Gazeta më e madhe gjermane, me orientim të djathtë, pranë partisë së Kancelares gjermane Merkel, “Frankfurtet Allgemeine Zeitung”, para disa ditësh, në një shënim të gjatë për çështjen e “azilkërkuesve” nga Siria, Afganistani, Shqipëria, Kosova, e të tjerë, i cilësonte azilkërkuesit shqiptarë “emigrantë ekonomikë të motivuar politikisht”. Ndoshta ky është një nga përkufizimet më realiste deri tani. Shtrohen me të drejtë në këtë rast disa pyetje. Çfarë do të thotë ky “cilësim”? Çfarë kuptimi ka “të motivuar politikisht”, apo më konkretisht çfarë i motivon politikisht shqiptarët të paraqiten në Gjermani si emigrantë të varfër, që kërkojnë punë? Përgjigja e këtyre pyetjeve të natyrshme është subjekti i këtij shkrimi…
1. Azilkërkuesit nga Siria, Afganistani, Shqipëria…
Nga pamjet filmike apo fotografike, gjëja e parë që bie në sy është gjendja e mjerueshme ekonomike, e varfërisë të pothuajse të gjithë azilkërkuesve. Ata që janë nga Siria dhe Afganistani të japin përshtypjen se vijnë nga zona të luftës apo pasluftës. Arsyeja “politike” e emigrantëve nga Siria që vijnë masivisht, por edhe me çdo mjet, duke sakrifikuar edhe jetën, është “lufta”; kjo duket e padiskutueshme. Emigrantët nga Afganistani kanë arsye “politike” situatën e vështirë të pas “luftës” dhe të pasigurisë që mbretëron në vend. Shumica e azilantëve nga Shqipëria, të rinj e të reja, por edhe familje të reja e të mesme, kërkojnë punë dhe si arsye në shumicën e rasteve paraqesin bindjen e tyre se “vendi nuk bëhet më” dhe ata e kanë të vështirë të përballojnë jetesën, nuk kanë perspektivë për veten, por mbi të gjitha për fëmijët e tyre.Ndihen të përjashtuar, të margjinalizuar, pa shpresë se situata do të mund të ndryshojë për mirë në të ardhmen. Dhe të gjithë, pa përjashtim, fajin ia vënë politikës. Pyetja që shtrohet është: Përse pikërisht në vitin 2014 e 2015 ky largim kaq masiv? Përse Shqipëria zë vendin e parë në Europë për nga numri i emigrantëve, pikërisht kur duhet të kishin një rreze shpresë nga “ndryshimi i qeverisjes në 2013”-n? “Argumentet” se kjo ndodh për shkak të situatës së trashëguar apo se disa agjenci turistike spekulative po nxisin largimin e azilkërkueseve nga vendi janë naive, të dobëta dhe të pabesueshme. Arsyet janë thjesht dhe vetëm politike…
2. Gjermania, vendi më i mirë në Europë për shqiptarët…
Shqiptarët prej shumë vitesh, më saktësisht që kur emigruan për herë të parë në 1990-n, e adhurojnë Gjermaninë si një vend i mrekullueshëm ku mund të jetohet, mësohet e punohet. Një “atdhe” të dytë ku mund të plotësohen ëndrrat e fëmijëve të tyre, një vend ku mund të rifitojnë “shpresën e humbur” në vendin e tyre. Kjo e vërtetë “absolute” dihet prej kohësh dhe nuk përbën ndonjë lajm apo përshtypje të re. Aq më pak mund të gjenden “arsye” se ky adhurim është rritur gjatë këtyre dy vjetëve apo gjatë këtyre 6-12 muajve të fundit. Nisur nga kjo logjikë, “tërheqja/atraksioni” i Gjermanisë nuk përbën arsye që do të mund të shpjegonte masivitetin dhe këmbënguljen e shqiptarëve për të emigruar në drejtim të Gjermanisë pikërisht në këto momente.
3. Shqipëria, vendi më i varfër i Europës…
Që Shqipëria është një nga vendet më të varfra të Europës është një fakt i pamohueshëm e gati-gati “historik”. Kjo dihet prej shumë vjetësh dhe, fatkeqësisht, s’ka mundur të ndryshojë edhe pas vitit 1990. Ndonëse varfëria është reduktuar krahasuar me atë të viteve para 1990, ndërkohë që është rritur në mënyrë të paimagjinueshme e deri të frikshme për stabilitetin dhe sigurinë “polarizimi” social-ekonomik. Fatkeqësisht, statistikat tregojnë një rritje dhe zgjerim të varfërisë me përkeqësimin e situatës ekonomike për shkak të krizës ekonomike-financiare që ka pasur ndikim në rritjen ekonomike.Veçanërisht pas vitit 2013 aplikimi i “strategjisë së shtrëngimit të rripit” përmes rritjes së taksave dhe përdorimit të metodave policore mbi bizneset është shoqëruar me rritje të numrit të të varfërve dhe pakësim edhe të numrit të atyre me nivel të mesëm. Sidoqoftë, varfëria, qoftë edhe paksa e rritur, s’përbën argument të fortë për të shpjeguar emigrimin masiv të këtyre dy vjetëve, që jo vetëm s’ndalet, por madje rritet…
4. Arsyeja e vetme “politike” e “azilkërkuesve ekonomikë” është oligarkia…
