Për të pasqyruar sa më saktë persekutimin dhe dënimin e tij nga shteti komunist u mbështeta kryesisht në të dhëna dokumentare arkivore. Dhe në disa artikuj të botuara në shtypin shqiptar vite ma parë. Se kush ishte Lef Nosi, dhe cili qe kontributi i tij i shumanshëm tashmë nuk është e nevojshme të përsëritet nga unë, pasi të pranishmit e nderuar e dëgjuan në mënyrë të detajuar nga parafolësit. Unë këtu do të hedhë dritë, apo do të thërras në kujtesë vetëm një periudhë të shkurtër të jetës së tij, periudhë që ishte më e vështira për të. E kam fjalën këtu për përndjekjen, procesin gjyqësor dhe ekzekutimin me vdekje të Lef Nosit nga diktatura komuniste.Përndjekja e Lef Nosit
Tani, përsa i përket përndjekjes së Lef Nosit, ai u përndoq gjatë gjithë gjysmës së parë të vitit 1945, deri më 7 gusht 1945, datë kur ai u arrestua. Sipas Stiliano Nosit,[1] Lefi nga njëra anë shpresonte që ndryshimi i gjendjes ndërkombëtare të ndryshonte situatën edhe në Shqipëri, prandaj fillimisht nuk donte që të largohej nga Shqipëria. Një arsye tjetër, pse Nosi nuk iku, ishte edhe, se ai tashmë ishte 68 vjeç dhe vitet e fundit të jetës së tij do të ishin shumë të rënda, nëse ai do ti të kalonte në emigracion. Ai zgjodhi kështu rrugën e arratisjes nëpër male brenda territorit shqiptar. Nosi fillimisht qëndroi në Shkodër dhe në malësinë e Dukagjinit, duke u fshehur së bashku me patër Anton Harapin. Ai ikë nga Malësitë e Shkodrës për shkak, se jeta atje ishte shumë e rëndë, duke pasur parasysh edhe moshën që kishte, dhe furnizimi me ushqime ishte bërë gjithnjë e më i vështirë.
Pasi Nosi[2] kishte ndenjur për disa kohë në Shkodër, kohë për të cilën nuk kemi gjetur të dhëna të tjera, ai vjen në Tiranë në muajin shkurt të viti 1945. Megjithatë ai më vonë ndërroi mendje, në lidhje opsionin e arratisjes. Kështu me shpresë se britanikët do ta ndihmonin, ai paraqitet tek Misioni Anglez si shitës antikash, dhe i kërkon këtij misioni ndihmë, për tu larguar nga vendi, porse britanikë e zhgënjejnë duke i thënë, se nuk kishin mundësi që ta nxirrnin jashtë.[3] Nga Tirana kishte marrë rrugën për në Elbasan me Vasilin Nosin.
Fillimisht Lefi qëndroi në afërsi të Manastirit të Shën Gjonit dhe takimet gjatë kësaj kohe i bënte me Vasilin në një vende të caktuara të fshehta.[4] Më pas (qershor 1945) ai vazhdoi të qëndronte në rrethinat e Elbasanit, dhe pikërisht në fshatin Godolesh, dhe gjatë kësaj kohe mbante lidhje me Vasilin dhe me Stiliano Nosin, të cilët për të takuar Lefin shkonin aty si të maskuar. Megjithatë fjala ishte përhapur tashmë, që Lefi ndodhej diku në rrethina. Si rrjedhojë “komanda e Mbrojtjes së Popullit dërgoi menjëherë njerëz në Godolesh për të filluar kontrollet, pa treguar se bëhej fjalë për arrestimin e Lefit.”[5] Gjatë kësaj kohe Lefi banonte në shtëpinë e Adem Samurit. Nosi ka qëndruar i fshehur edhe në Fshatin Fikas e pastaj në një pyll, ku ndenji pa ngrenë përreth dy a tre ditë dhe nga aty është zhvendosur pastaj tek shtëpia e Ademit. [6] Adem Samuri me Lef Nosin kishte një miqësi të vjetër pasi edhe gjyshi i Ademit kishte qenë mik i Lef Nosit. Pastaj ngaqë gjendja e ishte bërë e padurueshme nga kontrollet e partizanëve, Lef Nosin e kishin shpënë në fabrikën e alkoolit në dalje të Elbasanit, fabrikë kjo që ishte pronë e familjes Nosi.[7]
