Prej një farë kohe dëgjohet të përsëritet prej shumë kujt një refren shumë I rrezikshëm: ukrainasit po e teprojnë, NATO rrezikon shumë, më mirë të mendojmë për inflaksionin, duhet të mbajmë parasysh Putinin. Formulimi më i hapur vjen nga goja e Henry Kissinger, i cili muajin e shkuar në Davos pohoi se Ukraina duhet të pranojë të lëshojë pjesë të territorit të saj, nëse nuk dëshiron që të rrezikohet “një luftë e re (e NATO-s) kundër Rusisë”.
Në Gjermani, ku qeveria e Olaf Scholz-it tërheq këmbët zvarrë në dhënien e armëve të premtuara Ukrainës, një pjesë e klasës politike duket e bindur se zgjidhja e vartësisë energjitike të Vëndit kundrejt Rusisë nuk është ajo e shkëputjes , një herë e përgjithmonë, e në mënyrë të dhimbëshme, por ajo e të nbyllurit sy e të kthimit dalë ngadalë për të kënaqur komoditetet e tyre të rrezikuar. Emmanuel Macron, nga ana e tij është vënë në krye të këtij tarafi: “Nuk duhet të poshtërohet Rusia”, ka theksuar së fundi, më parë se të merrte trenin për Kyiv. Çfarë gabimi tragjik! E çfarë shenjë dobësie e mungese vështrimi strategjik, që Vladimir Putini nuk do të ngurojë për asnjë çast t’a shfrytëzojë me të gjithë mjetet që zotëron. Simbas asaj që i deklaronte një miliarder rus, i afërt me Kremlinin, gazetares britanike Cattherine Belton, Putini “është i bindur se shpejt Perëndimi do të lodhet…. e që me, kalimin e kohës, fitorja do të jetë e tij”.
Për të shpejtuar kapitullimin tonë, Putini nuk nguron të përdorë të gjithë mjetet që ka në dorë: trysninë më të madhe mbi furnizimet e gazit e të naftës, nëpërmjet prerjesh mjeshtërisht të mbarështuara, destabilizim të Ballkanit e kërcënim për mungesën e grurit që shpejt do të shfaqet në një katastrofë njerëzore n’Afrikë, me rrezikun e një tjetër vale të re mërguese. Për të mos folur, natyrisht, për gogolin bërthamor, që është i gatshëm gjithmonë t’a valëvisë, sikur t’ishte i gatshëm të tërhiqte gjithë botën, përfshirë Rusinë, drejt asgjësimit, kur janë në lojë ambicjet e tij dhe mbijetesa e tij vetiake.
ILUZIONE E GËNJESHTRA
Mbasi ka kaluar befasia fillestare, e shkaktuar nga kundërveprimi i shpejtë e i bashkërenduar përballë mësymjes së Ukrainës, sot Putini synon përsëri tek kohët e gjata, tek dasitë ndërmjet Vëndeve evropiane, por veçanërisht mbi dobësinë tonë e mbi paftësinë tonë të plotë, së paku në Evropën Perëndimore, për të depërtuar në përfytyresën perandorake ruse. Për Putinin, por edhe për ministrin e tij, Lavrov, gënjeshtra është në zemrën e formimit të tij dhe përfaqëson një mjet të natyrshëm të punës. Bashkëbisedimi nuk vlen për tjetër gjë veçse për të bërë të ecin përpara ushtarët, më parë se të kthehet në fuqinë mizore në çastin e duhur. Një bisedim ose një marrëveshje – si ajo e Minskut në 2015, që duhej t’i kishte dhënë fund kundërshtisë në Donbas – nuk është tjetër veçse një kurth për të ngrirë një pushtim, në pritje të një çasti të përshtatëshëm për të kaluar në pushtime të rinj. Kështu funksionon. Vetëm të përfytyrohet, siç bën Kissingeri, se mund të kthehet në gjëndjen para luftës është një çmënduri e mirëfilltë. Të mendohet se mund të bindet Putini të ulet në një tryezë bisedimesh në mirëbesim e që të jetë i gatshëm të respektojë (qoftë edhe për njëherë!) termat e marrëveshjes, është një hamëndje krejtësisht qesharake. Nëse nuk do të ishim treguar aq të pafuqishëm, aq të frikësuar, aq të verbër, nëse do të kishim armatosur Ukrainën që nga 2015, ose të kishim dërguar trupa të NATO-s në territorin e saj, qoftë edhe me titullin e këshilltarëve ushtarakë, kurrë Putini – që kupton vetëm një ligj të vetëm, atë të më të fuqishmit – nuk do të ishte futur në këtë luftë. Nëse do t’i lihet të korrë qoftë edhe një dobi sado të vogël nga lufta në zhvillim, nuk do të bëjmë tjetër veçse të vendosim parakushtet për të ardhëshmen.
