Ne ishim eseniniane, jo se shkruanim dot si ai, por patëm diçka nga argjendi i ndjenjave kumbuese si të atij, nga zhgënjimet e thella dhe nga ajo vetëvrasje që na bënë pak nga pak e dikë më shpejt e dikë e pushkatuan menjëherë.
Por Esenini gjithsesi për ne, gjenerat e mia, është një ikonë përbashkuese, edhe e vrasësve të tij tani apo bijve të tyre edhe në Shqipërinë tonë.
Kur isha në Saint Petërburg në Rusi, kërkoja të gjeja me doemos vendin ku ndodhi tragjedia, që të qaja në heshtje dhe për tragjeditë tona.
E gjeta. Dhe shkruajta…
Po risjell nga shënimet e mia, prapë, se është data 28 dhjetor, e vetëvrasjes së poetit Sergej Esenin…
NË PROVINCËN TONË
1.
Edhe kur s’dinim gjē, tē vegjēl, nē Lushnjen tonë, çuditērisht e dinim se para njē Viti të Ri, pikërisht më 28 dhjetor, atje larg në Rusinë e ndaluar si e gjithë bota, tutje, poeti Sergej Esenin, aq shumë i dashur, magjepsës fare, çudi si e kishin botuar tek ne, kishte vrarë veten dhe ishte 30 vjeç, madje kishte prerë venat dhe me gjakun e tij kishte shkruar poezinë e lamtumirës, dy strofa.
– E si do të ishte ajo poezi?
– Po ku e gjejmë dot…
– Poezia e vërtetë në fund të fundit me gjak shkruhet.
– …tek ne e shkruajnë me gjakun e të tjerëve…
– Kujdes! Është me rrezik kjo!
– Po pse e vrau veten Esenini?
– Dëshpërimi, zhgënjimet nga revolucioni.
– Po kjo qenka më me rrezik!
– S’ka ndodhur tek ne, jo, por në Bashkimin Sovjetik. Në dimër, në Leningrad, në Hotelin “Ingliterra”, kështu quhej…
Dhe as kisha guximin ta imagjinoja atëhere se do të vinte një ditë, pas burgut tim, që do të shkoja atje, në atdheun e Eseninit, te ai qytet dhe do të bujtja në atë hotel të mallkuar…
2.
Esenini, besoj, se më i dashur se kudo, ishte në Shqipëri, pas Rusisë së tij natyrisht dhe prapë besoj se në Shqipëri më i dashur se në çdo qytet ishte në Lushnjë. Duke qenë lirik i mrekullueshëm i fushëtirave pafund, ku derdhej dritë hëne si qumësht, i dashurisë që frushullonte befas si një beriozë në erë, i varfërisë si një qen rruge dhe i zhgënjimeve të rënda të revolucionit bolshevik, që sipas Eseninit, erdhi si një tren i rëndë dhe trembi këngët e zogjve dhe do të rendëte për në gulagët pas mjegullave, etj, etj, – kështu bisedonim, – edhe Lushnja lirike e njihte atë dhimbje, sidomos me fshatrat e internineve përreth, gjithmonë me baltë dhe dhunime…
Prapë besoj se Esenini më bukur se në çdo gjuhë tjetër është përkthyer në shqip. Tringkues, me rimat si zile dhe me ato metaforat që hovin si tymtarë mbi borë apo si kryqe muzgu.
E shqipëruan poetë të rinj, që do të bënin emër e u ndikuan prej tij, Kadare e Agolli, por që i mbetën besnikë deri në fund më duket se ishin Vangjush Ziko e Jorgo Bllaci e Agim Shehu . E shkërbyen poetët, ndoshta më shumë treshja Musa Vyshka, Shefki Karadaku e Viktor Qyrku, po edhe Sulejman Mato ndonjëherë, kështu më dukej, kurse në Lushnjën tonë si eseninian shkëlqeu poeti nga fshati, gjithmonë me çizme, miku ynë, Sherif Bali. Por ai s’mund të botonte libër, ishte me “biografi të keqe”, gjyshi i tij ishte shpallur “kulak”, fjalë ruse dhe kjo nofkë, e ardhur prej andej. Por ajo që do të ndalohej, do të ishte poezia e Eseninit, sepse marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik do t’i prishte keqas Shqipëria e Enverit.
