Nga 31 gusht deri më 2 shtator në Pallatin e Qelqtë në New York i zhvilloi punimet Konferenca e Katërt e Kryeparlamentarëve të shteteve anëtare të OKB-së. Delegacioni i Shqipërisë nuk u paraqit me speaker-in e vet që është Ilir Meta, por me zëvendësen e tij zonjën Valentina Leskaj. Zëvendëskryeparpalamentarja shoqërohej nga Albana Shtylla, Sekretare e Përgjithshme dhe Ralf Gjoni, këshilltar në Parlamentin e Shqipërisë.
Konferenca e parë e Kryeparlamentarëve të shteteve të OKB-së është mbajtur në vitin 2000, e dyta në 2005, e treta 2010 dhe e katërta më 2015.
Sipas hulumtimit në faqen zyrtare të kësaj Konference, në vitin 2010, Shqipëria ishte përfaqësuar me zonjën Topalli. Në vitin 2005 Shqipëria nuk rezulton të ketë marrë pjesë, ndofta sepse në korrik të atij viti u mbajtën zgjedhjet parlamentare, ndërsa këtë vit u përfaqësua me zonjën Leskaj, që është deputy speaker, pra zëvendëse speakere e Parlamentit të Shqipërisë.
Si Konferenca e Speakers-ave, pra e kryeparlamentarëve, që kushtëzon dhe nënkupton praninë e tyre, ishte kjo arsyeja që zonja Leskaj nuk u përfshi as në foton zyrtare të shefave të parlamenteve të Konferencës e 4-rt. Për hir të së vërtetës kishte edhe disa shtete të tjera që nuk përfaqësoheshin me kreun e tyre të parlamentit, por kryesisht të gjitha delegacionet merrnin pjesë në rrang kryeparlamentarësh.
Lind pyetja, përse nuk mori pjesë zoti Meta në këtë Konferencën e 4-rt të kryeparlamentarëve në New York ?
Një vit më parë ai e anulloi ftesën në SHBA për shkak të vizitës së paralajmëruar në Tiranë të presidentit të Turqisë, zotit Rexhep Taip Erdogan.
Për anullimin e kësaj here, disa portale shkruajtën se ndërsa zonja Leskaj fluturoi drejt New York-ut, zoti Meta do të udhëtonte drejt Maqedonisë për të marrë pjesë në gëzimin familjar të kryetarit të BDSH-së Menduh Thaçi si i ftuar nderi në dasmën e dy djemve të tij.
Pretekst, por jo shkak, sepse nëse në New York zoti Meta kishte një obligim dhe detyrim zyrtar për të marrë pjesë, tek Menduh Thaçi vizita ishte krejtësisht private dhe këtë nder ai mund t’ja bënte mikut të tij edhe një javë me vonesë.
Në fakt edhe vizita e Erdoganit në Tiranë ashtu si dasma e djemve të Thaçit në Maqedoni janë pretekste dhe nuk janë përgjigja reale e pyetjes se përse Meta e humbi edhe këtë rast dhe nuk fluturoi në SHBA.
Këtë pyetje zotit Meta duhej t’ja drejtonin mediat e Tiranës, por ato mjerisht nuk dalin nga roli i escortave të krerëve të politikës.
Por e pyesin ose jo gazetarët e Tiranës Ilir Metën, pyetja është aty, prezente me pikpyetjen në fund të saj se përse Ilir Meta anullon dhe shmang vizitat e tij në SHBA ?
Komentet