TURPI EVROPIAN
Të mirëpresim me kënaqësi ndërrimin e mendimit të Macronit e të Scholzit, që më së fundi kanë kuptuar se nuk mund të pengojnë kandidaturën ukrainase në Bashkimin Evropian. Ndërkaq mbetet fakti se iluzionet e shpresat e kota kundrejt Putinit është vështirë se vdesin. Prej dhjetëvjeçarësh tashmë një pjesë e Evropës, duke filluar nga Gjermania, i ka besuar sigurinë e saj energjitike Moskës, duke mos mbajtur parasysh bekueshëm paralajmërimet e shkencëtarëve mbi klimën dhe duke hedhur poshtë çdo porosi për të lënë mbas krahëve lëndët e djegëshme. Sa kohë e shpërdoruar, e gjitha në dobi të Rusisë. Që nga fillimi i luftës, Rusia ka arkëtuar 93 miliardë euro nga eksportimi i gazit e i naftës, të marra kryesisht nga Bashkimi evropian. Shifra është e barabartë me dy herë e gjysëm 37 miliardët që Shtetet e Bashkuara i kanë premtuar Ukrainës. Tani shkulim flokët sepse çmimet në stacionet e naftës i kalojnë dy eurot për litër e mundohemi të gjejmë rrugëdalje. Është një turp, një skandal. Dhe në Ukrainë benzina kushton shtrenjtë dhe rradhët para stacioneve të furnizimit janë bërë të pafundme. Por asnjë nuk ankohet. Ajo që kërkojnë ukrainasit nuk është karburanti me çmim të ulët, por armë e municione për të përzënë mësyemësit, për të shliruar qytetet e tyre e për të rimarrë territoret e tyre. Kanë të drejtë. Me mësymjen e Ukrainës Putini përmbysi fushën e shahut të rendit të përgjithshhëm të vendosur më 1945. në mbasluftën e dytë: është naive të shpresohet se mund të ngjiten përsëri copat e thyera. Përpara botës Putini e bashkëpuntorët e tij hungërojnë pa pushim, është mënyra e tyre e të vepruarit, por ndërmjet tyre studiojnë me vëmëndje raportet e forcave për të shfrytëzuar ftohtësisht pasojat.
Kur ukrainasit, në sajë të qëndresës së tyre këmbëngulëse, kanë ndaluar sulmin rus mbi Kiev, Putini ka tërhequr trupat, duke zbuluar para botës të gjithë tmerrin e kryer nga ushtria e tij “e çlirimit” mbi civilët e Buchas, Motyzhynit e sa e sa qyteteve të tjera. Kur Mikolaivi u ngrit për të ndaluar sulmin që vinte nga Krimeja në drejtim të Odesës, Putini u detyrua të heqë dorë për çastin nga synimi i tij për të përvehtësuar portin e njohur në Detin e Zi. Tashti, më së fundi i vetëdijshëm për dobësitë e ushtrisë së tij të stërvitur keq e të brejtur nga korrupsioni, përballë forcave ukrainase të mbifrymëzuara e të pajisura nga Perëndimi, përqëndron gjithë përpjekjet mbi Donbasin, duke përdorur aviacionin dhe artilerinë e rëndë për të rrëzuar për tokë të gjithë qytetet, njëri mbas tjetrit: e vetmja mënyrë që i mbetet për të bërë luftën. Por edhe këtu ai duhet të ndalohet, përfundimisht e të përzihet. Premtimi amerikan e britanik për të furnizuar hedhëse raketash me rreze të gjatë veprimi përfaqëson hapin e parë në drejtimin e duhur. Por duhet bërë shumë më tepër. Putini është një njeri i shekullit të njëzetenjëjtë, që ka shpërthyer një luftë të shekullit të njëzetë për t’arritur synime të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Për të që, që sot krahasohet me Pjetrin e Madh, bashkëngjitja e plotë e Ukrainës është një çështje qenësore që s’ka aspak të bëjë me paditë e kllapishme të tij kundër NATO-s. Për të Ukraina nuk duhet të jetë më, pikë. Nuk do të jetë asnjë lëshim, asnjë hapje diplomatike, asnjë kompromis “i arsyeshëm” nga ana e jonë, që t’a pengojnë të sendërtojë synimet e tij, ose që të shpëtojë tërësinë territoriale, politike dhe ekonomike të Ukrainës, ose të s’ardhmes së saj evropiane. T’i kërkohet Ukrainës të lëshojë armët e të trajtojë një Minsk 3, 4 ose 5, do të thotë të përgatitet terreni për një mësyemje të re të Ukrainës mbs ndonjë viti, duke i lejuar Putinit kohën e nevojshme për të riorganizuar ushtrinë e tij e për të grumbulluar përsëri njerëz, armë e municione. E nëse vdes ndërkaq, por regjimi mbijeton, pasuessi i tij do t’i ndjekë gjurmët e tij.
