Zgjedhjet lokale tashmë përfunduan. Më së paku do të duhej që Lulzim Basha të jepte dorëheqjen. Ashtu si veproi edhe lideri historik i PD-së pas humbjes së 23 qershorit 2013.
Pak përpara mbajtjes të zgjedhjeve lokale në Shqipëri, në muajin maj, Britania e Madhe kishte zgjedhjet parlamentare dhe fitorja e partisë së qendrës së djathtë, që ishte një mandat i dytë për David Cameron, u shoqërua me dorëheqjen e liderit të Partisë Laburiste Ed Miliband. Humbja e partisë së Ed Miliband nuk ishte drastike. Konservatorët fituan me rreth 36% ndërsa laburistët humbën me rreth 30%. Po Ed Miliband s’kishte nga t’ia mbante. Sepse kjo është rruga fair e një politikani. Duhet t’ja lëshojë rrugën një tjetri.
Tani të kthehemi tek Dr.Kosova. Humbja e Dr.Kosovës u përshëndet me të drejtë nga faktori ndërkombëtar si fitore. Jo për faktin e thjeshtë se ai e pranoi rezultatin, por për arsyen e madhe se përfaqësoi modelin që ka munguar këtë çerek shekulli në Shqipëri.
Partitë janë kthyer në burim të së keqes dhe shkaktari kryesor i inkriminimit të politikës. Një sistem maxhoritar i pastër edhe në zgjedhjet parlamentare do të ishte një mënyrë shpëtimi e sistemit.
Duke u kthyer tek Dr.Kosova kur themi se ishte fitimtar, kjo jo për retorikë.
Së pari, rezultati që arriti Dr.Kosova vinte direkt nga një sistem maxhoritar, pra votohej direkt kandidati dhe jo partia.
Së dyti, fushata e Dr.Kosovës ishte pa shpenzime dhe shumë e thjeshtë nëse do ta krahasonim me fushatën pompoze dhe të kushtueshme të Erion Veliajt, por edhe të Lulzim Bashës e Edi Ramës në zgjedhjet lokale të 2011.
Së treti, në fushatën e Dr.Kosovës nuk u përfshi as Berisha, dhe as kryetari i partisë, sepse ishte i angazhuar nëpër rrethe, krejt ndryshe nga angazhimi i ASHE në Tiranë, ku gjithë deputetët e PS bashkë me kryeministrin bënë fushatë për Erion Veliajn.
Së katërti, fitorja e Erion Veliajt ishte produkt i një koalicioni partiak shumë të gjërë. “Aleanca për Shqipërinë Europiane” u përfaqësua me 37 parti, ku përveç LSI u përfshinë subjekte si Partia e Punës dhe Partia Komuniste, që do të duhej të shpalleshin të jashtëligjshme, ndërsa Dr.Kosova u mbështet tek vota qytetare.
Së pesti, në këto zgjedhje Dr.Kosova nuk ishte i privilegjuar si në garat e tyre Edi Rama, Lulzim Basha dhe Erion Veliaj kur kemi parasysh mbështetjen politike dhe pushtetin politik. Në zgjedhjet e 2007 dhe 2011 Edi Rama ishte lideri i PS, në zgjedhjet e 2011 Lulzim Basha ishte ministër prej 2005 në dy qeveri të maxhorancës dhe i zgjedhuri i Berishës, sikur edhe Erion Veliaj që nga kolltuku i ministrit kaloi direkt kandidaturë për Bashki si i preferuari i Edi Ramës, ndërsa Dr.Kosova ishte deputet i opozitës.
Së gjashti, për fitoren e Erion Veliajt dha votat e saj edhe FRD, partia e Bamir Topit, një parti e qendrës të djathtë që pavarësisht raporteve me PD, do të duhej të votonte për Dr.Kosovën. Veprimi i Bamir Topit ishte hakmarrës, profiter dhe nuk kishte të bënte me parime dhe lojë të pastër.
Së shtati, votat e kandidatit të pavarur Gjergji Bojaxhi kaluan në favor të Erion Veliajt, sepse edhe ky subjekt i dalë nga barku i PD, supozohet se i takon orientimit nga qendra e djathtë. Gjergji Bojaxhi ishte i aftë të kalkulonte. Ai eksperimentoi për interesa vetiake. Dhe suksesi i tij kaloi në llogari të ASHE.
