NGA HYQMET ZANE/ Janë të shumtë shembujt e studentëve shqiptarë që studiuan në vendet e Lindjes, por edhe të Perëndimit që në atdheun e tyre u persekutuan, u burgosën, u pushkatuan dhe u internuan. Ata ishin potenciale intelektuale që studiuan me zell në fusha të ndryshme të shkencave dhe u vlerësuan maksimalisht atje ku studiuan dhe u panë me syrin e keq të partisë në pushtet me xhelozinë e madhe të diktatorit që shkoi për studime në Montpelie të Francës dhe erdhi në Shqipëri pa diplomë pa dhënë asnjë provim dhe me një nam të keq moral. Moska, kryeqyteti i ish- Bashkimit Sovjetik, u bë vendi ku studioi në Akademinë e Inxhinierisë Fiqiri Belishova, vëllai i të vetmes anëtare të Byrosë politike deri më 1960 Liri Belishova që pati fatin e një persekutimi të rëndë. Dënimi i saj u bë shkak edhe për persekutimin e të vëllait dhe familjarëve të tjerë të saj. Ky persekutim filloi që më 1947 për Lirinë dhe për vëllain Fiqiriun edhe pse ishte 13 vjeç, që ishin antijugosllavë, duke e përjashtuar nga shkolla ushtarake në Tiranë. U persekutuan edhe shumë të tjerë që ose u vranë si Mustafa Gjinishi e të tjerë, ose pas luftës si Lef Nosi që tha se “djemtë janë të rinj, por nuk e kuptojnë se serbët ia kanë me hile”.
Fiqiriu, pasi mbaroi shkollën e lartë ushtarake, ku u titullua oficer në vitin 1954, e dërgojnë për studime në Akademinë e Inxhinierisë në Moskë në specialitetin e fotogrametrisë të cilën e mbaroi me rezultate të shkëlqyera. Pikërisht atje u njoh me një vajzë ruse Valentinën dhe kur erdhi me të në Shqipëri, iu lind një vajzë me emrin kuptimplotë shqiptar Iliriana. Por prishja e marrëdhënieve me BS, Valentina me të bijën Ilirjanën e vogël ikën nga frika e persekutimit nga Shqipëria. Këtu nisi edhe persekutimi i Fiqiri Belishovës.
Ai u lind në Mallakastër më 12 maj1934 në një familje patriotike me emër në krahinë. Në vitin 1940, familja Belishova u transferua në Tiranë, ku Fiqiriu kreu shkollën fillore, 7-vjeçare dhe të mesme, si edhe të lartën ushtarake. Nga këto familje të mirënjohura dhe me emër të krahinave të ndryshme të Shqipërisë dolën intelektualë të shquar që studiuan dhe u kthyen në vendin e tyre me pasionin për kontribute në atdhe. Kurrë nuk do ua merrte mendja se partia e Enver Hoxhës pa shkollë të lartë dhe si shërbëtor i serbizmit dhe më pas i stalinizmit do t’i denigronte, do i poshtëronte, do i burgoste, do i pushkatonte dhe internonte familjet, pa asnjë faj, por për xhelozinë dhe ligësinë e diktatorit që i urrente të shkolluarit me potenciale intelektuale.
Kështu e pësoi edhe Fiqiriu që e larguan nga çdo funksion dhe detyrë në Ministrinë e Mbrojtjes dhe u dërgua në Korçë dhe më pas në Elbasan, në Ndërmarrjen e Bonifikimit dhe Ujërave. Shumë shpejt ing. Fiqiriu dhe pse ishte i përndjekur fitoi respektin e kolegëve dhe shokëve të punës, një bashkëpunues e udhërrëfyes në profesion e jetën e përditshme.
Duhet të themi se si njeri me nivel të lartë në hidroteknikë dhe me njohuri, në çdo sektor jetik të vendit në këtë periudhë filloi ndërtimi i rrjetit vaditës dhe kullues, ku Fiqiriu kontribuoi në çdo vepër hidroteknike. Nuk ka rezervuar, kanal vaditës dhe kullues, stacion pompimi dhe hidrovor, mbrojtje nga lumenjtë dhe ujërat e larta ku nuk është shfaqur mendja dhe dora e inxhinier Belishovës.
Në fillim të viteve ’70, u krijua Ndërmarrja e Ujërave, Ujitjes, Kullimit dhe Sistemimit të Tokës, ku kontributi i inxhinier Fiqiriut ishte shumë konkret, duke përfshirë ideimin, projektimin, ndërtimin dhe shfrytëzimin e veprave hidroteknike.
Një kontribut të veçantë ai dha në ndërtimin e rrjetit vaditës të Dumresë, si dhe në ndërtimin e rezervuarëve të Shalsit, Xibrakës, Marinzës, Plevicës, Projt të Zi dhe të tjerë, si dhe ndërtimin e mbi 50 stacioneve pompimi me rrjetin e kanaleve shpërndarës.
U ndërtua dhe u përmirësua kapaciteti ujëmbajtës i Liqenit të Cestijas si dhe shpërndarja me rrjedhje të lirë duke u vaditur mbi 1200 ha tokë në Dragot e Kosovë. U tha fusha e Leshnicës duke ndërtuar sistemin e kullimit me Hidrovor dhe u përfituan mbi 20 ha tokë bujqësore. Gjithashtu, në Dumre u ndërtua rrjeti ushqyes i rezervuarëve dhe liqeneve nga tre linjat Shkumbin, Devoll dhe Rezervuari i Thanës, ku dërgoheshin 30-35 milion m³ ujë.