Dhe Esenini na u bë më i shtrenjtë e më i rrezikshëm. Isha nxënës dhe “Lirikat” e tij m’i dha regjisori Tahsin Demiri, madje m’i fali. Mësova përmendësh plot, mbi 50 poezi, që do të më ndihmonin shumë kur do t’i thosha me vete në birucë, kur më arrestuan, por edhe kur shtynim vagonat në minierë në burg, bashkë me Çim Kurtin apo kur bisedonim nën zë për përkthimet me Maks Rakipajn. Poezia na bashkoi më shumë se prangat…
Atëhere nxënës më dukej se çdo poet, për të qenë i mirë duhen të ishte si Esenini. Ja, mësuesi ynë, poeti Faslli Haliti, nuk shkruante si ai, përkundrazi, por ama ka imazh, ka dhe një baladë për Eseninin, por u detyrua ta botonte sikur i kushtohej një poeti tjetër rus, Pushkinit, por ne donim Eseninin. Edhe Baki Nexha sikur mundohej të shkruante si Esenini. Edhe Halili, megjithëse është tregimtar, ka poetikë të esenintë. Unë nuk ia dilja dot. Doja edhe s’doja. Eh, ku shkruhet si ai, por më të rinjtë se ne, Bujari psh, por edhe Shpendi kanë diçka eseniniane, me kuaj, aq… Po atë e kemi të gjithë, e ka e gjithë poezia shqipe. Ashtu? Pse?…
Dhe vazhdonim të recitonim poezi të tij. Ia thosha Flamurit, ai mua…
Natyrisht, gjëra të tilla i bënim jo me këdo, mund të na krijonin shqetësime, të na vinin “fletë-rrufe” apo të shkruanin fshehurazi lart deri të Enveri…
Së pari gjithçka e bisedoja me tim vëlla më të madh se unë, Ilirjanin, por dhe me mësuesen e mrekullueshme Lirinë, nuk na ndahej mirësia e saj, jetonte te barakat, sa e donte Eseninin ajo! Dhe Eva e saj na jepte libra të ndaluar, që s’i gjenim dot…
Por me poetin Sherif Bali sikur ngjallej vetë Esenini për ne..
3.
Në Lushnje shpërngulet kritiku i njohur atëhere, Razi Brahimi, e sollën drejtor të shtëpisë së kulturës, ku punonte dhe im atë, aktor estrade, u miqësuan bashkë, shkak do të ketë qenë dhe rakia, e pinin ca si shumë. Raziun e kishin hequr nga Tirana, nga shtëpia e vetme botuese, shtetërore, se kishte redaktuar a nxjerrë a të dyja bashkë romanin “Tuneli” të Dhimitër Xhuvanit, që u ndalua si nxirës i realitetit, si revizionist. Por kritiku Razi Brahimi kishte në bibliotekën e tij të gjithë veprën e Eseninit në origjinal rusisht, 4 apo 5 vëllime, nuk jam i sigurtë tani, të kaltër me kapakë të fortë me firmën e Eseninit të praruar me ar. Brenda kishin fotografi bardh e zi, Esenini djalosh, i hijshëm, prindërit, izba, etj. Aq shumë poezi në gjuhën e tij me cirilike dhe ne pothuajse s’kuptonim asgjë, ndonjë fjalë tek-tuk. Aty sigurisht shtriheshin stepat e poezisë së tij, grunoret, shtigjet hënore, qershitë si plagë, klithma korillajsh, letrat e dhëmbshura nënës, dashuritë pafund, sajat, troke kuajsh… ah, të mbuluara si me borë të bardhë me gjuhën e huaj. Çfarë vuajtje! Sa e ftohtë ishte padituria, ç’mëkat.
– Shih, një poezi e vogël, një strofë, merre fjalorin ta përkthejmë, – më tha im vëlla, Ilirjani, gjimnazist.
– Pse, lejohet? – u ngazëlleva.
– Ça ka? – tundi kokën e madhe plot me flokë të zinj ai.
– Nuk janë të caktuar ata që përkthejnë?
– Nga Komiteti? – u tall ai.
Poezinë jo vetëm që e kuptuam, por Ilirjani iu përvesh punës që ta rimonte. E mbaj mend përmendësh edhe sot e kësaj dite:
Atje tek lehëza me lakra
Uji i kuq lindjen skuq tepër.
Panjës’vogël bletë krahë-arta
Ia thithi sisën e gjelbër.
– Ti do të thuash se aty s’ka fare as fjalën “tepër” as “krahë-arta”, – ma ktheu Ilirjani, – por i kam vënë për rimë.
