Voal.ch – Për të kuptuar thelbin e shpëtimit të hebrenjve europianë nga shqiptarët besoj se është e nevojshme që të kuptohet historia e gjatë e tolerancës fetare të shqiptarëve dhe qëndresës ndaj shtypjes që bëri të mundshëm shpëtimin, dhe gjithashtu të kuptohet se si u zbulua dhe si vijon të zbulohet përgjigjja shqiptare ndaj Holokaustit. Roli unik i shqiptarëve në Shqipëri (dhe tani dimë se edhe shqiptarët në Kosovë e kanë luajtur këtë rol) në shpëtimin e secilit hebre që jetonte në Shqipëri a që kërkoi strehim aty, është ende në proces zbulimi.
Sapo shtetet e Europës Lindore dolën nga tmerri i papërshkrueshëm i nazizmit, ato ranë në zgjedhën e komunizmit, i cili shtypi çdo trajtesë për Holokaustin dhe çfarëdo përhapje të informacioneve lidhur me të. Kjo nuk do të ndryshojë deri në rënien e ish-Bashkimit Sovjetik në vitin 1990 dhe rënien e diktaturës komuniste në Shqipëri në vitin 1991. Kjo është arsyeja pse roli shpëtues i shqiptarëve mbeti i panjohur deri në vitin 1990, por doli në pah përmes kurajos së tre personave: Josef Jakoel, një hebre shqiptar, i cili kishte kaluar gjithë jetën në Shqipërinë komuniste, dhe dy anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, Tom Lantos, demokrat nga Kalifornia, dhe Joe DioGuardi, republikan nga Nju Jork.
Shpëtimi i hebrenjve në Shqipëri doli në dritë si rrjedhojë e katër zhvillimeve të rëndësishme historike. I pari ndodhi në maj të vitit 1990, kur i ndjeri kongresmen Tom Lantos – hebre i Hungarisë, i mbijetuar i Holokaustit dhe themeluesi i Grupit të Kongresit për të Drejtat e Njeriut – dhe ish-kongresmeni Joe DioGuardi, bir i një arbëreshi (shqiptar etnik nga Italia) dhe anëtar kyç i Grupit të Kongresit për të Drejtat e Njeriut, vendosën që të udhëtojnë në Shqipëri. Lantos dhe DioGuardi ishin zyrtarët e parë të SHBA që hynë atje pas 50 vjetësh.
Kongresmenët Tom Lantos dhe Joe DioGuardi të pritur nga Ramiz Alia
Në atë kohë diktatori i fundit komunist, Ramiz Alia, po përpiqej ta afronte DioGuardin, kur regjimi i tij mësoi se Joe po planifikonte të vizitonte Kosovën, ku shumica shqiptare ishte nën zgjedhën brutale të Serbisë në pragun e luftërave të Ballkanit të viteve 1990. Joe mori vendim se do ta vizitonte Shqipërinë vetëm nëse ai dhe Lantosi do të shkonin si ekip i kongresmenëve, së pari që të vizitonin Kosovën për të kundërshtuar pushtimin serb, dhe më pas në Shqipëri, ku do të nxisnin qeverinë t’i përgjigjej valës së ndryshimeve demokratike që kishte përfshirë mbarë Europën Lindore.
Ramiz Alia, me qëllimin për të impresionuar Tom Lantosin, të vetmit të mbijetuar të Holokaustit në Kongresin e SHBA, i paraqiti atij dhe DioGuardit një dosje të trashë nga Arkivi i Shtetit, ku përfshiheshin fotografi, copa të prera gazetash dhe letra të padorëzuara, në shumë gjuhë, të mbijetuarish hebrenj nga gjithë bota dërguar shpëtimtarëve të tyre shqiptarë. Ky informacion ishte mbajtur i fshehtë për 45 vjet nga regjimi komunist më totalitar në zemër të Europës që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Kur DioGuardi i dërgoi këto dokumente përmes një shoqes së tij hebreje, Elli Streit, në Yad Vashem në korrik të vitit 1990, ato menjëherë u vërtetuan si autentike. Si rezultat, 75 shqiptarë deri më tani janë njohur nga Yad Vashem si “Fisnikë mes Kombeve”. Ky numër duhet të jetë shumë herë më i madh, por shumë shpëtimtarë dhe të mbijetuar kanë vdekur gjatë kohës kur ky informacion u ndalua nga komunistët gjatë 45 vjetëve.
Me 7 prill 1939 nisi pushtimi fashist italian i Shqipërisë dhe mandej filloi zyrtarisht Lufta II Botërore. Mussolini u detyrua të largohej nga pushteti më 1943 – dhe më pas u ekzekutua – , por menjëherë nazistët pushtuan Shqipërinë. Megjithatë, shqiptarët refuzuan të bashkëpunojnë. Para luftës kishin qenë përafërsisht 300 hebrenj në Shqipëri. Prej fundit të viteve 1930 deri kur Aleatët i mundën nazistët, mijëra hebrenj mundën të hyjnë kontrabandë në Shqipëri, shpesh të ndihmuar nga shqiptarët jashtë vendit, kryesisht nga shqiptarët e Kosovës, që përbënin shumicën e popullsisë. Në fund të Luftës së Dytë Botërore më tepër se 3000 hebrenj jetonin në Shqipëri.
