periudhën mars-shtator 1926 ato studjuan frëngjisht, italisht, gjermanisht dhe rusisht në Shkollën Berlitz në Sorbonne, Paris. Në gusht ato blenë një veturë ngjyrë gështenjë të modelit “T-Ford” që ia vunë emrin “Zenobia ” (në nderim të mbretëreshës rebele siriane të shek. III) dhe udhëtuan me të nga Parisi në Tiranë duke marrë me vehte edhe Yvonne-ën, shërbëtorën e tyre franceze. Lane-i e përshkroi me hollësi këtë udhëtim nëlibrin e saj “Udhëtime me Zenobian” nga Parisi në Shqipëri me Modelin T-Ford”, i cili u botua më 1983, 15 vjet pas vdekjes së Rose Lane-it(Holtz, f. 161-3).
Lane-i e Boylston-i jetuan dy vjet në një shtëpi me qira në Tiranë, por shkonin shpesh në Shkodër, sepse Boylston-i ndihmonte drejtoreshën e një shkolle shqiptare për infermjere, e cila gjithashtu kishte kryer shkollën e lartë të infermjerisë nëMGH – Massachusetts General Hospital (Spitali i Përgjithshëm i Masaçusetsit).
Holtz tregon për një nga udhëtimet e Rose Lane-it në Shqipëri: “Ishte vetëm një lundrim me varkë nëpër Liqenin e Shkodrës për të arritur në Shqipëri. Për këtë ajo kishte dëgjuar plot histori nga Helen Boylston-i. Ajo planifikoi ta përshkonte këtë gjatë kthimit për në bregdetin adriatik dhe prej andej të shkonte në Konstandinopojë. Aventura shqiptare do të ishte pika kulmore e viteve që kishte kaluar në Europë dhe do të linte gjurmë në jetën e saj përgjithmonë” (Holtz, f. 108).
Pastaj më tej autori përshkruan vazhdimin e “aventurës së saj shqiptare” dhe rrethanat e njohjes së saj me dy mësueset e infermjeret e reja amerikane që punonin në shkollën kur para disa vitesh, më 1921, kishte qenë ajo vetëme një shoqen e saj dhe kishte njohur nxënësin 12-vjeçar Rexhë Metën: “Në qytetin e Scutari-t (tani Shkodre) ajo gjeti një situatë të njohur—dy amerikane të reja kompetente që drejtonin një shkollë dhe klinikë për fëmijë. Por Betsy Cleveland dhe Margaret (Alex) Alexander po bëheshin gati për t’u nisur në një espeditë në malet e Shqipërisë së veriut për të gjetur vende të përshtatshme për hapjen e shkollave të reja për të cilat kishin mbledhur fonde ato vetë. Rouza nuk mund ta linte t’i ikte nga dora ftesa për t’u bashkuar me ta. Kështu, me 12 prill ato u nisën me kuaj, të shoqëruar nga një karvan me mushka të ngarkuara me ushqime, dy xhandarë, një nëpunës shqiptar si përkthyes dhe, në çastin e fundit, një djalosh musliman, Rexh (Redge) Meta, veshja e të cilit përbëhej nga fesi i kuq tradicional dhe pizhama amerikane. Pas ditës së parë të udhëtimit, kuajt dhe shoqëruesit e karvanit të mushkave u kthyen mbrapa; pjesa tjetër e udhëtimit, me përjashtim të ditës së fundit, do të bëhej më këmbë nëpër një vend më të egër se ai qëkishte parë Rouza në High Sierra të Kalifornisë.” (Holtz, f. 108-9)