Më pas aktiviteti i Ademit për fshehjen e Lef Nosit qe zbuluar dhe për këtë Ademi u arrestua dhe përfundoi në hetuesi e pastaj në burg. Nosi më tej u dërgua në shtëpinë e Vasilit, a pastaj ka qëndruar i fshehur në lagjen Kala në shtëpitë e Kolë Gignasit dhe Ahmet Daklit dhe prej aty qe transportuar për në tiranë, ku qe fshehur fillimisht tek Mulliri i Xhemal Farkës në hyrje të Tiranës.[8] Inxhinieri hebre Mark Menahem i gjen strehim dhe e dërgon Lefin tek shtëpia e një mësueseje shkodrane që quhej Fahrije Haveriku banuese në Tiranë, e cila kishte miqësi me Menahemin që në vitin 1937 në Sarajevë ku Fahrija kishte kryer shkollën e vajzave.[9]
Fahrie Haveriku njihej për urrejtjen e saj ndaj pushtetit komunist dhe kishte vepruar për ti krijuar Lefit mundësi të tjera strehimi në Tiranë, pasi ishte e ndërgjegjshme se Lef Nosi nuk ishte tradhtar, siç e paraqiste propaganda, por një patriot i këtij vendi dhe për këtë gjë kishte refuzuar të merrte të holla për ta strehuar atë.[10] Shtëpinë e Fahrijes Lefi detyrohet ta lëjë sepse kishte dyshime, se mos bëheshin kontrolle dhe për këtë arsye atë e dërgojnë në shtëpinë e Xhelal N.[11] (Emrin e këtij personi nuk kam mundur ta gjej të plotë). Xhelal N. Ishte rekrutuar nga “Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit” i cili në mënyrë të pabesë e çoi Lef Nosin në duart e forcave që e arrestuan.[12] Lef Nosi u arrestua më 7 gusht 1945 në Tiranë. Me arrestimin e Lefit janë marrë Siri Çarçani dhe Edip Çuçi, Manol Milo dhe një person tjetër me inicialet Z. M.[13]
Sekuestrimi i Pasurisë së tij
Në lidhje me sekuestrimin e pasurisë së tij, disponojmë një dokument nga arkivi qendror, i cili paraqet një listë të detajuar të asaj që u inventarizua në shtëpinë e Lef Nosit. Dokumentin për rëndësinë që ka po e sjellim të plotë:
“Pasunia e t’arratisunit politik Lef Nosi:
Nji kopsht me pemë të ndryshme në semtin e kullës e përbame prenj një pendë dheje Kufijt nga L. Ibrahim Bicoku, në perëndim Xhemali Filja, në Veri Demir Lulja e nga Juga Shtëpia e engleskës.
Vërejtje: Ky kopsht administrohet prej vetë pronarit.
Gjendja familjare e politike e pronarit përbahet prej nji personi, gjendja politike e tij para se të arratiset sih pjestarë i ballit kombëtar dhe tash më banim të paditun. Firmosës të këtij dokumenti janë: Hajrullah Demeli, Kostandin Doku, Pavli Kavaja, Selim Shehu.
II Shtëpi në lagjen Xhomi Elbasan Tre kate
Kati I tre dhoma si depo, njena bibliotekë
Kati II tre dhoma e nji banjë komplete e një kuzhinë
Kati III dy dhoma e nji sallon
Në kufi me Vasil Nosin. Gjendja e shtëpisë
Shënim: “Në këtë Shtëpi banon komandanti i Qarkut shoku Arif Konica si dhe Matilde Nikoll Nosi (nëna e Frederik Nosit) Matilde deklaron se shtëpia së bashku me të gjitha mobiljet që gjenden brenda i kemi me Lef Nosin.