Zhvillimi i dytë historik që solli në zbulimin e shpëtimit nga shqiptarët dhe njohjen nga Yad Vashem ndodhi paralelisht. Në fund të qershorit të vitit 1990, Felicita Jakoel, e bija e Josef Jakoelit (hebre shqiptar që i kish mbijetuar Holokaustit dhe një nga figurat e spikatura të komunitetin të vogël) mundi të merrte vizën njëmujore për të vizituar kushërinjtë e saj në Greqi. Me të mbërritur aty, ajo shkoi drejt në ambasadën e Izraelit në Athinë dhe u paraqiti një listë të hebrenjve që jetonin në Shqipëri. Ambasadori, i cili u mahnit kur mësoi për hebrenjtë autoktonë me një histori që niste që nga koha e djegies së Tempullit të Dytë në vitin 70 të erës sonë, e ndihmoi që të fluturonte fshehurazi në Jeruzalem pa vulë në pasaportë; ajo e paraqiti listën në Yad Vashem dhe punoi me autoritetet e atjeshme që të fillonin përgatitjen për një shpërngulje të komunitetit hebre nga Shqipëria për në Izrael.
Më 2 korrik 1990, fill pas vizitës së Lantos dhe DioGuardit në Shqipëri, shqiptarët hynë në ambasada të huaja dhe kërkuan strehim politik. Një muaj më pas rreth 20.000 shqiptarë do të largoheshin me anije për në Itali. Gjashtë muaj më vonë, në janar 1991, Joe DioGuardi do të takojë babain e Felicitës në Tiranë, dhe do të mësojë për dëshirën e komunitetit hebre për të emigruar në Izrael (kjo do të ndodhë në maj të vitit 1991). Joe gjithashtu mësoi se Josefi ishte munduar që fshehtas të ruante identitetin hebraik në Shqipëri duke përkthyer libra historikë dhe letrarë nga shkrimtarë hebrenj dhe duke përpiluar një histori të hebrenjve në trojet shqiptare, veçanërisht atë se çka ndodhi në Shqipëri gjatë Holokaustit. Ai i pati bërë të gjitha këto duke rrezikuar burgosjen dhe ekzekutimin gati të sigurt. Ai do të ishte gjykuar si “armik i shtetit”, pasi regjimi stalinist e konsideronte Izraelin aleat të Amerikës.
Vepra e Josefit me titull Izraelitët e Shqipërisë, e ndihmuar nga Felicita, e cila ishte me arsimim të lartë dhe e rrjedhshme në disa gjuhë, dha shkas për zhvillimin e tretë. Në verë të vitit 1992, Harvey Sarner, filantrop amerikan me prejardhje polake dhe krijuesi i Programit të Fisnikëve Jo-hebrenj, do të takonte Jakoelët në një qendër për pranimin e imigrantëve të rinj në Izrael. Pasi mësoi për herë të parë nga Josef dhe Felicita Jakoel se Shqipëria ishte “i vetmi vend në Europën pushtuar gjatë Luftës së Dytë Botërore ku hebrenjtë nuk u bënë viktima të makinës vdekjeprurëse të nazizmit”, ai premtoi se do të financonte shpëtimtarët shqiptarë që të udhëtonin në Izrael pasi që Yad Vashemi të vërtetonte rolet e tyre. Fill pas kësaj, gjashtëmbëdhjetë shqiptarë, të besimit mysliman, katolik dhe ortodoks, erdhën në Izrael për të pranuar medaljet për shpëtimin e hebrenjve gjatë Holokaustit. Ata vizituan aty qendrat e pranimit, ku u takuan me miqtë e tyre hebrenj nga Shqipëria, të cilët kishin dy vjet pa i parë. Të emocionuar nga ngrohtësia e shprehur, dhe pa marrë parasysh përkatësinë fetare, Sarner pranoi që të ndihmonte botimin e një historie të dhimbshme të Josef Jakoelit mbi hebrenjtë shqiptarë. Josefi ndërroi jetë pak më vonë, dhe Sarneri do ta përshtaste këtë në një libërth të vetin me titull Rescue in Albania [Shpëtimi në Shqipëri], me Parathënie nga kongresmenët Tom Lantos dhe Benjamin Gilman, dhe me Hyrje nga ish-kongresmeni Joe DioGuardi.
Ne tani kemi fatin që e bija e Josef Jakoelit, Felicita, na solli në zhvillimin e katërt historik të rëndësishëm: vendimin për të botuar tekstin origjinal të të atit, Izraelitët e Shqipërisë, të përgatitur për botim nga Agron Alibali, studiues në Universitetin e Massachusetts në Boston.