Bamir Topi e Gjergji Bojaxhi kanë patur probleme me Berishën dhe Lulzim Bashën jo me Dr.Kosovën, por në Shqipëri politikanët llogarisin vetëm për interesat e tyre imediate dhe kurrë të mirën e vendit dhe sovranit. Sovrani nga ana e tij nuk e ka fituar ende ndërgjegjësimin se ai është Zoti i fatit dhe politikanët duhet të jenë vetëm shërbëtorë të tij. Raporti sovran-politikan vijon të mbetet me kokë poshtë dhe pasojat i vuan Sovrani.
Fitorja e Dr.Kosovës nuk është pjesë e llogaritjeve politike dhe për këtë statistikat flasin shumë shkoqur.
Në këtë relacion Dr.Kosova është kandidati më i votuar.Dhe normalisht, kush votohet më tepër duhet të jetë fitimtari.
Sipas statistikave, Dr.Kosova ka marrë më tepër vota në krahasim me tre fituesit e Bashkisë të Tiranës nga viti 2003, 2007, 2011 dhe 2015 që janë Edi Rama, Lulzim Basha e Erion Veliaj.
Në zgjedhjet e 2003 Edi Rama mori mandatin e dytë për Bashkinë e Tiranës me 67.702, ndërsa Spartak Ngjela humbi me 43.504
Në zgjedhjet e 2007, Edi Rama fitoi Bashkinë e Tiranës me 98.206, kur PS ishte në koalicion me LSI, PSD, PDS dhe AD, ndërsa i ndjeri Sokol Olldashi mori 76.184 vota.
Në zgjedhjet e 2011 Lulzim Basha i mbështetur nga LSI fitoi me 125. 042 vota, ndërsa Edi Rama 124.949 vota.
Në zgjedhjet lokale të 2015, Erion Veliajt u bë kryetar i Bashkisë me 213.275 vota, ku fitores së tij i kontribuan votat e LSI, të partive të ekstremit të majtë, të Bamir Topit, bile edhe të Gjergj Bojaxhiut, ndërsa Dr.Kosova fitoi pastër 164.038 dhe këtë fitore ia dedikon formatit të një politikani me integritet të pastër. PD kishte gjetur kandidatin e duhur. Kjo është rruga e shpëtimit.
Edhe Grida Duma nëse do të garonte për Tiranën do të ishte po ashtu një kandidaturë shumë konkuruese.
Në Durrës një kandidat për kryetar bashkie që garon për të katërtën herë është i papranushëm. Edhe për Vorën, PD duhet të dilte me një kandidat tjetër. Përjetësimi i pushtetit është jashtë logjikës së demokracisë.
Edhe në këto zgjedhje triumfoi qëllimi politik, që lidhet me pushtetin dhe jo me interesat e qytetarëve. Mavijosja e gjithë hartës së Shqipërisë dhe histeria e gëzimit është paranojë. Edhe fitorja e Erionit, jo si individ, por sepse kur themi Veliaj nënkuptojmë shumësinë e partive, që janë të lidhura në një aleancë traumatike, është pjesë e kësaj paranoje. Nëse Edi Rama dhe Ilir Meta ia kanë harruar njëri-tjetrit, kush është qytetar i ndershëm, pavarësisht krahut politik, nuk harron. Dhe sa herë ata dalin bashkë, në çfarëdo relacioni miqësoro-paqsor-vëllazëror për mendjet e shëndosha, ai duet është shprehje e katapultimeve të pandershme të politikës për interesa pushteti.
Sa për fitoren e Dr.Kosovës nuk dihet se çfarë impakti do të ketë në PD. Lulzim Basha do të duhej të thërriste Kongresin e jashtëzakonshëm të PD dhe Dr.Kosova është kandidatura më fortë sepse është më e votuara nga Sovrani.
Por nëse lidërshipi i PD do të tronditet nga fitorja e Dr.Kosovës sepse do ta shohë atë si rrezik pushteti, kjo do ta thellojë dramën e humbjes të PD.
Komentet