Më 9 maj në Strasburg, Emmanuel Macroni, duke hamendësuar negociata të mundëshme me Rusinë, ka kujtuar traktatin e Versajës që në 1918, me poshtërimin e Gjermanisë, “kishte shkretuar rrugën e paqes”. Qe sigurisht e vërtetë kundrejt Republikës së Weimarit, që përfaqësoi një përpjekje të guximëshme demokratike. Por Macroni, me sa duket, nuk ka kuptuar deri në fund çastin historik që po jetojmë tani. Nëse ka patur një 1918 për Moskën, ai ka qënë 1991. Në vazhdim, si në Gjermani mbas dështimit të Weimarit në vitet Tridhjetë, pushteti fashist e revanshist, për më tepër thellësisht i korruptuar u ngulit përfundimisht në Rusi, duke përvehtësuar gjithë ekonominë e Vëndit në dobi krejtësisht të tij, duke i dhënë beleg botës demokratike dhe rendit mbi të cilin është themeluar paqeja dhe siguria e jonë e përbashkët. Sot nuk është më 1918, por 1939. E si për Rajhun e Tretë të Hitlerit, ecja drejt paqes, shpejt a vonë do të kërkojë përmbysjen e përgjithëshme të regjimit të Putinit, që nuk i përgjigjet më Rusisë e popullit të saj, për inat të asaj që mendon “Perëndimi kolektiv”. Vetëm një Rusi e lirë, demokratike dhe e qeverisur nga qytetarët e saj, jo nga një klikë mafioze e dehur nga ideale mesianike, mund të rihyjë në kuvendin e kombeve dhe të bëhet një antar i bashkësisë perëndimore plotësisht, siç kanë arritur të bëhen , mbas 1945, Gjermania dhe Japonia.
THYERJA E NEVOJSHME
Për polakët, Vëndet balltike dhe Vëndet e Evropës qëndrore, ky shllim është aq i dukshëm sa që nuk humbin rast për t’a ripohuar me të gjithë forcat e tyre. Amerikanët e kanë kuptuar më së fundi, e veprojnë në këtë drejtim në marrëveshje me britanikët. Dhe vetë finlandezët e suedezët kanë braktisur nga mbrëmja në mëngjez, 80 vite asnjanësie për të kërkuar strehë nën çadrën e NATO-s, siguria e tyre e vetme përballë piksynimeve të çmëndura të regjimit rus. Ndërsa n’Evropën perëndimore, qeveritarët tanë, prej kohësh robër të ideologjive të tyre, të zhytur në përtacinë intelektuale e në kapitjen morale të shtëna nga një paqe shumë e gjatë, duken përjetësisht të tunduar nga kompromisi. Kompromisi është shpesh i nevojshëm, por në këtë gjëndje do të ishte një katastrofë për ëndrrën evropiane dhe nuk do të sillte asgjë tjetër veç se të nxitëte ambicjet e Putinit. Vetëm thyerja ushtarake e plotë e forcave ruse n’Ukrainë mund t’i kthejë një pamje sigurie kontinentit. E vetëm mbi bazën e një mundjeje të Rusisë mund të bisedohet në tryeza e të nënëshkruhen marrëveshje që do të kenë ndonjë farë mundësie të zbuloheshin jetëgjata. Pa një fitore të qartë e të pastër të Ukrainës, e gjithë diplomacia nuk do të prodhojë tjetër veç lloqesh të kota, ose kapitullimin. “Nuk duhet poshtëruar Rusia”. Prej njëzet vitesh nga kjo anë, sa më shumë bëhen akrobaci për të kënaqur Rusinë, ose së paku për të mbarështuar marrëdhëniet me Vëndin, aq më shumë Putini padit Perëndimin se don t’a poshtërojë, pikërisht ai që din t’a përpunojë poshtërimin e bashkëbiseduesve të tij si një shkencë të saktë. Është me të vërtetë e habitëshme prirja për t’i u huajtur lojës së tij mjerane. Në të vërtetë Putini poshtërohet vetvetiu, me dëshirën e tij për t’u ulur ndërmjet të mëdhenjve të botës, pa respektuar as rregullat më parake; duke përçmuar e dhunuar të drejtat e popujve kur i leverdis atij, siç është parë në Çeçeni, në Gjeorgji, në Siri, e sot n’Ukrainë; duke shpërthyer një luftë me një ushtri të tretur, të paaftë, të vjetëruar e për më shumë të plaçkitur e të urtësuar nga gjeneralët e tij. Nëse me të vërtetë ka inatin me neve, nëse e ka deri në vdekje, ne nuk jemi aspak të detyruar t’i kërkojmë falje: kemi detyrë t’i japim një mësim të mirë e t’a dërgojmë në vëndin e vet, nje vënd që e ka zgjedhur me vullnetin e tij.
“Corriere della Sera” , 22 qershor 2022 Përktheu Eugjen Merlika
Komentet