Sipas Sekretarit Amerikan të Shtetit, John Kerry, të shprehur më 1 shkurt 2014 në Samitin e Sigurisë Globale në Mynih të Gjermanisë, vendet e Ballkanit, pra edhe Shqipëria, “qeverisen” nga “interesat e korrupsionit e të oligarkisë”. Për herë të parë gjatë 25 vjetëve të fundit, Parlamenti Europian e ka “cilësuar të kriminalizuar Parlamentin e Shqipërisë”, duke kërkuar Dekriminalizimin e tij. Joseph Daul, presidenti i PPE, më 15 prill 2014 deklaron se “në vendet e Ballkanit (pra edhe në Shqipëri) mbretëron oligarkia, banditizmi dhe krimi”… Nuk ka asnjë dyshim që Shqipëria drejtohet nga “interesat e oligarkisë”, të projektuar 15 vjet më parë, të realizuar me synime të qarta prej 10 vjetësh dhe të konsoliduar dy vitet e fundit. Kjo është e vetmja arsye politike përse largohen shqiptarët nga vendi i tyre. Pra ndërsa në Siri, “arsye politike është lufta”.Në Afganistan, “arsye politike është pasiguria dhe destabiliteti, pra situata e pasluftës”. Në Shqipëri, “arsye politike është instalimi i regjimit të oligarkisë”, i një qeverisje të pakicës që shpërfill interesat e të gjithë qytetarëve pa përjashtim, pa dallime politike apo partiake, shpërfill e denigron si socialistët, ashtu edhe demokratët. Dhe këtë arsye “politike” azilkërkuesit shqiptarë e artikulojnë në forma më të thjeshta, kur i pyesin në kampet e azilantëve përse kërkojnë azil :i) “jemi të varfër”, ii) “s’kemi punë në vendin tonë dhe asnjë mundësi financiare për jetesë”, iii) “s’kemi mundësi të çojmë fëmijët në shkollë”, iv) “s’përballojnë dot kujdesin shëndetësor nëse sëmuremi”, v) s’kemi asnjë shpresë se vendi bëhet dhe asnjë perspektivë për fëmijët”… Të gjitha këto janë shprehje alternative të “arsyeve politike” që qëndrojnë pas “kërkesave ekonomike”. Ose më saktë, janë shprehje alternative të faktit se “Shqipëria qeveriset nga një pakicë, përfaqësuese të interesave të oligarkisë, banditizmit dhe krimit…”.
5. Në Shqipëri, pas 2013-s vendi drejtohet nga interesat e një pakice…
Shqiptarët po largohen masivisht nga vendi, sidomos vitin e fundit. Ata janë azilkërkues ekonomikë, sepse Shqipëria është “klasifikuar” nga Gjermania e sigurt “politikisht” dhe s’mund të jetë ndryshe, kjo është qasja “pozitiviste” e autoriteteve gjermane, ndonëse ata, nga të gjitha informacionet dhe analizat, e kanë të qartë se realiteti është krejtësisht ndryshe, pra ata e dinë shumë mirë se vendi drejtohet nga interesat e oligarkisë. Arsyet e azilkërkuesve shqiptarë janë tërësisht politike dhe lidhen me përkeqësimin e qeverisjes pas vitit 2013.Për më tepër, shqiptarët rezultojnë në gjendje të përkeqësuar varfërie, pra në gjendje më të rëndë ekonomike, jo thjesht nga kriza ekonomike, në Europë e sidomos në Greqi e Itali, por për shkaqe apo arsye tërësisht dhe vetëm politike. Sepse pas 2013-s, nuk flitet thjesht për një sistem që ka korrupsion, i cili ka ekzistuar, por çdo ditë e më shumë, pas 23 qershorit 2013, të gjithë shqiptarët po ndërgjegjësohen se në Shqipëri është instaluar një regjim i pakicës, regjimi i “oligarkisë, banditizmit dhe krimit”, që nuk mendon aspak për qytetarët, që i ka harruar apo i dhunon të gjithë shtetasit, pa dallime bindjesh politike apo partiake. Pra ky është një regjim shpërfillës edhe për socialistët që ndodhen 10 vjet në opozitë, edhe për demokratet që prej 2 vitesh pësojnë diskriminim e dhunim selektiv, duke u burgosur për dritat, për shtëpinë a biznesin, e deri për kuponin tatimor, apo duke u hedhur në rrugë si të papunë…
6. Në vend të përfundimit…
Shqiptarët janë më të varfër se më parë, më të pashpresë se më parë, më pa perspektivë se më parë, më të vendosur për t’u larguar nga vendi se më parë, sepse ata qeverisen nga të paaftët, mashtruesit, hajdutët e pasurisë publike dhe nga banditët e kriminelët… Këto janë arsyet e vërteta që paraqesin të gjithë shqiptarët kur kërkojnë azil në Gjermani… Imagjinoni të jeni një familje e thjeshtë me dy apo më shumë fëmijë, me prindër pa punë dhe të ardhura të pamjaftueshme për bukën e gojës, me pamundësi për të dërguar fëmijët në shkollë apo përballuar sëmundjet eventuale, që ju burgosin se nuk paguani dritat për t’u ngrohur, ndërkohë që çdo ditë e çdo natë dëgjoni në televizion informacione për shuma marramendëse të vjedhura nga pasuritë apo fondet publike, nga ministrat apo zyrtarët e lartë, se në Parlament deputetët që keni zgjedhur janë individë me rekorde kriminale, ish-të dënuar apo banditë që sulmojnë fizikisht, njerëz pa shkollë apo me diploma false apo të blera…Sigurisht që do të humbni edhe atë shpresë të paktë dhe të fundit që ekziston në thellësinë e shpirtit apo mendjes suaj…! Këto të gjitha janë arsye vetëm politike, aspak të trashëguara në këto nivele dhe gjatë dy viteve të fundit të përkeqësuara. Dhe nëse nuk adresohen, shqiptarët do të largohen gjithnjë e më shumë, dhe jo vetëm ata që janë të varfër…
Komentet