Përputhja e këtyre katër ngjarjeve historike dhe puna e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan në tërheqjen e vëmendjes ndërkombëtare për shpëtimin e ndërmarrë nga shqiptarët e ndryshoi historinë e mbijetesës së hebrenjve në Shqipëri në tre mënyra të tjera. Në prill të vitit 1994, pas një vizite private të Muzeut Memorial të sapothemeluar të Holokaustit të SHBA në Uashington DC, sëbashku me qeverinë në mërgim të Kosovës, Joe DioGuardi dhe unë zbuluam se aty nuk përmendej shpëtimi nga shqiptarët dhe lobuam që kjo të përfshihej. Në shkurt të vitit 1995, Fondacioni Shqiptaro-Amerikan festoi përfshirjen e Shqipërisë në seksionin e Muzeut “Fisnikët mes Kombeve”. Tre kongresmenë hebrenj – Ben Gilman, Tom Lantos dhe Jerrold Nadler – ndihmuan që kjo të bëhet realitet dhe folën në ceremoninë e sponsorizuar nga Fondacioni ynë. Aty u theksuan dy tema: që Shqipëria është i vetmi vend në Europë që mund të pohojë se kishte më tepër hebrenj pas Luftës së Dytë Botërore sesa përpara saj, dhe se të gjithë pa përjashtim, prej zyrtarëve të shtetit e deri tek fshatarët e varfër, pavarësisht nga besimi fetar a klasa ekonomike, kishin ndihmuar që të shpëtoheshin hebrenjtë.
Libri i Sarnerit u rishtyp e u shpërnda gjerësisht prej Ligës Shqiptaro-Amerikane dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan. Kjo gjë i ndihmoi shqiptarët e Kosovës gjatë krizës në Ballkan. Tragjedia e Bosnjës sapo kishte shkaktuar 250 000 të vrarë dhe 4 milion të zhvendosur, ndërkohë që diktatori Sllobodan Millosheviq kishte ndërmarrë marshimin e tij të gjenocidit në mbarë Ballkanin, që zgjati një dekadë. Pasi përfundimit të luftës në Bosnje Millosheviqi e ktheu vëmendjen kah Kosova. Me popullatën shqiptare të Kosovës të rrezikuar nga shfarosja, Fondacioni Amerikano-Shqiptar e shpërndau gjerësisht librin Shpëtimi në Shqipëri, duke filluar nga udhëheqësit hebrenj, të cilët e kuptuan përpara kujtdo tjetër se çfarë po ndodhte në zemër të Europës. Dhe për herë të parë bashkësia ndërkombëtare mësoi për rolin unik të shqiptarëve – nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Lugina e Preshevës (jugu i Serbisë) dhe Çamëria (Greqia verilindore) – të cilët kishin shekuj që jetonin në harmoni pranë njëri-tjetrit pavarësisht nga besimi fetar, myslimanë, katolikë, ortodoksë apo hebrenj. Kjo konfirmon se akti i shpëtimit të hebrenjve gjatë Holokaustit ishte një akt shqiptar dhe jo fetar.
Arsyeja kryesore që shqiptarët i shpëtuan hebrenjtë buron te historia e tyre e tolerancës fetare dhe ndëretnike e bazuar në Kanunin, një përmbledhje ligjesh zakonore që ka rregulluar sjelljen e shqiptarëve që nga ardhja e paraardhësve ilirë në Gadishullin Ballkanik disa mijëra vjet më parë. Me kodin e vet themelor të moralit besa, që thekson dhembshurinë dhe tolerancën, Kanuni iu përcoll gojarisht brezave dhe u mundësoi shqiptarëve që të rezistojnë dhe të mbijetojnë shekujt e persekutimit. Besa lidh nderin personal me respektin dhe barazinë me të tjerët. Ajo gjithashtu përfshin mbrojtjen e pa kompromis të mikut deri në flijimit e jetës së vet. Koncepti modern perëndimor i “të huajit” nuk ekziston në Kanun, vetëm koncepti i mikut. Dhe kështu, kur nazistët po përgatiteshin të ushtronin gjenocid, për shqiptarët ishte e natyrshme që t’i shpëtonin hebrenjtë. Ishte besa ajo që ishte në themel të shpëtimit të hebrenjve nga shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Detyra e parandalimit të gjenocidit në kohën tonë do të ndihmohet duke shqyrtuar se pse shqiptarët iu përgjigjën Holokaustit në atë mënyrë. Ne kemi bërë hapa të mëdha teknologjike në shekullin XXI, por mjerisht jemi ende prapa në përparimin moral. Sikur e pat theksuar Gavra Mandil, një hebre i Jugosllavisë, i cili sëbashku me familjen qe shpëtuar nga shqiptarët: “Shqiptarët ndoshta nuk u arsimuan me trashëgiminë e Goethes dhe Schiller-it, por ata i dhanë rëndësinë më të madhe jetës së njeriut”.
Prandaj edhe botimi i librit të Josef Jakoelit Izraelitët në Shqipëri (botim i Botime Çabej,2020 – shënim i Voal.ch) është kaq i rëndësishëm, pasi zbulon të vërtetën se si u njëmendësua shpëtimi i hebrenjve nga shqiptarët dhe si mundet ky shembull të përforcojë vendosmërinë e popujve të tjerë kudo në botë që të ndalin mizoritë në masë.
Ossining, New York, 29 shtator 2019