Gjendja politike ish organizues i Ballit Kombëtar.”[14]
Në faqen e dytë të dosjes nga ku është marrë dokumenti i mësipërm jepet urdhër që pasuria të sekuestrohet, por në rast se janë të varfër jo. “Megjithatë, në ato raste qi pasuria asht e madhe ose punohet me bujq komisioni i sekuestron dhe i administron sikurse pasunit e t’arratisunve politikë e bejlerëve”[15] Pra, nga ky dokument nuk del në dritë, se çfarë u mor në shtëpinë e Lef Nosit. Megjithatë ky dokument është vetëm një inventar dhe por më vonë dënimi me vdekje i Lef Nosit, Patër Anton Harapit dhe Maliq Bushatit, kishte të përcaktuar edhe sekuestrimin e pasurisë së tundshme dhe të patundshme, sepse ata persona që dënoheshin “nga gjyqet ushtarake me burgosje që nga një e gjer më 30 vjetë, ose me burgim të përjetshëm ose me vdekje dhe me konfiskimin e pasurisë së tyre të tundshme dhe të patundshme dhe me humbje të përhershme ose të përkohshme të të drejtave politike.”[16]
Përveç kësaj Lefi pati edhe një sërë studimesh që u ndalën në vitin 1944 e për fatin e keq nuk u botuan, por ngelën nëpër arkiva, nga ku një pjesë, me sa duket është vjedhur. Megjithatë në Arkivin Qendror Shqiptar ka një fond të veçantë në lidhje me Lef Nosin. Humbja është shumë e madhe pasi Shtëpia e Lef Nosit ishte një muze materialesh të ndryshme që kishin vlera të mëdha, dhe librat e bibliotekës së tij përfunduan në drejtime të ndryshme, dhe mesa duket një pjesë e tyre gjendet edhe në Bibliotekën e qytetit të Elbasanit.
Ai botoi më 28 nëntor të vitit 1937 dokumentin historik të Shpalljes së Pavarësisë,[17] por sot ky dokument nuk gjendet.
Procesi gjyqësor ndaj atyre që e ndihmuan
Më 9 tetor 1945 prokuroria me aktakuzën që e kishte nxjerrë nga procesverbalet e hetimeve të para, i dërgon Gjykatës Ushtarake të Tiranës aktet kundër të pandehurve Vasil Nosi, Stilian Nosi, Marko Menahem, Adem Samuri, Fahrie Haveriku dhe Xhemal Farka. Ata akuzoheshin se kishin “strehuar kriminelin e luftës Lef Nosin duke qenë dhe ndërlidhës”[18]. Mbi këtë prokuroria kërkonte caktimin e ndëshkimit të tyre në bazë të artikullit 1 të ligjit nr. 21, botuar në “Gazetën Zyrtare”, datë 23 dhjetor 1944, pra një ligji që u botua më vonë dhe hyri në fuqi më 15 dhjetor 1944. Këtë ligj po e citoj më poshtë:
“Artikulli 1. Të gjithë ata që sabotojnë luftën dhe pushtetin e popullit, ata që fshehin kriminelët e luftës dhe ata që ndiqen prej ligjit, ata që kanë dije mbi këta dhe nuk tregojnë, ata që vjedhin pasurinë e Shtetit dhe të popullit, ata që spekulojnë dhe falsifikojnë ata që bëjnë kontrabandë, ata që fshehin sende të domosdoshme për ushqimin, strehimin e popullit dhe për ndërtimin e vendit, dënohen nga gjyqet ushtarake me burgosje që nga një e gjer më 30 vjetë, ose me burgim të përjetshëm ose me vdekje dhe me konfiskimin e pasurisë së tyre të tundshme dhe të patundshme dhe me humbje të përhershme ose të përkohshme të të drejtave politike.”[19]
Më 21 tetor 1945, gjykata e formuar nga Irakli Bozo (kryetar), Q. Deçka, R. Kruja, në bashkëpunim me prokurorin Skënder Kosova i ka shpallur fajtorë të gjithë të pandehurit në bazë të nenit 1 të ligjit të sipërpërmendur i ka dënuar si vijon[20]:
Vasil Nosi u dënua me 6 vjet burgim dhe humbjen e të drejtave politike e civile për aq kohë, ai vdiq i burgosur në fabrikën e alkoolit në Elbasan;
Mark Menahem u dënua me 4 vjet burg dhe humbjen e të drejtave politike e civile për aq kohë;
Stiliano Nosi u dënua me 3 vjet burg dhe humbjen e të drejtave politike e civile për aq kohë. Ai vdiq në vitin 1983;
Fahrie Haveriku u dënua me 3 vjet burg dhe humbjen e të drejtave politike e civile për aq kohë dhe më pas, së bashku me të vëllanë, u arratisën nga Shqipëria dhe shkuan në një shtet evropian;
Xhemal Farka u dënua me 2 vjet burg dhe humbjen e të drejtave politike e civile për aq kohë. “Më pas u ridënua me pushkatim për shërbime në misionin ushtarak anglo-amerikan”;
Kurse Adem Samuri u dënua me 6 vjet burg, nga të cilat vuajti 4 prej tyre. Ai vdiq në shtëpinë e tij si mik i familjes Nosi.
Pas procesit të tyre disa muaj më vonë nisi një proces tjetër, ai i Lef Nosit dhe i dy personave të tjerë, këta ishin Maliq Bushati dhe kleriku françeskan Patër Anton Harapi OFM.
