Po e them që në krye, e përktheva kur pashë se ishte keqinterpretuar pas një përkthimi të pjesshëm të Enver Robellit.
Jo më kot është e njohur ajo e thëna “Il traduttore, traditore”- “Përkthyesi si tradhtari”, sepse kuptimi i një fraze ndryshon edhe kur keqvendosim një presje.
Duhej thënë që në krye se zviceranët i kishin bërë një botim të shkëlqyer intervistës, duke i dhënë vend, hapësirë dhe fotografi.
Ajo që vihej re ishte gama e gjerë e pyetjeve, nga problemet e brendshme të qeverisë Rama, të shqiptarëve në përgjithësi, tek futbolli, rreth problemeve të Zvicrës dhe atyre të Europës e Perëndimit.
Intervista e Edi Ramës tek das Magazin ishte shumë e mirë.
Gazetarët europianë dhe amerikanë e intervistojnë me dëshirë sepse ky nuk e pyet fort hierarkinë dhe është antikonformist. Deklarimet për Trumpin në mediat Amerikane e katapultuan tek Obama në Zyrën Ovale. Edi Rama, si egocentrist, nuk është aq budallë sa të dëmtojë veten, sidomos kur ka të bëjë me publikun joshqiptar.
Das Magazin e kishte botuar intervistën duke përdorur si titull një paradoks të shprehur nga Edi Rama jo atë ditë, por dikur: se “Zvicra është shumë e mërzitëshme”, bile “e mërzitëshme për vdekje”. Titull intrigues për lexuesin zviceran dhe gjermanfolës.
Për ta balancuar këtë “marrëzi” të premierit shqiptar, meqë intervista e Ramës lëshohej në të njëjtën kohë kur u inagurua tuneli i Gotardit, Enver Robelli vinte në dukje titullin e gazetës konservatore të Gjermanisë «Frankfurter Allgemeine Zeitung» se «Zvicra e turpëron Europën» në kuptimin se vlen të merret si shembull për Europën.
Edi Rama vetë, pa hequr dorë nga stili paradoksal i sqaroi gazetarët e Das Magazin se gjatë një turi si kryetar i bashkisë të Tiranës, Konfederata Helvetike i ishte dukur monotoni për vdekje sepse aty s’kishte punë për të bërë dhe se ai s’kishte dashur të ishte kryetar bashkie, në kuptimin se aty gjithçka ishte perfekte në krahasim me metropolin ballkanik.
T’i thuash lexuesit zviceran se një kryeministër shqiptar thotë se në Zvicër është gjithçka perfekte, kjo përbën monotoni, pasi këtu jeton një komunitet gjigant shqiptarësh që kanë lënë vendet e tyre rumpallë për të gjetur shpresë, punë e qetësi.
Andaj Edi Rama zgjedh paradokse dhe gazetarëve të Das Magazin kjo gjë u ka pëlqyer, sepse është pjesë e profesionit tonë dhe i kemi për zemër titujt scoop e intigrues.
Edhe për Referendumet e Zvicrës, Rama nuk flet me antipati, përkundrazi flet me simpati, por pa hequr dorë nga gjuha e stilemave dhe arritjet e Zvicrës ai ia dedikon demokracisë direkte. Pra, nuk lë shteg Rama që Robelli ta marrë në mbrojtje Zvicrën, sepse nuk është e nevojshme.
Megjithatë ka një moment tek das Magazin që Edi Rama flet shqip dhe pa figuracion, për të sqaruar çdokënd që nuk i kupton figurat e stilistikës që janë pasuri e gjuhës, sepse gjuha nuk është bardh e zi, për ndryshe do të shterrej dhe nuk do të mjaftonin as 26 apo 36 gërma dhe gjuha do të kishte infinit deri tek mendjet e varfëra.
Kur gazetarët e das Magazin e pyesin se çfarë këshillash do t’i jepte Zvicrës, ai përgjigjet me shqipen e kuptueshme për të gjithë : “… nuk kam se çfarë këshillash t’iu jap zviceranëve. Unë i kam zili ata, kjo është e gjitha…”
Edhe në lidhje me amerikanët, europianët apo BE-në s’ka polisemi kuptimesh. Qartë dhe eksplicit. Për diktaturën e Shqipërisë që po të luaje me saksfon si Bill Clinton, të fusnin në burg, dikur SHBA ishin djalli, sot janë aleatë. Angela Merkel është më e mira, Shqipëria s’ka dilema, pjesë e BE-së, ndërsa BE-ja është në krizë, sidomos përballë emergjencës të refugjatëve. Flet edhe për dallimin 180 gradë midis myslimanëve edhe terroristëve të ISIS. Vetë Edi Rama është katolik, gruan e ka myslimane dhe Zahon, djalin e tij më të vogël, ia ka bekuar Papa Françeku.