Ky përshkrim na ndihmon për të mbledhur disa ‘grimca’ biografike për Elizabeth Cleveland Miller-in, autoren e dy librave me temë shqiptare; njohjen e Elizabetës me Rexhë Metën, i cili kishte qenëmë parë nxënës i kësaj jetimoreje, punën e saj si infermjere e mësuese në shkollën dhe klinikën e fëmijëve të jetimores në Shkodrës të drejtuar e të administruar prej saj dhe shoqes së saj, infermjeres tjetër amerikane Margaret Alexander; mbledhjen e fondeve prej tyre për të hapur shkolla të tjera në malësitë e Shqipërisë së veriut; ekspeditën e tyre për të gjetur vendet e përshtatshme për ndërtimin e shkollave dhe ftesën që i bënë Rouzës për t’i shoqëruar si dhe lidhja e ngushtw e Rouzës me Rexhën. Arsyetojmë se gjatë ekspeditës Elizabeth Cleveland Miller ka komunikuar me Rexhë Metën që tashmë fliste mirë anglisht, dhe është miqësuar me të duke ia njohur inteligjencën e aftësitë si nxënës i shkëlqyer në Tekniken e Tiranës. Kjo duhet të kishte qenë dhe një arësye që njërin prej dy librave të saj mbi Shqipërinë (“Prenda e Shqipërisë”) ia kushton Rexh Metës dhe nxënësit tjetër të asaj shkolle Palok Shkjezi, babait të aktorit Ndrekë Shkjezi. Pra, “Betsy Cleveland” që takon Rose Lane-i në jetimoren e Shkodrës është pikërisht Elizabeth Cleveland Miller.
Historiani Holtz e përshkruan kështu lidhjen e Rose Lane-it me Rexh Metën, ish-nxënësin e jetimoressë Shkodrës, i cili “në çastin e fundit” i ishte bashkuar ekspeditës, me sa duket për të qenë pranë Rouzës si përkthyes e shoqërues,duke rikujtuar historinë e trishtë të jetimit nga Vuthaj dhe takimin e saj të parë me të:
“Shqipëria ishte gjithashtu vendi i parë në të cilin ajo kishte ndeshur një traditë muslimane vitale. Sundimi turk prej shekujsh nuk e kishte sjellë Islmin në male, por ultësirat e qytetëruara ishin bënë përgjithësisht muslimane. Ai ishtë besimi i Rexh Metës së ri, familja e të cilit ishte therur nga serbët gjatë tërheqjes më 1915, kur ai ishte fëmijë. Siç e ka treguar më vonë Rouza, Rexha i kishte shpëtuar masakrës nga që kishte qenë nën një pirg trupash të vrarë. Duke mbajtur në sup një pushkë të vjetër me qytë argjendi që ishte më e gjatë se ai vetë, ai kishtë çarë rrugën nëpër male për të arritur në Shkodër. Herë-herë gjatë rrugës kishte vrarë ndonjë serb. Një herë në Shkodër ai ishte bërë kryetari i një ‘familjeje’ informale me fëmijë refugjatë të rrugëve dhe ishte kujdesur për ata deri në kohën kur ekipi amerikan i ndihmave humanitare i kishte sjellë në jetimore. Ai kishte mësuar anglisht shpejt. Dhe tani ai nuk i ndahej Rouzës dhe i shërbente si udhërrëfyes, këshilltar dhe përkthyes kurdoherë kur ajo kishte nevojë. Mosha e tij në atë kohë ishte, sipas llogarive të ndryshme, dymbëdhjetë ose pesëmbëdhjetë vjeç. Rouzës i kishte vajtur menjëherë mendja te djali i posalindur që kishte humbur në Kansas City se ai do të kishte qenë thuajse në të njëjtën moshë me këtë jetim musliman. Kur arritën në fund të udhëtimit, ajo ishte bindur se Rexha i kishte shpëtuar jetën. Si mirënjohje, ajo do të bëntë gjithshka më vonë për t’ia bërë atij jetën më të lehtë”. (Holtz, f. 109)
Dhe ne e dimë tashmë se çfarë bëri ajo për Rexhën dhe familjen e tij: e birësoi, e shkolloi, e shpëtoi nga pushkatimi dhe la amanet për ta ndihmuar familjen e tij.
Komentet