Gjyqi ndaj Lef Nosit
Lef Nosi qëndroi në hetuesi për 5 muaj, deri në fund të janarit të 1946, kur ai u nxor në gjyq më 31 janar 1946. Aty prokuroria e Gjykatës Ushtarake të Tiranës lëshon aktakuzën kundër të tre të arrestuarve, duke i akuzuar ata si “kriminelë lufte dhe armiq të popullit”, dhe me shumë akuza të tjera, që sigurisht nuk ishin të vërteta. Procesverbalin me Akuza po e japim në vijim:
“Republika P. e Shqipërisë
Gjykata Ushtarake e Tiranës
Nr. 24 i Librit Themeltar
Tiranë, më 31 janar 1946
Procesverbal
Prokuroria e kësaj Gjykate me akt-akuzën datë 31 janar 1946 na deferon për gjykim bashkë me aktet tre të pandehurit: Lef Nosi nga Elbasani, Patër Anton Harapi nga Shkodra dhe Maliq Bushati po nga Shkodra, të akuzuar pse si kriminela lufte dhe armiq të popullit: dy të parët në cilësinë e tyre anëtarë të Regjencës në kohën e okupacionit nazist, kanë bashkëpunuar dhe i kanë shërbyer këtij okupatori në dëm t’interesave të larta të Atdheut dhe janë përgjegjës për të gjitha krimet, shkatërrimet dhe dëmet materiale të kryera në vendin tonë dhe i treti ka përgatitur, n’ bashkëpunim me tradhtarë të tjerë, terrenin për okupimin e Shqipërisë nga Italia Fashiste, ka sabotuar rezistencën e popullit shqiptarë, në cilësinë e tij Kryeministër në kohën e okupacionit fashist ka bashkëpunuar në mënyrën më të ngushtë me okupatorin në dëm të popullit shqiptar dhe ka mobilizuar e subvencionuar forca armate për kundra luftës Nc. Çl, etj, etj. Aktet u regjistruan nën Nr. 24 të Librit themeltar të këtij vjeti dhe për ditë gjykimi të çështjes u caktuan data 1 fruer 1946, ora 9, duke iu njoftuar të pandehurve që ndodhen të arrestuar.”[21]
Pra më 1 shkurt 1946, një trup gjykues prestarë të të cilit ishin Irakli Bozo, Tonin Jakova dhe Gjon Banushi, në praninë e prokurorit Misto Treska, hapë gjyqin në kinemanë “Kosova” në Tiranë (sot Teatri Kombëtar).[22] Gjykimi u mbajt, në tetë sesione, të pranishëm ishin edhe shumë anëtarë të partisë që vazhdimisht e ndërpritnin procesin dhe me tallje dhe sharje.[23] I pari është marrë në pyetje Lef Nosi, i përfaqësuar nga avokat Zoi Xoxa. Ndër shumë akuza të tjera Lef Nosi, nga prokurori u akuzua edhe si përgjegjës për vrasjen e 50 mijë vetëve, pavarësisht se e gjithë lufta nuk kishte më shumë se 3 – 4 mijë të tillë. Të tre ndër të tjera u mbajtën përgjegjës edhe për të gjitha humbjet që pati Shqipëria gjatë luftës.[24]
Në përfundim të këtij procesi politik ku nuk doli asnjë akuzë e drejtpërdrejtë nga ato që mëtoheshin nga prokurori dhe vendimi i gjykatës, qe dënimi me vdekje për të tre të pandehurit. Pra, më 12 shkurt 1946 Gjykata Ushtarake e Tiranës mori vendimin për dënim me vdekje për Lef Nosin, Maliq Bushatin dhe Patër Anton Harapin. Dokumentin e Vendimit po e sjellim më poshtë:
“Akt-Gjykim
Gjykata e Lartë Ushtarake e formuar prej: N/Kolonel Gaqo Floqi Kryetar, Major Frederik Nosit Anëtar, Kapiten Ire Veledin Zejneli, anëtar.