Për reformën në drejtësi gazetarët nuk e pyetën, sepse kjo reformë është si një çark për gjithë klasën politike shqiptare, përfshi edhe vetë Edi Ramën. Kjo vlen jo vetëm në shtetin amë por edhe në Kosovë e Maqedoni.
Edhe për talentin e futbollistëve shqiptarë të Kosovës që janë kaq të suksesshëm në Zvicër, Edi Rama përgjigjet shumë drejt. Kosova ka një histori 75 vjeçare emigrimi në Zvicër. Nëse Shqipëria do ta kishte patur këtë mundësi, sepse këtu ndryshonte Tito nga Enveri, atëhere sot Shqipëria do të ishte të paktën baraz me Kroacinë, të mos flasim pastaj për futbollistët, të cilët Edi Rama i sheh përsëri me krenari, pa dallim, si njërin apo tjetrin, kur vëllezërit Xhaka shihen si simbol për të vërtetuar atë që thuhet se në Kampionatin Europian po luajnë Albania I dhe Albania II.
Ka një vend ku Rama u përgjigjet gazetarëve zviceranë: “S’po e kuptoj pyetjen”! Ndërsa pyetjen e kemi kuptuar të gjithë ne. Kur u dha intervista, Kosova nuk ishte votuar ende si anëtare e UEFA dhe FIFA. Sepse tani dalin dy ekipe kombëtare shqiptare, por gazetarët e sollën pyetjen pak a shumë rreth kësaj e Rama i ra shkurt, sepse është një pikë ku politikanët shqiptarët futen shpejt në rrjetë si gjoja “nacionalistë të thekur”, kur peshku është në det dhe tigani në zjarr.
Në momentin kur Rama u thotë gazetarëve se “ka ardhur momenti t’i flakte jashtë”, ai ishte duke vijuar stilin paradoksal, por asgjë nuk e ka ndalur apo penguar mbarëvajtjen e komunikimit, sepse intervista duket plotësisht e ezauruar, pra e përfunduar. Ndofta mund edhe të jetë prekur, sepse gazetarët zviceranë sulmin fizik që Edi Rama e kishte përjetuar gjatë Lëvizjes Demokratike e krahasuan me të njëjtën situatë që kishte përjetuar Niklaus Meienberg, një nga figurat më emblematike të gazetarisë zvicerane në vitet ’70-’80, tek i cili impakti i atij sulmi kishte qenë aq fatal sa nuk e kishte përballuar dot dhe më në fund kishte vrarë veten.
Si gazetare, mendoj se kjo pyetje, për të shmangur përcaktorin se ishte provokative apo cinike, mund të them me plot gojën se të paktën ishte një pyetje e vështirë, por gazetarët prandaj janë.
Gjithsesi, mua më kujtoi kur shtatorin e vjetshëm ne ishim në një konferencë shtypi në Gjenevë me presidenten e Zvicrës Simonetta Sommaruga, që si Këshilltare Federale mbulon Departamentin e Drejtësisë dhe Policisë. Një gazetare turke, nga një gazetë e Turqisë, po i bënte pyetje provokative, ndërsa zonja Sommaruga përgjigjej me shumë qetësi. Dhe, vetëm ku mbaroi konferenca për shtyp, zonja Sommaruga tha: “Jam dakord me pyetjet, s’kam asgjë kundër, por një gjë dua të pyes: gazetarët që më bëjnë mua këto pyetje, a mund t’ua bëjnë edhe liderëve të vendeve të tyre.” Implicitivisht i referohej vështirësive që kanë gazetarët në Turqi nga censura shtetërore.
Shkrimi im rreth intervistës së Edi Ramës tek Das Magazin nuk është reagim ndaj gazetarëve që e kanë bërë intervistën. Për ata kam vetëm fjalë përgëzuese. Është intervistë perfekte. Reagimi im lidhet me këndvështrimin e interpretimit në shqip. Kur ne gazetarët përkthejmë ose perifrazojmë, duhet të respektojmë pikë për pikë të vërtetën, pa e deformuar atë. Duke e refuzuar të thënën se “Il traduttore, traditore”- “Përkthyesi si tradhtari”.
Komentet