Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafa, ditë më parë ka ndarë mirënjohje për organizatorët e referendumit të vitit 1992 në Luginën e Preshevës. Në këtë referendum, që Serbia e konsideron jolegjitim, banorët e atjeshëm ishin përgjigjur me një shumicë dërrmuese se duan autonomi politike e territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën.
Mirëpo, kjo ndarje e mirënjohjeve nga ana e Ragmi Mustafës, 27 vjet pas këtij referendumi, ka ngjallur reagimin e zyrtarëve serbë, të cilët kanë thënë se ky veprim nuk ka asnjë lidhje me qëllimet e Këshillit Kombëtar të shqiptarëve.
Në anën tjetër, kreu i këtij Këshilli, Ragmi Mustafa, pohon se kjo është vetëm një mirënjohje për njerëzit që sollën demokracinë në komunitetin shqiptar dhe se ai kundërshton pretendimet se ky është një veprim i politik.
“Këshilli Kombëtar Shqiptar ka ndarë mirënjohje për organizatorët e referendumit të vitit 1992 pasi kjo është trashëgimia jonë politike, kulturore dhe e identitetit”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Ragmi Mustafa, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës.
“Mendojnë se atëherë në Jugosllavi, kur u bë braktisja e sistemit monist,dhe kur organizimi i shoqërive pluraliste ka qenë shumë i vështirë, njerëzit kanë punuar në atë drejtim që të sjellin demokraci në komunitetin shqiptar, dhe kështu krijuan orientimin politik të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Këshilli Kombëtar Shqiptar ka dashur vetëm të njohë punën e tyre dhe angazhimin, si dhe të shprehë respekt për trashëgiminë tonë”, shton ai.
Mirënjohje për organizimin e këtij referendumi kanë marrë, kryetari shumëvjeçar i Partisë për Veprim Demokratik, Riza Halimi, si dhe anëtarët e Partisë Demokratike Shqiptare, Ali Ahmeti, Ibrahim Kadriu dhe Shaip Duraku.
Në anën tjetër, zyrtarë të lartë të Serbisë thonë se ky ka qenë një referendum që Serbia e njeh si jolegjitim dhe se i njëjti nuk është pranuar as nga bashkësia ndërkombëtare. Kjo ndarje e mirënjohjeve, sipas tyre, nuk përfshihet në qëllimet e Këshillit Kombëtar të pakicës kombëtare shqiptare në Serbi.
“Siç e dini, ky referendum nuk është pranuar nga bashkësia ndërkombëtare, dhe disa njerëz që i kanë marrë mirënjohjet, në atë kohë i kanë pasur nga dymbëdhjetë vjet, prandaj është i panevojshëm çfarëdo komenti lidhur me joseriozitetin dhe papërgjegjësinë e atyre që e bënë këtë”, thotë kryetari i trupit koordinues për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, Zoran Stankoviq.
Ai thotë se i bën thirrje edhe njëherë Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve t’i zgjidhin çështjet brenda juridiksionit të tyre, pasi kjo që ata kanë bërë, nuk përkon me atë juridiksion. Sipas Stankoviqit, para së gjithash ata duhet të japin propozime konstruktive për të zgjidhur çështjen e teksteve shkollore në gjuhën shqipe.
“Propozimet për çështjen e teksteve shkollore të bëhen në përputhje me ligjet e Serbisë, pasi ne ka vite që po i presim”, deklaron Stankoviq.
Ndaj këtij veprimi të Këshillit që e udhëheq Ragmi Mustafa, ka reaguar edhe ministri për Administratë Shtetërore dhe Pushtet Lokal në Qeverinë e Serbisë, Branko Ruzhiq. Ai i ka thënë gazetës “Veçernje Novosti” se ky është akti më flagrant i tejkalimit të juridiksionit të Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe se ky veprim është në kundërshtim me interesat e qytetarëve.
“Kjo ishte përpjekje për të tërhequr vëmendjen e mediave për diçka që absolutisht nuk ka ndonjë lidhje me qëllimin e Këshillit”, ka thënë Ruzhiq.
I pyetur nëse dhënia e këtyre mirënjohjeve mund të shihet si veprim politik duke pasur parasysh faktin se kjo ndodh gati tre dekada pas referendumit, dhe saktësisht në kohën kur po dalin opsione për ndryshimin e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë apo shkëmbimin e territoreve mes dy vendeve, Ragmi Mustafa thotë se ndarja e mirënjohjeve nuk ka të bëjë me ndonjë politizim.
“Për përcaktimin e kufirit flet edhe ministri i Punëve të Jashtme, (Ivica Daçiq) si dhe presidenti (Aleksandar Vuçiq). Mendoj se kjo nuk ka asnjë lidhje me këtë kontekst. Ne kemi dashur të respektojmë trashëgiminë tonë kulturore, politike dhe shoqërore”, thotë Mustafa.
Ndërkohë, kreu i Qendrës për Hulumtim dhe Monitorim në Preshevë, Kujtim Sadriu, thotë për Radion Evropa e Lirë se të gjithë ata që kanë punuar për të drejtat e qytetarëve, duhet të nderohen dhe të vlerësohen, por megjithatë ai thotë se ka rezerva në pikëpamje të shumicës së atyre që kanë marrë mirënjohje.
“Në këtë kuptim, për të gjithë ata që kanë marrë mirënjohje, përveç Ibrahim Kelmendit, kjo është lojë politike, pasi Riza Halimi është pensionist i Parlamentit të Serbisë dhe se që nga ai referendum dhe deri më sot, e ka manipuluar popullin dhe ka ngritur tensione. Po të ishin aq patriotë Riza Halimi dhe Ragmi Mustafa do t’i bojkotonin institucionet serbe dhe nuk do të ishin në funksione sipas ligjeve të Kushtetutës së Serbisë, por do të shpallnin autonominë sikurse e shpallën Republikën në Kaçanik shqiptarët e Kosovës. Pra, sipas këndvështrimit tim, ky është vetëm njëfarë gabimi politik”, shprehet Sadriu.
Ai, po ashtu, thotë se ndarja e këtyre mirënjohjeve nuk mund të ketë asnjë pasojë serioze.
“Ndoshta kjo është lojë duke pasur parasysh se tash po flitet për përcaktimin e kufirit edhe nga ana e fuqive të mëdha”, shton Sadriu.
Përfaqësuesit e shqiptarëve të Kosovës nga tri komunat në jug të Serbisë, mes të cilëve edhe Ragmi Mustafa, kanë përpiluar disa platforma të përbashkëta politike. Platformën e fundit e kanë bërë në korrik të vitit 2018 duke i autorizuar përfaqësuesit e Kosovës që t’i përfaqësojnë ata në bisedimet me Serbinë në Bruksel.
Ndryshe, përfaqësuesit e këtyre komunave, që shpesh përkufizohen edhe si Luginë e Preshevës, thonë se vullneti i tyre politik është që t’i bashkohen Kosovës dhe rikujtojnë se këtë vullnet e kishin shprehur edhe përmes referendumit të mbajtur në vitin 1992.
Në atë referendum, të cilin autoritetet serbe nuk e njohin, rreth 97 për qind e votuesve shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, të shpërndarë në 71 vendbanimeve, ishin deklaruar për “autonomi politiko-territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën”.
Në këtë referendum është thirrur disa herë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kur ka folur për mundësinë e, siç e quan ai, “korrigjimit të kufijve” mes Kosovës dhe Serbisë, si pjesë e një marrëveshje paqeje mes dy vendeve.
Përgatiti: Kestrin Kumnova
Komentet