Me ligj:
Vendimi i gjykatës së faktit është i bazuar në dispozitat ligjore përkatëse, sasia e ndëshkimit caktuar me VDEKJE për të dënuarit është i drejtë dhe në përpjesëtim me fajet dhe veprat e kryera prej tyre:
Prandaj:
Gjykata e Lartë duke pëlqyer edhe mendimin e Prokurorit në bazë të nenit 31 të Ligjit Nr. 41 datë 14 Janar 1945 mbi organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë
Vendosi:
Aprovimin e akt-gjykimit Nr. 24 datë 12. II. 1946 të Gjykatës Ushtarake të Tiranës, me të cilën është vendosur ndëshkimi me VDEKJE të pandehurve: Lef Nosi nga Elbasani, Patër Anton Harapi nga Shkodra dhe Maliq Bushati nga Shkodra, me të cilën humbin të gjitha të drejtat qytetare dhe politike, sekuestrimin e pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme.”[25]
Lef Nosi nuk pranoi të bënte kërkesë faljeje. Megjithatë organet e atëhershme bënë një dokument, që gjoja Lef Nosi kishte kërkuar që ti falej jeta. Dokumentin e përmendur do sjellim si më poshtë:
“Vdekje Fashizmit liri e popullit
P. T. Asamblesë kushtetuese Tiranë
I nënshkruemi Lef Nosi kam nderin me parashtrue sa më poshtë:
Gjykata Ushtarake e Tiranës me vendimin e saj datë 12 të muajit vazhdues më ka ndërshkue me vdekje.
Tue përsërit gjithçka kam thënë gjatë rrjedhimit të gjykimit lutem të kini mirësinë të më falet jeta
Tiranë 12/2/1946
Me nderime Lef Nosi (firma).”[26]
Një dokument me përmbajtje pak a shumë të ngjashme gjeta edhe për pater Anton Harapin, kurse “kërkesën për falje” të Maliq Bushatit nuk munda ta gjej. Vendimi u la në fuqi edhe dy ditë më pas nga Gjykata e Lartë Ushtarake, Lef Nosi u ekzekutua tek “Kodrat e Priftit” në Tiranë, por ka edhe një version tjetër ku thuhet se ai u pushkatua në Kodrën e Kryegjyshatës Bektashiane.[27]
Sipas Katriot Dervishit, “Lef Nosi i ka “ftuar” xhelatët e tij t’i jepnin fund kësaj komedie siç e kishin nisur duke mos pasur as besimin më të vogël në të ashtuquajturën “drejtësi të popullit” që nuk ishte gjë tjetër veçse vegla e Partisë Komuniste në ekzekutimin e planit famëkeq për zhdukjen e kundërshtarëve politikë dhe të njerëzve të ditur të këtij vendi.”[28]
Adelina Kosturi, pak vite më parë në moshën 92-vjeçare, në lidhje me ekzekutimin e Lef Nosit kujton: “Fill pas pushkatimit, kunati im, Jorgaq Kosturi, që ka vdekur prej shumë vitesh, mori dy punëtorë, i mbuloi me dhé, se ishin varrosur shumë cekët dhe vendosi një kavanoz tek këmbët e Lefit për ta identifikuar më vonë. Ky varr nuk është gjetur akoma”.[29] Personin që tradhtoi Lef Nosin, sipas Adelina Kosturit, “më pas e graduan nga kapiten në major dhe me sa di unë, bëri 10 vjet burg, u lirua pas viteve ’90 dhe sot gëzon statusin e të përndjekurit politik, madje shkruan edhe kujtime?!”[30]
–
Literatura e përdorur
Arkivi Qendror Shqiptar
Arkivi i Ministrisë së punëve të Brendëshme
AMB, F. 1, D.1068. Material i Arkivit të MPB vënë në dispozicion nga Kastriot Dervishi.
AMB, F.1, D.9273. Material i Arkivit të MPB vënë në dispozicion nga Kastriot Dervishi.
1912-1937 Dokumenti i shpalljes s’Indipendencës Kobëtare në Vlonë më 28 Nanduer 1912 edhe fytyrat e përfasuesvet të popullit shqiptar që paten fatin e lumtun me e shpallë. E boton Lef Nosi. Ribotimi asht I rezervum. Tiranë 28 Naduer 1937. (Dokument i fotokopjuar.)
Deçja, Klevisa, “Kur injoranca ndëshkonte intelektualët….” URL: http://www.lajmishqip.com/?p=13958 (23. 11. 2012)
Deçja, Klevisa, “Proceset famëkeqe: diktatura e gjykoi tradhtar Lef Nosin”. Standard. – Nr. 1559, 29 maj, 2010, f. 16 – 17.
Elsie, Robert, Historical Dictionary of Albania. Second edition. Maryland: Scarecrow Press 2010, f. 335.
Gazeta Zyrtare, 23 dhjetor 1944, Nr. 2, f. 2.