– Pse, ça je ti? – dukej sikur doja sherr unë. – Po fjala “sisë” nuk është turp?
– Jo…
Në gjimnaz jepte lëndën e rusishtes një mësuese ruse, Luiza, po sikur të pyetej ajo si ishte përkthimi?
Tē nesērmen po bisedonim me Ilirjanin:
– As e preku librin me dorë…
– Si duroi?
– Lexoni Majakovskin, tha. Por dhe ai ka vrarẽ veten…
– S’ka faj ajo, është e huaj, ruse, ruhet, është si në internim këtu…
4.
Vërtet, po andej nga fshatrat e internineve, baltrave, kishte poetë, do t’i njihja, Lazri, Leka, Jozefi, Bajamja, Ferdinandi… po si u dukej Esenini?
Po në Kosovë? Në këtë këtu? Jo, në atë andej… E ku lejohej të na vinin libra… Vonë do të zbuloja se sikur s’kishin eseninianë, jo s’e nuk e kishin përkthyer, jo aq mirë sa këtej, por poezia e tyre ishte më shumë Perëndimore dhe hermetike, jo imazhiniste dhe sivjetike.
Ndërsa larg në Rusi, e dinim eseninizmin e tyre, ishte klasik. Adhuruesit e Eseninit do t’i imitonin dhe vetvrasjen…
Ndërsa kritikët e tij dhe mos-honepsit e tij tek ne do ta kthenin fletën tani, do ta përmendnin me mallëngjim të shtirur.
…kur isha student në Shkodër, kur më shqyheshin këpucët nga bredhjet dhe shirat e shumtë, i çoja te këpucari t’m’i ndreqte, atëhere të kërkohej emri, e shkruanin në faturën që e fusnin në këpucë, që të mund t’i gjenin në pirgun e madh, – që mund t’i krahësoj, tani që dhe kam parë, me këpucët në grumbuj në muzeumet e holokaustit, – atëhere pra, thosha se më quanin Sergej Esenin. Si, si? – buzëqeshte këpucari. Por kjo më ndodhte vetëm në Shkodër.
Dhe me ato këpucë shkoja në Lezhë, te miqtë, Rudolfi dhe Ndoci, poetë të njohur që atëhere, për të “shkëmbyer” poezitë dhe fshehurazi dhe përkthimet. Në konvikt, në dhomën e ftohtë, kisha përkthyer dhe diçka nga Esenini, 4-5 poezi të vogla, bashkë me shokun e dhomës, Moisiun.
Poeti Skënder
Rusi ishte më eseniniani ynë.
Pengu për të gjetur poezinë e fundit të Eseninit, atë të shkruarën me gjak, nuk do të më ndahej.
5.
Pas rënies së perandorisë komuniste, kur dhe në vendin tonë do të shpërbëhej diktatura, poezia e lamtumirës së Eseninit u përshi në botimet e reja që do t’i bëheshin atij. Unë gjithmonë i kërkoj në 28 dhjetor ato vargje, që në atë datë u shkruan me gjak. I shoh përkthimet në italisht, anglisht… po si janë rimat në rusisht?
Dhe rrekem ta risjell në shqip, po dua dhe rimat, se jam ca dhe eseninian:
***
Lamtumirë, lamtumirë miku im,
Në zemër të kam përjetë.
Ikja, nëse ka parashikim,
Takimin e premtuar do të ketë.
.
S’duhen fjalë dhe gjeste, përse,
Mik i dhembshur, t’më kuptosh.
Të vdesësh në këtë jetë s’është e re,
Sigurisht e re s’është dhe të jetosh.
Me gjakun e venave të prera janë shkruar këto vargje? Dhe pastaj Esenini vari veten në Hotel “Ingliterra”. Pse? Në kulmin e poezisë së tij dhe të bukurisë. Dhe le të ishte dhe kulmi i dëshpërimit, që mirë u bënte të dyjave. Nuk ka vetëvrasje, por vrasje, thotë një poet tjetër, bashkatdhetar i tij, Evgeni Jevtusheko, që, kur isha në Rusi, pyeta për të dhe më thanë që është një lloj Esenini i sotshëm.