Në Peqin u ndërtuan rezervuarë dhe stacione pompimi, si dhe mbrojtje nga lumi Shkumbin.
U ndërtua rrjeti mbrojtës nga ujërat e larta të fushës së Sulovës së Poshtme nga Floqi në Selitë dhe përmirësimi i kanalit vaditës të Sulovës dhe ndërtimi i stacioneve vaditëse. Pesëmbëdhjetë degët e përrenjve të Sulovës u disiplinuan dhe nuk kryenin më përmbytje.
Është një gamë e madhe punësh me rëndësi jetike që inxhinier Fiqiri Belishova me një barrë studimore dhe eksperiencë të bëhej i kërkuari dhe i domosdoshmi në zgjidhjen e shumë problemeve që nuk mund t’i zgjidhnin dot mediokrit e pushtetit me tesera partie apo hetuesit e sigurimit. Është ky njeri me potencë të madhe intelektuale që më në fund të meritonte një mirënjohje të madhe nga kolegët, profesorët dhe Këshilli i Qarkut Elbasan që zhvilloi një ceremoni nderimi për fëmijët e babait të dashur dhe punëbërësit. Për këtë kryetarja e Këshillit të Qarkut Ermira Urupi e celebroi me titullin “Mirënjohja e Qarkut Elbasan”.
Profesor Fetah Elezi apo inxhinier Haxhi Gjini e shumë të tjerë që kishin punuar me inxhinierin akademik Fiqiri Belishova nuk gjenin fjalë vlerësimi për të shprehur komplimentimet e tyre për njeriun që studioi dhe u bë një akademik i sektorit të ujërave dhe më gjerë. Ishte kjo edhe një veprim kuptimplotë për fëmijët Ilirianën, vajza që kishte me Valentinën ruse që kishte ardhur nga Franca ku jeton tanimë, po ashtu edhe Enkelejda, Aida dhe Endri me zonjën e tij Agapinë që e deshi dhe e vlerësoi shumë bashkëshortin Fiqiri. Edhe prania e nipave të tij si Petrit Çomo (Belishova) djali i Lirisë, shoqëruar me miq të kësaj familjeje, bënë plotësinë e një atmosfere vlerësimi miqësor më shumë se sa zyrtare.
Sipas kujtimeve të oratorëve që sollën mesazhet e tyre për Fiqiri Belishovën, pohuan se ai ishte njerëzor dhe një vëlla i dashur dhe i përkujdesur për motrën e tij Lirinë dhe vajzën e ndjerë të saj Drita që ishte drama e madhe që iku nga jeta më sëmundjen e rëndë në moshën 21 vjeçare dhe nënën Liri nuk e lejuan të vizitonte vajzën në grahmat e fundit të kësaj jete. Sot emrin e saj e mban një shkollë 9-vjeçare në Cerrik “Drita Çomo” si vajza që studioi në gjimnaz dhe i mohuan dhënien e diplomës me arsyetime të shërbëtorëve të nomenklaturës për shkrimtaren e re. Këto ishin dhimbje të një familjeje që pati kontribute në luftën antifashiste, që dha kontribute në çlirimin e vendit dhe ndërtimin e një jete që i zhgënjeu parulla se luftuan për Shqipërinë e Lirë dhe Demokratike dhe pësuan Shqipërinë e izoluar dhe diktatoriale. Më shumë se kaq Liri dhe Fiqiri Belishova ishin në listën në numrin 4 dhe 6 të atyre që do të eliminoheshin në rast të ndonjë trazire apo kundërrevolucioni, siç ishin edhe shumë të tjerë e mes tyre edhe babai im Nuri Emin Zane.
Sa ndryshe do të ishte një vend si Shqipëria që pati intelektualë vlerash që u bënë të shquar në shkollat ku studiuan në Austri e Rusi, në Francë dhe Itali, në Gjermani dhe Turqi dhe që pas Luftës II Botërore u eliminuan. Mendohet se deri 5 vjetët e parë të çlirimit me ndikimin e emisarëve serbë janë eliminuar rreth 400 intelektualë të shquar, ku bënin pjesë edhe Liri dhe Fiqiri Belishova.
Në intervistën që unë i kam marrë Fiqiri Belishovës në vitin 2003 në Elbasan, pas pyetjeve të shumta që unë i bëra, në një moment shprehet “Hyqmet, studiova në vendin e madh të Rusisë, u bëra një kuadër për vendin tim, jeta më mori rrjedhë negative, por unë punova, ula kokën dhe bëra më të mirën e mundshme sepse unë e doja vendin tim, edhe pse partia e Enver Hoxhës nuk më deshi mua dhe familjen tone Belishova si dhe shumë të tjera. Nuk jam pishman për punën që kam bërë sepse të duash vendin tënd, të punosh për vendin tënd është shërbim që ju bën brezave që nuk do e harrojnë kurrë veprën e mirë që ne bëmë në shërbim të atdheut”.
/Gazeta Panorama