Historia e Sigurimit të Shtetit, 2, botim i brendshëm i MPB-së, sekret.
Sadiku, Miranda, “Dokumentet, si u pushkatua Lef Nosi, miku i Qemal Stafës”, Gazeta Panorame, dt. 31 Janar, 2012. Online: URL: http://www.panorama.com.al/2012/01/31/dokumentet-si-u-pushkatua-lef-nosi-miku-i-qemal-stafes/ (19. 11. 2012)
Zane, Hyqmet, “Ditët e fundit të Lef Nosit Para Pushkatimit”, në: ”http://www.voal-online.ch/index.php?mod=article&cat=SHQIPTAR%C3%8BT&article=19779 (dt. 19. 11. 2012)
[1] Në lidhje me dënimet e personave të sipërshënuar shih: AMB, F. 1, D. 1068. -AMB, F. 1, D. 9273. Material i Arkivit të MPB vënë në dispozicion nga Kastriot Dervishi.
[2] Po aty.
[3] Po aty.
[4] Po aty.
[5] Po aty.
[6] Po aty.
[7] Po aty.
[8] Po aty.
[9] Po aty.
[10] Po aty.
[11] Po aty.
[12] Po aty.
[13] Po aty.
[14] AQSH, F. b 497 V. 1945, D. 1945, Dt. 17 prill 1945, Fl. 16/12.
[15] Po aty.
[16] “Gazeta Zyrtare”, Tiranë e shtunë më 23 dhjetor 1944, Nr. 2, f. 2.
[17] 1912-1937 Dokumenti i shpalljes s’Indipendencës Kombëtare në Vlonë më 28 Nanduer 1912 edhe fytyrat e përfasuesvet të popullit shqiptar që paten fatin e lumtun me e shpallë. E boton Lef Nosi. Ribotimi asht I rezervum. Tiranë 28 Naduer 1937. (Dokument i fotokopjuar.)
[18] AMB, F. 1, D. 1068, AMB, F. 1, D. 9273. Material i Arkivit të MPB vënë në dispozicion nga Kastriot Dervishi.
[19] “Gazeta Zyrtare”, Tiranë e shtunë më 23 dhjetor 1944, Nr. 2, f. 2.
[20] Në lidhje me dënimet e personave të sipërshënuar shih: AMB,F.1, D.1068. -AMB, F.1, D.9273. Material i Arkivit të MPB vënë në dispozicion nga Kastriot Dervishi.
[21] Klevisa Deçja, “Kur injoranca ndëshkonte intelektualët….” URL http://www.lajmishqip.com/?p=13958 (23. 11. 2012)
[22] AMB,F.1 , D. 1068. -AMB, F. 1, D. 9273. Material i Arkivit të MPB vënë në dispozicion nga Kastriot Dervishi.
[23] Po aty.
[24] “Lef Nosi was brought to trial in February 1946, together with Anton Harapi and former prime minister Maliq bey Bushati. According to the British Military Mission, which covered the trial: The trial took place, in eight sessions, in a squalid cinema in Tirana before a house packed by Party members who constantly interrupted and jeered, while three military judges on the stage kept hurling accusations and abuse at the defendants, jointly and severally. All three were held responsible for, among other things, Albania’s entire war losses…. Defendant’s counsel was howled down as a ‘fascist’ and never succeeded in making himself heard… The three accused were shot two days afterwards, on 15 February.” Robert elsie, Historical Dictionary of Albania. Second edition. Maryland: Scarecrow Press 2010, f. 335.
[25] Klevisa Deçja, “Kur injoranca ndëshkonte intelektualët….” URL http://www.lajmishqip.com/?p=13958 (23. 11. 2012)
[26] AQSH, F. 889, V. 1946, D. 204, fl, 55.
[27] Hyqmet Zane, “Ditët e fundit të Lef Nosit Para Pushkatimit”, në: ”http://www.voal-online.ch/index.php?mod=article&cat=SHQIPTAR%C3%8BT&article=19779 (dt. 19. 11. 2012)
[28] AMB,F.1, D.1068. -AMB, F.1, D.9273. Material i Arkivit të MPB vënë në dispozicion nga Kastriot Dervishi.
[29] Hyqmet Zane, “Ditët e fundit të Lef Nosit Para Pushkatimit”, në: ”http://www.voal-online.ch/index.php?mod=article&cat=SHQIPTAR%C3%8BT&article=19779 (dt. 19. 11. 2012)
[30] Po aty.
Komentet