Pse e vetëvranë atëhere Eseninin? Ai ishte bërë i famshëm si poet, jo vetëm për sinqeritetin mahnitës dhe kundër, por dhe për skandalet e shumta e dehjet e martesat e shpeshta, të zhgënjyerit të madh nga revolucioni “Lenini i ngjante i tmerrshëm si sfings”. Policia sekrete, Çeka a KGB-ja, Kremlini i carëve të kuq, s’e kishte të vështirë ta zhdukte Eseninin, edhe pse ai ishte bërë aq popullor dhe adhuruesit e shumtë e kishin ikonë të tyre, por kështu ai mund të shndërrohej në mit. Ç’t’i bënin, pra, eseninizmit që ishte krijuar si rrymë e metodë, madje dhe modë, më keq akoma, si qendrim. Ky ishte rreziku i vërtetë dhe i madh. Që eseninizmi të shihej si një rrugë pa krye, themeluesi i saj duhet të vriste veten. Kushtet ia krijonte pushteti sovjetik. Mund ta ndihmonin deri në fund ta vetëvarnin. Në kufomën e Eseninit, pasi e zbritën nga litari në dhomën e tij në Hotel “Ingliterra” në Leningrad, në mëngjesin e vranët të 28 dhjetorit të vitin 1925, i janë gjetur gjurmë dhe shenja nxirjesh në krahë e brinjë nga torturat. Po poezia e shkruar me gjak? Ajo i drejtohej mikut të tij Antaoli Marienof, kështu u tha dhe se i ishte dhënë atij një ditë më parë për ta lexuar.
Esenini i vdekur u çua në Moskë dhe prehet në varrezat në Vagankovo. Po eseninizmi a u varros?
6.
Ditët e mia në “Venecian e Veriut” siç quhet Saint Petersburg, ishin të pakta, dëshirat për të parë shumëçka ishin të mëdha, programi i ngjeshur, mahnitja, ankthi i netëve të bardha, 300 urat mbi lumin Neva… i shkruaja Edës time që bashkë me Atjonin ishin në Lugano, në Zvicër, madje me poetët Jevtushenko e Sebastiano Grasso, më pyesnin se si po ja kaloja… bie shi petersburgas… burg… Njevski Prospekt, shtëpia e Pushkinit… Çajkovski, Gogoli, pensioni i Raskolnikovit të romanit “Krim dhe ndëshkim”, Dostojevski, Teatri “Marinskij”, qindrat e busteve dhe shtatoreve të Leninit e Stalinit ishin hequr, kanë mbetur nja 4 gjithsej të Leninit, pse?… po bashkëvuajtësit e mi, kështu i quaj, poetët Mandelshtam, Brodski kanë statuja?… Pallati i Dimrit, Hermitazhi marramendës, ku, ku e goditën me top nga kryqëzori i anijes “Aurora” dhe ndryshoi historia, u bë kampi socialist në gjysmën e botës, kampet e përqëndrimit, burgjet… a janë në mure gjurmët e goditjes si në brinjët e Eseninit? Dhe iu shmanga sado pak të gjithave, doja Eseninin, gjurmët e tij të gjalla, ma kërkonte… vetja ime e dikurshme… fati… po edhe eseninianët e Lushnjës time… pengu… antologjia e dhimbjes… e kisha premtuar…
ELEGJIA IME
KU U VRA ESENINI,
NË HOTEL “INGLITERRA”
NË PETERSBURG…
Shën-Petersburg, 02. 06. 2014
Elegjinë time, që ma merr frymën, e kam dhe në libri tim, “Si na erdhi ai, i ndaluari”, është fjala për poetin Evgeni Jevtushenko… m’u desh ta shkruaja… dhe bota nga atëhere ka ndryshime tẽ mẽdha e tē rēnda…
7.
Rusia ẽshtẽ ende nē njẽ luftē gjakatare tē padrejtē me Ukrainēn ngjitur. Vriten jetē njerëzore dhe shkatērrohen qytete. Qielli çahet nga bombat… Dhe poezia ēshtē damarprerē dhe po shkruhet me gjak…
Unē desha të thosha se ditët tona tẽ dikurshme, ato të paktat që ishin vërtet tonat, kishin diçka eseniniane, atë bukuri të trishtë dhe hov të hutuar, dashuri dhe përndjekje, që fillon që nga bankat e shkollës dhe sikur vazhdon… prandaj janë dhe ato njollat mavi si në krahët e Eseninit pas torturave fatale.
Fantazma poetēsh dalin nga gērmadhat përmes tymrave dhe pluhurit të luftës… Se ai vret veten gjithkund, jo vetëm në çdo 28 dhjetor.