(Mbresa nga dita e parë, në Shkollën Shqipe “Gjuha Jonë”, Filadelfia-Amerikë)
Është i 13-ti vit, që Shoqata Atdhetare-Kulturore, Shqiptare-Amerikane, “Bijtë e Shqipes”, hap dyert e saj për fëmijët e bashkatdhetarëve tanë, që jetojnë në Filadelfia të Amerikes dhe rrethinat e saj. Si përherë, ishte një ditë e gëzuar, me prindër e fëmijë, që vijnë si për një festë të përbashkët, të veshur bukur, me tufa lulesh në duar, për mësueset e tyre të dashura dhe përfaqësuesit e Shoqatës sonë, që i presin para ndërtesës së Qëndrës Kulturore të Komunitetit, si dhe xhaxhi Vlashi Filin, që kujdeset për regjistrimin e nxënësve etj.
Si çdo vit të ri shkollor, ka të papriturat e këndshme. Familja e re Zoga, me rrënjë nga Vlora, pas shumë vitesh emigracioni në Greqi dhe vitet e fundit në Amerikë, kanë vendosur të ulen së bashku në klasën e parë: babi Adaniel, mami Jennifer Cabrera dhe Sofia e vogël. Nga familja Pajollari, që çdo vit ka patur një nxënës në shkollën tonë, këtë vit prindërit e rinj, Eliverta dhe Ilir Pajollari, kanë sjellë djalin e tyre, Klavel, për t’u regjistruar në klasën e parë. Ndërsa Bujar Çela ka sjellë këtë vit të tre fëmijët: Silvanën dhe Selmën, që u ngjitën një klasë më lart dhe Blerimin, që fillon klasën e parë. Flavia Kokthi vjen e shoqëruar nga të dy gjyshërit, nëna Shega dhe gjyshi Kiço. Kjo familje ka qënë përherë një mbështetëse e fuqishme, jo vetëm për shkollën shqipe, por edhe për Shoqatën. Librat për shkollën këtë vit u siguruan me ndihmën e djalit të kësaj familjeje, Androkli Kokthi, që jeton e punon në Tiranë.
Kështu njëri pas tjetrit, vijnë fëmijët për të mësuar gjuhën e prindërve dhe te gjyshërve të tyre. Ja, Andi dhe Alissa Qypi, që gjatë tërë vitit të kaluar ishin të parët nxënës, që vinin në shkollë. Ja dhe Aris Ramizi, që tani mund të quhet “veteran” i shkollës, pasi ndjek vitin e pestë; ja, Amalia Molla dhe Anxhela Xhori e bukur…
Mësueset e palodhura Rajmonda Bardhi, Irini Zeneli, Kozare Doko dhe Adelina Ramizi, presin me mall e dashuri fëmijët. Kanë vite që punojnë të përkushtuara në këtë mision të shënjtë, pra për t’ua mësuar fëmijëve gjuhën e bukur shqipe.
Pastaj prindër e fëmijë, të ulur së bashku në sallën e veprimtarive, dëgjojnë përshëndetjen e kryetarit të Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, z. Tajar Domi. Pasi falenderoi prindërit dhe fëmijët për kujdesin dhe sakrificën, që bëjnë për të mësuar gjuhën shqipe, shtroi dhe shqetësimin se jashtë kësaj shkolle janë shumë e shumë fëmijë të tjerë shqiptarë , prindërit e të cilëve nuk tregojnë kujdesin e duhur për ta ruajtur gjuhën tonë në brezat e rinjë dhe lidhjet e tyre me të afërmit e atdheun e prindërve .
Sekretari i Shoqatës, z.Vlashi Fili, ndërmjet të tjerave, në fjalën e tij të shkurtër recitoi edhe “ankesën” në vargje, të një fëmije, që ishte venë edhe në posterin e përgatitur për hapjen e vitit të ri shkollor : “Pse, o mami, shqip s’më flet?/ Ç’faj kam unë, që linda në kurbet?/ Kur të shkoj me pushime, si të flas me gjyshen time?”. Këto fjalë nuk lenë vend për diskutime, për ngurrime etj.
Për kujdesin, që tregon Shoqata jonë, për ta bërë shkollën një qëndër të dashur për fëmijët, shërbejnë edhe fjalët e nënkryetarit të saj, z.Bujar Gjoka. Ai u kërkoi prindërve të bashkëpunojnë me Shoqatën dhe shkollën për të festuar së bashku ditëlindjet e fëmijëve, gjatë vitit arsimor. Kjo përkujdesje nuk është e rastit, por vazhdim i një tradite tashmë të krijuar. Fëmijët e kësaj shkolle kanë marrë pjesë, vitet e fundit në festivalin e zërave të rinjë, që është organizuar në Nju Jork, ku janë nderuar edhe me çmime.. Këto arritje janë edhe fryt i punës së palodhur me fëmijët, nga kompozitori i talentuar, Hamdi Gjana. Një ngjarje e bukur, gjatë vitit të kaluar shkollor, ishte dhe zhvillimi i një dite mësimi në kopshtin zoologjik të Filadelfias, organizuar nga Shoqata dhe Shkolla “Gjuha Jonë”.
Nuk mund të përmblidhen në një rrëfim, punët e dukura dhe të padukura, që kanë bërë antarët e kryesisë së Shoqatës sonë, si Vlashi Fili e Llazar Vero, me përgatitjen e posterit dhe propogandën që u bë në ëebsajtin dhe fejsbukun e Shoqatës, për ndihmën, që dhanë Petrit Zanaj e Dritan Matraku, në fotokopjimin e disa teksteve për shkollën etj. Pa përkushtimin e tyre dhe të shumë të tjerëve, nuk mund të realizohej kjo ditë.
Paskëtaj, mësueset morën regjistrat dhe fëmijëve iu shpërndanë librat, sipas klasave. Filloi kështu dita e parë e mësimit në Shkollën Shqipe “Gjuha Jonë”, në Filadelfia të Amerikës.
Nga zemra ju urojmë mësueseve, fëmijëve e prindërve: Punë të mbarë dhe dalshi faebardhë!!
Filadelfia, shtator 2015
Komentet